﻿Vargu i profetëve nën dritën e Kur’anit

HZ. MUHAMMED MUSTAFA -2-
(Mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi Të!)

Osman Nuri TOPBAS

Published by Osman Nuri Topbas at Smashwords
Copyright © 2011 by Osman Nuri Topbas

Smashwords Edition, License Notes
All rights reserved. No part of this publication may be reproduced, stored in a retrieval system, or transmitted in any form or by any means, electronic, mechanical, photocopying, recording or otherwise, without the prior permission of the copyright owner.
E-mail: english@islamicpublishing.net
Web site: http://www.islamicpublishing.net
PERMBAJTJA
VITI I PARE I HIXHRETIT
Qëndrimi i parë i të Dërguarit të Allahut në Medinë
Mikpritësi profetik: Ebu Ejub el-Ensari (r.a.)
Shërbimi i Enes bin Malikut (r.a.) pranë Profetit
Pakti i vëllazërisë mes muhaxhirëve dhe ensarëve: Muahat
Virtytet e muhaxhirëve dhe ensarëve
Qyteti Profetik dhe Dokumenti i Medinës
Medina shpallet e Paprekshme 
Tregu i Medinës dhe rregullimi i jetës tregtare
Ndërtimi i Faltores Profetike dhe i Banesës Profetike
Ezani i parë
Shokët e Sofatit dhe shkolla e dijes dhe kulturës shpirtërore
Martesa e Profetit me Hz. Aishenë
Popullsia e Medinës
Leja për luftë:
“Atyre që ju hapin luftë, edhe ju hapuni luftë!”
Xhihadi në rrugën e Allahut
Disa ekspedita
VITI I DYTE I PROFETESISE
Disa marshime dhe fushata e Batni Nahles
Ndërrimi i kibles
Agjërimi, sadakaja e fitrit dhe zeqati
Itikafi 
LUFTA E MADHE E BEDRIT
Ndihma e engjëjve
Luanët e Bedrit
Kthimi nga Bedri
Trajtimi i robërve dhe skllevërve
Konkluzioni për plaçkën e luftës (ganimet)
Grada shpirtërore e dëshmorësisë
Bija e Profetit, Hz. Zejnebi, sillet në Medinë
Çifutët dhe lufta Beni Kajnuka
Lufta e Sevikut 
Martesa e Hz. Aliut me Hz. Fatimen
Ehli Bejti dhe dashuria për Ehli Bejtin
VITI I TRETE I HIXHRETIT
Një luftë e mbushur plot pësime mësimdhënëse: 
LUFTA E UHUDIT
Pasioni i sahabeve për të rënë dëshmor
Zotëria i dëshmorëve, Hz. Hamza
Sahabiu që mbylli dyert e justifikimit: Sa’d bin Rebi
Dëshmorët e Uhudit
 “Ne e duam Uhudin, edhe Uhudi na do ne!”
Urtësitë që duhen nxjerrë nga lufta e Uhudit
Hamrau’l-Esed 
Çështja e trashëgimisë
VITI I KATERT I HIXHRETIT
Ngjarja Rexhi 
Ndodhia në Bir-i Maune
Plani tradhtar i Beni Nadrit 
Ndalimi i kumarit dhe i pijeve alkoolike
Dhatu’r-Rika
Bedri i Vogël
VITI I PESTE I HIXHRETIT
Selman Farisiu bëhet musliman dhe fiton lirinë
Abrogimi i birësimit
Mbulesa bëhet farz (detyrim fetar)
Lufta Murejsi
Tejemmumi 
Ndodhia e shpifjes 
Ata janë dushmanët, ruhuni prej tyre!
LUFTA E HENDEKUT,
një vështirësi dhe mundim i papërfytyrueshëm 
Myzhdeja e dhënë në Hendek
Gjella e begatuar e Hz. Xhabirit
Vështirësitë dhe mundimet e hequra në Hendek
Lufta është dredhi
Lufta Beni Kurajdha
VITI I GJASHTE I HIXHRETIT
Çelësi i fitoreve: Pakti i Hudejbijes
Udhëtimi me mallin për Qaben
Bej’atu Ridvan: Besëlidhja e pëlqyer nga Allahu 
Pakti i Hudejbijes: Etapa e re e Ftesës
Fitorja e Madhe e së Vërtetës: 
Begati e shumëfishtë e orientimit në rrugën e drejtë
VITI I SHTATE I HIXHRETIT
Ftesë sundimtarëve për në Islam 
Çifutët i bëjnë magji Profetit
FITORJA E HAJBERIT:
goditja e fundit kundër çifutëve ngatërrestarë e tradhtarë
Ekzigjenca dhe korrektesa 
në çështjen e të drejtave të personit
Ardhja e njerëzve të fisit Devs në Medinë
Kthimi i muhaxhirëve nga Abisinia
Çifutët tentojnë ta helmojnë Profetin
Çështja Mut'a 
Duke u kthyer nga Hajberi
Umretul Kada 
VITI I TETE I HIXHRETIT
Vdekja e vajzës së Profetit, Hz. Zejneb
Legjenda e shkruar nga një grusht sahabesh:
LUFTA E MUTES (Xhejshul Umera)
Talenti komandues i Halid bin Velidit
Erdhi e vërteta, gënjeshtra u shemb:
TRIUMFI I MEKES 
Festa e amnistisë së përgjithshme
Besa e mekasve
Amanetin (detyrën) jepjani atij që i takon
Një besnikëri e pashembullt
Lufta fitimtare e Hunejnit 
Lufta e Evtas 
Rrethimi i Taifit
Ndarja e plaçkës së luftës 
Dënimi i vrasjes së një muslimani
Emërimi i guvernatorit dhe mësuesit në Mekë
VITI I NENTE I HIXHRETIT
Shpata e gjuhës
Thënien e të mbrapshtit hetojeni!
Një provë e madhe besimi:
FUSHATA E TEBUKUT
Solidariteti në kontribut
Koha e vështirësive 
Dëshmori i Tebukut
Pabesia e hipokritëve dhe faltorja Dirar
Nga xhihadi i vogël, në xhihadin e madh!
Tre sahabe me pendesë të shtyrë
Thesaret e tokës e të qiejve janë të Allahut
Në fenë pa adhurim nuk ka mbarësi!
Ndodhitë e tjera pas kthimit nga Tebuku
Viti i ambasadorëve 
Detyrimi i haxhit 
VITI I DHJETE I HIXHRETIT
Adij bin Hatimi bëhet musliman
Haxhi i parë e i fundit i Dritës së Qenies: 
HAXHI I LAMTUMIRES
Sot e përsosa fenë tuaj
Mallkimi i rënë mbi tokë
VITI I NJEMBEDHJETE I HIXHRETIT
Lamtumira e madhe dhe bashkimi i madh:
UDHETIMI SUBLIM PER TEK “SHOKU I LARTE”!
Hidhërimi që përfshiu gjithësinë
PERSONALITETI SHEMBULLOR
EPILOG



Allahu i Lartë urdhëron:
وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِلْعَالَمِينَ
“(O i Dërguar!) Ne të dërguam ty vetëm si mëshirë për botët!” (el-Enbija, 107)
لَقَدْ جَاءكُمْ رَسُولٌ مِنْ أَنْفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُم
 بِالْمُؤْمِنِينَ رَؤُوفٌ رَحِيمٌ
“Pa dyshim, juve ju ka ardhur një i dërguar i tillë nga mesi juaj, të cilit i vjen shumë rëndë kur ju bini në shqetësime! Ai është shumë i shtënë pas jush, shumë i dhimbshur dhe mëshirues ndaj besimtarëve!” (et-Tevbe, 128)
قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ الله فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ الله وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ
 وَ الله غَفُورٌ رَحِيمٌ

“(O i Dërguar!) Thuaju: “Po qe se e doni Allahun, ndiqmëni mua që edhe Allahu t’ju dojë ju dhe t’jua falë mëkatet! Allahu është mëshirues dhe shpërblyes i madh!” (Al-i Imran, 31)
قُلْ أَطِيعُوا الله وَالرَّسُولَ فإِنْ تَوَلَّوْا فَإِنَّ الله لاَ يُحِبُّ الْكَافِرِينَ
“Thuaju: “Bindiuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij!” Po qe se e kthejnë kokën mënjanë, ta dinë se Allahu nuk i do mohuesit!” (Al-i Imran, 32)
مَا كَانَ مُحَمَّدٌ أَبَا أَحَدٍ مِن رِجَالِكُمْ وَلَكِن
رَسُولَ الله وَخَاتَمَ النَّبِيِّينَ وَكَانَ الله بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيماً
“Muhammedi nuk është i ati i meshkujve tuaj, por i dërguari i Allahut dhe i fundmi i profetëve! Allahu e di çdo gjë me të drejtë!” (el-Ahzab, 40)
وَالَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَآمَنُوا بِمَا نُزِّلَ عَلَى مُحَمَّدٍ وَهُوَ الْحَقُّ مِنْ
رَبِّهِمْ كَفَّرَ عَنْهُمْ سَيِّئَاتِهِمْ وَأَصْلَحَ بَالَهُمْ
“Allahu ua ka mbuluar mëkatet dhe ua ka rregulluar gjendjen atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira dhe që i besojnë asaj që i është zbritur Muhammedit nga Zoti si e vërteta vetë!” (Muhammed, 2)
***
I Dërguari i Allahut – mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – porosit: 
“Unë do të jem i pari nga ju që do të arrij në hauzin Kevther dhe do t’ju pres atje. Ky hauz është vendi i takimit tonë. Këtë çast unë jam duke e parë atë! Unë do të dëshmoj për ju! Këtë çast mua m’u dhanë thesaret e tokës dhe çelësat e tyre! Betohem në Allahun se s’kam frikë se, pas meje, mos ktheheni në politeizëm! Por kam frikë për ju se mos jepeni pas pasionit të kësaj bote dhe, atëherë, e keni smirë dhe e vrisni njëri-tjetrin dhe, ashtu siç u asgjësuan paraardhësit tuaj, edhe ju asgjësoheni e mbaroni!..” (Buhari, Xhenaiz, 73; Muslim, Fedail, 31) 
“Dijeni mirë se unë do të shkoj para jush dhe do t’ju pres atje. Kini vëmendjen se vendi i takimit tonë nesër (në jetën e pasme, ahiret) është kreu i hauzit Kevther. Kush dëshiron të takohet nesër me mua, ta heqë dorën dhe gjuhën nga mëkati…” (Buhari, Salat, 80; Ibni Sa’d, II, 227) 
Ç’të ketë bota, është gjithshka e dhëna e tij!
E detyruar shoqëria ndaj tij, i detyruar individi,
Tërë njerëzimi ka ndaj atij të Pafajshmi detyrim;
O Zot, na bashko në ringjallje me këtë besim!
Mehmet Akif Ersoj

VITI I PARE I HIXHRETIT
Qëndrimi i parë i të Dërguarit të Allahut në Medinë
Me hixhretin ose emigrimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) në Medinë, filloi për Islamin dhe muslimanët një faqe e re dhe një periudhë e re historike.
Profeti (s.a.s.) nuk ndodhej në Medinë në pozitën e një emigranti, përkundrazi, ai ishte kryearkitekti, lideri dhe prijësi i një bote më vete, kryetari i shtetit islam të porsangritur, shkurtimisht, gjithçka. Me vajtjen e tij në Medinë, ftesa në Islam dhe mënyra e veprimit të muslimanëve fituan një forcë të madhe aksioni. 
Gjersa u ndërtua Faltorja Profetike, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) mbeti si mik shtatë muaj në shtëpinë e Ebu Ejub el-Ensariut (r.a.). Kjo bujtje në shtëpinë e Ebu Ejub el-Ensariut, mikpritësit profetik, mbështetej në një të kaluar të gjatë disashekullore.
Shtatëqind vjet më parë, kur sundimtari jemenas Tubba Ebu Kerib që pati shkuar në Medinë e cila ato kohë thirrej Jethrib dhe pati mësuar nga dijetarët hebrenj se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) do të shfaqej në Mekë dhe do të emigronte në Medinë, pati ndërtuar aty një shtëpi. Pastaj, pasi pati shkruar një letër në lidhje me këtë dhe e pati vulosur me vulë të artë, ia pati dorëzuar dijetarit më të madh të Medinës me porosinë që, në qoftë se nuk e arrinte vetë, të linte porosi që t’i dorëzohej Zotërisë së Botëve duke e përcjellë si amanet nga brezi në brez.1 
Qysh në atë kohë, Tubba qe bërë musliman duke ia pohuar besimin të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).2 
Ja, pra, kjo shtëpi, duke u përcjellë nga ati te biri, kishte arritur gjer te Ebu Ejub Halid bin Zejd (r.a.) nga brezi i njërit prej dijetarëve medinas. Kjo shtëpi e bekuar ndodhej në lindje të Faltores Profetike. 
Ata që e kishin në duar letrën e Tubbas, kur e mësuan se i Dërguari i Allahut ishte duke ardhur në Medinë, dërguan një person të besueshëm për t’ia dorëzuar letrën, Ebu Lejlanë nga fisi Sulejm. Ebu Lejla e takoi Profetin (s.a.s.) në rrugën që vinte nga Meka. Me ta parë atë, i Dërguari i Allahut e thirri pranë dhe e pyeti: 
“A ti je Ebu Lejla?”
“Po!” – Iu përgjigj Ebu Lejla. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“Ti ke me vete letrën e Tubbas! Ma jep!”
Ebu Lejla nuk e njihte ende të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), prandaj u habit shumë dhe i tha:
“Po ti, kush je? Unë nuk shoh ndonjë shenjë magjistarie në fytyrën tënde. Atëherë, si e dite se letra ndodhet tek unë?”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“Unë jam Muhammedi! Jepma letrën!”
Ebu Lejla e nxori letrën nga ku e kishte fshehur dhe ia dorëzoi Profetit. Pasi e lexoi letrën Hz. Ebu Bekri (r.a.), Zotëria i Gjithësisë tha tri herë:
“Merhaba, o vëlla i mirë, Tubba!”
Profeti e urdhëroi Ebu Lejlanë të kthehej në Medinë. Ebu Lejla u kthye në Medinë ku dha lajmin e gëzuar se Profeti ishte duke ardhur. Për këtë lajm, secili medinas e gostiti atë.3 

Mikpritësi profetik: Ebu Ejub el-Ensari (r.a.)
Ebu Ejub el-Ensariu (r.a.) i cili pati fatin ta nderonte gjatë shtatë muajve në shtëpinë e vet Mbretin e Profetëve, megjithëse qysh në fillim pati ngulur këmbë që i Dërguari i Allahut të banonte në katin e sipërm të shtëpisë, Profeti (s.a.s.) qëndroi në katin e poshtëm duke i thënë kështu atij:
“O Eba Ejub, qëndrimi në katin e poshtëm është më me vend dhe më i përshtatshëm për mua!”
Meqë Ebu Ejubi (r.a.) dhe familja e tij që i shërbenin me një respekt dhe dashuri të pashoqe mikut të shquar të tyre, të Dërguarit të Allahut, u vinte turp qoftë edhe që vendi ku flinin të ishte në një drejtim me atë të Profetit, flinin duke u strukur anë mureve.
Një natë iu thye shtamba dhe i gjithë uji që kishte, u derdh përtokë. Ebu Ejubi që druhej se mos uji e lagte mikun e bekuar, mori menjëherë të vetmen mbulesë që kishin, jorganin prej kadifeje, dhe nisi ta thante truallin me të duke vepruar me shqetësim dhe nxitim. Pastaj, kur u bë mëngjes, iu lut me këmbëngulje Profetit (s.a.s.) që të ngjitej në katin e sipërm. Megjithëse i Dërguari i Allahut i tha se kati i poshtëm ishte më i përshtatshëm, Ebu Ejubi (r.a.) këmbënguli me këto fjalë:
“Sa të ndodhesh ti në katin e poshtëm, ne nuk mund të ngjitemi sipër!”
Atëherë, i ndërruan vendet.4
Gjatë ditëve të qëndrimit të Profetit (s.a.s.) në shtëpinë e tyre, në familjen e Ebu Ejubit gatuhej gjellë, nga e cila i jepej edhe Profetit. Kur u kthehej gjella e mbetur prej tij, ata hetonin vendet ku kishin prekur gishtat e tij dhe përfitonin begati me këtë. Një radhë, Profetit i dërguan gjellë me qepë apo hudhër, por ai s’e hëngri. Kur Ebu Ejubi nuk pa në gjellë gjurmët e gishtave të tij, dyshoi, i shkoi pranë dhe e pyeti:
“O i Dërguari i Allahut, a mos është haram kjo gjellë?”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu përgjigj: 
“Nuk është haram, por nuk më pëlqen era e saj, sepse unë bisedoj me engjëjt!”
Atëherë, Ebu Ejubi (r.a.) i tha:
“Gjënë që s’e pëlqen ti, s’e pëlqej as unë!”
Por i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“Jo, ju hajeni atë!”
Pas asaj radhe, ata s’i gatuan më Profetit (s.a.s.) nga ato perime.5
Kjo situatë e shpreh bukur delikatesën dhe ndjeshmërinë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) për të mos i shqetësuar në asnjë mënyrë njerëzit dhe engjëjt!
Respekti dhe përkushtimi i Ebu Ejub el-Ensariut ndaj të Dërguarit të Allahut vazhdoi edhe pas periudhës së bujtjes së tij në shtëpinë e tyre. 
Profeti pati thënë:
"Sigurisht, Stambolli do të triumfohet; ç'komandant i madh ai komandant që do ta triumfojë atë dhe ç'ushtarë të mëdhenj, ushtarët e tij!" (Ahmed, IV, 335; Hakim, IV, 468/8300)
Vetëm e vetëm për t'u bërë pjesëtar i një paralajmërimi të tillë të gëzueshëm, Ebu Ejubi mori pjesë dy herë në moshën mbi tetëdhjetëvçjare në rrethimin e Stambollit dhe e dha shpirtin si një nga ushtarët e parë të triumfit që kishte për t’u realizuar më pas. Pak para se të vdiste, me qëllim për t’u treguar qoftë edhe me anë të kufomës së tij të bekuar, synimin ushtarëve islamë që kishin për të ardhur më pas për triumfin, u dha këtë porosi të pranishmëve përreth:
"Më varrosni në pikën më të fundit që ju ka shkelur këmba!"6

Shërbimi i Enes bin Malikut (r.a.) pranë Profetit
Enesi (r.a.) tregon:
“Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) erdhi në Medinë, njerku im, Ebu Talha, më kapi për dore, më çoi te i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Enesi është një fëmijë i zgjuar, le të të shërbejë ty!” Kështu, unë u bëra shërbyes i të Dërguarit të Allahut dhe i shërbeva dhjetë vjet në paqe e në luftë. Betohem se nuk më tha kurrë “pse bëre kështu” kur bëra ndonjë gabim, dhe “pse s’e bëre këtë” kur s’e kryeva ndonjë detyrë! (Muslim, Fedail, 52)
Sipas një rrëfimi tjetër, hyrja e Hz. Enesit në shërbim të Profetit (s.a.s.) ka ndodhur kështu:
Pas vajtjes në Medinë, të gjithë ensarët, burra e gra, shkonin te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) për t’i çuar dhurata të ndryshme. Ndërkaq, Ummu Sulejm hidhërohej e dëshpërohej që s’kishte gjë për t’i dhuruar. Më pas, një ditë, ajo e mori për dore të birin Enes dhe shkoi te i Dërguari i Allahut. 
“O i Dërguari i Allahut, - i tha ajo, - a e sheh me vend që Enesi të të shërbejë? Dhe Profeti pranoi. (Semhudi, I, 271)
Enesi (r.a.) thotë:
“…Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) deshi të më çonte në një vend. Unë i thashë: “Vallahi, nuk shkoj!” Mirëpo, në vetvete kisha vendosur të shkoj, sepse ishte i profeti i Allahut që më urdhëronte. Dola në rrugë dhe, në vend që të shkoja atje ku duhej, u afrova te disa fëmijë që po luanin, dhe u vonova aty. Ndërkaq, dikush më vuri dorën në zverk. Ishte i Dërguari i Allahut (s.a.s.)! Kur u ktheva për ta parë, po buzëqeshte.
“O vogëlush, - më tha, - a shkove atje ku të thashë?”
“Menjëherë po shkoj, o i Dërguari i Allahut!” – Iu përgjigja unë. (Muslim, Fedail, 54)
Një kujtim tjetër, Enesi (r.a.) e tregon kështu:
Një ditë, pasi i kryeva shërbimet të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), duke menduar se, ndërkaq, Profeti ishte shtrirë të merrte një sy gjumë pas dreke, shkova te fëmijët. Ndërsa po ndiqja lojën e tyre, erdhi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i cili i përshëndeti fëmijët me selam. Pastaj më thirri pranë dhe më dërgoi diku. Dhe unë shkova. Kurse ai u ul nën një hije për të pritur gjersa të kthehesha unë. Në këtë mes, u ktheva edhe te nëna që s’e kisha parë më gjatë se herët e tjera. Kur i shkova, nëna më pyeti:
“Pse u vonove?”
“Më çoi i Dërguari i Allahut për një punë!” – Iu përgjigja. 
“Për ç’punë?” – Më pyeti nëna.
“Eshtë e fshehtë e të Dërguarit të Allahut!” – Iu përgjigja. 
“Atëherë, ruaje të fshehtën e të Dërguarit të Allahut!” – Më porositi nëna.
Thabiti që e përcjell këtë hadith, thotë:
“Enesi më tha: “Po qe se do t’ia thosha dikujt atë të fshehtë, do të ta thosha ty, o Thabit!” (Ahmed, III, 195)
Siç shihet, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke i pranuar fëmijët si t’i kishte bashkëmoshatarë, u pati besuar disa të fshehta. Në çdo faqe të jetës, ai pati ushqyer një dashuri dhe dhembshuri të thellë për fëmijët, i pati trajtuar me seriozitet duke u ulur në nivelin e tyre dhe pothuaj pati hyrë në shpirtin e fëmijëve. Në porositë e tij mbi fëmijët, ai thotë:
“Kush të ketë fëmijë, të bëhet si fëmijë”7 (Dejlemi, III, 513)
“Bëjuni dhurata fëmijëve dhe edukojini bukur!” (Ibni Maxhe, Edeb, 3)
Duke u shprehur në këtë mënyrë, ai na ka treguar se si duhet të sillemi ndaj bijve dhe të vegjëlve.
Jeta shembullore e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) është orientim për ne në edukimin e fëmijëve. Ç’edukatë i pati dhënë ai Enesit që e kishte nën kujdestari, që gjatë gjithë jetës nuk pati patur nevojë ta qortonte! Ç’rrugë kishte gjetur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pesëdhjetepesëvjeçar në shpirtin e Enesit dhjetëvjeçar, që mundej të bënte shaka me të si shok dhe, kur t’i duhej, t’i besonte edhe të fshehta! Edhe Enesi (r.a.) i rritur nën edukimin e të Dërguarit të Allahut, duke u sjellë si i pjekur me gjithë moshën fëminore, ta merrte me vete në varr të fshehtën e të Dërguarit të Allahut! Ajo çka e kishte ngjitur Hz. Enesin në këtë nivel pjekurie, ishte, pa dyshim, metoda edukuese e lartë dhe e papërshkrueshme që kishte përdorur Profeti!

Pakti i vëllazërisë mes muhaxhirëve dhe ensarëve: Muahat8
Qysh nga çasti kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) filloi kumtesën profetike, ata që hynin në Islam i pranoi si të barabartë pavarësisht nga raca, fisi a popullata, dhe ngriti mes tyre vëllazërinë islame. Mes muslimanëve ai lidhi dy herë pakte vëllazërie, muahat, të parin, para hixhretit dhe, të dytin, pas hixhretit. Pakti i parë, i Mekës, ishte shpallja e vëllazërisë mes disa muslimanëve të fisit Kurejsh dhe libertëve9. Për shembull, Zejd bin Harithe me Hz. Hamzanë, liberti i Ebu Hudhejfes, Salimi, me Ebu Ubejde bin Xherrahun, Bilali abisinas me Ubejde bin Harithin u bënë vëllezër.10
Të lidhur në këtë mënyrë me njëri-tjetrin qysh nga vitet e para të Islamit, pas hixhretit, muslimanët shpalosën një shembull të dytë vëllazërimi.
Qysh ditën e parë kur muhaxhirët arritën në Medinë, ensarët hynë në garë me njëri-tjetrin për t’i marrë dhe respektuar në shtëpitë e veta.11 Për më tepër, kur nuk mundën t’i ndanin mes tyre miqtë, u detyruan të hidhnin short.12 Pesë muaj pas vajtjes në Medinë, Profeti (s.a.s.) i bëri muhaxhirët me ensarët vëllezër dy nga dy. Këtë lidhje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e bëri në shtëpinë e Enes bin Malikut (r.a.).13
Për shembull, u bënë vëllezër Hz. Ebu Bekri me Harixhe bin Zejdin, Hz. Omeri me Utban bin Malikun, Ebu Ubejde me Sa’d bin Muadhin, Hz. Osmani me Evs bin Thabitin,14 Hz. Bilali me Abdullah bin Abdurrahmanin,15 Hz. Selmani me Ebu Derdanë,16 Salimi me Muadh bin Maidhin,17 Ammari me Hudhejfen18 (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!) Në këtë vëllazërim u mbajt parasysh edhe ngjashmëria në karakter mes dy anëve.
Çdo familje medinase mori në shtëpi një familje muhaxhire. Kështu, sahabet mes të cilëve ishte realizuar pakti i vëllazërisë, do të punonin së bashku dhe fitimin do ta ndanin mes tyre. Ensarët ia dhuruan Profetit parcelat e tepërta dhe ai i përpjesëtoi ato mes muhaxhirëve. Duke mos u mjaftuar me kaq, ensarët i bënë Profetit këtë propozim tepër bujar:
“O i Dërguari i Allahut, edhe kopshtet tona të hurmave ndaji mes nesh dhe vëllezërve muhaxhirë!
Por Profeti nuk e pranoi këtë propozim:
“Jo, - i kundërshtoi ai, - kështu nuk bën!”
Atëherë, ensarët u thanë kështu muhaxhirëve: “Mirë, pra, ju merreni përsipër shërbimin dhe ujitjen e pemëve dhe të bëhemi ortakë në vjelje!” 
Me pëlqimin edhe të Profetit, të dy palët e shprehën pranimin duke thënë:
“Dëgjuam dhe u bindëm!” (Buhari, Hars, 5)
Ky vëllazërim merrte për bazë solidaritetin materialo-shpirtëror mes muslimanëve të cilët, duke e lënë gjithçka në Mekë, kishin emigruar në Medinë për ta filluar jetën nga fillimi, dhe ensarëve që u kishin hapur prehrin atyre. Ky vëllazërim synonte ta kompensonte vetminë dhe hidhërimin e muhaxhirëve të ndarë nga vatrat për hir të fesë, të ngrinte bashkim dhe unitet mes muslimanëve duke i bërë ata që ta ndjenin veten në Medinë si në shtëpinë e tyre!
Pakti i vëllazërisë i realizuar larg mënyrës për dukje dhe i buruar vetëm nga dashuria për besimin, kishte një përmbajtje të shumanshme, duke përfshirë edhe të drejtën e trashëgimisë, si të drejta reciproke, barazi dhe solidaritet.19 Vëllezërit e bërë të tillë sipas këtij pakti, ishin kujdestarë dhe trashëgimtarë të njëri-tjetrit. Ndërsa si parim, ky pakt vëllazërie vazhdoi të vepronte edhe më pas, konkluzioni mbi trashëgiminë u shfuqizua më vonë, pas luftës së Bedrit, duke u mbështetur mbi vahjin, revelacionin hyjnor, dhe e drejta për të qenë trashëgimtar u bë e posaçme vetëm për afërsinë e gjakut.20
Ibni Abbasi (r.anhuma) thotë kështu në lidhje me këtë çështje:
Si rrjedhojë e vëllazërisë së ngritur prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), një muhaxhir bëhej trashëgimtar i vëllait ensar para personave të farefisit të tij me lidhje gjaku. Pastaj, me anë të ajetit si më poshtë, ky trajtim u shfuqizua:
وَلِكُلٍّ جَعَلْنَا مَوَالِيَ مِمَّا تَرَكَ الْوَالِدَانِ وَالأَقْرَبُونَ 
“… dhe caktuam një trashëgues për çdo gjë të lënë nga nëna, babai dhe të afërmit…” (en-Nisa, 33)
Me shprehjen në vazhdim të këtij ajeti, e drejta e vëllazërisë mes muhaxhirëve dhe ensarëve u kufizua në ndihmë, mbështetje, këshillë dhe mirëbërësi:
وَالَّذِينَ عَقَدَتْ أَيْمَانُكُمْ فَآتُوهُمْ نَصِيبَهُمْ 
“… jepni edhe pjesën e atyre që bëtë vëllezër me aktin e betimit…” 
Kështu, trashëimi juridik u shfuqizua. Personi mund të linte porosi (jo më shumë se një të tretën e pasurisë) vetëm në mënyrë fakultative21.” (Buhari, Tefsir, 4/7; Ebu Davud, Feraid, 16/2922)
Me anë të paktit të vëllazërisë (muahat), duke u hequr të gjitha çështjet e gjakmarrjes që vepronin prej shumë vitesh, qysh para Islamit, mes fiseve Evs dhe Hazrexh në Medinë, u ngrit një vëllazëri më e fuqishme se vëllazëria e gjakut. Ata mezi prisnin mëngjesin për t’u takuar me njëri-tjetrin. Dhe, kur takoheshin, e pyesnin njëri-tjetrin për mirëqenien me një dashuri të sinqertë. Përgjithësisht nuk kalonin më shumë se tri ditë pa u parë e pa u përshëndoshur! Kjo vëllazëri që kishte merituar konsideratën hyjnore, është lavdëruar edhe në Kur’an.22
Në Medinë, Profeti (s.a.s.) hidhte themelet e një shoqërie dhe shteti islam. Puna e parë që duhej bërë në këtë drejtim, ishte sigurimi i bashkimit dhe unitetit shoqëror. Sepse elementët që e sigurojnë në mënyrën më të mirë solidaritetin mes shoqërisë, janë dashuria, vëllazëria dhe ndihma e dyanshme. Prandaj, kjo vëllazëri që realizoi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) mes ensarëve dhe muhaxhirëve, u bë faktori më me rëndësi në formimin e një shoqërie të pashembullt në historinë e botës. 
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ngriti shoqërinë që po formohej, jo sipas parimit të ndarjes klasore sipas fisnikërisë fisnore, epërsisë së racës, dallimit i lirë-skllav, i pasur-i varfër, por vetëm mbi themelet e vëllazërisë islame. Kështu, ai e ndërtoi shoqërinë islame sikur t’i shkrinte në një potë grupet njerëzore që paraqisnin dallime të mëdha përsa i përket strukturës shoqërore.

Virtytet e muhaxhirëve dhe ensarëve
Emërtimi “muhaxhir” me kuptimin “person që emigron (shpërngulet) nga një vend në një tjetër”23, në përgjithësi, u është dhënë muslimanëve mekas që emigruan (u shpërngulën) në Medinë pasi shtypja dhe mundimet që u shtoheshin dita-ditës, u bënë të padurueshme.
Muhaxhirët emigronin duke lënë pas gjithë mallin dhe pasurinë me përjashtim të pak gjërave që mundnin të merrnin me vete. Mushrikët ose politeistët dhe heretikët e Mekës vunë dorë menjëherë në mallrat e lëna nga muhaxhirët. Humbja materiale e muslimanëve ishte me të vërtetë e madhe. Mirëpo as sytë u shihnin mall e pasuri atyre, as ndiqnin ndonjë interes material të kësaj bote. Sepse sahabet kishin shijuar kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e besimit! Prandaj ishin gati të sakrifikonin çdo gjë në rrugën e Allahut!
Kur i Dërguari i Madh (s.a.s.) i urdhëronte për diçka, ata i thoshin “nënë e babë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut” dhe, duke e konsideruar edhe lutjen më të vogël të tij si urdhër, viheshin nën urdhrin e tij. Thuhejb bin Sinan ose, me emrin e tij të njohur, Thuhejb Rumiu (r.a.), i cili emigroi duke ua treguar politeistëve që donin t’i bëheshin pengesë për vajtjen në Medinë, vendin se ku e kishte fshehur pasurinë, është njëri prej shembujve më të bukur të kësaj.
Thuhejbi (r.a.) i cili ishte njëri prej muslimanëve që u ishte nënshtruar mundimeve të rënda në rrugën e Allahut, doli në rrugë për të emigruar në Medinë pasi kishte emigruar Hz. Aliu (r.a.). Disa mekas e ndoqën, e arritën dhe i thanë:
“Ti erdhe këtu si njeri i varfër e i dobët dhe, pastaj, mes tonë arrite të pasurohesh! Kurse tani kërkon të ikësh duke marrë me vete edhe pasurinë! Vallahi, këtë s’ta lejojmë!”
Thuhejbi zbriti menjëherë nga kafsha. I nxori shigjetat nga torba dhe u tha:
“O Kurejshë! E dini mirë se unë jam njëri ndër shigjetarët tuaj më të mirë! Vallahi, jua lëshoj të gjitha shigjetat që kam me vete dhe pastaj përvesh shpatën! Sa të kem në duar shigjetat ose shpatën, askush s’mund të më afrohet! Vetëm kur të mos i kem ato mund të bëni ç’të doni me mua! Dhe, tani, a do të ma hapni rrugën e të më lini të lirë në qoftë se jua tregoj vendin se ku e kam fshehur pasurinë?”
Politeistët e pranuan propozimin. Atëherë, Thuhejbi (r.a.) ua tregoi vendin ku e kishte fshehur pasurinë dhe vazhdoi rrugën. Në mes të muajit rebiulevvel arriti në Kuba ku u takua me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Me të ndodheshin edhe Hz. Ebu Bekri me Hz. Omerin (r.anhuma). Para kishin një veshul hurmash nga të Ummu Xhirzanit që ua kishte sjellë Kulsum bin Hidmi. Nga rruga e gjatë, Thuhejbit (r.a.) i dhimbnin sytë dhe i therte barku nga uria. Ai filloi të hante hurma. Për të bërë humor, Hz. Omeri (r.a.) tha:
“O i Dërguari i Allahut, a s’e sheh ç’bën Thuhejbi? Edhe sytë i dhembin, edhe ha hurma të njoma!”
Profeti iu drejtua, gjithashtu me humor, Thuhejbit:
“Edhe sytë të dhembin, edhe hurma ha, ë?!”
Kurse Thuhejbi iu përgjigj:
“Unë po ha me anën që s’më dhemb të syve!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) buzëqeshi. Dhe, duke e hedhur fjalën për faktin se Thuhejbi e kishte shpëtuar jetën nga politeistët mekas në shkëmbim të pasurisë, tha:
“Thuhejbi fitoi! Thuhejbi fitoi! O Ebu Jahja, shitja doli me qar, shitja doli me qar!” (Ibni Sa’d, III, 226-230; Hakim, III, 450-452)24 
***
Ndërsa muhaxhirët përpiqeshin të emigronin në Medinë me këto sakrifica dhe mundime, muslimanët medinas i prisnin me një dashuri besimi që i kishte hije luftës dhe përpjekjes së tyre të madhe të besimit. Edhe disa muhaxhirë që nuk donin t’u bëheshin barrë vëllezërve ensarë të cilët, duke ua hapur prehrin, ishin gati me gjithë zemër ta ndanin çdo gjë me ta, duke shpalosur një qëndrim të matur, nuk i merrnin falas gjërat që u jepeshin, kurse të tjerë, i pranonin vetëm me kusht që ta fitonin ndihmën me punën e duarve të veta duke punuar në kopshtet e hurmave të ensarëve. Ndërkaq, disa muhaxhirë zgjodhën tregtinë. Njëri prej tyre ishte Abdurrahman bin Avfi (r.a.). Sa’d bin Rebiu (r.a.) i cili ishte shpallur vëlla i tij, i tha:
“Ja, pasuria ime! Gjysmën po ta jap ty!”
Kurse Abdurrahman bin Avfi (r.a.) iu përgjigj:
“Allahu ta begatoftë pasurinë dhe i dhëntë shëndet familjes tënde! Ti më trego tregun e Medinës dhe mjafton!”
Dhe Abdurrahmani (r.a.) i cili e filloi tregtinë në këtë mënyrë, brenda një kohe të shkurtër u bë i pasur!” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 3)
Muhaxhirët që ishin bashkëbiseduesi i parë i vahjit ose revelacionit hyjnor, që i besuan Allahut dhe të Dërguarit, që, për këtë qëllim, iu nënshtruan mundimeve dhe torturave të rënda dhe pastaj u nxorën nga trojet, kanë merituar lavdërimin e Allahut të Lartë, sepse ata braktisën gjithçka pa asnjë interes material të kësaj bote, vetëm e vetëm që të mund ta jetonin besimin e tyre! Me këtë veprim, muhaxhirët nuk bënin vetëm sakrificë, por, në të njëjtën kohë, edhe zbatonin një detyrim fetar, sepse Kur’ani i dënonte ata që nuk bënin hixhret (nuk emigronin) kur kjo gjë ishte e domosdoshme.25
Në Kur’an, Zoti njofton se do t’ua falë mëkatet muhaxhirëve dhe do t’i shpërblejë me xhennet:
فَالَّذِينَ هَاجَرُوا وَأُخْرِجُوا مِنْ دِيَارِهِمْ وَأُوذُوا فِي سَبِيلِي وَقَاتَلُوا
 وَقُتِلُوا لأُكَفِّرَنَّ عَنْهُمْ سَيِّئَاتِهِمْ وَلأُدْخِلَنَّهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي
 مِنْ تَحْتِهَا  الأَنْهَارُ ثَوَاباً مِنْ عِنْدِ الله وَاللّٰهُ عِنْدَهُ حُسْنُ الثَّوَابِ 
“… Pa dyshim, atyre që kanë bërë hixhret, që janë nxjerrë nga vatani, që kanë pësuar vuajtje, kanë luftuar dhe janë vrarë në rrugën time, do t’ua mbuloj mëkatet dhe do t’i vendos në xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj. Ata do të marrin nga Allahu një shpërblim të papërfytyrueshëm. Më i bukuri shpërblim është te Allahu!” (Al-i Imran, 195)
ثُمَّ إِنَّ رَبَّكَ لِلَّذِينَ هَاجَرُوا مِنْ بَعْدِ مَا فُتِنُوا ثُمَّ جَاهَدُوا وَصَبَرُوا 
إِنَّ رَبَّكَ مِنْ بَعْدِهَا لَغَفُورٌ رَحِيمٌ 
“… Pa dyshim, Zoti yt është ndihmësi i atyre që, pas vuajtjeve, kanë emigruar dhe, pastaj, kanë luftuar dhe kanë duruar. Pas të gjitha këtyre, Zoti yt është, sigurisht, shumë falës e shumë mëshirues!” (en-Nahl, 110)
Në lidhje me këtë, Profeti porosit kështu:
“Muhaxhirët do të hyjnë në xhennet shtatëdhjetë vjet më parë se njerëzit e tjerë dhe do të përfitojnë nga të mirat e atjeshme, kurse njerëzit e tjerë do të lihen të presin për të dhënë llogari.” (Hejsemi, X, 15)
Muhaxhirët jo vetëm do të marrin shpërblime shumë të mëdha në ahiret, por edhe në jetën e kësaj bote, me begatinë e sakrificave që kanë treguar, ata kanë merituar favore hyjnore të shumta. Në ajetin kur’anor thuhet:
وَالَّذِينَ هَاجَرُوا فِي الله مِنْ بَعْدِ مَا ظُلِمُوا لَنُبَوِّئَنَّهُمْ فِي الدُّنْيَا 
حَسَنَةً وَلَأَجْرُ الْآخِرَةِ أَكْبَرُ لَوْ كَانُوا يَعْلَمُونَ 
“Besimtarët që, pasi pësuan padrejtësi, emigruan për pëlqim të Allahut, do t’i vendosim në këtë botë në një vend të bukur. Kurse shpërblimi i jetës tjetër, ahiretit, është më i madh, sikur ta dinë!” (en-Nahl, 41)
Në shpërblim të dëmeve të pësuara, Allahu i Lartë u ka veçuar muhaxhirëve pjesë nga plaçka e luftës më shumë se sa njerëzve të tjerë. Në lidhje me këtë specifikë, në Kur’an thuhet kështu:
لِلْفُقَرَاء الْمُهَاجِرِينَ الَّذِينَ أُخْرِجُوا مِنْ دِيارِهِمْ وَأَمْوَالِهِمْ يَبْتَغُونَ
 فَضْلاً مِنَ الله وَرِضْوَاناً وَيَنْصُرُونَ الله وَرَسُولَهُ أُوْلَئِكَ هُمُ الصَّادِقُونَ
“Në mallrat ganimet është veçanërisht e drejta e muhaxhirëve të varfër të përzënë nga vatrat dhe pasuria e tyre, të cilët kërkojnë favorin dhe pëlqimin e Allahut dhe të cilët i japin ndihmë (fesë së) Allahut dhe të Dërguarit. Ja, ata janë të sinqertët!” (el-Hashr, 8)
Pasi shkuan në Medinë, muhaxhirët, përveç mallit që përjetonin, për një kohë të gjatë edhe nuk u mësuan dot me klimën e Medinës dhe u sëmurën nga ethet dhe sëmundje të tjera. Kur Hz. Aisheja (r.anha) vuri re zjarrin e etheve dhe vuajtjet e mallit për Mekën tek i ati Ebu Bekr Besniku dhe Bilal Abisinasi (r.anhuma), ia paraqiti gjendjen të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe, atëherë, ai bëri këtë lutje:
"O Zot! Na e bëj të dashur Medinën sikur na e pate bërë të dashur Mekën, dhe më të dashur se Mekën! Na dhuro begati për prodhimet tona! O Zot! Përmirësoje e zbukuroje klimën e Medinës; zjarrminë dhe ethet ia largo në Xhuhfe!"26 (Buhari, Fedailu’l-Medine, 12; Muslim, Haxh, 480)
***
Muslimanëve besnikë medinas të cilët u hapën prehrin muhaxhirëve të vuajtur që emigruan nga Meka dhe i ndanë me ta bujarisht të gjitha mundësitë, të cilët, duke i treguar afërsi të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), iu bënë mbështetje çështjes së tij, iu dha emri “ensarë”, “ndihmëtarë”. Në arabishte, në njëjës, është “ensarí” (ndihmëtar) dhe, në shumës, “ensarijjún” (ndihmëtarë).
Gajlan bin Xherir (r.a.) thotë kështu:
“Kur e pyeta Enesin (r.a.) nëse emërtimi “ensar” përdorej më parë për ta, apo iu dha atyre nga Allahu, ai m’u përgjigj:
“Këtë emër na e dha Allahu!” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 1)
Ensarët përbëheshin nga dy fise vëllezër medinase, Evs dhe Hazrexh. Në vitin e njëmbëdhjetë të hixhretit, një delegacion prej gjashtë vetësh i fisit Hazrexh shkoi në Mekë me qëllim për të marrë mbështetjen e Kurejshve kurndër fisit Evs me të cilin ndodheshin në luftë. Aty, grupi u takua me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe, në përfundim të ftesës dhe përpjekjeve të tij kumtuese fetare, përfaqësuesit e fisit Hazrexh e pranuan Islamin. Pastaj, pasi u kthyen në Medinë, e ftuan edhe fisin Evs në Islam duke shpresuar se në sajë të kësaj feje, armiqësia mes tyre do të zhdukej dhe ata do të bëheshin sërish vëllezër si dikur. Kështu, lodhja që u ish shkaktuar në zemra nga luftërat shumëvjeçare, u shndërrua në unitet dhe fuqi me anë të paqes dhe qetësisë27 që ofronte Islami! Duke u bashkuar sërish, dy fiset vëllezër dërguan përfaqësues në Mekë në vitet 12 dhe 13 të profetësisë, u takuan me Profetin dhe realizuan Besëlidhjet Akabe të parë e të dytë.
Në besëlidhjen e Dytë Akabe, ata i dhanë fjalën Profetit se, në qoftë se muslimanët mekas me Profetin në krye do të emigronin në vendin e tyre, do t’i mirëpritnin, do t’i mbronin dhe do t’i ndihmonin. Kështu, ata u bënë pretekst për hixhretin dhe hapjen e një periudhe të re në historinë e Islamit.
Kur Profeti (s.a.s.) i shpalli muhaxhirët dhe ensarët vëllezër dy e nga dy, ensarët i bënë vëllezërit muhaxhirë ortakë në shtëpitë, punët, kopshtet dhe vreshtat e tyre në Medinë duke treguar, kështu, një shembull uniteti dhe solidariteti të pashembullt mbi dhe përtej vëllazërisë së gjakut! Këtë sjellje të sinqertë të ensarëve, Kur’ani e lavdëron në këtë mënyrë:
وَالَّذِينَ تَبَوَّؤُوا الدَّارَ وَالْإِيمَانَ مِنْ قَبْلِهِمْ يُحِبُّونَ مَنْ هَاجَرَ إِلَيْهِمْ
 وَلَا يَجِدُونَ فِي صُدُورِهِمْ حَاجَةً مِمَّا أُوتُوا وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ
 وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ
"Medinasit besimtarë ushqejnë dashuri për ata që emigruan dhe u strehuan në vendin e tyre, nuk ndjejnë ndonjë shqetësim për ç'u jepet atyre dhe, edhe sikur të kenë nevojë vetë, u japin përparësi atyre ndaj vetes..." (el-Hashr, 9)
Kjo ngjarje që shënohet si shkak zbritjeje i këtij ajeti, është një shembull i bukur i sakrificave të ensarëve.
Tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi dikush i dobësuar shumë nga uria dhe i kërkoi ndihmë. Profeti pyeti:
“Kush kërkon ta pranojë si mik këtë vëllain tuaj?”
“Unë e marr si mik, o i Dërguari i Allahut!” – Iu përgjigj ensari Ebu Talha (r.a.) dhe e çoi të varfërin në shtëpi. Kur arriti në shtëpi, e pyeti të shoqen:
“Le ta respektojmë mikun e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)! A ka në shtëpi diçka për të ngrënë?”
“Jo, vetëm sa për të ngrënë fëmijët!” – Iu përgjigj e shoqja. Atëherë, Ebu Talha i tha:
“Atëherë, merri me të mirë fëmijët. Po të duan të vijnë në sofër, vëri në gjumë. Kur miku të hyjë në shtëpi, gjej një shkak dhe shuaje llambën. Në sofër ne do të bëjmë sikur po hamë!”
U ulën në sofër. Miku u ngop, kurse ata ranë të flinin pa ngrënë. Në mëngjes, Ebu Talha shkoi te Profeti. Me ta parë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“Allahu i Lartë mbeti i kënaqur nga ajo që bëtë mbrëmë për mikun!” (Buhari, Tefsir, 59/6; Muslim, Eshribe, 172-173)
Muhaxhirët i thanë kështu Profetit:
“O i Dërguari i Allahut! S’kemi parë njerëz më bujarë dhe mirëbërës se ky popull ku kemi emigruar! Kush ka shumë mall, jep me bollëk, kurse kush ka pak, bën sakrificë, ndihmon. Të gjitha nevojat për ushqim na i plotësuan si dhe na bënë ortakë në pasuri. Kemi frikë se gjithë mirësitë dhe shpërblimet shpirtërore ata kanë për t’i marrë!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha kështu:
“Jo! Për sa kohë që do t’i luteni Allahut për ta dhe do t’i lavdëroni për ato që bëjnë, edhe ju (do të merrni mirësi dhe shpërblim)!” (Tirmidhi, Kijamet, 44/2487)
Xhabiri (r.a.) tregon:
“Kur i mblidhnin hurmat, ensarët i ndanin në dy pjesë: në njërën anë më shumë, në tjetrën, më pak. Pastaj anës më të pakët i shtonin degë hurme që të dukeshin më shumë dhe i ftonin muhaxhirët të zgjidhnin. Muhaxhirët, me mendimin për t’u lënë ensarëve më shumë, zgjidhnin pjesën që dukej më pak, por, në fakt, kishin zgjedhur pjesën më të shumtë, kështu, ensarëve u mbetej pjesa më e pakët. Kjo bujari dhe ky vetmohim i ensarëve vazhdoi gjer në triumfin e Hajberit!” (Hejsemi, X, 40)
Një shembull tjetër i sakrificës së ensarëve për muhaxhirët është kjo ngjarje:
Pasi e ndau në parcela truallin e Bahrejnit për t’ua ndarë sahabeve, Profeti (s.a.s.) i ftoi në fillim ensarët. Duke sakrifikuar, ensarët thanë:
“O i Dërguari i Allahut! Pa ua ndarë njëfish më shumë vëllezërve muhaxhirë, as neve mos na jepni gjë!”
Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha:
“O ensarë! Meqë nuk doni të merrni (duke i parapëlqyer të tjerët ndaj vetes suaj), duroni gjersa të takoheni me mua në krye të hauzit Kevther! Sepse, pas meje, do të vijë një kohë kur të tjerët do t’ju parapëlqejnë juve!” (Menakibu’l-Ensar, 8)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ka lavdëruar kështu këtë cilësi të lartë të ensarëve:
“Me sa kam parë, kur ju thirreni në luftë dhe në ndihmë për nevojtarët, shumoheni dhe vini turma-turma, kurse kur thirreni për t’ju dhënë ndonjë gjë materiale, pakësoheni dhe tregoheni të ngopur!” (Ali el-Muttaki, XIV, 66)
Si shpërblim të vetëmohimit të treguar ndaj Profetit (s.a.s.) dhe muhaxhirëve të ardhur në qytetin e tyre, ensarët bujarë kanë merituar xhennetin dhe, më të rëndësishmen, pëlqimin e Allahut!
Në ajetin kur’anor thuhet:
وَالسَّابِقُونَ الْأَوَّلُونَ مِنَ الْمُهَاجِرِينَ وَالْأَنْصَارِ وَالَّذِينَ اتَّبَعُوهُمْ
 بِإِحْسَانٍ رَضِيَ الله عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْهُ وَأَعَدَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي
 تَحْتَهَا الأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا أَبَداً ذَلِكَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ 
"Allahu është i kënaqur prej emigrantëve dhe ndihmëtarëve dhe prej atyre që u shkojnë pas; edhe ata janë të kënaqur me Allahun. Allahu ka përgatitur për ta xhennete ku rrjedhin lumenj, ku ata do të mbeten përgjithmonë e ky është shpëtimi i madh!" (et-Tevbe, 100)
Ensarët nuk hezituan as kur qe puna për të sakrifikuar jetën për mbrojtjen e Islamit dhe Profetit. Ata treguan sakrifica të mëdha në luftën e Bedrit. Në luftën e Uhudit, në ato çaste rrethimi kur muslimanët u goditën nga pas dhe fati i luftës u kthye në dëm të tyre, shumica e atyre që vërtiteshin si flutura rreth të Dërguarit të Allahut duke u përpjekur ta mbronin Zotërinë e Gjithësisë, ishin ensarë. Ata qenë të lidhur pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) me një dashuri dhe besnikëri legjendare. Të tërheq vëmendjen posaçërisht kjo ngjarje e treguar nga Enesi (r.a.) mbi dashurinë e tyre ndaj Profetit.
“Kisha dalë në rrugë bashkë me Xherir bin Abdullain28. Megjithëse ishte më i moshuar se unë, më shërbente!
“Mos bëj kështu!” – I thashë. Kurse ai ma ktheu:
“Kam parë që ensarët i kanë bërë shumë shërbime të Dërguarit të Allahut (s.a.s) dhe jam betuar vetmevete se po të bëhem bashkudhëtar me ndonjërin prej tyre, do t’i shërbej!” (Buhari, Xhihad, 71; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 181)
Duke u shprehur si më poshtë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka pohuar vlerën që kishin ensarët për të:
“Po të mos ndodhte hixhreti, unë do të bëhesha njëri prej ensarëve!” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 2)
Disa nga fjalët e bekuara të shprehura nga Profeti mbi virtytet e ensarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!) janë kështu:
“Kush i beson Allahut dhe jetës tjetër, ahiretit, të mos zemërohet me ensarët!” (Tirmidhi, Menakib, 25/3906)
“Ata vetëm besimtarët i duan dhe prej tyre vetëm hipokritët neveriten! Atë që i do ensarët, edhe Allahu e do dhe atë që i përbuz ensarët, edhe Allahu e përbuz!” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 11)
“Ju këshilloj të silleni mirë me ensarët! Ata janë xhemaati, shokët dhe të besuarit e mi! Ata i kanë kryer plotësisht detyrat që u kanë takuar, kurse shpërblimi i shërbimeve ende nuk u është paguar plotësisht. (Në ahiret do t’u paguhet me të tepërt.) Prandaj, të mirat e tyre përcilluani me të mira, kurse të këqijat faluani!” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 11)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ndjente një dashuri të thellë për të gjithë sahabet, muhaxhirë dhe ensarë, ashtu që të gjithë sahabet kishin mendimin se i Dërguari i Allahut i donte më shumë se çdokënd tjetër.
Ka’b bin Uxhre (r.a.) tregon këtë ngjarje mësimdhënëse:
“Një ditë, po rrinim në Faltoren Profetike në prani të të Dërguarit të Allahut. Kishte nga një grup prej ensarëve, muhaxhirëve dhe hashimitëve. Ne u kapëm me pretendimin se cilin grup mes nesh do më shumë i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ne, ensarët, thamë:
“Ne i besuam të Dërguarit të Allahut, e ndoqëm atë dhe luftuam pranë tij kundër armiqve. Prandaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na do më shumë ne!”
Vëllezërit muhaxhirë thanë:
“Ne emigruam për hir të Allahut dhe të Dërguarit duke braktisur bijtë dhe vatrat, hoqëm dorë nga pasuria dhe morëm pjesë në luftërat ku morët pjesë edhe ju. Prandaj, i Dërguari i Allahut na do më shumë ne!”
Kurse vëllezërit hashimitë thanë kështu:
“Ne jemi të afërmit e Profetit dhe morëm pjesë në luftërat ku morët pjesë edhe ju. Prandaj, Profeti na do më shumë ne!”
I dërguari i Allahut (s.a.s.) na erdhi pranë dhe na pyeti:
“Ju po bisedoni diçka mes jush; ç’po thoni?”
Secili grup ia përsëriti pretendimin e vet. Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha çdo grupi:
“Keni folur drejt! Kush mund ta pretendojë të kundërtën e kësaj?”
Pastaj na pyeti:
“A doni të vendos mes jush?”
“Natyrisht, o i Dërguari i Allahut! Babë e nënë t’u bëfshin fli!” – I thamë. Atëherë, duke iu drejtuar në fillim ensarëve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha:
“O ju, ensarë! Unë jam vëllai juaj!”
Ensarët u hodhën me gëzim:
“Allahu ekber! Lavdi Zotit të Qabes që ne e fituam atë!”
Pastaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu drejtua muhaxhirëve:
“O muhaxhirë! Unë jam i juaji!”
Edhe muhaxhirët bërtitën me gëzim:
“Allahu ekber! Lavdi Zotit të Qabes që ne e fituam atë!”
Më në fund, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu drejtua grupit të hashimitëve:
“O të Bijtë Hashim! Sa për ju, ju jeni të mitë dhe keni ardhur te unë!”
Edhe të Bijtë Hashim u shprehën po me të njëjtin gëzim:
“Allahu ekber! Lavdi Zotit të Qabes që ne e fituam atë!”
Kështu, të gjithë u ngritëm të kënaqur. Secili grup ishte i kënaqur dhe i gëzuar me konsideratat e të Dërguarit të Allahut!” (Hejsemi, X, 14)
Brenda dhjetë vjetëve, kufijtë e shtetit-qytet islam të vogël të ngritur në Medinë dhe të përbërë prej rreth katërqind familjeve, arritën në Irak dhe Palestinë. Kur vdiq Profeti (s.a.s.), me Bizantin dhe Iranin ishte gjendje lufte. Ndërkaq, gjendja e dhjetë vjetëve më parë të sahabeve, sjellja, mënyra e jetesës, niveli i mirëqenies dhe arkitektura e shtëpive nuk kishin ndryshuar. Ata vazhdonin të bënin jetë të përkorë. Konsumi i tepruar, lakmia në të ngrënë, luksi dhe shkëlqimi ishin një mënyrë jetese e panjohur për shoqërinë e sahabeve. Ata e përjetonin vazhdimisht vetëdijen se “nesër, konaku i këtij nefsi do të jetë varri”! Prandaj gjithmonë u ruajtën që të mos i caktonin të mirat e kësaj bote për veten (egon) e tyre dhe të mos i përdornin duke e kaluar masën. Me shijen dhe emocionin e besimit, këto të mira i përdorën si mjet për orientimin dhe lumturinë e njerëzimit. E formësuan jetën në drejtim të fitimit të pëlqimit të Allahut. Kështu, njëra nga shkaqet më të rëndësishme që Islami u përhap me shpejtësi – si agimi i mëngjesit - mes popujve të vuajtur, të shtypur, të neveritur e të shfrytëzuar, ishte se sahabet shpalosën kudo që shkuan një identitet islam të përkryer. Sepse, si nxënës të drejtpërdrejtë të të Dërguarit të Allahut që kishin qenë, sahabet ishin muslimanë të veçantë e të zgjedhur, vetëmohues, të drejtë, të ndershëm, zemërgjerë, të mbushur me dritën profetike, të cilët i shihnin robtë e Allahut me vështrimin e Tij të dhembshur e të mëshirshëm.

Qyteti Profetik dhe Dokumenti i Medinës
Medina e Ndritshme është një vendbanim i këndshëm që ndodhet në veri të Mekës së Bekuar, i rrethuar nga tri anë me male, kurse në jug është fushë. Ka tokë të përshtatshme për bujqësi, ajër të pastër e të mirë, plot gjelbërim me kopshtet e hurmave.
Kur Profeti emigroi në Medinë, aty banonin dy fiset arabe Evs dhe Hazrexh si dhe tre fiset çifute Kajnuka, Nadr dhe Kurajdha. Fiset arabe kishin ardhur aty nga Jemeni pas përmbytjes së quajtur “Sejlul Arim” (Përmbytja e Keqe), kurse çifutët, nga Jeruzalemi pas pushtimit, shtypjes dhe shkatërrimit romak.
Me kohë, mes arabëve dhe çifutëve pati hyrë armiqësia dhe, përfundimisht, duke dalë fitimtarë mbi çifutët, arabët ishin bërë sundues në Medinë. Mirëpo, pas një farë kohe, si pasojë e intrigave të çifutëve, dy fiset vëllezër arabe qenë armiqësuar me njëra-tjetrën dhe patën luftuar mes tyre me ndërprerje për rreth 120 vjet me radhë. Beteja e fundit mes tyre është Lufta Buas rreth pesë vjet para hixhretit. Si përfundim, të dy fiset, pas humbjeve të mëdha, qenë dobësuar shumë, prandaj, në kohën e hixhretit, çifutët ndodheshin në pozitë sunduese në Medinë, veçanërisht në anën ekonomike.
Me vajtjen e Profetit (s.a.s.) në Medinë, në sajë të favorit të Allahut, armiqësia mes këtyre fiseve vëllezër mori fund. Zoti urdhëron:
وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ الله جَمِيعاً وَلاَ تَفَرَّقُوا وَاذْكُرُوا نِعْمَتَ  الله 
عَلَيْكُمْ إِذْ كُنْتُمْ أَعْدَاءً فَأَلَّفَ بَيْنَ قُلُوبِكُمْ فَأَصْبَحْتُم بِنِعْمَتِهِ
 إِخْوَاناً وَكُنْتُمْ عَلَىَ شَفَا حُفْرَةٍ مِنَ النَّارِ فَأَنْقَذَكُم مِنْهَا
 كَذَلِكَ يُبَيِّنُ الله لَكُمْ آيَاتِهِ لَعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ
“Kapuni fort së bashku pas litarit (librit, fesë) të Allahut dhe mos u copëtoni e mos u ndani! Mendoni për dhuntinë e Allahut për ju! Ju ishit armiq të njëri-tjetrit dhe ai jua bashkoi zemrat dhe në sajë të kësaj dhuntie të Tij u bëtë vëllezër. Ai ju shpëtoi ndërsa ju ndodheshit në buzë të një grope zjarri. Ja, pra, Allahu jua bën të qarta në këtë mënyrë ajetet e Tij që të viheni në rrugë të drejtë!” (Al-i Imran, 103)
Pas hixhretit, politeistët mekas iu dërguan politeistëve medinas dhe çifutëve letra kërcënimi dhe nxitjeje me qëllim për të penguar vendosjen dhe fuqizimin e muslimanëve në Medinë. Në një letër, ata i kërcënuan kështu Abdullah bin Ubejjin si dhe politeistët nga fiset Evs dhe Hazrexh:
“Ju strehoni aty një njeriun tonë. Ose vrajeni, ose përzejeni! Përndryshe, do t’ju sulmojmë bashkë me të gjitha fiset arabe, do t’i vrasim të gjithë ata që do të luftojnë kundër nesh, kurse gratë tuaja do t’i marrim për vete!”
Pas kësaj, Abdullah bin Ubej dhe politeistët medinas që vepronin së bashku me të, u mblodhën për ta sulmuar Profetin (s.a.s.). I lajmëruar për këtë, i Dërguari i Allahut shkoi te ata dhe u tha kështu:
“Siç duket, kërcënimi i Kurejshve ka bërë efekt mbi ju! Dëmi që mund t’ju shkaktojnë ata s’është më i madh se dëmi që mund t’i shkaktoni ju vetes suaj duke na u kundërvënë neve! Domethënë, ju kërkoni të luftoni kundër bijve dhe vëllezërve tuaj të gjakut dhe t’i vrisni!”
Atëherë, ata u shpërndanë! (Ebu Davud, Haraxh, 22-23/3004; Abdurrezzak, V, 358-359)
Kërcënimet dhe nxitjet e politeistëve mekas mbetën pa rezultat. Megjithëkëtë, ekzistonte mundësia që Kurejshët që nuk u ishin plotësuar kërkesat, të bënin një sulm total mbi Medinën dhe ta vrisnin krejt popullsinë pa bërë dallim mes muslimanëve, politeistëve dhe çifutëve! Ky rrezik i përbashkët u bë pretekst që edhe medinasit jomuslimanë të afroheshin me Profetin (s.a.s.) dhe të mblidheshin rreth udhëheqjes së tij.
Me përjashtim të kësaj, qysh në krye të herës, secili nga personat e fiseve Evs, Hazrexh dhe çifutët kishin dëshirë që bashkësitë e tyre të bëheshin të parë në Medinë. Për shembull, Hazrexhët ishin përgatitur për ta bërë udhëheqësin e tyre, Abdullah bin Ubejin, sundimtar të Medinës. Mirëpo as Evsët nuk e përkrahnin një lider Hazrexh, as Hazrexhët, një lider Evs! Prandaj, Profeti (s.a.s.) u bë një emër unifikues për të gjithë medinasit!
Brenda këtyre kushteve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) mori mbi vete qeverisjen e Medinës. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i cili kishte ngritur rendin shoqëror mes muslimanëve me anë të vëllazërimit ensarë-muhaxhirë, të quajtur “muahat”, pa humbur kohë, me anë të një teksti të shkruar, i pranoi si qytetarë edhe çifutët që banonin në Medinë dhe parashtroi disa parime konstitucionale të qytetit-shtet të Medinës. Disa parime të këtij dokumenti të emërtuar Dokumenti i Medinës dhe të konsideruar si akt zyrtar të themelimit të shtetit islam, ishin këto:
“Bismil’lahi’r-rahmani’r-rahim, Me emrin e Allahut Mëshirues e Shpërblyes!
1. Muslimanët kurejshë dhe jethribas29 së bashku me qytetarët e bashkuar me ta dhe që luftojnë bashkë me ta, përbëjnë një komunitet më vete.
2. Ndalohen destruksioni dhe dhuna. Muslimanët e devotshëm do t’i kundërvihen së bashku personit nga mesi i tyre i cili sillet keq, kërkon të ushtrojë dhunë dhe padrejtësi, bën mëkat dhe armiqësi dhe shkakton ngatërresa mes muslimanëve, dhe duart e të gjithëve do të ngrihen kundër tij edhe nëse ai do të jetë biri i ndonjërit prej tyre!
3. Ndalohet krimi i vrasjes. Në rast të kundërt, muhaxhirët dhe çdo familje medinase do ta paguajnë bashkërisht, sipas traditës, dëmshpërblimin e gjakut. Gjithashtu, çdo grup, sipas parimeve të drejta, të njohura mes muslimanëve, do ta paguajë bashkërisht shpërblimin për çlirimin e robërve.
4. Muslimanët nuk do t’i lënë të vetmuar personat me borxhe dhe me familje të madhe, por, në kuadrin e parimeve të drejta, të njohura mes tyre, do t’i ndihmojnë për të paguar shpërblimin e çlirimit të robërve dhe dëmshpërblimin e gjakut.
5. Garantohet siguria brenda dhe jashtë Medinës. Janë të garantuar si ata që dalin nga Medina, ashtu dhe ata që ndodhen brenda saj, me përjashtim të atyre që kryejnë padrejtësi, dhunë dhe faj.
6. Çifutët gëzojnë lirinë e fesë. Çifutët do të ndjekin fenë e vet dhe, muslimanët, fenë e vet. Çifutët si nënshtetas do të ndihmohen, nuk do të pësojnë asnjë padrejtësi dhe kundër tyre nuk do të krijohet ndonjë aleancë. Në rast lufte, palët do ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Kur çifutët të marrin pjesë në luftë përkrah muslimanëve, do të përballojnë pjesën që u takon nga shpenzimet e luftës.
7. Të dy anët nuk do t’u japin mbrojtje politeistëve. As Kurejshët, as ata që u ndihmojnë atyre, nuk do të merren nën mbrojtje në asnjë mënyrë.
8. Ndalohet lufta brenda Medinës. Zona e Jethribit shpallet zonë e paprekshme. Në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, palët do të mbrojnë zonën e tyre. Paqen e bërë nga njëra palë do ta pranojë edhe pala tjetër. Në gjendje lufte, shpenzimet e çifutëve do t’u takojnë çifutëve dhe shpenzimet e muslimanëve, muslimanëve. Ndërkaq, palët do ta ndihmojnë njëra-tjetrën kundër atyre që u hapin luftë dhe mes tyre do të jenë parim jo e keqja, por këshilla, dashamirësia dhe mirësia. Askush s’do t’i bëjë të keqe aleatit dhe viktima do të ndihmohet patjetër.
9. Në rast mosmarrëveshjeje, çështja do t’i paraqitet të Dërguarit të Allahut dhe vendimi i tij do të respektohet.
10. Premtimi dhe garancia e Allahut është një (e të njëjtit nivel për këdo), duke përfshirë edhe njeriun e dukur si më i dobët e më i pavlerë. Sepse ndryshe nga njerëzit e tjerë, muslimanët janë aleatë dhe miq të njëri-tjetrit.
11. Askush nga çifutët nuk mund të dalë në fushatë luftarake pa lejen e Hz. Muhammedit (s.a.s.).
Nuk ka dyshim se Allahu i Lartë i pëlqen personat që ruhen gjer në fund nga mosrespektimi i parimeve të këtij dokumenti, i bëjnë tipare dalluese të tyre drejtësinë, ndershmërinë dhe mirësinë. Ky dokument kurrsesi s’do të bëhet pengesë për ndëshkimin e përdhunuesit dhe fajtorit.
Allahu i merr nën mbrojtje njerëzit që bëjnë të mira dhe ruhen nga të këqijat. Muhammedi (s.a.s.) është Resuli i Allahut!” (Ibni Hisham, II, 119-123; Ibni Kethir, el-Bidaje, III, 263-264; Hamidullah, el-Vesaik, f. 57-64)
Eshtë mjaft e qartë se këto nene janë parime të domosdoshme për zbatimin e konkluzioneve dhe urdhrave islame në shoqëri.
Dokumenti i Medinës që është një pakt qytetarie (nënshtetësie), është, njëkohësisht, përgjigjja më kategorike kundër pretendimeve të shtrembra, sipas të cilave, Islami është një fe pa praktikë (ndërnjerëzore, qytetare, shtetërore, etj.), e cila nuk nxjerr ligje, por vetëm rregullon ritet dhe adhurimet.
Me përmbajtjen e vet politike, ekonomike, shoqërore dhe fetare (religjioze), Dokumenti i Medinës ka cilësitë e një pakti shumëplanësh. Ky dokument parashtron se Islami është i vetmi element që siguron unitetin e muslimanëve, se ata duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin, se duhet të kujdesen për drejtësinë dhe barazinë mes tyre dhe në rastin e shfaqjes së ndonjë kontradikte ose mosmarrëveshjeje, duhet t’i drejtohen Allahut dhe të Dërguarit.
Me parimin e ndjekjes dhe ruajtjes së drejtësisë, ky dokument ka kufizuar dhe rregulluar gjendjen aktuale të afërsisë gjenealogjike dhe dallimeve mes fiseve arabe, ka urdhëruar ndëshkimin e atij që bën padrejtësi edhe nëse është farefis.
Nisur nga fakti që u jepte çifutëve të drejtën e pronësisë dhe lirinë e fesë, ky pakt ishte dhe mbetet një dokument i drejtësisë së jashtëzakonshme në trajtimin që u bënte i Dërguari i Allahut (s.a.s.) çifutëve. Po qe se çifutët nuk do ta prishnin me duart e veta, ky pakt i drejtë mes tyre dhe muslimanëve do të vazhdonte të vepronte.

Medina shpallet e Paprekshme30 
Pas këtyre vendimeve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i përcaktoi kështu kufijtë e paprekshmërisë së Medinës:
"Ibrahimi (a.s.) e pati shpallur Mekën të paprekshme; edhe unë po e shpall të paprekshme zonën e Medinës mes dy majave!" (Ahmed, IV, 141)
Pas kësaj shpalljeje, u vendosën gurë kufitarë në vendet e përcaktuara sipas saj duke u saktësuar, kështu, kufijtë e shtetit të Medinës e cila u quajt "Harem-i Rasul", "Vendi i Paprekshëm i Profetit". Gjithashtu, secili skaj i i largësisë prej 3 fersah31 mes kodrave Ajr dhe Thevr32 të Medinës u kthye në korie. (Buhari, Fedailu’l-Medine, 1; Muslim, Haxh, 471-472)
Pasi e shpalli Medinën të paprekshme, Profeti (s.a.s.) tha kështu:
“Pemët e saj nuk priten, atje nuk kryhet mëkat. Kush kryen atje ndonjë akt në kundërshtim me Librin dhe Sunnetin, mallkohet nga Allahu, engjëjt dhe të gjithë njerëzit!” (Buhari, Fedailu’l-Medine, 1)
Pastaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ngriti duart dhe bëri një lutje për atë vendbanim. Me begatinë e asaj lutjeje, Medina u bë qysh atëherë e sot mjedisi i qetësisë, gëzimit dhe mëshirës për të gjithë muslimanët si dhe një vendbanim lumturie ku rreh pulsi i botës islame.
Sahabet tregonin kujdes të veçantë për respektimin e paprekshmërisë së Medinës. Ebu Hurejre (r.a.) e shpreh kështu ndjeshmërinë e tyre në këtë çështje:
“Po të shoh një dre duke kullotur në Medinë, kurrsesi nuk e shqetësoj, sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka urdhëruar: “Pjesa e Medinës mes dy guroreve është e paprekshme!” (Muslim, Haxh, 471)
Sahabet nuk i mbyllnin sytë edhe ndaj sjelljeve të fëmijëve në kundërshtim me këtë. Abdullah bin Ubade (r.a.) tregon kështu:
“Unë po gjuaja zogj përreth oazit Ebu Ihab. Im atë Ubade më pa, e lëshoi zogun që mbaja në dorë dhe më tha:
“Ashtu si Ibrahimi (a.s.) e pati shpallur Mekën të paprekshme, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpalli të paprekshme zonën e Medinës mes dy guroreve!” (Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, III, 159)

Tregu i Medinës dhe rregullimi i jetës tregtare
Kur erdhi në Medinë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tregoi muslimanëve një vend të veçantë nga çifutët për treg dhe u kërkoi që ta bënin aty tregtinë. Sepse rëndësia e tregjeve të pavarura për të fituar pavarësi në fushën e tregtisë është një e vërtetë e njohur nga të gjithë.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) interesohej nga afër për tregun dhe i inspektonte tregtarët dhe mallrat e tyre.
Një ditë, në treg, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u afrua te një shitës. Futi dorën brenda grumbullit të grurit para shitësit dhe, kur ndjeu lagështi, e pyeti:
“Ç’është kjo?”
“E lagu shiu, o i Dërguari i Allahut!” – Iu përgjigj shitësi.
Profeti i tha:
“Pse s’e ke nxjerrë sipër pjesën e lagur që ta shohin të gjithë? Kush gënjen, s’është nga të mitë!” (Muslim, Iman, 164)
Kajs bin Ebi Gareze (r.a.) tregon:
“Në kohën e të Dërguarit të Allahut ne emërtoheshim “simsar”33. Një ditë, na erdhi i Dërguari i Allahut dhe, duke na dhënë një emër më të mirë, “tuxhxhar”34, na tha:
“O tregtarë! Pa dyshim që në shitje-blerje përzihen gënjeshtra dhe betimi, prandaj ju futni në tregti dhënien e lëmoshës!”35 (Ahmed, IV, 6; Ebu Davud, Buju, 1/3326)
Sado që njeriu të tregohet i kujdesshëm, në shitjet dhe blerjet që bën mund të krijohen situata padrejtësie ose për harresë, ose për shpërfillje. Prandaj, duke u sjellë i matur për çdo të papritur, nga fitimet duhet dhënë mjaft lëmoshë (sadaka) dhe duhen bërë dhurime. Për këtë specifikë tërheq vëmendjen i Dërguari i Allahut (s.a.s.) në hadithin e mësipërm.
Rifaa bin Rafi (r.a.) thotë:
“Ne po shkonim në Musalla36 së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Profeti vuri re se një pjesë njerëzish po bënin shitblerje. Ai u foli atyre:
“O tregtarë!”
Dhe ata u vunë të dëgjonin se ç’do t’u thoshte ai. 
“S’ka dyshim se, ditën e kiametit, taxhirët (tregtarët) do të ringjallen si faxhirë (mëkatarë) përveç atyre që frikësohen nga Allahu, që bëjnë të mira dhe janë të besës, të drejtë e të ndershëm!37” (Tirmidhi, Buju, 4/1210)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka rrëfyer këtë ngjarje mbi moralin dhe virtytin në tregti, që ka ndodhur mes dy personave të mirë nga izraelitët.
“Një njeri nga ata që kanë jetuar para jush, bleu nga dikush një truall fitimprurës. Pastaj, nën tokë gjeti një qyp me flori. E mori qypin, shkoi te personi nga i cili e kishte blerë, dhe i tha:
“Merri florinjtë! Unë prej teje bleva tokën dhe jo florinjtë!”
Edhe shitësi e kundërshtoi duke i thënë:
“Unë ta shita tokën me gjithçka që mund të kishte brenda!”
Meqë s’u morën dot vesh, caktuan një arbitër i cili, pasi i dëgjoi të dy, i pyeti:
“A keni fëmijë?”
Dhe mori vesh se njëri kishte një djalë dhe tjetri, vajzë.
“Martojini djalin me vajzën me këto para si dhe jepni lëmoshë!” – U tha arbitri.” (Buhari, Enbija, 54; Muslim, Akdije, 21; Ibni Maxhe, Lukata, 4)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i cili ishte një tregtar i aftë që kishte bërë në rini udhëtime të gjata me karvane tregtare, kur shkoi në Medinë, vuri një sërë parime në këtë drejtim. Për rëndësinë e tregtisë, ai ka thënë kështu:
“Nëntë të dhjetat e fitimit janë në tregti.” (Sujuti, I, 113)
“Gjërat më hallall e më të mira që ha njeriu janë ato që ka fituar vetë!” (Ibni Maxhe, Tixharat, 1)
Krahas efektit material, ushqimi ushtron edhe efekt moralo-shpirtëror. Fakti që kafshata vjen nga rrugë hallall (legjitime, të bekuara), haram (jolegjitime, të pabekuara) ose të dyshimta, na e vë shpirtin nën ndikim. Me fjalë të tjera, gjendja morale e ushqimit që hamë ndikon mbi botën tonë ndjesore. Krahas të gjitha adhurimeve, veçanërisht rëndësia e parasë hallall në adhurimin e haxhit është shpjeguar kështu në hadithin profetik:
“Kush e viziton këtë Shtëpi me para të fituar haram, ka dalë nga bindja ndaj Allahut. Po qe se një njeri i tillë bën nijet për në haxh, hyn nën ihram, vë këmbën në yzengjinë e devesë, e nis atë dhe, pastaj, thotë “Lebbejk Allahumme lebbejk”, një engjëll sufler i bën zë kështu nga qielli: “Ty, as lebbejk, as sa’dejk! Sepse fitimi yt është haram, ushqimi yt është haram, kafsha që i ke hipur është haram! Kthehu si mëkatar, pa marrë asnjë sevap! Dhe dëshpërohu ngaqë do të përballesh me gjënë që s’do të të pëlqejë!”
“Por nëse personi del në rrugën e haxhit me para hallall, shkel këmbën në yzengjinë e kafshës dhe e vë në lëvizje dhe pastaj thotë “Lebbejk Allahumme lebbejk”, një engjëll sufler nga qielli i bën zë kështu: “Lebbejk dhe sa’dejk! Po të përgjigjem! Sepse kafshën e ke hallall, rrobat i ke hallall, ushqimin, hallall! Kthehu me shumë sevape të fituara dhe pa asnjë mëkat! Dhe gëzohu se do të përballohesh me një gjë që ka për të të kënaqur dhe gëzuar!” (Hejsemi, III, 209-210)
Meqë çështja e hallallit dhe haramit është një çështje me shumë rëndësi dhe që shkelet shumë, në suren Bakara, me anë të konkluzioneve dhe urdhrave hyjnorë, e para pas herezisë (shirk), kjo derë është mbyllur. Madje, edhe në suret mekase En’am, A’raf, Junus dhe Nahl që nuk përmbajnë shumë urdhra, menjëherë pas temave besimore janë bërë sqarime për specifikat hallall-haram tek ushqimi dhe fitimi.38
Duke bërë të ditur domosdoshmërinë e sjelljes së ndershme e të guximshme në tregti, i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Tregtari i guximshëm i cili e nxjerr mallin për shitje, është i bekuar, kurse spekulatori është i mallkuar!” (Ibni Maxhe, Tixharat, 6)
“Tregtari frikacak është i dëmtuar, tregtari guximtar është i bekuar!” (Dejlemi, II, 79)
Disa nga parimet e parashtruara nga Profeti në tregti, janë këto:
“Dy persona që bëjnë shitblerje (mes tyre), janë të lirë (për t’u prapësuar) gjersa të mos jenë ndarë ende nga njëri-tjetri ose gjersa të ndahen. Po qe se bëjnë shitblerje të ndershme duke e deklaruar çdo gjë siç është, shitblerja u bëhet e bekuar. Por në qoftë se gënjejnë duke i fshehur disa të vërteta, shitblerjes së tyre s’i mbetet bekim!” (Buhari, Buju, 19; Muslim, Buju, 8)
“Betimi e shton interesimin për mallin, por ia pakëson bekimin!” (Buhari, Buju, 26; Muslim, Musakat, 13)
Profeti e ka ndaluar pritjen e mallrave të tregtisë në rrugë pa i sjellë në treg, shitjen e një malli të blerë pa e marrë ende plotësisht në dorëzim ose blerjen e një malli që nuk ndodhet në treg dhe shitjen blerësit, shitjen e mbështetur në një shitblerje39, nervozimin e myshteriut, etj.40
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili ka bërë të ditur se në shitblerje duhet mbajtur qëndrim lehtësues, ka thënë kështu:
“Allahu e shtoftë mëshirën ndaj personit i cili sillet me bujari dhe mirëkuptim në shitje, blerje dhe në pagimin e borxhit!” (Buhari, Buju, 16)
“Allahu e trajtoi me mëshirë dikë që pati jetuar para jush, sepse ai tregonte lehtësi kur shiste, kur blinte dhe kur kërkonte borxhin!” (Tirmidhi, Buju, 75/1320)
Ata të cilët, duke u vetëmashtruar me lakminë për pasuri dhe me interesat materiale të kësaj bote, nuk i respektojnë këto parime të vëna nga i Dërguari i Allahut dhe pandehin se do të fitojnë më shumë, mbeten të ballafaquar me rrezikun për t’u bërë të varfër të jetës së pasme, ahiretit. Kurse tregtarët e ndershëm të vendosur për të fituar pëlqimin e Allahut dhe ushqimin e ahiretit, bëhen bashkëbisedues të këtij sihariqi të Profetit:
“Tregtari musliman i besës, i ndershëm dhe fjalëdrejtë, në ditën e kiametit do të jetë bashkë me dëshmorët!” (Ibni Maxhe, Tixharat, 1)

Ndërtimi i Faltores Profetike dhe i Banesës Profetike
Në kohët e para në Medinë s’kishte faltore. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e falte namazin ku të ndodhej. Pa kaluar shumë, Profeti e ndërtoi edhe faltoren e dytë pas asaj të Kubas. Faltorja e dytë është kjo e sotmja, Faltorja Profetike ose Xhamia Profetike.
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi në Medinë, deveja e tij, Kavsa u ul pikërisht në një vend në drejtim të shtëpisë së Bijve Nexhar. Trualli ku u ul deveja u përkiste dy të rinjve jetimë nga Bijtë Nexhar, të quajtur Sehl dhe Suhejl, dhe përdorej si lëmë për tharjen e hurmave. Profeti (s.a.s.) zbriti nga deveja dhe tha:
“Inshaallah, dashtë Allahu, ky është vendi!”
Pastaj pyeti:
“E kujt është kjo parcelë?”
“Eshtë e Sehlit dhe Suhejlit, bijve të Amrit, o i Dërguari i Allahut!” – Iu përgjigj Muadh bin Afra (r.a.). 
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i thirri të rinjtë dhe ua kërkoi t’ia shisnin tokën.
“Më tregoni, sa kushton kjo parcelë?” – U tha i Dërguari i Allahut.
“Jo, o i Dërguari i Allahut! Ne ta dhurojmë! Vallahi, çmimin e saj ne nuk e kërkojmë prej tjetërkujt përveç Allahut!” – I thanë të rinjtë.
Mirëpo Profeti nuk e pranoi dhuratën por ua dha çmimin të rinjve dhe e bleu parcelën. (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 45, Salat, 48; Muslim, Mesaxhid, 9)
Në parcelë ndodheshin varret e politeistëve, gropa dhe kodrina si dhe drurë hurmaje. I Dërguari i Allahut dha urdhër, eshtrat e politeistëve u bartën në një vend tjetër, gropat u mbushën, kodrinat u rrafshuan dhe drurët u prenë.41 Pastaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kërkoi që të priteshin plitharë dhe të bëheshin përgatitje.42
Në ndërtimin e faltores, bashkë me sahabet, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) transportonte plitharë dhe, njëkohësisht, thoshte:
هَذَ الْحِمَالُ لاَ حِمَالَ خَيْبَرْ
هَذَ أَبَرُّ رَبَّنَا وَأَطْهَرْ
“Kjo barrë s’është barra e Hajberit. Kjo është puna më e mirë e më e pastër që po e kryejmë ndaj Allahut!” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 45)
Me këto fjalë, Profeti shprehte faktin se barra (plitharët) që po transportonin nuk kishte të bënte me ndonjë interes material të kësaj bote, por ishte më e dobishme e më e këndshme se barra materiale, si hurmat dhe rrushi i thatë që sillnin (transportonin) njerëzit nga Hajberi me qëllim tregtie.
Një burrë që po transportonte dhé, kur hasi në Profetin, i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Më lejo ta bart unë plitharin tënd!”
Kurse Profeti iu përgjigj kështu:
“Ti shko e merr një copë tjetër, se nuk je më nevojtar se unë për Allahun!” (Themhudi, I, 333)
Profeti punonte vetë edhe sepse ashtu ia kërkonte përgjegjësia moralo-shpirtërore që ndjente, edhe për t’i nxitur dhe inkurajuar muslimanët që të punonin. Në lidhje me këtë, njëri nga sahabet recitoi këtë kuplet:
لَئِنْ قَعَدْنَا وَالنَّبِيُّ يَعْمَلُ
لَذَاكَ مِنَّا الْعَمَلُ الْمُضَلَّلُ
Kur punon Profeti, ne si mund të rrimë?
Vërtet i gabuar do të qe për ne ky veprim!.. (Ibni Hisham, II, 114)
Gjatë ndërtimit të faltores erdhi një burrë që e punonte mirë baltën. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha atij: 
“Allahu e mëshiroftë personin i cili e bën mjeshtërinë e tij të bukur e të saktë! Ti vazhdo me këtë punë se e shoh që e bën mirë!” (Themhudi, I, 333; Dijarbekri, I, 344)
Edhe Zoti dëshiron që çdo punë e muslimanëve të jetë e bukur dhe në ajetin kur’anor urdhëron: (Arapça metin) “Atë që ta bëni, bëjeni bukur, punët bëjini mirë!” Dhe, menjëherë pas kësaj, urdhëron: “Allahu i do ata që e bëjnë punën bukur!” (el-Bakara, 195)
Duke bartur qerpiç së bashku me sahabet në ndërtimin e faltores, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), njëkohësisht, këndonte edhe këto vargje të një muslimani:
أَللَّهُمَّ إِنَّ الْاَجْرَ أَجْرُ الْاَخِرَةِ
فَارْحَمِ الْاَنْصَارَ وَالْمُهَاجِرَةِ
Allahu im, shpërblimi i vërtetë është në ahiret;
Tregoju mëshirë ensarëve dhe muhaxhirëve!.. (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 45)
Ndërsa çdokush bartte nga një plithar, Ammar bin Jasiri (r.a.) bartte nga dy: një për vete e një për Profetin. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e vuri re, ia shkundi pluhurat dhe e pyeti:
“O Ammar, pse nuk i bart plitharët si shokët, një e nga një?”
“Dëshiroj shpërblimin e kësaj nga Allahu!” – Iu përgjigj ai.
Profeti ia fërkoi shpinën dhe i tha:
“O biri i Thumejjes! Për njerëzit e tjerë ka një shpërblim, kurse për ty ka dy shpërblime!” (Ahmed, III, 91; Ibni Kethir, el-Bidaje, III, 256)
Edhe rivajeti në vijim tregon se, në ndërtimin e Faltores Profetike, burra e gra punonin me dëshirë.
“Kur i vdiq gruaja, Abdullah bin Evfa (r.a.) u bëri zë kështu njerëzve:
“Barteni tabutin e saj dhe barteni me dëshirë sepse ajo dhe skllevërit e saj i bartnin natën gurët e faltores së Profetit tonë, të ngritur mbi devocionin, kurse ne (burrat) i bartnim ditën nga dy e nga dy!” (Hejsemi, II, 10)
Faltorja Profetike kishte formë katërkëndëshe me gjerësi dhe gjatësi afërsisht 100 zira, kurse lartësia, 3 zira43 prej guri në pjesën e poshtme dhe 5-7 zira prej qerpiçi në pjesën e sipërme.44 Në ndërtim u përdor llaç balte.45 Në anën e kibles, në faltore u radhitën si shtylla trungje drurësh hurmaje. Tavani dhe shtyllat që e mbanin, përbëheshin prej degësh hurmaje.46 Faltorja kishte një mihrab dhe tri dyer. Mihrabi ishte i orientuar drejt faltores së Jeruzalemit. Kur kiblja u orientua drejt Qabes, Profeti e mbylli derën e parë dhe në vend të saj hapi një derë tjetër në murin e Damaskut.47
Pranë faltores u bënë dy dhoma për banimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe familjes.48 Më vonë, numri i këtyre dhomave u shtua.
Hz. Hasan Basri, nëna e të cilit ishte shërbëtorja (skllavja) e Ummu Selemes, për ç’arsye ai e kaloi fëmijërinë në një mjedis afër banesës së të Dërguarit të Allahut, thotë se, në atë kohë, ai mundej t’i prekte me dorë tavanet e atyre dhomave.49 Nga kjo kuptohet se dhomat s’ishin të larta. Kurse dyert e dhomave ishin bërë prej shajaku me lesh dhie të zi.50
Njëri prej imamëve të mëdhenj tabiinë, Said bin Muthejjeb, e shpreh kështu dëshpërimin që ndjente për shkak se, në periudhën e omejadëve, ato dhoma u shembën dhe iu bashkuan Faltores Profetike:
“Vallahi, sa do të dëshiroja që ato të mbeteshin siç ishin, në mënyrë që brezi i ri dhe njerëzit që vinin për vizitë ta shihnin se me çfarë mjaftohej i Dërguari i Allahut në jetë dhe të mos interesoheshin për ta shtuar mallin e për t’u lavdëruar me këtë!” (Ibni Sa’d, I, 499-500)
Meqë faltorja ishte e mbuluar sipër me degë dhe gjethe hurmash, kur binte shi, brenda bëhej baltë. Në ramazan kur Profeti ishte tërhequr në itikaf dhe një natë kishte rënë shi që kishte rrjedhur brenda faltores, në mëngjes, kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) drejtoi namazin, u vu re që në ballë dhe fytyrë kishte shenja balte.51
Prapë një natë kishte rënë shi dhe trualli ishte lagur. Një person kishte bartur rërë me rrobën e vet dhe e kishte shtruar në faltore. Pasi e fali namazin, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha duke e shprehur kënaqësinë e tij:
“Sa bukur qenka bërë!” (Ebu Davud, Salat, 15/458)
Duke u kthyer nga Damasku në Medinë, Temim Dariu (r.a.) solli me vete disa kandilë dhe vaj e rripa të mjaftueshëm. Kur arriti në Medinë, ishte ditë e xhuma. Ai e urdhëroi shërbëtorin e vet, Ebul Berad, që të ngrihej, të lidhte rripat, të varte kandilët, t’u shtinte vaj dhe t’ua vinte fitilat. Ai bëri siç i thanë dhe, pasi perëndoi dielli, i ndezi kandilat. Pastaj, kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi në faltore dhe e pa të ndriçuar, pyeti:
“Kush e bëri këtë?”
“Temimi e bëri, o i Dërguari i Allahut!” – I thanë të pranishmit. I gëzuar shumë për këtë, Profeti i tha kështu:
“E ndriçove Islamin dhe e stolise faltoren! Edhe ty Allahu të ndriçoftë në botë e në ahiret!” (Themhudi, II, 596-597; Ibni Haxher, el-Isabe, II, 18)
Sipas shprehjes së Profetit, Faltorja Profetike është njëra nga tri faltoret që e vlen të bëhet udhëtim e të shkohet në to me qëllim adhurimi dhe vizite. (Buhari, Fadlu’s-Salat, 1; Muslim, Haxh, 505-510) Kështu, në një hadith ai thotë:
“Vendi mes shtëpisë sime dhe minberit është një kopsht nga të xhennetit. Minberi im ndodhet mbi hauzin tim!” (Buhari, Fadlu’s-Salat, 5, Fedailu’l-Medine, 11; Muslim, Haxh, 502)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) njofton se namazi i falur në Faltoren Profetike është një mijë herë më i vlefshëm se namazet e falura në vende të tjera me përjashtim të Qabes. (Buhari, Fadlu’s-Salat, 1; Muslim, Haxh, 505-510)
Siç tregon Enesi (r.a.), Profeti i fliste xhemaatit duke u mbështetur mbi një trung hurme. Kur u pa e nevojshme, u ngrit një minber dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) filloi të mbajë hutbe duke u ngjitur në minber. Ndërkaq, pasi i Dërguari i Allahut e braktisi trungun e hurmës, ky filloi të rënkonte e të qante me një zë që i përngjiste rënkimit të devesë. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) zbriti nga minberi dhe e ledhatoi trungun, i cili, pas kësaj, pushoi së rënkuari dhe u qetësua. (Buhari, Xhuma, 26; Tirmidhi, Menakib, 6/3627)
Profeti tha:
“Ai qau se mbeti larg përmendjes së Allahut!” (Buhari, Menakib, 25; Ahmed, III, 300)
Më vonë, trungu ose u gropos po në atë vend, ose u vu në tavan. Kur, në periudhën e Hz. Osmanit, faltorja u shemb për t’u rindërtuar, trungun e mori Ubej bin Ka’b (r.a.), i cili e ruajti në shtëpi të vet gjersa e hëngrën krimbat duke e kthyer në miell.52
Miku i madh i Zotit, poeti Mevlana Xhelaleddin Rumi (Iu shenjtëroftë e fshehta!), duke e bërë të flasë trungun e hurmës, e tregon kështu këtë ngjarje në veprën e tij, Mesnevi:
“Hz. Pejgamberi (s.a.s.) zbriti nga minberi dhe, duke e ledhatuar trungun me duart e bekuara, e pyeti me një mirëkuptim të thellë:
“O trung hurme! Ç’kërkon? Pse po qan? Ç’hall ke?” Trungu i hurmës filloi të flasë me gjuhën e ndjenjave dhe, mes lotëve të nxehtë, i tha:
“O i Dërguari i Allahut! U përvëlova nga ndarja jote! Shpirti më është mbushur me një hidhërim, dëshpërim dhe mall të papërshkruar! Më parë isha unë ajo shtylla fatbardhë dhe e lumtur ku ti mbështeteshe kur mbaje hutbe, kurse tani më ke braktisur dhe je ngjitur mbi një minber të lartë! Tani ai minber është mbështetja jote! Por, o i Dërguari i Allahut, të lutem më jep të drejtë: kush është ajo qenie në këtë botë që mund ta durojë ndarjen prej teje?”
Përballë vajtimit me një dashuri të thellë të trungut të hurmës, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha kështu për ta ngushëlluar dhe qetësuar:
“O trung hurme! Meqë vajtimi yt është prej hidhërimit të ndarjes, kërkomë ç’të duash! A dëshiron t’i lutem Allahut që të të bëjë një pemë të gjallë e të gjelbëruar që rrit fruta për të gjithë njerëzit e lindjes dhe perëndimit? Ose të të bëjë një fidan selvie në xhennet që të mbetesh përjetësisht e re, e freskët dhe e bukur?”
Dhe trungu i hurmës që kishte merituar këtë konsideratë të lartë, si shfaqje të dashurisë përvëluese për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), i bëri këtë kërkesë:
“O i Dërguari i Allahut! Asnjërën s’e dua! E vetmja dëshirë që kam, është të shkrihem në qenien tënde, prandaj të më groposësh e të më shpëtosh nga ky trup i vdekshëm! Sepse pema, sado e njomë dhe e bukur që të jetë, ushqimin e merr nga dielli dhe uji. Kurse jeta ime u ushqye me bukurinë e dritës tënde! E shijoi kënaqësinë e ngrohjes me ngrohtësinë tënde, e djegies dhe përvëlimit tek ti! Unë tashmë nuk ndahem dot nga kjo kënaqësi e ëmbël dhe e këndshme! Unë dua të mbetem i përjetshëm! Groposmë dhe asgjësomë në atë mënyrë që të ringjallem e të përjetësohem tek Ti, tek bukuria Jote e vetme!”
Dhe ai trung hurme u gropos në tokë me qëllim që ditën e kiametit të ringjallet si njerëzit!”
***
Hapi i parë që hodhi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) për të formuar një shoqëri islame me njerëz të lidhur fort pas njëri-tjetrit, pasi shkoi në Medinë, ishte ndërtimi i Faltores Profetike. Sepse në sendërtimin e vëllazërimit mes muslimanëve, bashkimi pesë herë për çdo ditë në shtëpinë e Allahut duke u zhveshur nga dallimet pasuri, post dhe pozitë, ka një ndikim me rëndësi. Eshtë për këtë arsye që qytetet islame në përgjithësi kanë një strukturë që zgjerohet nga qendra në periferi, me xhaminë në qendër dhe shtëpitë e ndërtesat, përreth saj.
Në Shekullin e Lumtur, faltorja ishte, krahas vend adhurimi, edhe shkollë, vend mbledhjesh, qendër e diskutimit të çështjeve administrative e ushtarake, spital dhe vend pushimi. Edhe vend strehimi i sahabeve beqarë dhe pa shtëpi të cilit ishin frekuentuesit e përhershëm të kuvendeve të mësimit, bisedës dhe zikrit që zhvilloheshin në faltore, ishte përsëri sofati i faltores. Në këto kushte, në një vështrim, Faltorja Profetike kryente edhe detyrën e një konaku.


Nxitja për namaz me xhemaat
Edukimi shoqëror është një nga parimet më të rëndësishme të Islamit. Edukimi i parë shoqëror i muslimanit fillon me faljen e namazit me xhemaat53. Kjo është shtylla e parë bazë dhe akti i mirë (i bukur)54 që e mbajnë në këmbë shoqërinë islame. Atje ku falet namaz me xhemaat, do të thotë se ka filluar të konceptohet struktura shpirtërore dhe shoqërore e Islamit. Kështu, Islami i cili kërkon sendërtimin e bashkimit dhe unitetit mes antarëve të tij, ka kërkuar që namazi si shenjë dalluese e muslimanit, të kryhet me xhemaat dhe vajtjen e rregullt në xhami e ka konsideruar si provë të qenies musliman. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) porosit:
“Po të shihni se dikush e ka bërë rregull të shkojë në xhami, dëshmoni për të se ka besim, sepse Allahu i Lartë ka urdhëruar kështu:
  إِنَّمَا يَعْمُرُ مَسَاجِدَ الله مَنْ آمَنَ بِاللهِ
“Xhamitë e Allahut i rregullojnë vetëm ata që besojnë…” (et-Tevbe, 18) (Ibni Maxhe, Mesaxhid, 19)
Kjo do të thotë se po aq sa pajisja, rregullimi dhe zbukurimi material i xhamive, është një detyrë adhurimore jashtëzakonisht e rëndësishme edhe rregullimi dhe zbukurimi moralo-shpirtëror i tyre me anë të faljes së namazeve me xhemaat. Në një rrëfim të ardhur prej Ebu Hurejres (r.a.) thuhet kështu:
“Janë katër fakte vërtet të çuditshme në botë: Kur’ani që ndodhet në kujtesën e mizorit, xhamia pa namaz që ndodhet në një zonë muslimane, Mus’hafi (teksti i Kur’anit) që rri i varur në murin e një dhome shtëpie, por që s’lexohet dhe njeriu i mirë që jeton mes një grupi njerëzish të këqinj!” (Dejlemi, III, 108/4301)
Zoti u dedikon një rëndësi shumë të madhe faljes së namazeve me xhemaat. Zoti ka urdhëruar faljen e namazeve me xhemaat edhe për ushtarët në kushte lufte duke treguar praktikisht në Kur’an se si duhet bërë kjo falje.
Ebu Hurejre (r.a.) tregon:
“Gjatë një fushate, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kishte bërë konak mes vendeve të quajtura Daxhnan dhe Usfan. Politeistët thanë: 
“Ata kanë një namaz që për ta është më i çmuar se etërit dhe bijtë e tyre. Ky është namazi i iqindisë. Bëni përgatitjet e duhura dhe kryeni një sulm të përgjithshëm mbi ta!”
Atëherë, tek i Dërguari i Allahut shkoi Xhebraili (a.s.) dhe i çoi ajetin 102 të sures Nisa që përshkruan mënyrën e faljes së namazit në kushtet e fushës së luftës.” (Tirmidhi, Tefsir, 4/21)55
Pra, sido që të jenë kushtet, muslimanët nuk mund ta shtyjnë namazin dhe nuk mund ta braktisin faljen e namazit me xhemaat.
Disa nga hadithet profetike që nxisin dhe inkurajojnë faljen e namazit me xhemaat, janë kështu:
“Namazi i falur me xhemaat është njëset e shtatë herë më i çmuar se namazi i falur vetëm!” (Buhari, Ezan, 30)
“Kush shkon e kthehet nga xhamia mëngjes e mbrëmje, në çdo vajtje-ardhje Allahu i Lartë përgatit për të dhuratën e xhennetit!” (Buhari, Ezan, 37)
“Po qe se dikush nga ju merr abdest duke e kryer bukur këtë dhe del për namaz, sa herë ta ngrejë këmbën e djathtë, Allahu i Lartë shkruan një të mirë për të dhe sa herë që ta shkelë në tokë këmbën e majtë, ia fshin një të keqe pavarësisht nëse xhamia ndodhet afër ose larg! Po qe se shkon në xhami dhe falet me xhemaat, i falen mëkatet. Po qe se kur të shkojë në xhami, atje është falur një pjesë e namazit, prandaj ai lidhet pas tyre dhe pastaj i plotëson reqatet e mbetura, merr po të njëjtat shpërblime. Po qe se kur shkon në xhami, xhemaati e ka përfunduar namazin, prandaj ai falet vetë, prapë trajtohet po njëlloj.” (Ebu Davud, Salat, 50/563)
“Pasi besimtari të hyjë në xhami, për sa kohë që të presë namazin, quhet se është në namaz!” (Ibni Maxhe, Mesaxhid, 14)
Ebu Hurejre (r.a.) rrëfen kështu:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) na pyeti:
“A t’ju them se ç’është ajo gjë me të cilën Allahu i fshin gabimet dhe i lartëson gradët?”
“Po, o i Dërguari i Allahut!” – I thanë sahabet. 
Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) vazhdoi kështu:
“Të marrësh abdest plotësisht pavarësisht nga vështirësitë, t’i shpeshtosh hapat për të arritur në xhami dhe, pas një namazi, të presësh namazin tjetër. Ja, kjo është lidhje shpirtërore56 e vërtetë!” (Muslim, Taharet, 41)
Jezid bin Amri (r.a.) tregon:
“Shkova te i Dërguari i Allahut ndërsa po falte namaz. U ula pa marrë pjesë në xhemaat. Kur, pas namazit, Profeti u kthye nga ne dhe na pa që po qëndronim në një skaj, më pyeti:
“O Jezid, a s’u bëre musliman ti?”
“Po, o i Dërguari i Allahut, u bëra musliman!” – I thashë unë.
“Atëherë, ç’farë të pengoi të futeshe në xhemaat?” – Më pyeti i Dërguari i Allahut.
“Duke menduar se ju jeni falur, u fala në shtëpi!” – I thashë. Atëherë, Profeti na porositi:
“Po qe se vjen dhe i gjen njerëzit në namaz, falu bashkë me ta. Po qe se je falur më parë, ky namaz të bëhet nafile. Kurse namazi që fale në shtëpi, kalon në vend të namazit farz.” (Ebu Davud, Salat, 56/577)
Profeti nuk ka pranuar asnjë justifikim për t’iu shmangur namazit me xhemaat dhe ka kërkuar nga muslimanët t’i rregullojnë punët dhe kushtet sipas ezanit. Kështu, Abdullah bin Ummi Mektum (r.a.) e pyeti Profetin (s.a.s.):
“O i Dërguari i Allahut! Sytë nuk më shohin, kurse shtëpinë e kam larg xhamisë. Kam një kallauz, por ai s’më ndihmon! A më jep leje ta fal namazin në shtëpi?”
Profeti (s.a.s.) e pyeti:
“A e dëgjon ezanin?”
“Po, e dëgjoj, o i Dërguari i Allahut!” – Iu përgjigj ai.
“Atëherë, nuk gjej ndonjë justifikim për të të dhënë leje!” – I tha Profeti. (Ebu Davud, Salat, 46/552)
Në lidhje me vlerën e pjesëmarrjes në xhemaat duke ardhur nga larg, Profeti ka thënë kështu:
“Njerëzit që meritojnë shpërblimin më të madh për namazin, janë, shkallë-shkallë, ata që vijnë nga larg në këmbë. Edhe personi që pret për ta falur namazin me imam, meriton shpërblim më të madh se ai që e fal në shtëpi menjëherë dhe bie për të fjetur!” (Buhari, Ezan, 31)
“Sa më larg ta ketë njeriu nga xhamia vendin ku ndodhet, aq më shumë sevap fiton duke shkuar për në namaz!” (Ebu Davud, Salat, 48/556)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka bërë paralajmërime të ndryshme për ata që nuk falen me xhemaat. Ubej bin Ka’b (r.a.) tregon kështu:
“Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na e drejtoi namazin e mëngjesit dhe pastaj pyeti:
“Filan person a erdhi në namaz?”
“Nuk erdhi!” – I thanë.
“Filani a erdhi?” – Pyeti përsëri.
“Nuk erdhi!” – I thanë. Atëherë, Profeti tha:
“Ja, këto dy namaze janë namazet që u vijnë më rëndë hipokritëve! Po ta dinit se sa sevap dhe shpërblim ka në to, do të vinit në namaz edhe këmbadoras! Radha e parë është si radha e engjëjve. Po ta dinit vlerën e tij, do të radhiteshit aty me vrap! Namazi i dikujt i falur së bashku me një tjetër është më i vlefshëm se namazi i falur prej tij vetëm. Edhe namazi i dy vetëve është më i begatshëm e më i lartë se namazi i një personi të vetëm. Sa më shumë që të jetë numri i atyre që falen së bashku, aq më shumë i pëlqen Allahut të Lartë!” (Ebu Davud, Salat, 47/554)
Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë:
“Namazi i personit që është komshi me xhaminë bëhet namaz (i përkryer) vetëm nëse e fal në xhami!” (Ibni Ebi Shejbe, I, 303)
Kur e pyetën Hz. Aliun se kush quhet komshi i xhamisë për të cilin flitet në këtë hadith, ai u përgjigj:
“Çdokush që e dëgjon muezinin!” (Bejhaki, es-Sunenu’l-Kubra, III, 57)
Kurse këto hadithe të Profetit përmbajnë kërcënime shumë të rënda ndaj atyre që e braktisin xhemaatin:
“Po qe se në një fshat apo fushë ndodhen tre vetë dhe nuk e falin namazin me xhemaat mes tyre, shejtani i rrethon dhe u mund. Prandaj, vazhdoni me xhemaat. Pa dyshim, delen që ndahet nga tufa, e rrëmben ujku!” (Ebu Davud, Salat, 46/547)
“Një sërë njerëzish ose heqin dorë nga braktisja e xhemaatit, ose Allahu ua vulos zemrat dhe atëherë ata bëhen ndër të paditurit!” (Ibni Maxhe, Mesaxhid, 17)

Ezani i parë
Për ta lajmëruar kohën e namazit, në fillim thuhej vetëm “Ejani në namaz! Ejani në namaz”!” Më vonë u favorizua ezani muhammedí.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) këshillohej me sahabet mbi çështjen se në ç’mënyrë duhet ftuar populli në namaz.
Disa propozonin që, kur të vinte koha e namazit, të ngrihej një flamur dhe, duke e parë atë, muslimanët ta lajmëronin njëri-tjetrin. Por Profeti nuk e pëlqeu këtë propozim.
U propozua rënia e borisë së çifutëve, por edhe atë s’e pëlqeu. Ai tha se “ajo ishte një mjet i çifutëve”.
U diskutua rënia e çangave, por edhe për to, Profeti tha se “ishte punë e krishterëve”.
Atë ditë, Abdullah bin Zejd57 (r.a.) i cili merrte pjesë në hallet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe kishte po ato shqetësime që kishte edhe ai, pas diskutimeve pa rezultat mbi këtë çështje, u largua për në shtëpi. Ndërsa po pushonte në një gjendje gjysmëgjumi, iu frymëzua ezani muhammedian. Abdullah bin Zejdi u ngrit menjëherë, shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i tha:
“Kur po dremisja gjysmë i fjetur e gjysmë i zgjuar, më erdhi dikush e ma mësoi ezanin!”
Ndërkaq, edhe Hz. Omeri (r.a.) kishte përjetuar të njëjtën gjë. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha Bilalit:
“Ngrihu, o Bilal, dhe provoi ato që thotë Abdullah bin Zejdi!”
Bilali (r.a.) i tha në të njëjtën mënyrë fjalët e Abdullait dhe, kështu, e këndoi ezanin! (Ebu Davud, Salat, 27/498)
Kështu, ezani u bë një sunnet i fuqishëm në nivel vaxhibi (domosdoshmërie fetare), sepse u fiksua edhe me ëndërr besnike, edhe me traditë profetike, edhe me revelacion hyjnor. Në ajetin kur’anor thuhet:
وَإِذَا نَادَيْتُمْ إِلَى الصَّلاَةِ  
“… dhe kur t’i thirrni ata në namaz…” (el-Maide, 58)
Sado që në legjitimizimin e ezanit, Abdullah bin Zejdi (r.a.) u bë ndërmjetës, komunikimi hyjnor dhe frymëzimi i të fshehtës i është bërë gjithmonë Profetit (s.a.s.). Me miratimin e tij u legjitimizua ezani dhe njerëzit filluan të thirren58 në xhami për faljen me xhemaat. Kur Bilali Abisinas këndoi ezanin e parë, kjo ftesë e lartë e sublime arriti nga njëri skaj, në skajin tjetër të Medinës. Qiejt jehuan me tingujt e ezanit. Besimtarët vrapuan me një gëzim të veçantë për në faltore.
Megjithëse Profetit iu propozuan mënyra të ndryshme të ftesës për namaz, ai nuk e pëlqeu asnjërën prej tyre, kurse ezanin e pranoi menjëherë dhe me kënaqësi të madhe. Sepse namazi e përmbledh në mënyrë koncize botëkuptimin mbi Allahun, Profetin, faljen dhe jetën duke ngritur një lidhje të saktë e të shëndoshë mes tyre. Prandaj, në çështjen e ftesës për në namaz, i Dërguari i Allahut ka zgjedhur rrugën më ideale!
I fiksuar me ajete kur’anore dhe hadithe profetike, ezani vazhdon të thirret qysh prej mëse një mijë e katërqind vjetësh si një ftesë sublime për muslimanët. Ezani është një thirrje ndërkombëtare dhe gjithëpërfshirëse. Për këtë shkak, nuk mund të këndohet në një mënyrë tjetër përveç formës origjinale. Ezani është, pothuaj, një tingëllim hyjnor i qiejve! Poeti Jahja Kemal e përshkruan kështu ezanin në vargjet e tij:
Urdhër i lartë je, o ezani muhammedian,
I vjen ngushtë tingullit tënd njerëzimi muhammedian;
Të mos e kish penguar vdekja Selimin e Parë,
Të kish ngadhnjyer mbi botë nami muhammedian;
Mbytet në dritë qielli nga mijëra minare
Kur shpalos flatrat shpirti i gjallë muhammedian…
Tërë shpirtrat bashkë e shohin Allahun e Madh
Kur në Rezidencën Hyjnore reflektohet ezani muhammedian…
Profeti (s.a.s.) ka porositur kështu:
“Kur ta dëgjoni ezanin, përsëritini fjalë për fjalë ato që thotë muezini. Pastaj thoni salat dhe selam59 për mua, sepse atij që thotë salat dhe selam për mua, Allahu e mëshiron shumëfish. Pastaj kërkoni për mua Pretekstin. Ky është një post në xhennet që patjetër do t’i takojë dikujt nga robtë e Allahut. Unë kam shpresë se do të jem ai që do ta arrij atë post. Atij që i kërkon Allahut për mua Pretekstin, ndërmjetësimi im për të bëhet vaxhib60!” (Muslim, Salat, 11; Ebu Davud, Salat, 36/523)
Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka njoftuar se personi që e përsërit ezanin së bashku me muezinin, do të hyjë në xhennet.61 Kurse për lutjen që duhet të bëhet pas ezanit, ka thënë si në vijim.
“Për atë i cili, kur e dëgjon ezanin, shprehet kështu, në ditën e kiametit do të ndërmjetësoj patjetër:
أَللَّهُمَّ رَبَّ هَذِهِ الدَّعْوَةِ التَّامَّةِ وَالصَّلاَتِ الْقَائِمَةِ آتِ مُحَمَّدًانِ الْوَسِيلَةَ
 وَالْفَضِيلَةَ وَابْعَثْهُ مَقَاماً مَحْمُداًنِ الَّذِى وَعَدْتَهُ
“O Zoti i kësaj ftese të patëmetë dhe i këtij namazi që falet, jepi Muhammedit Pretekstin dhe Virtytin! Dhe ringjalle atë në pozitën e të Përzgjedhurit që ia ke premtuar!” (Buhari, Ezan, 8; Ebu Davud, Salat, 37/529)
Janë krijuar shumë hadithe mbi virtytin e ezanit i cili është një thirrje hyjnore. Disa prej tyre janë kështu:
“Janë dy lutje që kurrë nuk hidhen poshtë ose që hidhen poshtë shumë rrallë: Lutja e bërë gjatë ezanit dhe lutja e bërë gjatë konfliktit mes njerëzve që janë duke luftuar në rrugën e Allahut.” (Ebu Davud, Xhihad, 39/2540)
“Po ta dinin njerëzit sevapin (mirësinë) e këndimit të ezanit dhe pjesëmarrjes në radhën e parë të namazit dhe po të mbeteshin të detyruar të hidhnin short për të përcaktuar se kujt do t’i takonin këto të drejta, patjetër që ashtu do të bënin!” (Buhari, Ezan, 9, 32; Muslim, Salat, 129)
“Kur këndohet ezan për namaz, shejtani largohet që aty si era gjer në atë vend ku të mos dëgjohet. Kur mbaron ezani, kthehet prapë, por largohet me të filluar ikameti dhe kthehet përsëri në mbarim të tij dhe hyn në zemrën e njeriut duke i pëshpëritur gjëra që nuk i kanë shkuar kurrë ndërmend dhe, për pasojë, duke e vënë në dyshim e duke e lëkundur, aq sa personi që bie në këtë grackë, nga turbullimi, nuk e di sa reqate ka falur!” (Buhari, Ezan, 4; Muslim, Salat, 19)

Shokët e Sofatit dhe shkolla e dijes dhe kulturës shpirtërore
Në një anë të Faltores Profetike u ngrit një sofat62 (hije, çardak) i hapur anash dhe u mbulua sipër me degë hurmaje. Aty banonin muslimanët e varfër pa shtëpi e pa familje. Ata thirreshin “as’habi suffe” (shokët e sofatit) ose “ehli suffe” (njerëzit e sofatit)63. Kur ndonjëri ose disa prej tyre martoheshin, dilnin në fushatë luftarake, vendoseshin diku tjetër ose vdisnin, numri i tyre ndryshonte. Përgjithësisht, numri i banorëve të sofatit shtohej apo pakësohej, ndërkaq që, pati arritur gjer më shtatëdhjetë.
Në disa burime përmenden emrat e mëse njëqind sahabeve që thuhet se kanë qenë shokë të sofatit. Ushqimin dhe veshmbathjen e tyre e siguronte i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i cili, gjithashtu, u kërkonte sahabeve që ishin mirë nga gjendja, t’i ndihmonin.
Ebu Hurejre (r.a.) nga shokët e sofatit, thotë kështu:
“Njerëzit e sofatit ishin mysafirë islamë. Ata s’kishin as familje ku të strehoheshin, as mall e pasuri, as ndonjë të afërm. Kur vinte ndonjë lëmoshë, Profeti ua dërgonte atyre pa mbajtur asgjë për vete prej saj. Po qe se vinte ndonjë dhuratë, mbante një pjesë për vete dhe tjetrën prapë atyre ua dërgonte. Kështu, dhuratat që vinin, i ndante me ta. (Buhari, Rikak, 17)
Gjithashtu, Ebu Hurejre ka thënë kështu:
“Unë kam njohur rreth shtatëdhjetë vetë nga njerëzit e sofatit. Asnjëri s’ka pasur ndonjë rrobë që t’ia mbulonte tërë trupin. Ose mbanin izar (futë ose peshqir) që vishej në bel e poshtë, ose rida (pelerinë) që hidhej krahëve. Ata i lidhnin mbulesat për qafe. Ato u arrinin ose gjer në gjunjë, ose gjer në themra. Që të mos u dukeshin vendet intime, e mblidhnin me dorë rrobën duke e palosur copën mbi copë.” (Buhari, Salat, 58)
Kurse Fedale bin Ubejd (r.a.) ka thënë kështu:
“Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) drejtonte namazin për sahabet, disa prej tyre, duke mos e duruar dot qëndrimin në këmbë nga dobësia e mungesës së ushqimit, rrëzoheshin dhe mpakeshin. Ata ishin shokët e sofatit. Beduinët që vinin nga shkretëtira, thoshin për ta: “Këta janë të marrë!” Pasi e mbaronte namazin, i Dërguari i Allahut u shkonte pranë dhe, duke i ngushëlluar, u thoshte:
“Sikur ta dinit se ç’po përgatitet për ju tek Allahu i Lartë, do të donit të ishit më të varfër e më nevojtarë!” (Tirmidhi, Zuhd, 39/2368)
Abdurrahman bin Ebu Bekr (r.a.) na përcjell këtë ngjarje:
“Shokët e sofatit ishin njerëz mjaft të varfër. Një herë, Profeti (s.a.s.) tha kështu:
“Kush ka gjellë për dy vetë, ta ftojë të tretin nga shokët e sofatit; kush ka gjellë për katër vetë, ta ftojë të pestin, madje, të gjashtin!”
Im atë Ebu Bekri na solli në shtëpi tre vetë prej tyre. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) mori dhjetë vetë në banesën e tij dhe i gostiti. Betohem në Allahun se pas çdo kafshate që hanim, gjella na shtohej. Më në fund, miqtë u ngopën, kurse gjella rrinte në mes më e shumtë se ç’kishte ardhur! Ebu Bekri pa nga gjella dhe i foli së shoqes:
“Moj bija e Beni Firasit, ç’është kjo punë?”
Ajo iu përgjigj:
“Betohem në dritën e syve se gjella tani është tri herë më shumë se më parë!” (Buhari, Mevakit, 41; Menakib, 25; Edeb, 87-88; Muslim, Eshribe, 176-177)
Kjo pamje është një shembull konkret i begatisë së sjellë nga principialiteti i besimit dhe bujaria e zemrës!
Shokët e sofatit, kur gjenin punë, punonin, kurse gjatë kohës tjetër, merreshin në faltore me dituri dhe adhurim. Kështu, shokët e sofatit që ishin të shëndoshë e të fortë, bënin çdo punë që u vinte ndoresh, si sjellja e druve nga mali, bartja e ujit, etj., dhe, me paratë që fitonin, u blenin shokëve të ngrëna.64 Për shkak të vlerës së madhe që i jepnin nderit dhe dinjitetit, ruheshin shumë nga veprimet që mund t’ua trondisnin personalitetin. Ata s’kërkonin kurrë asgjë nga askush!
Shokët e sofatit ishin njerëzit më të afërt ndaj burimit të fesë dhe më frekuentuesit e kuvendit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s). Prandaj, përgatitja e tyre bëhej më e shpejtë. Mësuesit e tyre ishin, me Profetin në krye, sahabet dijetarë, si Ubej bin Ka’b, Ibni Mes’ud, Muadh bin Xhebel dhe Ubade bin Samit.
Shokët e sofatit merrnin një edukim të nivelit të lartë e pothuaj të sforcuar. Kështu, sahabet që kanë përcjellë më shumë hadithe (të quajturit muksirun), përgjithësisht kanë dalë prej tyre. Më i shquari prej tyre, Ebu Hurejre, thotë kështu:
“Njerëzit thonë me çudi se “Ebu Hurejre përcjell shumë hadithe”! Mirëpo, ndërsa vëllezërit tanë muhaxhirë ishin të zënë me tregti në treg, vëllezërit ensarë, me bujqësi e pemëtari në arë e në kopshte, Ebu Hurejre që kishte hall vetëm të mos mbetej pa ngrënë, ndodhej pranë të Dërguarit të Allahut, bëhej dëshmitar i sa e sa gjërave që ata s’i përjetonin dot, mësonte përmendësh gjëra që ata s’i mësonin dot!” (Buhari, Ilm, 42)
Grupet që vinin në Medinë për pak ditë për ta mësuar Islamin, ndërsa nga njëra anë takoheshin me Profetin, nga ana tjetër, nga shokët e sofatit mësonin gjërat që s’i dinin. Kur duhej dërguar mësues feje te fiset jashtë Medinës që ishin bërë rishmë muslimanë, zgjidheshin persona nga shokët e sofatit. 
Ndër sahabet, përsa i përket virtytit, pas kalifëve rashidinë, dhjetë të përgëzuarve me xhennetin dhe shokëve të Bedrit, vinin shokët e sofatit65. Allahu i ka lavdëruar ata në ajete të ndryshme. Në Kur’an thuhet:
لِلْفُقَرَاء الَّذِينَ أُحصِرُوا فِي سَبِيلِ الله لاَ يَسْتَطِيعُونَ ضَرْباً
 فِي الْأَرْضِ يَحْسَبُهُمُ الْجَاهِلُ أَغْنِيَاء مِنَ التَّعَفُّفِ تَعْرِفُهُم بِسِيمَاهُمْ
لاَ يَسْأَلُونَ النَّاسَ إِلْحَافاً وَمَا تُنْفِقُوا مِنْ خَيْرٍ فَإِنَّ الله بِهِ عَلِيمٌ 
“(Mirësitë që keni për të bërë) le të jenë për të varfërit që ia kanë kushtuar veten rrugës së Allahut, për ç’arsye nuk munden të punojnë për të fituar. Ata që s’dinë, për shkak të dinjitetit, i pandehin për të pasur. Por ti i njeh nga fytyra, sepse ata nuk bëhen të pafytyrë që të kërkojnë. Allahu e di patjetër çdo mirësi që bëni!” (el-Bakara, 273)
Habbab (r.a.) tregon kështu:
“Politeistët mendjemëdhenj Akra bin Habith dhe Ujejne bin Hithn shkuan te Profeti dhe e gjetën tek po rrinte mes muslimanëve të varfër e të panjeri, si Bilali, Suhejbi, Ammari, Habbabi. Duke i parë me nënvleftësim dhe përbuzje këta muslimanë të dobët rreth tij, ata i thanë Profetit:
“Kërkojmë të caktosh për ne një kuvend veç nga këta. Kështu, arabët ta kuptojnë se ne jemi më të epërm se këta. Ti e di se neve na vijnë përfaqësues dhe delegacione nga fiset arabe, prandaj kemi turp të na shohin bashkë me këta shkllevër. Prandaj kur të vijmë ne, t’i largosh këta dhe, kur të kesh mbaruar punë me ne, po të duash, rri prapë me ta!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Punë që bëhet!”
“Nuk mjafton të thuash “punë që bëhet”! Prandaj, na e jep me shkrim!” – I thanë ata.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thirri Hz. Aliun dhe kërkoi letër. Ne po rrinim në një skaj. Atë çast, Xhebraili (a.s.) solli këto ajete:
وَلاَ تَطْرُدِ الَّذِينَ يَدْعُونَ رَبَّهُم بِالْغَدَاةِ وَالْعَشِيِّ يُرِيدُونَ وَجْهَهُ
 مَا عَلَيْكَ مِنْ حِسَابِهِم مِنْ شَيْءٍ وَمَا مِنْ حِسَابِكَ عَلَيْهِم 
مِنْ شَيْءٍ فَتَطْرُدَهُمْ فَتَكُونَ مِنَ الظَّالِمِينَ 
“Kurrsesi mos i përze ata që luten mëngjes e mbrëmje duke dëshiruar pëlqimin e Allahut! Ti nuk ke asnjë përgjegjësi për llogaritë e tyre dhe atyre s’u takon asgjë nga llogaria jote! Po t’i përzesh ata, bëhesh nga mizorët!” (el-En’am, 52)
وَكَذَلِكَ فَتَنَّا بَعْضَهُم بِبَعْضٍ لِيَقُولُُُوا أَهَـؤُلاءِ مَنَّ الله
عَلَيْهِم مِنْ بَيْنِنَا أَلَيْسَ الله بِأَعْلَمَ بِالشَّاكِرِينَ 
“Kështu i vumë në provë Ne disa prej tyre që të thonë për të tjerët: “A për këta e pa të denjë Allahu favorin e vet?” A nuk është Allahu ai që i njeh më mirë falenderuesit?” (el-En’am, 53)
وَإِذَا جَاءَكَ الَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِآيَاتِنَا فَقُلْ
 سَلاَمٌ عَلَيْكُمْ كَتَبَ رَبُّكُمْ عَلَى نَفْسِهِ الرَّحْمَةَ 
“Kur të vijnë tek ti ata që u besojnë ajeteve tona, thuaju: “Paqe juve! Zoti ju ka premtuar mëshirë dhe shpërblim…” (el-En’am, 54)
Profeti e la menjëherë mënjanë letrën që e pati marrë në dorë për ta shkruar marrëveshjen, dhe na thirri pranë. Kur po i afroheshim, na thoshte:
سَلاَمٌ عَلَيْكُمْ كَتَبَ رَبُّكُمْ عَلَى نَفْسِهِ الرَّحْمَةَ
“… Paqe juve! Zoti ju ka premtuar mëshirë dhe shpërblim…”
Ne u afruam dhe u ulëm pranë tij, aq pranë, sa i mbështetëm gjunjët në gjunjët e tij. Pas zbritjes së këtij ajeti, ne vazhduam të rrimë pranë Profetit ashtu si më parë. Atëherë, ai ngrihej e largohej kur të donte. Por qysh kur zbriti ajeti që thoshte:
وَاصْبِرْ نَفْسَكَ مَعَ الَّذِينَ يَدْعُونَ رَبَّهُم بِالْغَدَاةِ وَالْعَشِيِّ يُرِيدُونَ 
وَجْهَهُ وَلَا تَعْدُ عَيْنَاكَ عَنْهُمْ تُرِيدُ زِينَةَ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا
“Duro së bashku me ata që luten mëngjes e mbrëmje duke dëshiruar pëlqimin e Zotit! Mos i largo sytë prej tyre duke dëshiruar stolitë e kësaj bote…” (el-Kehf, 28), ai nuk u suall më ashtu. Edhe ne filluam të sillemi më me kujdes. Po qe se bëhej gjatë duke ndenjur bashkë, ne, duke u treguar të sjellshëm, ngriheshim para tij në mënyrë që ai ta kishte të lehtë të ngrihej e të largohej. (Ibni Maxhe, Zuhd, 7; Taberi, Tefsir, VII, 262-263)
Pasi zbriti ky ajeti i fundit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u ngrit dhe u vu t’i kërkonte sahabet e tij të varfër dhe i gjeti pas faltores duke e përmendur Allahun. Atëherë tha:
“Lavdi Allahut që, para se të ma merrte shpirtin, më urdhëroi të duroj së bashku me këta njerëz të ummetit tim! Tashmë, edhe jeta, edhe vdekja ime është bashkë me ju!” (Vahidi, f. 306)
Ebu Said (r.a.) tregon:
“Isha ulur bashkë me një grup muhaxhirësh të varfër. Disa prej tyre, meqë s’kishin rrobë që t’ua mbulonte tërë trupin, përpiqeshin të fshiheshin pas të tjerëve. Njëri na këndonte Kur’an. Ndërkaq, u duk i Dërguari i Allahut (s.a.s.) që erdhi aty dhe u ul pranë nesh. Meqë erdhi i Dërguari i Allahut, ai që këndonte Kur’an, e la këndimin. I Dërguari i Allahut na dha selam dhe na pyeti:
“Ç’po bëni?”
“O i Dërguari i Allahut! Ai është mësuesi ynë, na këndon Kur’an dhe ne dëgjojmë librin e Allahut të Lartë!” – I thamë ne.
Atëherë, Profeti (s.a.s.) tha:
“Lavdi Allahut që i ka krijuar njerëzit nga ummeti im, për të cilët jam urdhëruar që të duroj bashkë me ta!”66 
Pastaj i Dërguari i Allahut, duke na konsideruar të barabartë në nivel me të, u ul mes nesh dhe, duke bërë me shenjë, na tha:
“Bëni një rreth ja, kështu!”
Të gjithë u vendosëm përreth tij dhe i ngulëm vështrimet mbi të. Më në fund, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na dha këtë myzhde:
“O muhaxhirë të varfër, gëzohuni! Po ju përgëzoj me një dritë të plotë juve ditën e kiametit! Ju do të hyni në xhennet gjysmë dite para pasanikëve! Kjo gjysmë dite bën pesëqind vjet (sipas ditëve të tokës)!” (Ebu Davud, Ilm, 13/3666)

Martesa e Profetit me Hz. Aishenë
Kurora e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) me Hz. Aishenë qe lidhur në Mekë para hixhretit, kurse martesa u krye në Medinë.
Hz. Aisheja (r.a.) tregon kështu:
Kur i Dërguari i Allahut emigroi për në Medinë, ne dhe vajzat i la në Mekë. Më vonë dërgoi në Mekë Zejd bin Harithenë me Ebu Rafiun me dy deve dhe me 500 dërhemë për të blerë gjërat që do të kishin nevojë. Edhe im atë Ebu Bekr dërgoi së bashku me ta Abdullah bin Urajkitin me dy a tri deve duke e porositur që të na hipte në deve vëllanë Abdullah, nënën Ummu Ruman, mua dhe time motër Esmanë e të na sillte në Medinë.
Ebu Rafiu i hipi në njërën deve Fatimen, Ummu Gulsumin dhe Sevde binti Zem’a-në, kurse në devenë tjetër, Zejdi hipi Ummu Ejmenin me të birin Usame dhe dolëm në rrugë të gjithë së bashku.67 Kur arritëm nga Mina në zonën Bejz, deveja jonë iku. Ne ndodheshim brenda shatores. Nëna ime përpëlitej duke thënë: “Oh, mjera unë, bija ime, mjera unë nusja ime!” Por Allahu i Lartë na e qetësoi devenë dhe na shpëtoi!
Më në fund, arritëm në Medinë shëndoshë e mirë. Megjithëse e patëm lidhur kurorën me të Dërguarin e Allahut qysh në Mekë, unë rrija me familjen time. Në atë mes, pranë dhe rreth faltores qenë ndërtuar dhoma. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) me familjen u vendosën në dhomat e tyre. Pas një farë kohe, im atë e pyeti:
“O i Dërguari i Allahut, ç’të pengon të martohesh me të fejuarën tënde?”
“Mehri, garancia e kurorës!” – Iu përgjigj ai.
Atëherë, pasi im atë, Ebu Bekri, i dërgoi si ndihmë dymbëdhjetë e gjysmë ukijje68, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ma dha garancinë e kurorës dhe u martua me mua brenda muajit shevval.69 Për dasmën nuk u prenë as deve, as desh. Vetëm Sa’d bin Ubade70 (r.a.) i dërgoi të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) gjellë në një enë të madhe.71

Popullsia e Medinës
Periudha e Medinës kur u vendos epërsia e Islamit dhe e muslimanëve, është periudha kur u vendosën parimet gjithëbotërore të fesë diferencuese72 e cila e ndriçoi tërë njerëzimin, periudha që u përsos me gjakun e dëshmorëve dhe gazinjve73, një periudhë e theksuar aksioni, ekstaze dhe ndryshimesh të vrullshme.
Kushtet e Medinës e cila u kishte hapur prehrin me të gjitha mundësitë e saj të Dërguarit të Allahut dhe muhaxhirëve, në fillim nuk konsiderohej plotësisht e qetë. Ende vazhdonin të vepronin disa rreziqe, sepse, përveç ensarëve dhe muhaxhirëve, në Medinë ishin edhe munafikët74 dhe çifutët, të cilët, duke përfituar nga çdo rast, përpiqeshin t’i bëheshin pengesë fitores së Islamit.
Edhe pse hipokritët dhe hezitantët në dukje e kishin pranuar Islamin, me zemër vazhdonin të mbeteshin idhujtarë. Allahu i Lartë që do ta plotësonte në mënyrë absolute dritën e Tij, i pati kërcënuar rëndë ata:
وَمِمَّنْ حَوْلَكُم مِنَ الْأَعْرَابِ مُنَافِقُونَ وَمِنْ أَهْلِ الْمَدِينَةِ مَرَدُوا
 عَلَى النِّفَاقِ لاَ تَعْلَمُهُمْ نَحْنُ نَعْلَمُهُمْ سَنُعَذِّبُهُم مَرَّتَيْنِ ثُمَّ يُرَدُّونَ
 إِلَى عَذَابٍ عَظِيمٍ 
“Përreth jush, mes beduinëve ka hipokritë dhe mes medinasve ka që këmbëngulin në hipokrizinë e tyre. Ti nuk i njeh ata, vetëm Ne i njohim. Ne do t’i ndëshkojmë dy herë, pastaj ata do t’i nënshtrohen ndëshkimit të madh!” (et-Tevbe, 101)
Me të vërtetë, hipokritët dhe hezitantët ishin aftësuar aq shumë në dyfytyrësinë e tyre, saqë, disa herë, as i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk i ndjente dot, por merrte dijeni për ta vetëm kur e njoftonte Zoti. Sepse hipokritët dhe hezitantët i ndjenin edhe rrugët më të vogla nga mund t’u vinin kritika, dhe sipas kësaj silleshin tinëzisht.
Në këtë mes, as politeistët mekas që i patën lënë të detyruar Profetin dhe muslimanët të emigronin, nuk rrinin kot, por i frynin vazhdimisht zjarrit të intrigës që kishin ndezur hipokritët dhe hezitantët në Medinë. Ata nuk e honepsnin dot faktin që Islami kishte zënë vend në Medinë dhe po zhvillohej e përparonte, prandaj vazhdimisht u dërgonin lajme hipokritëve për t’i asgjësuar Islamin dhe muslimanët, duke i kërcënuar se, po të mos e bënin këtë gjë, do t’i mblidhnin të gjithë arabët, do t’i sulmonin dhe do t’i kalonin në shpatë të gjithë medinasit pa dallim! Madje, për t’i trembur dhe për t’i nxitur kundër muslimanëve, patën dërguar një çetë në Medinë dhe ua patën grabitur tufat e bagëtive!
Gjendja ishte bërë shumë delikate dhe kritike. Muslimanët patrullonin natën nëpër rrugët e Medinës dhe merrnin të gjitha masat ndaj një sulmi të befasishëm. Madje i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i kalonte netët pa gjumë. Ai dërgonte njësite ushtarake patrullimi jashtë Medinës duke mbajtur nën krontroll të gjitha anët.
Nga ana tjetër, muslimanët kishin një armik tjetër të vështirë që ruante çdo rast: fiset çifute. Meqë zotëronin qysh më parë informacion fetar, ishin ata që hynin më shumë në konflikt me muslimanët dhe u nxirrnin atyre shumë vështirësi. Për këtë shkak, në suren Bakara që është sureja e parë e zbritur në Medinë, i është dhënë rëndësi e madhe çështjes së ftesës së çifutëve në Islam. Pas ftesës së gjithë njerëzve në përgjithësi, mes ajeteve 40 dhe 162, veçanërisht në ajetin 123 është folur për Bijtë e Izraelit, pothuajse më shumë se gjysma e sures u është caktuar atyre. Në këtë pjesë, herë u drejtohet atyre drejtpërsëdrejti, herë flitet për ta në mënyrë të përgjithshme në vetën e tretë, herë hidhen poshtë pretendimet e tyre dhe herë, duke ua kujtuar të mirat që u janë falur, kërkohet t’u zgjohet dëshira e besimit.75
***
Poeti çifut Ka’b bin Eshref satirizonte Profetin dhe i nxiste politeistët Kurejshë kundër tij. Edhe poetët politeistë të Kurejshve recitonin vjersha kundër të Dërguarit të Allahut. Poeti më i fuqishëm i ensarëve, Hassan bin Thabit (r.a.) kërkoi leje nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.) për t’i satirizuar politeistët mekas. Dhe ai i dha leje.76
Në atë periudhë, poezia, ashtu si media në ditët e sotme, kishte një ndikim të fuqishëm. I Dërguari i Allahut vendosi në faltore një minber77 të posaçëm për poetin Hassan bin Thabit. Aty Hasani satirizonte personat që ngacmonin me fjalë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Profeti pati thënë:
“Për sa kohë që ta mbrojë të Dërguarin e Allahut, Hasani do të ketë pranë Shpirtin e Shenjtë (Xhebrailin)!” (Ebu Davud, Edeb, 87/5015)
Ndërsa çifutët dhe politeistët u shkaktonin mundime në këtë mënyrë Profetit dhe sahabeve, Allahu i Lartë e urdhëroi të Dashurin e vet që të duronte dhe falte. Një ditë para luftës së Bedrit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i hipi një gomari, duke marrë edhe Usame bin Zejdin në vithe, për të shkuar në vizitë te Sa’d bin Ubade që ndodhej i sëmurë. Gjatë rrugës u kthye te një kuvend ku ndodhej edhe Abdullah bin Ubej Theluli. Në atë kohë, Abdullah bin Ubej nuk ishte bërë ende musliman dhe e shfaqte hapur mohimin dhe herezinë e vet. Kuvendi përbëhej prej personash të ndryshëm: muslimanë, çifutë, politeistë idhujtarë. Në kuvend ndodhej edhe Abdullah bin Revaha. Kur pluhuri i ngritur nga kafsha ku kishte hipur Profeti, ra mbi kuvendin, Abdullah bin Ubej, duke zënë hundët me cepin e rrobës, tha:
“Mos na bëj me pluhur!”
I Dërguari i Allahut u dha selam dhe qëndroi. Zbriti nga kafsha, i ftoi ata në besimin te Allahu dhe u këndoi Kur’an.
Abdullah bin Ubej i tha:
“Or njeri! S’bën mirë që na i thua këto! Po qe se thëniet e tua janë të vërteta, mos na shqetëso në këtë kuvend, por shko në shtëpi dhe tregojua atyre që të vijnë për të të dëgjuar!”
Abdullah bin Revaha tha:
“Përkundrazi, o i Dërguari i Allahut! Ti eja në kuvendin tonë se kjo gjë na pëlqen shumë!”
Muslimanët, politeistët dhe çifutët filluan të grinden. Pothuajse do ta sulmonin njëri-tjetrin, kur Profeti (s.a.s.) i qetësoi. Kur ra tensioni, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i hipi kafshës, vazhdoi rrugën dhe arriti te Sa’d bin Ubade. Dhe i tregoi atij për ngjarjen. Sa’di i tha:
“O i Dërguari i Allahut, shihe me mirëkuptim atë, fale! Betohem në Allahun që ta ka zbritur Librin, se, kur Allahu të dërgoi ty si profet, popullsia e këtij vendbanimi qenë marrë vesh ta bënin udhëheqës dhe t’i vinin në kokë kurorën mbretërore. Kur Allahu të dërgoi ty me fenë e vërtetë duke e rrëzuar në ujë mbretërimin e tij, u dëshpërua shumë, toka iu bë e ngushtë, frymëmarrja iu vështirësua! Siç duket për shkak të kësaj është sjellë ashtu!”
I Dërguari i Allahut e fali sjelljen e Abdullah bin Ubejdes. Mbi këtë ngjarje zbriti ajeti kur’anor:
لَتُبْلَوُنَّ فِي أَمْوَالِكُمْ وَأَنْفُسِكُمْ وَلَتَسْمَعُنَّ مِنَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ
مِنْ قَبْلِكُمْ وَمِنَ الَّذِينَ أَشْرَكُوا أَذًى كَثِيراً 
وَإِنْ تَصْبِرُوا وَتَتَّقُوا فَإِنَّ ذَلِكَ مِنْ عَزْمِ الأُمُورِ 
“Pa dyshim, ju do të viheni në provë me pasurinë dhe jetën tuaj. Nga ata që u qe dhënë libri më parë dhe nga politeistët do të dëgjoni shumë fjalë të rënda. Po qe se duroni dhe frikësoheni nga Allahu ashtu siç duhet, pa dyshim që kjo është një punë e ndershme që duhet nxitur!” (Al-i Imran, 186) Pastaj, Profeti dhe sahabet i falnin politeistët dhe njerëzit e librit që i mundonin.78

Leja për luftë:
“Atyre që ju hapin luftë, edhe ju hapuni luftë!”
Në fillimet e profetësisë, të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) nuk iu dha leje për luftë me politeistët. Në fillim ishte i ngarkuar me detyrën për t’i ftuar politeistët ta pranonin njësinë dhe unitetin e Allahut, të pranonin mundimet dhe torturat, të duronin, duke mos ua vënë veshin, sjelljet e pahijshme të injorantëve, të mbyllnin sytë ndaj veprimeve të tyre. Kurse politeistët Kurejshë përdornin të gjitha llojet e mundimeve dhe torturave për t’i kthyer nga feja ndjekësit e të Dërguarit të Allahut, ndërkaq, dikush nga muslimanët u kthye nga feja me anë të torturave të padurueshme, dikush emigroi për hir të fesë në Abisini e dikush në Medinë duke mbetur të detyruar të braktisnin vatrat ku patën lindur e qenë rritur. 
Pastaj, ngjarjet filluan të marrin një rrjedhë të tillë që, më në fund, u bë e pamundur që të ruhej paqja me anë të politikës së “durimit dhe butësisë” të ndjekur gjer atë ditë nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Dhe, kur Profeti e pa se edhe arma e mbrojtjes, pas së cilës u kap Profeti pas durimit dhe butësisë, mbeti e pamjaftueshme, u mbështet tek Zoti dhe priti urdhrin e Tij.
Më në fund, atëherë kur politeistët u tërbuan tejet, kur po e përgënjeshtronin të Dërguarin e Allahut duke u treguar mosmirënjohës ndaj të mirave që u kishte falur, kur filluan të ushtronin tortura të rënda mbi muslimanët duke mos i lënë të qetë në vatrat e tyre, zbritën ajete që i jepnin leje veprimit luftarak që ishte bërë i detyrueshëm për mbrojtjen e fesë, vatanit dhe muslimanëve:
أُذِنَ لِلَّذِينَ يُقَاتَلُونَ بِأَنَّهُمْ ظُلِمُوا وَإِنَّ الله عَلَى نَصْرِهِمْ لَقَدِيرٌ .
 اَلَّذِينَ أُخْرِجُوا مِنْ دِيَارِهِمْ بِغَيْرِ حَقٍّ إِلَّا أَنْ يَقُولُوا رَبُّنَا الله وَلَوْلَا دَفْعُ 
الله  النَّاسَ بَعْضَهُم بِبَعْضٍ لَهُدِّمَتْ صَوَامِعُ وَبِيَعٌ وَصَلَوَاتٌ وَمَسَاجِدُ يُذْكَرُ
 فِيهَا اسْمُ الله كَثِيرًا وَلَيَنصُرَنَّ الله مَنْ يَنْصُرُهُ إِنَّ الله لَقَوِيٌّ عَزِيزٌ
“Atyre (besimtarëve) që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje (të luftojnë) sepse u është bërë padrejtësi. Nuk ka dyshim se Allahu ka fuqi për t'u ndihmuar atyre! Ata janë përzënë padrejtësisht nga vatrat jo për gjë tjetër, por vetëm sepse thonë “Zoti ynë është Allahu”. Po qe se Allahu nuk do t’i largonte (të këqijat e) disa njerëz(ve) me anë të disa të tjerëve, patjetër që manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë ku përmendet shumë emri i Allahut, do të rrënoheshin. Allahu i ndihmon patjetër ata që e ndihmojnë Atë (fenë e Tij). Pa dyshim, Allahu është i fuqishëm, fitues!” (el-Haxh, 39-40)
وَقَاتِلُوا فِي سَبِيلِ الله الَّذِينَ يُقَاتِلُونَكُمْ
وَلاَ تَعْتَدُوا إِنَّ الله لاَ يُحِبِّ الْمُعْتَدِينَ 
"Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë, po mos e teproni se Allahu nuk i do ata që sulmojnë me të padrejtë!" (Bakara, 190)
Zoti e bëri të ditur kështu konkluzionin e vet mbi shkaqet dhe qëllimet e luftës:
وَقَاتِلُوهُمْ حَتَّى لاَ تَكُونَ فِتْنَةٌ وَيَكُونَ الدِّينُ كُلُّهُ لِلهِ 
“Luftoni kundër tyre gjersa të mos mbetet më intrigë dhe gjersa të triumfojë feja e Allahut!” (el-Enfal, 39)
Dhënia e lejes për luftë është rrjedhojë e qëndrimit armiqësor të përcaktuar kundër Islamit dhe muslimanëve. Xhihadi ose lufta u bë farz (detyrim fetar) për mbrojtjen e pesë vlerave, pasurisë, jetës, brezit, arsyes dhe fesë, të quajtura “pesë domosdoshmëritë”79 të cilat përbëjnë kusht për mbrojtjen e qenies dhe ekzistencës së shoqërisë, si dhe u bë farz për mbrojtjen ndaj sulmeve të armikut. Me këtë urdhër hyjnor është synuar ndëshkimi i atyre që largoheshin nga feja dhe eliminimin e pengesave përballë kumtimit të të vërtetave hyjnore.
Fakti që Kryeprofeti i dërguar si mëshirë për botët, pavarësisht nga mëshira e tij e gjerë që përfshinte gjithë njerëzimin, duhej të bënte luftëra të mëdha e të vështira, mbështetej në domosdoshmërinë e luftës për besimin monoteist, për paqen dhe qetësinë shoqërore. Eshtë për këto arsye që Profeti ynë i dashur, në një hadith të tijin, është shprehur kështu:
“Unë jam pejgamber mëshire dhe lufte!” (Ahmed, IV, 396)
Krahas ajeteve që njoftonin lejen dhe urdhrin për luftë, Zoti u dërgoi Profetit dhe besimtarëve edhe këto ajete me vlerë nxitëse dhe inkurajuese për këtë urdhër hyjnor:
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ حَسْبُكَ الله وَمَنِ اتَّبَعَكَ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ
 يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ حَرِّضِ الْمُؤْمِنِينَ عَلَى الْقِتَالِ
"O Pejgamber! Allahu të mjafton ty dhe besimtarëve që janë me ty! (Kurrsesi mos u druaj prej armikut, por) nxiti besimtarët për luftë (kundër tyre)!.." (el-Enfal, 64-65)
أَلاَ تُقَاتِلُونَ قَوْماً نَكَثُوا أَيْمَانَهُمْ وَهَمُّوا بِإِخْرَاجِ الرَّسُولِ وَهُم بَدَؤُوكُمْ 
أَوَّلَ مَرَّةٍ أَتَخْشَوْنَهُمْ فَاللهُ أَحَقُّ أَنْ تَخْشَوْهُ إِنْ كُنْتُم مُؤُمِنِينَ 
قَاتِلُوهُمْ يُعَذِّبْهُمُ الله بِأَيْدِيكُمْ وَيُخْزِهِمْ وَيَنْصُرْكُمْ عَلَيْهِمْ وَيَشْفِ
 صُدُورَ قَوْمٍ مُؤْمِنِينَ . وَيُذْهِبْ غَيْظَ قُلُوبِهِمْ
"(O besimtarë!) A nuk do të luftoni kundër një populli që e prishi fjalën e dhënë, që deshi ta dëbojë Pejgamberin nga vendi e që e filloi i pari luftën kundër jush? A po keni frikë prej tyre? Nëse besoni, dijeni se është më e drejtë t'i frikësoheni Allahut! Luftoni me ta në mënyrë që Allahu t'i ndëshkojë ata me dorën tuaj, t’i turpërojë ata t'ju nxjerrë ju fitimtarë ndaj tyre, t'i qetësojë zemrat e besimtarëve dhe ta shuajë (me anë të ndëshkimit) nga zemrat e besimtarëve zemërimin (e grumbulluar ndaj mizorëve)!" (et-Tevbe, 13-15)
Krahas kësaj, u zbuluan edhe ajete që tërhiqnin vëmendjen për të mos mbetur pas me xhihadin:
كُتِبَ عَلَيْكُمُ الْقِتَالُ وَهُوَ كُرْهٌ لَكُمْ وَعَسَى أَن تَكْرَهُوا شَيْئاً
 وَهُوَ خَيْرٌ لَكُمْ وَعَسَى أَن تُحِبُّوا شَيْئاً وَهُوَ شَرٌّ لَكُمْ 
وَاللّٰهُ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ 
"Lufta ju është bërë detyrim edhe nëse nuk ju pëlqen. Ju mund të urreni një gjë e ajo mund të jetë në dobi tuaj, kurse mund të doni një gjë e ajo mund të jetë në dëmin tuaj. Allahu e di (fundin e çdo gjëje), ju s'dini!" (el-Bakara, 216)  
مَا كَانَ لِأَهْلِ الْمَدِينَةِ وَمَنْ حَوْلَهُم مِنَ الأَعْرَابِ أَن يَتَخَلَّفُوا 
عَنْ رَسُولِ الله وَلاَ يَرْغَبُوا بِأَنفُسِهِمْ عَنْ نَفْسِهِ
"Popullit të Medinës dhe beduinëve përreth nuk u ka hije të mbeten në luftë pas të Dërguarit të Allahut dhe të mendojnë veten e tyre para tij..." (et-Tevbe, 120)
قُلْ إِنْ كَانَ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَآؤُكُمْ وَإِخْوَانُكُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ وَعَشِيرَتُكُمْ
وَأَمْوَالٌ اقْتَرَفْتُمُوهَا وَتِجَارَةٌ تَخْشَوْنَ كَسَادَهَا وَمَسَاكِنُ تَرْضَوْنَهَا
 أَحَبَّ إِلَيْكُم مِنَ الله وَرَسُولِهِ وَجِهَادٍ فِي سَبِيلِهِ فَتَرَبَّصُوا حَتَّى
 يَأْتِيَ الله بِأَمْرِهِ وَاللهُ لاَ يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِين
"(O i Dërguar!) Thuaju: "Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria e fituar, tregtia që frikësoheni se do të humbasë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur janë për ju më të dashura se Allahu, se i Dërguari i Tij dhe se lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni gjersa Allahu të sjellë vendimin e Tij. Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin mëkatar!.." (et-Tevbe, 24)
Pas këtyre deklaratave hyjnore, Profeti (s.a.s.) dhe muslimanët e lidhur me të filluan të bëjnë të gjitha përgatitjet për të hyrë në luftë kundër politeistëve.

Xhihadi në rrugën e Allahut
Në kuptim të përgjithshëm, xhihad do të thotë që personi të merret me pastrimin dhe edukimin e nefsit (vetes, egos) të vet, t’i zbatojë me principialitet dhe sinqeritet urdhrat e Allahut, të ruhet nga haramet,80 ta këshillojë vëllain musliman, t’ia përshkruajë me argumente Islamin një jomuslimani duke e bindur,81 si dhe të përpiqet e të luftojë me jetën, pasurinë, gjuhën dhe të gjitha mundësitë e tjera me qëllim për t’i mbrojtur fenë, nderin, jetën, vatanin, brezin dhe pasurinë, për ta përhapur Islamin dhe për t’i eliminuar pengesat përballë kësaj.82
Prandaj, në kuadrin e edukimit subjektiv për pëlqim të Allahut, fjala xhihad shpreh të gjitha përpjekjet dhe luftërat e kryera me qëllim për të jetuar një jetë islame si individ dhe shoqëri në synimin për ta lartësuar fjalën ose fenë e Allahut. Nga ky këndvështrim, nuk e teprojmë po të themi se në këtë synim kaloi tërë jeta profetike 23-vjeçare e të Dërguarit të Allahut!
Dhuntitë jetë dhe pasuri Allahu i Lartë i ka bërë shkaqe prove dhe na e ka tërhequr vëmendjen disa herë që me to të bëjmë xhihad në rrugën e Tij. Në ajetet mbi këtë specifikë thuhet:
لَـكِنِ الرَّسُولُ وَالَّذِينَ آمَنُوا مَعَهُ جَاهَدُوا بِأَمْوَالِهِمْ وَأَنْفُسِهِمْ
 وَأُوْلَـئِكَ لَهُمُ الْخَيْرَاتُ وَأُوْلَـئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ 
“I Dërguari dhe besimtarët bashkë me të bënë xhihad me pasurinë dhe jetën e tyre. Ja, pra, të gjitha të mirat janë të tyre dhe ata vetë janë të shpëtuarit!” (et-Tevbe, 88)
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا هَلْ أَدُلُّكُمْ عَلَى تِجَارَةٍ تُنْجِيكُم مِنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ .
 تُؤْمِنُونَ بِاللهِ وَرَسُولِهِ وَتُجَاهِدُونَ فِي سَبِيلِ الله بِأَمْوَالِكُمْ 
وَأَنْفُسِكُمْ ذَلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ 
“O ju që keni besuar! A t’jua tregoj tregtinë që do t’ju shpëtojë ju nga një ndëshkim i hidhur? Besojini Allahut dhe të Dërguarit, bëni xhihad me pasurinë dhe jetët tuaja në rrugën e Allahut! Po ta dini, kjo është më e mira për ju!” (es-Saf, 10-11)
Një ditë, sahabet e pyetën Profetin:
“O i Dërguari i Allahut, kush është njeri i dobishëm?”
“Eshtë besimtari që bën xhihad në rrugën e Allahut me jetën dhe pasurinë e tij!” – U përgjigj Profeti (s.a.s.). (Buhari, Xhihad, 2; Muslim, Imaret, 122)
Me xhihadin me jetë dhe pasuri për të cilin flitet në ajetet kur’anore dhe hadithet profetike, nuk nënkuptohet vetëm lufta me armë. Sepse arma është një mjet që përdoret në kushte të detyrueshme si eliminimi i dhunës dhe padrejtësisë dhe vendosjen e drejtësisë. Kurse fitore e vërtetë është fitimi i zemrave që mund të realizohet me shumë mjete duke filluar me kumtimin gojor dhe shkrimor.
Kështu, në periudhën e Mekës kur kanë zbritur shumë ajete mbi xhihadin, besimtarët nuk kishin ndonjë forcë luftarake serioze. Përballë terrorit të njerëzve injorantë e të egër, ata mund të paraqisnin vetëm një personalitet besimtari në emër të kumtimit dhe vendosjes së Islamit, domethënë, njerëzillëkut, të vërtetës, drejtësisë. Këtë situatë, Kur’ani e ka emërtuar “xhihadi i madh”. Në ajetin kur’anor thuhet:
فَلَا تُطِعِ الْكَافِرِينَ وَجَاهِدْهُمْ بِهِ جِهَاداً كَبِيراً 
“Kurrsesi mos iu përul mohuesve, por, me këtë Kur’an, trego përballë tyre një shembull xhihadi të madh!” (el-Furkan, 52)
Shprehja جِهَاداً كَبِيراً “xhihadan kebiran” (xhihadi i madh) që përdoret në këtë ajet, do të thotë të përdorësh të gjitha burimet dhe mundësitë me qëllim që Islami të dalë fitimtar, domethënë, që njerëzimi të gjejë orientim dhe qetësi, do të thotë të bësh kumtim me fjalë dhe sjellje me qëllim për ta lartësuar fenë e Allahut. Me të vërtetë, të zhvillosh xhihad me anë të kumtimit ka më shumë rëndësi dhe dobi se të bësh luftë me armë kundër armikut. Edhe Profeti, në vitet e para të profetësisë, xhihadin e zhvillonte vetëm me anë të kumtimit të Kur’anit!
Në Kur’an përmbahen shumë shprehje mbi çështjen e “zhvillimit të xhihadit në rrugën e Allahut” me qëllim për t’i orientuar njerëzit në rrugën e drejtë. Ndërkaq, në një pjesë të kufizuar të tyre bëhet fjalë për luftën e nxehtë me vrasje, gjë që mund të zbatohet vetëm në kushte të detyrueshme e të pashmangshme.
Betejat ku mori pjesë Profeti (s.a.s.), janë, në përgjithësi, luftëra mbrojtëse, si në Bedr, Uhud dhe Hendek. Mute dhe Tebuku janë aksione mbrojtëse për të eliminuar një sulm të mundshëm. Kurse triumfi i Mekës ngjau me mendimin për të rimarrë të drejtat e grabitura të muslimanëve dhe pasi mekasit i shkelën kushtet e paktit të bërë me muslimanët. Me fjalë të tjera, në themel të të gjitha luftërave të të Dërguarit të Allahut si Profet i Mëshirës, ka zënë vend një mendim mëshire dhe drejtësie të gjerë dhe ato janë bërë nga një mëshirë më vete për të gjithë njerëzimin. Sepse synimi thelbësor i luftës në Islam nuk është vrasja e njerëzve,83 zënia e plaçkës, shkatërrimi i vendit, sigurimi i interesave personale, përftim të mirash materiale apo shpagim; përkundrazi, është eliminimi i dhunës dhe padrejtësisë, sigurimi dhe garantimi i lirisë së besimit, orientimi i njerëzve në rrugë të drejtë dhe eliminimi i çdo padrejtësie.
Po të merren e të trajtohen përgjithësisht të gjitha luftërat e të Dërguarit të Allahut, shihet se në Islam nuk mund të bëhet ndonjë luftë tjetër përveçse luftërave me qëllim mbrojtjeje dhe lartësimin e fesë së Allahut. Luftërat e zhvilluara vetëm e vetëm për të pushtuar toka janë një dhunë dhe padrejtësi për faqe të zezë të njerëzimit! Kurse lufta në Islam mbështetet absolutisht në objektiva të larta e sublime, si vendosja e të vërtetës dhe drejtësisë, preteksti për orientim shpirtëror dhe eliminim i dhunës dhe padrejtësisë. Sepse, sipas shprehjes kur’anore,
مَنْ قَتَلَ نَفْساً بِغَيْرِ نَفْسٍ أَوْ فَسَادٍ فِي الْأَرْضِ فَكَأَنَّمَا قَتَلَ النَّاسَ
 جَمِيعاً وَمَنْ أَحْيَاهَا فَكَأَنَّمَا أَحْيَا النَّاسَ جَمِيعًا 
“… Kush vret dikë që nuk vret e nuk bën destruksion, është njëlloj sikur ka vrarë tërë njerëzimin. Dhe kush bëhet pretekst për shpëtimin e një jete, është sikur t’i ketë falur jetë tërë njerëzimit!..” (el-Maide, 32)
Ja, pra, çdo lloj përpjekje dhe sakrificë që do të bëjnë muslimanët brenda këtyre kritereve dhe me synime islame me pasurinë dhe jetën e tyre, do të meritojë nga Zoti një favor hyjnor të madh siç është “blerja” e xhennetit! Ndërkaq, si në çdo specifikë, edhe këtu, ka shumë rëndësi principialiteti dhe sinqeriteti. Kështu, kur Abdullah bin Amri (r.a.) i kërkoi Profetit njohuri mbi xhihadin dhe luftën fetare, Profeti i tha kështu:
“O Abdullah, po qe se ti përpiqesh duke pranuar vështirësi me shpresë pëlqimin e Allahut, edhe Allahu ka për të të ringjallur ditën e kiametit po në atë situatë. Po qe se ti përpiqesh për t’u dukur dhe lavdëruar, edhe Allahu ka për të të ringjallur ditën e kiametit gjithashtu në atë situatë!” (Ebu Davud, Xhihad, 24/2519)
Gjithashtu, një beduin shkoi te Profeti dhe e pyeti:
“Ç’thua për personin i cili përpiqet për të fituar nder dhe famë, për t’u lavdëruar, për të shtënë në dorë plaçkë ose për t’u dukur?”
Kurse një tjetër e pyeti:
“O i Dërguari i Allahut, Ç’do të thotë të luftosh në rrugën e Allahut? Dikush lufton nga zemërimi, kurse dikush, për ta mbrojtur atë që ka marrë nën mbrojtje.”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u përgjigj:
“Kush përpiqet vetëm që feja e Allahut të jetë më e larta, do të thotë se lufton në rrugën e Allahut!” (Buhari, Ilm, 45; Muslim, Imare, 149-150)
Kurse dikush tjetër bëri këtë pyetje:
“O i Dërguari i Allahut, në qoftë se dikush lufton në rrugën e Allahut dhe, në të njëjtën kohë, bën përpjekje edhe për të fituar diçka nga pasuria e kësaj bote, ç’thua për këtë?”
“Për të nuk ka ndonjë sevap ose shpërblim!” – Iu përgjigj i Dërguari i Allahut. 
Kjo përgjigje u erdhi shumë e rëndë sahabeve, sepse ishte shumë e vështirë të bëheshe principial dhe i sinqertë në këtë gradë. Ata i thanë sahabiut që e bëri pyetjen: “Përsëritja pyetjen të Dërguarit të Allahut se, gjithsesi, nuk e ke kuptuar mirë përgjigjen!” Sepse sahabet kishin shpresë të merrnin një përgjigje më lehtësuese. Atëherë, personi e përsëriti tri herë pyetjen dhe të tri herët mori të njëjtën përgjigje nga i Dërguari i Allahut:
“Për të nuk ka sevap!” (Ebu Davud, Xhihad, 24/2516)
Nga goja e lumtur e Profetit kanë dalë shumë porosi mbi vlerën e xhihadit në rrugën e Allahut. Disa prej tyre janë kështu:
“Të bësh roje në kufi një ditë e një natë është më me e dobishme se një muaj i kaluar ditën me agjërim dhe natën me adhurim. Po qe se personi vdes gjatë shërbimit të rojes, sevapi dhe shpërblimi i punës që ishte duke bërë, vazhdon gjer në kiamet, edhe rizku si dëshmor i vazhdon, si dhe në varr është në siguri nga pyetjet e engjëjve hetues!” (Muslim, Imare, 163)
“Të bësh roje një ditë në kufi në rrugën e Allahut, është më e dobishme se kjo botë dhe gjërat e saj. Vendi në xhennet i kamxhikut të dikujt prej jush është më i dobishëm se bota dhe gjërat e saj. Edhe marshimi i robit në rrugën e Allahut në mbrëmje apo herët në mëngjes është më i dobishëm se bota dhe gjërat e saj!” (Buhari, Xhihad, 6, 73; Rikak, 2; Muslim, Imare, 113-114)
“Për personin që ka dalë për xhihad në rrugën e Allahut, Allahu i Lartë bëhet dorëzanës duke thënë: “Atë e ka nxjerrë në rrugë vetëm xhihadi në rrugën time, besimi te unë, vërtetimi i të dërguarve të mi!” Allahu bëhet dorëzanës që atë person ta vendosë në xhennet nëse bie dëshmor ose ta kthejë në shtëpi me shpërblime shpirtërore dhe pasuri materiale nëse bëhet gazi, fitimtar! Betohem në Allahun që e mban në dorë me fuqinë e vet jetën e Muhammedit, se plaga e hapur në rrugën e Allahut vjen në ditën e kiametit në atë gjendje si ditën që është hapur: me ngjyrë gjaku dhe me erë parfumi!” (Muslim, Imare, 103; Nesai, Iman, 24)
“Askush që hyn në xhennet nuk do që të rikthehet në botë. Çdo gjë që ndodhet në botë, është edhe atje (shumëfish). Vetëm dëshmori, për shkak të shpërblimit që i bëhet në xhennet, dëshiron të kthehet dhjetë herë në botë për të rënë dëshmor çdo radhë!” (Buhari, Xhihad, 21; Muslim, Imare, 108-109)
Profeti (s.a.s.) e ka shpjeguar kështu qëllimin final të përpjekjeve dhe luftërave të tij në rrugën e Allahut:
“Unë u urdhërova të luftoj me njerëzit gjersa të dëshmonin se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhammedi është Resuli i Allahut, të falnin namazin dhe të jepnin zeqatin. Pasi ta pranojnë këtë gjë, ata i kanë shpëtuar nga dora ime jetët dhe mallrat e tyre, me përjashtim të ndëshkimeve të urdhëruara nga Islami!” (Buhari, Iman, 17)
Eshtë për këtë arsye që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk bënte bastisje natën, por priste mëngjesin, ndërkaq që, po të dëgjonte ezanin, qëndronte.84 Kurse ekspeditat që dërgonte, i porosiste: 
“Po të shihni ndonjë faltore ose të dëgjoni zërin e muezinit, mos vrisni askënd aty!” (Ebu Davud, Xhihad, 91/2635; Ahmed, III, 448-449)
Muslim bin Harith (r.a.) tregon:
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) na kishte dërguar në një ekspeditë. Kur arritëm në vendin ku do të sulmonim, e shpejtova kalin dhe i kalova shokët. U përballa me gra dhe fëmijë që qanin e klithnin. U thashë:
“A doni ta shpëtoni jetën?”
“Po!” – M’u përgjigjën.
“Atëherë, thoni “La ilahe il’lallah Muhammedun Resulullah” dhe shpëtoni!” – U thashë. Dhe ata e thanë këtë. Disa nga shokët më dënuan për këtë sjellje duke më thënë:
“Na e bëre haram plaçkën e luftës!”
Kur u kthyem te i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ia treguan se si isha sjellur unë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) më thirri, ma miratoi veprimin dhe tha:
“Pa dyshim, Allahu të shkroi kaq e aq sevape për çdo njeri prej tyre!” (Ebu Davud, Edeb, 100-101/5080)
Burejde (r.a.) tregon:
Sa herë që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) do të dërgonte një njësit ushtarak për luftë, e porosiste komandantin të ishte i devotshëm ndaj Allahut, të ishte i dobishëm dhe të sillej mirë ndaj muslimanëve që kishte me vete dhe pastaj urdhëronte kështu:
“Luftoni me emrin e Allahut dhe në rrugën e Allahut. Përleshuni me ata që s’e njohin Allahun. Mos tradhtoni në plaçkën e luftës. Mos bëni padrejtësi. Mos prisni hundë e veshë. Mos vrisni fëmijë. Kur të takoheni me armiqtë politeistë, ftojini të pranojnë njërën nga këto tri gjëra:
1. Ftojini në Islam. Po t’ju përgjigjen dhe pranojnë, lërini të lirë.
2. Po të mos bëhen muslimanë, ftojini të japin xhizje. Po të pranojnë, prapë lërini të lirë.
3. Po të mos pranojnë as të japin xhizje, luftoni kundër tyre duke kërkuar ndihmën e Allahut!” (Muslim, Xhihad, 3; Tirmidhi, Sijer, 48/1617; Ahmed, V, 352, 358)

Disa ekspedita
Duke ua prerë rrugët e tregtisë të Sirisë mekasve të cilët u shkaktonin shqetësime muslimanëve të Medinës, u bëheshin pengesë për umre dhe i nxisnin hipokritët kundër besimtarëve,85 i Dërguari i Allahut (s.a.s.) deshi t’u bëhej pengesë atyre të fuqizoheshin nga ana tregtare dhe ekonomike ndaj muslimanëve.86 Me këtë synim, shtatë muaj pas hixhretit, në muajin e ramazanit (më 8 rexhep h. / nëntor-dhjetor 629 e.r.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e dërgoi Hz. Hamzain (r.a.) me 30 muhaxhirë në Sifu’l-Bahr.87
Karvani i tregtisë që po kthehej nga Damasku në Mekë nën mbrojtjen e 300 kalorësve, arriti në Sifu’l-Bahr. Mes tyre ndodhej edhe Ebu Xhehli. Kur palët u rreshtuan për të filluar përleshjen, miku dhe aleati i të dy palëve, Mexhdi bin Amr hyri në mes dhe i bindi palët të hiqnin dorë nga përleshja. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) mbeti i kënaqur nga ndërmjetësimi i Mexhdit dhe pengimi prej tij i përleshjes dhe e vlerësoi suksesin e tij. Kurse përfaqësuesve të dërguar prej tij u dhuroi rroba.88
Në muajin shevval, tetë muaj pas hixhretit, Profeti dërgoi me të njëjtin qëllim në Rabig89 Ubejde bin Harithin (r.a.) duke i dhënë nën komandë 60-80 muhaxhirë.
Kurejshët nën komandën e Ebu Sufjanit ishin 200 vetë. Të dy anët, as u radhitën, as i zhveshën shpatat për t’u përleshur. Mes palëve u zhvillua vetëm një përleshje e shkurtër individësh dhe gjuajtje shigjetash. Atë ditë, Sa’d bin Ebi Vakkas (r.a.) hodhi shigjetën e parë dhe fitoi nderin të ishte personi që kish gjuajtur shigjetën e parë kundër armikut në historinë e Islamit. Duke pandehur se muslimanëve do t’u vinin përforcime, politeistët u frikësuan dhe të dy palët u larguan.
Mikdad bin Amr dhe Utbe bin Gazvan të cilët, megjithëse ishin muslimanë, nuk kishin mundur gjer atë ditë të takoheshin me të Dërguarin e Allahut, ishin bashkuar me politeistët dhe ishin nisur me shpresë se do t’u plotësohej dëshira. Sapo i panë muslimanët, u larguan menjëherë nga politeistët dhe u futën në radhët e muslimanëve.90
Nëntë muaj pas emigrimit, në muajin Dhilkade, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e dërgoi Sa’d bin Ebi Vakkas-in (r.a.) me 8 a 20 vetë në Harrar91 (më 1 dhilkade h. / maj 623 e.r.). 
Sa’d (r.a.) tregon kështu:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) më urdhëroi:
“O Sa’d, ec gjersa të arrish në Harrar, sepse karvani i Kurejshve do të kalojë andej!”
U nisëm duke u fshehur ditën e duke udhëtuar natën. Kur arritëm aty në mëngjesin e ditës së pestë, morëm vesh se një karvan kishte kaluar një ditë më parë. I Dërguari i Allahut më kishte urdhëruar të mos kaloja përtej Harrarit. Po të mos ishte kështu, ndoshta do t’i kisha arritur.”
Luftëtarët u kthyen në Medinë pa bërë asnjë veprim.92
Në fillimet e muajit të njëmbëdhjetë të hixhretit, në muajin safer, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli vetë në fushatën e Ebva-s (Veddan) (më 2 safer h. / gusht 623 e.r.).93 Kjo ishte fushata e parë ku merrte pjesë i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai la si zëvendës në Medinë ensarin Sa’d bin Ubade (r.a.).
Në këtë fushatë nuk pati ndonjë përballje me politeistët, por u lidh një pakt me të Bijtë Damra të fisit Kinane. Sipas këtij pakti, Profeti nuk do të konfrontohej me ta, as ata nuk do të luftonin kundër Profetit, nuk do të dislokoheshin kundër muslimanëve, nuk do ta ndihmonin armikun. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e bëri me shkrim paktin. Fushata Evba zgjati 15 ditë.94
Siç u pa, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) në çdo rast është prirur ndaj paqes dhe marrëveshjes, i ka trajtuar njerëzit gjithmonë me mëshirë.



VITI I DYTE I PROFETESISE
Disa marshime dhe fushata e Batni Nahles
Në krye të muajit të trembëdhjetë të hixhretit, brenda muajit rebiulevvel (rebiulevvel, 2 h. / shtator, 623 e.r.) u krye marshimi për në Buvat95 me synim konfrontimin me karvanin Kurejsh prej dy mijë e pesëqind devesh nën mbrojtjen e një force prej njëqind vetësh. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli në rrugë me dyqind muslimanë duke lënë si zëvendës në Medinë ensarin Sa’d bin Muadh (r.a.). Ai u kthye në Medinë pa ndodhur asnjë takim apo konfrontim.96
Po ato ditë (rebiulevvel, 2 h. / shtator, 623 e.r.) u krye marshimi për në Sefevan97 me qëllim për të kapur Kurdh bin Xhabirin i cili grabiste devetë dhe bagëtitë e trasha që kullosnin në malin Xhemma të nahijes Akik 3 milje larg Medinës. Kjo quhet edhe “Bedrul Ula” (Bedri i Parë). Profeti (s.a.s.) i cili doli në marshim duke lënë si zëvendës Zejd bin Harithenë (r.a.), shkoi gjer në Sefevan, por u kthye sepse Kurdh-i kishte ikur. Më vonë, ky person hyri në Islam dhe u bë një musliman i mirë.98
Edhe në muajin e gjashtëmbëdhjetë të hixhrit (xhemadhijelahir, 2 h. / nëntor, 623 e.r.) u krye marshimi për në Dhul Ushejre, me ç’rast u bë pakt me të Bijtë Mudlixh dhe aleatët e tyre.99
Në këtë mes, një njësi nën komandën e Abdulla bin Xhahshit (r.a.), birit të hallës së Profetit (s.a.s.), e dërguar për ta kontrolluar gjendjen, goditi në zonën e quajtur "Batn-i Nahle" një karvan të mekasve. Atëherë, politeistët mekas, duke e konsideruar këtë një rast e që vazhdimisht kërkonin një pretekst për të sulmuar Medinën, u ashpërsuan në kulm.
Politeistët që bënin zhurmë të madhe kundër Profetit dhe muslimanëve, meqë kjo ngjarje rastisi në muajin rexhep kur ndalohej lufta dhe derdhja e gjakut, thanë:
"Muhammedi e quajti të zakonshëm muajin e ndaluar, derdhi gjak, mori rob dhe grabiti plaçkë!"
Në fakt, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk kishte dhënë urdhër për një konfrontim të tillë dhe, kur e dëgjoi ngjarjen, i tha Abdullait:
“Unë nuk ju urdhërova të sulmoni dhe luftoni në muajin e ndaluar!”
Muslimanët u tërhoqën pa marrë gjë nga plaçka e luftës. Ndërkaq, edhe luftëtarët u dëshpëruan shumë dhe pandehën se do të shkatërroheshin.100 Por me që politeistët e stërmadhuan këtë punë dhe ngritën një propagandë të madhe kundër muslimanëve, zbriti ky ajet kur'anor:
يَسْأَلُونَكَ عَنِ الشَّهْرِ الْحَرَامِ قِتَالٍ فِيهِ قُلْ قِتَالٌ فِيهِ كَبِيرٌ وَصَدٌّ 
عَن سَبِيلِ الله وَكُفْرٌ بِهِ وَالْمَسْجِدِ الْحَرَامِ وَإِخْرَاجُ أَهْلِهِ مِنْهُ أَكْبَرُ
عِندَ الله وَالْفِتْنَةُ أَكْبَرُ مِنَ الْقَتْلِ وَلاَ يَزَالُونَ يُقَاتِلُونَكُمْ
حَتَّىَ يَرُدُّوكُمْ عَنْ دِينِكُمْ إِنِ اسْتَطَاعُوا 
"Të pyesin ty për luftën në muajin e shenjtë. Thuaju: "Lufta në atë muaj është mëkat i madh, por pengimi i njerëzve nga rruga e Allahut, mohimi i Allahut, pengimi i vizitës në Qabe dhe përzënia e njerëzve prej atje janë mëkate edhe më të mëdha para Allahut! Edhe intriga është mëkat më i madh se vrasja. (O i Dërguar!) Po të kishin fuqi, ata do të vazhdonin të luftonin kundër jush (pa parë muaj të lejuar apo të ndaluar) për t'ju kthyer nga feja..." (el-Bakara, 217)
Të qetësuar me zbritjen e ajetit, Abdullah bin Xhahsh me shokë e pyetën Profetin:
“O i Dërguari i Allahut, a do të na jepet shpërblim edhe neve ashtu siç u jepet luftëtarëve?” 
Për këtë, u zbrit ky ajet:
إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَالَّذِينَ هَاجَرُوا وَجَاهَدُوا فِي سَبِيلِ الله أُولَـئِكَ
 يَرْجُونَ رَحْمَتَ الله وَاللهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ 
"Ata ishin që besuan, që emigruan dhe që luftuan në rrugë të Allahut, pra mund të shpresojnë në mëshirën e Allahut. Allahu  fal shumë dhe është mëshirues i madh!" (el-Bakara, 218)
Ndërsa këto shprehje u jepnin mbështetje dhe forcë besimtarëve, politeistët tërboheshin edhe më keq kundër tyre. Edhe sikur të mos zbuloheshin këto ajete, ata prapëseprapë ishin plot urrejtje kundër muslimanëve që shtoheshin çdo ditë e më shumë dhe kundër shtetit islam që forcohej. Madje, në një regjistrim popullsie të bërë ato kohë në Medinë nga i Dërguari i Allahut, numri i meshkujve besimtarë doli një mijë e pesëqind. Po të mendohet se ky numër shtohej për ditë, ngaqë përbënte një sasi që s'mund të nënvleftësohej, dalëngadalë po përbënte natyrshëm rrezik për politeistët. Në mënyrë të veçantë, Medina ndodhej mu në rrugën tregtare që ishte damari jetësor i politeistëve mekas. Prandaj ata u vunë të mendonin mundësinë e shkatërrimit të muslimanëve pa u rritur shumë rreziku që paraqisnin ata. Dhe vendosën ta sulmojnë Medinën!
***
Mes robërve të marrë nga Abdullah bin Xhahsh (r.a.), ndodhej edhe Hakem bin Kejsan. Profeti e ftoi Hakemin në Islam. Ai i foli gjerë e gjatë dhe me hollësi për Islamin duke i përsëritur disa herë disa gjëra për t’ia fshirë të gjitha dyshimet. I zemëruar ngaqë Hakemi ende s’po bëhej musliman me gjithë ato përpjekje të të Dërguarit të Allahut, Hz. Omeri (r.a.) i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Pse merresh akoma me të? Vallahi, ai kurrë s’ka për t’u bërë musliman! Më lejo t’ia këpus qafën dhe le të shkojë në xhehennem!”
Por Profeti vazhdoi t’i fliste për Islamin. Duke e përqëndruar vëmendjen, Hakimi e pyeti:
“Ç’është Islami?”
Profeti iu përgjigj:
“T’i falesh Allahut pa i bërë shok asgjë dhe askënd Atij dhe të dëshmosh se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij!”
“U bëra musliman!” – Tha Hakemi.
Atëherë, duke u kthyer nga sahabet, Profeti u tha:
“Po qe se pak më parë unë do të bëja siç më thatë ju, ai tani do të kishte shkuar në xhehennem!”
Hz. Omeri (r.a.) thotë:
“Kur pashë se Hakemi u bë musliman, sikur të gjitha gjërat e shkuara e të ardhme më shtrënguan fort. Dhe thashë me vete: “Kur Profeti (s.a.s.) di më mirë se unë, si ngrihem unë të kërkoj diçka prej tij?” Pastaj e qetësova veten duke menduar: “Qëllimi im është vetëm të fitoj pëlqimin e të Dërguarit të Allahut!” Hakemi u bë musliman dhe e zbukuroi qenien e tij si musliman! Ai luftoi në rrugën e Allahut dhe ra dëshmor në Biri Maune.” (Ibni Sad, IV, 137-138; Vakidi, I, 15-16)

Ndërrimi i kibles
Pas hixhretit, muslimanët falnin namaz të orientuar në drejtim të Faltores Aksa. Kjo gjendje vazhdoi gjer në muajin e gjashtëmbëdhjetë apo të shtatëmbëdhjetë të hixhretit. Ndërkaq, hebrenjtë, duke parë një meritë për vete në këtë gjë, pretendonin për epërsi ndaj muslimanëve, gjë që e dëshpëronte zemrën e bekuar të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Orientimi (kibleja) në zemrën e tij ishte Qabja. Kur të realizohej kjo, në të njëjtën kohë do të ishte hedhur edhe hapi i parë për triumfin e Mekës. Prandaj ai e priste me mall ardhjen e lejes hyjnore. Meqë leja ende s'kishte ardhur, edhe dëshira e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) nuk shkonte më tej se mendimi i tij dhe ai priste. Më në fund, një të hënë të mesit të muajit rexhep, ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po drejtonte faljen e drekës në faltoren e të bijve Selime, Zoti i dërgoi komunikimin hyjnor:
قَدْ نَرَى تَقَلُّبَ وَجْهِكَ فِي السَّمَاءِ فَلَنُوَلِّيَنَّكَ قِبْلَةً تَرْضَاهَا 
فَوَلِّ وَجْهَكَ شَطْرَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ وَحَيْثُ مَا كُنْتُمْ فَوَلُّوا
وُجُوِهَكُمْ شَطْرَهُ وَإِنَّ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ لَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ
 مِنْ رَبِّهِمْ وَمَا الله بِغَافِلٍ عَمَّا يَعْمَلُونَ 
"(O i Dërguar!) Ne e shohim se ti e ke kthyer fytyrën tënde nga qielli (duke pritur lajm nga lart) dhe ja, tani, Ne po të drejtojmë ty nga një kible që do të mbetesh i kënaqur. Ktheje, pra, fytyrën në drejtim të Faltores së Paprekshme (Qabes)! (O muslimanë!) Edhe ju, kudo që të ndodheni, kthejini fytyrat në atë anë! Pa dyshim, edhe adhuruesit e librit e dinë se kjo është një e vërtetë e ardhur nga Zoti i tyre. Allahu e di se ç'bëjnë ata!" (el-Bakara, 144)
Në këtë mes, i Dërguari i Allahut, i cili kishte arritur në fund të reqatit të dytë, u kthye menjëherë në drejtim të Qabes. Edhe xhemaati u kthye bashkë me radhët. Të gjithë së bashku u kthyen në drejtim të kibles së re. Dy reqatet e tjera të namazit u falën me orientim nga Qabja. Për këtë shkak, ajo faltore u quajt "Mesxhidu'l-Kibletejn", "Faltorja e Dy Kibleve".
Njëri që e kishte falur këtë namaz me Profetin, pasi u largua prej aty, shkoi në një faltore tjetër. Xhemaati po fayte namaz dhe ndodhej në ruku. Ai u bëri zë atyre:
“Dëshmoj se ne me Profetin falëm namaz në drejtim të Qabes!”
Atëherë, xhemaati, siç ishte, u kthye në drejtim të Qabes. 
Ndërsa ndërrimi i kibleve dha përfundime shumë të mira mes muslimanëve, u hapi rrugë thashethemeve të ndryshme mes politeistëve, hipokritëve (hezitantëve) dhe hebrenjve. Armiqtë e Islamit folën mbarë e prapë. Për këtë zbritën këto ajete:
سَيَقُولُ السُّفَهَاء مِنَ النَّاسِ مَا وَلاَّهُمْ عَنْ قِبْلَتِهِمُ الَّتِي كَانُوا عَلَيْهَا
 قُل لِلّٰهِ الْمَشْرِقُ وَالْمَغْرِبُ يَهْدِي مَنْ يَشَاءُ إِلَى صِرَاطٍ مُسْتَقِيمٍ 
"Disa mendjelehtë nga njerëzit do të thonë: "Ç'i ktheu ata prej kibles nga ishin drejtuar?" Thuaju: "Të Allahut janë Lindja e Perëndimi dhe Ai e vë në rrugë të drejtë kë të dëshirojë!" (el-Bakara, 142)101
Ibni Abbasi (r.a.) thotë kështu:
“Kur Profeti (s.a.s.) e ktheu kiblen (orientimin e namazit), me urdhrin e ajetit kur’anor, në drejtim të Qabes, muslimanët thanë:
“O i Dërguari i Allahut! Ç’do të bëhet tani me namazet e vëllezërve tanë të vdekur që janë falur të drejtuar nga faltorja Aksa?”
Për këtë, Zoti zbriti këtë ajet:
وَكَذَلِكَ جَعَلْنَاكُمْ أُمَّةً وَسَطاً لِتَكُونُوا شُهَدَاء عَلَى النَّاسِ وَيَكُونَ
 الرَّسُولُ عَلَيْكُمْ شَهِيداً وَمَا جَعَلْنَا الْقِبْلَةَ الَّتِي كُنْتَ عَلَيْهَا إِلاَّ لِنَعْلَمَ
 مَنْ يَتَّبِعُ الرَّسُولَ مِمَّنْ يَنْقَلِبُ عَلَى عَقِبَيْهِ وَإِنْ كَانَتْ لَكَبِيرَةً إِلاَّ 
عَلَى الَّذِينَ هَدَى الله وَمَا كَانَ الله لِيُضِيعَ إِيمَانَكُمْ
 إِنَّ الله بِالنَّاسِ لَرَؤُوفٌ رَحِيمٌ 
"Dhe, kështu, Ne ju bëmë ju një popull të matur në mënyrë që të bëheni dëshmitarë për njerëzimin dhe i Dërguari, dëshmitar për ju. Dhe kiblen nga e cila ti u drejtove tani (duke e dëshiruar këtë), e bëmë vetëm për ta dalluar atë që shkon pas të Dërguarit, nga ai që kthehet pas. Kjo sigurisht që është e vështirë për të tjerët veç atyre që Allahu u ka dhënë orientim. Allahu nuk do t'jua humbë kurrsesi besimin juve, sepse Ai është i dhembshur dhe mëshirues ndaj njerëzve!" (el-Bakara, 143)102
Ndërrimi i kibles është një ngjarje shumë e madhe dhe me shumë rëndësi. Në mënyrë të veçantë, ngjarja e abrogimit të kibles së mëparshme, që përmban, është një çështje shumë e imtë që djajtë, duke sajuar intriga dhe ngatërresa, do ta përdornin si pretekst dhe rast të favorshëm për t’i mashtruar njerëzit. Eshtë për këtë arsye që urdhrat mbi kiblen janë përsëritur disa herë, që një herë Profeti, një herë muslimanët dhe një herë të gjithë së bashku janë urdhëruar me një mënyrë të detajuar dhe të përforcuar që të mbeten të vendosur në këtë kible kudo që të jenë, qoftë në banim, qoftë në udhëtim.103
Në ajetin e mëposhtëm, përforcimi mbi këtë specifikë, i shoqëruar edhe me disa urtësi, ka fituar, veç kësaj, edhe një kuptim më vete. Zoti urdhëron:
وَمِنْ حَيْثُ خَرَجْتَ فَوَلِّ وَجْهَكَ شَطْرَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ وَحَيْثُ
 مَا كُنْتُمْ فَوَلُّوا وُجُوهَكُمْ شَطْرَهُ لِئَلاَّ يَكُونَ لِلنَّاسِ عَلَيْكُمْ حُجَّةٌ 
إِلاَّ الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنْهُمْ فَلاَ تَخْشَوْهُمْ وَاخْشَوْنِي وَلأُتِمَّ نِعْمَتِي
 عَلَيْكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ 
“Ngado që të dalësh në rrugë, fytyrën (në namaz) ktheje në drejtim të Faltores së Paprekshme (Qabes). Kudo që të ndodheni, kthejeni fytyrën nga ajo anë në mënyrë që, me përjashtim të atyre mes jush që bëjnë padrejtësi (kryeneçëve të pandreqshëm), njerëzit e tjerë të mos gjejnë ndonjë argument (që mund ta përdorin) kundër jush! Dhe kurrsesi mos kini frikë prej tyre, por vetëm prej meje, që, kështu, ta plotësoj dhuntinë time për ju dhe ju ta gjeni rrugën e drejtë!” (el-Bakara, 150)
Nga kjo deklaratë hyjnore mësojmë këto urtësi:
1. Sipas ajetit kur’anor, urtësia e parë e ndërrimit të kibles është për të mos lënë në duar të adhuruesve të librit dhe politeistëve asnjë argument në dëm të muslimanëve. Sepse, sipas librave të mëparshëm, ndër cilësitë e profetit të fundit të premtuar, ishte kthimi i kibles në drejtim të Qabes.
Kështu, në kapitullin “Ishaja” të Dhjatës së Vjetër, shprehjet mbi të ardhmen e Mekës aludojnë hapur mbi këtë. Për këtë shkak, adhuruesit e librit mund të dyshonin duke menduar kështu: “Kiblja e profetit të fundit do të ishte drejt Mekës, kurse Muhammedi dhe shokët e tij akoma kthehen drejt Faltores Aksa!”
Pastaj, opozicioni ndaj kibles (orientimit) të Hz. Ibrahimit binte në kundërshtim me deklaratën e të Dërguarit të Allahut, sipas së cilës, muslimanët ishin “popullsi e Ibrahimit” dhe politeistët mund ta paraqisnin këtë si një argument racional. Vetëm pas ndërrimit të kibles, askush veç kryeneçëve që e kishin bërë zakon mbrapshtinë, nuk do të mund të paraqiste një kundërshtim të tillë!104
2. Një urtësi tjetër e ndërrimit të kibles ishte plotësimi i dhuntisë së Allahut për besimtarët. Si rrjedhojë, ata orientohen dhe mund të arrijnë objektivin e dëshiruar duke ecur nëpër rrugën e drejtë. Sepse dhuntia e vërtetë është arritja e rrugës së drejtë. Dhe kiblja është pjesë e kësaj rruge!
3. Dhe një urtësi e faljes së namazit nga Profeti drejt Faltores Aksa në muajt e parë ishte t’ua ngrohte zemrat hebrenjve dhe krishterëve duke nënkuptuar, me këtë, se burimi i feve qiellore është një. Veç kësaj, mund të mendohet se, në etapën e themelimit të shoqërisë dhe shtetit islam, ky qëndrim të paktën do ta zbuste nonsensin105 e hebrenjve dhe krishterëve.
Në të njëjtën kohë, kjo çështje është një nga argumentet që provojnë se nuk ka kurrsesi asnjë ndërhyrje të Profetit (s.a.s.) mbi Kur’anin. Ai e pati dëshiruar shumë qysh në fillim që kiblja të ishte në drejtim të Qabes. Mirëpo mbeti i detyruar të priste gjer në muajin e gjashtëmbëdhjetë të hixhretit kur zbriti urdhri hyjnor mbi këtë specifikë.

Agjërimi, sadakaja e fitrit dhe zeqati
Me luftërat e zhvilluara, Islami, nga njëra anë, forconte strukturën e tij politike, nga ana tjetër, e përkryente gradualisht jetën shpirtërore që ishte e posaçme për të. Në këtë kuadër u bë farz (detyrim fetar) agjërimi i ramazanit për muslimanët. Agjërimi u urdhërua në muajin e tetëmbëdhjetë të emigrimit të Profetit nga Meka në Medinë, pas ndërrimit të kibles, brenda muajit shaban.106
Detyrimin e agjërimit të ramazanit, Zoti e njoftoi me këtë ajet: 
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ 
مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ 
"O ju që besuat, ashtu siç u qe bërë detyrim edhe bashkësive para jush, agjërimi u bë detyrim edhe për ju me qëllim që të ruheni!” (el-Bakara, 183)
Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka porositur kështu:
“Islami është ngritur mbi pesë parime: Dëshmimi se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zeqatit, vajtja në haxh dhe agjërimi i ramazanit.” (Buhari, Iman, 1, 2; Tefsir, 2/30; Muslim, Iman, 19-22)
I Dërguari i Madh (s.a.s.) e kra shprehur bukur me këtë hadith, vlerën dhe virtytin e agjërimit:
“Allahu i Madhnueshëm ka thënë se, përveç agjërimit, çdo adhurim i njeriut bëhet për vetë njeriun, kurse agjërimi bëhet për Të, prandaj Ai ka për ta dhënë shpërblimin e agjërimit!
Agjërimi është një mburojë. Atë ditë që të agjëroni, të mos thoni fjalë të këqija dhe të mos grindet. Po qe se dikush ju shan ose ju godet, thojini:
“Unë jam i agjëruar!”
Betohem në Allahun që ka jetën time në dorë, se era e gojës së njeriut të agjëruar është, te Allahu, më e mirë se era e miskut! Për njeriun që agjëron ka dy çaste gëzimi dhe prehjeje: njëri, çasti kur bën iftar dhe tjetri, çasti kur, me sevapin (mirësinë) e agjërimit, takohet me Zotin e vet!” (Buhari, Savm, 9; Muslim, Sijam, 163)
“Njeriut i jepet shumëfish sevap për çdo adhurim dhe punë të mirë. Një e mirë shumëfishohet nga dhjetëfish, gjer më shtatëqindfish. Allahu i Lartë ka urdhëruar:
“Por agjërimi është veç. Ai është për mua, edhe shpërblimin e tij unë e jap, sepse agjëruesi për mua i lë epshin dhe ngrënien!” (Muslim, Sijam, 164)
“Personi i cili jep dyfish sadaka në rrugën e Allahut, pra, që dhuron vazhdimisht, thirret nga dyert e ndryshme të xhennetit:
“O robi (i dashur) i Allahut! Këtu ka dobi dhe begati!”
Ata që falin namaz rregullisht, ftohen (për të hyrë në xhennet) nga porta e namazit; ata që bëjnë xhihad, nga porta e xhihadit; ata që agjërojnë, nga porta Rejjan; dhe ata që u pëlqen të japin sadaka, nga porta e sadakasë!”
Ebu Bekri (r.a.) tha:
“Nënë e babë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Ç’është e vërteta, njeriu që thirret nga njëra prej këtyre portave, s’ka nevojë të thirret nga porta të tjera, por a ka njerëz që të thirren nga të gjitha portat?”
Profeti (s.a.s.) iu përgjigj:
“Po, ka! Shpresoj se edhe ti do të jesh ndër ata të lumtur!” (Buhari, Savm, 4, Xhihad, 37; Muslim, Zekat, 85, 86)
Agjërimi është adhurimi i cili na e bën të njohur vlerën e dhuntive të panumërta që na janë dhënë, i cili na zgjon ndjenjën e falenderimit ndaj Allahut që na i fal ato dhunti, i cili i eliminon prirjet dhe dëshirat e ulta subjektive dhe egoistike, i cili, duke na e shpëtuar zemrën nga robëria e materies, na lartëson në cilësinë më të lartë morale të quajtur “durim”! Agjërimi, jo vetëm na bën të vetëdijshëm ndaj gjendjes së të varfërve e të të pashpresëve, por edhe e mbush zemrën me ndjenjën e mëshirës. Kështu, profeti Jusuf (a.s.), megjithëse i ishin dhënë nën urdhër thesare të panumërta, kurrë nuk qe ushqyer gjer në ngopje me qëllim për të mos e harruar e për të mos mbetur indiferent ndaj gjendjes së të varfërve!
Me të gjitha këto urtësi, agjërimi është urdhri hyjnor më efektiv i cili i eliminon negativitetet që e mbysin në ankth shoqërinë, si urrejtja, zilia dhe smira në jetën shoqërore. Enigma e meritimit të shijeve dhe kënaqësive sublime duke hequr dorë nga shijet dhe kënaqësitë materiale të përkohshme e kalimtare, rroket me anë të dhuntisë së agjërimit të urdhëruar nga Zoti i Lartë. Ky adhurim është një mburojë që e mbron nderin dhe dinjitetin e njeriut përballë dëshirave të pashterueshme të nefsit ose, e thënë ndryshe, të frymës shtazore si dhe egoizmit sensual të mbështetur në konsumimin ushqimor dhe epshor.
Begatimi me namazin e teravive i netëve të muajit të ramazanit kur ditët kalohen me agjërim, është sunneti ose tradita e Profetit, i cili ka theksuar kështu në një porosi të tij:
“Allahu i Lartë e bëri detyrim agjërimin në ramazan, kurse unë e bëra sunnet namazin (e teravive).” (Ibni Maxhe, Salat, 173)
Për të përfituar në mënyrën më të mirë e më të bukur nga ramazani, krahas agjërimit gjatë ditës, edhe netët duhen kaluar me adhurim; duke u ruajtur nga çdo lloj kotësie, duhet ta lajmë gjuhën me lutje dhe ziqër, zemrën, me pendesë dhe lot. Kurse hyrja në itikaf në dhjetë ditët e fundit të ramazanit është një traditë profetike me rëndësi. Përjetimi i netëve të ramazanit bëhet pretekst për mëshirë dhe falje. Profeti (s.a.s.) ka porositur kështu:
“Atij që i përjeton (i gdhin, i kalon zgjuar me adhurim) netët e ramazanit duke besuar dhe duke e shpresuar nga Allahu sevapin (mirësinë) e tyre, i falen mëkatet e kaluara!” (Buhari, Teravih, 46)
Hz. Aisheja (r.anha) thotë kështu: 
“Një natë ramazani, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) fali në faltore namaz nafile. Edhe disa persona të tjerë u falën duke bërë si ai. Dhe, kur u bë mëngjes, njerëzit po bisedonin:
“I Dërguari i Allahut fali natën namaz në faltore!”
Profeti (s.a.s.) fali namaz edhe të nesërmen mbrëma. Përsëri, njerëzit biseduan për këtë dhe numri i atyre që u falën bashkë me të, u shtua. Njerëzit u mblodhën edhe natën e tretë e të katërt, madje, u shtuan aq shumë, sa të mos i nxinte faltorja, por Profeti nuk doli më në namaz. Pastaj, në mëngjes, ai u tha atyre:
“E pashë se ç’bëtë, prandaj, gjëja që më pengoi të dal me ju, ishte frika se mos ky namaz kthehej aty për aty në farz për ju!” (Buhari, Teravih, 1; Muslim, Musafirin, 177)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk e ka falur me xhemaat namazin e teravive. Ai e pati parë më me vend që secili të bënte adhurim me aq sa të kishte mundësi. Namazi i teravive është falur individualisht edhe gjatë kalifatit të Hz. Ebu Bekrit. Namazi i teravive ka filluar të falet me namaz në kohën e kalifatit të Hz. Omerit.
Zotëria i botëve (s.a.s.), në muajin e ramazanit i shtonte të gjitha adhurimet dhe mirësitë duke hyrë në një atmosferë dialogu të pangopur me Zotin e vet. Kështu, Ibni Abbasi (r.anhuma) thotë:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte më bujari i njerëzve. Dhe kohët kur ai tregohej më bujar, ishin ato të ramazanit, kur Xhebraili (a.s.) takohej me të. Xhebraili (a.s.) takohej çdo natë të ramazanit me Profetin dhe këndonin bashkë Kur’an me radhë. Me këtë shkak, kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) takohej me Xhebrailin, sillej më bujar se erërat e mëshirës që fryjnë pa njohur asnjë pengesë!” (Buhari, Bedu’l-Vahj, 5, 6, Savm, 7; Muslim, Fedail, 48, 50)
Pas agjërimit u urdhëruan namazi i bajramit dhe sadakaja e fitrit. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) bëri të ditur se sadakaja e fitrit ishte bërë farz (detyrim) një sa107 hurma ose një sa elb për çdo musliman të madh a të vogël, mashkull a femër, të lirë a skllav.108 
Kurse për nevojtarët, porositi:
“Shpëtojini ata nga sorrollatja të uritur në këtë ditë  (bajrami-feste)!” (Ibni Sa’d, I, 248)
Sadakaja e fitrit bëhet e pëlqyeshme dhe e pranueshme po të jepet para namazit të bajramit, kurse po të jepet pas namazit, konsiderohet si sadaka e zakonshme dhe jo e fitrit.109 
Hz. Enesi (r.a.) tregon:
“Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) erdhi në Medinë, medinasit kishin dy ditë feste, gjatë të cilave luanin e dëfreheshin. I Dërguari i Allahut pyeti:
“Ç’janë këto dy ditë?”
Medinasit iu përgjigjën:
“Në kohën e injorancës, gjatë këtyre ditëve ne dëfreheshim!”
Profeti u tha:
“Allahu jua ndërroi këto dy festa me dy ditë të tjera më të mbara e më të dobishme: me Bajramin e Kurbanit dhe Bajramin e Fitrit (Ramazanit)!” (Ebu Davud, Salat, 239/1134; Nesai, Ijdejn, 1)
Po atë vit, ditën e dhjetë të muajit dhilhixhe, pasi e drejtoi faljen e namazit të bajramit, Profeti i urdhëroi muslimanët të thernin kurban. Profeti qëndroi në Medinë 10 vjet dhe çdo vit theri kurban.110 I Dërguari i Allahut therte kurban çift, njërin për ummetin që s’therte dot kurban, tjetrin, edhe për vete, edhe për njerëzit e shtëpisë.111
Hanesh (r.a.) thotë:
“E pashë Hz. Aliun duke bërë kurban dy desh.
“Pse po bën kështu?” – E pyeta. Ai m’u përgjigj:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) më pati lënë porosi që, pas vdekjes, të therja kurban edhe për të. Ja, pra, po i ther këto për të çuar në vend porosinë e tij! Dhe do të vazhdoj të ther edhe këtej e tutje!” (Ebu Davud, Edahi, 1-2/2790; Ahmed, I, 107)
Nga namazi i agimit i ditës arife të Bajramit të Kurbanit e gjer në namazin e iqindisë të ditës së katërt të bajramit, gjatë 23 kohëve, pas namazeve farz të falura me xhemaat ose individualisht, është vaxhib (domosdoshmëri fetare) për çdo musliman burrë a grua, imam a xhemaat, vendës a mik, të bëjë një herë tekbir:
أَللهُ أَكْبَرُ أَللهُ أَكْبَرُ لآ إِلَهَ إِلاَّ الله وَأَللهُ أَكْبَرُ  أَللهُ أَكْبَرُ وَ لِلهِ الْحَمْدُ
“Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il’lallahu, v’Allahu ekber, Allahu ekber ve lil’lahi’l-hamd!”
Këto quhen tekbiret e teshrikut.112
Një kohë pas sadakasë së fitrit, erdhi urdhri për zeqat. Në ajetet kur’anore urdhërohet:
وَفِي أَمْوَالِهِمْ حَقٌّ لِلسَّائِلِ وَالْمَحْرُومِ
"Në pasuri kanë të drejtë të përcaktuar nevojtari dhe ai që nuk mundet të lipë." (edh-Dharijat, 19)
وَالَّذِينَ هُمْ لِلزَّكَاةِ فَاعِلُونَ 
"(Eshtë e sigurt se kanë shpëtuar...) edhe ata që e japin zeqatin." (el-Mu'minun, 4)
خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَتُزَكِّيهِم بِهَا وَصَلِّ عَلَيْهِمْ
إِنَّ صَلاَتَكَ سَكَنٌ لَهُمْ 
"(O i Dërguar!) Merr sadaka prej pasurisë së tyre që t'i pastrosh me të (nga mëkatet) dhe t'ua shtosh të mirat dhe lutu për ta sepse lutja jote është burim qetësimi për ta!" (et-Tevbe, 103)
Në Kur'an zeqati përmendet bashkë me namazin në 26 vende, kurse më vete, në katër vende. Vetëm në një vend (në suren Mu'minun) përmendet veç namazit, por edhe atje nënvizohet çështja se ata që japin zeqat, janë ata që edhe falen. Shkaku i kësaj është se, në adhurimet "trupore-fizike" dhe "pasurore", këto dy forma adhurimi zënë vend në radhë të parë dhe si të njëvlershme. Kështu, në një hadith, porosi profetike, thuhet:
“Nuk ka mbarësi në namazin e atij që fal namaz, por nuk jep zeqat!” (Hejsemi, III, 62)
Zeqati nuk u jepet personave juridikë si shkollave, kurseve, spitaleve, sepse, siç ka urdhëruar Zoti, zeqati është një e drejtë që u përket tetë klasave të varfërish.113 Institucione të tilla zeqatin që mund t’u jepet, nuk mund ta shpenzojnë jashtë nevojave bazë të të varfërve. Vetëm mund ta shpenzojnë për nxënësit nevojtarë të kursit ose nxënësve që marrin dituri fetare në rrugën e kumtimit fetar. Sepse dhënia e zeqatit për të plotësuar nevojat bazë të të varfërve pa mundësi jetese dhe hetimi i kësaj janë ndër kushtet e vlefshmërisë së zeqatit. Prandaj, institucionet të cilave u dorëzohet zeqat, duhet ta respektojnë me përpikmëri këtë parim. Në të kundërt, bëhen përgjegjës para Zotit!
Në Kur’an, personat të cilëve u jepet zeqat, klasifikohen në këtë mënyrë:
إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاء وَالْمَسَاكِينِ وَالْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَالْمُؤَلَّفَةِ 
قُلُوبُهُمْ وَفِي الرِّقَابِ وَالْغَارِمِينَ وَفِي سَبِيلِ الله وَابْنِ السَّبِيلِ
فَرِيضَةً مِنَ الله وَاللهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ
"Allahu caktoi si detyrim që lëmoshat (zeqatet) t'u jepen vetëm të varfërve (atyre që nuk mund të përshkohen ose që përshkohen me vështirësi), të ngratëve (që s'kanë asgjë), nëpunësve që mbledhin zeqat, atyre që kërkohet të afrohen në Islam, robërve e skllevërve (për lirimin e tyre), atyre që kanë borxhe, luftëtarëve në rrugën e Allahut dhe të mbeturve në rrugë. Allahu di dhe vendos me urtësi!" (et-Tevbe, 60)
Personave juridikë, si shoqatave dhe vakfeve (fondacioneve) u jepen lëmosha (zeqat, etj.) vetëm nëse i përdorin në drejtimet dhe për qëllimet e mësipërme. Kjo është një specifikë me rëndësi që duhet bërë kujdes.
Duke u mbështetur mbi urdhrin hyjnor mbi zeqatin, Profeti (s.a.s.) shkroi me porosi një letër ku shënoheshin se nga dhe në ç’masë do të jepej zeqati dhe se për cilin person të pasur sipas një kriteri të caktuar bëhej detyrim. Atë letër ai e lidhi te shpata, e mbajti pranë gjersa vdiq dhe veproi sipas saj. Pas të Dërguarit të Allahut, edhe Hz. Ebu Bekri (r.a.) dhe, pastaj, Hz. Omeri (r.a.) vepruan sipas saj.114
Zeqati ka shumë urtësi individuale e shoqërore, si pengimi i teprimeve të mundshme të njerëzve të pasur si pasojë e nënshtrimit ndaj pasurisë, pengimi i nevojtarëve në mbushjen me prirje negative si urrejtje dhe smirë ndaj të pasurve, mbrojtja e jetës shoqërore dhe lidhjen e individëve me dashuri ndaj njëri-tjetrit. Në rendin shoqëror të Islamit, adhurimi “zeqat-infak (dhurim)” zë një vend me shumë rëndësi për sa i përket sigurimit të ekuilibrit dhe afërsisë mes të varfërve e të pasurve!
Një urtësi tjetër e zeqatit dhe dhurimit (infak) është ta pengojë rritjen anormale të kapitalit individual dhe, në këtë mënyrë, shfrytëzimin e të dobtëve ose shfaqjes së smirës dhe urrejtjes mes tyre. Sepse po qe se të qenët pasanik bëhet pretekst lavdërimi dhe mbajtjeje më të madh, pasaniku pëson një fund të hidhur. Kurse në një shoqëri, të gjithë individët që japin ndihmë ose që marrin ndihmë, janë nevojtarë për njëri-tjetrin në aspektet materiale e moralo-shpirtërore.
Duhet ditur se në kuptimin absolut të fjalës, pasuria dhe prona i përkasin Allahut. Kurse pronësia e njerëzve mbi pasurinë dhe pronën i ngjet formës së porsazbuluar të ditëve të sotme të pronës së bartshme (konvencionale). Me fjalë të tjera, kapitali është një amanet i dhënë përkohësisht robit nga Zoti. Prandaj, përdorimi i kapitalit nga individët është kushtëzuar nga një sërë kriteresh. Ai duhet të përdoret ose të konsumohet (të shpenzohet) në drejtimin e urdhëruar nga pronari i vërtetë i pasurisë dhe pronës. Po qe se kapitali përdoret në një mënyrë në kundërshtim me urdhrat hyjnorë, është shumë i favorshëm për t’i shtyrë njerëzit në teprime, në mendjemadhësi, dhunë dhe padrejtësi. Dashuria për pasurinë te ata që shtyhen në fatkeqësi të tilla, shtresohet në zemër. Fakti që Zoti, ndër dhuntitë e kësaj bote, vetëm pasurinë dhe fëmijët i ka përmendur si “intrigë”, mbështetet mbi rrezikun e shtresimit të pasurisë dhe fëmijëve në zemër gjer te idhujtarizimi i tyre! Për t’ua tërhequr vëmendjen atyre që bien në këtë fatkeqësi, Allahu i Lartë urdhëron kështu:
وَالَّذِينَ يَكْنِزُونَ الذَّهَبَ وَالْفِضَّةَ وَلاَ يُنْفِقُونَهَا فِي سَبِيلِ الله 
فَبَشِّرْهُم بِعَذَابٍ أَلِيمٍ  يَوْمَ يُحْمَى عَلَيْهَا فِي نَارِ جَهَنَّمَ فَتُكْوَى
 بِهَا جِبَاهُهُمْ وَجُنوبُهُمْ وَظُهُورُهُمْ هَـذَا مَا كَنَزْتُمْ لِأَنْفُسِكُمْ 
فَذُوقُوا مَا كُنْتُمْ تَكْنِزُونَ 
"... Ata që e hanë arin e argjendin dhe nuk japin në rrugën e Allahut, paralajmëroji me një ndëshkim të dhimbshëm! Atë ditë, ato (ari dhe argjendi) skuqen në zjarrin e xhehennemit dhe me to u damkosen ballët, ijet dhe shpinat dhe u thuhet: "Ja, ky është kapitali që grumbulluat për nefsin tuaj dhe tani shijojini gjërat që i grumbulluat!" (et-Tevbe, 34-35)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), gjithashtu, e ka shprehur në këtë mënyrë fundin e hidhur të atyre që e nënvleftësojnë dhe mbeten pa e dhënë zeqatin:
“Çdo ar dhe argjend për të cilin nuk është dhënë zeqat, ditën e kiametit skuqet në zjarr dhe me të i damkosen të zotit ijet, balli dhe shpina. Pasi ftohen, ato skuqen përsëri me qëllim për ta munduar të zotin. Dhe kjo vazhdon kështu gjersa të jepet vendim mes robve në një ditë, gjatësia e së cilës është sa pesëdhjetë mijë vjet. Si përfundim, personi sheh se rruga e tij e nxjerr ose në xhennet ose në xhehennem!”
Sahabet e pyetën Profetin:
“O i Dërguari i Allahut! Mirë, po puna e deveve që s’u jepet zeqati, si qëndron?”
Profeti (s.a.s.) u përgjigj kështu:
“Çdo pronar deveje i cili nuk e paguan hakun e deveve – dhe në këtë hak përfshihet edhe shpërndarja tek të varfërit e qumështit të mjelë prej tyre – ditën e kiametit shtrihen në një fushë të rrafshët e të gjerë. Kurse devetë shkojnë dhe e shkelin me këmbë dhe e kafshojnë me dhëmbë. Pasi ikin një palë, vijnë të tjerë dhe kjo vazhdon kështu gjersa të jepet vendim mes njerëzve në atë ditë, gjatësia e së cilës është sa pesëdhjetë mijë vjet. Si përfundim, personi se rruga e tij e nxjerr në xhennet ose xhehennem!”
Edhe kur sahabet e pyetën të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) për gjendjen e atyre që nuk e paguajnë zeqatin e bagëtive të trasha e të imta, ai dha përgjigje të ngjashme. (Muslim, Zekat, 24; Buhari, Xhihad, 48)
Në zeqat dhe sadaka ka shumë rëndësi respektimi i etikës. Duhet ruajtur nga sjelljet që e asgjësojnë zeqatin dhe sadakanë, si mendjemadhësia dhe vetëlavdërimi, dhënia nga malli i keq, etj. Veçanërisht ai që jep duhet të ndjejë falenderim për atë që merr, sepse marrësi i zeqatit dhe sadakasë e shpëton dhënësin nga një borxh i detyrueshëm duke e bërë, njëkohësisht, të merituar të shpërblimit hyjnor. Sadakatë e dhëna janë, njëkohësisht, mburoja për dhënësin ndaj sëmundjeve dhe fatkeqësive. Të varfërit, të papasurit dhe të mjerët janë, në të vërtetë, për të pasurit, një dhunti e madhe, sepse dyert e xhennetit me lutjet e tyre u hapen!
Në ajetet që përshkruajnë etikën që duhet respektuar duke dhënë sadaka, urdhërohet kështu:
الَّذِينَ يُنْفِقُونَ أَمْوَالَهُمْ فِي سَبِيلِ الله ثُمَّ لاَ يُتْبِعُونَ مَا أَنْفَقُوا مَنّاً
 وَلاَ أَذًى لَهُمْ أَجْرُهُمْ عِنْدَ رَبِّهِمْ وَلاَ خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلاَ هُمْ يَحْزَنُونَ
قَوْلٌ مَعْرُوفٌ وَمَغْفِرَةٌ خَيْرٌ مِنْ صَدَقَةٍ يَتْبَعُهَا أَذًى وَاللهُ 
غَنِيٌّ حَلِيمٌ . يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لاَ تُبْطِلُوا صَدَقَاتِكُم بِالْمَنِّ
وَالْأذَى كَالَّذِي يُنْفِقُ مَالَهُ رِئَاءَ النَّاسِ وَلاَ يُؤْمِنُ بِاللهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ
“Për ata që e shpenzojnë pasurinë në rrugën e Allahut pa u mbajtur më të madh e pa ua thyer zemrën të varfërve, ka te Allahu shpërblime të posaçme. Për ata s’ka frikë dhe ata nuk do të heqin dëshpërim! Një fjalë e mirë dhe falje janë më të mira se një sadaka e pasuar nga një mundim. Allahu s’është nevojtar për asgjë, Ai është i butë! O ju që keni besuar! Mos i çoni kot mirësitë që bëni duke u mbajtur më të madh dhe duke i prekur të tjerët, si personi i cili, megjithëse nuk u beson Allahut dhe ditës së ahiretit, e shpenzon pasurinë vetëm për t’u treguar!..” (el-Bakara, 262-264)

Itikafi 115 
Kuptimi leksikor i fjalës itikaf është vetëmbyllja në një vend dhe pritja, këmbëngulja mbi një gjë materiale-shpirtërore ose pozitive-negative. Kurse kuptimi terminologjik është qëndrimi (banimi) për një kohë të caktuar në xhami (faltore) me qëllim adhurimi dhe afrimi te Allahu. Meqë nuk ka ndonjë kusht tjetër, kjo pritje konsiderohet itikaf edhe sikur të zgjasë vetëm një orë. Ky quhet itikaf nafile. Por ajeti në vijim argumenton se në itikaf është kusht agjërimi, për ç’shkak, periudha e itikafit s’mund të jetë më e shkurtër se një ditë, dhe ky është itikafi i vërtetë dhe juridiko-fetar:
وَلاَ تُبَاشِرُوهُنَّ وَأَنْتُمْ عَاكِفُونَ فِي الْمَسَاجِدِ 
“... Kur të jeni tërhequr për adhurim në faltoret, mos u bashkoni me gratë!..” (el-Bakara, 187)
Për këtë shkak, itikafi është praktikuar më shumë duke ndenjur në faltore (xhami) në muajin e ramazanit dhe si i agjëruar. Si rrjedhojë, duke i kaluar ditët me agjërim dhe netët, me adhurim dhe ziqër, itikafi merr kuptimin e vërtetë të adhurimit.
Itikafi i bërë në dhjetë ditët e fundit të ramazanit është sunnet muekkede i karakterit kifaje, domethënë, nëse në një zonë lokale përsa i përket administrimit fetar, itikafi kryhet të paktën nga një musliman, muslimanët e tjerë çlirohen nga përgjegjësia e itikafit. Kur itikafi kushtohet, merr karakter vaxhibi (domosdoshmërie) përsa i përket përgjegjësisë fetare. Kurse itikafet e tjera jashtë muajit të ramazanit, thjesht me qëllim adhurimi, janë mustehab (pëlqyeshmëri).
Përveç nevojave të domosdoshme fiziologjike dhe marrjes së abdestit pas kryerjes së tyre, itikafi e kërkon në mënyrë të domosdoshme që personi të mos dalë jashtë nga mjedisi i itikafit për asnjë arsye tjetër.
Gratë e Profetit tërhiqeshin në itikaf në mjediset e tyre intime (dhomat e tyre). Sepse Profeti pati urdhëruar shkuljen e çadrave të itikafit të ngritura në faltore për gratë e tij. Prandaj është parë me vend që gratë muslimane të tërhiqen në itikaf jo brenda faltoreve (xhamive), por në kthinat intime të shtëpive të veta, të përdorura posaçërisht për adhurim.
Hz. Aisheja (r.anha) thotë kështu:
“Kur hynin dhjetë ditët e fundit të ramazanit, i Dërguari i Allahut (s.a.s) i gdhinte netët, i zgjonte njerëzit e shtëpisë dhe, duke e dhënë veten pas adhurimit, i ndërpriste marrëdhëniet me bashkëshortet.” (Buhari, Fadlu Lejleti’l-Kadr, 5; Muslim, Itikaf, 7)
Gjithashtu, siç rrëfen Hz. Aisheja, Profeti (s.a.s.) ka hyrë në itikaf sa ka qenë gjallë, çdo vit, në dhjetë ditët e fundit të ramazanit, kurse vitin e fundit të jetës, në muajin ramazan ka bërë itikaf 20 ditë. Pas vdekjes, gratë e tij e patën vazhduar këtë traditë.116
Ngjarja në vijim, krahas tregimit se sa i rëndësishëm dhe i çmueshëm është itikafi, nga ana tjetër e shpreh bukur se sa e domosdoshme është që edhe domosdoshmëritë individuale e shoqërore nuk duhen lënë pas dore.
Një ditë, ndërsa Ibni Abbasi (r.a.) ndodhej në itikaf në Faltoren Profetike, i shkon dikush, i jep selam dhe ulet. Ibni Abbasi i thotë:
“O vëlla, të shoh të lodhur e të dëshpëruar!”
“Po, o biri i të ungjit të të Dërguarit të Allahut, jam i dëshpëruar se e kam një hall! Filanit i detyrohem se më ka çliruar, por po të them duke t’u betuar për atë që prehet në këtë varr (për të Dërguarin e Allahut), se nuk ia paguaj dot borxhin!” – Iu përgjigj personi.
Ibni Abbasi (r.a.) e pyeti:
“A të bisedoj me të në emrin tënd?”
“Ti e di!” – Iu përgjigj personi.
Ibni Abbasi (r.a.) mori këpucët dhe bëri të dalë nga faltorja. Personi e pyeti:
“A harrove që je në itikaf?”
Kurse Ibni Abbasi iu përgjigj:
“Jo! Kam dëgjuar nga njeriu që shtrihet në këtë varr dhe që sapo është ndarë prej nesh (dhe, duke folur, Ibni Abbasi nisi të lotojë), se:
“Kush ndjek punën e një vëllai të fesë dhe ia kryen, kjo gjë është për të më e dobishme se qëndrimi në itikaf për dhjetë vjet! Po qe se dikush hyn në itikaf një ditë për hir të Allahut, Zoti krijon tri hendeqe mes tij dhe zjarrit, që largësia mes secilit hendek me tjetrin është sa lindja me perëndimin!” (Bejhaki, Shuabu’l-Iman, III, 424-425)

LUFTA E MADHE E BEDRIT
(17 ramazan 2 h. / 13 mars 624 e.r.)
Në vitin e dytë të hixhretit, një karvan i madh tregtar prej një mijë devesh, me kapital afro 50000 dinarësh, ku merrnin pjesë të gjithë Kurejshët burra e gra, u dërgua në pazarin Gazze të Damaskut. Në karvan ndodheshin tridhjetë apo dyzet politeistë, si Ebu Sufjani, Muhammed bin Nevfeli dhe Amr bin Asi.
Meqë i kishin pasë penguar muslimanët për të bërë haxh, politeistët Kurejshë e dinin se, si një lloj shpagimi, muslimanët do të donin t’ua prisnin rrugën tregtare të Damaskut. Prandaj dhe u nisën nga Damasku me frikë. Damdam bin Amrin që ndodhej në karvan, Ebu Sufjani e mori me qira për njëzet miskal flori dhe e dërgoi me ngut nga Tebuku në Mekë.117
Tri net para vajtjes së Damdamit në Mekë, halla e të Dërguarit të Allahut, Atike, pa një ëndërr që e frikësoi shumë. Ajo i tha të vëllait Abbas:
“O vëlla! Endrra që pashë, më tronditi shumë. Kam frikë se mos i bie gjë në kokë fisit tim. Këtë ëndërr që do të ta tregoj ty, mbaje të fshehtë, mos ia thuaj askujt!”
“Trego, çfarë pe?” – E pyeti Hz. Abbasi.
Hz. Atike i tregoi kështu:
“Erdhi një burrë i hipur mbi deve, qëndroi në Ebtah (mes Muhassabit dhe Mekës) dhe thirri me zë të lartë tri herë:
“O njerëz të pabesë! Brenda tri ditëve shkoni e arrini në fushën e betejës, në vendin ku keni për t’u shtrirë përtokë!” Njerëzit që e panë dhe e dëgjuan, iu mblodhën përreth. Pastaj burri hyri në Harem, në Zonën e Paprekshme të Qabes. Njerëzit e ndiqnin pas. Ashtu, i rrethuar nga njerëzit, qëndroi pas Qabes dhe përsëri thirri po ashtu. Pastaj u ngjit në malin Ebu Kubejs ku bëri të njëjtën gjë. Pastaj kapi një shkëmb dhe e lëshoi të rrokullisej poshtë. Shkëmbi ra dhe u copëtua në rrëzë të malit dhe mbi shtëpitë. Nuk mbeti shtëpi e mëhallë e Mekës që të mos goditej nga copat e shkëmbit!”
“Vallahi, kjo qenka një ëndërr me shumë rëndësi! Kujdes, mos t’ia tregosh askujt këtë ëndërr!” – I tha Hz. Abbasi.
Pasi u nda nga Hz. Atikeja, Hz. Abbasi u takua me mikun e tij, Velid bin Utben. Ia tregoi ëndrrën duke e porositur që ta mbante fshehur. Velidi ia tregoi të atit. Kështu, ëndrra u përhap në Mekë dhe filloi të bisedohej në mbledhjet e Kurejshve.
Hz. Abbasi tregon kështu:
“Ebu Xhehli më tha: “O ti i të Bijve Abdylmuttalib! Kur doli kjo femra juaj pejgambere? A s’u mjaftuat me pejgamberin tuaj mashkull, që tani nxorët edhe një femër?! Atikeja gjoja paska parë në ëndërr dikë që paska thënë “shkoni brenda tri ditëve në vendin ku do të shtriheni të vrarë!” Mirë, pra, edhe ne do të presim tri ditë! Po qe se fjalët që ka thënë ajo janë të vërteta, sigurisht që ka për të dalë ndonjë gjë. Por nëse mbushen tri ditë dhe nuk ndodh asgjë, me një shkrim që do ta shkruaj për ju, do ta përhapim ndër arabët se mes tyre nuk ka gënjeshtarë më të mëdhenj se gratë tuaja!”
Unë e mohova, i thashë se një gjë e tillë s’ishte e vërtetë. Për Zotin, s’ka patur gjë më të rëndë për mua sesa ky mohim! Në mëngjesin e ditës së tretë të ëndrrës së Atikes, hyra në zonën e Faltores së Paprekshme (Qabes) jashtëzakonisht i zemëruar e i nxehur, me dëshirën për ta shtënë në dorë rastin që më kishte ikur. Së pari do t’ia përplasja syve Ebu Xhehlit disa prej fjalëve që më kishte thënë. Por kur e vura re se doli fluturim e iku nga porta e të Bijve Sehm e Qabes, thashë me vete: “Hë, i mallkuari, u frikësua se kisha për ta sharë rëndë, prandaj iku!” Mirëpo ai paskej ikur për gjë tjetër! Ai e paskej dëgjuar zërin e Damdamit! Kurse unë, jo. Por kur arrita në vend (në ndjekje të Ebu Xhehlit), e pashë Damdamin krejt të hallakatur! Ia kishte prerë hundën devesë, e kishte kthyer samarin nga e prapa, e kishte grisur këmishën dhe, në atë gjendje, mu në mes të Mekës, bërtiste me sa i hante zëri që sipër devesë:
“O Kurejshë! Karvani! Karvani! Muhammedi me shokë i sulmoi mallrat tuaja pranë Ebu Sufjanit! S’më besohet se do të mund ta arrini! Ndihmë! Ndihmë!”
Kështu, kjo gjë që na ra mbi krye, na pengoi edhe mua, edhe Ebu Xhehlin, që të merreshim me njëri-tjetrin!” (Ibni Hisham, II, 244-247; Vakidi, I, 29-31)
Kurejshët u përgatitën me nxitim. Përgatitjet i përfunduan brenda dy-tri ditëve. Blenë armë për ata që s’kishin. Pasanikët u dhanë ndihmë të varfërve me të gjitha mundësitë që kishin. Njerëz të parësisë, si Suhejl bin Amr dhe Zem’a bin Esved, thanë:
“Atij që kërkon deve, ja ku e ka devenë! Atij që kërkon ushqime, ja ku i ka ushqimet! Të gjithë dilni në luftim! Askush të mos mungojë! Po qe se Muhammedi fut në dorë karvanin tuaj tregtar, me siguri që, me të, ka për të marshuar kundër jush, ka për të hyrë edhe në Mekë!”
Në fushatë morën pjesë të gjithë meshkujt, kurse ata që s’morën pjesë vetë, dërguan zëvendës me pagesë (mercenarë). Atë ditë që do të bëhej nisja për në Bedr dhe Ebu Xhehli u dha urdhër njerëzve për t’u nisur, Umejje bin Halef s’deshi të dilte nga Meka, sepse politeisti mizor kishte dëgjuar se i Dërguari i Allahut që ishte Premtuesi Besnik dhe i Besueshëm, kishte njoftuar se Umejje bin Halef do të vritej nga muslimanët. Ai thoshte tërë frikë:
“Për Zotin, kur flet Muhammedi, kurrë s’gënjen!”
Ebu Xhehli i shkoi pranë dhe nuk u largua gjersa e bindi të shkonte me ta. Umejje bin Halef u përgatit dhe doli në marshim.
***
Kur Utbe bin Rebia me të vëllanë Shejbe filluan të bënin gati mjetet e luftës, skllavi i tyre, Addasi, i pyeti:
“Ç’po bëni?”
“A të kujtohet personi të cilit i dhe rrush nga vreshta jonë në Taif?” 
“Po, më kujtohet!” – Tha Addasi (r.a.).
“Ja, pra, do të shkojmë për të luftuar kundër tij!”
Addasi u hodh përpjetë dhe, duke u rënë ndër këmbë, u tha:
“Mos shkoni! Pa dyshim, ai është pejgamber! Ju s’po bëni gjë tjetër veçse po shkoni atje ku do të shtriheni të vrarë!”
Addasi po qante. Lotët po i ridhnin faqeve!
Por Utbe dhe Shejbe nuk e dëgjuan dhe u nisën!
***
Numri i politeistëve ishte nëntëqind ose një mijë. Njëqind a dyqind ishin kalorës, kurse shtatëqind vetë ishin hipur mbi deve. Shumica kishin parzmore. Me ta ndodheshin e gjithë parësia e Kurejshve. Me vete kishin marrë edhe skllavet këngëtare që i binin defit dhe këndonin këngë poshtëruese për muslimanët. Kështu kishin dalë në rrugë!118 
Ishte viti i dytë i hixhretit, dita e dymbëdhjetë e muajit të Ramazanit.  I Dërguari i Allahut (s.a.s.), pasi la në Medinë si zëvendës dhe drejtues namazi Abdullah bin Ummi Mektumin, doli nga qyteti me ushtrinë e tij prej 313 vetësh. 64 prej tyre ishin muhaxhirë, kurse të tjerët, ensarë. Tre vetë kishin kuaj, shtatëdhjetë vetë kishin deve, kurse të tjerët ishin këmbësorë.119 
Profeti e ndaloi ushtrinë në Bujutu’l-Sukja një milje larg Medinës. Të rinjtë në moshë të vogël i ktheu prapë. Sa’d bin Ebi Vakkas (r.a.) tregon: 
“Para se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) t’i kthejë prapë djemtë me moshë të vogël, vura re që im vëlla Umejri përpiqej të fshihej, dhe e pyeta:
“Ç’të ndodhi, o vëlla?”
“Kam frikë se mos i Dërguari i Allahut më sheh të vogël e më kthen! Mirëpo unë dëshiroj shumë të dal në luftë dhe kam shpresë që Allahu do të ma mundësojë të bie dëshmor!” – Më tha.
Me të vërtetë, kur im vëlla iu paraqit të Dërguarit të Allahut, ai e pa të vogël dhe e urdhëroi:
“Ti kthehu pas!”
Umejri filloi të qajë. Atëherë, Profeti (a.s.) e lejoi. Meqë Umejri ishte i vogël, shpatën ia ngjeshja unë. Dhe kur ra dëshmor në Bedër, ishte 16 vjeç!” (Vakidi, I, 21; Ibni Sad, III, 149-150)
Meqë kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) me sahabet dolën në rrugë, numri i deveve ishte krejt i pamjaftueshëm, në një deve hipnin me radhë tre vetë. Edhe Profeti hipte në deve duke u shkëmbyer me radhë me Hz. Aliun dhe Ebu Lubaben (r.anhuma). Kur i vinte radha Profetit, shokët i thoshin:
“O i Dërguari i Allahut, të lutemi, hip ti tani! Fundja ne ecim edhe në këmbë!”
Kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u thoshte:
“Ju s’jeni më të durueshëm se unë në ecje! Veç kësaj, unë jam më nevojtar se ju për të fituar sevap!” (Ibni Sa’d, II, 21; Ahmed, I, 422)
Me këtë sjellje, Profeti tregonte dashurinë e thellë për Allahun, tregonte se sa i dëshiruar ishte t’i afrohej Zotit me adhurim dhe shërbim! Krahas kësaj, ai pati udhëzuar se për këdo – kushdoqoftë ai – ishte e domosdoshme t’ respektonte gjer në fund të drejtat dhe drejtësinë!
Pak më pas, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e dërgoi Ebu Lubaben (r.a.) me detyrën si zëvendës i tij në Medinë.120
Profeti ynë i cili nuk njihte mbështetje tjetër veç Allahut dhe çdo nevojë ia paraqiste Atij, kur e pa ummetin, bashkësinë e tij, që po shkonte në Bedër, të dobët e nevojtar, nuk duroi dot dhe u lut kështu:
“Allahu im, këta janë pa kafshë udhëtimi, jepu atyre kafshë udhëtimi! Allahu im, këta janë të zhveshur, vishi ata! Këta janë të uritur, ushqeji dhe ngopi ata!”
Dhe me të vërtetë, duke u dhënë muslimanëve fitoren në Bedër, Allahu i Lartë bëri që secili prej tyre të kthehej me një a dy deve, i veshur me rroba dhe i ushqyer e i ngopur! (Ebu Davud, Xhihad, 145/2747)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i urdhëroi luftëtarët e vet që ta prishnin agjërimin në ato ditë të vështira që rastisën në muajin e ramazanit. Sepse lufta e kërkonte që muslimanët të ishin të fortë edhe fizikisht. Kështu, të gjithë besimtarët që morën pjesë në atë fushatë, nuk agjëruan më vonë për t’i zëvendësuar ditët e paagjëruara.
Ushtria e parë e Islamit përparoi drejt Bedrit. Ajo kishte arritur në zonën Akik. Në këtë mes, dy persona të quajtur Hubejb bin Jesaf dhe Kajs bin Muharris e kishin arritur ushtrinë për t’u futur në luftë me qëllim për të marrë pjesë nga plaçka e luftës. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti njërin prej tyre, Hubejbin:
“A me ne dolët ju?”
“Jo, - tha Hubejbi. – Ti je biri i motrës sonë dhe fqinji ynë. Ne dolëm në luftë me fisin tonë për të bërë plaçkë!”
“A e ke pohuar ti besimin ndaj Allahut dhe të Dërguarit?” – E pyeti i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
“Jo!” – Iu përgjigj Hubejbi.
“Atëherë, kthehu prapa! Ne nuk e duam ndihmën e një politeisti!” – E urdhëroi i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
Hubejbi këmbënguli. Ai tha:
“Fisi im e di fort mirë se sa i guximshëm jam unë në luftë dhe se jam një trim që i hap plagë armikut në gjoks! A nuk bën që, megjithëse s’jam musliman, të luftoj pranë teje duke u shpërblyer me plaçkë lufte?”
“Jo, në fillim bëhu musliman, pastaj lufto!” – E urdhëroi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe vazhdoi rrugën.
Hubejbi iu afrua Profetit përsëri pas një farë kohe dhe i bëri të njëjtin propozim. Por edhe përgjigjja që mori ishte po ajo. Hubejbi u çudit shumë me këtë qëndrim. Ai njihej nga arabët si një luftëtar shumë i guximshëm. Mirëpo, meqë ai ishte politeist, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk deshte që ta pranonte të merrte pjesë në radhët e ushtrisë. Hubejbin e tronditi thellë ky qëndrim i Profetit, ushtria e të cilit ishte më e paktë në numër se ushtria e politeistëve. Duke u kredhur në thellësitë e botës së zemrës, soditi dritërat e së vërtetës së një bote që nuk e kishte njohur gjer atëherë. I emocionuar, vrapoi përsëri pas të Dërguarit të Allahut. Propozimi i tij kësaj here ishte i ndryshëm. Pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti përsëri “nëse u besonte Allahut dhe të Dërguarit”, ai u përgjigj me hare:
“Po, o i Dërguari i Allahut!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u gëzua shumë nga kjo dhe i tha:
“Ja, tani bëj si të dëshirosh!” (Muslim, Xhihad, 150; Tirmidhi, Sijer, 10/1558); Vakidi, I, 47; Ibni Sa’d, III, 535)
Kjo ngjarje ekspozon një kriter besimi, sipas të cilit, për të arritur një qëllim juridiko-fetar (kanonik) nuk mund të përdoren një metodë dhe mjet antijuridiko-fetar (antikanonik) pavarësisht se sa të vështira mund të jenë kushtet. Detyra e robit është që, pasi t’i ketë marrë masat e duhura, t’i dorëzohet Zotit, prandaj Profeti, duke mos e pranuar që Hubejbi të futej në radhët e ushtrisë pa e shprehur besimin, e tregoi këtë ndjeshmëri të besimit duke u bërë për ummetin, bashkësinë, një shembull i bukur në këtë drejtim. Sepse ai profet i lartë, në çdo punë të tij mbështetej vetëm te Allahu, i drejtohej vetëm Zotit, e njihte dhe e bënte të ditur se çdo lloj ndihme dhe mirësie vinte vetëm prej Zotit. Me këtë qëndrim, Drita e Ekzistencës (a.s.) shpalosi shembullin më të bukur e më të gjallë të dorëzimit te Zoti, të shprehur në ajetin kur’anor:
حَسْبُنَا الله وَنِعْمَ الْوَكِيلُ
“... Allahu na mjafton, ç’dorëzanës i mirë që është Ai!” (Al-i Imran, 173)
***
Hudhejfe (r.a.) tregon kështu:
“Kishim dalë në rrugë me tim atë, Husejlin. Mohuesit Kurejshë na kapën dhe na thanë:
“Me siguri, ju dëshironi të merrni pjesë në radhët e Muhammedit!”
“Jo, ne po shkojmë në Medinë jo për këtë qëllim, por për një punë tjetër!” – U thamë ne. Atëherë, na kërkuan fjalën në emër të Allahut, se nuk do të merrnim pjesë në radhët e Muhammedit për të luftuar bashkë me të. Pastaj, kur arritëm në Medinë dhe ia paraqitëm gjendjen të Dërguarit të Allahut, na tha:
“Shkoni! Ne e mbajmë fjalën që u keni dhënë atyre dhe ndaj tyre i kërkojmë Allahut!” Ja, pra, ky është shkaku që unë mora pjesë në luftën e Bedrit!” (Muslim, Xhihad, 98)
Kjo ngjarje është një nga shembujt më të bukur të faktit që besnikëria e Profetit ndaj fjalës së dhënë përfshinte edhe armiqtë.
***
Patën dalë edhe gra që dëshironin të merrnin pjesë në luftën e Bedrit. Njëra prej këtyre, Ummu Varaka, pati vrapuar për te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i pati thënë:
“O i Dërguari i Allahut! Më lejo që t’jua mjekoj të plagosurit dhe të kujdesem për të sëmurët. Ndoshta Allahu më jep dëshmorësinë!”
Kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pati thënë:
“Rri në shtëpi dhe këndo Kur’an, se Allahu edhe ashtu ta mundëson të biesh dëshmore!”
Pas kësaj, Ummu Varaka (r.anha) u bë e njohur mes sahabeve me emrin “Shehide” (dëshmore). Edhe ajo kishte dëshirë të madhe ndaj dëshmorësisë. Më në fund, në periudhën e kalifatit të Hz. Omerit, vdiq nga asfiksia nga shërbëtorët e vet të cilët e mbytën duke e mbuluar dhe zënë frymën me një copë të kadifenjtë. Kur e mësoi këtë ngjarje, Hz. Omeri (r.a.) tha:
“Allahu dhe i Dërguari kanë thënë drejt!”
Pastaj i gjeti, i kapi dhe i dënoi fajtorët. (Ebu Davud, Salat, 61/591; Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 505)
***
Kur Ebu Sufjani e kuptoi se muslimanët u drejtuan për në Bedër, ia ndryshoi drejtimin karvanit. Duke e lënë Bedrin në të majtë, eci me shpejtësi drejt bregdetit.121 Dhe, kur e shpëtoi karvanin tregtar, i dërgoi një lajmës ushtrisë Kurejshe për t’u thënë:
“Ju keni dalë në rrugë për t’i mbrojtur karvanin, njerëzit dhe mallrat. Ja, pra, Allahu jua mbrojti ato! Pra, kthehuni pas!”
Pas lajmit të Ebu Sufjanit dhe me këshillën e Ahnes bin Sherikut, fisi i tij, Beni Dhuhre, dhe Bijtë Adijj bin Ka’b u kthyen pas. Por Ebu Xhehli tha:
“Nuk do të kthehemi pa arritur në Bedër! Atje do të qëndrojmë tri ditë. Do të therim deve, do të hamë e do të pimë. Gratë do të vallëzojnë e do të këndojnë. Arabët përreth do të na dëgjojnë dhe paskëtaj gjithmonë do të rrinë me frikë prej nesh. Ecni para!”
Kur Ebu Sufjani e mësoi se ushtria Kurejshe, duke ia dëgjuar fjalën Ebu Xhehlit, nuk do të kthehej, tha:
“Mjerë për fisin tim! Kjo është punë e Amr bin Hishamit (Ebu Xhehlit)! Dëshira e tij për të mos u kthyer është ngase ka sevda të madhe për të qenë i pari mbi njerëzit, kjo është tërbim! Dhe tërbimi është e metë dhe prapësi!” (Vakidi, I, 43-45; Ibni Hisham, II, 258)
Duke e ndjekur hap pas hapi ecurinë politike në zhvillim, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e kuptoi se ndodheshin ballëpërballë me një luftë të paevitueshme për jetë a vdekje, mblodhi shokët e tij dhe i pyeti:
"Sipas jush, a është më mirë të ndjekim karvanin, apo të përballim ushtrinë Kurejshe?"
Në emër të muhaxhirëve, u ngritën në këmbë Hz. Ebu Bekri dhe Hz. Omeri (r.anhuma) dhe thanë se ishin gati për ta përballuar ushtrinë Kurejshe. 
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) kërkoi edhe mendimin e ensarëve. Në emër të tyre u ngrit Hz. Mikdadi (r.a.) dhe mbajti këtë ligjëratë:
"O i Dërguari i Allahut! Ne nuk të themi ty siç i thanë hebrenjtë Hz. Musait, "Shkoni e luftoni ti me Zotin tënd!" (el-Maide, 24) Ne, duke i mbetur besnik fjalës që të kemi dhënë në Akabe, jemi gati të përleshemi me armikun në të djathtën e në të majtën tënde, para e prapa teje, gjer në fund!.."122 (Buhari, Megazi, 4; Tefsir, 5/4)
Pas Hz. Mikdadit u ngrit në këmbë Sa'd bin Muadhi (r.a.) dhe tha:
"O i Dërguari i Allahut! Ne të besuam ty. Ne dëshmuam se Kur'ani që solle ti, është i vërtetë! Vepro si të duash! Po qe se hidhesh në det, edhe ne do të hidhemi bashkë me ty dhe asnjë ensar nuk do të kthehet pas!"
Pas këtyre fjalëve plot nënshtrim e dorëzim, fytyra e bekuar e Profetit (s.a.s.) u mbush me buzëqeshje dhe ai, duke u lutur për të mirë, tha kështu:
"Atëherë, ejani, me begatinë e Allahut, marshoni para! Po ju jap lajmin e gëzuar se Allahu ju ka premtuar njërin prej dy grupeve të panjohur.123 Për Zotin, mua më bëhet sikur po shoh vendet ku Kurejshët do të përmbysen në fushë të luftës!.." (Muslim, Xhihad, 83; Vakidi, I, 48-49; Ibni Hisham, II, 253-254)
Kur ushtria islame arriti në Bedr, Kurejshët kishin ardhur më parë dhe ishin vendosur pas një kodre rëre, në anën më të largët nga Medina të luginës Jeljel. Kurse puset ndodheshin në anën e luginës më afër Medinës.124
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) bashkë me luftëtarët arritën në krye të burimit që ndodhej më afër Bedrit, u këshillua me ensarët për të përcaktuar vendin e fushimit. Hubab bin Mundhir (r.a.) propozoi:
“O i Dërguari i Allahut! Ky vend këtu nuk është i përshtatshëm për fushim. Të shkojmë pranë një burimi që të jetë më afër Kurejshve dhe aty të vendosemi. Pastaj, të gjitha burimet e tjera t’i mbyllim. Te burimi ku do të qëndrojmë, të hapim një gropë që të mbushet me ujë!”
Profeti e pranoi këtë propozim.125 (Ibni Hisham, II, 259-260; Ibni Sa’d, II, 15)
Disa politeistë, mes të cilëve ndodhej edhe Hakim bin Hizami, shkuan te burimi i muslimanëve për të pirë ujë. Kur muslimanët deshin t’i pengonin, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha:
“Lërini të pijnë!”
Dhe ata u afruan dhe pinë. Me përjashtim të Hakimit, të gjithë ata që pinë ujë, u vranë në Bedër. Kurse Hakimi më vonë u bë musliman. Kur donte ta përforconte fjalën me betim, Hakimi thoshte:
“… Betohem në Allahun i cili, pasi më ruajti nga vdekja në Bedër, më fali dhuntinë e besimit, se…” (Ibni Hisham, II, 261)
Duke i dhënë leje për të pirë ujë armikut me të cilin do të luftonte pak më pas, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na ka mësuar një parim njerëzor dhe një stil orientimi. Sepse të gjitha veprimet e tilla bujare janë bërë pretekst për zbutjen e sa e sa zemrave të ashpra dhe, më pas, për hapjen në ato zemra të dyerve të dritës së orientimit në rrugën e drejtë!
***
Pasi ushtria islame u vendos në fushim, Hz. Sa’d bin Muadh tha:
“O i Dërguari i Allahut! Le të të bëjmë ty këtu një vend me hije. Edhe kafshët e tua të shalës të t’i sjellim pranë. Pastaj ne të shkojmë e të përleshemi me armikun. Po qe se Allahu na jep fuqi dhe na e mundëson fitoren, s’ka më mirë! Në të kundërt, hipja kalit dhe kthehu te vëllezërit që kemi lënë pas! Edhe ata të duan po kaq sa ne. Po ta dinin se ti do të futeshe në luftë, kurrsesi s’do të mbeteshin pa ardhur! Allahu ka për të të mbrojtur me anë të tyre. Ata janë të lidhur me shpirt me ty dhe janë gati të luftojnë krah teje!”
Profeti e lavdëroi Hz. Sa’din dhe u lut për të mirë për të. Sa’di zhveshi shpatën dhe u vu të bëjë roje në portën e vendit të rregulluar nën hije. (Ibni Hisham, II, 260; Vakidi, I, 49)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u dërgoi fjalë për herë të fundit Kurejshve me anë të Hz. Omerit (r.a.):
“Kthehuni pas e ikni! Mua më vjen më mirë të përleshem me të tjerët sesa me ju!”
Hakim bin Hizam u tha Kurejshve:
“Kjo është një sjellje e matur! Prandaj, pranojeni menjëherë! Vallahi, përndryshe, ju s’e meritoni më sjelljen me maturi ndaj jush!”
Kurse Ebu Xhehli, duke u shprehur si në vijim, i nxiti politeistët për luftë:
“Betohem se, pasi na e ka dhënë rastin Allahu126, s’kemi për t’u kthyer pas pa e marrë shpagimin! Do t’ua tregojmë vendin atyre, në mënyrë që, këtej e tutje as vëzhgues të mos nxjerrin dot, as t’ia zënë rrugën karvanit tonë!” (Vakidi, I, 61-65)
Kurejshët dërguan Umejr bin Vehbin dhe, nga kalorësit, Ebu Usamen, për zbulim. Pasi i erdhën rrotull ushtrisë islame nga të gjitha anët, ata u kthyen dhe thanë kështu:
“Vallahi, ne s’pamë as deve të tredhura e të mëdha, as kuaj, as ushtarë të shumtë dhe as ndonjë përgatitje të madhe! Por pamë një bashkësi të tillë njerëzish të lidhur mes tyre shpirtërisht, që dëshironin jo të ktheheshin te familjet, por të vdisnin këtu! Ata s’kishin asgjë për t’u mbrojtur, veç shpatave, dhe as ndonjë strehim ku të mund të strehoheshin!” (Vakidi, I, 62)
Hz. Omeri (r.a.) thotë:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) na tregoi në mbrëmje një për një vendet se ku do të binin të vrarë parësia e politeistëve, duke u shprehur kështu: “Inshaallah, në dashtë Allahu, këtu, në këtë vend, ka për të rënë i vrarë filani!” Betohem në Allahun që e pati dërguar atë si profet të vërtetë, se askush prej tyre nuk i kaloi dot kufijtë e treguar nga i Dërguari i Allahut. Pastaj të gjithë ata u hodhën një përmbi një në një gropë!” (Muslim, Xhennet, 76; Xhihad, 83)
Fushimi i muslimanëve ishte ranishte, gjë që e vështirësonte ecjen. Ndërkaq, ishte shfaqur edhe mungesa e ujit. Ata e kishin vështirë të gjenin ujë të mjaftueshëm për abdest dhe gusl. Edhe shejtani përpiqej të lëshonte frikë në zemrat e muslimanëve si me anë të këtyre vështirësive, ashtu dhe me forcën e politeistëve!
Atë natë, Allahu i Lartë lëshoi shi. Nëpër luginë rodhën ujëra të rrëmbyera. Muslimanët mbushën calikët, morën abdest, bënë gusl dhe u dhanë kafshëve për të pirë. Shiu që ra, në të njëjtën kohë i ngjeshi pluhurat dhe e forcoi truallin. Kurse politeistët Kurejshë, për shkak të shiut, nuk lëvizën dot nga vendi, mbetën si të ngrirë. Veç këtyre, Allahu i Lartë u fali muslimanëve një gjendje gjumi qetësuese e prehëse.127 
Në lidhje me këtë specifikë, Zoti urdhëron kështu:
إِذْ يُغَشِّيكُمُ النُّعَاسَ أَمَنَةً مِنْهُ وَيُنَزِّلُ عَلَيْكُم مِنْ السَّمَاءِ مَاءً
 لِيُطَهِّرَكُم بِهِ وَيُذْهِبَ عَنْكُمْ رِجْزَ الشَّيْطَانِ وَلِيَرْبِطَ عَلَى قُلُوبِكُمْ
 وَيُثَبِّتَ بِهِ الأَقْدَامَ 
“Si një shenjë sigurie nga lartësia e Tij, Allahu ju pati kredhur në një gjumë të lehtë. Ai pati lëshuar për ju ujë nga qielli për t’ju pastruar, për t’jua fshirë ndyrësinë (dyshimin dhe lëkundjen) e shejtanit, për t’jua forcuar zemrat dhe për t’jua shtuar qëndresën!” (el-Enfal, 11)
Kurse Profeti gjithë natën fali namaz dhe iu lut Allahut. Hz. Aliu (k.v.) thotë kështu:
“E di mirë se, ditën e Bedrit, të gjithë patëm fjetur përveç të Dërguarit të Allahut. Gjer në mëngjes ai pati falur namaz dhe pati qarë nën një pemë!” (Ibni Hudhejme, II, 52)
Me të zbardhur, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u bëri zë muslimanëve:
“O robtë e Allahut, ngrihuni për në namaz!”
Pastaj e drejtoi namazin e mëngjesit dhe i nxiti muslimanët për në luftë! (Ahmed, I, 117)
Para se politeistët Kurejshë të vendoseshin përballë muslimanëve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i rreshtoi luftëtarët në rreshta të drejtë duke i orientuar me shigjetën që kishte në dorë, dhe bëri numërimin rreshtor. Duke i drejtuar rreshtat, Profeti e shtyu nga barku Sevad bin Gazijjen që kishte dalë pak përpara, duke i thënë:
“Ej, Sevad, vihu në radhë!”
Kurse Sevadi i tha:
“O i Dërguari i Allahut, më shkaktove dhimbje! Allahu të ka dërguar me drejtësi, prandaj kërkoj kisas, të ma shpaguash me të njëjtën mënyrë!”128
Profeti e zbuloi menjëherë barkun.
Sahabet i thanë: “O Sevad, ai është i Dërguari i Allahut!”
“Në drejtësi, askush nuk është i privilegjuar!” – Tha Sevadi. I Dërguari i Allahut i tha:
“Eja, bëj kisas!”
Sevadi zgjati qafën dhe e puthi Profetin në bark!
“Pse veprove kështu, o Sevad?” – E pyeti Profeti. Sevadi iu përgjigj:
“E shihni se jemi përgatitur për luftë! Desha që çasti im i fundit të ishte i lidhur me ty!”
Pas këtyre fjalëve, Profeti u lut për të mirë për të! (Ibni Hisham, II, 266-267; Ibni Sa’d, II, 15-16) 
Të dyja ushtritë u rreshtuan përballë njëra-tjetrës në ranishten e Bedrit ditën e xhuma më 17 të Ramazanit. Ishte një ditë shumë e nxehtë. Gjer atë kohë, arabët patën hyrë në luftë gjithmonë për motive fisnore, si prejardhja, fisnikëria, farefisnia, etj., kurse atë ditë, për herë të parë, vendin e motiveve fisnore e kishin zënë motivet fetare. Ndjenja e dasisë fetare e kishte fshirë ndjenjën e afërsisë së gjakut që ishte shumë e fuqishme te arabët. Dhe kjo ishte kaq e theksuar, saqë atë ditë, babai, biri, ungji, daja, vëllai, kushëriri ndodheshin në fronte të kundërta. Atë ditë, Hz. Ebu Bekri do të luftonte shpatë më shpatë kundër të birit, Ebu Ubejde bin Xherrah kundër të atit, Hz. Hamzai, kundër të vëllait. Atë ditë po ndodhte diçka unikale!
Allahu i Lartë urdhëron:
قَدْ كَانَ لَكُمْ آيَةٌ فِي فِئَتَيْنِ الْتَقَتَا فِئَةٌ تُقَاتِلُ فِي سَبِيلِ الله وَأُخْرَى
 كَافِرَةٌ يَرَوْنَهُم مِثْلَيْهِمْ رَأْيَ الْعَيْنِ وَاللهُ يُؤَيِّدُ بِنَصْرِهِ مَنْ يَشَاءُ
 إِنَّ فِي ذَلِكَ لَعِبْرَةً لِأُولِي الْأَبْصَارِ 
"Në kundërvënien e këtyre dy grupeve (në Bedër) ka për ju një mësim të madh. Njëri luftonte në rrugën e Allahut, kurse tjetri, që ishte mohues, shihte se ishte dy herë më i madh në numër se tjetri. Por Allahu mbështet me ndihmën e Tij atë që do. Sigurisht, në këto ka mësim të madh për ata që kanë mend!" (Al-i Imran, 13)
Politeistët që erdhën krenarë në fushë të luftës, kreshpëroheshin dhe e mbanin veten të pamposhtur. Këtë qëndrimin dhe pozitën e politeistëve, Allahu i Lartë e karakterizon kështu në ajetet kur'anore:
وَلاَ تَكُونُوا كَالَّذِينَ خَرَجُوا مِنْ دِيَارِهِم بَطَراً وَرِئَاء النَّاسِ وَيَصُدُّونَ
عَنْ سَبِيلِ الله وَاللهُ بِمَا يَعْمَلُونَ مُحِيطٌ . وَإِذْ زَيَّنَ لَهُمُ 
الشَّيْطَانُ أَعْمَالَهُمْ وَقَالَ لاَ غَالِبَ لَكُمُ الْيَوْمَ مِنَ النَّاسِ وَإِنِّي جَارٌ 
لَكُمْ فَلَمَّا تَرَاءَتِ الْفِئَتَانِ نَكَصَ عَلَى عَقِبَيْهِ وَقَالَ إِنِّي بَرِيءٌ مِنْكُمْ 
إِنِّي أَرَى مَا لاَ تَرَوْنَ إِنِّيَ أَخَافُ الله وَاللهُ شَدِيدُ الْعِقَابِ
"Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre vetëm sa për krenari e për t'i parë bota dhe që pengojnë të tjerët në rrugën e Allahut. Ata nuk mund t'i shpëtojnë mbikqyrjes së Allahut! Shejtani ua tregoi të bukura punët atyre dhe u dha guxim, duke u thënë: "S'ka njeri që mund të dalë sot fitues mbi ju! Pa dyshim, edhe unë jam mbrojtësi juaj!" Por, kur filloi lufta, shejtani u hoq mënjanë e tha: "Unë tërhiqem prej jush sepse unë po shoh ato (engjëjt) që ju s'i shihni dot dhe kam frikë prej Allahut se ndëshkimi i Tij është shumë i rëndë!" (el-Enfal, 47-48)
Edhe krenarinë e tyre, dinjiteti hyjnor e përmbysi me anë të një sfide të lartë:
إِنَّ الَّذِينَ كَفَرُوا يُنْفِقُونَ أَمْوَالَهُمْ لِيَصُدُّوا عَنْ سَبِيلِ الله 
فَسَيُنْفِقُونَهَا ثُمَّ تَكُونُ عَلَيْهِمْ حَسْرَةً ثُمَّ يُغْلَبُونَ وَالَّذِينَ كَفَرُوا 
إِلَى جَهَنَّمَ يُحْشَرُونَ 
"Pa dyshim, mohuesit e shpenzojnë pasurinë e tyre për t'u bërë pengesë në rrugën e Allahut dhe do të shpenzojnë edhe më shumë, por, më në fund, kjo do të kthehet në një dhimbje të thellë për ta dhe ata do të munden. Ata që ngulin këmbë në mohim, do të hidhen në xhehennem!" (el-Enfal, 36)


I Dërguari i Allahut (s.a.s.) pa nga politeistët: ata ishin rreth një mijë vetë. Kurse sahabet ishin treqind e trembëdhjetë vetë.129 Ai u kthye menjëherë nga kiblja, i ngriti duart lart dhe filloi t’i lutej Zotit me zë në këtë mënyrë:
“Allahu im! Sille në vend premtimin tënd për mua dhe më fal fitoren! Allahu im! Po qe se e shkatërron këtë bashkësi të Islamit, s’ka për të mbetur mbi tokë askush që të të falet ty!”
Profeti vazhdoi aq gjatë të lutet me duart e hapura drejt qiellit, saqë i ra pelerina nga supet. Ebu Bekri (r.a.) që e vuri re, i shkoi pranë, e griti dhe ia hodhi sërish pelerinën supeve dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Mjaft është kaq sa iu lute Zotit! Allahu i Lartë patjetër ka për ta çuar në vend premtimin e tij për ty!”
Edhe të gjitha zemrat besimtare ishin në gjendje përgjërimi. Në Fjalën Hyjnore, favori i Mëshiruesit u paralajmërua në mënyrë të gëzueshme kështu:
إِذْ تَسْتَغِيثُونَ رَبَّكُمْ فَاسْتَجَابَ لَكُمْ أَنِّي مُمِدُّكُم بِأَلْفٍ مِنَ الْمَلآئِكَةِ
 مُرْدِفِينَ . وَمَا جَعَلَهُ الله إِلاَّ بُشْرَى وَلِتَطْمَئِنَّ بِهِ قُلُوبُكُمْ
 وَمَا النَّصْرُ إِلاَّ مِنْ عِنْدِ الله إِنَّ الله عَزِيزٌ حَكِيمٌ 
"Ju kërkonit ndihmë nga Zoti juaj. Dhe Ai jua pranoi lutjen duke ju thënë: "Unë do t'ju ndihmoj me një mijë engjëj që do të vijnë njëri pas tjetrit! Allahu e bëri këtë vetëm sa për t'ju përgëzuar e për t'i qetësuar zemrat tuaja, sepse, fundja, ndihma vjen vetëm prej Allahut që është fitimtar absolut, sundues e i urtë!" (el-Enfal, 9-10)
وَلَقَدْ نَصَرَكُمُ الله بِبَدْرٍ وَأَنْتُمْ أَذِلَّةٌ فَاتَّقُوا الله لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ.
إِذْ تَقُولُ لِلْمُؤْمِنِينَ أَلَنْ يَكْفِيكُمْ أَنْ يُمِدَّكُمْ رَبُّكُم بِثَلاَثَةِ آلاَفٍ
 مِنَ الْمَلآئِكَةِ مُنْزَلِينَ . بَلَى إِنْ تَصْبِرُوا وَتَتَّقُوا وَيَأْتُوكُم مِنْ فَوْرِهِمْ
هَـذَا يُمْدِدْكُمْ رَبُّكُم بِخَمْسَةِ آلاَفٍ مِنَ الْمَلآئِكَةِ مُسَوِّمِينَ
"Allahu ju ndihmoi në Bedr kur ju ishit të dobët. Kini frikë Allahun që, kështu, ta keni falenderuar! Në atë kohë, ti u thoshe besimtarëve: “A s’ju mjafton ndihma e Allahut me tre mijë engjëj që i zbriti për ju?” Po, nëse duroni dhe frikësoheni (nga Allahu), sikur ata t’ju sulmojnë befasisht, Zoti ju ndihmon me pesë mijë engjëj me shenjë e pa shenjë!” (Al-i Imran, 123-125).
Atë ditë, Allahu (xh.xh.) i ndihmoi besimtarët me anë të engjëjve.130 Sipas principialitetit dhe sinqeritetit të besimtarëve, numrin e engjëjve e shtoi nga një mijë, në dy, në tre e, më në fund, në pesë mijë vetë.
Profeti ynë (s.a.s.), megjithëse e dinte qysh më parë se kush nga parësia e politeistëve do të vritej dhe në ç’vend do të binte i vrarë, si dhe, megjithëse e kishte mësuar me anë të favorit hyjnor se Allahu do t’u mundësonte fitoren, i qe lutur Allahut gjithë natën gjer në mëngjes duke e lodhur veten gjer në pikën e fundit. Kjo gjendje është një nga shfaqjet e rëndësishme të vetëdijes së robit dhe adhurimit ndaj Zotit. Edhe Zoti nuk kërkon tjetër prej nesh veçse adhurim, pra, për t’iu afruar Atij, nuk ka rrugë më të saktë sesa lutja dhe përgjërimi gjer në asgjësim.
Në ditën e Bedrit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Ja Xhebraili! Po na vjen në ndihmë i kapur pas jeleve të kalit dhe i ngarkuar me mjete luftarake!” (Buhari, Megazi, 11)
Huvajtib bin Abduluzza thotë:
“Unë u ndodha në Bedër së bashku me politeistët, vëzhgova gjëra tronditëse dhe i vura re engjëjt. Mes qiellit dhe tokës, ata i vrisnin Kurejshët ose i merrnin robër. Atëherë thashë me vete: “Ky person (Profeti) mbrohet patjetër prej Allahut!” Por nuk i fola askujt për gjërat që pashë!” (Hakim, III, 562/6084)
Ebu Davud el-Mazini thotë kështu:
“Në ditën e Bedrit e ndoqa njërin prej politeistëve për ta goditur dhe vrarë. Kurse atij i ra koka në tokë kur shpata ime ende s’e kishte prekur! Dhe e kuptova se atë e kishte vrarë dikush tjetër (një engjëll) para meje!” (Ahmed, V, 450)
***
Siç bën të ditur Enesi (r.a.), kur u afruan politeistët, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na urdhëroi:
“Ngrihuni në këmbë për të hyrë në xhennetin e gjerë sa mes qiejve e tokës!”
Umejr bin Humam (r.a.) nga ensarët e pyeti:
“O i Dërguari i Allahut, xhenneti i gjerë sa mes qiejve e tokës?”
“Po!” – Tha i Dërguari i Allahut.
“Sa mirë, shumë mirë!” – Tha me gëzim të veçantë Umejri.
“Pse the ashtu?” – E pyeti i Dërguari i Allahut (s.a.s.).  Umejri iu përgjigj:
“Betohem në Allahun, o i Dërguari i Allahut, që thasë se desha të jem nga bashkësia e xhennetit, s’kisha ndonjë synim tjetër!”
“Pa dyshim, që ti je i xhennetit!” – I tha Profeti (a.s.).
Pas këtyre fjalëve, Umejri nxori nga torba disa kokra hurma dhe nisi t’i hajë. Pastaj, duke thënë se, “po të jetonte gjersa t’i hante ato hurma, kjo jetë ishte me të vërtetë shumë e gjatë”, i hodhi hurmat që kishte ndër duar dhe vrapoi në luftë dhe luftoi kundër politeistëve gjersa ra dëshmor!” (Muslim, Imare, 145; Ahmed, III, 137)
Lufta e Bedrit nisi me luftimet individuale, pra, me duelet. Luftëtarët që nxorën muslimanët, Hz. Hamzai, Hz. Aliu dhe Hz. Ubejde, i vranë kundërshtarët e tyre. Vetëm Hz. Ubejde (r.a.) që i ishte këputur këmba, ra dëshmor pas pak duke marrë myzhden e Profetit: 
"Ti e arrite atë post të lartë!" (Vakidi, I, 69-70)
Pas kësaj, të dy ushtritë nisën t'i afrohen njëra-tjetrës dalëngadalë. Profeti nuk u dha leje sahabeve, shokëve të tij, që të sulmonin menjëherë sepse mes politeistëve mekas kishte nga ata që s'donin të luftonin pasi karvani i tyre e kishte kaluar tashmë rrezikun. Meqë edhe muslimanët nuk po sulmonin menjëherë, kjo mosdashje e tyre për të luftuar po shtohej e po shkaktonte rënie morale e pasivitet tek ta, gjë që kish filluar që me disfatën e tyre në luftimet e para individuale. Megjithatë, i mallkuari Ebu Xhehl u thërriste atyre me të gjithë urrejtjen:
"Ju mos shikoni se u vranë dy a tre vetë! Marshoni para!" (Vakidi, I, 71)
Pas kësaj, politeistët u hodhën në sulm të përgjithshëm. Lutjet e sinqerta që lartësoheshin tek Zoti, apoteoza "Allahu Ekber!", "Allahu është më i Madhi!" që ngrihej nga radhët e muslimanëve si lutje drejt qiejve e që shkaktonte drithma në radhët e mohuesve, i ngrinte peshë zemrat e muslimanëve.
Më në fund, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dha urdhër për sulm. Të dy ushtritë u përplasën dhe përleshja nisi shumë e ashpër dhe ashpërsohej gjithnjë e më shumë. Krahas lutjeve drejtuar Zotit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kalonte nëpër radhët e muslimanëve dhe këndonte ajetin e mëposhtëm për t'u dhënë zemër atyre:
سَيُهْزَمُ الْجَمْعُ وَيُوَلُّونَ الدُّبُرَ 
"Ata së shpejti do të shkatërrohen e do të marrin vrapin..." (el-Kamer, 45)
Dhe pas saj i përgëzonte muslimanët:
"Kush qëndron sot dhe bie dëshmor, Zoti do ta çojë në xhennet. Xhenneti i stolisur është sot gati për ata që do të bien dëshmorë! Sulmoni!" (Ibni Hisham, II, 267-268)
Pas këtyre fjalëve, Profeti iu kthye Ebu Bekrit (r.a.) që i ndodhej pranë dhe i tha:
"Myzhde! Xhebraili dhe engjëjt na erdhën në ndihmë!"
Një çast, Profeti u përul, mori përdhe gurë të vegjël dhe i hodhi kundër armikut duke thënë: "Ju nxifshin sytë!"131 Atë çast, në atë drejtim doli një erë e fortë dhe fryu një furtunë e tmerrshme. U nxi që të mos e shihte njeriu njeriun!

Luanët e Bedrit
Hz. Aliu ka (r.a.) thënë kështu:
“Në Bedër ne mbështeteshim te i Dërguari i Allahut. Atë ditë ai ishte ndër ne që i qëndronte më afër armikut, njeriu më i guximshëm e i qëndrueshëm!” (Ahmed, I, 86)
Në lidhje me guximin e Profetit, edhe Bera (r.a.) ka thënë:
“Vallahi, kur ashpërsohej lufta, mbështeteshim te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Më trimi nga ne ishte ai që mundej të qëndronte në një vijë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.)!” (Muslim, Xhihad, 79)
Sahabet bënë shumë sakrifica dhe treguan trimëri të mëdha në këtë luftë. Veçanërisht luani i Allahut, Hz. Hamzai (r.a.) shpalosi një model të madh guximi dhe trimërie. Me të vërtetë, Umejje bin Halef, nga parësia e politeistëve, e pati pyetur Abdurrahman bin Avfin, nga sahabet:
“Kush pati qenë ai që në luftë vinte në gjoks si shenjë krah palloi?”
“Hamza bin Abdylmuttalibi!” – I qe përgjigjur Abdurrahman bin Avfi.
“Ja, pra, ai na i pati bërë neve gjithçka!” – I pati thënë Umejje. (Ibni Hisham, II, 272)
Edhe Hz. Aliu (r.a.) pati bërë heroizma si i ungji, Hamzai, ua pati këputur kryet politeistëve!132
Ebu Xhehli recitonte mbi kalë poezi me ritmin e trokut të kalit133, pretendonte se ishte i paprekshëm dhe lavdërohej pa pushim duke thënë:
“Për luftë më ka lindur nëna mua!” (Ibni Hisham, II, 275)
Abdurrahman bin Avf thotë:
“Ditën e Bedrit pashë djathtas dhe majtas meje dhe vura re se ndodhesha mes dy të rinjve nga ensarët, kurse do të desha të ndodhesha mes njerëzish më të fuqishëm! Ndërkaq, njëri prej tyre më pyeti pa e dëgjuar tjetri:
“O xhaxha, a e njeh ti Ebu Xhehlin?”
“Po, e njoh! Ç’do ta bësh ti Ebu Xhehlin?” – Iu përgjigja unë.
I riu ma ktheu:
“Me ç’dëgjova, ai u tallka me të Dërguarin e Allahut! Betohem në Allahun që ka jetën time në dorë, se, po ta shoh, nuk do t’i ndahem gjersa të mos ketë vdekur njëri nga ne të dy, a të cilit i ka ardhur vdekja!”
U habita me këto fjalë të atij djali të ri. Mirëpo edhe tjetri më tha të njëjtat fjalë! Dhe unë atëherë u gëzova shumë që ndodhesha mes atyre dy të rinjve. Pak më pas e vura re Ebu Xhehlin që vinte rrotull në fushën e luftës dhe u thashë djemve:
“Ja tek e keni njeriun për të cilin më pyetët!”
Djemtë e rinj i zhveshëm menjëherë shpatat, vrapuan drejt Ebu Xhehlit dhe e prenë! Djemtë e rinj ishin Muadh bin Afra dhe Muadh bin Amr.” (Buhari, Megazi, 10; Muslim, Xhihad, 42)
Muadh bin Amr tregon kështu:
“Kur e preva me shpatë Ebu Xhehlin, i biri, Ikrime, më goditi me shpatë dhe ma preu krahun i cili më mbeti i varur në lëkurë. Gjatë gjithë ditës vazhdova të luftoj me krahun që më hiqej zvarrë pa u këputur dot nga lëkura. Mirëpo kjo ma vështirësonte luftimin. Kur e pashë se nuk do të vazhdoja dot më në atë gjendje, e shkela krahun me këmbë dhe e këputa!” (Ibni Hisham, II, 275-276)
Në një çast, Profeti pyeti:
“Ç’është duke bërë, vallë, Ebu Xhehli? Kush shkon dhe e sheh?”
Abdullah bin Mes’udi (r.a.) shkoi për të parë dhe e gjeti të shtrirë përtokë. Ai e tregon vetë kështu vazhdimin e ngjarjes:
“E gjeta atë duke jetuar çastet e fundit të jetës, e njoha dhe ia vura këmbën në zverk duke i thënë:
“O armiku i Allahut! Allahu të poshtëroi, apo jo!”
Kurse ai më tha:
“Allahu as më turpëroi e as më poshtëroi! Kush është ndër të rënët, këtu, më i shquar se unë? O çoban dhensh! Ti je ngjitur në një majë të lartë e të vështirë! Lëri ato fjalë dhe më thuaj: Dita e kujt qe sot?”
“Dita e Allahut dhe e të Dërguarit!” – Ia ktheva unë dhe, pasi e vrava me shpatën e vet, u ktheva te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i thashë:
“E vrava Ebu Xhehlin!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e lavdëroi dhe e falenderoi Allahun dhe tha:
“Ai ishte faraoni i ummetit, bashkësisë sime!” (Buhari, Megazi, 12; Ahmed, I, 444; Ibni Hisham, II, 277; Vakidi, I, 89-90)
Biri i Ummu Harithesë qe vrarë në Bedër nga një shigjetë e rastit e hedhur nga armiku. Atëherë, e ëma i pati dalë para Profetit dhe i pati thënë:
“O i Dërguari i Allahut! Po qe se im bir ndodhet në xhennet, do të duroj dhe do të pres mirësinë e kësaj, përndryshe, do të vajtoj për të me sa të kem fuqi!”
Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pati dhënë këtë myzhde:
“O Ummu Harithe, në xhennet ka disa shkallë. Yt bir arriti në më të lartën e tyre, në Firdeus A’la!” (Buhari, Xhihad, 14; Ahmed, III, 272)
Pas këtij lajmi jashtëzakonisht të lumtur, nëna e Harithesë, tek po kthehej duke buzëqeshur, pati thënë vetmevete:
“Pa shih! Pa shih këtë fatin tënd të lartë, o Harithe!” (Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, I, 426)
Meqë lufta e Bedrit mbetet, në të njëjtën kohë, lufta e Islamit dhe e besimit për ekzistencë, sahabet e zgjedhur që morën pjesë në këtë luftë të parë e të madhe, merituan të konsiderohen më të nderuarit e muslimanëve. Në këtë luftë, Zoti i Lartë futi në veprim edhe ushtrinë e engjëjve. Edhe engjëjt që morën pjesë në luftën e Bedrit fituan një dinjitet më të lartë në krahasim me engjëjt e tjerë. Kështu, kur Xhebraili (a.s.) e pyeti të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) se si i vlerësonte pjesëmarrësit në betejën e Bedrit, ai iu përgjigj:
"Më të virtytshmit e muslimanëve!"
Dhe Xhebraili (a.s.) shtoi: 
"Edhe ne, engjëjt pjesëmarrës në luftën e Bedrit i quajmë, po ashtu, më të dobishmit ndër engjëjt!" (Buhari, Megazi, 11)
***
Lufta mbaroi atë ditë afër drekës me fitoren e muslimanëve. Katërmbëdhjetë muslimanë kishin rënë dëshmorë, kurse nga ana e politeistëve ishin vrarë shtatëdhjetë vetë, mes të cilëve edhe Ebu Xhehli, si dhe kishin rënë rob shtatëdhjetë të tjerë. Kështu, politeistët fatkeqë që kishin dashur të tregonin trimëri duke ardhur në Bedr, në vend të verës së fitores pinë gotat e vdekjes. Shërbëtoret e tyre nuk kënduan, por vajtuan. Në vend që t'i ngopnin arabët mercenarë, mbushën me ta gropat e etura të xhehennemit!
I veshur me parzmore, Profeti doli nga çadra duke e kënduar ajetin:
سَيُهْزَمُ الْجَمْعُ وَيُوَلُّونَ الدُّبُرَ 
"Ata së shpejti do të shkatërrohen e do të marrin vrapin..." (el-Kamer, 45) (Buhari, Xhihad, 89)  
Hz. Omeri (r.a.) thotë kështu: 
“Kur ky ajet pati zbritur në Mekë, pata thënë me vete: “Vallë, kush janë ata që do të pësojnë disfatë e do të shkatërrohen? Kush do të dalë fitues e mbi kë?” Pastaj, kur erdhi dita e Bedrit dhe e dëgjova të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) duke e kënduar këtë ajet, e kuptova se ishin politeistët Kurejshë ata që do të pësonin disfatë! Atë ditë e mësova komentin e ajetit!” (Ibni Sa’d, II, 25; Ibni Kethir, el-Bidaje, III, 312)
Duke e komentuar ajetin në vijim,
أَلَمْ تَرَ إِلَى الَّذِينَ بَدَّلُوا نِعْمَةَ الله كُفْراً وَأَحَلُّوا قَوْمَهُمْ دَارَ الْبَوَارِ 
“A nuk i ke parë ata që i përgjigjen dhuntisë së Allahut me mosmirënjohje dhe, në fund, e zvarrisin fisin e tyre në vendin e disfatës dhe shkatërrimit?” (Ibrahim, 28), Ibni Abbasi (r.anhuma) ka thënë:
“Vallahi, ata janë qafirët134 Kurejshë! Dhuntia e pritur me mosmirënjohje është Muhammedi (a.s.). Kurse çështja e zvarritjes së fisit në vendin e disfatës dhe shkatërrimit, është dita e Bedrit, kur ata e sollën fisin në Bedër, në vendin e disfatës dhe shkatërrimit, dhe e hodhën në zjarr!” (Buhari, Megazi, 8; Tefsir, 14/3)
Lufta e Bedrit e kurorëzuar me fitoren e Islamit dhe besimit, është plot me mrekulli që tregojnë ndihmën e Allahut për robtë e Tij të sinqertë, principialë e të bindur, si dhe me shumë mësime që duhet të nxirren prej atyre mrekullive!
Pas kësaj fitoreje madhështore, me qëllim që tek muslimanët të mos shfaqej vetëpëlqimi, Zoti zbriti këtë ajet:
فَلَمْ تَقْتُلُوهُمْ وَلَـكِنَّ الله قَتَلَهُمْ وَمَا رَمَيْتَ إِذْ رَمَيْتَ وَلَـكِنَّ الله
 رَمَى وَلِيُبْلِيَ الْمُؤْمِنِينَ مِنْهُ بَلاءً حَسَناً إِنَّ الله سَمِيعٌ عَلِيمٌ 
"(O i Dërguar!) Ata nuk i vratë ju, por Allahu i vrau dhe nuk ishe ti që gjuajte, por Allahu gjuajti dhe këtë e bëri për t'i provuar muslimanët me një provë të mirë. Pa dyshim, Allahu dëgjon dhe di!" (el-Enfal, 17)
Fuqia që zotëron njeriu, është e kufizuar brenda kuadrit të miratimit hyjnor. Prandaj edhe është urdhëruar: 
لاَ حَوْلَ وَلاَ قُوَّةَ إِلاَّ بِاللهِ الْعَلِيِّ الْعَظِيمِ
"Te askush tjetër veç Allahut nuk ka qëndresë dhe fuqi!" Sepse çdo gjë që zotëron çdo krijesë e krijuar nga mosekzistenca në sajë të bujarisë dhe favorit të Zotit, është prej Tij. Për rrjedhojë, vullneti i përgjithshëm i përfshin dhe i përmban të gjitha ngjarjet, dukuritë dhe krijesat. Kjo do të thotë se origjina e vullnetit dhe fuqisë i përket Krijuesit. Ndërkaq, meqë njeriu është dërguar në këtë botë për t'u vënë në provë, i është dhënë një vullnet i kufizuar dhe është pajisur me kapacitet edhe për të mirë, edhe për të keq. Edhe fuqia për ta përdorur këtë kapacitet, i është lënë vullnetit të tij!

Kthimi nga Bedri
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) fitoi mbi armikun, ishte zakon i tij që të qëndronte tri ditë në një fushë të hapur të asaj zone. Pas ditës së tretë të luftës së Bedrit, Profeti urdhëroi t’ia sillnin devenë, por nuk i hipi. Ai e la devenë me ngarkesën e vet. Pastaj, i Dërguari i Allahut filloi të ecte më këmbë. Edhe sahabet filluan ta ndiqnin në këmbë duke i thënë njëri-tjetrit: “Siç duket, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkon për këtë punë! Më në fund, Profeti qëndroi në buzë të gropës ku ishin hedhur kufomat e politeistëve dhe, duke i përmendur një nga një me emër, u bëri zë kështu:
“O Ebu Xhehl! O Umejje bin Halef! O Utbe bin Rebia! A nuk do të ishte më mirë për ju sikut t’u bindeshit Allahut dhe të Dërguarit? Ne e gjetëm të drejtë e të vërtetë atë që na e premtoi Zoti ynë! Po ju, a e patë se sa e vërtetë ishte ajo që ju kishte premtuar Zoti juaj?”
Omeri (r.a.) i tha:
“O i Dërguari i Allahut! A po flet me kufomat pa shpirt?! Pasi që janë shndërruar në kërma, si kanë për të të dëgjuar e për të t’u përgjigjur?”
Kurse Profeti i tha:
“Betohem në Allahun që ka në dorë qenien e Muhammedit, se ata i dëgjojnë thëniet e mia më mirë se ju, pavarësisht se s’kanë mundësi të japin përgjigje!” (Buhari, Megazi, 8; Muslim, Xhennet, 77)
Pasi lufta në Bedër mori fund, Xhebraili (a.s.) shkoi te Profeti (s.a.s.) dhe i tha:
“O Muhammed! Allahu i Lartë më dërgoi tek ti duke më urdhëruar të mos ndahem prej teje gjersa ti të mbetesh i kënaqur (nga ndihma jonë)! A je i kënaqur?”
Zotëria i Botëve i tha:
“Po, jam i kënaqur!”
Dhe, atëherë, Xhebraili (a.s.) u nda prej tij e shkoi! (Vakidi, I, 113; Ibni Sa’d, II, 26-27)
Ndërsa Medina e Ndritshme u mbyt në gëzim me këtë fitore, Meka u vesh në zi aq sa, p.sh., Ebu Lehebi vdiq nga marazi!135 Kështu edhe mori formë premtimi hyjnor (për të).
Ndërkaq, për shkak të vdekjes së Hz. Rukijes, vajzës bujare të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), gëzimi i fitores së Bedrit mes muslimanëve nuk vazhdoi gjatë.

Trajtimi i robërve dhe skllevërve
Pasi qëndroi tri ditë në Bedër, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u kthye në Medinë. Aty u këshillua me Hz. Ebu Bekrin, Hz. Aliun dhe Hz. Omerin (r.anhum exhmain) për çështjen e trajtimit të robërve të luftës. Ebu Bekri (r.a.) tha:
“O i Dërguari i Allahut, këta janë farefisi dhe vëllezërit tanë. Unë e shoh me vend t’i lëmë të lirë duke marrë kundërshpërblim. Ato që do të marrim prej tyre do të na bëhen forcë kundër mohuesve. Ndoshta Allahu i vë në rrugë të drejtë dhe pastaj ata na bëhen mbështetje neve.”
Profeti e pyeti Hz. Omerin:
“Po ti, ç’thua, o i biri i Hattabit?”
Hz. Omeri iu përgjigj:
“Jo! Vallahi, o i Dërguari i Allahut, unë s’jam i një mendjeje me Ebu Bekrin! Më jep leje t’ua këpus zverkun! Më jep leje që filanin e filanin nga farefisi im t’i vras unë! Aliun lejoje t’ia heqë qafën të vëllait, Akilit! Hamzait jepi leje t’ia këpusë vetë qafën të vëllait, Abbasit! Në këtë mënyrë, Allahu do ta nxjerrë në shesh se në zemrat tona s’ka ndonjë dobësi dhe butësi ndaj politeistëve! Këta robër janë prijësit e politeistëve, kreu i mohimit dhe herezisë!”
Profeti anoi nga mendimi i Hz. Ebu Bekrit. (Muslim, Xhihad, 58; Tirmidhi, Sijer, 18/1567; Ahmed, I, 30-31, 383-384; Vakidi, I, 107; Ibni Sa’d, II, 22)
Profeti anoi ashtu sepse shpresonte që ata do të arrinin të orientoheshin dhe se prej tyre do të dilte një brez që do ta adhuronte Allahun!
Në përfundim të këshillimit, robërit e luftës u lanë të lirë me shpërblim. Të lirë u lanë edhe ata që s’ishin në gjendje të paguanin shpërblim, por me një kusht që të arsimuarit prej tyre t’u mësonin shkrim e këndim dhjetë fëmijëve medinas. Kryerja e kësaj detyre do të ishte shpërblimi që do të paguanin ata. Shkruesi i mesazhit hyjnor dhe, më vonë, sistemuesi i Kur’anit, Zejd bin Thabiti (r.a.), ishte një ndër nxënësit që mësuan shkrim e këndim prej atyre robërve! (Ahmed, I, 247; Vakidi, 129; Ibni Sad, II, 22)
Allahu i Lartë urdhëroi kështu mbi robërit e luftës dhe shpërblimin e lirimit të tyre:
مَا كَانَ لِنَبِيٍّ أَن يَكُونَ لَهُ أَسْرَى حَتَّى يُثْخِنَ فِي الْأَرْضِ تُرِيدُونَ
 عَرَضَ الدُّنْيَا وَاللّٰهُ يُرِيدُ الآخِرَةَ وَاللّٰهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ .
 لَوْلاَ كِتَابٌ مِنَ الله سَبَقَ لَمَسَّكُمْ فِيمَا أَخَذْتُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌ .
فَكُلُوا مِمَّا غَنِمْتُمْ حَلاَلاً طَيِّباً وَاتَّقُوا الله إِنَّ الله غَفُورٌ رَحِيمٌ 
“Asnjë pegamber nuk është i denjë të marrë robër gjersa të mos ketë mbizotëruar plotësisht mbi tokë (gjersa të mos ketë arritur fitore përfundimtare). Ju dëshironi pasurinë e kësaj bote, kurse Allahu dëshiron të fitoni jetën tjetër, ahiretin. Allahu është i shenjtë e i urtë! Po të mos ndodhej e shkruara nga Allahu, ju patjetër do t’ju godiste një ndëshkim i madh për shkak të shpërblimit që morët. Prandaj, përdoreni me bekim dhe kënaqësi fitimin që morët dhe ruhuni nga kundërvënia ndaj Allahut! Pa dyshim, Allahu është falës dhe mëshirues!” (el-Enfal, 67-69)
Hz. Omeri thotë:
“Kur shkova pranë të dërguarit të Allahut (s.a.s.) në mëngjes herët, ai me Ebu Bekrin ishin ulur dhe po qanin. I thashë:
“O i Dërguari i Allahut, ç’është që ju ka bërë për të qarë ty dhe shokun tënd? Ma thoni! Po ta shoh si diçka për të cilën duhet qarë, edhe unë të qaj; përkundrazi, të paktën të marr pjesë në të qarën tuaj!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u përgjigj:
“Mjerë për mua për shkak të shpërblimit që morën shokët tuaj nga robërit! Mua m’u tregua se ndëshkimi që kanë për të hequr është më afër se kjo pema që kam afër!” (Ahmed, I, 31; Muslim, Xhihad, 58)
Allahu i Lartë nuk e kishte miratuar marrjen e robërve dhe lirimin e tyre me shpërblim para se armiqtë të mundeshin plotësisht, feja të gjente dinjitet dhe intriga të eliminohej plotësisht, prandaj i kishte qortuar muslimanët. Marrja e shpërblimit është edhe një dëshirë tokësore, materiale, kurse dëshira dhe synimi i Allahut ishte kërkimi i paqes së jetës së pasme, ahiretit! Marrja e robërve pa i vënë poshtë plotësisht armiqtë e fesë mund ta hidhte në rrezik për muslimanët paqen e amshuar!
Ngaqë në Levhi Mahfudh ndodhej i shkruar konkluzioni hyjnor sipas të cilit nuk qortohej gabimi në opinion, nuk ndëshkoheshin pjesëmarrësit në luftën e Bedrit si dhe nuk dënohej ai që kryente një punë të pandaluar haptazi, Allahu i Lartë i fali besimtarët, e bëri hallall (të lejuar, të bekuar) plaçkën e luftës dhe nuk i ndëshkoi ata.
***
Zoti urdhëroi që robërit dhe skllevërit të trajtoheshin mirë.136 Edhe Profeti (s.a.s.) ka bërë disa deklarata në lidhje me këtë çështje. Madje, fjalët e tij të fundit në çastet e vdekjes qenë këto:
“Kini kujdes namazin, veçanërisht namazin! Dhe kini frikë Allahun për ata që keni nën vete!” (Ebu Davud, Edeb, 123-124/5156; Ibni Maxhe, Vesaja, 1)
Ma’rur bin Suvejd thotë:
“E pashë Ebu Dherin (r.a.) që kishte veshur një rrobë të çmuar. Nga e njëjta rrobë kishte veshur edhe shërbëtori i tij. Prandaj e pyeta për shkakun e kësaj. Në përgjigje, Ebu Dheri më tha se, në kohën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), kishte sharë dikë për shkak të s’ëmës dhe, për këtë, Profeti (s.a.s.) e kishte qortuar me këto fjalë:
“Ti je dikushi që bart moralin e injorancës! Ata (si ai që shave ti) janë shërbyesit, por, në të njëjtën kohë, edhe vëllezërit tuaj! Allahu jua ka lënë nën mbrojtje! Kush të ketë një vëlla nën mbrojtje, ta ushqejë me ç’ha vetë dhe ta veshë me ç’vishet vetë! Mos u ngarkoni atyre aq sa s’mund të mbajnë! Në rast të kundërt, t’i ndihmoni!” (Buhari, Itk, 15; Muslim, Ejman, 40)
Byrazeri i Mus’ab bin Umejrit, Ebu Azizi, ka treguar këtë ngjarje mësimdhënëse:
Edhe unë rashë rob në luftën e Bedrit dhe iu dorëzova dikujt nga ensarët. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut kishte porositur që robërit të trajtoheshin mirë. Ensarët tek të cilët ndodhesha unë, bukën që u binte në pjesë në mëngjes e në mbrëmje, ma jepnin mua, kurse vetë mjaftoheshin me hurma. Mua më vinte turp, prandaj bukën ia jepja dikujt prej tyre, kurse ai, pa e prekur fare, ma kthente prapë!” (Hejsemi, VI, 86; Ibni Hisham, II, 288)
Kjo lloj sjelljeje vetëmohuese e Profetit (s.a.s.) dhe e sahabeve në një kohë kur mbizotëronte padrejtësia dhe dhuna mesjetare, është bërë tregues virtyti në emër të njerëzimit gjer në ditën e kiametit! Duke i trajtuar mirë njerëzit, i Dërguari i Allahut ua kumtonte, në fakt, besimin, me anë të shembullit dhe veprimit, pastaj, pasi ua zbuste zemrat në këtë mënyrë, u fliste për Islamin. Shumica e robërve të Bedrit u bënë muslimanë pikërisht si pasojë e efektit të këtij trajtimi!
Islami jo vetëm nuk e praktikoi institucionin e skllavërisë137 ose nuk i dha prioritet këtij institucioni, por as që i nxiti e i inkurajoi njerëzit në këtë drejtim. Por, ndërkohë, Islami e pa këtë të vërtetë të shoqërisë dhe nuk e shfuqizoi e nuk e eliminoi, sepse konkludoi drejt se shfuqizimi dhe eliminimi i menjëhershëm i kësaj dukurie dhe i këtij realiteti do të ishte një veprim irrealist që do të çonte pa diskutim në një konfuzion shoqëror me pasoja të paparashikueshme. Kështu, Islami veproi në mënyrë realiste, por, në të njëjtën kohë, edhe me drejtësi, sepse, ndërkaq, nuk qëndroi indiferent, por, me anë të një sërë kufizimesh dhe rregullash, jo vetëm e pengoi shpërdorimin e skllavërisë, por krijoi kushtet për ecurinë graduale të kësaj dukurie antinjerëzore drejt eliminimit të plotë. Në fakt, Islami krijoi një të drejtë juridike të re të skllavërisë! 
Meqë mes popujve e kombeve ka dhe do të ketë luftëra gjer në kiamet, ka dhe do të ketë vazhdimisht edhe nevojë për rregulla dhe ligje për trajtimin e njerëzve që e kanë humbur lirinë.138 Duke u nisur nga kjo, është parë me vend dhe e domosdoshme që, në vend të heqjes së skllavërisë, të vihen rregulla dhe të reformohet e drejta e skllavërisë.
Me parimet që solli, Islami i afronte me njëri-tjetrin skllavin me zotërinë dhe përpiqej ta shpëtonte skllavin nga skllavëria për ta kthyer në njeri të lirë. Kështu, për shembull, po qe se dikush bënte gabim ose kryente një krim pa paramendim, Islami urdhëronte si dëmshpërblim, në fillim, çlirimin e një skllavi,  pastaj, në bazë të marrëveshjes me familjen e viktimës, pagimin e një dëmshpërblimi në formë monedhe argjendi ose në natyrë me deve. Gjithashtu, për shembull, po qe se muslimani bën një gabim gjatë ritualit të haxhit, përsëri, si masë e parë shlyerjeje është caktuar çlirimi i një robi apo skllavi. Edhe në rastet e kundravajtjeve të tjera, si betimi në gënjeshtër, thënia bashkëshortes e fjalëve që e prishin kurorën, prishja e agjërimit, etj., si dëmshpërblim i parë kërkohet çlirimi i një robi ose skllavi. 
Duke diskutuar madhësinë e sevapit (mirësisë) së disa akteve, thuhet: “sa çlirimi i kaq skllevërve!” Në këtë mënyrë, sqarohet se ç’akt i virtytshëm e i çmueshëm është dhënia e lirisë njerëzve që e kanë humbur atë! Krahas kësaj, edhe skllavërimi i padrejtë është konsideruar qysh në krye të herës një nga mëkatet më të mëdha, ndërkaq që është urdhëruar sjellja e mirë ndaj personave që fati i ka çuar në skllavëri!
Islami i sugjeron vazhdimisht zotërisë së skllavit “ta ushqejë skllavin me atë që ushqehet vetë, ta veshë me atë që vishet vetë, të mos ta ngarkojë shumë kur skllavi është i agjëruar dhe t’ia plotësojë nevojat”. Çlirimi i një skllavi tregohet si rruga më e mirë e shpëtimit për besimtarin. Përgjithësisht, për skllevërit sillen të drejta të tilla që, po të respektohen ato, del se është më e mirë të mos kesh skllevër, dhe kuptohet se të kesh skllav, do të thotë të skllavërohesh vetë!
Në këto kushte, në fakt, Islami, brenda të gjitha mundësive reale, ia ka mbyllur portat e hyrjes skllavërisë, ndërkohë që ia ka hapur kat më kat portat e daljes dhe në çdo rast nxit, inkurajon dhe krijon kushte praktike për çlirimin e njerëzve në gjendje robërie dhe skllavërie!
***
Profeti i tha të ungjit Abbas që ndodhej mes robërve:
“O Abbas! Ti je njeri i pasur, pra, pago shpërblim për vete, për birin e tët vëllai, Akil, për Nevfel bin Harithin si dhe për Utbe bin Amrin me të cilin keni mes jush marrëveshje!”
Kurse Abbasi i tha: 
“O i Dërguari i Allahut! Unë isha musliman, Kurejshët më nxorën në rrugë me shtrëngim!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia ktheu:
“Se sa musliman je ti, këtë vetëm Allahu e di. Po qe se thua të vërtetën, me siguri që Allahu ta shpërblen! Por në dukje ti na je kundërvënë neve, prandaj duhet të japësh dëmshpërblim!”
Dhe ia sekuestroi si plaçkë lufte 800 dërhem flori që kishte me vete ai!
Abbasi i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Të paktën quaje këtë si dëmshpërblim!”
“Jo, kjo është plaçkë lufte që na e mundësoi Allahu!” – I tha i Dërguari i Allahut.
“O i Dërguari i Allahut, domethënë, do të më detyrosh që, sa të kem jetë, të dal për të lipur!” – I tha Abbasi.
Atëherë, i Dërguari i Allahut e pyeti:
“O Abbas, po ato florinjtë që ia ke dhënë gruas, Ummul Fadl, ç’do të bëhen?”
“Cilët florinj?” – E pyeti Abbasi.
Profeti (a.s.) i tha:
“Florinjtë për të cilët, ditën kur do të dilje nga Meka, e porosite tët shoqe, Ummul Fadl, kur pranë s’kishit askënd veç Allahut: “Nuk e di se ç’do të më bjerë kokës në këtë luftë! Nëse pësoj ndonjë fatkeqësi, kaq florinj janë të tutë, kaq florinj janë të Ubejdullait, kaq, të Fadlit, kaq, të Kusemit dhe kaq, të Abdullait!”
Abdullai që mbeti pa mend nga këto fjalë, i tha:
“Betohem në Allahun që të ka dërguar si pejgamber, se këtë s’e ka ditur askush veç meje dhe Ummul Fadlit! Pa dyshim, ti je Resuli, i Dërguari i Allahut!” (Ahmed, I, 353; Ibni Sa’d, IV, 13-15)
Mes robërve të luftës ndodhej edhe dhëndrri i Profetit, burri i Hz. Zejnebit, Ebul As bin Rebi. Ebul Asi ishte një njeri i cili njihej në Mekë si i parë në tregti dhe pasuri, si dhe i sigurt në vetvete. E ëma, Hale binti Huvejlid, ishte motra e Hz. Hatixhesë. Zonja Hatixhe e mbante Ebul Asin si birin e vet! 
Politeistët Kurejshë u thanë dhëndurëve të Profetit:
“Duke marrë vajzat e Muhammedit, ju e shpëtuat atë nga hallet! Kthejani prapë vajzat dhe le të merret me to!” 
Po kështu, edhe Ebul Asit i thanë:
“Ndahu nga gruaja se kemi për të të martuar me cilën të duash nga femrat Kurejshe!”
Por Ebul Asi i kundërshtoi:
“Jo, vallahi, unë nuk ndahem nga gruaja dhe nuk dua asnjë nga femrat Kurejshe në vend të saj!”
Kur mekasit filluan të dërgojnë shpërblim për çlirimin e robërve, edhe Hz. Zejnebi dërgoi për Ebul Asin pak mall si dhe gjerdanin që ia pati dhuruar e ëma Hatixhe (r.anha) me rastin e martesës. Sapo e pa gjerdanin, i Dërguari i Allahut u prek shumë dhe u tha sahabeve:
“Po qe se ju duket me vend ta lini të lirë robin e Zejnebit dhe t’ia ktheni gjërat që ka dërguar, ashtu bëni!”
“Posi, o i Dërguari i Allahut!” – I thanë muslimanët. Dhe e lanë të lirë Ebul Asin, kurse gjërat e tjera së bashku me gjerdanin që kishte dërguar Hz. Zejnebi, ia kthyen prapë asaj.
Hz. Muhammedi (a.s.) pati marrë fjalë nga Ebul Asi që t’ia dërgonte të bijën Zejneb në Medinë dhe me këtë kusht e pati lënë të lirë. Ndërkaq, kjo do të mbetej një e fshehtë mes të Dërguarit të Allahut dhe tij, pa u biseduar me askënd! (Ibni Hisham, II, 296-297; Ebu Davud, Xhihad, 121/2692; Ahmed, VI, 276)
***
Mes robërve të zënë në Bedër ishte edhe Vehbi, i biri i Umejr bin Vehbit. Umejri ishte ndër mendimtarët dhe heronjtë djallëzisht më të shkathët të Kurejshve. Në Mekë u pati shkaktuar shumë mundime të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe sahabeve. Një ditë, Umejri po rrinte e po bisedonte me Safvan bin Umejjen në Hixhr. Pasi i foli për ata që ishin hedhur në gropë në Bedër dhe fatkeqësitë që kishin pësuar, Safvan bin Umejje i tha:
“Vallahi, pas kësaj jeta jonë s’ka më kuptim!”
Umejri ia ktheu:
“Vallahi, drejt po thua! Po të mos kisha borxhe dhe po të mos kisha grua e fëmijë që kam frikë mos vdesin nga uria pas meje, patjetër do të shkoja e do ta vrisja Muhammedin! Fundja, unë kam edhe një pretekst të pranueshëm për ta që të shkoj atje; do t’u them: “Erdha për tim bir!” Me ç’kam dëgjuar, ai edhe na u përsillka nëpër treg!”
Këto fjalë të Umejrit e gëzuan Safvanin, që i tha:
“Borxhi yt është imi! Atë e paguaj unë! Sa për familjen tënde, edhe për ata kujdesem si për fëmijët e mi; sa të jenë gjallë, i ushqej e i mbath si jo më mirë!”
Pas këtyre fjalëve, Umejri e mprehu mirë shpatën dhe e leu me helm. Kurse Safvani ia përgatiti kafshën e udhëtimit dhe bukën për rrugë. Umejri arriti në Medinë dhe qëndroi në portë të faltores. E lidhi devenë dhe e ngjeshi shpatën. Me ta parë atë, Hz. Omeri (r.a.) mendoi me vete: “Ky është armiku i Allahut, Umejri! A s’është ai që na futi sherrin dhe ditën e Bedrit parashikoi numrin tonë për Kurejshët?” Dhe hyri te i Dërguari i Allahut dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Këtë çast, ja tek na ka ardhur armiku i Allahut, Umejri, me shpatë ngjeshur!”
Profeti (s.a.s.) i tha:
“Dërgoje pranë meje!”
Omeri (r.a.) u kthye pas, e kapi fort rripin e shpatës në qafë të Umejrit, kurse personave nga ensarët që i ndodheshin pranë, u tha:
“Shkoni e rrini pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe mbrojeni nga kjo qelbësirë, se ky s’është njeri të cilit mund t’i besohet!”
Kurse Profeti tha:
“O Omer, lëre të lirë atë! Edhe ti, Umejr, afrohu pranë meje!”
Pastaj e pyeti Umejrin pse kishte ardhur.
Umejri i tha:
“Erdha për tim bir që e keni zënë rob! Bëni një të mirë për të!”
“Po këtë shpatë, ç’e ke?” – E pyeti i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
“Allahu u dhëntë belanë shpatave! Ç’dobi patëm ne prej tyre?” – I tha Umejri.
“Më thuaj të drejtën, pse erdhe këtu?” – E pyeti sërish i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
“S’erdha për tjetër gjë, veçse për tim bir që e mbani rob!” – I tha përsëri Umejri.
Kur Profeti (a.s.) e pyeti se ç’kusht kishin biseduar në Hixhr me Safvanin, Umejri u frikësua dhe tha:
“Ç’kush i vura unë atij?”
Profeti ia përsëriti një për një ç’kishin biseduar dhe i tha:
“Allahu hyri në mes teje dhe punës që do të bëje ti dhe t’u bë pengesë!”
Pas kësaj, Umejri tha:
“Dëshmoj se ti je patjetër Resuli, i Dërguari i Allahut! O i Dërguari i Allahut! Ne të përgënjeshtruam ty për lajmet e ardhura nga qielli dhe për Fjalën Hyjnore të zbritur ty! Nga biseda mes meje dhe Safvanit s’di gjë askush! Vallahi, këtë lajm ty ta ka dhënë veçse Allahu! Falenderuar qoftë Allahu që më drejtoi në rrugën e Islamit dhe që më solli këtu!”
Dhe tha Fjalën e Dëshmisë!
Atëherë, i Dërguari i Allahut urdhëroi:
“Tregojani mirë vëllait fenë! Këndojini Kur’an dhe mësojani! Edhe robin lerjani të lirë!”
Urdhri i Zotërisë së Botëve u zbatua menjëherë!
Umejri tha:
“O i Dërguari i Allahut! Unë isha dikushi që përpiqej ta shuante dritën e Allahut dhe që i mundonte fort muslimanët. Po të më lejosh, do të shkoj në Mekë dhe do t’i ftoj politeistët mekas te Allahu dhe i Dërguari, te Islami! Shpresoj që Allahu do t’ua mundësojë rrugën e drejtë!”
Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dha leje.
Gjatë kësaj kohe, duke mos ditur gjë se ç’po ndodhte, Safvan bin Umejje u thoshte politeistëve mekas:
“Keni për t’u gëzuar me lajmet që do të vijnë brenda disa ditëve! Ai ka për t’ju bërë ta harroni hidhërimin e Bedrit!”
Dhe i pyeste të gjitha karvanet që vinin. Më në fund, një kalorës i tregoi se Umejri ishte bërë musliman!
Pasi u kthye në Mekë, Umejr bin Vehbi (r.a.) u vu t’i ftonte njerëzit në Islam. Kurse atyre që e kundërshtonin, u dha dënimin që meritonin. Në sajë të tij, shumë vetë u bënë muslimanë. Një ditë, Hz. Umejje u takua pranë Qabes me Safvan bin Umejjen dhe i tha:
“Ti je nga të mëdhenjtë tanë. A nuk e sheh se ne u falemi gurëve dhe presim kurbane për to? A kjo është fe? Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Allahut!” 
Safvani nuk i tha dot asnjë fjalë atij, por vetëm heshti! (Ibni Hisham, II, 306-309; Vakidi, I, 125-128; Ibni Sa’d, IV, 199-201)
Kjo ngjarje zuri vend në zemrat e besimtarëve si një nga shembujt më të bukur të parimit “Ai që vjen për të të vrarë ty, të ringjallet!”
Pasi në Bedër u vranë krerët e politeistëve dhe robërit e tyre u suallën në Medinë me duart të lidhura pas qafe, Allahu i Lartë i poshtëroi politeistët, hipokritët dhe çifutët e Medinës. Abdullah bin Ubeji dhe politeistët medinas që vepronin bashkë me të, duke thënë se “tashmë fitorja ka marrë anën e Atij”, u detyruan t’i japin besë në emër të Islamit të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)!139

Konkluzioni për plaçkën e luftës (ganimet)
Meqë nuk pati marrë formë përfundimtare dhe nuk qe komunikuar rregulli islam mbi plaçkën e luftës (ganimet), u shfaq një kontradiktë në çështjen e ndarjes së plaçkës së luftës së zënë në Bedër. Veç kësaj, Sa’d b. Ebi Vakkas të cilit i kishte rënë dëshmor i vëllai në Bedër, mori shpatën e Said bin Asit që e kishte vrarë vetë, shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe ia kërkoi për vete. Ja, pra, pas këtyre ngjarjeve dhe kërkesave, zbriti ajeti i parë i sures Enfal kur ende nuk ishte bërë largimi nga Bedri dhe plaçka e luftës nuk ishte ndarë:
يَسْأَلُونَكَ عَنِ الأَنْفَالِ قُلِ الأَنْفَالُ لِلّٰهِ وَالرَّسُولِ فَاتَّقُوا الله 
وَأَصْلِحُوا ذَاتَ بِيْنِكُمْ وَأَطِيعُوا الله وَرَسُولَهُ إِنْ كُنْتُم مُؤْمِنِينَ 
“Të pyesin ty për ganimetet. Thuaju: “Ganimetet u përkasin Allahut dhe të Dërguarit. Prandaj, nëse jeni besimtarë të vërtetë, kini frikë Allahun, rregulloni mosmarrëveshjet dhe bindiuni Allahut dhe të Dërguarit!” (el-Enfal, 1)
Në një vend afër Medinës, Profeti (s.a.s.) ua ndau në mënyrë të barabartë dhe në mënyrë të përshtatshme plaçkën e luftës luftëtarëve që kishin marrë pjesë në luftë.140
Më pas u zbrit ajeti 41 i të njëjtës sure që përmbante konkluzione të detajuara lidhur me plaçkën e luftës:
وَاعْلَمُوا أَنَّمَا غَنِمْتُم مِنْ شَيْءٍ فَأَنَّ لِلّٰهِ خُمُسَهُ وَلِلرَّسُولِ وَلِذِي
 الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَابْنِ السَّبِيلِ إِنْ كُنْتُمْ آمَنْتُمْ بِاللهِ
 وَمَا أَنْزَلْنَا عَلَى عَبْدِنَا يَوْمَ الْفُرْقَانِ يَوْمَ الْتَقَى الْجَمْعَانِ
 وَاللّٰهُ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ 
“Dijeni edhe këtë se prej një gjëje çfarëdo që merrni si plaçkë lufte, një e pesta është patjetër për Allahun, pra, u përket Pejgamberit dhe të afërmve të tij, jetimëve, të mjerëve dhe të mbeturve në rrugë. Po qe se i keni besuar Allahut si dhe ajeteve që i zbritëm atë ditë kur u ndanë e drejta nga e shtrembra, ajeteve që ia zbritëm robit tonë atë ditë (të Bedrit) kur u përballën dy ushtritë, kështu ta dini këtë çështje. Dhe ta dini se Allahu ka mundësi për çdo gjë!” (el-Enfal, 41)
Sipas këtij ajeti, një e pesta e plaçkës së luftës u përket Allahut, të Dërguarit, farefisit të tij, jetimëve, të varfërve dhe të mbeturve në rrugë.
Pas plotësimit të nevojave të veta e të pjesëtarëve të familjes së tij, Profeti (s.a.s.), pjesën tjetër e vuri në thesarin e shtetit dhe e përdori për nevojat e muslimanëve dhe shpenzimet ushtarake.141
Amr bin Abese (r.a.) tregon:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) na e drejtoi namazin duke pasur para si pengesë (ekran)142 një deve plaçkë lufte. Pas namazit, mori një qime nga anësia e kafshës dhe (duke e mbajtur në dorë dhe duke e treguar) na tha:
“Nga plaçka juaj e luftës, as edhe një gjë sa kjo qime, përveç kontributit, s’është hallall (e lejuar, e bekuar) për mua. Fundja, edhe kontributi prapë juve ju kthehet (për ju shpenzohet)!” (Ebu Davud, Xhihad, 149/2755)
Çfarëdo që t’i ndodhej në dorë, Profeti (s.a.s.) ua jepte sahabeve nevojtarë, ndërkohë që, në shumicën e herëve, në shtëpinë e tij nuk ndizej zjarr për ditë të tëra, nuk gatuhej gjellë. Nga shumë rivajete (rrëfime, hadithe), kuptohet se ai dhe familja e tij në përgjithësi s’kishin ushqime as dhe për një ditë! Moralin e tij në lidhje me këtë çështje, e vë në shesh qartë ky rrëfim:
Enesi (r.a.) tregon:
“Të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i erdhi mall prej Bahrejni. Ai urdhëroi:
“Zbrazini në faltore!”
Malli në fjalë ishte më i shumti që i kishte ardhur Profetit gjer atë ditë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi në namaz pa ia hedhur sytë fare mallit. Pas mbarimit të namazit shkoi dhe u ul pranë mallit. Kujtdo që të shihte, i jepte dhe s’u largua që aty gjersa e shpërndau tërë mallin gjer në dërhemin e fundit!” (Buhari, Salat, 42, Xhizje, 4, Xhihad, 172)
***
Sureja Enfal e Kur’anit ka zbritur në Medinë në vitin e dytë të hixhretit. Meqë një pjesë e madhe e saj i kushtohet luftës së Bedrit dhe është zbritur në ditët e Bedrit, është quajtur edhe “Sureja Bedr”.

Grada shpirtërore e dëshmorësisë
Shkalla e dëshmorësisë është pozita më e lartë dhe më e fundit që mund të arrijë besimtari në këtë botë. Megjithëse niveli më i ulët i xhennetit, madje, është më e dobishme se e tërë bota, dëshmori kërkon të rikthehet në këtë botë për të rënë dëshmor edhe disa herë të tjera për shkak të lartësisë sublime të kësaj pozite dhe madhësisë së shpërblimit parajsor përkatës. Zoti urdhëron e thotë kështu:
وَلَئِن قُتِلْتُمْ فِي سَبِيلِ الله أَوْ مُتُّمْ لَمَغْفِرَةٌ مِنَ الله
 وَرَحْمَةٌ خَيْرٌ مِمَّا يَجْمَعُونَ 
“Po qe se vriteni ose vdisni në rrugën e Allahut, dijeni se falja dhe mëshira e Allahut është më e dobishme e më e mbarë se të gjitha gjërat e mbledhura e të grumbulluara prej tyre!” (Al-i Imran, 157)
Sa’d b. Ebi Vakkas (r.a.) tregon kështu:
“Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po na drejtonte në namaz, erdhi dikush dhe, kur u fut në radhë, u lut:
“Allahu im, jepmë mua më të çmueshmen e gjërave që u jep robve të tu të mirë!”
Pas mbarimit të namazit, Profeti pyeti:
“Kush ishte ai që bëri lutje?”
“Unë isha, o i Dërguari i Allahut!” – Tha personi. Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha kështu:
“Atëherë, kali do të të rrëzohet dhe ti do të biesh dëshmor në rrugën e Allahut!” (Hakim, I, 325/748)
Ashtu siç pati ndodhur që Profeti të paralajmëronte dëshmorësinë e disave nga sahabet, edhe personi i cili i qe lutur Allahut dhe të cilin e pati paralajmëruar Profeti, e arriti gradën shpirtërore të profetësisë. Edhe për Amr bin Ekvanë Profeti qe lutur në të njëjtën mënyrë dhe pas një kohe të shkurtër ai pati rënë dëshmor në Hajber.143
Fakti që kërkesa për falje në lutjet e Profetit vërtetohet në formën e rënies dëshmor, është një argument tjetër i faktit se ç’pozitë e lartë sublime është grada shpirtërore e dëshmorësisë. Edhe sahabet që e shihnin se lutja e Profetit konkludohej në këtë mënyrë, i konsideronin ato lutje si paralajmërime të gëzueshme dëshmorësie.
Siç rrëfen Ebu Katade (r.a.), një ditë, Profeti u ngrit në këmbë mes sahabeve dhe na e kujtoi se “Xhihadi dhe besimi në rrugën e Allahut janë aktet më të virtytshme!” Atëherë, dikush u ngrit në këmbë dhe pyeti:
“O i Dërguari i Allahut, po qe se vritem dhe vdes në rrugën e Allahut, a më bëhet kjo dëmshpërblim për mëkatet e mia?”
Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu përgjigj:
“Po, po qe se duke bërë durim, duke e pritur shpërblimin vetëm nga Allahu, lufton dhe vritesh në rrugën e Allahut në front duke e përballuar armikun pa u frikësuar e pa ikur, kjo të bëhet dëmshpërblim për mëkatet. Këtu bëjnë përjashtim borxhet. Këtë ma ka thënë Xhebraili!” (Muslim, Imare, 117; Tirmidhi, Xhihad, 33/1712)
Kurse në një rivajet tjetër është thënë:
“Allahu ia fal dëshmorit të gjitha mëkatet me përjashtim të përgjegjësisë ndaj të drejtave të personit!” (Muslim, Imare, 119)
Gjithashtu, një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha kështu sahabeve:
“Mbrëmë në ëndërr pashë dy njerëz. Më erdhën, më ngjitën në një pemë, pastaj më çuan në një shtëpi. Shtëpia ishte aq e bukur dhe e çmuar, sa s’është parë një e dytë si ajo gjer më sot! Pastaj ata dy vetë më thanë:
“Kjo shtëpi e pashembullt është pallati i dëshmorëve!” (Buhari, Xhihad, 4; Xhenaiz, 93)
Profeti ynë është interesuar nga shumë afër për sahabet që kanë rënë dëshmorë, ka treguar një respekt dhe konsideratë të posaçme për ta, ka dhënë lajmin e gëzueshëm se ata ndodhen në xhennet, edhe i ka ngushëlluar të afërmit e tyre, edhe e ka nxitur dëshirën e sahabeve për pozitën e dëshmorit.
Xhabiri (r.a.) thotë kështu:
Kufoma e gjymtuar144 e tim eti iu suall dhe iu vendos para Profetit. Shkova t’ia hap fytyrën. Por të pranishmit më penguan me qëllim që të mos dëshpërohesha. Atëherë, Profeti (s.a.s.) tha:
“Engjëjt po i bëjnë pandërprerje hije atij me krahët e tyre!” (Buhari, Xhenaiz, 3, 35, Xhihad, 20; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 129-130)
Të biesh dëshmor, në të vërtetë, s’do të thotë të vdesësh, por të meritosh dhunti të amshuara brenda një cilësie jetësore të pakonceptueshme për ne. Prandaj, Allahu i Lartë urdhëron që robtë e tij dëshmorë të mos quhen “të vdekur”. Në ajetin kur’anor thuhet:
وَلاَ تَقُولُوا لِمَنْ يُقْتَلُ فِي سَبيلِ الله أَمْوَاتٌ
 بَلْ أَحْيَاءٌ وَلَكِنْ لاَ تَشْعُرُونَ 
“Mos u thoni “të vdekur” atyre që janë vrarë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni dot!” (el-Bakara, 154)
وَلاَ تَحْسَبَنَّ الَّذِينَ قُتِلُوا فِي سَبِيلِ الله أَمْوَاتاً بَلْ أَحْيَاءٌ
 عِنْدَ رَبِّهِمْ يُرْزَقُونَ . فَرِحِينَ بِمَا آتَاهُمُ الله مِنْ فَضْلِهِ
 وَيَسْتَبْشِرُونَ بِالَّذِينَ لَمْ يَلْحَقُوا بِهِمْ مِنْ خَلْفِهِمْ أَلاَّ خَوْفٌ عَلَيْهِمْ
 وَلاَ هُمْ يَحْزَنُونَ . يَسْتَبْشِرُونَ بِنِعْمَةٍ مِنَ الله وَفَضْلٍ
 وَأَنَّ الله لاَ يُضِيعُ أَجْرَ الْمُؤْمِنِينَ 
“Të vrarët në rrugën e Allahut kurrsesi mos i pandehni të vdekur! Përkundrazi, ata janë të gjallë! Me ato që u janë dhënë nga favori dhe bujaria e Allahut, meritojnë të gëzuar dhunti pranë Zotit të tyre. Dhe dëshirojnë t’u japin vëllezërve dëshmorë që do të shkojnë pas tyre, por që ende s’janë bashkuar me ta, lajmin e gëzueshëm se për ta nuk do të ketë asnjë shqetësim dhe frikë dhe se nuk do të dëshpërohen! Ata paralajmërojnë dhuntinë dhe begatinë e Allahut, dhe se Allahu nuk do ta çojë kot shpërblimin e besimtarëve!” (Al-i Imran, 169-171)
Poeti Zija Pasha e shpreh me këto vargje faktin se dëshmorët e lavdëruar nga ana e Zotit të Botëve do të kujtohen dhe përmenden me madhërim edhe nga njerëzit:
Nev-i insân Haşr’a dek tâzim ederler âdına,
Kim fedâ-yı nefs ederse cinsinin imdâdına…
Njeriut që vetëflijohet në ndihmë të llojit të vet,
I kujtohet madhërisht emri gjer në atë jetë…
Në ditën e kiametit e të ringjalljes, dëshmorët njihen nga gjaku i freskët që u rrjedh nga trupi sikur sapo të ishin plagosur, si dhe nga një aromë e këndshme që përhapet përreth nga ai gjak… njerëzit dëshmojnë për virtytin dhe dinjitetin e tyre! Eshtë për këtë arsye që gjaku dhe kufoma e bekuar e dëshmorëve nuk lahet!
Profeti ynë (s.a.s.) e shpreh kështu lehtësinë që u tregon Zoti i Lartë robve të vet gjatë çasteve të rënies dëshmor:
“Sa ç’mund të ndjejë dikush nga ju dhimbje nga pickimi i milingonës, aq dhimbje ndjen nga vdekja edhe personi që bie dëshmor!” (Tirmidhi, Fedailu’l-Xhihad, 26/1668; Nesai, Xhihad, 35; Ibni Maxhe, Xhihad, 16)
Për t’i inkurajuar robtë e vet në dëshmorësi, Allahu i Lartë urdhëron e thotë kështu:
فَلْيُقَاتِلْ فِي سَبِيلِ الله الَّذِينَ يَشْرُونَ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا بِالآخِرَةِ وَمَنْ
 يُقَاتِلْ فِي سَبِيلِ الله فَيُقْتَلْ أَوْ يَغْلِبْ فَسَوْفَ نُؤْتِيهِ أَجْراً عَظِيماً 
“Prandaj, ata që do ta shesin jetën e kësaj bote (të përkohshme) për ahiretin, jetën e pasme (të përhershme), le të luftojnë në rrugën e Allahut! Kujt lufton në rrugën e Allahut dhe vritet ose del fitues, në të dyja rastet Ne do t’i japim atij një shpërblim të madh!” (en-Nisa, 74)
Profeti ynë i cili e ka dëshiruar dëshmorësinë me të gjithë sinqeritetin e vet, i ka shprehur kështu këto ndjenja:
“Po qe se nuk do t’i vinte rëndë ummetit, bashkësisë sime, do të merrja pjesë në të gjitha ekspeditat pa munguar në asnjërën prej tyre! Do të desha të bija dëshmor në rrugën e Allahut, pastaj të ringjallesha, të bija prapë dëshmor e të ringjallesha sërish për të rënë dëshmor sërish!” (Buhari, Iman, 26; Muslim, Imare, 103, 107)
***
Një ditë, Profeti ynë i sheh Hz. Omerit një këmishë mbi trup dhe e pyet:
“A e ke të re këtë këmishë, apo të larë?”
Hz. Omeri (r.a.) i përgjigjet:
“S’është e re, por e larë, o i Dërguari i Allahut!”
Atëherë, i Dërguari i Allahut i thotë në formë urimi:
“Veshç të re, jetofsh duke falenderuar dhe vdeksh si dëshmor!” (Ahmed, II, 89)
Kështu, Profeti ynë i nderuar i dha Hz. Omerit paralajmërimin e gëzuar se kishte për të rënë dëshmor!
Gjithashtu, një ditë, Profeti ynë i nderuar ishte ngjitur në malin Uhud bashkë me Hz. Ebu Bekrin, Omerin dhe Osmanin (r.anhum exhmain). Në atë mes, mali filloi të lëkundej. Zotëria i Botëve, duke i rënë truallit me këmbë, tha kështu:
“Qetësohu, ej, Uhud! Mbi ty janë një pejgamber, një besnik dhe dy dëshmorë!” (Buhari, As’habu’n-Nebi, 6; Tirmidhi, Menakib, 18/3703; Nesai, Ahbas, 4)
Edhe Hz. Omeri (r.a.) lutej:
“Allahu im, bëmë mua fatlumtur duke rënë dëshmor në rrugën tënde dhe duke vdekur në qytetin e të Dërguarit!” (Buhari, Fedailu’l-Medine, 12). 
Allahu ia favorizoi këtë pozitë. Vajza e Hz. Omerit, zonja Hafsa, thotë:
“Kur e dëgjova këtë lutje të tim eti, u habita dhe i thashë:
“Si do të bëhet kjo? (Edhe dëshiron të biesh dëshmor, edhe në Medinë!)”
“Po të dojë Allahu, e bën të mundur!” – M’u përgjigj.
Gjersa Hz. Omeri ra dëshmor, habia e njerëzve vazhdoi dhe ata vazhduan të jenë kureshtarë se si do të vërtetohet kjo. (Ibni Haxher, Fet’hu’l-Bari, IV, 101)
Duke theksuar se çdo musliman duhet ta dëshirojë dëshmorësinë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë kështu:
“Atij, i cili i lutet me gjithë zemër Allahut të Lartë për dëshmorësinë, Allahu i jep mundësi të bjerë dëshmor qoftë edhe sikur të ndodhet në shtratin e vet!” (Muslim, Imare, 157; Nesai, Xhihad, 36)
“Personi që e dëshiron me zemër dëshmorësinë, edhe sikur të mos bjerë dëshmor, e arrin sevapin e dëshmorit!” (Muslim, Imare, 156)
Krahas kësaj, i Dërguari i Allahut edhe disa njerëz i ka pranuar si dëshmorë. Kështu, një herë, i ka pyetur sahabet:
“Ju cilët i quani dëshmorë?”
“O i Dërguari i Allahut, kush vritet në rrugën e Allahut, ai është dëshmor!” – I janë përgjigjur sahabet.
Dhe, pas kësaj përgjigjeje, Profeti u ka thënë:
“Atëherë, dëshmorët e ummetit, bashkësisë sime, qenkan pak!”
“E, pra, kush janë dëshmorët, o i Dërguari i Allahut?” – E kanë pyetur sahabet.
Dhe Profeti (s.a.s.) u ka thënë:
“Kush vritet në rrugën e Allahut, është dëshmor; kush vdes në rrugën e Allahut, është dëshmor; kush vdes nga sëmundje ngjitëse, është dëshmor; kush vdes nga barku, është dëshmor; kush vdes duke u mbytur, është dëshmor!” (Muslim, Imare, 165; Ibni Maxhe, Xhihad, 17)
Edhe në rrëfimet e tjera, Profeti (s.a.s.) ka bërë të ditur se janë dëshmorë edhe ata persona që vriten për të mbrojtur pasurinë, gjakun, fenë dhe familjen.145

Bija e Profetit, Hz. Zejnebi, sillet në Medinë
Dhëndërri i Profetit, Ebul Asi, i zënë rob në Bedër, pasi u la i lirë dhe u kthye në Mekë, i dha leje bashkëshortes Zejneb (r.anha) të shkonte në Medinë. Pas afro një muaji nga Bedri, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dërgoi në Mekë Zejd bin Harithenë bashkë me një person nga ensarët me këtë porosi:
“Prisni në luginën Jexhixh gjersa t’ju vijë Zejnebi. Pasi të takoheni me të atje, sillmani këtu!”
Ebul Asi i tha Zejnebit (r.anha) të shkonte te i ati. Dhe ajo bëri përgatitjet e duhura. Vëllai i Ebul Asit, Kinane, solli devenë ku do të hipte ajo. Hz. Zejnebi hipi dhe hyri në shatoren e vendosur mbi deve. Kinane vuri në sup harkun me shigjetat dhe, në kohën e drekës, duke e tërhequr devenë nga kapistra, doli nga Meka për rrugë.
Sapo që kjo ngjarje nisi të bisedohej mes mes politeistëve Kurejshë, disa persona dolën menjëherë në rrugë për ta kthyer Hz. Zejnebin prapë. Ata e arritën atë në zonën Zituva. Hebbar bin Esved e qëlloi me heshtë Zejnebin (r.anha) që ndodhej brenda në shatore, dhe e rrëzoi mbi një shkëmb. Hz. Zejneb ishte shtatzënë. Ajo e dështoi fëmijën mes gjakrave mu aty. Ajo po vuante nga dhimbje të mëdha. Kinane u ul, nxori një shigjetë dhe i kërcënoi sulmuesit:
“Askush të mos afrohet, përndryshe do ta qëlloj me shigjetë!”
Duke e lënë punën me aq, sulmuesit u kthyen prapë. Ndërkaq, aty erdhën Ebu Sufjani me disa nga politeistët Kurejshë. Ata i thanë Kinanes:
“Ore burrë! Mos na qëllo! Do të bisedojmë me ty!”
Kinane e la gjuajtjen me shigjeta. Ebu Sufjani iu afrua pranë dhe i tha:
“Ti nuk veprove drejt! E nxore gruan në rruë haptazi, në sytë e njerëzve! Mirëpo ti i di mundimet dhe vështirësitë që kemi hequr dhe se ç’na kanë rënë në kokë për shkak të Muhammedit! Duke e nxjerrë të bijën jashtë kështu, hapur, para syve të të gjithëve dhe duke e larguar që këtu, njerëzit e quajnë shenjë poshtërimi të buruar prej fatkeqësisë ku kemi rënë, si dhe rezultat të dobësisë sonë. Betohem në jetën time se për ne s’ka aspak rëndësi mbajtja e Zejnebit këtu për të mos e çuar te i ati! Këtu s’mund të bëhet fjalë as për ndonjë lloj shpagimi nga ana jonë! Tani dëgjomë mua dhe ktheje atë prapë në Mekë. Pasi të heshtin zërat dhe njerëzit ta shohin se e kthyem prapë, nxirre fshehurazi nga Meka dhe çoja të atit!”
Edhe Kinane ashtu veproi. Pasi qëndruan disa net në Mekë duke pritur të heshtnin zërat, një natë dolën fshehtazi me Hz. Zejnebin nga Meka. Pastaj Kinane ua dorëzoi atë Zejd bin Harithesë me shokun që e prisnin në Jexhixh. Ata e çuan Hz. Zejnebin te i ati i nderuar.146
Në vitin VI të hixhrit, Ebul Asi u zu rob përsëri në krye të një karvani të Kurejshve dhe së bashku me karvanin. Në të aguar, i dërgoi fjalë Hz. Zejnebit që t’i kërkonte besë nga i ati. Kur Profeti po falte namazin e mëngjesit bashkë me muslimanët, Zejnebi, duke e nxjerrë kokën nga kthina e vet, u bëri zë atyre që po faleshin:
“O njerëz! Unë jam Zejnebi, vajza e të Dërguarit të Allahut! Ebul Asin e kam marrë nën mbrojtje!” 
Profeti tha:
“Personin që e ke marrë nën mbrojtje ti, e marrim edhe ne!”
Kur i Dërguari i Allahut i shkoi pranë, Zejnebi (r.anha) i tha:
“Ebul Asi është krushk dhe babai i fëmijëve të mi! Prandaj e mora nën mbrojtje!”
Profeti u tha luftëtarëve:
“Po qe se e shihni me vend t’ia jepni mallin mbrapsht, jepjani, përndryshe, ajo është e drejta juaj!”
Luftëtarët i thanë:
“Jo, o i Dërguari i Allahut! Ne do t’ia kthejmë mallrat atij!”
Ebul Asi mori mallrat dhe u kthye në Mekë. Pasi ua dorëzoi mallrat secilit, pyeti:
“O Kurejshë, a mbeti kush pa ia dhënë mallin?”
“Jo, vallahi, askush s’mbeti!” – U përgjigjën ata.
“A e çova në vend premtimin tim për ju?” – I pyeti Ebul Asi.
“Po, vallahi, e çove! Allahu të shpërbleftë me të mira! Ne po e shohim se ti je njeri i ndershëm e i besës!” – I thanë ata.
Ebul Asi u tha:
“Vallahi, gjëja që më pengoi të bëhesha musliman në Medinë para se të vija këtu, ishte se kisha frikë mos mendonit se kisha hyrë në Islam me qëllim për t’i marrë mallrat prapë mallrat tuaja. Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Allahut!”
Dhe u kthye në Medinë te i Dërguari i Allahut!
Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia ktheu Zejnebin atij me kurorën e vjetër apo duke u lidhur një kurorë të re! (Vakidi, II, 553-554; Ibni Sa’d, VIII, 32-33)

Çifutët dhe lufta Beni Kajnuka
(shevval, 2 h. / prill, 624 e.r.)
Hebrenjtë që përbënin në Medinë dhe rrethinat e saj një popullsi mjaft të dendur, kishin kohë që thoshin se arabëve do t'u dërgohej një profet. Mirëpo, meqë pandehnin se ai kishte për të dalë nga mesi i tyre, nuk druheshin ta përhapnin këtë lajm gjithandej me zë të lartë. Ndërkaq, kur profeti i kohës së fundit, Hazreti Muhammed Mustafa (s.a.s.) doli jo prej tyre por prej arabëve, u ndezën nga një zili e madhe. Atëherë e ndërruan fjalën dhe e mohuan profetësinë e tij.
Allahu i Lartë urdhëron kështu për ta:
وَإِذْ أَخَذْنَا مِيثَاقَ بَنِي إِسْرَائِيلَ لاَ تَعْبُدُونَ إِلاَّ الله وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَاناً
 وَذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَقُولُوا لِلنَّاسِ حُسْناً وَأَقِيمُوا
 الصَّلاَةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ ثُمَّ تَوَلَّيْتُمْ إِلاَّ قَلِيلاً مِنْكُمْ وَأَنْتُمْ مُعْرِضُونَ
"Ne morëm fjalën prej jush, bijve të Izraelit, që ta adhuroni vetëm Allahun, të silleni mirë ndaj prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve, që njerëzve t'u thoni fjalë të mira, që ta falni namazin e ta jepni zeqatin, kurse ju, pastaj, e thyet zotimin dhe, përveç një pakice, e kthyet shpinën e u larguat." (el-Bakara, 83) 
بِئْسَمَا اشْتَرَوْا بِهِ أَنْفُسَهُمْ أَنْ يَكْفُرُوا بِمَا أَنْزَلَ الله بَغْياً أَنْ يُنَزِّلُ الله
 مِنْ فَضْلِهِ عَلَى مَنْ يَشَاءُ مِنْ عِبَادِهِ فَبَآؤُوا بِغَضَبٍ عَلَى غَضَبٍ
 وَلِلْكَافِرِينَ عَذَابٌ مُهِينٌ
"Sa keq që e shpenzuan veten duke e mohuar atë që zbriti Allahu, për shkak të zilisë që Allahu u dhuron pejgamber atyre që dëshiron prej robve të vet! E kështu ata merituan ndëshkim mbi ndëshkim. Veçanërisht për mohuesit ka një ndëshkim poshtërues!" (el-Bakara, 90)
Një prej shkaqeve që hebrenjtë janë sjellë kështu, është edhe të dhënët e tyre pas jetës së kësaj bote. Ky aspekt i tyre përshkruhet kështu në Kur'an:
وَلَتَجِدَنَّهُمْ أَحْرَصَ النَّاسِ عَلَى حَيَاةٍ وَمِنَ الَّذِينَ 
أَشْرَكُوا يَوَدُّ أَحَدُهُمْ لَوْ يُعَمَّرُ أَلْفَ سَنَةٍ 
"(O i Dërguar!) Eshtë e sigurt se njerëzit më lakmitarë për këtë jetë ke për t'i gjetur te hebrenjtë, edhe më lakmitarë se idhujtarët madje! Secili prej tyre dëshiron të jetojë një mijë vjet..." (el-Bakara, 96)
Veç kësaj, hebrenjtë tepër të vetëllastuar meqë ishin të fuqishëm materialisht sepse kishin në dorë tregun, e shihnin veten si një fis superior dhe thoshin: 
نَحْنُ أَبْنَاءُ الله وَأَحِبَّاؤُهُ
"…Ne jemi bijtë e Zotit dhe të dashurit e Tij!.." (el-Maide, 18)
Dhe, kur ua kujtonin ndëshkimin hyjnor për shkak të të këqiave që bënin, jepnin një përgjigje të tillë: 
لَنْ تَمَسَّنَا النَّارُ إِلاَّ أَيَّاماً مَعْدُودَ ةً
"…Ne nuk do të na prekë zjarri veçse disa ditë!.." (el-Bakara, 80)
Por Zoti e bëri të ditur në Kur'an se s'kishte për të ndodhur ashtu siç thoshin ata, me këtë ajet:
بَلَى مَن كَسَبَ سَيِّئَةً وَأَحَاطَتْ بِهِ خَطِيـئَتُهُ
حَابُ النَّارِ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ فَأُوْلَـئِكَ أَصْ
"Jo, kush bën një të keqe dhe rrethohet nga e keqja, ata janë për në xhehennem dhe atje kanë për të mbetur përgjithmonë!" (el-Bakara, 81)
Sado që hebrenjtë medinas patën lidhur marrëveshje me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), të karakterizuar nga një armiqësi e vetëdijshme zemërgurtë kundër tij, ata kurrë nuk patën hequr dorë prej kokëfortësisë së tyre historike, prej pabesisë, gënjeshtrës dhe tradhtisë ndaj tij. Ata vepruan gjithmonë përdhunisht dhe paturpësisht. Duke u fryrë mosmarrëveshjeve mes fiseve për interesat dhe perspektivën e vet, ata u morën vazhdimisht me ngatërresa dhe intriga.
Gjendjen e tyre Zoti ua bëri të ditur kështu të Dërguarit dhe besimtarëve:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لاَ تَتَّخِذُوا بِطَانَةً مِن دُونِكُمْ لاَ يَأْلُونَكُمْ خَبَالاً
وَدُّوا مَا عَنِتُّمْ قَدْ بَدَتِ الْبَغْضَاءُ مِنْ أَفْوَاهِهِمْ وَمَا تُخْفِي صُدُورُهُمْ
 أَكْبَرُ قَدْ بَيَّنَّا لَكُمُ الْآيَاتِ إِنْ كُنْتُمْ تَعْقِلُونَ . هَاأَنْتُمْ أُولآءِ تُحِبُّونَهُمْ
 وَلاَ يُحِبُّونَكُمْ وَتُؤْمِنُونَ بِالْكِتَابِ كُلِّهِ وَإِذَا لَقُوكُمْ قَالُوا 
آمَنَّا وَإِذَا خَلَوْا عَضُّوا عَلَيْكُمُ الْأَنَامِلَ مِنَ الْغَيْظِ قُلْ مُوتُوا بِغَيْظِكُمْ
 إِنَّ الله عَلِيمٌ بِذَاتِ الصُّدُورِ . إِنْ تَمْسَسْكُمْ حَسَنَةٌ تَسُؤْهُمْ
 وَإِنْ تُصِبْكُمْ سَيِّئَةٌ يَفْرَحُوا بِهَا وَإِنْ تَصْبِرُوا وَتَتَّقُوا لاَ يَضُرُّكُمْ
 كَيْدُهُمْ شَيْئاً إِنَّ الله بِمَا يَعْمَلُونَ مُحِيطٌ 
"O ju që besuat! Mos i bëni miq të tjerët jashtë mesit tuaj, sepse ata kurrë s'druhen t'ju bëjnë keq juve dhe gjithmonë kërkojnë që ju të bini ngushtë. Në të vërtetë, urrejtja dhe armiqësia e tyre duket nga fjalët që nxjerrin prej goje, kurse armiqësia që fshehin, është më e madhe! Ne jua kemi sqaruar faktet nëse kuptoni!
Ju i doni ata megjithëse ata s'ju duan. Ju u besoni të gjitha librave, kurse ata, kur takohen me ju, thonë "besuam", kurse, kur ndahen prej jush, brejnë majat e gishtave prej marazit. Thuaju: "Plasni prej marazit! Allahu e di mirë se ç'keni ndër zemra!
Në qoftë se juve ju gjen ndonjë e mirë, ata dëshpërohen e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, gëzohen. Në se ruheni e duroni, dredhitë e tyre nuk ju dëmtojnë dot. Pa dyshim, Allahu e njeh tërësisht atë që bëjnë ata!" (Al-i Imran, 118-120)
Ashtu siç bëhet e ditur në këto ajete, hebrenjtë që kishin një qëndrim të përcaktuar qartë ndaj muslimanëve, u shqetësuan shumë prej fitores së tyre në Bedr. Madje, hebrenjtë e fisit Beni Kajnuka shkuan gjer atje sa të merrnin vendim për të luftuar kundër muslimanëve. Ata nuk e respektuan marrëveshjen e nënshtetësisë të nënshkruar me muslimanët!
Tregu çifut, bashkë me Abdullah bin Ubej bin Selul, kreu i hipokritëve dhe miku më i afërt i tyre, u bë kazani ku zienin intrigat e thurura kundër muslimanëve. Ata nuk mendonin asgjë të mirë kundër tyre. Madje edhe jeta e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) ndodhej në rrezik.
Hebrenjtë që e shtuan shumë dashakeqësinë e tyre, një ditë i ranë në qafë një gruaje muslimane që kërkonte të blinte diçka tek një argjendar i tregut të tyre. Thirrjet e gruas tërhoqën vëmendjen e një muslimani që po kalonte rastësisht andej, i cili i shkoi në ndihmë gruas e kështu nisi grindja. Muslimani e vrau çifutin, kurse çifutët e tjerë të mbledhur aty, e vranë muslimanin. Situata qe acaruar shumë. Marrëveshja e bërë ishte hedhur poshtë krejtësisht. Nisur nga kjo, Profeti mblodhi çifutët e u tha:
"O ju hebrenj! Kini frikë Allahun, përndryshe, dijeni se edhe ju do të pësoni fatkeqësi si politeistët në Bedr, prandaj bëhuni muslimanë! Ju e dini mirë se unë jam një pejgamber i dërguar! Këtë e shihni në librin tuaj dhe në premtimin e Allahut për ju!”
Me këto fjalë, Profeti edhe i kërcënoi çifutët, edhe u tregoi se s'donte ta prishte paqen. Pastaj u propozoi ta përsërisnin marrëveshjen. Por përgjigjja e çifutëve të paturpshëm qe e paturpshme:
"O Muhammed! A mos na pandehe ti ne si kurejshët që s'dinë se ç'është lufta? Ne jemi luftëtarë më të ashpër se ta. Kur të ngrihesh e të luftosh kundër nesh, ke për ta kuptuar se ç'është lufta!"
Atëherë, Zoti zbriti këtë ajet:
قُلْ لِلَّذِينَ كَفَرُوا سَتُغْلَبُونَ وَتُحْشَرُونَ إِلَى جَهَنَّمَ وَبِئْسَ الْمِهَادُ .
 قَدْ كَانَ لَكُمْ آيَةٌ فِي فِئَتَيْنِ الْتَقَتَا
“Thuaju atyre qafirëve mohues: “Patjetër ju do të pësoni disfatë dhe do të mblidheni e do ta mbushni xhehennemin! Ç’shtrat e keq që është ai vend! Nga gjendja e dy grupeve që u përleshën (në Bedër), për ju ka një mësim të madh!..” (Al-i Imran, 12-13)147
Ndërsa në kohë të Hz. Musait, çifutët e patën kundërshtuar një luftë që do t'u siguronte një fitim hyjnor, duke i thënë atij, 
فَاذْهَبْ أَنْتَ وَرَبُّكَ فَقَاتِلاَ إِنَّا هَاهُنَا قَاعِدُونَ 
"…Shko e luftoni ti bashkë me Zotin tënd se ne do t’ju presim këtu” (el-Maide, 24), 
tani, në kundërshtim të plotë me të parët e vet, e kërkonin vetë me dëshirë dhe guxim të marrë një luftë që do të ishte në dëm të tyre! 
Kështu, çifutët që, në fakt, u kishin shpallur luftë muslimanëve qysh në çastin kur e kishin prishur marrëveshjen, me këtë veprim e nxorën krejt sheshit qëllimin e tyre plot maraz. I ndodhur para një situate të tillë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e bëri sanxhaktar Hz. Aliun dhe i sulmoi hebrenjtë Kajnuka që u mbyllën në fortesat e tyre. Megjithëse thurën shumë plane së bashku me hipokritët kundër muslimanëve, as mundën të dilnin jashtë kalave, as edhe të shtinin ndonjë shigjetë kundër tyre. Sepse, nga njëra anë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i mbante në një rrethim shumë të rreptë ata dhe, nga ana tjetër, kishte marrë të gjitha masat për të parandaluar një kryengritje të mundshme të hipokritëve.
Tërheqjen dhe mbylljen nëpër kala ua pati rekomanduar çifutëve kryehipokriti Abdullah bin Ubeji duke i siguruar se do të ndodhej bashkë me ta. Mirëpo, nga frika, kryehipokriti nuk i qëndroi dot fjalës dhe i la vetëm ata!
Rrethimi vazhdoi për pesëmbëdhjetë ditë. Më në fund, hebrenjtë që s'bënë dot asgjë, u pushtuan nga një frikë e madhe dhe, kur s'u erdhi as ndihma e pritur, s'u mbeti veçse të kërkonin mëshirë dhe iu nënshtruan dënimit që do t'u jepte i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
Abdullah bin Ubej, kreu i hipokritëve, i cili i përkiste fisit Hazrexh, kërkoi falje në emër të hebrenjve kajnukas që ndodheshin nën mbrojtjen e fisit Hazrexh, sepse, sipas traditës, ata duheshin ekzekutuar. 
Por, pas këmbënguljeve për falje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk i ekzekutoi ata por, si ndëshkim, i përzuri në drejtim të Sirisë. Kur arritën në Vadil Kura, qëndruan dhe mbetën një muaj aty. Çifutët e Vadil Kurasë u dhanë këmbësorëve të tyre kafshë udhëtimi dhe, të gjithëve, ushqim për rrugë. Pastaj kajnukasit u nisën për udhë, por edhe atje ku shkuan, jetuan për një kohë të shkurtër.148

Lufta e Sevikut (dhilhixhe, 2 h. / maj, 624 e.r.)
Pas vdekjes së Ebu Xhehlit, në krye të Kurejshve u vu Ebu Sufjani. Ky, duke u betuar se do të merrte shpagim për disfatën e Bedrit, mori dyqind kalorës dhe doli menjëherë nga Meka, por, ama, me frikë dhe arriti në një vend një orë nga Medina. Pastaj, duke përfituar nga errësira e natës, përparoi gjer në vendbanimin e çifutëve Beni Nadr. Ebu Sufjani hyri në shtëpinë e prijësit të tyre dhe përgjegjësit të thesarit, Sellam bin Mishkem.  Sellami e priti me shumë respekt dhe e gostiti. Ai i dha Ebu Sufjanit të dhëna mbi disa çështje të fshehta të muslimanëve. 
Pasi doli që atje, Ebu Sufjani shkoi tek shokët e vet, vrau Sa'd bin Amrin nga ensarët dhe u dha zjarr disa hurmave. Duke menduar se me ato veprime e kishte zbatuar betimin që kishte bërë dhe duke patur frikë se mos ndiqej, menjëherë u kthye pas. I informuar për situatën, i Dërguari i Allahut doli në ndjekje të tij. Për të ikur lehtë, politeistët lanë pa marrë disa thasë me miell të fërguar që i thoshin “sevik”. Lidhur me këtë fakt, kjo luftë u quajt “Lufta e Sevikut”.149
Mirëpo, pasi dëgjoi se Profeti u vu në lëvizje, u kthye nga kish ardhur duke lënë pas thasë të mbushur plot me miell të fërguar (sevik). Prandaj kjo fitore u quajt "Fitorja e Miellit të Fërguar".

Martesa e Hz. Aliut me Hz. Fatimen
Përsëri, në vitin e dytë të hixhretit, ndodhi martesa e Hz. Aliut (r.a.) me vajzën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Fatime (r.anha). 
Hz. Fatimenë e patën kërkuar më parë shumë vetë, nga të cilët edhe prej parësisë Kurejshe, si Hz. Ebu Bekr dhe Hz. Omer, por i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati thënë:
“Unë për të pres vendimin hyjnor!”
Për këtë shkak, me gjithë nxitjet dhe inkurajimet e të Bijve Hashim si farefis që i kishte, Hz. Aliu (r.a.) nuk e merrte dot iniciativën. Megjithëkëtë, pas një farë kohe, me këmbënguljen e të afërmve, ai doli para të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) për këtë çështje.150
Hz. Aliu e tregon kështu vazhdimin e ngjarjes:
Më në fund, dola para të Dërguarit të Allahut. Ishte krejt serioz dhe impresionues. Iu ula përballë dhe heshta. S’qeshë i zoti të flisja! Ai më tha:
“Pse erdhe, a mos ke ndonjë nevojë? Siç duket, ke ardhur për ta kërkuar Fatimen!”
“Po!” – Munda t’i thosha unë!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, III, 379) 
Me pëlqimin e Profetit (a.s.), Hz. Aliu (r.a.) shiti disa plaçka dhe përgatiti 480 dërhem mehr, garanci kurore. I Dërguari i Allahut i tha që me dy të tretat e shumës të blinte erëra të mira, kurse me një të tretën, të blinte rroba.151
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dha Fatimes (r.anha) si pajë një mbulesë kadifeje, një enë uji dhe një minder të mbushur me një lloj bari.152 Kurse Bilal Abisinasit i tha të përgatiste ushqim:
“O Bilal, unë dëshiroj që të bëhet zakon që, me rastin e martesës, ummeti im të japë gosti!”
Atëherë, Hz. Aliu ia la peng parzmoren një çifuti për të marrë gjysmë shiniku elb. Gostia e dasmës (velime) përbëhej prej një ëmbëlsire të njohur si “hajs”153. Muhaxhirët dhe ensarët shkuan grupe-grupe për të ngrënë ëmbëlsirë. (Ibni Sa’d, VIII, 23; Abdurrezak, V, 487; Dijarbekri, I, 411)
Profeti çoi të sjellin ujë në një enë dhe mori abdest. Pastaj e thirri Hz. Aliun. Nga uji i abdestit i spërkati në gjoks dhe mes supeve. Pastaj e thirri Hz. Fatimen (r.anha). Pasi i bëri të njëjtën gjë edhe asaj, i tha se i kishte vënë kurorë me njeriun më të dobishëm të familjes. Pastaj u lut për të dy duke u qëndruar një herë para e, një herë pas:
“Allahu im! Mbështetem tek ti nga shejtani i përzënë, për të dhe pasardhësit e saj!” (Ibni Sa’d, VIII, 24; Dijarbekri, I, 411)
Duke bërë ndarjen e punëve shtëpiake, të bijës Fatime i këshilloi punët e shtëpisë, kurse të dhëndrrit, Ali, punët jashtë shtëpisë.154
Usame bin Zejdi (r.a.) tregon:
“Po rrija pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Aliu dhe Abbasi (r.anhuma) erdhën dhe kërkuan leje për të hyrë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) më pyeti:
“Pse kanë ardhur, a e di?”
“Jo, s’e di!” – I thashë.
“Por unë e di, prandaj jepu leje të hyjnë!” – Më tha. I thirra brenda dhe ata hynë. Si u ulën, i thanë:
“O i Dërguari i Allahut, erdhëm të të pyesim se kush është për ty njeriu më i dashur nga njerëzit e shtëpisë!”
“Fatime binti Muhammed!” – U përgjigj i Dërguari i Allahut.
Ata i thanë:
“Nuk pyesim se kë do më shumë nga njerëzit e gjakut, por nga të tjerët jashtë tyre!”
I Dërguari i Allahut iu përgjigj:
“Më i dashuri për mua nga njerëzit e afërt është Usame, të cilin e ka begatuar Allahu (duke e favorizuar me orientimin në rrugën e drejtë) dhe të cilit unë i kam bërë mirësi (duke i dhënë lirinë dhe birësuar)!” 
“Mirë, po pastaj, kush?”
“Aliu!” – Tha i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Atëherë, i ungji Abbas (r.a.) i tha:
“O i Dërguari i Allahut, tët ungj e le mu në fund!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu përgjigj:
“Në hixhret, Aliu veproi para teje!” (Tirmidhi, Menakib, 40/3819)
Ibni Abbasi (r.anhuma) tregon kështu:
“Profeti bëri tri vija në tokë dhe na pyeti:
“A e dini se pse i bëra këto vija?”
“Allahu dhe i Dërguari e di!” – Thanë sahabet.
“Për të treguar se gratë më të virtytshme të xhennetit janë Hatixhe binti Huvejlid, Fatime binti Muhammed, Merjem binti Imran dhe gruaja e Faraonit, Asije binti Muzahim!” – Tha Profeti. (Ahmed, I, 293)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tregonte korrektesë të veçantë në çështjen e arsimimit, edukimit moralo-shpirtëror dhe përgatitjen për në jetën e amshuar të pjesëtarëve të familjes. Për shembull, pasi zbriti ajeti në vijim, 
يَا نِسَاءَ النَّبِيِّ لَسْتُنَّ كَأَحَدٍ مِنَ النِّسَاءِ إِنِ اتَّقَيْتُنَّ فَلَا تَخْضَعْنَ 
بِالْقَوْلِ فَيَطْمَعَ الَّذِي فِي قَلْبِهِ مَرَضٌ وَقُلْنَ قَوْلاً مَعْرُوفاً .
 وَقَرْنَ فِي بُيُوتِكُنَّ وَلَا تَبَرَّجْنَ تَبَرُّجَ الْجَاهِلِيَّةِ الْأُولَى وَأَقِمْنَ الصَّلَاةَ
 وَآتِينَ الزَّكَاةَ وَأَطِعْنَ الله وَرَسُولَهُ إِنَّمَا يُرِيدُ الله لِيُذْهِبَ عَنْكُمُ
 الرِّجْسَ أَهْلَ الْبَيْتِ وَيُطَهِّرَكُمْ تَطْهِيراً 
“O gratë e Pejgamberit! Ju nuk jeni si të gjitha gratë. Po qe se frikësoheni (nga Allahu), mos bisedoni me një pamje tërheqëse (ndaj meshkujve të huaj), se, pastaj, personi me sëmundje në zemër bëhet me shpresë. Thoni fjalë të mira! Dhe qëndroni nëpër shtëpi duke ruajtur seriozitetin tuaj dhe jo të dilni të stolisura siç ndodhte në kohën e injorancës! Falni namaz dhe jepni zeqat. Dhe bindiuni Allahut dhe të Dërguarit! O Ehli Bejt, Allahu kërkon nga ju vetëm t’i fshini mëkatet dhe, kështu, t’ju bëjë të pastër!” (el-Ahzab, 32-33), i Dërguari i Allahut (s.a.s.), gjatë gjashtë muajve me radhë, duke shkuar për në namazin e mëngjesit, afrohej te porta e Hz. Fatimes dhe u bënte zë kështu:
“Ngrihuni në namaz, o Ehli Bejt! Allahu kërkon nga ju vetëm t’i fshini mëkatet dhe, kështu, t’ju bëjë të pastër!” (Tirmidhi, Tefsir, 33/3206)
Gjithashtu, për namazin tehexhxhud si një nga kapitalet më me rëndësi të jetës së amshuar, Profeti, disa net, trokiste në portën e Hz. Aliut dhe Fatimesë duke u bërë zë kështu:
“A nuk do të falni namaz?” (Buhari, Tehexhxhud, 5)
Në lidhje me këtë çështje, Hz. Aliu (r.a.) përcjell këtë ngjarje që të tërheq vëmendjen:
“Fatimja ishte, për të atin, njeriu më i dashur i familjes. Meqë bluante me gurët e mullirit të dorës i hapeshin plagë në duar; meqë bartte ujë me calik, i hapeshin plagë në zverk, kurse nga fshirja e shtëpisë bëhej tërë pluhur. Një rast, të Dërguarit të Allahut i kishin sjellë disa robër. Unë i thashë Fatimes:
“Pse nuk shkon tek yt atë t’i kërkosh një shërbëtore?”
Fatimja shkoi, e pa se Profeti (a.s.) ishte duke biseduar me disa njerëz dhe u kthye. Të nesërmen, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi vetë te Fatimja dhe e pyeti:
“Ime bijë, ç’nevojë pate?”
Fatimja ndenji e heshtur pa i dhënë përgjigje. Atëherë ndërhyra unë duke i thënë të Dërguarit të Allahut se do t’ia shpjegoja unë çështjen. Pasi ia shpjegova, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“O Fatime! Ki frikë nga Allahu dhe kryeji detyrimet ndaj Allahut! Dhe bëji punët e shtëpisë! Kur të biesh në shtrat, thuaj tridhjetë e tri herë “Subhanallah”, tridhjetë e tri herë “Elhamdulil’lah” dhe tridhjetë e katër herë “Allahu ekber”! Të gjitha bëjnë njëqind. Kjo është për ty më e mbarë se marrja e shërbëtorit!”
Fatimja (r.anha) i tha:
“Jam e kënaqur me Allahun dhe me të Dërguarin e Allahut!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk i dha shërbëtore.” (Ebu Davud, Haraxh, 19-20/2988)
Sipas një rivajeti (rrëfimi) tjetër, Profeti ka shtuar edhe këto fjalë:
“Vallahi, kur shokët e Sofatit lidhin gurë në bark nga uria, kurse unë nuk gjej gjë për t’u dhënë, nuk mund t’ju jap shërbëtor juve! Unë do të marr kundërshpërblim për robërit dhe këto të ardhura do t’i shpenzoj për shokët e Sofatit.” (Ahmed, I, 106)
Liberti i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Thevbani (r.a.) tregon:
“Kur i Dërguari i Allahut do të nisej për udhëtim, të fundit nga njerëzit e familjes përshëndeste Fatimen (r.anha). Kurse kur kthehej, njeriu i parë që takonte ishte përsëri Fatimja! 
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte kthyer përsëri nga një udhëtim. Ndërkohë, Fatimja kishte varur para derës një perde, kurse Hasanit dhe Hysenit u kishte vënë nga një byzylyk argjendi. Profeti shkoi gjer te shtëpia e Fatimes, por nuk hyri brenda. Fatimja e kuptoi se shkaku i moshyrjes së të Dërguarit të Allahut ishin gjërat që kishte parë. Menjëherë e hoqi perden, po ashtu, ua nxori fëmijëve byzylykët. Ajo u la vetëm një byzylyk të dyve. Hasani dhe Hyseni shkuan te i Dërguari i Allahut duke qarë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i mori byzylykët dhe më tha:
“O Thevban, këto çoja filan familjeje! Hasani dhe Hyseni janë të familjes sime. Nuk dua që dhuntitë që ka për t’u dhuruar Allahu, të përdoren dhe shpenzohen në jetën e kësaj bote! O Thevban! Bliji Fatimes një byzylyk prej kocke, po ashtu, edhe dy byzylykë kocke për fëmijët!” (Ebu Davud, Terexhxhul, 21/4213)

Ehli Bejti dhe dashuria për Ehli Bejtin
Ehli Bejt do të thotë “njerëzit e shtëpisë” ose, thjesht, “të shtëpisë”155. Për Profetin, ky cilësim përmbledh të gjithë pjesëtarët e familjes së tij. Në këtë kuptim, Ehli Bejt janë Profeti dhe familja e tij, Aliu, Xhaferi, Akili, Abbasi dhe familjet e tyre. Ashtu siç është domosdoshmëri fetare për të gjithë muslimanët që të shprehin salat dhe selam për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), domethënë, t’i luten Zotit për mëshirë dhe paqe për të, ashtu dhe është detyrë e të gjithë muslimanëve të jenë të lidhur me respekt dhe dashuri me Ehli Bejtin.156
Ehli Bejti i të Dërguarit të Allahut, pra, pjesëtarët e shtëpisë profetike, e kanë të ndaluar (haram, të ndaluar e të pabekuar) të marrin zeqat. Një ditë, Profeti (s.a.s.) vuri re se Hz. Hasani futi në gojë një kokërr hurmë nga zeqati i mbledhur për thesarin e shtetit. Profeti ndërhyri menjëherë duke i kërkuar ta nxirrte prej goje dhe duke ia tërhequr vëmendjen me këto fjalë:
“A nuk e di ti se familja e Muhammedit nuk ha zeqat?” (Buhari, Zekat, 57; Ahmed, I, 200)
Zejd bin Erkam (r.a.) ka thënë kështu: 
“Një ditë, pranë oazit Hum mes Mekës dhe Medinës, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u ngrit në këmbë dhe na mbajti një fjalë. Pasi e lavdëroi dhe e falenderoi Allahun, na dha këshilla dhe, në fund, na tha:
“O njerëz! Edhe unë jam njeri. Së afërmi, përfaqësuesi i Zotit tim do të më vijë edhe mua dhe unë do t’i përgjigjem ftesës së tij e do të shkoj. Po ju lë juve dy gjëra me rëndësi. Njëra është Kur’ani, libri i Allahut, si dritë dhe orientues për njeriun. Kapuni fort pas tij…”
Profeti (a.s.) na dha porosi se si të kapeshim e të mbaheshim fort pas Kur’anit. Pastaj e vazhdoi fjalën kështu:
“Po ju lë edhe Ehli Bejtin tim. Kini frikë Allahun dhe silluni me respekt ndaj Ehli Bejtit tim! Kini frikë Allahun dhe silluni me respekt ndaj Ehli Bejtit tim!”
E pyetën Zejdin:
“Kush janë Ehli Bejti i Pejgamberit, o Zejd? A nuk janë edhe gratë e tij, të Ehli Bejtit?”
“Edhe gratë e tij janë të Ehli Bejtit, por Ehli Bejti i vërtetë i tij janë ata persona pas tij të cilët, gjithashtu, do ta kenë haram të marrin sadaka!” – U përgjigj Zejdi.
“Po kush janë ata që e kanë e do ta kenë haram të marrin sadaka?” – E pyetën Zejdin.
“Familjet e Aliut, Akilit, Xhaferit dhe Abbasit!” – U përgjigj Zejdi. (Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 36)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka theksuar kështu:
“Duajeni Allahun pse ju ka pajisur me dhunti. Duamëni mua pse e doni Allahun. Dhe duajeni Ehli Bejtin tim pse më doni mua!” (Tirmidhi, Menakib, 31/3789)
Gjithashtu, një ditë, Profeti, i ka kapur për dore nipërit e tij të bekuar, Hasanin dhe Hysenin, dhe ka thënë:
“Kush më do mua, këta të dy, babanë dhe nënën e këtyre, ditën e kiametit do të jetë bashkë me mua!” (Tirmidhi, Menakib, 20/3733)
Sahabet ushqenin respekt dhe dashuri të madhe për të afërmit e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Sepse ai që do dikë, i do, në raport me atë dashuri, edhe miqtë e njeriut të dashur, shërbyesit e tij, ushqimet që ka ngrënë dhe rrobat që ka veshur ai, shkurt, çdo gjë që ka lidhje me të dhe që ia kujton atë! Duke u shtuar dashuria për të, ajo dashuri i ngjitet çdo gjëje që ndodhet përreth dhe në mjedisin e njeriut të dashur!
Ja, pra, edhe të nderuarit sahabe të zgjedhur, të cilët e deshin të Dërguarin e Allahut më shumë se jetën, kur dikush nga të afërtit e të Dërguarit të Allahut do të hipte në kalë, menjëherë afroheshin dhe ia mbanin yzengjinë.157 Ngaqë e dinin se ditën e kiametit do të këputeshin të gjitha lidhjet farefisnore dhe do të mbeteshin vetëm ato që kishin lidhje me të, e dëshironin me gjithë shpirt të martoheshin me një nga të afërmit e Profetit për të krijuar lidhje farefisnore me të.158
Njerëzit e prejardhur nga brezi i pastër i të Dërguarit të Allahut, vazhdojnë të jetojnë në ditët tona në vende të ndryshme të botës islame. Pasuesit e brezit të Hysenit (r.a.) quhen “sejjid” (zotërinj, fisnikë), kurse pasuesit e brezit të Hasanit (r.a.) quhen “sherif” (të nderuar, të respektuar). Osmanët u thoshin sejjidëve “emir” (prijës, sundimtar) dhe çallmës jeshile që mbështillnin kokës, “çallmë emiri”. Edhe gratë pasardhëse nga brezi i Profetit, vinin në ballë një shenjë jeshile.
Osmanët e konsideronin shërbimin ndaj Ehli Bejtit detyrë të çmuar dhe, për këtë, krijuan një emërtesë zyrtare. Në shtetin osman, nëpunësit zyrtarë që merreshin me punët e Ehli Bejtit, titulloheshin nakibuleshraf (shef i brezit profetik). Nakibuleshraf zgjidheshin nga brezi i Profetit dhe administronin të gjitha punët e Ehli Bejtit, plotësonin të gjitha të dhënat gjenealogjike së bashku me shënimin e lindjeve dhe vdekjeve, pengonin hyrjen e tyre në profesione sidokudo, u shpërndanin pjesën nga të ardhurat e fituara (jo të dhuruara) të shtetit, nuk lejonin që femrat e tyre të martoheshin me meshkuj që s’i përkisnin sërës së tyre.159
Duke i përkitur emërtesës së trashëgimtarit të përgjithshëm të të bijve të Profetit, nakibuleshraf zinin njërin prej pozitave më të larta si rrjedhojë e nderimit ndaj detyrës që kryenin, dhe merrnin pjesë në radhë të dytë nën kalifin në hierarkinë komplementare-morale. Në ceremonitë e fronëzimit sulltanor, nakibuleshraf ishin të parët që i paraqisnin besnikërinë sundimtarit dhe bënin lutje për të, pastaj vinin me radhë personalitetet e tjerë. Edhe në urimet e bajrameve, përparësia u përkiste nakibuleshrafëve. Në të dy rastet e urimeve, sundimtari ngrihej në këmbë para tyre.
Në rastet kur sejjidët dhe sherifët vepronin në kundërshtim me ligjet dhe zakonet, ata të Stambollit dënoheshin nga nakibuleshrafi, kurse ata të periferisë, nga kajmekami. Ceremonia e dënimit bëhej kështu: Në fillim, personit i hiqej çallma jeshile dhe puthej. Pastaj, pasi personi e vuante dënimin, çallma i kthehej prapë.

VITI I TRETE I HIXHRETIT
Një luftë e mbushur plot pësime mësimdhënëse:LUFTA E UHUDIT
(7 shevval, 3 h. / 23 mars, 625 e.r.)
Si Bedri, edhe Uhudi160 është një luftë e tmerrshme e bërë me politeistët mekas. Ka ndodhur në muajin shevval të vitit të tretë të hixhretit. 
Pas disfatës së Bedrit, politeistët mekas i kishte mbështjellë një zi e madhe. Secili kishte humbur një të afërm, prandaj ishte i mbushur me lakminë e egër për t’ia marrë shpagimin. Në krye të tyre ndodhej edhe Hindi, gruaja e Ebu Sufjanit, kryetarit të ri të fisit Kurejsh. Si rezultat, pa kaluar shumë kohë, u përgatit një ushtri politeistësh prej tre mijë vetësh që u digjej zemra me zjarrin e shpagimit. Për pajisjen e ushtrisë u përdorën mallrat e karvanit që Ebu Sufjani mundi ta shpëtonte në luftën e Bedrit. U kërkua edhe ndihma e arabëve përreth.161 
Në këtë mes, i ungji i Profetit (s.a.s.), Abbasi, e lajmëroi Medinën për gjithçka po ndodhte.162 Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) mblodhi menjëherë kuvendin e luftës. Ai zhvilloi një këshillim mbi çështjen nëse duhej qëndruar në Medinë për të bërë luftë mbrojtëse, apo duhej dalë jashtë për të bërë luftë sulmuese. Ai vetë ishte përkrahës i luftës mbrojtëse.163
Mirëpo sipas mendimit të të rinjve që nuk kishin marrë dot pjesë në luftën e Bedrit, dhe të trimave si Hz. Hamzai që përbënin shumicën, u vendos të dilej jashtë Medinës për të bërë luftë sulmuese.164 Për më tepër, një pjesë e tyre thanë:
“Ne e prisnim me padurim një ditë të tillë!”
Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) hyri në dhomën e vet dhe veshi parzmoren. Vetëm se, gjatë kësaj kohe, përkrahësit e luftës mbrojtëse në Medinë i bindën të tjerët. Mirëpo Sa’d bin Muadhi me Usejd bin Hudajrin u thanë:
“Megjithëse i Dërguari i Allahut s’deshte të dilte nga Medina, ju ngulët këmbë në të kundërtën. Mirëpo atij i zbret urdhri nga qielli! Ju lërjani këtë punë atij dhe bëni ç’t’ju urdhërojë ai!” (Vakidi, I, 213-214)
Dhe ata vrapuan menjëherë te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i thanë:
“O i Dërguari i Allahut, ne nuk dalim kundër mendimit tënd. Ne bëmë gabim! Vepro ashtu siç dëshiron!”
Përgjigjja e të Dërguarit të Allahut qe e prerë:
“Pasi një profet ta veshë parzmoren, nuk e heq pa bërë luftë! Ju shihni të bëni ashtu siç ju urdhëroj! Pra, shkoni me emrin e Allahut! Po qe se bëni durim dhe e kryeni detyrën, Allahu prapë juve ka për t’jua dhuruar fitoren!” (Vakidi, I, 214; Ibni Sa’d, II, 38)
Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), menjëherë pas namazit të xhumasë, la zëvendës në Medinë Abdullah bin Umm-i Mektumin dhe doli në rrugë me një ushtri prej një mijë vetësh. Por në rrugë, pasi koka drejtuese e hipokritëve dhe hezitantëve, Abdullah bin Ubeji me treqind përkrahësit e vet u kthyen mbrapsht, numri i ushtarëve të ushtrisë islame ra në shtatëqind vetë. Këtë ngjarje, Zoti e njoftoi duke zbritur këtë ajet:
وَمَا أَصَابَكُمْ يَوْمَ الْتَقَى الْجَمْعَانِ فَبِإِذْنِ الله وَلِيَعْلَمَ الْمُؤْمِنِينَ
وَلْيَعْلَمَ الَّذِينَ نَافَقُوا وَقِيلَ لَهُمْ تَعَالَوْا قَاتِلُوا فِي سَبِيلِ الله أَوِ ادْفَعُوا
 قَالُوا لَوْ نَعْلَمُ قِتَالاً لاَ تَّبَعْنَاكُمْ هُمْ لِلْكُفْرِ يَوْمَئِذٍ أَقْرَبُ مِنْهُمْ 
يَكْتُمُونَ لِلإِيمَانِ يَقُولُونَ بِأَفْوَاهِهِم مَا لَيْسَ  فِي قُلُوبِهِمْ وَاللّٰهُ أَعْلَمُ بِمَا َ 
“Ato që ju ranë në kokë juve atë ditë kur u përballën dy ushtritë, kanë ndodhur vetëm me lejen e Allahut, me qëllim për t’i veçuar besimtarët dhe për t’i nxjerrë në shesh hipokritët. Kur këtyre u thuhet “ejani, luftoni ose mbrohuni në rrugën e Allahut”, thonë: “Të dinim të luftonim, do t’ju ndiqnim pas!” Atë ditë ata qenë më afër mohimit se besimit. Me gojë thoshin jo ato që kishin në zemër. Mirëpo Allahu e di më mirë se çfarë fshehin!” (Al-i Imran, 166-167)
وَإِذْ غَدَوْتَ مِنْ أَهْلِكَ تُبَوِّئُ الْمُؤْمِنِينَ مَقَاعِدَ لِلْقِتَالِ وَاللّٰهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ 
 إِذْ هَمَّتْ طَآئِفَتَانِ مِنْكُمْ أَنْ تَفْشَلاَ وَاللّٰهُ وَلِيُّهُمَا 
 وَعَلَى الله فَلْيَتَوَكَّلِ الْمُؤْمِنُونَ 
“(O i Dërguar!) Ti ishe larguar nga familja herët në mëngjes për t’i vendosur besimtarët në pozicionet e luftës. Allahu dëgjon dhe di me të vërtetë. Atë kohë, dy grupe nga mesi juaj kishin filluar të prisheshin. Por Allahu ishte ndihmëtari i tyre. Besimtarët të besojnë dhe të mbështeten vetëm te Allahu!” (Al-i Imran, 121-122)
Në një vështrim, ndarja e hipokritëve nga ushtria u bë një favor hyjnor. Sepse, me sjelljen e tyre, ushtria nuk u dobësua, përkundrazi, u pastrua nga zemrat dyfytyrëshe dhe frikacake që kishte brenda, duke u bërë, kështu, më e gjallë e më e qëndrueshme moralisht e shpirtërisht! Tradhtia e tyre gjatë betejës mund të bëhej më e rrezikshme, mund ta trondiste moralin e besimtarëve.

Pasioni i sahabeve për të rënë dëshmor
Ensari Amr bin Xhemuh, kryetari i fisit Bijtë Selime, ishte topall. Katër djemtë që kishte, merrnin pjesë në luftë së bashku me të Dërguarin e Allahut. Kur Profeti do të dilte për në luftën e Uhudit, edhe Amri deshi të merrte pjesë. Të bijtë i thanë:
“Ti nuk ke përgjegjësi për të marrë pjesë në luftë. Allahu i Lartë të ka pranuar si të justifikuar. Në vend tënd po shkojmë ne!”
Amri u tha:
“Ditën e Bedrit ju m’u bëtë pengesë për të hyrë në xhennet. Vallahi, edhe sikur të mbetem gjallë sot, një ditë kam për të rënë dëshmor e kam për të hyrë në xhennet!” Pastaj iu kthye të shoqes:
“Ndërsa çdokush bie dëshmor e hyn në xhennet, a mos vallë unë do të rri pranë teje?”
E mori menjëherë mburojën dhe, pasi u lut “Allahu im, mos më kthe prapë në familjen time”, shkoi pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), të cilit i tha:
“Djemtë kërkojnë të më lënë në Medinë. Më pengojnë të dal në luftë me ty. Vallahi, unë dëshiroj të shkel këmbën në xhennet kështu topall siç jam!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“Allahu i Lartë të ka parë të justifikuar. Xhihadi nuk është detyrim për ty!”
Amri (r.a.) i tha:
“O i Dërguari i Allahut! A nuk e sheh me vend ti që unë të luftoj gjer në vdekje në rrugën e Allahut dhe pastaj të ec me këtë këmbë topalle në xhennet?” Profeti ynë famëmadh i tha:
“Po, e shoh me vend!” Kurse të bijve të Amrit u tha kështu:
“Tashmë mos e pengoni më babanë tuaj nga lufta, se, ndoshta, Allahu ia mundëson të bjerë dëshmor!”
Amri u kthye nga kiblja dhe bëri këtë lutje:
“Allahu im! Bëma të mundur të bie dëshmor! Mos më kthe prapë te njerëzit e familjes të mërzitur e të dëshpëruar!” Dhe mori pjesë në luftë.
Ky sahabi i mbushur plot me emocionin e rënies dëshmor, që mori pjesë në luftën e Uhudit, gjatë betejës thoshte “vallahi, unë kam mall për xhennetin” dhe, më në fund, së bashku me njërin nga të bijtë që përpiqeshin ta mbronin, ra dëshmor. Më pas, Profeti i dashur tha kështu për të:
“Betohem në Allahun që ka qenien time në dorë, se e pashë Amrin tek po ecte në xhennet duke çaluar!” (Vakidi, I, 264-265; Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, IV, 208)
***
Kur do të dilte për në luftën e Uhudit, Profeti po inspektonte ushtrinë. Të rinjtë e moshës që mund të merrnin pjesë në luftë i lejonte, kurse të paaftët, i kthente prapë. Mes të kthyerve ishin edhe Themure bin Xhundeb dhe Rafi bin Hadixh. Dhuhejr bir Rafi tha:
“O i Dërguari i Allahut, Rafiu qëllon mirë me shigjetë!” Ai deshi që Rafi bin Hadixhi të mos largohej nga ushtria. Rafi bin Hadixhi e tregon kështu vazhdimin e ngjarjes:
“Në këmbë kisha meste. Duke shkelur në majë të gishtave, u përpoqa të dukesha i gjatë. Dhe i Dërguari i Allahut më dha leje të qëndroja në ushtri. Me ta dëgjuar se mua më ishte dhënë leje, Themure bin Xhundeb i tha njerkut të vet, Murej bin Sinan:
“Baba, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dha leje Rafiut, kurse mua më ktheu prapë. Mirëpo unë mund ta mundja atë në mundje!” Murej (r.a.) tha:
“O i Dërguari i Allahut! Djalin tim e ktheve, kurse Rafiut i dhe leje. Mirëpo im bir e mund Rafiun në mundje!” I Dërguari i Allahut na tha Themures dhe mua:
“Ejani, bëni mundje, t’ju shohim!”
U mundëm dhe, si përfundim, Themure më mundi. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dha leje edhe atij.” (Taberi, Tarih, II, 505-506; Vahidi, I, 216)
***
Profeti (s.a.s.) e vendosi ushtrinë me shpinë nga mali Uhud. Në Kodrën Ajnejn vendosi pesëdhjetë shigjetarë kundër mundësisë së sulmit të armikut nëpër luginën në mes. U caktoi në krye Abdullah bin Xhubejrin dhe i porositi kështu:
“Ju do të na mbroni shpinën. Pavarësisht nëse armiku del fitues apo mundet, ju s’duhet të lëvizni nga vendi pa lejen time!” (Ibni Hisham, III, 10; Ahmed, I, 228)
Siç ishte zakon, lufta filloi përsëri me duele. Luani i Allahut, Hz. Aliu, e shtriu përtokë me një goditje flamurtarin e politeistëve, Talhanë. Vëllanë e Talhasë, Osmanin, i cili mori flamurin e Kurejshve, e vrau Hz. Hamzai, kurse flamurtarin e tretë e vrau Sa’d bin Ebi Vakkas.
Më në fund, lufta nisi me tërë ashpërsinë. Kur përleshja ishte nxehur mirë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke ngritur lart shpatën e vet mbi të cilën ishte shkruar “në frikë ka turp dhe turpërim, kurse në sulm ka nder dhe dinjitet”, pyeti:
“Kush e merr këtë prej meje?”
Sahabet zgjatën duart për ta marrë duke thirrur: “Unë! Unë!”
Mirëpo, kur Profeti (a.s.) pyeti se “kush e merrte shpatën për t’ia dhënë hakun”, u druajtën ta merrnin. Ensari Ebu Duxhane (r.a.) u ngrit në këmbë dhe e pyeti:
“Ç’është haku i saj, o i Dërguari i Allahut?”
Profeti iu përgjigj:
“Haku i saj është të përleshesh me armikun gjersa të shtrembërohet…”
Ebu Duxhane i tha:
“Unë e marr, o i Dërguari i Allahut, për t’ia dhënë hakun!”
Ebu Duxhane e mori shpatën, nxori çallmën e kuqe dhe e lidhi rreth kokës dhe filloi të ecë mes radhëve të muslimanëve dhe radhëve të politeistëve duke u mbajtur më të madh. Me ta parë ecjen e tij krenare e mendjemadhe, Profeti tha:
“Kjo është një ecje e tillë që Allahu, me përjashtim të këtyre rasteve, e përbuz!” (Ibni Hisham, III, 11-12; Vakidi, I, 259; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 128)
Gjatë betejës, dijetari hebre Muhajrik u bë musliman. Ai e njihte shumë mirë Profetin tonë sipas cilësive të përshkruara në Teurat. Të vërtetën e gjetur diturisht nuk e kishte shpjeguar dot gjer në Uhud. Kur Profeti doli në luftën e Uhudit, ai u tha hebrenjve:
“O hebrenj! Vallahi, ju e dini mjaft mirë se Muhammedi është pejgamber dhe se duhet ta ndihmoni atë!”
Hebrenjtë i thanë:
“Sot është ditë e shtunë, nuk bëhet asnjë punë!”
Muhajriku ua ktheu:
“Për ju nuk ekziston e shtuna!” Mori me vete shpatën dhe mjetet e tjera që i duheshin dhe i tha njërit prej farefisit duke e porositur:
“Po qe se vritem sot, e gjithë pasuria ime i mbetet Muhammedit. Ai e përdor atë ashtu siç ia tregon Allahu!”
Muhajriku shkoi të luftojë dhe ra dëshmor. Shtatë kopshtet me hurma që la ai, Profeti (s.a.s.) i mori në dorëzim, i caktoi si pronë vakfnore dhe tha:
“Muhajriku është më i dobishmi i hebrenjve!” (Ibni Hisham, III, 38; Vakidi, I, 263; Ibni Sa’d, I, 501-503)
Në Uhud përjetoheshin skena të çuditshme, të ndryshme nga njëra-tjetra.
Një medinas me emrin Kuzman kishte vrarë shtatë armiq, edhe vetë kishte marrë një plagë të rëndë dhe kishte vdekur. Megjithëkëtë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Kuzmani është për në xhehennem!”
Dhe ja sepse. Në frymën e fundit, Katade bin Numani e kishte uruar: 
“Dëshmorësia të qoftë e bekuar, o Kuzman!”
Kurse Kuzmani ia kishte kthyer:
“Unë luftova për fisin, jo për të rënë dëshmor!” Dhe, duke rënduar mbi majën e shpatës së vet, kishte bërë vetëvrasje! (Vakidi, I, 263)
Në kundërshtim me këtë, Usajram i cili në fillim i kishte dalë kundër hyrjes së fisit në Islam dhe, pastaj, ishte penduar, iu afrua Profetit (s.a.s.) i armatosur kokë e këmbë, dhe i tha:
“O i Dërguar i Allahut! A të marr pjesë në fillim në luftë bashkë me ju e pastaj të bëhem musliman, apo në fillim të bëhem musliman?”
Profeti i tha:
“Në fillim bëhu musliman, pastaj lufto!” Atëherë, Usajrami u bë musliman, pastaj u fut në luftë dhe ra dëshmor. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Pak u përpoq, por shumë fitoi!” (Buhari, Xhihad, 13; Muslim, Imare, 144)
Ndërsa ndodhej i shtrirë mes të plagosurve dhe në frymën e fundit, atyre që e shihnin me vështrime kureshtare, u thoshte:
“Unë erdha për t’u bërë musliman! U përlesha për hir të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, dhe u plagosa!”
Ebu Hurejre (r.a.) i pyeste sahabet për të si për një gjë a gjëzë:
“Më thoni, kush është ai që ka hyrë në xhennet pa falur namaz as dhe një herë?” Njerëzit nuk e dinin përgjigjen, prandaj i kërkonin atij t’ua thoshte. Dhe Ebu Hurejre u thoshte:
“Ai është Usajrami, domethënë, Amr bin Thabiti!” (Ibni Hisham, III, 39-40; Vakidi, I, 262)
Gjatë betejës, Abdullah bin Xhahshit (r.a.) iu thye shpata. Atëherë, Profeti i dha një degë hurme e cila iu kthye aty për aty në shpatë. Abdullahu e përdori këtë shpatë gjersa ra dëshmor. Këtë shpatë të mbiquajtur “Urxhun” e bleu nga trashëgimtarët e Abdullah bin Xhahshit një bej turk për dyqind dinarë (flori).165 
Sulmi i muslimanëve mbi armikun me një dëshirë të paparë, përfundoi brenda një kohe të shkurtër me fitore. Armiku superior në numër dhe pajisje, filloi të ikë. Mirëpo, pasi e ndoqën armikun për një farë kohe, muslimanët, të sigurt plotësisht për fitoren, filluan të mbledrhin plaçkën e luftës. Për më tepër, edhe shigjetarët, pavarësisht nga këmbëngulja e komandantit të tyre i cili ua kujtonte paralajmërimin e të Dërguarit të Allahut, e braktisën pozicionin dhe vrapuan të mbledhin plaçkë. Në kodër mbetën vetëm komandanti i shigjetarëve, Abdullah, me shtatë shokë.
Ja, pra, gjithçka që ndodhi, ndodhi pas kësaj. Komandanti i zgjuar i armikut, Halid bin Velidi, së bashku me njësitin e tij të kalorësisë, e pa se kishte shtënë në dorë rastin që priste. Në krye të kalorësve, u doli shigjetarëve nga shpina dhe, brenda një kohe të shkurtër, të gjithë shigjetarët e mbetur në kodër, ranë dëshmorë. Pastaj nisi një sulm të ashpër nga shpina kundër muslimanëve që po mblidhnin plaçkën e luftës. Kur e panë këtë ndryshim të situatës, edhe ushtarët armiq në ikje e sipër, qëndruan dhe u kthyen në fushën e betejës. Ushtria muslimane u vu mes dy zjarresh. Muslimanët u çoroditën.

Zotëria i dëshmorëve, Hz. Hamza
Në këtë mes, trimi i shquar i Islamit, Hz. Hamzai (r.a.), i cili vraponte sa në këtë anë, në tjetrën, mes radhëve të çoroditura të muslimanëve, ra dëshmor nga heshta e hedhur prej Vahshiut. Vahshiu e bëri këtë për të fituar lirinë që ia kishte premtuar, me këtë kusht, Hindi. Hindi e cila kishte kohë që e priste këtë rast me ambicje të tmerrshme, duke u sjellë me një egërsi të tejkaluar, ia nxori mëlçinë Hz. Hamzait (r.a.) dhe ia kafshoi. Prandaj, asaj iu ngjit nofka “Akiletu’l-Ekbad”, “Mëlçingrënëse”!
Rënia dëshmor e Hz. Hamzait bëri të frynte valë-valë mbi radhët e muslimanëve një atmosferë zie. Radhët e çoroditura u prishën edhe më keq. Allahu i Lartë e përshkruan kështu këtë gjendje:
وَلَقَدْ صَدَقَكُمُ الله وَعْدَهُ إِذْ تَحُسُّونَهُم بِإِذْنِهِ حَتَّى إِذَا فَشِلْتُمْ
وَتَنَازَعْتُمْ فِي الْأَمْرِ وَعَصَيْتُم مِن بَعْدِ مَا أَرَاكُم مَا تُحِبُّونَ مِنْكُم
 مَن يُرِيدُ الدُّنْيَا وَمِنْكُم مَنْ يُرِيدُ الْآخِرَةَ ثُمَّ صَرَفَكُمْ عَنْهُمْ لِيَبْتَلِيَكُمْ
وَلَقَدْ عَفَا عَنْكُمْ وَاللّٰهُ ذُو فَضْلٍ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ
“Ndërsa po i vrisnit armiqtë me lejen e Allahut, Allahu e solli në vend premtimin për ju. Më në fund, erdhi një çast i tillë që, pasi Allahu jua tregoi atë (fitoren) që kishit dëshiruar, ju ratë në pozitë të dobët; e vutë në diskutim dhe i dolët kundër urdhrit (që ju pati dhënë Profeti). Pati ndër ju nga ata që e deshën këtë botë, pati edhe nga ata që e deshën botën tjetër, ahiretin. Pastaj, për t’ju vënë në provë, Allahu ju pengoi (nga fitorja mbi ta). Por, me të vërtetë, ju fali. Allahu është shumë mirëbërës ndaj besimtarëve!” (Al-i Imran, 152)
Në këtë ajet, Zoti, ndërsa ua tërheq vërejtjen shigjetarëve që e braktisën pozicionin, duke thënë “pati ndër ju nga ata që e deshën këtë botë”, i lavdëron shigjetarët që qëndruan në pozicione gjersa ranë dëshmorë, duke thënë “pati edhe nga ata që e deshën botën tjetër, ahiretin”.
***
Atë ditë, politeistët vranë shumë besimtarë të cilët ranë dëshmorë në fushën e betejës. Madje, një grup politeistësh, duke e vënë në shenjë të Dërguarin e Allahut, u hodh në sulm të drejtpërdrejtë kundër tij. Sulmet kundër tij u shpeshtuan shumë. Talha bin Ubejdullah thotë:
“Pasi shokët e të Dërguarit të Allahut u shpërndanë, politeistët kaluan në sulm dhe e rrethuan të Dërguarin e Allahut nga të gjitha anët. Nuk e dija se nga ç’anë ta mbroja prej sulmeve, nga para apo nga pas, nga e djathta apo nga e majta! E zhvesha shpatën dhe i largova sulmuesit herë nga para, herë nga pas. Më në fund, u shpërndanë!” (Vakidi, I, 254)
Snajperi i politeistëve, Malik bin Dhuhejr, i hodhi të Dërguarit të Allahut një shigjetë. Me ta kuptuar se shigjeta do ta qëllonte të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), Talha bin Ubejdullah i vuri dorën si pritë. Shigjeta ia preku gishtin dhe ia la dorën të gjymtuar.166 
Disa sahabe nga muhaxhirët dhe ensarët u vendosën përreth të Dërguarit të Allahut. Ata i dhanë besën njëri-tjetrit se do të binin dëshmorë para tij dhe luftuan gjer në fund duke thënë:
“Fytyra ime është mburojë para fytyrës tënde, trupi im është fli për trupin tënd! Paqja e Allahut qoftë gjithmonë mbi ty! Kurrë s’do të ndahemi prej teje!” (Ibni Sa’d, II, 46; Vakidi, I, 240)
Ebu Talha (r.a.) ishte një shigjetar që e tendoste harkun fort. Ditën e Uhudit iu thyen tri harqe në duar. Çdokujt që i kalonte pranë me torbën e shigjetave, i Dërguari i Allahut i thoshte:
“Torbën tënde me shigjeta zbraze pranë Ebu Talhait!”
Kur Profeti ngrinte kokën pas shpinës së Talhait për të parë nga politeistët, Ebu Talhai i thoshte:
“O i Dërguari i Allahut! T’u bëfshin fli nënë e babë! Mos e ngri kokën! Ndoshta të qëllon ndonjë nga shigjetat e politeistëve! Gjoksi im iu bëftë mburojë gjoksit tënd! Ajo që mund të të prekë ty, le të më prekë mua!” (Buhari, Megazi, 18)
Edhe Katade bin Numan (r.a.), duke qëndruar para të Dërguarit të Allahut për ta mbrojtur, u hodhi shigjeta politeistëve gjersa iu shtrembërua harku. Më në fund, edhe atë e qëlloi një shigjetë në sy. Bebja e syrit iu var mbi faqe. Kur e pa kataden në atë gjendje, Profetit iu njomën sytë. Me dorën e vet, ia vuri Katades syrin në vend. Pastaj ai sy u bë më i mirë se tjetri dhe filloi të shohë më mprehtë.167
Ummu Umare (r.anha) ishte një nga zonjat sahabe që mori pjesë në luftën e Uhudit si shigjetare. Kur u kthye në Medinë pas luftës, i Dërguari i Allahut tha: 
“Gjatë betejës, sa herë që kthehesha në të djathtë e në të majtë, shihja Ummu Umaren që po përleshej pranë meje!” (Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 479)
Zonja Ummu Umare e cila, me këtë pretekst, meritoi konsideratat, lutjet dhe urimet e Profetit, i tha kështu atij:
“Lutiu Allahut që të bëhemi komshinj në xhennet!”
Dhe Profeti (s.a.s.) u lut kështu:
“Allahu im, bëji këta komshinj dhe shokë të mi në xhennet!”
Atëherë, Ummu Umare (r.anha) tha:
“Pas kësaj, nuk më bën më përshtypje se ç’fatkeqësi mund të më vijë në këtë botë!” (Vakidi, I, 273; Ibni Sa’d, VIII, 415)
Në një nga sulmet kundër të Dërguarit të Allahut kur lufta u ashpërsua në kulm, vëllai politeist i Sa’d bin Ebi Vakkas, Utbe, i hodhi një gur Profetit. Me gurin e hedhur, si një ngjarje që do t’i bënte të dridheshin qiej e tokë, dy hallka nga parzmorja iu ngulën të Dërguarit të Allahut në fytyrën e bekuar dhe, duke e shpuar tej, ia thyen një dhëmb.168 Profeti ra në një prej gropave të hapura për muslimanët nga mëkatari Ebu Amr. Hz. Aliu (r.a.) e kapi të Dërguarin e Allahut për dore, kurse Talha bin Ubejdullahu e ngriti në këmbë dhe e nxori nga gropa. Ebu Ubejde bin Xherrah e nxori me dhëmbë njërën prej hallkave të ngulura në fytyrën e Profetit dhe, duke e bërë këtë, theu edhe njërin dhëmb të përparëm. Pastaj iu thye edhe një dhëmb tjetër duke nxjerrë hallkën tjetër. Atë çast, të gjithë sahabet e zgjedhur, madje, engjëjt, i mbështolli një dëshpërim i thellë. Kjo gjendje i rëndoi shumë sahabet, të cilët i thanë Profetit:
“A s’po i mallkon politeistët?!”
Kurse Profeti (s.a.s.) u shpreh kështu:
“Unë nuk jam dërguar si mallkues, përkundrazi, si ftues në rrugë të drejtë dhe mëshirë! Allahu im! Drejtoje fisin tim se ata nuk dinë!” (Buhari, Megazi, 24; Hejsemi, VI, 117; Vakidi, I, 244-247; Kadi Ijadh, I, 95)
Kur u plagos, Profeti tha:
“Allahu është zemëruar shumë me fisin që ia plagosi fytyrën të Dërguarit të Tij!”
Sa’d bin Ebi Vakkas (r.a.) ka thënë kështu:
“Vallahi, kur e dëgjova këtë fjalë të të Dërguarit të Allahut, dëshirën e thellë që ndjeva për ta vrarë tim vëlla, Utbe bin Ebi Vakkas, nuk e kam ndjerë për ta vrarë askënd tjetër!”
Me të vërtetë, Sa’di (r.a.) u përpoq shumë herë të çante radhët e politeistëve për këtë qëllim, por i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pengoi Sa’din që ta vriste të vëllanë.169 
Duke qenë pranë Profetit (s.a.s.), Sa’d bin Ebi Vakkas (r.a.) u lëshonte pa pushim shigjeta politeistëve, kurse Profeti i thoshte:
“Qëllo, o Sa’d, t’u bëfshin fli nënë e babë!”
Hz. Aliu (r.a.) që ishte dëshmitar i kësaj skene, ka thënë:
“Unë nuk e kam dëgjuar Profetin (s.a.s.) t’i thotë tjetërkujt përveç Sa’dit “t’u bëfshin fli nënë e babë!” (Tirmidhi, Edeb, 61, Menakib, 26; Ahmed, I, 92)
Edhe në ato kushte të një konfuzioni të madh, Profeti (s.a.s.) mbështetej te Zoti me një qëndresë besimi të pafundme dhe, ndërsa në njërën anë fshinte me dorë fytyrën e bekuar që i ridhte gjak, nga ana tjetër i lutej Zotit me përgjërim:
“O Zot, fisi im është injorant, s’e di se ç’bën! Tregoju atyre rrugën e drejtë!”
Sehl bin Sa’d (r.a.) tregon:
“Pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u plagos në luftën e Uhudit, Fatimja (r.anha) nisi t’ia lajë gjakun nga fytyra e bekuar, kurse Hz. Aliu i shtinte ujë. Me ta vënë re se rrjedhja e gjakut po shtohej, Fatimja mori një copë rrogozi, e ndezi dhe hirin që mbeti pas djegies, e vuri mbi plagë. Kështu, gjaku pushoi.” (Buhari, Xhihad, 80; Megazi, 24; Muslim, Xhihad, 101)
***
Ja, pra, lufta e Uhudit pati marrë një zhvillim ku përjetoheshin skena të tilla hidhërimi. Ndërsa në fillim ecuria e luftës ishte në favor të muslimanëve, më pas, për shkak të mosrespektimit dhe zbatimit të urdhrit, u kthye në favor të politeistëve. Përreth të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) mbetën vetëm katërmbëdhjetë vetë. Atëherë, Profeti iu bëri thirrje disa besimtarëve të kapur nga paniku: 
“O rob të Zotit! Ejani tek unë, unë jam i Dërguari i Allahut!" (Vakidi, I, 237)
Kjo gjendje përshkruhet kështu në Kur’an:
إِذْ تُصْعِدُونَ وَلاَ تَلْوُونَ عَلَى أَحَدٍ وَالرَّسُولُ يَدْعُوكُمْ فِي أُخْرَاكُمْ 
فَأَثَابَكُمْ غَمَّاً بِغَمٍّ لِكَيْلاَ تَحْزَنُوا عَلَى مَا فَاتَكُمْ وَلاَ مَا أَصَابَكُمْ
 وَاللّٰهُ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ 
"Atëherë, kur Profeti ju thërriste nga pas, ju largoheshit me të shpejtë (nga fusha e luftës) pa kthyer kokën pas. Allahu ju dha mjerim pas mjerimi në mënyrë që të mos mërziteni as për atë që ju ikën prej dore e as për atë që ju bie mbi krye. Allahu e di se ç'punoni!" (Al-i Imran, 153)
Ndërkaq, një pjesë muslimanësh dëgjuan sikur Profeti ishte vrarë dhe u tronditën sikur t'i kishte goditur rrufeja, aq sa, duke menduar se, meqë Profeti kishte vdekur, ata s'kishin më se ç'të bënin aty, po e braktisnin fushën e betejës. Ata u kthyen në Medinë me mendimin për ta mbrojtur atë, por u kthyen pas nga gratë muslimane.
Kurse një pjesë tjetër muslimanësh, duke thënë se, "edhe po të ketë vdekur i Dërguari i Allahut, Allahu është i pavdekshëm", po e vazhdonin luftën. Nga këta, Enes bin Nadr (r.a.), i ungji i Enes bin Malikut të njohur, kur dëgjoi nga një pjesë muslimanësh të hutuar që s'dinin ç'të bënin, se Profeti kishte rënë dëshmor, thirri me një vendosmëri të madhe:
"Ç'ju duhet jeta juve pasi të vdesë i Dërguari i Allahut? Luftoni edhe ju si ai dhe bini dëshmorë!"
Dhe u hodh në sulm mbi politeistët. Pastaj vdiq nga shtatëdhjetë e ca plagë. (Ahmed, III, 253; Ibni Hisham, III, 31)
Enesi (r.a.) tregon kështu:
“Im ungj, Enes bin Nadr (r.a.), nuk pati marrë dot pjesë në luftën e Bedrit. Kjo e rëndoi shumë dhe tha:
“O i Dërguari i Allahut! Unë nuk u ndodha dot në luftën e parë që bëre me politeistët. Po qe se Allahu i Lartë ma mundëson të marr pjesë në një luftë tjetër me politeistët, do ta shohë se ç’kam për të bërë!”
Dhe mori pjesë në luftën e Uhudit. Kur radhët e muslimanëve u çoroditën, ai përparoi duke thënë për shokët: “Zoti im, të kërkoj ndjesë për bëmat e këtyre!” Kurse duke e patur fjalën për politeistët, tha: “O Zot, unë s’kam të bëj as me bëmat e këtyre!” Pastaj u përball me Sa’d bin Muadhin dhe i tha:
“O Sa’d, ajo që kërkoj unë, është xhenneti! Betohem në Zotin e Qabes se qysh në rrëzë të Uhudit gjithë po atë aromë xhenneti jam duke marrë!”
Më vonë, duke ia përcjellë Profetit ngjarjen, Sa’di i tha: 
“Unë nuk e bëra dot atë që bëri ai, o i Dërguari i Allahut!”
Tim ungj e gjetëm të vrarë. Në trup kishte mëse tetëdhjetë plagë shpate, heshte dhe shigjete. Politeistët ia kishin prerë dhe copëtuar gjymtyrët, prandaj askush s’e njohu dot. E njohu vetëm e motra nga majat e gishtave. Ky ajet zbriti për tim ungj dhe të tjerët që i ngjanin atij:
مِنَ الْمُؤْمِنِينَ رِجَالٌ صَدَقُوا مَا عَاهَدُوا الله عَلَيْهِ
 فَمِنْهُم مَنْ قَضَى نَحْبَهُ وَمِنْهُم مَنْ يَنْتَظِرُ وَمَا بَدَّلُوا تَبْدِيلاً 
“Mes besimtarëve ka trima të tillë që treguan besnikëri në fjalën e dhënë Allahut. Disa prej tyre e plotësuan betimin (luftuan dhe ranë dëshmorë), kurse disa të tjerë janë në pritje (kur t’u vijë radha). Këta kurrë nuk e kanë ndryshuar fjalën!” (el-Ahzab, 23)” (Buhari, Xhihad, 12; Muslim, Imare, 148)
Eshtë një urtësi hyjnore fakti që, kur lufta u kthye në disfavor të besimtarëve, ata që ikën nga fusha e luftës ishin, në përgjithësi, ata që patën kërkuar të dilnin jashtë qytetit për të luftuar. Allahu iu drejtua atyre me këto fjalë:
وَلَقَدْ كُنتُمْ تَمَنَّوْنَ الْمَوْتَ مِنْ قَبْلِ أَن تَلْقَوْهُ
 فَقَدْ رَأَيْتُمُوهُ وَأَنتُمْ تَنظُرُونَ 
"Ju jeni ata që, para se të përballeshit me vdekjen, e kërkonit atë! Ja, pra, tek e patë vdekjen përballë!" (Al-i Imran, 143)
Paralajmërimi hyjnor, i ardhur për ata që në fillim thanë se qenë gati të vdisnin, pastaj, me pandehmën se Profeti ishte vrarë, ikën pa parë nga pas, ishte mjaft i ashpër:
وَمَا مُحَمَّدٌ إِلاَّ رَسُولٌ قَدْ خَلَتْ مِنْ قَبْلِهِ الرُّسُلُ أَفَإِن مَاتَ
 أَوْ قُتِلَ انْقَلَبْتُمْ عَلَى أَعْقَابِكُمْ وَمَنْ يَنْقَلِبْ عَلَىَ عَقِبَيْهِ
 فَلَن يَضُرَّ الله شَيْئاً وَسَيَجْزِي الله الشَّاكِرِينَ
"Muhammedi është vetëm një i dërguar. Të dërguar të tjerë kanë ardhur para tij e kanë shkuar. Atëherë, nëse ai vdes apo vritet, mos vallë ju do të ikni e do të ktheheni pas (në fenë e vjetër)? Kush kthehet pas, nuk i bën asnjë dëm Allahut! Allahu i shpërblen ata që falenderojnë!" (Al-i Imran, 144)
Atë ditë të tmerrshme, pavarësisht nga çdo gjë, i Dërguari i Allahut (s.a.v.), si një yll polar, nuk lëvizi fare nga vendi duke treguar një qëndrueshmëri profetike. Me guximin dhe maturinë e vet, ai u bë një shembull i lartë për sahabet, shokët e tij, edhe në burrëri e trimëri!
Zoti urdhëronte:
وَلاَ تَهِنُوا وَلاَ تَحْزَنُوا وَأَنْتُمُ الأَعْلَوْنَ إِنْ كُنْتُم مُؤْمِنِينَ. 
إِنْ يَمْسَسْكُمْ قَرْحٌ فَقَدْ مَسَّ الْقَوْمَ قَرْحٌ مِثْلُهُ
وَتِلْكَ الأيَّامُ نُدَاوِلُهَا بَيْنَ النَّاسِ 
“Mos tregoni mefshtësi (përballë armikut)! Dhe mos u dëshpëroni (duke menduar se u mundët)! Nëse besoni (në premtimin e Allahut), ju, pa dyshim, jeni superiorë (në fund do të dilni fitimtarë)! Nëse (në Uhud) u plagosët e vuajtët, edhe fisi yt (Kurejsh) ashtu vuajti (në Bedr). Ne i ndërrojmë me radhë këto ditë mes njerëzish (disa herë ju dilni fitues dhe, disa herë, armiqtë tuaj)!..” (Al-i Imran, 139-140)
Me mëshirën dhe favorin e Zotit ndaj Profetit dhe muslimanëve, politeistët nuk arritën në Uhud qëllimin e tyre pavarësisht nga çoroditja e muslimanëve. Të nxitur nga qëndresa e Profetit, shokët e tij nisën ta merrnin veten dalngadalë dhe sulmi i politeistëve u ndal. Besimtarët e mbrojtën Profetin me një vendosmëri të madhe. Kurse politeistët mekas nisën të kishin humbje përsëri. Prandaj edhe u tërhoqën pak për të mos u shtuar numri i humbjeve. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke përfituar nga rasti, u tërhoq në malin e Uhudit. Këtë radhë, Ebu Sufjani, edhe nëse deshi të varej nga maja e malit poshtë drejt muslimanëve, nuk pati sukses.
Në këto çaste të frikshme, Allahu i Lartë u favorizoi besimtarëve një gjendje gjumi dhe ata u kredhën në një gjumë të ëmbël e qetësues mu aty ku ndodheshin. Madje, disave u ranë shpatat disa herë nga duart. Ky gjumë i kapi vetëm besimtarët. Kurse hipokritëve dhe dyshuesve mes muslimanëve nuk u hynte gjumë në sy. Në atë mes ata mendoheshin plot frikë se mos politeistët ktheheshin dhe i vrisnin.170
Mes Ebu Sufjanit dhe Hz. Omerit u përjetua një përplasje e shkurtër.171 Pastaj, Ebu Sufjani që u vu në lëvizje për t'u kthyer pas, me zemërimin se nuk e kishte shtënë në dorë përfundimin e dëshiruar që do ta kënaqte, thoshte:
"Do të takohemi përsëri në Bedr vitin e ardhshëm!"
Hz. Omeri (r.a.) priti se ç’do të thoshte Profeti. 
“Thuaji: “Mirë fort! Inshallah, aty na bëhet vendi i takimit!” – Qe përgjigjja e Profetit. (Ibni Hisham, III, 45; Ibni Sa’d, II, 59)
Në të vërtetë, politeistët ktheheshin prapë se u kishte hyrë frika. Me të vërtetë, njëra nga mrekullitë e dhëna të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ishte t’i lëshonte armikut nga larg frikë në zemër. Zoti urdhëron:
سَنُلْقِي فِي قُلُوبِ الَّذِينَ كَفَرُوا الرُّعْبَ بِمَا أَشْرَكُوا بِاللهِ مَا لَمْ يُنَزِّلْ
 بِهِ سُلْطَاناً وَمَأْوَاهُمُ النَّارُ وَبِئْسَ مَثْوَى الظَّالِمِينَ 
"Ne do të hedhim frikën në zemrat e atyre që s'besuan, sepse ata i bëjnë Allahut shok gjëra pa pasur për to asnjë lloj argumenti. Vendi i tyre do të jetë xhehennemi. Sa i shëmtuar është vendi i mizorëve!" (Al-i Imran, 151)
Ja, pra, nën efektin edhe të kësaj frike të rënë mbi zemrat e tyre, politeistët, me gjithë fitoren e përkohshme që arritën kundër muslimanëve, nuk e morën dot iniciativën për ta pushtuar Medinën krejtësisht të pambrojtur. Për më tepër, po ktheheshin pas pa asnjë rob musliman me vete! Pa dyshim, ky ishte një favor i Allahut për Profetin dhe besimtarët!
Në Uhud, ndërsa politeistët që ishin kthyer pas, po largoheshin, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) urdhëroi:
“Vihuni në radhë se dua t’i lutem Zotit e ta madhëroj!”
Sahabet formuan radhë pas të Dërguarit të Allahut. Ai u lut kështu:
“Allahu im! Gjithë lavdërimi dhe madhërimi është për Ty! Allahu im, nuk ka kush që ta ngushtojë atë që e zgjeron dhe e përhap Ti dhe nuk ka kush që ta zgjerojë dhe përhapë atë që e ngushton Ti! Nuk ka kush që ta orientojë atë që e çorienton Ti dhe nuk ka kush që ta çorientojë atë që e orienton Ti! Nuk ka kush që ta japë atë që nuk e jep Ti dhe nuk ka kush që ta pengojë atë që jep Ti! Nuk ka kush që ta largojë atë që e afron Ti dhe nuk ka kush që ta afrojë atë që e largon Ti!
Allahu im, lëshoje mbi ne mëshirën dhe begatinë, virtytin dhe bujarinë Tënde! Prej teje kërkoj mirësi të përjetshme që kurrë të mos ndryshohen dhe që kurrë të mos zbehen dhe prishen! Allahu im, prej Teje dëshiroj dhunti në ditë varfërie, siguri në ditë frike! Allahu im, mbështetem tek Ti nga e keqja edhe e atyre gjërave që më jep, edhe e atyre gjërave që s’më jep!
Allahu im, na e bëj të dashur besimin dhe na i stolis zemrat me të! Dhe na bëj të kemi neveri dhe urrejtje për mohimin, herezinë, teprimin dhe kundërshtimin! Bëna ne nga ata që i njohin gjërat e dobishme për fenë dhe botën, nga ata që e kanë gjetur rrugën e drejtë!
Allahu im, na bëj të vdesim si muslimanë dhe na bëj që të jetojmë si muslimanë! Dhe na bashko me grupin e njerëzve të mirë pa e humbur ndarin dhe dinjitetin tonë, pa rënë viktimë e intrigave dhe ngatërresave!
Allahu im, ndëshkoje grupin e mohuesve dhe heretikëve që i përgënjeshtrojnë të dërguarit e Tu, që i pengojnë dhe i largojnë njerëzit nga rruga jote! Dhe zbrit mbi ta dënimin dhe fatkeqësinë! Allahu im, ndëshkoji edhe mohuesit dhe heretikët që u ke dhënë libër! O Zot i drejtë e i vërtetë! Amin, ashtu qoftë!” (Ahmed, III, 424; Hakim, I, 686-687/1868; III, 26/4308)


Sahabiu që mbylli dyert e justifikimit: Sa’d bin Rebi
Profeti (s.a.s.) dërgoi në fushën e betejës njërin prej sahabeve për ta gjetur Sa’d bin Rebiun (r.a.) dhe për ta mësuar në ç’gjendje ndodhej. Por sadoqë e kërkoi, sahabiu nuk e gjeti dot Sa’din (r.a.), sadoqë e thirri, nuk mori dot përgjigje. Më në fund, me një shpresë të fundit, thirri në drejtim të asaj ane ku ndodheshin të plagosurit dhe dëshmorët:
“O Sa’d! Më ka dërguar i Dërguari i Allahut! Më urdhëroi ta lajmëroj se a ndodhesh mes të gjallëve, a mes dëshmorëve!”
Kur Sa’di (r.a.) i cili në ato çaste po jetonte çastet e fundit dhe s’i kishte mbetur më fuqi për të dhënë përgjigje, dëgjoi se i Dërguari i Allahut ishte shqetësuar për të, duke i mbledhur tërë forcat e fundit, mezi tha me një rënkim të shuar:
“Unë tani jam mes të të vdekurve!..” 
Ishte e qartë se po sodiste përtej. Sahabiu vrapoi te Sa’di (r.a.) dhe e gjeti me trupin të bërë copë e çikë nga goditjet e shpatave. Sa’di i tha atëherë këto fjalë të jashtëzakonshme që qenë edhe fjalët e fundit të tij:
“Vallahi, po qe se, sa t’u hapen e mbyllen sytë, nuk e mbroni Profetin (s.a.s.) nga armiqtë dhe bëheni shkak që t’i bjerë në kokë ndonjë fatkeqësi, për ju s’do të ketë asnjë justifikim para Allahut!” (Muvatta, Cihad, 41; Hakim, III, 221/4906; Ibni Hisham, III, 47)
Dhe me këto fjalë me vlerë pothuaj testamentale për ummetin, bashkësinë, Sa’d bin Rebiu (r.a.) i dha lamtumirën kësaj jete të përkohshme…

Dëshmorët e Uhudit
Pasi politeistët e braktisën Uhudin plotësisht, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) zbriti në fushë të betejës për t'i varrosur dëshmorët. Ishin dhënë plotësisht shtatëdhjetë dëshmorë! Mes tyre kishte edhe trima të rrallë si Hz. Hamzai (r.a.) dhe Mus'ab bin Umejri (r.a.).
Mus'ab bin Umejri (r.a.) i cili kishte qenë flamurtari i muslimanëve, kishte rënë dëshmor duke mbrojtur të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Atëherë, një engjëll i trajtësuar në pamjen e Mus'abit, kishte marrë flamurin për të mos e lënë të bjerë në tokë. Prandaj edhe Profeti, i cili ende nuk dinte gjë për vdekjen e Mus'abit, i kishte thirrur:
"Shko përpara, o Mus'ab!"
Atëherë engjëlli e kishte kthyer fytyrën nga i Dërguari i Allahut që e kishte kuptuar se flamurtari ishte një engjëll dhe e kishte kuptuar, për rrjedhojë, se Mus'abi kishte rënë dëshmor. Më pas, trupi i bekuar i Mus'abit ishte gjetur, por s'ishte gjetur një qefin për ta mbështjellë. (Ibni Sa’d, III, 121-122)
Me rrobën që i ndodhej mbi trup dëshmorit të bekuar, po t’i mbulohej pjesa e sipërme e trupit, i mbeteshin këmbët zbuluar dhe po t’i mbuloheshin këmbët, i mbetej pjesa e sipërme e trupit zbuluar. Atëherë, sahabet iu drejtuan të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) për ta pyetur se ç’duhej të bënin. I Dërguari i Allahut urdhëroi që pjesa e sipërme e trupit të dëshmorit të mbulohej me rrobë, kurse këmbët, me barëra erëmira.
Mirëpo Mus’abi (r.a.) ishte biri i njërës prej familjeve më fisnike e më të pasura të Mekës. Të gjithë të rinjtë e Mekës e kishin zili jetesën e tij. Madje, vajzat e reja shtronin trëndafila në rrugën nga kalonte ai. Kurse ai, pavarësisht nga të gjitha presionet e familjes së vet politeiste, parapëlqeu të vihej pranë të Dërguarit të Allahut duke refuzuar mundësitë dhe të mirat materiale të familjes, madje, trashëgimin që i përkiste! Ai u bë admirues dhe i lidhur pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) me një dashuri aq të madhe, saqë, duke rënë dëshmor, përballë kësaj sakrifice të madhe, një engjëll mori pamjen e tij. Në këtë mënyrë, sakrificat e bëra nga Mus’abi morën përgjigje me një favor hyjnor të bukur!
Kjo pamje e hidhur la në zemrat një gjurmë aq të thellë saqë, vite më vonë, në një periudhë kur muslimanët u fuqizuan dhe fituan vlera, kur i biri i pati vënë disa lloje gjellësh para Abdurrahman bin Avfit (r.a.), nga të pasurit falenderues, një ditë kur ishte i agjëruar, ky, i prekur prej kësaj, pati thënë:
“Mus’abi ra dëshmor në luftën e Uhudit. Ai ishte më i virtytshëm se unë, mirëpo për të s’u gjet qefin veç hirkës së vet që s’e mbulonte dot sepse, nëse i mbulohej koka, i zbuloheshin këmbët, nëse i mbuloheshin këmbët, i zbulohej koka. Pastaj neve na u favorizua çdo e mirë materiale e kësaj bote dhe unë kam frikë se shpërblimi i mirësive tona na është dhënë në këtë botë!” 
Pastaj Abdurrahmani (r.a.) filloi të qante, e la gjellën dhe u ngrit nga sofra. (Buhari, Xhenaiz, 27)
Mes dëshmorëve të Uhudit, heroi i pashoq i ushtrisë islame, luani i Allahut, Hz. Hamzai (r.a.), ka qenë ai që i ka mbytur më shumë në hidhërim zemrat e Profetit (s.a.s.) dhe të të gjithë muslimanëve!
Për ta parë të vëllanë, Hz. Hamzanë (r.a.), Hz. Safije u drejtua në anën ku ndodheshin dëshmorët. I biri, Zubejri, i doli para dhe i tha:
“I Dërguari i Allahut të urdhëron të kthehesh pas!” Ajo iu përgjigj:
“Pse? A të mos e shoh tim vëlla? Fundja, unë e mora vesh se atë e kanë bërë copë-copë! Ai e pësoi kështu për hir të Allahut! Edhe ne nuk mund të na ngushëllojë gjë tjetër veç kësaj! Në dashtë Allahu, do të duroj dhe do ta pres shpërblimin nga Allahu!”
Zubejri shkoi dhe ia njoftoi Profetit fjalët e nënës. Atëherë, Profeti i tha:
“Mirë, pra, lëre ta shohë!” 
Safija shkoi pranë kufomës së bekuar të të vëllait dhe u lut për të. (Ibni Hisham, III, 48; Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 349)
Shfaqjen e papërshkrueshme të vëllazërisë që u përjetua në Uhud, Zubejr bin Avvam (r.a.) e tregon kështu:
Nëna ime Safije nxori dy hirkat që kishte sjellë me vete dhe tha:
“I solla këto për t’ia bërë qefin tim vëllai Hamza!”
I morëm ato dhe shkuam pranë kufomës së Hamzait. Pranë tij ndodhej edhe një kufomë tjetër e një dëshmori pa qefin nga ensarët. Neve na erdhi turp t’ia mbështillnim të dy hirkat Hamzait duke e lënë ensariun pa qefin. Prandaj thamë: “Njëra hirkë le të bëhet qefin për Hamzain, tjetra për ensariun!” Dhe meqë hirkat ishin njëra, e madhe dhe tjetra, e vogël, hoqëm short.” (Ahmed, I, 165)
Siç e shprehnin edhe këto pamje prekëse, tashmë, në zemrat e besimtarëve, afërsia e gjakut po ia linte vendin vëllazërisë së besimit. Për të gjithë besimtarët gjer në kiamet, po shpalosej emocioni i përjetimit të vëllazërisë fetare.
Për faljen e namazit të dëshmorëve u veprua në këtë mënyrë: u suallën dhjetë dëshmorët e parë, ndër të cilët ishte edhe kufoma e Hz. Hamzait (r.a.). Pasi u fal namazi i tyre, nëntë dëshmorët e tjerë u varrosën, pastaj për falje prunë kufomat e nëntë dëshmorëve të tjerë që, bashkë me Hz. Hamzain, bëheshin dhjetë. Kështu, me radhë, silleshin nëntë dëshmorë dhe, bashkë me ta, i rifalej namazi i të vdekurit Hz. Hamzait. Në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia fali disa herë namazin e të vdekurit të ungjit të dashur të zemrës, dëshmori të bekuar që ishte kreu i dëshmorëve!172
Siç rrëfen Xhabiri (r.a.), Profeti (s.a.s.) i pati varrosur dy e nga dy dëshmorët e rënë në luftën e Uhudit duke pyetur se “cili prej tyre kishte ditur më mirë Kur’an (e kishte jetuar më mirë Kur’anin)” dhe duke e vendosur atë nga ana e kibles. (Buhari, Xhenaiz, 73, 75)
Hz. Aishe (r.anha) doli në rrugë bashkë me gra të tjera për të marrë ndonjë lajm për ç’kishin ndodhur në Uhud. Në zonën Harre hasi zonjën e nderuar Hind binti Amr (r.anha)173. Hindi kishte ngarkuar mbi një deve kufomat e burrit, Amr bin Xhemuh, djalit, Hallad, dhe vëllait, Abdullah, dhe po i çonte në shtëpi. Hz. Aisheja e pyeti:
“Ç’lajme të tjera ka?”
“Të mira!” – I tha Hindi. Dhe vazhdoi: “I Dërguari i Allahut është mirë. Po qe gjallë ai, çdo fatkeqësi mbetet e lehtë!”
Duke bërë shenjë kufomat mbi deve, Hz. Aisheja e pyeti:
“Kush janë këta?”
“Im vëlla Abdullah, im bir Hallad dhe im shoq Amr!” – Iu përgjigj zonja e nderuar Hind.
“Ku po i çon ato?” – E pyeti Hz. Aisheja. 
“Në Medinë! Aty do t’i varros!” – Iu përgjigj zonja Hind.
Pasi u shtrëngua që ta shpejtonte pak ecjen, deveja u ul në tokë. Hz. Aisheja pyeti:
“A mos ulet deveja nga barra e rëndë?”
Hindi iu përgjigj: “Nuk e di pse ulet, por në kohë të tjera ka bartur barrën e dy deveve, kurse tani po shoh se diç i ka ndodhur!”
E shtrënguar për t’u ngritur, deveja u ngrit, por, me t’u drejtuar nga Medina, prapë u ul. Pastaj, kur e drejtuan nga Uhudi, filloi të ecë me të shpejtë. Dhe ata u detyruan të kthehen. Kur u takuan me Profetin, zonja Hind ia tregoi ngjarjen. Profeti i nderuar e pyeti:
“Deveja ka një detyrë. A pati ndonjë porosi Amri?”
Zonja Hind iu përgjigj:
“Kur do të vinte për në Uhud, Amri është kthyer nga kiblja dhe është lutur: “Allahu im, mundësoma të bie dëshmor! Mos më kthe tek njerëzit e shtëpisë të pashpresë e të dëshpëruar!”
Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha kështu:
“Ja, pra, përse nuk ecën deveja!
O ensarë!, kush nga ju të jetë betuar në Allahun, t’i rrijë besnik betimit!
O Hind, yt shoq, Amri, është nga besnikët! Qysh nga çasti kur ra dëshmor, engjëjt i bënë hije me krahët e tyre dhe panë se ku duhej varrosur. O Hind, yt shoq, Amri, yt bir, Halladi dhe yt vëlla, Abdullahu, do të bashkohen në xhennet dhe do të bëhen shokë!”
Pas kësaj myzhdeje, zonja Hind, duke dëshiruar të jetë edhe në jetën e amshuar bashkë me të shoqin besnik, iu lut Profetit:
“O i Dërguari i Allahut! Lutiu Allahut që të më bashkojë edhe mua me ta!” (Vakidi, I, 264-265; Ibni Haxher, Fet’hul Bari, III, 216; Ibni Abdilber, III, 1168)
Një pamje tjetër mësimdhënëse është kjo:
Ditën e Uhudit, Medina u lëkund me një lajm të hidhur. Me t’u thënë “Muhammedi u vra”, në qytet shpërthyen klithma, britmat u ngjitën në qiell! Madje, zonja Sumejra nga ensarët, megjithëse kishte marrë lajmin e vrasjes së dy djemve, babait, burrit dhe vëllait, pa i vënë veshin kësaj humbjeje, menjëherë pyeti për gjendjen e të Dërguarit të Allahut:
“A i ka ndodhur gjë atij?”
Sahabet iu përgjigjën:
“Lavdi Zotit, është mirë! Ashtu siç dëshiron edhe ti, ai është gjallë!”
“Tregomani se ku është, ta shoh dhe të më qetësohet zemra!” – Tha zonja Sumejra. Dhe, kur ia treguan se ku ndodhej, i shkoi menjëherë pranë, e kapi pas kindit të rrobës dhe i tha:
“Nënë e babë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Pasi të jesh gjallë ti, s’kam frikë për asgjë!” (Vakidi, I, 292; Hejsemi, VI, 115)
Beshir bin Akrabe (r.a.) thotë:
“Pasi im atë ra dëshmor në ditën e Uhudit, shkova te Profeti (s.a.s.) duke qarë. Ai më tha:
“O vogëlush i dashur! Pse po qan ti? Pusho, mos qaj! A nuk të pëlqen po të bëhem unë babai yt dhe Aisheja, nëna jote?”
“Nënë e babë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut, s’do mend që kënaqem!” – I thashë. Atëherë, Profeti ma fërkoi kokën me dorë. Dhe tani kur flokët më janë thinjur, vendi ku ka prekur dora e bekuar e të Dërguarit të Allahut s’është thinjur ende!” (Buhari, et-Tarihu’l-Kebir, II, 78; Ali el-Muttaki, XIII, 298/36862)
Një pamje tjetër ku u shpalos emocioni i bashkimit hyjnor, Xhabir (r.a.) e tregon kështu:
“Një natë para betejës së Uhudit, im atë më thirri pranë dhe më tha:
“Më duket se unë do të jem i pari nga sahabet e Profetit (s.a.s.) që do të bie dëshmor. Me përjashtim të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ti je për mua personi më i çmuar që do të lë pas. Kam borxhe; paguaji ato. Dhe sillu mirë gjithmonë me vëllezërit!”
Në mëngjes, im atë qe personi i parë që ra dëshmor. E varrosa atë në një varr bashkë me një dëshmor tjetër. Pastaj desha ta varros më vete në një vend tjetër. E nxora nga varri gjashtë muaj më vonë, por ç’të shihja? Përveç një pjese të njërit vesh, i gjithë trupi ishte si atë ditë kur e para varrosur për herë të parë! Dhe e varrosa në një varr më vete!” (Buhari, Xhenaiz, 78)
Kur përmendeshin dëshmorët e Uhudit, Profeti thoshte sikur të donte të deklaronte virtytin e atyre dëshmorëve të bekuar:
“Vallahi, sa do të desha që edhe unë të isha dëshmor së bashku me sahabet e mi dhe ta kaloja natën në rrëzë të Uhudit!” (Ahmed, III, 375)
Gjithashtu, një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi te dëshmorët e Uhudit dhe tha:
“Dëshmoj për ta!”174
Ebu Bekri (r.a.) i tha:
“O i Dërguari i Allahut, a nuk jemi ne vëllezërit e tyre? Siç u bënë muslimanë ata, edhe ne u bëmë muslimanë! Siç luftuan ata, edhe ne luftuam!”
Profeti i dha këtë përgjigje:
“Po, e drejtë, vetëm se unë s’e di se ç’gjëra do të sajoni175 pas meje!”
Hz. Ebu Bekri qau e qau dhe pastaj i tha i dëshpëruar:
“Domethënë, ne do të mbetemi pas teje?” (Muvatta, Xhihad, 32)
Ky qëndrim i Hz. Ebu Bekrit (r.a.) është një shembull i bukur që tregon gradën e afërsisë dhe dashurisë së tij të pashoqe për Profetin tonë të dashur dhe se ai ka qenë “i dyti ndër të dy vetët që kanë pasur për të tretë Allahun”!
Sahabet e donin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) mbi çdo gjë, madje, mbi jetën e tyre. Kur ishin duke ndenjur nëpër shtëpitë e veta dhe u binte ndërmend Profeti, shtëpia u dukej e ngushtë, ngriheshin menjëherë dhe i shkonin pranë, preheshin duke parë në fytyrën e tij të bekuar e më të bukur se hëna dhe gjenin qetësi e kënaqësi nga biseda e tij!176 Dhe kur nuk e shihnin, zogun e zemrës s’e nxinte më kafazi i trupit! Frika se mund të mos ndodheshin bashkë me të në xhennet, i bënte t’u zbehej fytyra e të mos dinin ç’të bënin!177 Kështu, një ditë, Rebia (r.a.) që i shërbente, kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha “t’i kërkonte ç’të dëshironte”, iu përgjigj se s’dëshironte asgjë tjetër veç të ishte bashkë me të në xhennet!178 Në çastet e vdekjes, sahabet tregoheshin të gëzuar se do të takoheshin me të Dërguarin e Allahut!179 Eshtë për këtë arsye që ata, pas dhuntisë së Islamit, nuk qenë gëzuar për asgjë tjetër më shumë se për përgëzimin profetik se “personi ndodhet bashkë me atë që do”!180
***
Gjashtëdhjetë ajete të sures Al-i Imran kanë të bëjnë me luftën e Uhudit. Kur Misver bin Mahreme e pati pyetur mbi Uhudin, Abdurrahman bin Avf i pati thënë:
“Këndo nga sureja Al-i Imran pjesën pas ajetit 120 dhe do të ndjehesh sikur ke marrë pjesë në Uhud bashkë me ne!” (Ibni Hisham, III, 58; Vakidi, I, 319)

“Ne e duam Uhudin, edhe Uhudi na do ne!”
Uhudi kishte një vend të veçantë në zemrën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Profeti i pati vizituar shpesh gjatë gjithë jetës Uhudin dhe dëshmorët e Uhudit. Dhe kohë pas kohe thoshte:
“Ne e duam Uhudin dhe Uhudi na do ne!” (Buhari, Xhihad, 71; Muslim, Haxh, 504)
I përnderuar me shprehje të tilla profetike, shtrati i dëshmorëve, Uhudi, si një mjedis i njomur ngjeshurazi me dashurinë e të Dërguarit të Allahut, është bërë për ummetin, bashkësinë që do të vijë gjer në kiamet, një vendvizitash i mbushur plot me kujtime të shtrenjta!
Profeti qe shqetësuar se mos, për shkak të rezultateve të betejës, Uhudit do t’i atribuohej ndjellakeqësi, prandaj, për të penguar mundësinë e shtresimit në zemrat e besimtarëve të ndjenjës së neverisë dhe urrejtjes, qe shprehur “ne e duam Uhudin, edhe Uhudi na do ne”, duke pohuar, kështu, dashurinë e tij për këtë mjedis. Eshtë në sajë të begatisë së kësaj dashurie të Profetit, që Uhudi ka ardhur duke u kujtuar dhe përmendur jo si mjedis humbjeje e disfate, por si mjedis dhe pozitë e shenjtë ndaj së cilës Profeti ka qenë lidhur me dashuri e me gjithë zemër, si mjedis që mban të varrosur në gjoksin e vet dëshmorët e bekuar.
Nga ana tjetër, fakti që Uhudi e njeh dhe e do Profetin, është, në thelb një shembull i qartë i të vërtetës se i gjithë krijimi e njeh dhe e miraton Atë. Kështu, Profeti, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë:
“Me përjashtim të kundërshtarëve ndër xhindët dhe njerëzit, çdo gjë që ekziston mes tokës e qiellit e di se unë jam i Dërguari i Allahut!” (Ahmed, III, 310)

Urtësitë që duhen nxjerrë nga lufta e Uhudit
Në luftën e Uhudit, me pamjet e tmerrshme të dëshpërimit, u përjetuan mes një pjekurie të madhe besimore shumë faqe të hidhura e të ëmbla të jetës. Ndërsa nga njëra anë, brenda një ekstaze besimi të thellë, durimi, dorëzimi, nënshtrimi dhe pranimi i kaderit shpaloseshin në nivel kulmor, nga ana tjetër, për shkak të dobësive njerëzore e egoistike, si një çast indiferentizmi dhe prirjeje ndaj interesash materiale të kësaj bote, muslimanët u përballën edhe me shumë prova të hidhura.
Nënvleftësimi i zbatimit të urdhrit të lartë të të Dërguarit të Allahut, e ndërroi për një çast fatin e luftës dhe me anë të shfaqjeve të paralajmërimit hyjnor, u bë shkak për shtyrjen e fitores. Gabimi i disa vetëve u rezultua me ndëshkimin e të gjithëve, të gjithë muslimanët bashkë ranë menjëherë në pozitë të vështirë. Sepse këtu kemi të bëjmë me një rregull hyjnor181. Dhe këtë rregull nuk e ndryshoi dot as fakti që mes muslimanëve ndodhej i dashuri i Allahut! 
Kurse në Bedër, sahabet i qenë bindur të Dërguarit të Allahut pa kushte dhe, duke i deklaruar si më poshtë, qenë pozicionuar si një shkëndijë kulmore e emocionit hyjnor:
“O i Dërguari i Allahut, ne të besuam ty, ne besuam sinqerisht se Kur’ani që ti ke sjellë nga Allahu, është i vërtetë dhe dhamë fjalën se do të të bindemi e do të të ndjekim. Vepro si të duash, na urdhëro e ne do të jemi me ty! Për Allahun që të ka dërguar, nëse ti hidhesh në det, edhe ne do të hidhemi pas teje e askush nuk do të kthehet pas!.." (Ibni Hisham, II, 253-254)
Shkaku i provës hyjnore në luftën e Uhudit ishte t’u tërhiqej vëmendja muslimanëve për indiferentizmin e çastit që kishin treguar në një sërë specifikash të ndjeshme e të rëndësishme.
Një tjetër nga urtësitë më të rëndësishme të Uhudit ishte të pastroheshin besimtarët nga hipokritët dhe hezitantët që ishin përzjerë në radhët e tyre.
Kurse një urtësi tjetër ishte që, duke u miratuar politeistëve një fitore mashtruese e cila nuk kishte asnjë rezultat praktik, të arrihej që pasivizoheshin ata si indiferentë dhe të shkujdesur. Me këtë fitore mashtruese, u qetësua urrejtja dhe zemërimi i mbledhur në zemrat e politeistëve qysh nga lufta e Bedrit dhe, me kalimin e kohës, u pakësua furia dhe ftohtësia që ndjenin ata ndaj Islamit.
Të tërheq vëmendjen fakti që sahabet, nga shtatë, gjer në shtatëdhjetë, u vunë në garë për të marrë pjesë në luftën e Uhudit dhe për të rënë dëshmorë. Të rinj pesëmbëdhjetëvjeçarë që mund të quheshin fëmijë, përdorën të gjitha mjetet dhe mënyrat për t’u pranuar ushtarë në ushtrinë e të Dërguarit të Allahut. Enigma në vrapimin në këtë mënyrë drejt vdekjes të njerëzve të çdo moshe, qëndronte në faktin se zemrat ishin të mbushura plot me besim të fuqishëm, si dhe në ndjenjën e dashurisë legjendare që ndjenin njerëzit në zemra ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), shkakut të krijimit të gjithësisë! Ku të jetë ky besim e kjo dashuri, aty ka çdo lloj guximi e trimërie. Dhe ku të jetë pakësuar, aty shfaqen dembelizmi, pasiviteti, mjerimi dhe frika. Kurse rruga e kësaj dashurie është shtimi i dhikrit (zikrit), shtimi i salavatit për të Dërguarin e Allahut, meditimi mbi të mirat dhe dhuntitë e Allahut dhe bërja e përpjekjeve të vazhdueshme për t’u orientuar me anë të figurës dhe moralit të të Dërguarit të Allahut!
Plagosja e Profetit në Uhud dhe përhapja e pandehmës se kishte rënë dëshmor përmbajnë për besimtarët një urtësi me rëndësi. Sepse, me këtë, ata pothuaj ishin vënë në provë të besimit dhe vullnetit. Kështu, duke mësuar se edhe i Dërguari i Allahut ishte njeri, se edhe ai, kur t’i vinte koha, do të kthehej te Zoti i tij, se ishte e domosdoshme që, pas vdekjes së tij, besimtarët jo të ktheheshin pas, por të vazhdonin me vendosmëri në rrugën e treguar prej tij, pra, duke i mësuar këto, në një kuptim, muslimanët u përgatitën me zemër për t’i përballuar këto ngjarje para se të ndodhnin!
Shkurt, në Uhud, për muslimanët u shpalosën pësime dhe mësime në shumë specifika, si mënyrat e arritjes së fitores në betejat e zhvilluara me armiqtë dhe të shpëtimit nga rreziku i çoroditjes, shthurjes dhe disfatës!

Hamrau’l-Esed (8 shevval 3 h. / 24 mars 625 e.r.)
Politeistëve që ishin larguar prej Uhudi me frikë dhe kishin marrë udhën e Mekës, Allahu (xh.xh.) u dha një paqartësi të madhe. Mendtë u erdhën vetëm në rrugë dhe menduan që të ktheheshin pas e t'i sulmonin sërish besimtarët.
Në këtë mes, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) që ishte kthyer në Medinë, kishte mendimin se armikut i duhej dhënë një kërcënim. Allahu i Lartë zbriti ajetin që bënte të ditur se, në këtë çështje, kurrë nuk duhej treguar mefshtësi:
وَلاَ تَهِنُوا فِي ابْتِغَاء الْقَوْمِ إِنْ تَكُونُوا تَأْلَمُونَ فَإِنَّهُمْ يَأْلَمُونَ كَمَا
تَأْلَمونَ وَتَرْجُونَ مِنَ الله مَا لاَ يَرْجُونَ وَكَانَ الله عَلِيماً حَكِيماً 
“Mos tregoni mefshtësi në ndjekjen e armikut. Po qe se ju ndjeni dhimbje, pa dyshim që edhe ata vuajnë, ndërkaq që ju shpresoni nga Allahu gjëra që ata nuk i shpresojnë dot. Pa dyshim, Allahu e di çdo gjë dhe është i urtë!” (en-Nisa, 104)
Profeti (s.a.s.) i pyeti shokët:
"Kush dëshiron t'i ndjekim dushmanët?"
Menjëherë u përgatit një njësit ku merrnin pjesë edhe Hz. Ebu Bekri me Zubejrin (r.anhuma). Pothuaj që të gjithë ata që morën pjesë në këtë marshim në ndjekje të armikut, ishin të plagosur. Këta luftëtarë të plagosur, pasi bënë përgatitjet e duhura, u futën në radhët e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) pranë burimit Ebu Inebe.182
Usejd bin Hudajr (r.a.), duke e lënë mjekimin e plagëve, tha: “Unë e dëgjova ftesën e Allahut dhe të të Dërguarit dhe iu binda!” Dhe u armatos menjëherë e shkoi e u bashkua me Profetin.
Edhe Sa’d bin Ubade (r.a.) u përgatit me të shpejtë dhe i dha urdhër fisit të niseshin menjëherë. Njerëzit e fisit i ngjeshën armët dhe u nisën.183
Ky njësit ku merrte pjesë edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), u nis menjëherë në ndjekje të armikut. 
Abdullah bin Sehl me të vëllanë Rafi (r.anhuma) kishin luftuar në Uhud së bashku me Profetin (s.a.s.) dhe ishin kthyer në Medinë të plagosur. Kur dëgjuan se i Dërguari i Allahut i ftoi muslimanët për ta ndjekur armikun, thanë duke dalë menjëherë në rrugë:
“Vallahi ne s’kemi kafshë shale, kurse plagët e kemi të rënda, por a e lëmë fushatën ku ndodhet i Dërguari i Allahut?”
Dhe ata nuk u ndanë asnjë çast nga i Dërguari i Allahut duke e ndihmuar njëri-tjetrin, duke e bartur ai me plagët më të rënda atë me plagët më të lehta!184
Besimtarët që shpalosën këto sakrifica, fituan miratimin dhe konsideratën hyjnore:
اَلَّذِينَ اسْتَجَابُوا لِلّٰهِ وَالرَّسُولِ مِنْ بَعْدِ مَا أَصَابَهُمُ الْقَرْحُ
 لِلَّذِينَ أَحْسَنُوا مِنْهُمْ وَاتَّقَوا أَجْرٌ عَظِيمٌ 
"Për ata që, edhe pasi janë plagosur, i përgjigjen përsëri thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që bëjnë të mira dhe janë të devotshëm, ka shpërblim të madh!" (Al-i Imran, 172)
Njësiti arriti gjer në zonën Hamrau’l-Esed tetë kilometra larg Medines dhe që i dha emrin kësaj ekspedite. Flamuri ndodhej në duart e Hz. Aliut (r.a.). Natën, i Dërguari i Allahut dha urdhër të ndizeshin pesëqind zjarre në vende të ndryshme. Në shesh doli një pamje e mahnitshme. Ata që e shihnin këtë pamje, pandehnin se atje ndodhej një ushtri shumë e madhe. Kështu, personi i quajtur Mabed që ishte duke shkuar në Mekë e që ende nuk ishte bërë musliman, e arriti ushtrinë e politeistëve dhe i lajmëroi se pas po i ndiqte një ushtri e madhe muslimanësh dhe, për t'ua bërë të qartë se sa e madhe ishte ajo, u tha kështu:
"Unë kurrë s'kam parë në jetë një ushtri aq të madhe!"
Në zemrat e politeistëve që e mësuan gjendjen, lindi një frikë e tmerrshme. Ata thanë duke parë nga njëri-tjetri:
"Muslimanëve s'u pati mbetur fuqi për të lëvizur; si mund të ndodhë kjo?"
Pastaj, me një ndjenjë, shkakun e së cilës s'e kuptonin dot, thanë:
"Ejani të ikim që këtej sa pa na gjetur ndonjë bela!"
Politeistët nuk mundën të guxonin për t'u përleshur sërish, prandaj, me nxitim, morën udhën e Mekës dhe vazhduan rrugën.
Pasi ata u tërhoqën dhe ikën në këtë mënyrë, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) me sahabet u kthyen në Medinë!185

Çështja e trashëgimisë
Në këtë mes u zbritën ajete lidhur me ndarjen e trashëgimisë, sepse pas luftës së Uhudit qenë shfaqur një sërë ngatërresash. Vëllai i Sa'd bin Rebit (r.a.) të rënë dëshmor në Uhud, pati marrë tërë trashëgiminë e tij pa u lënë asgjë dy vajzave të tij. Dhe ky ishte një zakon i periudhës pagane paraislamike të injorancës, në të cilën vajzat dhe gratë nuk gëzonin asnjë të drejtë, pra edhe të drejtë trashëgimie nuk kishin. Islami i dha fund kësaj praktike:
يُوصِيكُمُ الله فِي أَوْلاَدِكُمْ لِلذَّكَرِ مِثْلُ حَظِّ الْأُنْثَيَيْنِ فَإِنْ كُنَّ نِسَاءً
فَوْقَ اثْنَتَيْنِ فَلَهُنَّ ثُلُثَا مَا تَرَكَ وَإِنْ كَانَتْ وَاحِدَةً فَلَهَا النِّصْفُ
 وَلأَبَوَيْهِ لِكُلِّ وَاحِدٍ مِنْهُمَا السُّدُسُ مِمَّا تَرَكَ إِنْ كَانَ لَهُ وَلَدٌ فَإِنْ لَمْ
 يَكُن لَهُ وَلَدٌ وَوَرِثَهُ أَبَوَاهُ فَلأُمِّهِ الثُّلُثُ فَإِنْ كَانَ لَهُ إِخْوَةٌ فَلأُمِّهِ
 السُّدُسُ مِنْ بَعْدِ وَصِيَّةٍ يُوصِي بِهَا أَوْ دَيْنٍ آبَآؤُكُمْ وَأَبناؤُكُمْ لاَ تَدْرُونَ
 أَيُّهُمْ أَقْرَبُ لَكُمْ نَفْعاً فَرِيضَةً مِنَ الله إِنَّ الله كَانَ عَلِيما حَكِيماً 
"Allahu ju urdhëron për fëmijët tuaj, për djalin dy pjesë të vajzës; nëse janë dy a më shumë vajza, u takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet, nëse është një vajzë, i takon gjysma; për prindërit, secilit prej tyre i takon një e gjashta e trashëgimit të lënë (nga i vdekuri) nëse ai ka lënë fëmijë, nëse s'ka lënë fëmijë, pasurinë e lënë e trashëgojnë prindërit, nga të cilët, nënës i takon një e treta, nëse i vdekuri ka vëllezër, nënës i takon një e gjashta; kjo (ndarje) bëhet pasi të kryhet porosia që ka lënë (i vdekuri) dhe të lahen borxhet. Ju nuk e dini se kush është më i afërt në dobi për ju, prindërit apo fëmijët tuaj. Kjo është një ndarje e përcaktuar nga Allahu. Pa dyshim, Allahu është i urtë dhe i dijshëm." (en-Nisa, 11)
Kështu, përpjesëtimi i parë trashëgimor në Islam është bërë mes trashëgimtarëve të Sa’d bin Rebiut (r.a.).186
Në kodin juridik islam të trashëgimisë është bërë një barazpeshim i drejtë mes trashëgimisë dhe trashëgimtarëve. Burrit (mashkullit) që ka më shumë shpenzime, i është dhënë më shumë se gruas (femrës). Burri (mashkulli), i cili është kryefamiljari dhe përgjegjësi i familjes, bën shpenzime qysh me pagesën e kurorës (mehr), me dasmën dhe përgatitjen e teshave përkatëse e gjer te shpenzimet e përditshme familjare të ushqimit, veshmbathjes, etj. 
Pra, ndryshimi femër-mashkull në të drejtën islame të trashëgimisë varet nga ndryshimi detyrim-përgjegjësi. Mes këtyre dy elementëve është ngritur një ekuilibër. Për shkak të detyrimeve të rënda, si lindja dhe rritja e fëmijëve për mbrojtjen dhe vazhdimin e brezit, si dhe sigurimi i rendit dhe rregullit familjar, gruaja nuk është ngarkuar me përgjegjësi për sigurimin e mjeteve të jetesës së familjes. Prandaj dhe pjesa e saj në trashëgim është zbritur përgjysmë. Edhe kjo pjesë është dhënë duke menduar se disa femra mund të mos martohen ose mund të mbeten të shkurorëzuara, ose duke mbajtur parasysh një sërë nevojash vetiake.
Ndërkaq, gruas (femrës) i janë dhënë aftësi të tilla si thellësi ndjesore, delikatesë, dhembshuri, mëshirë, ndjenjë turpi, sakrificë dhe vetmohim, lindje dhe rritje fëmije dhe mbrojtje e brezit. Meqë femra si trup është delikate, për çka edhe në aspekte apo faqe të jetës përballet me të papritura, disa herë bie në situata dobësie trupore dhe shpirtërore pasi ndjenjat i ka jashtëzakonisht të fuqishme, mëshirën, të gjerë. Prandaj në Islam, e drejta e dëshmisë tek femra është e pjesshme (gjysmake). Ata që, duke e përfolur këtë gjë, e sulmojnë Islamin, përsosmërinë e këtij rregulli të Islamit, të lindur nga marrja parasysh e specifikave natyrore, domethënë të pandryshueshme, ose s'e kuptojnë për shkak të injorancës së tyre, ose bëjnë sikur s'e kuptojnë për shkak të marazit që ushqejnë.
E vërteta është se Zoti e ka krijuar çdo qenie dhe çdo fragment të asaj qenieje për një qëllim të caktuar dhe krijesës i ka favorizuar një ndërtim biologjik-psikologjik të përshtatshëm për të realizuar qëllimin përkatës të krijimit të saj. Allahu i Lartë që e ka ngarkuar mashkullin me luftën për jetën dhe sigurimin e jetesës së familjes, e ka bërë atë trupërisht më të fuqishëm dhe shpirtërisht më të ashpër në mënyrë që të mund të sjellë në vend ashtu siç duhet detyrat e tij. Kurse femra është ngarkuar me detyrën e vazhdimit dhe mbrojtjes së brezit, pra, me lindjen dhe rritjen e fëmijës, me kujdesin për të në çastet dhe situatat më delikate të tij, me mbrojtjen e tij. Për këtë shkak, tërësia e detyrave të saj ka bërë të domosdoshme pajisjen jo të trupit, por të shpirtit të saj me veçori minore dhe ndjenja të thella. Prandaj, që femra të mund ta mbështjellë dhe rrisë fëmijën në periudhën e parë të dobësisë së tij me një mëshirë dhe dashuri të thellë, asaj i është dhënë, si një dhuratë hyjnore, një ndjeshmëri e lartë.
E tani, nëse nënës, kësaj rrjedhe ndjeshmërie dhe mëshire, i ngarkohet një detyrë përtej krijimit dhe fuqisë së vet, del në shesh një përfundim negativ. Për rrjedhojë, mundësia që femra, duke i ardhur keq për fajtorin e duke ndjerë mëshirë për të, ta shtyjë në gabim drejtësinë, është e madhe. Kjo është bërë shkak për konkluzionin hyjnor për t'i njohur femrës gjysmë të drejte dëshmie. 
Nga ana tjetër, Islami e rregullon dëshminë sipas strukturës psikologjike të njeriut. Ndërsa, sipas vendit, nuk merret parasysh dëshmia e burrit (mashkullit), sipas vendit, dëshmia e gruas (femrës) pranohet e plotë. Për shembull, në ato raste kur burrat (meshkujt) nuk e njohin çështjen në fjalë, domethënë, kur gjykohet një çështje specifike e sferës së femrës, konsiderohet e mjaftueshme vetëm dëshmia e grave (femrave).187
Ata që pretendojnë se kjo do të thotë të pranosh që femra është e mangët, ose nuk munden ta kuptojnë, ose s’duan ta kuptojnë se Islami s'ka të bëjë me një akuzë të tillë, se Islami, duke ngritur një ekuilibër të drejtë mes detyrave dhe të drejtave, ka mbajtur parasysh, krahas specifikave të krijimit (natyrore), edhe shoqërinë në tërësi.
Përsosmëria e femrës del në pah me mbrojtjen e mundësive (kapaciteteve) të bukura të dhënë asaj prej Zotit. Po qe se femra i orienton veçoritë e saj në kundërshtim me përcaktimin hyjnor dhe braktis të vërtetën e vet, e shkatërron vlerën e saj, bëhet fatkeqe dhe e mjerë, e shuan vatrën familjare dhe, kështu, jeta shoqërore bëhet e djerrë.
Në kohën tonë ka nisur një garë barazie artificiale mes meshkujve e femrave. Kjo garë që bie në kundërshtim me veçoritë e krijimit, i ka dobësuar epërsitë bashkëshortore femërore si dhe ato amësore dhe e ka plagosur familjen. Për shkak të kësaj, dukuria e abortit e kohës sonë, si një trajtë e modernizuar e groposjes përsëgjalli të vajzave në periudhën paraislamike të injorancës, përbën krimin e shekullit tonë. Mes gruas së lodhur e të raskapitur të këtij shekulli dhe gruas së periudhës së injorancës ka mbetur thjesht një dallim garderobe. Dhe kjo s'është tjetër veçse fatkeqësia shoqërore e realizuar prej sistemit mësimor-edukativ materialist të zhveshur nga përmbajtja shpirtërore.

VITI I KATERT I HIXHRETIT
Ngjarja Rexhi (Safer 4 h. / Korrik 625 e.r.)
Për ta kumtuar Islamin dhe për t’ua mësuar atë njerëzve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dërgoi mësues në fiset përreth. Mirëpo disa nga mësuesit u tradhtuan dhe u vranë. Njëra nga tradhtitë më të mëdha është “Ngjarja Rexhi”. 
Fiset Adal dhe Kare në fërsi të Medinës kërkuan prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) mësues për t'ua mësuar Islamin. Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dërgoi tek ta një grup prej dhjetë vetësh të kryesuar nga Asim bin Thabiti.
Grupi arriti në vendin e quajtur Hudat që ndodhej mes Usfanit dhe Mekës dhe bëri konak pranë oazit Rexhi që ndodhej në zonën e fisit Hudhejl. Ndërkaq, fisi Bijtë Lihjan që ishte një degë e fisit Hudhejl, ishte lajmëruar për ardhjen e mësuesve muslimanë në atë zonë. Bijtë Lihjan u vunë në ndjekje të tyre me një grup prej rreth njëqind shigjetarësh. Me ta kuptuar se po ndiqeshin, Asimi me shokë u strehuan në një pozicion të lartë ku mund të mbroheshin. Armiku i rrethoi nga të gjitha anët dhe u bëri zë:
“Zbrisni poshtë, lërini armët që keni në duar dhe dorëzohuni. Ju japim fjalën se asnjërin nuk do ta vrasim!”
Asimi u tha shokëve:
“Shokë, unë nuk zbres poshtë duke i besuar fjalës së një qafiri!” Dhe pastaj u lut kështu:
“Allahu im, bëja të ditur të Dërguarit Tënd gjendjen ku ndodhemi!”
Pastaj armiqtë i qëlluan me shigjeta dhe vranë Asimin bashkë me gjashtë nga shokët.
Kur u plagos, Asimi u lut kështu:
“Allahu im, në fillim të ditës unë e mbrojta fenë tënde, edhe Ti mbroje kufomën time në fund të ditës!”
Kur disa nga parësia e Kurejshve morën vesh për vrasjen e Asimit, dërguan njerëz për t’u sjellë një copë nga trupi i tij për ta identifikuar, sepse ai kishte vrarë njërin prej tyre në luftën e Bedrit. Por Allahu i Lartë dërgoi një tufë bletësh për ta mbrojtur kufomën e Asimit (r.a.). Reja e bletëve e mbuloi krejtësisht, kështu që njerëzit e Kurejshve nuk arritën të shkëpusin asgjë prej kufomës së tij. (Buhari, Xhihad, 170; Megazi, 10, 28; Vakidi, I, 354, 363)
Armiku i cili priste të binte mbrëmja dhe të shpërndaheshin bletët, u përball me një ndodhi që s’e priste fare: papritmas, ia filloi shiu! Rrebeshi mori ç’gjeti para dhe, në këtë mes, kufoma e Asimit humbi. Kështu, u zhduk çdo mundësi që armiku të merrte ndonjë pjesë nga trupi i tij. Pas kësaj ngjarjeje, Asimi filloi të përmendej si “dëshmori që e mbrojtën mbletët”. (Ibni Hisham, III, 163)
Pasi politeistët nxorën telat e harqeve për t’i lidhur muslimanët e dorëzuar, edhe i teti prej tyre i kundërshtoi duke u thënë:
“Kjo është pabesia e parë që po na bëhet neve. Vallahi, kurrë nuk do t’ju nënshtrohem juve! Këta dëshmorë janë një shembull i bukur për mua!” Politeistët deshën ta merrnin me vete me përdhunë duke e hequr zvarrë,  por ai i kundërshtoi me forcë. Atëherë, ata e vranë.
Kështu, nga dhjetë sahabet, vetëm dy mbetën gjallë: Hubejbi dhe Zejdi (r.anhuma). Politeistët i çuan në Mekë dhe i shitën. Hubejbin e blenë bijtë e Harith bin Amirit të cilin ai e kishte vrarë në luftën e Bedrit. Hubejbi qëndroi si rob në duart e tyre gjer ditën kur vendosën për ta vrarë. 
Një grua nga të shtëpisë tregon:
“Betohem në Allahun se unë s’kam parë në jetën time rob më të mirë se Hubejbi. Vallahi, e pashë një ditë tek po hante rrush të freskët ndërkohë që ishte i lidhur me zinxhirë dhe në Mekë s’kishte asnjë lloj fruti. Ai ishte një rizk që Allahu ia kishte favorizuar Hubejbit. Hubejbi këndonte Kur’an dhe falte namaz tehexhxhudi. Gratë që e dëgjonin Kur’anin e kënduar prej tij, prekeshin dhe qanin. E pata pyetur:
“O Hubejb! A ke ndonjë nevojë?”
“Jo! – Më tha. “Nuk kam nevojë tjetër veçse të më japësh ujë të mirë për të pirë, të mos më japësh për të ngrënë nga mishi i kafshëve të therura në emër të idhujve, si dhe të më njoftosh kur do të duan të më vrasin!”
Kur e njoftova se do ta vrisnin pasi dolën muajt e ndaluar dhe ata vendosën për ta vrarë, vallahi, nuk pashë që të ndjente ndonjë frikë apo tronditje prej kësaj. Të bijtë e Harithit e nxorën për ta vrarë jashtë zonës së Qabes, në vendin e quajtur Hill. Atëherë, Hubejbi u tha:
“Më lejoni të fal dy reqate namaz!” E lejuan. Pasi fali dy reqate namaz, Hubejbi u tha:
“Betohem në Allahun se po ta dija se nuk do të pandehnit se frikësohem nga vdekja, do të falesha më gjatë!” Në këtë mënyrë, Hubejbi u bë personi që e filloi zakonin për çdo musliman për të falur dy reqate namaz para ekzekutimit. 
Pastaj Hubejbi bëri këtë lutje dhe, pas saj, një deklaratë:
“Allahu im! Secilin prej këtyre që ndodhen këtu, shkatërroji, merrua shpirtrat një për një, asnjërin mos e lër gjallë!”188
“Meqë po vdes si musliman, nuk më shqetëson mënyra se si po vdes! Pa diskutim, të gjitha këto që po ngjasin janë për hir të Allahut! Po deshi Ai, është mjaft e lehtë që, me trupin e copëtuar, t’ia arrij pëlqimit të Zotit!”
Pastaj Hubejbi (r.a.) iu lut Allahut të Lartë kështu:
“O Zot! Nuk po shoh këtu asnjë fytyrë tjetër veç fytyrave të armiqve! Nuk ka as ndonjë person që do të mund të çohej si lajmëtar te i Dërguari i Allahut! Pra, çoja selamin tim atij!”
Atë kohë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po rrinte në Medinë me sahabet. Në një çast, të gjithë që po i rrinin përreth, e dëgjuan të thoshte: 
“وَعَلَيْهِ السَّلاَمُ (Paqja qoftë edhe mbi të!) Sahabet e pyetën të habitur:
“O i Dërguari i Allahut! Selamit të kujt i dhe përgjigje?”
“Selamit (përshëndetjes) së vëllait tuaj, Hubejbit! Ja, Xhebraili më solli selamin e Hubejbit!” Kështu, Profeti (s.a.s.) ua njoftoi në çast shokëve vrasjen e atyre sahabive.” (Buhari, Xhihad, 170; Megazi, 10, 28; Vakidi, I, 354-363)
Para se ta ekzekutonin, siç ishte ashtu, i lidhur në litar, e pyetën Hubejbin: 
"A do të doje që, në shkëmbim të shpëtimit të jetës, në vendin tënd të ishte Muhammedi?"
Hubejbi iu përgjigj, pa u mendur aspak, me një guxim dhe vendosmëri të madhe kësaj pyetjeje kështu:
"Kurrë! Jo të ishte këtu, por as edhe t'i ngulej një gjemb në këmbë aty ku është në Medinë këtë çast!"
I habitur prej kësaj përgjigjeje, Ebu Sufjani tha:
"S'kam parë në botë njeri që të duhet nga shokët kaq shumë sa ç'duhet Muhammedi!" (Vakidi, I, 360; Ibni Sa’d, II, 56)
Kur do ta varnin, ia kthyen fytyrën nga Medina. Hubejbi u lut:
“Allahu im, po qe se ç’kam bërë, është e mirë për Ty, kthema fytyrën nga kiblja jote!” Dhe Allahu i Lartë ia ktheu fytyrën nga kiblja. Sado që u munduan t’ia kthejnë fytyrën në tjetër anë, politeistët s’ia dolën dot! Për këtë sahabi të bekuar zbritën ajetet:
يَا أَيَّتُهَا النَّفْسُ الْمُطْمَئِنَّةُ . اِرْجِعِي إِلَى رَبِّكِ رَاضِيَةً مَرْضِيَّةً .
 فَادْخُلِي فِي عِبَادِي . وَادْخُلِي جَنَّتِي 
“O ti nefs i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt me pëlqim dhe i pëlqyer, hyr mes robve të mi dhe hyr në xhennetin tim!” (el-Fexhr, 27-30) (Kurtubi, XX, 58; Alusi, XXX, 133)
***
Edhe Zejdi (r.a.) i ekzekutuar pas Hubejbit (r.a.), karakterizohej nga e njëjta vendosmëri besimi. Netëve falte namaz tehexhxhudi, kurse ditën agjëronte. As ai nuk i hante gjellët me mish të therur në emër të idhujve. Në vend të gjellëve, parapëlqente qumështin. Me qumësht e niste agjërimin, me qumësht e hapte në iftar. Kur u përball me Hubejbin ndërsa po e çonin në Ten’im për ta ekzekutuar, e porositën njëri-tjetrin për durim përballë së keqes që u kishte rënë në kokë. Edhe Zejdi (r.a.) fali dy reqate namaz.
Pyetjes nëse do të donte që në vend të tij të ishte Muhammedi, i dha të njëjtën përgjigje si Hubejbi (r.a.). (Vakidi, I, 361-362)
Gjithashtu, politeistëve kokëtrashë që i thanë se do ta lironin po qe se do të hiqte dorë nga Islami, iu përgjigj:
“Të vdes si musliman është një mijë herë më mirë se të jetoj i kthyer nga feja!” Në këtë mënyrë, mes seriozitetit prej besimtari, piu me kënaqësi sherbetin e dëshmorit!
Poeti Junus Emre, nga ashikët e Profetit, i cili e pati njohur këtë kënaqësi të besimit, e ka shprehur kështu në vargjet e veta dëshirën e meritimit të ndërmjetësimit të madh në jetën e pasme, ahiret, me pasionin për ta dhënë jetën për Allahun dhe të Dërguarin e Tij:
T’u bëfsha kurban në rrugën tënde,
O emërbukuri, o vetë i bukuri, Muhammed!
Robin tënd të përulur vetëm mos e le,
O emërbukuri, o vetë i bukuri, Muhammed!

Ndodhia në Bir-i Maune (Safer 4 h. / Korrik 625 e.r.)
Në të njëjtat ditë me ngjarjen Rexhi, Ebu Bera nga parësia e zonës Nexhd iu drejtua të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) për t’i kërkuar mësues feje për fisin e tij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk deshi ta pranonte kërkesën e tij. Madje, nuk i mori as dhuratat që ia kishin sjellë. Ai i tha:
“Unë frikësohem për miqtë e mi nga njerëzit e Nexhdit (nga pabesia dhe tradhtia e njerëzve të Nexhdit)!..”
Atëherë, Ebu Bera, në emër të fisit, dha garanci për jetën e muslimanëve. Edhe Profeti (s.a.s.), në emër të Ebu Bera-së i shkruajti veçmas një letër nipit të tij, Amr, i cili qeveriste fiset në Nexhd. Pastaj përgatiti një grup mësuesish prej shtatëdhjetë vetësh të quajtur “Kurra” dhe i dërgoi të shoqëruar nga Ebu Bera. 
Kur grupi arriti në vendin e quajtur Bi’r-i Maune katër konaqe larg Medinës, u përball me një pabesi dhe tradhti të tmerrshme. Nipi i Ebu Berasë, Amri, në krye të një ushtrie të konsiderueshme, i sulmoi befas dhe pa e hapur fare letrën e Profetit (s.a.s.). Kur fisi i Ebu Berasë nuk deshi të luftonte kundër muslimanëve meqë Ebu Bera i kishte marrë nën mbrojtje, Amri i bindi fiset Usajja, Ri’l, Zevkan dhe Beni Lihjan dhe i kaloi në shpatë të gjithë muslimanët, nga të cilët mundi të shpëtojë vetëm Amr bin Umejje.189
Xhebbar bin Thulma i cili ndodhej ndër pjesëmarrësit e sulmit atë ditë tragjike, tregon kështu:
“Ia ngula heshtën muslimanit Amr bin Fuhejre i cili më ftoi në Islam! E pashë që heshta iu ngul në gjoks e i doli matanë! Pikërisht në këtë gjendje, ai po thoshte:
“Vallahi, fitova!” Unë mendova me vete:
“Ç’farë fitoi?! A s’e vrava unë atë?” Në këtë mes, kufoma iu ngjit në qiell dhe u humb nga sytë! Kjo ngjarje i së cilës u bëra dëshmitar, u bë pretekst që të kthehesha në musliman!” (Ibni Hisham, III, 187; Vakidi, I, 349)
Xhebraili (a.s.) shkoi te Profeti dhe e njoftoi se mësuesit e rrugës së Islamit ranë dëshmorë dhe u bashkuan me Zotin e tyre, të pëlqyer nga Zoti i tyre dhe me pëlqim ndaj Zotit të tyre!190
Përballë këtyre ngjarjeve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u prek thellë dhe ndjeu një dhimbje të madhe. Duke ngritur duart e bekuara drejt selisë hyjnore, një muaj me radhë, pas namazit të mëngjesit, ai iu lut Zotit: “Allahu im, mallkoji fiset Ri’l, Zekvan dhe Usajje që ngritën krye kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij!” (Buhari, Xhihad, 9, 19; Megazi, 28; Muslim, Mesaxhid, 297)
Muslimanët derdhën lot hidhërimi. Kurse hipokritët dhe çifutët u dehën nga gëzimi. Ata kishin mbetur shumë të kënaqur nga ngjarjet e zhvilluara që prej Uhudit e këtej. Veçanërisht, fakti që në Uhud nuk kishin mundur të tregonin forcën e duhur kundër muslimanëve, i bënte që ta derdhnin jashtë urrejtjen dhe ta shtonin propagandën e tyre tradhtare. Duke i treguar si një meritë të madhe hipokrizinë dhe tradhtinë që patën bërë duke shkuar në luftë, filluan t'u thoshin muslimanëve që kishin dhënë shumë dëshmorë:
"Ata që vdiqën, po të na e kishin dëgjuar fjalën, tani do të qenë gjallë!"
Përgjigjja e Kur'anit qe një kërcënim i ashpër për këtë qëndrim të tyre:
الَّذِينَ قَالُوا لإِخْوَانِهِمْ وَقَعَدُوا لَوْ أَطَاعُونَا مَا قُتِلُوا قُلْ فَادْرَؤُوا
 عَنْ أَنْفُسِكُمُ الْمَوْتَ إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينَ 
"Atyre që ndenjën (në shtëpi) dhe thanë për vëllezërit e vet se "po të na e kishin dëgjuar fjalën, nuk do të vriteshin”, thuaju: "Nëse jeni të sigurt, shpëtojeni jetën tuaj nga vdekja!" (Al-i Imran, 168)
وَمَا كَانَ لِنَفْسٍ أَنْ تَمُوتَ إِلاَّ بِإِذْنِ الله كِتَاباً مُؤَجَّلاً
"Askush nuk vdes pa lejen e Allahut. Vdekja është e shkruar për një periudhë të caktuar..." (Al-i Imran, 145)
***
Enesi (r.a.) ka thënë:
“Nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) të dëshpërohet për diçka më shumë se ç’është dëshpëruar për sahabet e rënë dëshmorë në Bi’r-i Maune!” (Muslim, Mesaxhid, 302)
Sepse pothuajse të gjithë dëshmorët e Bi’r-i Maunes ishin nga shokët e Suffes dhe mësues të Kur’anit dhe Sunnetit, të përgatitur nën edukimin moralo-shpirtëror të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)!
Ngjarjet në Rexhi dhe Bi’r-i Maune tregojnë se ç’domosdoshmëri e rëndësishme dhe jetësore janë për muslimanët detyra e kumtimit dhe orientimit fetar. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pati dërguar si mësues dhe orientues fetarë të Islamit më të shquarit e shokëve të tij dhe duke marrë parasysh rreziqet e mundshme. Zoti i ka lavdëruar luftëtarët e rënë dëshmorë në krye të kësaj detyre të rëndësishme dhe ka deklaruar se Ai është i kënaqur me ta, se edhe ata janë të kënaqur me Zotin e tyre!191

Plani tradhtar i Beni Nadrit 
Kur Amr bin Umejje që kishte shpëtuar prej ndodhisë së Bi’r-i Maunes, po kthehej në Medinë, vrau në gjumë dy vetë që i përkisnin fisit që i kishte sulmuar. Mirëpo ata kishin qenë nën mbrojtjen e Profetit (s.a.s.). Po ktheheshin pas vizitës së bërë në Medinë. Prandaj për ta duhej dhënë dëmshpërblim. Meqë sipas marrëveshjes së bërë që më parë, një pjesë e dëmshpërblimit duhet të paguhej nga ana e Beni Nadrit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi, së bashku me një grup shokësh, në vendbanimin e tyre.
Kur çifutët Beni Nadr panë se Profeti (s.a.s.) kishte shkuar tek ta i shoqëruar nga aq pak vetë, duke e quajtur këtë si një rast të papërsëritshëm për veten e tyre, bënë plan për atentat kundër të Dërguarit të Allahut. Ata thanë se do ta jepnin me kënaqësi pjesën që u takonte dhe e ftuan të Dërguarin e Allahut për të ndenjur nën hijen e një shtëpie gjersa të mblidhej shuma e duhur. Në këtë mes, duke shtuar edhe se do t'i gostisnin, kaluan me shpejtësi në veprim për të bërë ç'kishin menduar: të hidhnin nga çatia e shtëpisë pranë së cilës po rrinte Profeti, një gur të madh për ta vrarë. Meqë këtë punë paraardhësit e tyre e kishin pas bërë edhe me profetët e tyre, kishin mjaft përvojë. 
Në këtë mes, Profeti u ngrit menjëherë nga vendi e u largua me shpejtësi që aty, sepse Allahu i Lartë e kishte njoftuar të Dërguarin e Tij se si qëndronte puna. Zoti ua kujton kështu besimtarëve të mirën që u ka bërë duke u mbrojtur të Dërguarin e Tij:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا نِعْمَتَ الله عَلَيْكُمْ
 إِذْ هَمَّ قَوْمٌ أَنْ يَبْسُطُوا إِلَيْكُمْ أَيْدِيَهُمْ فَكَفَّ أَيْدِيَهُمْ عَنْكُمْ
 وَاتَّقُوا الله وَعَلَى الله فَلْيَتَوَكَّلِ الْمُؤْمِنُونَ 
"O ju që besuat! Kujtojeni të mirën e Allahut për ju kur një popull deshi të zgjaste duart kundër jush, kurse Allahu i zbrapsi duart e tyre prej jush. Kini frikë Allahun! Besimtarët (të marrin mësim nga kjo ngjarje dhe) të mbështeten vetëm te Allahu!" (el-Maide, 11)
Megjithëse atentati drejtohej kundër të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në Kur'an thuhet "kundër jush", gjë që mbështetet në faktin se Profeti qe për besimtarët si jeta e tyre, madje edhe më i shtrenjtë!
Lidhur me këtë iniciativë për atentat, Zoti urdhëroi:
وَإِمَّا تَخَافَنَّ مِنْ قَوْمٍ خِيَانَةً فَانْبِذْ إِلَيْهِمْ عَلَى سَوَاءٍ
 إِنَّ الله لاَ يُحِبُّ الخَائِنِينَ
"Nëse ke frikë nga pabesia dhe tradhtia e një fisi (me të cilin ke bërë marrëveshje), edhe ti bëjua të ditur haptaz atyre se e ke prishur marrëveshjen, sepse Allahu nuk i do të pabesët dhe tradhtarët!" (el-Enfal, 58)
وَإِن جَنَحُوا لِلسَّلْمِ فَاجْنَحْ لَهَا وَتَوَكَّلْ عَلَى الله إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ
 وَإِنْ يُرِيدُوا أَن يَخْدَعُوكَ فَإِنَّ حَسْبَكَ الله الْعَلِيمُ .
مِنِينَ هُوَ الَّذِيَ أَيَّدَكَ بِنَصْرِهِ وَبِالْمُؤْ 
"Nëse ata anojnë kah paqja, edhe ti ano kah ajo dhe mbështetu te Allahu sepse Ai dëgjon dhe sheh. Por nëse kërkojnë të të mashtrojnë me të, Allahu të mjafton ty! Ai të mbështet ty me anë të ndihmës së vet dhe me besimtarët!" (el-Enfal, 61-62)
Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dërgoi në Beni Nadr një përfaqësues me anë të të cilit u kërkoi atyre ta ribëjnë marrëveshjen dhe i paralajmëroi se, në të kundërt, brenda dhjetë ditësh duhet të largoheshin nga Medina! Ndërkaq, hipokritët që s'rrinin pa bërë gjë, i dërguan fshehtazi lajm fisit Beni Nadr që po përgatiteshin për t'u shpërngulur, se do t'u vinin në ndihmë me një grup të madh njerëzish, prandaj të mos largoheshin prej Medinës. Zoti e zbuloi edhe këtë lajmërim të fshehtë në Kur’an:
أَلَمْ تَر إِلَى الَّذِينَ نَافَقُوا يَقُولُونَ لِإِخْوَانِهِمُ الَّذِينَ كَفَرُوا مِنْ أَهْلِ
الْكِتَابِ لَئِنْ أُخْرِجْتُمْ لَنَخْرُجَنَّ مَعَكُمْ وَلَا نُطِيعُ فِيكُمْ أَحَداً أَبَداً
نَ وَإِنْ قُوتِلْتُمْ لَنَنْصُرَنَّكُمْ وَاللّٰهُ يَشْهَدُ إِنَّهُمْ لَكَاذِبُو 
"A s'e di si u thanë hipokritët miqve të tyre mohues nga ithtarët e librit? "Nëse ju dëboheni, edhe ne do të vijmë me ju dhe me askënd nuk do të merremi vesh kundër jush. Po qe se do t'ju luftojnë, pa tjetër do t'ju ndihmojmë!" Allahu dëshmon se ata janë gënjeshtarë!" (el-Hashr, 11)
Duke ndjerë siguri në vetvete si rrjedhojë edhe e nxitjes nga hipokritët, çifutët e kundërshtuan të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Por hipokritët as që kishin ndërmend t'u jepnin ndihmën që u premtonin. Zoti këtë e shpreh kështu:
لَئِنْ أُخْرِجُوا لَا يَخْرُجُونَ مَعَهُمْ وَلَئِن قُوتِلُوا لَا يَنْصُرُونَهُمْ
وَلَئِنْ نَصَرُوهُمْ لَيُوَلُّنَّ الْأَدْبَارَ ثُمَّ لَا يُنْصَرُونَ 
"Sikur të dëbohen ata, (hipokritët) s'kanë për të dalë bashkë me ta; sikur të hyjnë në luftë, s'kanë për t'i ndihmuar; edhe sikur të nisin t'i ndihmojnë, prapë kanë për t'u kthyer pas e ata kanë për të mbetur vetëm pa ndihmë!" (el-Hashr, 12)
Kjo do të ndodhte kështu sepse hipokritët, sado që të përpiqeshin për t'u hapur gropën muslimanëve fshehtas me anë të intrigave, frikësoheshin shumë prej muslimanëve. Edhe këtë të vërtetë, Kur’ani e deklaron kështu:
لَأَنْتُمْ أَشَدُّ رَهْبَةً فِي صُدُورِهِم مِنَ الله ذَلِكَ بِأَنَّهُمْ قَوْمٌ لاَ يَفْقَهُونَ 
Frika që ndjejnë ata prej jush, është më e madhe se frika që ndjejnë ndaj Allahut sepse ata janë një popull që nuk kuptojnë!.." (el-Hashr, 13)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) që e pa se çifutët Beni Nadr e kaluan shumë masën, e rrethoi vendbanimin e tyre meqë s'kishte mbetur më gjë tjetër për të bërë. Edhe fisi tjetër çifut, Beni Kurajdha, e prishi marrëveshjen dhe u vendos në krah të Beni Nadrit.192
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) pa se çifutët ngjiteshin mbi dyert dhe shtëpitë dhe luftonin, si dhe, kur mundeshin, fshiheshin pas shtëpive. Atëherë, urdhëroi që, duke filluar që nga më e afërta, të gjitha shtëpitë e çifutëve të shembeshin një e nga një, po kështu, një pjesë e drurëve të hurmave të priteshin e të digjeshin. Çifutët i folën me të bërtitur:
“O Muhammed! Ti ndaloje intrigën dhe të keqen dhe i qortoje ata që vepronin ashtu. Po prerja dhe djegia e pemëve, ç’është?!” Këto fjalë të çifutëve i bëri disa muslimanë të lëkundeshin e të shqetësoheshin. Atëherë, Allahu i Lartë, duke urdhëruar si më poshtë, i fshiu lëkundjet dhe shqetësimet e muslimanëve.193 Në këtë mënyrë, edhe bëri të ditur se duhet të merrnin masa kundrejt dredhive të çifutëve:
مَا قَطَعْتُم مِنْ لِينَةٍ أَوْ تَرَكْتُمُوهَا قَائِمَةً عَلَى أُصُولِهَا
 فَبِإِذْنِ الله وَلِيُخْزِيَ الْفَاسِقِينَ 
“Prerja apo lënia siç është e ndonjë peme hurme është gjithmonë me leje të Allahut dhe për t’i diskredituar ata që dalin nga rruga e Tij!” (el-Hashr, 5)
Afro njëzet ditë pas, fisi Beni Nadr, si rrjedhojë e taktikës luftarake të shkëlqyer të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe kur panë se nuk u erdhi ndihma e premtuar nga hipokritët, u dorëzuan. I Dërguari i Allahut i përzuri pjesëtarët e fisit Beni Nadr nga Medina , kurse fisin Beni Kurajdha i la në vend meqë pranuan një marrëveshje të re. Ai u bëri të mira atyre.194
Para se të largoheshin nga vendbanimi, pjesëtarët e fisit Beni Nadr i shembën me duart e veta shtëpitë e pashembura për të mos ua lënë muslimanëve dhe një pjesë shtegtuan në anë të Hajberit, kurse një pjesë tjetër, në anë të Sirisë.195
Ndihmën që u dha muslimanëve në këtë fitore, Allahu i Lartë e shpreh me këtë ajet kur’anor:
هُوَ الَّذِي أَخْرَجَ الَّذِينَ كَفَرُوا مِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ مِنْ دِيَارِهِمْ لِأَوَّلِ 
الْحَشْرِ مَا ظَنَنْتُمْ أَنْ يَخْرُجُوا وَظَنُّوا أَنَّهُم مَانِعَتُهُمْ حُصُونُهُم مِنَ الله 
فَأَتَاهُمُ الله مِنْ حَيْثُ لَمْ يَحْتَسِبُوا وَقَذَفَ فِي قُلُوبِهِمُ الرُّعْبَ 
يُخْرِبُونَ بُيُوتَهُم بِأَيْدِيهِمْ وَأَيْدِي الْمُؤْمِنِينَ فَاعْتَبِرُوا يَا أُولِي الْأَبْصَارِ 
"Allahu i përzuri nga vendbanimet mohuesit ndër adhuruesit e librit në përzënien e parë. Ju patët pandehur se ata s'kishin për të dalë. Kurse ata patën pandehur se kalatë kishin për t'i mbrojtur prej Allahut. Por ndëshkimi i Allahut u erdhi nga s’e pandehën! Ai u hodhi frikë ndër zemrat, ashtu që i shkatërruan shtëpitë edhe me duart e veta, edhe me duart e besimtarëve! Pra, merrni mësim, o ju që keni mend!" (el-Hashr, 2)
Mallrat e mbetura prej Beni Nadrit, meqë u futën në dorë pa përdorur armë, u quajtën “fej” (të lëna, të mbetura) u trajtuan ndryshe nga ato të përftuara në luftën me armë (ganimet) dhe për to u vendos kështu:
مَا أَفَاءَ الله عَلَى رَسُولِهِ مِنْ أَهْلِ الْقُرَى فَلِلّٰهِ وَلِلرَّسُولِ وَلِذِي 
الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَابْنِ السَّبِيلِ كَيْ لَا يَكُونَ دُولَةً بَيْنَ 
عَنْهُ فَانتَهُوا الْأَغْنِيَاءِ مِنْكُمْ وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ 
لِلْفُقَرَاءِ الْمُهَاجِرِينَ الَّذِينَ وَاتَّقُوا الله إِنَّ الله شَدِيدُ الْعِقَابِ.
 أُخْرِجُوا مِنْ دِيَارِهِمْ وَأَمْوَالِهِمْ يَبْتَغُونَ فَضْلاً مِنَ الله وَرِضْوَاناً 
وَيَنْصُرُونَ الله وَرَسُولَهُ أُوْلَئِكَ هُمُ الصَّادِقُونَ 
"Mallrat e popujve të vendeve (të triumfuara pa luftë) që Allahu ia dha të Dërguarit të vet, i takojnë Allahut, të Dërguarit, të afërmve të tij, jetimëve, të varfërve dhe të mbeturve në rrugë. Kjo, me qëllim që ato mallra të mos bëhen fat që qarkullon vetëm mes të pasurve ndër ju. Ç’t’ju japë i Dërguari, atë merreni dhe ç’t’ju ndalojë, prej asaj ruhuni. Dhe frikësohuni nga Allahu, sepse ndëshkimi i Allahut është i ashpër. Gjithashtu, ato janë për të varfërit që bëjnë hixhret, që janë nxjerrë nga vatrat e u është marrë pasuria, të cilët kërkojnë pëlqimin dhe favorin e Allahut, që u ndihmojnë Allahut dhe të Dërguarit. Ja, ata janë besnikët!” (el-Hashr, 7-8)
Pjesa e përcaktuar në ajet si e drejtë e Allahut nga mallrat “fej”, është për meremetimin e Qabes dhe faltoreve të tjera. Kurse pjesën që i pati takuar për vete, Profeti e pati ndarë mes të varfërve ndër shokët e tij. Urtësia e një ndarjeje të tillë të mallit “fej” ishte, ashtu si shpjegohet në ajetin e mësipërm, që të pengohej grumbullimi i pasurisë vetëm në duart e shtresave të caktuara dhe të qarkullonte vetëm mes tyre. Sepse parimi i Islamit në çështjet financiare e pasurore është që njerëzit ta ndihmojnë njëri-tjetrin, që nga të mirat në dorën e disave të përfitojnë edhe të varfërit dhe të dobëtit. Kështu ngrihet një shoqëri e drejtë që i afron shtresat e ndryshme me njëra-tjetrën dhe në të cilën nuk gjendet ndonjë grup që shfrytëzon tjetrin.
Prandaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i përpjesëtoi mes muhaxhirëve mallrat e mbetura e të konfiskuara nga Beni Nadri, kurse nga ensarët u dha vetëm tre vetëve që kishin nevojë. Para përpjesëtimit, ai u foli kështu ensarëve:
“Po deshët, ato që ua keni dhënë më parë muhaxhirëve, të mbeten tek ta dhe të merrni edhe ju pjesë nga ky mall. Po deshët, kërkojini t’ua kthejnë të gjitha ç’u keni dhënë dhe të gjitha këto mallra t’u mbeten atyre!”
Atëherë, ensarët (r.anhum exhmain) dhanë këtë përgjigje të shkëlqyer:
“As nga ato që kemi dhënë nga mallrat dhe shtëpitë tona nuk marrim prapë gjë, as në këto mallra nuk u hymë në pjesë, por ua lëmë të gjitha atyre!”
Kjo shfaqje e papërshkrueshme vëllazërie e ensarëve u bë një nga shkaqet e zbritjes së këtij ajeti kur’anor:
وَالَّذِينَ تَبَوَّؤُوا الدَّارَ وَالْإِيمَانَ مِنْ قَبْلِهِمْ يُحِبُّونَ مَنْ هَاجَرَ إِلَيْهِمْ
 وَلَا يَجِدُونَ فِي صُدُورِهِمْ حَاجَةً مِمَّا أُوتُوا وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ
 وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ
“Ata që e kanë bërë më parë vendbanim Medinën dhe që kanë shtresuar ndër zemra besimin, i duan ata që kanë emigruar e ardhur tek ta, nuk ndjejnë ndonjë kundërshtim për ato që u jepen atyre dhe, edhe sikur vetë të jenë nevojtarë, i mbajnë ata mbi veten…” (el-Hashr, 9) (Razi, XXIX, 250; Kurtubi, XVIII, 25)

Ndalimi i kumarit dhe i pijeve alkoolike
Siç dihet, konkluzioni mbi kumarin dhe pijet alkoolike nuk qe vendosur qysh në vitet e para të Islamit, por, me një konsideratë të posaçme, qe lënë për më vonë. Konsiderata haram mbi pijet alkoolike dhe ndalimi i tyre ndodhën pas këtyre etapave.
1. Në Mekë kishte zbritur ajeti që thoshte:
وَمِنْ ثَمَرَاتِ النَّخِيلِ وَالْأَعْنَابِ تَتَّخِذُونَ مِنْهُ سَكَراً وَرِزْقاً حَسَناً
 إِنَّ فِي ذَلِكَ لآيَةً لِقَوْمٍ يَعْقِلُونَ 
“Nga hurmat dhe rrushi ju merrni edhe pije që japin dehje, edhe ushqime të mira. Pa dyshim, në këtë ka një mësim për ata që e përdorin mendjen!” (en-Nahl, 67)
Në këtë ajet ishte bërë e ditur se nga hurmat dhe rrushi merrej edhe një lëndë dehëse, e ndryshme nga lëndët ushqimore të tjera të mira të nxjerra nga këto fruta. Kështu, duke e hedhur fjalën për faktin që gjërat dehëse nuk konsideroheshin pije të mira e të pranueshme, është lënë të nënkuptohet se në të ardhmen ato do të ndaloheshin. Në periudhën e Mekës nuk ka zbritur ajet tjetër mbi pijet.
2. Pasi Profeti emigroi në Medinë, Allahu urdhëroi kështu mbi pyetjet që bënin njerëzit:
يَسْأَلُونَكَ عَنِ الْخَمْرِ وَالْمَيْسِرِ قُلْ فِيهِمَا إِثْمٌ كَبِيرٌ وَمَنَافِعُ لِلنَّاسِ
 وَإِثْمُهُمَا أَكْبَرُ مِنْ نَفْعِهِمَا 
“Të pyesin ty për pijet dhe kumarin. Thuaju: “Në to ka edhe mëkat të madh, edhe disa dobi për njerëzit, por mëkati i të dyve është më i madh se dobia e tyre…” (el-Bakara, 219)
Pas zbritjes së këtij ajeti, shumica e muslimanëve e lanë pijen, kurse disa vazhduan të pijnë.
3. Njëri nga sahabet, ndërsa po drejtonte faljen e namazit të mbrëmjes, një ajet e këndoi gabim aq sa t’i prishej kuptimi. Atëherë zbriti ajeti:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لاَ تَقْرَبُوا الصَّلاَةَ وَأَنْتُمْ سُكَارَى
 حَتَّىَ تَعْلَمُوا مَا تَقُولُونَ 
“O ju që keni besuar! Mos u afroni në namaz duke qenë të pirë, gjersa të jeni në gjendje të kuptoni se ç’thoni!..” (en-Nisa, 43)
Pas kësaj, numri i muslimanëve që pinin u pakësua mjaft. Aty e tutje, kur do të bëhej falja e namazit, zëdhënësi i të Dërguarit të Allahut lajmëronte me zë të lartë: “Të dehurit (të pirët) të mos afrohen në namaz!” Më në fund, muslimanët e kishin kuptuar qartë se pija do të ndalohej prerazi dhe ishin përgatitur për këtë.
4. Pjesa më e madhe e muslimanëve e kishin lënë pijen. Kurse disa ishin të lënduar nga situatat e pakëndshme ku binin për shkak të pijes. Hz. Omeri lutej: “Allahu im, na thuaj hapur e qartë një gjë për pijen!” Më në fund, kur e keqja e pijes u bë më konkrete pas një grindjeje të shkaktuar në një gosti me pije, për pasojë, kur ndalimi i pijes gjeti një truall të miratueshëm me lehtësi, kjo ngjarje përbëri shkak zbritjeje dhe u komunikua ndalimi hyjnor. Allahu i Lartë urdhëronte:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّمَا الْخَمْرُ وَالْمَيْسِرُ وَالْأَنْصَابُ وَالْأَزْلاَمُ
 رِجْسٌ مِنْ عَمَلِ الشَّيْطَانِ فَاجْتَنِبُوهُ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ .إِنَّمَا يُرِيدُ
الشَّيْطَانُ أَنْ يُوقِعَ بَيْنَكُمُ الْعَدَاوَةَ وَالْبَغْضَاءَ فِي الْخَمْرِ وَالْمَيْسِرِ
وَيَصُدَّكُمْ عَنْ ذِكْرِ الله وَعَنِ الصَّلاَةِ فَهَلْ أَنْتُم مُنْتَهُونَ 
"O ju që keni besuar! Vera, kumari, idhujt, falli dhe lojrat e shansit janë punë të fëlliqura të djallit. Qëndroni larg tyre që të shpëtoni! Me anë të pijes dhe kumarit, shejtani dëshiron vetëm të lëshojë armiqësi dhe urrejtje mes jush, t’ju pengojë nga përmendja e Allahut dhe namazi! Më në fund, hoqët dorë (nga të gjitha këto), apo jo!” (el-Maide, 90-91)
Profeti e thirri Hz. Omerin dhe ia këndoi këto ajete. Kur këndimi arriti në pjesën e fundit, ai tha:
“Hoqëm dorë, hoqëm dorë, o Zot!”
Jo vetëm Hz. Omeri (r.a.), por edhe të gjithë muslimanët thoshin:
“Hoqëm dorë nga pija dhe kumari, o Zoti ynë!”
Pasi zbritën këto ajete, një zëdhënës, me urdhrin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) shpalli me zë të lartë:
“Ta dini se pija është bërë haram!”
Dhe pijet që u zbrazën nga kacekët e shpuar dhe që rodhën nga qypat e thyer, rodhën si përrua nëpër sokakët e Medinës!..
Pas këtij ajeti ndalimi, muslimanët që pinin, i thyen të gjitha gotat e verës që kishin në dorë. Dhe nuk pinë më. Më pas, Profeti tha:
“Pa dyshim, Allahu e ka mallkuar pijen, atë që e fermenton, vendin ku fermentohet, atë që e pi, që e jep për të pirë, që e transporton, që e shet, që e blen, që e ha kundërvlerën dhe fitimin e saj!” (Ahmed, I, 53; II, 351; Nesai, Eshribe, 1-2; Hakim, II, 305/3101)
Enesi (r.a.) tregon kështu:
Kur po u shërbeja njerëzve si saki (gostitës pijeje) në shtëpinë e Ebu Talhait, pija u ndalua. I Dërguari i Allahut urdhëroi një zëdhënës dhe ai ua shpalli këtë njerëzve. Neve na erdhi zëri i zëdhënësit kur ndodheshim në shtëpi. Ebu Talha më tha:
“Dil e shih, ç’është ky zë?”
Unë dola e pashë, pastaj u futa brenda dhe i thashë:
“Eshtë një zëdhënës që bërtet: “Vini re, vini re, pija është bërë haram!”
Ebu Talha më tha:
“Në është kështu, shko dhe derdhe!” 
Nga ai çast e tutje, pija u derdh nëpër sokakët e Medinës! (Buhari, Tefsir, 5/11)
Kjo ngjarje është një shembull i bukur i gatishmërisë dhe korrektesës së sahabeve në zbatimin e urdhrit të Allahut të Lartë. Ata i derdhën menjëherë kupat e pijeve që kishin në dorë, po ashtu edhe enët me pije pa paraqitur asnjë kundërshtim dhe justifikim; duke treguar një nënshtrim të plotë ndaj urdhrit hyjnor, dhe duke u bindur me gjithë zemër, vrapuan për të fituar pëlqimin e Allahut.
Në hadithet apo porositë e tij, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu:
"Çdo gjë e cila jep dehje, është haram (e ndaluar, e pabekuar). Eshtë haram si shumica e gjësë që shkakton dehje, ashtu edhe pakica e saj!" (Ibni Maxhe, Eshribe, 10; Nesai, Eshribe, 24, 48)
“Pija është kreu i çdo të keqeje!” (Ahmed, V, 238)
“Personi i cili i beson Allahut dhe ditës së ahiretit, të mos ulet në sofrën ku është shtruar pije!” (Tirmidhi, Edeb, 43/2801)
“Një pjesë njerëzish nga ummeti im do të pijnë duke i dhënë pijes emra të tjerë!” (Ahmed, IV, 237)
Respektimi i një shkallëzimi në përputhje me qëllimin, në ndalimin e kumarit dhe pijeve alkoolike, përbën mbështetje parimore në përcaktimin e metodës së kumtimit dhe orientimit fetar dhe të luftës kundër së keqes në Islam.
Megjithëse Allahu është zotëruesi i diturisë së përgjithshme si dhe i diturisë së amshuar, duke përcaktuar dhe dhënë konkluzionet e Islamit, ka marrë parasysh mundësitë e njeriut të cilit i drejtohet si dhe ecurinë e zhvillimit të përshtatshmërisë së tyre ndaj kësaj konkluzioneve në fjalë. Shfaqja më e rëndësishme e kësaj është zbritja e ajeteve mbi besimin në mënyrë prioritare dhe në periudhën e Mekës, në të kundërt me sistematikën që ka sot Kur’ani. Po të mbahet parasysh se Kur’ani ka ekzistuar në Tabelën e Kujtesës - Levhi Mahfudh para se të fillonte të zbritej, do të kuptohet lehtë se miratimi-shtyrja në zbritje ka lindur nga qëllimi përkatës.
Ky qëllim është ndjekja e fuqisë dhe kapacitetit njerëzor për t'iu bindur Kur'anit si dhe e zhvillimeve përkatëse lidhur me këtë çështje. Krejt si rritja graduale e përgjegjësive dhe e vështirësive që përballon fëmija krahas rritjes gjersa të arrijë pjekurinë kur bëhet plotësisht përgjegjës.
Respektimi i parimit të shkallëzimit të zbatuar në formën më të përsosur në Shekullin e Lumtur (në të gjallë të Profetit), është një traditë hyjnore196 tejet e urtë e vënë nga Zoti si një shfaqje e mëshirës hyjnore. Kjo traditë jo vetëm që është një metodë kurdoherë e vlefshme në kumtimin islam, por edhe një mënyrë trajtimi më në përshtatje me veçoritë e evenimentit njeri. Sepse në Islam së pari i hyhet korrigjimit të bindjeve dhe, pasi të përvetësohet kjo etapë, u vjen radha veprimeve. Ndërkaq, në lidhje me kryerjen e veprimeve, respektohet gjithashtu një shkallëzim në përputhje me mundësitë e njeriut. Kjo situatë është e vlefshme jo vetëm për kumtimin islam, por edhe për çdo lloj sugjerimi dhe orientimi njerëzor. Prandaj, edhe në kumtesën hyjnore të Allahut të filluar me Ademin (a.s.), ndërsa konkluzionet besimore kanë mbetur të fiksuara, në rregullat sociale ka ndodhur një evolucion paralel me ecurinë e zhvillimit të ndjekur nga njeriu dhe ky evolucion ka arritur përkryerjen në fenë islame. Kjo cilësi tregon se ç’metodë e rëndësishme është mbajtja parasysh e natyrës dhe mundësive të njeriut!

Dhatu’r-Rika197 (Muharrem 5 h. / Qershor 626 e.r.)
Pasi Bijtë Muharib dhe Bijtë Thalib nga fisi Gatafan u bashkuan dhe u përgatitën për t'u hapur luftë muslimanëve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) marshoi kundër tyre me një ushtri prej katërqind vetësh. 
Kur politeistët panë para tyre muslimanët, u frikësuan dhe u zbrapsën. Meqë kishte ardhur koha e drekës, muslimanët falën namaz. Dushmani që po i shihte nga larg, u dëshpërua që e humbi një rast të tillë për t'i sulmuar muslimanët, kur njëri prej tyre u tha:
“Mos u dëshpëroni! Ata kanë një namaz të tillë që për ta është më i vlefshëm se etërit dhe bijtë e tyre. Ky është namazi i iqindisë!”
Dhe u vunë të presin.
Në këtë mes, Zoti dërgoi me Xhebrailin (a.s.) urdhrin hyjnor që nuk do t'i jepte rast planit të armikut:
وَإِذَا كُنْتَ فِيهِمْ فَأَقَمْتَ لَهُمُ الصَّلاَةَ فَلْتَقُمْ طَآئِفَةٌ مِنْهُم مَعَكَ
 وَلْيَأْخُذُوا أَسْلِحَتَهُمْ فَإِذَا سَجَدُوا فَلْيَكُونُوا مِنْ وَرَآئِكُمْ وَلْتَأْتِ
 طَآئِفَةٌ أُخْرَى لَمْ يُصَلُّوا فَلْيُصَلُّوا مَعَكَ وَلْيَأْخُذُوا حِذْرَهُمْ 
وَأَسْلِحَتَهُمْ وَدَّ الَّذِينَ كَفَرُوا لَوْ تَغْفُلُونَ عَنْ أَسْلِحَتِكُمْ
 وَأَمْتِعَتِكُمْ فَيَمِيلُونَ عَلَيْكُمْ مَيْلَةً وَاحِدَةً
"Kur të jesh ti (o i Dërguar) bashkë me ta dhe t'u drejtosh namazin, një pjesë prej tyre të vijë e të falet me ty duke mbajtur pranë edhe armët, ndërsa grupi tjetër bën rojë; pastaj, këta të dalin pas në rojë e të vijë grupi i dytë e të falet me ty duke qenë në gjendje gatishmërie. Mosbesimtarët duan t'ju kapin në befasi..." (en-Nisa, 102) (Tirmidhi, Tefsir, 4/3035)
Namazi i falur në këtë mënyrë u quajt "namazi i frikës" (salat-i havf)198. Mënyrën e faljes së tij e tregoi Xhebraili (a.s.). Atë ditë, namazi i iqindisë (pasditës) kështu u krye dhe pritja e armikut shkoi kot. Pasi fushimi zgjati pesëmbëdhjetë ditë, mori fund me largimin e armikut të frikësuar.199
Ebu Musa el-Esh’ari (r.a.) tregon kështu:
“Kishim dalë në marshim bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Gjashtë vetë hipnim me radhë në një deve. Këmbët na ishin vrarë nga ecja e gjatë. Edhe mua më ishin çarë këmbët dhe më kishin rënë thonjtë. Këmbët i mbështillnim me copa bezesh dhe, prej këtyre copave bezeje, fushata mori emrin “Dhatu’r-Rika” (Copërat e Bezes).”
Ebu Byrde që e përcjell këtë hadith, thotë:
“Këto tha Ebu Musa el-Esh’ariu, por pastaj nuk i erdhi mirë për ç’bëri dhe e shprehu se u pendua: “S’bëra aspak mirë që i thashë këto!” Siç duket, u dëshpërua se e shfaqi një veprim burrëror të bërë për hir të Allahut!” (Buhari, Megazi, 31)
Papasja dhe pamundësia s’i kanë penguar sahabet për t’i kryer detyrat dhe për të luftuar në rrugën e Allahut. Krahas kësaj, ata tregoheshin shumë të përpiktë për t’i mbajtur fshehur aktet dhe veprimet e mira që bënin, për të mos i deklaruar mundimet që hiqnin në adhurimin ndaj Allahut. Ata tregonin vetëm kur kjo ishte e domosdoshme dhe për të vërtetuar një qëllim e synim të caktuar, për shembull, për t’u marrë mësim, për t’u bërë mënyrë veprimi ose ngushëllim për të vuajturit.
Gjatë kësaj fushate, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati kërkuar ujë për abdest. Por askush nuk pati mundur të gjente. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati futur gishtat e bekuar në një enë ku ndodhej pak ujë dhe nga gishtat pati nisur të kullonte, me mrekulli, ujë! Me këtë ujë i pati plotësuar ushtria tërë nevojat  saj. Dhe kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pati nxjerrë gishtat jashtë, ena vazhdonte të ishte plot me ujë!200
Duke u kthyer nga fushata Dhatu’r-Rika, kur arritën në drekë në një zonë me drurë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dha pushim dhe luftëtarët u shpërndanë përreth për të kaluar vapën nën hije. Profeti u shtri për të pushuar nën hijen e një druri gjethedendur të quajtur “themure” pasi e vari shpatën në dru. Sahabet sapo i kishte zënë gjumi kur dëgjuan të Dërguarin e Allahut që po i thërriste dhe vrapuan menjëherë tek ai. Atje panë një beduin. I Dërguari i Allahut tha kështu:
“Kur unë po flija, ky beduin ma kishte marrë shpatën dhe, kur u zgjova, e mbante në dorë të zhveshur nga milli. Dhe më tha:
“Kush do të të shpëtojë tani nga dora ime?”
Dhe unë i thashë tri herë:
“Allahu!” (Buhari, Xhihad, 84, 87; Muslim, Fedail, 13)
Profeti (s.a.s.) nuk zgjodhi rrugën e ndëshkimit të beduinit që e kërcënoi me jetë, përkundrazi, e ftoi në Islam. Beduini që u dorëzua me gjithçka para një sjellje të tillë të lartë, kur u kthye te fisi i vet, u tha njerëzve:
“Unë po vij nga pranë njeriut më të dobishëm të njerëzve!” (Hakim, III, 31/4322)
Duke u kthyer për në Medinë, i zuri nata në largësinë një konak larg saj. Profeti i pyeti shokët:
“Kush do të na ruajë sonte?”
Nga muhaxhirët, Ammar bin Jethiri dhe, nga ensarët, Abbad bin Bishri thanë menjëherë:
“Ju ruajmë ne, o i Dërguari i Allahut!”
Abbadi (r.a.) e pyeti Ammarin:
“Kur dëshiron të bësh roje ti, në pjesën e parë të natës, apo në të dytën?” 
Ammari (r.a.) iu përgjigj: “Dua të bëj roje në pjesën e dytë të natës!” Dhe u shtri në krah e fjeti. Kurse Abbadi filloi të falte namaz. Në atë mes u afrua një politeist. Kur pa nga larg, ku kishte qëndruar, një hije, e kuptoi se ishte vëzhgues dhe i hodhi menjëherë një shigjetë. Shigjeta e zuri Abbadin, por ai e nxori shigjetën dhe vazhdoi të falej. Njeriu e qëlloi edhe dy herë të tjera dhe që të dy shigjetat e zunë Abbadin (r.a.). Edhe ai, s’bëri gjë tjetër veçse i hoqi një nga një shigjetat dhe vazhdoi të falej. Pasi u përkul në ruku dhe ra në sexhde, dha selam dhe e zgjoi shokun:
“Ngrihu, - i tha. Unë jam plagosur!” Ammari u hodh menjëherë. Me ta parë, politeisti e kuptoi se e kishin dalluar dhe iku. Atëherë Ammari e vuri re Abbadin të mbuluar me gjak dhe thirri:
“Subhanallah, i madhëruar qoftë Allahu! Pse s’më zgjove qysh kur të qëlloi shigjeta e parë?”
Abbadi i dha këtë përgjigje të shkëlqyer që tregonte dëshirën e zjarrtë dhe pasionin e tij për namazin:
“Po këndoja dhe nuk desha ta prish namazin pa e mbaruar këndimin. Por kur më erdhën shigjetat një pas një, e ndërpreva këndimin dhe u përkula në ruku. Betohem në Allahun po të mos kisha frikë se do të mbetej i pambrojtur ky kalim që ma besoi i Dërguari i Allahut, do të pëlqeja më mirë vdekjen sesa ta lija përgjysmë suren dhe ta ndërprisja namazin!” (Ebu Davud, Taharet, 78/198; Ahmed, III, 334; Ibni Hisham, III, 219; Vakidi, I, 397)
Gjatë udhëtimit, Xhabiri (r.a.) që e kishte devenë të dobët, mbetej pas shokëve. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i shkoi pranë dhe e pyeti:
“O Xhabir, ç’të ndodhi që mbete pas?” Pasi Xhabiri ia tregoi si qëndronte puna, Profeti mori një shkop dhe e goditi shumë lehtë devenë disa herë. Dhe deveja e Xhabirit u bë që të matej me devenë e të Dërguarit të Allahut!
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) bisedonte gjatë rrugës me Hz. Xhabirin. Pasi e mësoi se sapo ishte martuar dhe kishte shumë borxhe, i Dërguari i Allahut e pyeti se ç’pasuri i ndodhej në duar. Dhe ai i tha se vetëm atë deve kishte. Atëherë, për ta shpëtuar nga borxhet, Profeti (s.a.s.) i tha t’ia shiste devenë dhe Xhabiri (r.a.) ia shiti me kusht që t’i hipte gjer në Medinë. Pasi arritën në Medinë, Xhabiri shkoi te Profeti (s.a.s.) për t’ia dorëzuar devenë dhe atëherë u përball me një sjellje të lartë që e gëzoi shumë atë vetë dhe i çuditi të tjerët. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia pagoi devenë dhe pastaj ia dhuroi! (Buhari, Xhihad, 49; Buju, 34; Muslim, Musakat, 109)
Xhabiri (r.a.) tregon:
“Kur i Dërguari i Allahut ma dha pagesën e devesë dhe pastaj ma dhuroi, duke u kthyer për në shtëpi, hasa në një çifut që e njihja dhe ia tregova ngjarjen. I habitur fort, çifuti ma ktheu duke i përsëritur fjalët disa herë: “Domethënë, t’i dha paratë e devesë dhe pastaj ta dhuroi, ë?” Edhe unë, për çdo herë, i thashë: “Po, po!” (Ahmed, III, 303)
Delikatesa, bujaria dhe hijeshia e papërshkrueshme e kësaj sjelljeje të të Dërguarit të Allahut aq fort i preku muslimanët, saqë nata kur ndodhi kjo ngjarje, filloi të kujtohej si “Nata e Devesë” (Lejletul Bair)!

Bedri i Vogël201 (Dhilkade 4 h. / Prill 626 e.r.)
Sipas marrëveshjes së bërë ditën e Uhudit, politeistët mekas do të ndesheshin përsëri me muslimanët një vit më vonë. Lidhur me këtë marrëveshje, Ebu Sufjani, në krye të ushtrisë, erdhi gjer në vendin e quajtur Merru’z-Zahran por atje, i frikësuar, u detyrua të kthehej pas. Meqë nuk donte që, duke vepruar kështu, të shkelte krenarinë e vet, dërgoi një njeri në Medinë me porosinë që t'i frikësonte muslimanët se një ushtri e madhe po marshonte mbi ta, t'i ndalonte të dilnin nga Medina, duke arritur, kështu, ta pengonte luftën.
Kur lajmi arriti në Medinë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i kishte mbaruar përgatitjet qëkuri dhe kishte dhënë urdhrin për marshim. Lajmëtari i Ebu Sufjanit bëri të gjitha përpjekjet për t'i trembur dhe penguar muslimanët të dilnin nga Medina, duke shtuar fjalë edhe nga vetja se, sikur të luftonin jashtë Medinës, përfundimi i tyre do të ishte shumë i keq. Si rezultat i zellit dhe përpjekjeve të tij dhe të hipokritëve, disa muslimanë u frikësuan dhe filluan të thonë se s’deshën të dilnin në marshim. Atëherë, Profeti (s.a.s.) tha kështu:
“Betohem në Allahun, në dorën e fuqisë së të cilit ndodhet qenia ime, se edhe sikur askush të mos vijë me mua, unë do të shkoj i vetëm në Bedër!” Pas kësaj, Allahu i Lartë i ndihmoi muslimanët dhe u dhuroi qëndresë në zemra! (Ibni Sa’d, II, 59; Vakidi, I, 386-387)
Më në fund, ushtria islame arriti në Bedër. Por nga armiku s'dukej asnjë gjurmë. Atje nuk rastisën në asgjë veç një panairi. Në këto kushte, muslimanëve s'u mbeti gjë tjetër për të bërë veç tregtisë. Pasi priti aty tetë ditë ardhjen e Ebu Sufjanit me ushtri, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u kthye në Medinë pa u përballur me asnjë ndodhi të papëlqyeshme dhe duke pasur me vete fitimet e tregtisë që kishin bërë.202
Ky guxim dhe kjo vendosmëri e muslimanëve është lavdëruar kështu në Kur'an:
اَلَّذِينَ قَالَ لَهُمُ النَّاسُ إِنَّ النَّاسَ قَدْ جَمَعُوا لَكُمْ فَاخْشَوْهُمْ
فَزَادَهُمْ إِيمَاناً وَقَالُوا حَسْبُنَا الله وَنِعْمَ الْوَكِيلُ .
فَانْقَلَبُوا بِنِعْمَةٍ مِنَ الله وَفَضْلٍ لَمْ يَمْسَسْهُمْ سُوءٌ 
وَاتَّبَعُوا رِضْوَانَ الله وَاللّٰهُ ذُو فَضْلٍ عَظِيمٍ 
"Disa njerëz u thanë muslimanëve: 
"Armiqtë janë mbledhur kundër jush, pra ruhuni prej tyre!" 
Por kjo ua shtoi edhe më shumë besimin atyre dhe thanë: "Allahu na mjafton, Ai është dorëzanësi më i mirë për ne!"
Dhe, pastaj, pa i gjetur asnjë e keqe, u kthyen me të mirat dhe begatitë e Allahut e, kështu, fituan pëlqimin e Tij. Allahu është mirëbërës i madh!" (Al-i Imran, 173-174)
Sipas rrëfimit të Abdullah bin Abbasit (r.arhuma),
“Shprehjen "Allahu na mjafton, Ai është dorëzanësi më i mirë për ne!" e ka thënë Ibrahimi (a.s.) kur po e hidhnin në zjarr. Edhe Profeti është shprehur kështu kur atyre u patën thënë: “Politeistët janë mbledhur kundër jush, prandaj përpiquni të shpëtoni kokën!” Atëherë, muslimanëve u është forcuar besimi dhe të gjithë së bashku kanë shpalosur një shembull të madh nënshtrimi ndaj Allahut, duke thënë: "Allahu na mjafton, Ai është dorëzanësi më i mirë për ne!"203

VITI I PESTE I HIXHRETIT
Selman Farisiu bëhet musliman dhe fiton lirinë
Skllav i një çifuti medinas, Selman Farisiu (r.a.), ia ka treguar kështu Hz. Ibni Abbasit historinë e tij plot pësime mësimdhënëse të pajisjes me dhuntinë e Islamit:
“Unë isha dikushi që jetoja në fshatin e quajtur Xhejj të Isfahanit. Im atë ishte nga parësia e fshatit. Unë isha njeriu që donte më shumë në jetë. Për shkak të kësaj dashurie të tepërt, kurrë nuk më ndante nga vetja, më mbante vazhdimisht në shtëpi si vajzë, nuk më nxirrte jashtë. Ndërkaq, unë e kisha dhënë aq shumë veten pas adhurimit të zjarrit që ishte feja e tim eti, saqë kisha marrë përsipër ta ndizja vetë zjarrin dhe ta ruaja zjarrin e tempullit që të mos shuhej. Unë s’mund të lejoja që zjarri i tempullit të shuhej qoftë edhe për një çast të vetëm! Im atë kishte një çiflig të madh. Një ditë, im atë po merrej me punë ndërtimi. Prandaj më tha:
“O bir, unë sot do të merrem vetëm me punë ndërtimi, prandaj nuk do të shkoj dot në çiflik. Ti shko atje!”
Më tregoi punët që duhej të bëja dhe, në fund, më porositi:
“Kujdes, mos u vono dhe mos më bëj të shqetësohem! Po qe se vonohesh, do të bëhem merak dhe të gjitha punët do të më mbeten përgjysmë!”
Dola në rrugë për të shkuar në çiflig. Në rrugë e sipër hasa në një kishë. Nga brenda dëgjova zëra, gjë që tregonte se po bënin rite. Meqë im atë më kishte mbajtur vazhdimisht në shtëpi unë i njihja pak njerëzit dhe punët e tyre. Prandaj u bëra kureshtar dhe hyra brenda për të parë se ç’po bënin. I pashë ritet e tyre dhe thashë me vete se feja e tyre ishte më e mirë se feja jonë. Nuk u largova që aty gjersa perëndoi dielli duke mbetur pa shkuar fare në çiflig. 
I pyeta njerëzit: 
“Ku është baza e kësaj feje?”
“Në Siri!” - Më thanë.
Në mbrëmje u ktheva në shtëpi. Im atë e kishte pasë lënë punën dhe ishte vënë të më kërkonte gjer në mbrëmje. Kur arrita në shtëpi, më pyeti:
“Ku ishe, o bir? A nuk të thashë unë se ç’duhej të bëje?”
Unë iu përgjigja:
“O im atë! Rastisa në disa njerëz që faleshin në kishë. E pashë se ç’bënin dhe më pëlqeu shumë. Nuk u largova prej tyre gjersa perëndoi dielli.”
Im atë më tha:
“O bir, në atë fe nuk ka mbarësi. Feja jote dhe e etërve të tu është më e mbarë e më e dobishme!”
Dhe, duke pasur frikë se mos ikja, më lidhi në këmbë një prangë dhe më burgosi në shtëpi. njerëzve të kishës u dërgova me një njeri këtë lajm:
“Kur tek ju të vijë ndonjë karvan nga Siria, më lajmëroni!”
Kur erdhën tregtarë krishterë nga Siria, më lajmëruan. E nxora prangën dhe e hodha dhe u nisa me ta për në Siri. Pastaj, kur arrita në Damask, pyeta:
“Kush është fetari më i shquar në dituri?”
“Peshkopi te kisha!” - Më thanë. Unë shkova tek ai dhe i thashë:
“Unë dua të hyj në këtë fe, të rri pranë teje, të shërbej në kishë, ta mësoj krishterimin prej teje dhe të bëj adhurim bashkë me ty!”
“Hyr në kishë!” - Më tha ai.
Hyra në kishë së bashku me të. Peshkopi i damaskut kishte qenë njeri i keq. I urdhëronte krishterët të jepnin lëmosha, i grumbullonte për vete ato që i sillnin, kurse të varfërve s’u jepte asgjë. Kështu, kishte mbushur shtatë qypa plot me ar e argjend! Kur e shihja ç’bënte, e urreja jashtëzakonisht. Më në fund, ai vdiq. Krishterët u mblodhën për ta parë. Unë u thashë:
“Ky ishte njeri i keq!  Ju urdhëronte dhe ju nxiste të jepnit lëmoshë, por ato i mblidhte për vete, kurse të varfërve s’u jepte asgjë!”
“Ku e di ti?” - Më thanë ata.
“Po jua tregoj thesarin e tij!” - U thashë.
Dhe u nxora atyre nga vendi i fshehur shtatë qypat ke ar dhe argjend. Kur i panë, thanë:
“Për Zotin, kurrë s’kemi për ta varrosur këtë njeri!”
Pastaj kufomën e tij e varën dhe e zunë me gurë. Në vend të tij, në kishë prunë një prift tjetër. S’kisha parë krishter më të virtytshëm, që të mos e vlerësonte fare këtë botë, që interesohej vetëm për shpirtin dhe botën tjetër, që falej ditë e natë. Pastaj ky njeri ra në shtratin e vdekjes. Unë i thashë:
“O filan, unë kam qëndruar pranë teje dhe askënd s’ka dashur para teje sa ç’të desha ty! Ti po e sheh se të ka ardhur urdhri i Zotit! Ç’më porosit të bëj, ku të shkoj?”
“O bir, - ma ktheu ai. - Sot unë nuk njoh njeri që të shkojë në rrugën time. Njerëzit e mirë vdiqën e shkuan. Edhe ata që rrojnë, i ndryshuan rregullat e fesë të praktikuara qysh në fillim të herës, dhe shumicën e braktisën. Vetëm në Musul është dikush që ecën në rrugën time. Shko tek ai!”
Pasi vdiq ky njeri i nderuar, shkova te miku i tij në Musul. Pas vdekjes së tij, sipas porosisë së tij, shkova te miku i tij në Nusajbin dhe pastaj tek personi në Ammurije. Në Ammurije fitova pak a shumë. Madje, m’u bënë ca lopë e ca të imta. Më në fund, edhe njeriut në Ammurie ia behu vdekja dhe ai më porositi:
“O bir! Për Zotin, sot nuk njoh asnjë njeri në botë që të na përshtatet neve, pra që të të them të shkosh tek ai! Ndërkaq, koha e ardhjes së pejgamberit të kohës së fundit është afruar shumë, hija e tij na ka rënë sipër. Ai pejgamber do të dërgohet sipas fesë së Ibrahimit. Ai do të shfaqet në tokat arabe dhe pastaj do të emigrojë në një vend me hurma që ndodhet mes dy guroresh. Ai do të hajë nga dhurata e jo nga lëmosha. Mes dy shpatullave do të ketë vulën e profetësisë. Po qe se ke fuqi të shkosh në ato vende, shko, nisu menjëherë!
Më në fund, edhe ai vdiq. Unë qëndrova aty edhe për një farë kohe sa ç’deshi Zoti. Pastaj u takova me tregtarë nga fisi Kelb. Atyre u thashë:
“Më çoni në vendin e Arabisë dhe unë do t’ju jap si shpërblim këto lopë dhe të imta. Ata pranuan. Ua dhashë dhe më morën me vete. Kur arritëm në Vadil Kura, më tradhtuan dhe më shitën si skllav te një çifut. Unë qëndrova për një kohë te çifuti. Kur pashë hurmat në Vadil Kura, m’u kujtua ç’më kishte thënë zotëria im mbi Ammarijen ku do të shfaqej profeti i fundit dhe, megjithëse më lindi një shpresë, prapëseprapë nuk m’u kriua një bindje e plotë. 
Kur ndodhesha në Vadil Kura, erdhi biri i të ungjit të tim zoti nga të Bijtë Kurajdha, më bleu dhe më çoi në Medinë. Për Zotin, sa e pashë Medinën, e kuptova se ai ishte vendi ku do të emigronte profeti i kohës së fundit. Më së fundi, u vendosa në Medinë. Mirëpo, ndërkaq, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte dërguar si Profet dhe, pasi kishte qëndruar disa kohë në Mekë, kishte emigruar në Medinë, urse unë, si skllav që isha, s’kisha marrë vesh asgjë. Një ditë, unë kisha hipur në një hurmë, kurse im zot po rrinte nën hije. Aty erdhi biri i të ungjit dhe i tha tim zoti:
“Allahu u dhëntë belanë të bijve Kajle (fiseve Evs dhe Hazrexh)! Ata janë mbledhur në fshatin Kuba rreth një personi që ka ardhur nga Meka dhe i thotë vetes pejgamber!”
Sapo e dëgjova këtë, më kapi një e dridhur e tillë që më dukej sikur do të rrëzohesha e bija mbi tim zot!
Zbrita menjëherë nga pema duke e pyetur të ardhurin: “Çfarë the? Çfarë the?” Im zot u nxeh me mua, më dha një shuplakë të fortë dhe më tha:
“Ç’të duhet ty? Ti shih punën tënde!”
“Jo, s’më duhet gjë, por vetëm desha të kuptoja ç’tha ai!” - Iu përgjigja unë.
Pranë kisha pak fruta që kisha mbledhur. Sapo u bë natë, i mora ato dhe shkova në Kuba ku ndodhej i Dërguari i Allahut (s.a.s.), të cilit i thashë:
“Dëgjova se je njeri i mirë. Dhe pranë paske shokë të varfër e nevojtarë! Me vete kisha ca gjëra të veçuara si sadaka. Kur e mësova gjendjen tuaj, m’u duk se ju e meritonit këtë!
Dhe ia dhashë të ngrënat. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha shokëve: 
“Merrini dhe hajini!”
Kurse vetë nuk hëngri. Unë thashë me vete: “Kjo, një!” Pastaj u largova dhe shkova në vendin tim. Mblodha prapë disa të ngrëna. Në atë mes, i Dërguari i Allahut ndodhej në Medinë. Kur arrita tek ai, i thashë:
“Pashë se ti s’hëngre nga sadakaja. Kjo është një dhuratë që e përgatita për ty!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) hëngri prej tyre dhe u dha edhe shokëve për të ngrënë. Unë thashë me vete: “Kjo, dy!”
Më pas, kur Profeti ndodhej në Bakiu’l-Garkad, i shkova pranë. Atje kishte shkuar me rastin e vdekjes së një shoku dhe po rrinte mes shokëve të tjerë. Mbi trup kishte dy ihrame që e mbulonin krejtësisht. I dhashë selam. Pastaj, i kalova pas me mendimin për t’ia parë vulën e profetësisë që ma pati përshkruar njeriu në Ammurije. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ma kuptoi qëllimin dhe e uli rrobën nga shpatullat. Sapo ia pashë vulën e profetësisë, e njoha. Iu hodha sipër, e putha dhe nisa të qaja. Zotëria i Botëve më tha:
“Kthehu nga kjo anë!”
Dhe unë u ktheva dhe iu ula përballë.
Më pas, Selmani (r.a.) i tha kështu Hz. Ibni Abbasit:
“O Ibni Abbas! Ashtu siç t’i tregova ty ç’më kishin ndodhur, ia tregova edhe të Dërguarit të Allahut. Fakti që historinë time e dëgjuan edhe sahabet, i pëlqeu shumë të Dërguarit të Allahut. Ndërkaq, skllavëria nuk më dha mundësi të merrja pjesë në luftërat e Bedrit dhe Uhudit.” (Ahmed, V, 441-444; Ibni Hisham, I, 233-242; Ibni Sa’d, IV, 75-80)
Më në fund, Selmani (r.a.) e kishte gjetur të Dërguarin e Allahut që e kishte kërkuar gjithë jetën. Tashmë, dëshira e tij e vetme ishte të ndodhej gjithmonë pranë tij, nën urdhrat e tij! Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) që e vinte re këtë dëshirë të Selmanit (r.a.), një ditë i tha:
“O Selman! Po sikur të bësh marrëveshje me tët zot për të shpëtuar nga skllavëria?”
Atëherë, Selmani (r.a.) u muar vesh me të zotin t’i jepte lirinë me kusht që të mbillte për llogari të tij treqind fidana hurme duke i hapur edhe gropat vetë, si dhe t’i jepte dyzet ukijje204. Edhe Profeti (s.a.s.) u tha sahabeve:
“Ndihmojeni vëllain!”
Sahabet e ndihmuan duke i dhënë dikush dhjetë, dikush pesëmbëdhjetë, dikush njëzet fidana, sipas mundësive, dhe Selmani (s.a.s.) i mblodhi treqind fidanat për të cilat kishte nevojë. 
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“O Selman! Hap gropa për fidanat! Kur t’i kesh mbaruar së hapuri gropat, më lajmëro që të vij e t’i mbjell vetë me duart e mia!”
Selman Farisiu (r.a.) e tregon kështu vazhdimin e ngjarjes:
“Fillova të gërmoj gropa për fidanat e hurmave. Edhe shokët më ndihmuan. Kur mbarova, e lajmërova të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), i cili erdhi bashkë me mua te vendi i mbjelljes. Ne ia jepnim fidanat, kurse ai i mbillte. Betohem në Allahun që ka jetën time në dorë, se asnjë nga fidanat e mbjellë nga i Dërguari i Allahut, s’mbeti pa zënë. Kështu, e pagova borxhin e fidanave. Një vit më vonë, fidanat dhanë prodhim dhe frutat e tyre u hëngrën.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) kishte sjellë nga një fushatë një copë metali përzjerë me flori sa një vezë pule. 
Ai pyeti: “Ç’bëri Selmani?”
Kur shkova tek ai, më tha:
“O Selman, merre këtë dhe paguaje borxhin!”
“O i Dërguari i Allahut, si mund të mjaftojë kjo copë floriri për t4i paguar gjithë ato borxhe që kam?” - I thashë unë.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), pasi e mori në dorë copën e floririt dhe e lëpiu me gjuhë, më tha:
“Merre këtë! Allahu i Lartë ka për të ta paguar borxhin me këtë!”
E mora floririn dhe ia dhashë marrësit duke ia peshuar copa-copa. Betohem në Allahun që ka jetën e Selmanit në dorë, se nga ajo copë floriri peshova dyzet ukijje. Ajo u bë aq e begatë sa, edhe sikur të matej me malin e Uhudit, do të vinte më e rëndë se ai!”
Pasi shpëtoi nga skllavëria, Selmani (r.a.) mori pjesë në luftën e Hendekut si njeri i lirë dhe pas saj kurrë nuk e humbi rastin për të qenë në çdo betejë gjithmonë pranë Profetit!205
Selman Farisiu (r.a.) u shndërrua me, të gjitha karakteristikat, në një personalitet model aq të bukur dhe në një individ tërheqës të tillë, që edhe ensarët, edhe muhaxhirët thoshin për të duke e dashur secili për vete:
“Selmani është yni!” 
Atëherë, Profeti tha duke i bërë atij shoku të bekuar komplimentin më të bukur:
“Selmani është yni, është i familjes sonë206!” (Ibni Hisham, III, 241)
Ky sahabi i bekuar, gjatë gjithë jetës, duke shpalosur qëndrime e sjellje kulmore që reflektonin bukuritë e moralit islam, u bë një personalitet model e shembullor për besimtarët.
Një rast që e reflekton virtytin e tij është kështu:
Kur shteti islam e shtriu zotërimin e tij në një hapësirë gjeografike të gjerë, Selmani (r.a.) i cili dikur kishte qenë skllav i një çifuti, u emërua vali (guvernator) i zonës së Medainit. Në atë kohë, një herë, shkoi në Medain një person që i përkiste fisit Tejm nga Damasku. Ai kishte sjellë me vete edhe një barrë me fiq. Selmani (r.a.) rrinte dhe dilte i veshur me një gunë të thjeshtë. I ardhuri nga Damasku nuk e njihte Selmanin. Prandaj, tek e pa që po kalonte andej pari, duke e kujtuar për hamall, i tha:
“Ngarkoje këtë barrë!”
Dhe Selmani (r.a.) iu afrua, e mori barrën dhe e ngarkoi në shpinë. Popullsia vendase që e njihte, i thanë të ardhurit:
“Ky person që po bart barrën tënde, është valiu!”
Njeriu nga Damasku menjëherë i kërkoi të falur duke i thënë se s’e njihte dhe deshi t’ia merrte barrën, por Selmani i tha:
“S’ka gjë, do të ta çoj barrën gjer në shtëpi!” (Ibni Sa’d, IV, 88) 

Abrogimi i birësimit207 
Skllavi Zejd, të cilin ia pati dhuruar i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shoqja, Hz. Hatixheja kur atij ende nuk i kishte ardhur profetësia, pasi Profeti i dha lirinë, nuk u rikthye te i ati, por pëlqeu të mbetej pranë Profetit i cili, pastaj, e birësoi. 
I Dërguari i Allahut, nga që e donte shumë Zejdin, e martoi në fillim me Ummi Ejmenin, shërbëtoren e tij të liruar e, më pas, me vajzën e hallës, Zejneb binti Xhahsh. Ndërkaq, për shkak të mospërputhshmërisë shoqërore mes të dyve, Hz. Zejnebi, edhe pse në fillim nuk deshi të martohej me Zejdin, ra dakord për t'ia plotësuar dëshirën Profetit si dhe nisur nga ajetet kur'anore si më poshtë: 
إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ الله أَتْقَاكُمْ
"... Më i çmuari ndër ju te Allahu është më i devotshmi ndër ju!.." (el-Huxhurat, 13)
وَمَا كَانَ لِمُؤْمِنٍ وَلَا مُؤْمِنَةٍ إِذَا قَضَى الله وَرَسُولُهُ أَمْراً
 أَنْ يَكُونَ لَهُمُ الْخِيَرَةُ مِنْ أَمْرِهِمْ وَمَنْ يَعْصِ الله وَرَسُولَهُ
 فَقَدْ ضَلَّ ضَلَالاً مُبِيناً 
“Kur Allahu dhe i Dërguari i Tij të vendosin për një punë, mashkulli dhe femra besimtarë nuk kanë të drejtë zgjedhjeje sipas dëshirës së vet. Kush u del kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të thotë se ka rënë hapur në rrugë të shtrembër!” (el-Ahzab, 36)
Por zemra e saj nuk mundi të kënaqej me Zejdin dhe martesa e tyre arriti pas një farë kohe në pikën e prishjes. Edhe Zejdi vetë ankohej për të. Madje, kur një radhë pati shkuar te Profeti dhe i qe ankuar, pati marrë këtë përgjigje: 
"Mbaje pranë gruan dhe kije frikë Allahun!"
Mirëpo i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i cili e dinte, sipas një zbulese hyjnore, ndërkaq, se Zejnebi do t'i jepej atij për grua nga ana e Allahut, priste ngaqë druhej nga hipokritët të cilët, duke përfituar nga rasti, do të bënin zhurmë të madhe duke thënë se “Muhammedi u martua me gruan e ndarë të djalit të birësuar”! Sepse, sipas traditës së asaj kohe, po qe se dikush birësohej nga dikush tjetër, fillonte të thirrej me emrin e birësuesit, trajtohej si fëmijë gjaku dhe merrte pjesë nga trashëgimi i personit që e kishte birësuar, i cili, tashmë, ishte si ati i tij.
Më në fund, Zejnebi (r.anha) me Zejdin u ndanë dhe zbriti një ajet tjetër. Fermani hyjnor në fjalë, edhe e urdhëronte Profetin ta merrte për grua Zejnebin, edhe hiqte nga praktika birësimin, një zakon, ky, i periudhës së injorancës, duke e zbatuar për herë të parë te Profeti:

 زَوْجَكَ وَاتَّقِ الله وَتُخْفِي فِي نَفْسِكَ مَا الله مُبْدِيهِ وَتَخْشَى
 النَّاسَ وَاللّٰهُ أَحَقُّ أَن تَخْشَاهُ فَلَمَّا قَضَى زَيْدٌ مِنْهَا وَطَراً زَوَّجْنَاكَهَا
 لِكَيْ لَا يَكُونَ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ حَرَجٌ فِي أَزْوَاجِ أَدْعِيَائِهِمْ إِذَا قَضَوْا
 مِنْهُنَّ وَطَراً وَكَانَ أَمْرُ الله مَفْعُولاً

"(O i Dërguar!) Dhe (kujto) kur i the atij që Allahu i pati dhënë dhunti dhe ti i pate bërë mirë: "Mbaje bashkëshorten dhe ki frikë Allahun!" Dhe ti e mbaje të fshehtë në vetvete atë dhe frikësoheshe nga njerëzit, por më mirë të frikësoheshe nga Allahu. Pasi Zejdi u nda prej saj, Ne ta kurorëzuam atë ty në mënyrë që besimtarët ta kishin të lehtë për t'u martuar me gratë e të birësuarve të tyre të ndara. Vendimi i Allahut është i kryer!" (el-Ahzab, 37)
Nisur nga ky ajet, Hz. Zejnebi, e martuar me Profetin (s.a.s.), e falenderonte Zotin duke thënë:
"Kurorën time e ka lidhur vetë Zoti!.." (Tirmidhi, Tefsir, 33/3213)
Por kjo ngjarje shkaktoi thashetheme të rënda te hipokritët. Duke thënë në mënyrë injorante, "u martua me gruan e divorcuar të të birit", e dënuan këtë veprim dhe dolën kundër Profetit. Përgjigjen e kësaj e dha Kur'ani kështu:
مَا كَانَ مُحَمَّدٌ أَبَا أَحَدٍ مِن رِجَالِكُمْ وَلَكِن رَسُولَ الله 
وَخَاتَمَ النَّبِيِّينَ وَكَانَ الله بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيماً 
"Muhammedi s'ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj, por i Dërguari i Allahut dhe i fundit i të gjithë profetëve. Allahu e di çdo gjë drejtësisht!" (el-Ahzab, 40)
Shkurt, me këtë ngjarje u abrogua çështja e birësimit, një zakon, ky, i periudhës pagane paraislamike të injorancës.
Edhe shprehjet e hipokritëve të kohës sonë që thonë se "Profeti qe martuar me Zejnebin i mahnitur nga bukuria e saj", s'janë veçse përçartje injorante. Profeti që e kishte Zejnebin vajzë halle, e kishte parë që më parë, kështu që, po të kishte pasur ndonjë dëshirë për të, do t'i kishte lidhur kurorë për vete, gjë që edhe vetë Zejnebi do ta kishte pritur me kënaqësi.
Mediokrit dhe mëngjarashët që janë mësuar ta vlerësojnë martesën vetëm nën këndvështrimin e epshit, janë të paaftë për ta rrokur të vërtetën e martesave të Profetit. Konkluzionet e padrejta dhe të dhëna me mendjetrashësi prej atyre që i kanë të mbushura mendjet dhe zemrat me prirje egoistike e epshore, s'janë veçse reflektime të botëve të tyre të errta. 24 vjetët e para të jetës martesore të Profetit (s.a.s.), të cilat përkojnë me kohën më të bukur të rinisë dhe pjekurisë burrërore të tij, ai i kaloi vetëm me Hz. Hatixhenë (r.a.). Kurse martesat e mëpasme qenë ngritur mbi një qëllim plotësisht islam, politik dhe shoqëror. Shumica e bashkëshorteve qenë gra të veja dhe më të mëdha në moshë se ai. E re dhe virgjëreshë mes tyre qe vetëm Hz. Aisheja (r.anha). Shkaku i këtyre martesave qe edhe sigurimi i përcaktimit përfundimtar të çështjeve juridike të grave. Me të vërtetë, Hz. Aisheja, me mençurinë dhe zgjuarsinë e saj, i pati konceptuar në një formë të përsosur çështjet përkatëse juridike të grave dhe, pas vdekjes së Profetit, për vite të tëra, i pati orientuar gratë me këto njohuri duke përbërë njërin prej themeleve të shëndoshë të një pjese të konkluzioneve juridike. Në të njëjtën kohë, Aisheja është një prej shtatë juristëve ndër sahabet, shokët e Profetit. 
Po të qe, sipas pretendimit të atyre që ushqejnë maraz, epshi shkaku i këtyre martesave, Profeti, ajo qenie e bekuar, nuk do ta kishte kaluar kohën më të bukur me një grua të vejë e me fëmijë, pesëmbëdhjetë vjeçe më të madhe se veten!
Vetëm njerëzit e kuptueshëm e me ndërgjegje të pastër që zotërojnë logjikën e besimit, mund të bëjnë vlerësimin e duhur se për ç'qëllime të larta dhe me ç'urtësi të holla qenë bërë këto martesa!

Mbulesa bëhet farz (detyrim fetar)
Para Islamit, te arabët nuk ekzistonte zakoni i mbulimit. Kjo vazhdoi, në mënyrë të natyrshme, kështu, edhe në vitet e para të Islamit. Por ishte e padyshimtë se, si rrjedhojë e domosdoshmërisë së mënyrës së trajtimit të çështjeve në mënyrë graduale, siç edhe u pa në lidhje me kumarin dhe pijet alkoolike, edhe kjo mënyrë jetese nuk kishte për të vazhduar kështu. Më në fund, zbriti ajeti i mbulimit, me të cilin pozita e gruas fitoi ngjitje, u theksua nderi dhe dinjiteti i saj, konsiderata për të u shtua. Femra u bë një qenie e çmuar dhe u suall në nivelin e një monumenti virtyti.
Nga ana tjetër, konkluzioni mbi mbulimin nuk kishte të bënte vetëm me femrën; ai përfshinte edhe mashkullin. E thënë ndryshe, urdhri i specifikës përkatëse përfshin çdo besimtar, femër apo mashkull, grua apo burrë. Allahu i lartë urdhëron:


"(O i Dërguar!) Thuaju besimtarëve të ruajnë shikimet, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit dhe nderin, se kjo është një sjellje më e pastër për ta! Pa dyshim, Allahu e di se ç'bëjnë ata. Edhe besimtareve thuaju të ruajnë shikimet, të mbrojnë nderin dhe virtytin, të mos zbulojnë stolitë përveç pjesëve të dukshme (fytyrë, duar, këmbë). Mbulesat e kokës t'i hedhin gjer mbi jakat ..." (en-Nur, 30-31) 
Me mbulimin e femrës, ruhet personaliteti femëror. Me mbulimin e saj, femra i ushqen personit përballë një ndjenjë delikatese e hijeshie. Ndryshe, femra bëhet një mjet epshor që nxit dëshirat trupore. Dhe kjo e ul personalitetin e saj dhe e dobëson rëndësinë e amësisë.
Këtu është një moment që duhet nënvizuar që mes egove të mashkullit dhe femrës ka një ndryshim krijimi, natyror. Dhe kjo ka lindur nga dallimi funksional përkatës i mashkullit dhe femrës, i përcaktuar nga Zoti dhe nga veçoritë përkatëse lidhur me të. Prandaj, mbulesa, për nga trajtat përkatëse për mashkullin dhe femrën, paraqet ndryshime, sepse femra, në krahasim me mashkullin, është në krijim tërheqëse. Kur ajo "deshifrohet" para shoqërisë, hijeshia dhe delikatesa i dobësohen, detyra amësore dhe veçoria e mbrojtjes vetiake pësojnë dëm. Nga ky aspekt, tërheqësia e saj, me anë të urdhrit të mbulimit, i është kushtuar vetëm të shoqit. Sepse, për vazhdimësinë e brezit, mes mashkullit e femrës ekziston një tërheqje krijimi e pandryshueshme ndaj njëri-tjetrit që, kur nuk respektohet urdhri për mbulim, kjo tërheqje bëhet shkak për një shembje morale-etike që mund të shkojë gjer në fatkeqësi të tilla si nëpërkëmbja e kufijve hyjnorë. Me të vërtetë, njëra prej kuptimeve të urdhrit hjynor, 
وَلاَ تَقْرَبُوا الزِّنَى
"mos iu afroni zinasë (marrëdhënies seksuale joligjore)" (el-Isra, 32), është "mos i hapni rrugën prostitucionit duke mos e respektuar mbulimin", mos i përgatitni mundësi atij".
Ky, pra, është një konkluzion absolut. Nëse shihet me kujdes, Islami e ka urdhëruar të mbulohet edhe një femër jotërheqëse apo të shëmtuar. Në këtë rast nuk mund të thuhet se "kjo femër, edhe në i zbulon, edhe nëse s'i zbulon këmbët, e shëmtuar është, s'ka ndonjë ndryshim". Në këtë rast është parim ruajtja me anë të mbulimit e rëndësisë femërore të një femre.
Islami që, duke e marrë për bazë krijimin njerëzor, e drejton njeriun sipas tij, mban nën kujdes domosdoshmëritë femërore e mashkullore. Për këtë arsye Profeti ynë (s.a.s.) ka mallkuar meshkujt që përpiqen t'u ngjajnë femrave dhe femrat që përpiqen t'u ngjajnë meshkujve.208 Për t'u mbrojtur nga ky rrezik, femrat duhet të përpiqen të marrin pjesë në kuvendet e grave të mira, sepse njeriu bëhet ashtu si ai me të cilin rri. Ky është një ligj psikologjik. Kur femra futet në një jetë rruge të përzier me meshkuj, i humb ndiesitë dhe veçorinë e bukur femërore.
Edhe ngjashmëria mes meshkujve dhe femrave në veshmbathje është ndaluar. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka njoftuar se meshkujt që vishen si femrat dhe femrat që vishen si meshkujt, do të mbeten larg nga mëshira hyjnore.209 Sepse që të dy anët duhet ta ruajnë dhe mbrojnë veçorinë përkatëse gjinore.
Veç kësaj, imitimi i seksit të kundërt bëhet shkak për deformime të karakterit dhe personalitetit. Për shembull, njerëzit që, në vend të veshjeve që ua kërkon seksi i vet, përvetësojnë, për ndonjë shkak çfarëdo, mënyrën e veshjes së seksit tjetër, me kohë, shfaqin parregullsi edhe në sjelljet e tyre, gjë që është anomali psikologjike.

Lufta Murejsi (shaban-ramazan, 5 h. / janar-shkurt, 627 e.r.)
Kësaj lufte i thuhet edhe lufta Beni Mustalik. Bijtë Mustalik, nën nxitjen e politeistëve mekas, filluan të mbledhin një ushtri të madhe për të sulmuar Medinën. Sapo i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u njoftua për këtë, marshoi drejt tyre me një ushtri prej shtatëqind vetësh. I Dërguari i Allahut e urdhëroi Hz. Omerin që t’u bënte këtë thirrje Bijve Mustalik: “Thoni “La ilahe il’lallah” që ta shpëtoni pasurinë dhe jetën!” Por Bijtë Mustalik nuk e pranuan këtë propozim dhe shigjetën e parë njëri prej tyre e hodhi.210
Me një goditje të fuqishme në oazin Murejsi, muslimanët i shkaktuan disfatë armikut. Nga armiku u vranë dhjetë vetë, kurse muslimanët dhanë një dëshmor. 
Në mbarim të luftës, u shti në dorë një pre e madhe materiale dhe u zunë shumë robër. Mes robërve ndodhej edhe Xhuvejrije, vajza e kryetarit të fisit Mustalik.
Robërit liheshin të lirë me dëmshpërblim. Xhuvejrija i kishte rënë në pjesë Thabit bin Kajsit. Për dëmshpërblimin e çlirimit, ajo iu drejtua të Dërguarit të Allahut. Në këtë mes, erdhi edhe i ati i vajzës, i cili, duke zënë në gojë fisnikërinë e saj, tha se ajo nuk mund të bëhej shërbëtore dhe kërkoi që të mbrohej nderi i saj. Duke treguar devetë që kishte sjellë me vete, tha:
"Këto deve janë dëmshpërblimi për vajzën time. Lereni të lirë!"
Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti atë në një mënyrë që ai as që e priste:
"Ku janë dy devetë që ke fshehur? Pse s'i solle edhe ato me vete?"
I tronditur nga fakti që askush veç atij vetë nuk dinte gjë për devetë e fshehura në luginë, Harithi tha:
"Vallahi askush nuk di gjë për këtë veç meje!.."
I ndriçuar në sajë të kësaj mrekullie, Harithi u bë musliman së bashku me njerëzit që kishte marrë me vete!211
Pas kësaj, Profeti (s.a.s.) kërkoi mendimin e vetë Xhuvejrijes e cila tha se dëshironte të qëndronte pranë tij. Atëherë Profeti e pagoi vetë dëmshpërblimin e saj. (Ibni Sa’d, VIII, 118) Xhuvejrija e lirë, tashmë, u bë, me dëshirën e saj, muslimane e, pas kësaj, si një favor hyjnor, u nderua me martesën me Profetin (s.a.s.). Kështu, ishte realizuar një ëndërr e saj e paradokohshme. Prandaj edhe, megjithëse kishte mundësi që dëmshpërblimi t'i jepej nga i ati dhe të kthehej me të, ajo dëshiroi të mbetej pranë Profetit.
Shokët e Profetit, kur morën vesh se Xhuvejrija kishte vënë kurorë me Profetin, thanë:
"Nuk është e drejtë që farefisi i Pejgamberit të mbahet rob!" 
Dhe i lanë të lirë të gjithë robërit pa shpërblim.
Me këtë pretekst, Hz. Aisheja (r.anha) ka thënë:
“Nuk kam parë femër më të dobishme se Xhuvejrija për fisin e vet. Për shkak të saj, njëqind vetë nga Beni Mustalik u lanë të lirë!” (Ebu Davud, Itk, 2/3931)
Ashtu siç kuptohet edhe nga kjo shprehje, martesa e Profetit me Xhuvejrijen, e mbështetur plotësisht mbi një qëllim politik, nuk është bërë për motive ndiesore; në mënyrë të veçantë, siç thotë edhe pohimi kur'anor se 
وَمَا يَنْطِقُ عَنِ الْهَوَى  إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَى 
"ai nuk flet (dhe nuk vepron) sipas dëshirës së vet, por sipas fjalës hyjnore" (en-Nexhm, 3-4), është realizuar sipas një qëllimi hyjnor të shfaqur në zemrën e të Dërguarit të Allahut. Me të vërtetë, pas kësaj martese, robërit Beni Mustalik u lanë të lirë dhe, më e rëndësishmja, i gjithë fisi u bë musliman!



Tejemmumi 
Aisheja (r.anha) tregon kështu:
Në fushatën Murejsi ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Kishim arritur në zonën e quajtur Bejda ose në vendin që i thoshin Dhatul Xhejsh, kur mua m’u këput një varëse. I Dërguari i Allahut mbeti për një farë kohe aty për ta kërkuar atë. Bashkë me qëndruan edhe njerëz të tjerë. Jo vetëm përreth nuk kishte ujë, por edhe uji që kishin pasur me vete iu mbarua. Disa vetë shkuan te Ebu Bekri dhe i thanë:
“A e sheh ç’bëri Aisheja? I vonoi këtu edhe të Dërguarin e Allahut, edhe njerëzit e tjerë. Këtu nuk ka ndonjë oaz, as ata s’kanë ujë me vete!” Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kishte mbështetur kokën mbi gjunjët e mia e po flinte, ia behu im atë, Ebu Bekri, i cili më qortoi rëndë:
“Ti i burgose këtu edhe të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), edhe të tjerët. Dhe ujë s’ka as përreth, as tek njerëzit me vete!” Për më tepër, duke mos e zotëruar zemërimin, më goditi. Meqë kisha të Dërguarin e Allahut që më ishte mbështetur mbi gjunjë, u përpoqa të mos lëviz.
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u ngrit në mëngjes, ujë nuk kishte fare. Pak më pas, Allahu i Lartë zbriti ajetin e Tejemmumit:

"... Nëse jeni të sëmurë ose në udhëtim ose ktheheni prej vendit të nevojës ose keni rënë me gratë dhe në këto kushte nuk gjeni ujë, bëni tejemmum (fërkim) me dhé të pastër në fytyrë dhe krahët gjer në bërryla. Allahu nuk do që t'ju shkaktojë vështirësi, por t'ju bëjë të pastër e ta plotësojë të mirën e tij për ju që të falenderoni!" (el-Maide, 6)
Usejd bin Hudajr (r.a.) thotë:
“O familja e Ebu Bekrit! Kjo është vetëm njëra nga begatitë tuaja të panumërta për ummetin!”
Kur e ngrita devenë ku kisha hipur, varësja doli nga poshtë devesë. (Buhari, Tejemmum, 1; As’habu’n-Nebi, 5, 30)
Usejdi (r.a.) i ka thënë Hz. Aishesë:
“Allahu të shpërbleftë me të mira! Vallahi, sa herë që të të ndodhë ndonjë gjë e papëlqyeshme, Allahu e bën atë të mbarë e të dobishme edhe për ty, edhe për muslimanët!” (Buhari, Tejemmum, 1)

Ndodhia e shpifjes 
Ishte në kthim nga lufta e Murejsisë. Pak para se ushtria të nisej në udhën e kthimit, bashkëshortja e nderuar e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Hz. Aisheja (r.anha)212, ishte larguar nga vendfushimi për nevoja vetiake, kurse kur u kthye, ushtria kishte kohë që ishte larguar që andej. Pas urdhrit të mbulimit, gratë udhëtonin mbi deve brenda kafazeve (shatoreve) të përgatitura enkas për to, prandaj, në nisje, mungesa e saj s'ishte vënë re pasi mendohej se ndodhej brenda në kafaz.
E ndodhur para një situate të tillë, Hz. Aisheja kishte dy mundësi: të vihej në ndjekje të ushtrisë, që do të thoshte rrezikim për të humbur në shkretëtirë, ose të qëndronte në pritje aty ku ishte. Ajo zgjodhi mundësinë e dytë dhe u vu të priste zhvillimin e situatës. Në këtë mes, ra në një gjumë të lehtë. Ndërkohë, aty pari kaloi Ebu Safvan bin Muattal (r.a.) i ngarkuar si praparojë për të mbledhur të vonuarit a të mbeturit pas. Ai e dalloi menjëherë Hz. Aishenë dhe këndoi ajetin si më poshtë për ta njoftuar se ndodhej aty:
إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ  
"Inna lil'lahi ve inna ilejhi raxhiun!" "Pa dyshim, ne të Allahut jemi dhe, pa dyshim, te Ai do të kthehemi!" (el-Bakara, 156)
Këto fjalë bënë që Hz. Aisheja të zgjohej. Kurse Safvani, pa thënë as edhe një fjalë, e uli devenë për të hipur Hz. Aisheja. Ushtrinë e arritën në drekë. Hipokritët që e panë skenën e arritjes së tyre, e interpretuan gjendjen me një gjuhë të shëmtuar duke e shfrytëzuar rastin sipas dëshirës së vet:
"Vallahi, as Aisheja ka shpëtuar prej tij e as ai prej Aishesë!"
Kurse Abdullah bin Ubej, duke shkuar më tej, u tha muslimanëve me tallje:
"Ja ku gruaja e Pejgamberit tonë e gdhiu me një burrë..."
Intriga e përfshiu tërë ushtrinë. Hz. Ebu Bekri (r.a.) rënkoi me një vuajtje të thellë:
"Vallahi, as në periudhën e injorancës s'na u bë neve një shpifje e tillë!" 
Hz. Safvani (r.a.) ishte tepër i hidhëruar. Ai ishte një sahabe i zgjedhur për të cilin i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati thënë:
"Për të nuk di veçse për mirë!.."
Por hidhërimi më i thellë sigurisht që në zemrën e Profetit (s.a.s.) kishte rënë. Ai shpesh mbyllej në shtëpi dhe nuk takohej shumë me njerëzit. Ai bëri një hetim të vogël. Nuk ekzistonte as shenja më e vogël për fajësinë e Hz. Aishesë. Mirëpo gojët hipokrite nuk pushonin.
Hz. Aisheja qe e fundit që mori vesh për thashethemet dhe, sapo i dëgjoi ç'thuheshin, u prek thellë. Me një dhimbje të papërshkruar, pasi mori lejë prej Profetit, shkoi në shtëpinë e të atit për të marrë atje të dhëna lidhur me çështjen. Kur thashethemet i dëgjoi edhe prej tyre, pothuajse u tret, u zverdh si gjethe vjeshte!
Në këtë mes, Profeti (s.a.s.) deshi ta bisedonte çështjen me vetë Hz. Aishenë, shkoi në shtëpinë e Hz. Ebu Bekrit dhe i tha kështu gruas së tij të bekuar:
"O Aishe! Më erdhën ca fjalë për ty. Po qe se je e pafajshme, Allahu ka për të të nxjerrë të pastër!"
Hz. Aisheja e ndjeshme që e kuptoi se Profeti, i ndikuar deridiku nga thashethemet, po kalonte një periudhë lëkundjesh, pa nga e ëma dhe i ati. Por, kur ndeshi edhe në heshtjen e tyre, me sytë të njomur, i tha kështu të Dërguarit të Allahut (s.a.s.):
"Vallahi, e kuptoj shumë mirë se edhe ti i ke dëgjuar të thënat dhe pothuajse u ke besuar. E tani, nëse unë them se jam e pafajshme - gjë që Allahu e di - mund të mos më besoni. Nëse them të kundërtën, do të më besoni menjëherë. Por Allahu e di se jam e pafajshme. Atëherë, unë kërkoj ndihmë nga Allahu kundër atyre thënieve!"
Ato ditë, bashkëshortja e Hz. Ebu Ejub el-Ensariut, Ummu Ejub, e pyeti të shoqin:
“A i ke dëgjuar ç’thonë njerëzit kundër Aishesë?”
“Po, i kam dëgjuar! Të gjitha janë gënjeshtra dhe shpifje!” - Iu përgjigj Ebu Ejubi. Pastaj iu drejtua të shoqes:
“Po ti, a do ta bëje një gjë të tillë të keqe?”
“Jo! Vallahi, unë kurrë s’do ta bëja një gjë të tillë!” - Iu përgjigj ajo.
Atëherë, Ebu Ejubi i tha kështu:
“Nëse ti thua kështu për veten tënde, dije se Aisheja është më e mirë se ti!” (Ibni Hisham, III, 347; Vakidi, II, 434)
Më në fund, sqarimi i çështjes i kishte mbetur vetëm zbulesës hyjnore. Kështu, pa kaluar shumë, Zoti zbriti ajetet lidhur me këtë çështje. U bë e qartë se fjalët e thëna s'ishin veçse shpifje të hipokritëve. Shprehjet hyjnore edhe Hz. Aishenë e nxirrnin të pastër, edhe hipokritëve ua përplasnin syve fjalët që kishin thënë, duke i paralajmëruar, gjithashtu për ndëshkim, edhe ua tërhiqnin vërejtjen indiferentëve që i përsërisnin nëpër gojë ato shpifje.
Në ajetet kur’anore lidhur me këtë çështje, Zoti thoshte kështu:
إِنَّ الَّذِينَ جَاؤُوا بِالْإِفْكِ عُصْبَةٌ مِنْكُمْ لَا تَحْسَبُوهُ شَرّاً لَكُم
 بَلْ هُوَ خَيْرٌ لَكُمْ لِكُلِّ امْرِئٍ مِنْهُم مَا اكْتَسَبَ مِنَ الْإِثْمِ
 وَالَّذِي تَوَلَّى كِبْرَهُ مِنْهُمْ لَهُ عَذَابٌ عَظِيمٌ 
"... Ata që i kanë sajuar këto shpifje (për bashkëshorten e pastër të Pejgamberit), janë, pa dyshim, një grup prej jush, por ju mos e pandehni këtë (ngjarje shpifjeje) si një të keqe ndaj jush; përkundrazi, kjo është mbarësi për ju. Secili prej shpifësve do ta vuajë pasojën e mëkatit që ka kryer. Edhe për atë ndërmjet tyre i cili (duke e kryesuar këtë fushatë shpifjeje) e mban barrën e këtij mëkati, ka një ndëshkim të madh!"

"Kur burrat dhe gratë muslimane e dëgjuan këtë shpifje, a nuk duhej që, duke e dëgjuar zërin e ndërgjegjes së vet, të thoshin "kjo është një shpifje e hapur"? A nuk duhej që shpifësit të sillnin mbi këtë çështje katër dëshmitarë? Meqë nuk sollën dëshmitarë, te Allahu ata janë vetë gënjeshtarët! Po qe se mbi ju nuk do të ishte mëshira dhe favori i Allahut në këtë botë dhe në jetën tjetër, pa dyshim që do t'ju godiste një ndëshkim i madh si rrjedhojë e kësaj shpifjeje ku u zhytët! Sepse ju ia kaluat këtë shpifje njëri-tjetrit; gjënë për të cilën nuk kishit njohuri, e kalonit nëpër gojë. Këtë e kujtoni një punë të parëndësishme e të padënueshme. Mirëpo kjo është një gjë (poshtërsi) shumë e madhe te Allahu!"
وَلَوْلَا إِذْ سَمِعْتُمُوهُ قُلْتُم مَا يَكُونُ لَنَا أَنْ نَتَكَلَّمَ بِهَذَا
 سُبْحَانَكَ هَذَا بُهْتَانٌ عَظِيمٌ
"Kur e dëgjuat atë, a nuk duhet të thoshit "Ne nuk na ka hije ta përflasim e ta përhapim këtë! Mos qoftë e thënë! Kjo është një shpifje e madhe!"? Nëse jeni njerëz që besoni, Allahu ju paralajmëron që të mos e përsërisni edhe një herë tjetër një sjellje të tillë! Dhe Allahu jua sqaron argumentet e Tij! Allahu është i ditur e i urtë!"

"Allahu ju këshillon që, nëse jeni besimtarë, të mos e përsërisni kurrë më një sjellje te tillë. Kështu jua shpjegon Allahu ajetet e tij. Allahu është i ditur e i urtë! "
إِنَّ الَّذِينَ يُحِبُّونَ أَنْ تَشِيعَ الْفَاحِشَةُ فِي الَّذِينَ آمَنُوا لَهُمْ عَذَابٌ
 أَلِيمٌ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ وَاللّٰهُ يَعْلَمُ وَأَنْتُمْ لَا تَعْلَمُونَ .
 وَلَوْلَا فَضْلُ الله عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُ وَأَنَّ الله رَؤُوفٌ رَحِيمٌ 
"Për ata njerëz mes besimtarëve, të cilët dëshirojnë përhapjen e gjërave të shëmtuara, ka një ndëshkim të rëndë në këtë botë e në jetën tjetër. Allahu di, ju nuk dini! Po të mos ishte mëshira dhe favori i Allahut mbi ju, po të mos ishte Allahu shumë i dhimbshëm e i mëshirshëm (ç’do të bëhej halli juaj)?.."
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَتَّبِعُوا خُطُوَاتِ الشَّيْطَانِ وَمَنِ يَتَّبِعْ خُطُوَاتِ
 الشَّيْطَانِ فَإِنَّهُ يَأْمُرُ بِالْفَحْشَاء وَالْمُنكَرِ وَلَوْلَا فَضْلُ الله عَلَيْكُمْ
 وَرَحْمَتُهُ مَا زَكَا مِنْكُم مِنْ أَحَدٍ أَبَداً وَلَكِنَّ الله يُزَكِّي مَنْ يَشَاءُ
 وَاللّٰهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ 
"O ju që besuat! Mos ndiqni hapat e djallit! Kush ndjek hapat e djallit, ai pa tjetër do të urdhërojë për të keqe. Po të mos ishte mëshira dhe favori i Allahut mbi ju, askush mes jush nuk do të dilte i pastër! Por Allahu e nxjerr të pastër atë që do! Allahu dëgjon dhe di!" (en-Nur, 11-21)
Pas këtyre të vërtetave të larta, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i buzëqeshur, i tha Hz. Aishesë:
"Myzhde, o Aishe! Allahu të nxori të pastër!"
Pasi u shfajësua me anë të ajeteve kur'anore, Hz. Aisheja e falenderoi dhe e madhëroi Zotin me këto fjalë:
"Nuk e parashikoja kurrë se, mbi një rob të thjeshtë si unë, kishte për të zbritur ajet. Pandehja se në zemrën e të Dërguarit të Allahut do të vinte një frymëzim dhe kështu do të dilte në shesh se unë isha e pafajshme!"
Kurse të atit, Ebu Bekrit (r.a.) i cili, pasi e puthi në ballë, i bëri shenjë që të shkonte pranë të Dërguarit të Allahut, i tha duke shprehur pak edhe zemërimin e saj:
"Unë askënd veç Allahut nuk e lavdëroj dhe falenderoj! Eshtë Allahu që e bëri të ditur pafajësinë time!"
Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) buzëqeshi. Një muaj shqetësim kishte marrë fund në sajë të mëshirës dhe favorit të Zotit! (Buhari, Shehadat, 15, 30, Xhihad, 64, Megazi, 11, 34; Muslim, Tevbe, 56; Ahmed, VI, 60, 195)
Ajo për të cilën ishte shpifur, ishte bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), nëna e ummetit, bashkësisë islame, vajza e mikut më të afërt të Profetit (s.a.s.) dhe, në të njëjtën kohë, njëra prej zonjave më të virtytshme të ummetit! Edhe vetëm kjo ndodhi është e mjaftueshme për të treguar forcën duruese të profetëve përballë fatkeqësive. Për të pafajshmit që goditen nga shpifja, kjo është një ngushëllim i madh gjer në kiamet!
Ç'duhet të themi për një pjesë indiferentësh e të papjekurish të cilët, pavarësisht nga këto të vërteta diturore e historike e pavarësisht nga fakti që Kur'ani e nxori të pastër e të pafajshme Hz. Aishenë duke e vlerësuar ndodhinë “një shpifje të hapur” (ifkun mubin) dhe "një shpifje të madhe" (buhtanun adhim), vazhduan ta akuzojnë atë si rrjedhojë e pjesëmarrjes në ndodhinë "Xhemel"?
Të pandehurit që u bënë shkak për ndodhinë e shpifjes, u dënuan "për shpifje për marrëdhënie seksuale joligjore kundër një gruaje të ndershme" duke u goditur secili me nga tetëdhjetë shkopinj.213 
Sipas Ibni Abbasit (r.a.), Allahu i Lartë katër vetë ka nxjerrë të pafajshëm:
1. Jusufin (a.s.), me gojën e vetë gruas që pati shpifur për të.214
2. Musain (a.s.) nga thashethemet e çifutëve.215
3. Hz. Merjemen, duke e bërë të flasë fëmijën e saj të porsalindur.216
4. Hz. Aishenë e ka nxjerrë të pafajshme me anë të atyre ajeteve të madhërishme të Kur’anit i cili do të lexohet gjer në kiamet; ndërkaq, e para, një pafajshmëri kaq shprehëse nuk është parë kurrë dhe, e dyta, Allahu i Lartë e ka bërë këtë për të treguar se ç’gradë të lartë zotëron i Dërguari i Tij. (Zemahsheri, IV, 121)
Vonimi për një kohë të gjatë i revelacionit hyjnor në atë periudhë të shqetësuar e të vështirë ka pasur për qëllim për ta nxjerrë në dukje karakterin njerëzor të Hz. Muhammedit, i cili, megjithëse i dërguar i Allahut, në fund të fundit ishte njeri; për të treguar se revelacioni hyjnor nuk ishte diçka e lindur nga vetëdija dhe egoja e tij, si dhe për të vënë në provë sinqeritetin e muslimanëve!
***
Hz. Ebu Bekri (r.a.) i jepte ndihmë të vazhdueshme një personi të quajtur Mistah. Por, kur pa se edhe ai ndodhej mes shpifësve, bëri be që nuk do t'i jepte më ndihmë atij dhe familjes së tij.
Pas kësaj, Mistahu dhe familja e tij ranë në një gjendje të rëndë. Pas prerjes së ndihmës, Zoti zbriti këto ajete:
وَلَا يَأْتَلِ أُوْلُوا الْفَضْلِ مِنْكُمْ وَالسَّعَةِ أَنْ يُؤْتُوا أُوْلِي الْقُرْبَى
 وَالْمَسَاكِينَ وَالْمُهَاجِرِينَ فِي سَبِيلِ الله وَلْيَعْفُوا وَلْيَصْفَحُوا
 أَلَا تُحِبُّونَ أَنْ يَغْفِرَ الله لَكُمْ وَاللّٰهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ 
"Personat e virtytshëm e të pasur, ndër ju, të mos betohen se nuk do t'u japin ndihmë të afërmve, të varfërve, të emigruarve në rrugën e Allahut; le t'i falin ata e të mos ua vënë re. Ju, a nuk dëshironi që Allahu t'ju falë? Allahu fal shumë dhe është mëshirues i madh!" (en-Nur, 22)
وَلاَ تَجْعَلُوا الله عُرْضَةً لِإِ يْمَانِكُمْ أَنْ تَبَرُّوا وَتَتَّقُوا وَتُصْلِحُوا
 بَيْنَ النَّاسِ وَاللّٰهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ 
"Mos e bëni pengesë emrin e Allahut për shkak të betimit tuaj, për të bërë mirë, për t'u ruajtur prej Tij e për t'i afruar njerëzit me njëri-tjetrin! Allahu dëgjon dhe sheh!" (el-Bakara, 224)
Këto ajete kur’anore përbëjnë shembullin më konkret të mëshirës së Allahut për robtë e vet. Dhe, nga ana tjetër, tregon një synim i cili i ngre lart njerëzit e virtytshëm.
Pas zbritjes së këtij ajeti, Hz. Ebu Bekri (r.a.) tha:
"Sigurisht që unë e dua faljen e Allahut!"
Pastaj, duke dhënë dëmshpërblim betimi, ai e vazhdoi ndihmën e mëparshme. (Buhari, Megazi, 34; Muslim, Tevbe, 56; Taberi, Tefsir, II, 546)
Pra, Hz. Ebu Bekri (r.a.) nuk e kurseu ndihmën as për njeriun që shpifi kundër të bijës. Dhe ky është shembulli më i qartë se kapaciteti i virtytshmërisë së Hz. Ebu Bekrit ishte i paarritshëm!

Ata janë dushmanët, ruhuni prej tyre!
Përçartjet e prodhuara prej hipokritëve në luftën e Murejsisë, nuk mbaronin vetëm me ndodhinë e shpifjes. Me pretekst të një polemike mes dy vetëve, njëri nga ensarët e tjetri nga emigrantët, kreu i hipokritëve, Abdullah bin Ubeji, duke e pasur fjalën për emigrantët, u tha njerëzve përreth:
"A po i shihni bëmat e këtyre? U bënë të parë në vendin tonë e pastaj nuk na njohën. Po qe se kthehemi në Medinë, i çmuari do ta nxjerrë prej atje të paçmuarin! Besimtari i mirë Zejd bin Erkam që ndodhej aty, mes dëgjuesve, i bërtiti:
"Ti je i paçmuari mes fisit! Allahu i Lartë e ka bërë të çmuar të Dërguarin e tij, Muhammedin!"
Kur gjendja iu bë e njohur Profetit, hipokritët i mohuan fjalët që kishin thënë duke bërë be për këtë, duke e nxjerrë, për pasojë, Hz. Zejdin, gënjeshtar. Hz. Zejdi u prek shumë nga kjo gjë. Kurse Hz. Omeri kërkoi leje nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.) për t'i vrarë hipokritët duke nisur që me Abdullah bin Ubejin. Por i Dërguari i Allahut (s.a.s.), me një burrëri të madhe, i tha:
"Ej, Omer, ata që s'e dinë anën e brendshme të çështjes, do të thonë: "Muhammedi po i vret shokët e tij! Jo, nuk do ta bëj një gjë të tillë! Ti bëju zë menjëherë muslimanëve të përgatiten për rrugë!”
Muslimanët dolën në rrugë. Profeti i udhëhoqi ata atë ditë gjithë ditën gjer në mbrëmje dhe, pastaj, gjithë natën. Ata qëndruan vetëm kur zbardhi dhe nisi të ndjehej nxehtësia e diellit. Të lodhur dhe pa gjumë, muslimanët ranë menjëherë në gjumë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) veproi kështu për t’i larguar muslimanët nga preokupimi me fjalët e Abdullah bin Ubejit.217 Politika e hollë e Profetit në këtë drejtim tregonte se sa mirë e njihte ai natyrën njerëzore!
Një kohë më pas, pozita e hipokritëve u përshkrua kështu në Kur'an:
إِذَا جَاءكَ الْمُنَافِقُونَ قَالُوا نَشْهَدُ إِنَّكَ لَرَسُولُ الله وَاللّٰهُ يَعْلَمُ إِنَّكَ
 لَرَسُولُهُ وَاللّٰهُ يَشْهَدُ إِنَّ الْمُنَافِقِينَ لَكَاذِبُونَ اتَّخَذُوا أَيْمَانَهُمْ
 جُنَّةً فَصَدُّوا عَنْ سَبِيلِ الله إِنَّهُمْ سَاءَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ.
ذَلِكَ بِأَنَّهُمْ آمَنُوا ثُمَّ كَفَرُوا فَطُبِعَ عَلَى قُلُوبِهِمْ فَهُمْ لَا يَفْقَهُونَ 
"(O i Dërguar!) Kur hipokritët vijnë tek ti, thonë: "Dëshmojmë se ti je i Dërguari i Allahut!" Sigurisht, Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, por Allahu e di edhe se ata, hipokritët, janë gënjeshtarë! Duke i bërë mburojë betimet e tyre, ata u larguan nga rruga e Allahut. Sa e keqe është ajo që bëjnë ata! Shkaku i kësaj është se ata në fillim besuan, pastaj mohuan. Prandaj zemrat u janë vulosur. Tani ata s'kuptojnë asgjë!"
وَإِذَا رَأَيْتَهُمْ تُعْجِبُكَ أَجْسَامُهُمْ وَإِنْ يَقُولُوا تَسْمَعْ لِقَوْلِهِمْ كَأَنَّهُمْ
 خُشُبٌ مُسَنَّدَةٌ يَحْسَبُونَ كُلَّ صَيْحَةٍ عَلَيْهِمْ هُمُ الْعَدُوُّ فَاحْذَرْهُمْ
 قَاتَلَهُمُ الله أَنَّى يُؤْفَكُونَ 
"Kur i sheh ata, pamja e jashtme e tyre të pëlqen dhe, kur flasin, i dëgjon. Mirëpo ata janë si drurë të kalbur nga brënda, mbështetur për muri. Çdo zhurmë e pandehin kundër vetes. Dushmanë ata janë. Ruhu prej tyre! Allahu ua marrtë shpirtin, si janë katandisur kështu?"

"Kur atyre u thuhet, "ejani, i Dërguari i Allahut të lutet për falje për ju", e kthejnë kryet mënjanë dhe e sheh se largohen duke u mbajtur më të madh! Edhe sikur të lutesh për falje për ta, edhe sikur të mos lutesh, njëlloj është. Allahu s'ka për t'i falur ata, sepse Allahu nuk e drejton një popull që ka dalë nga udha!"
هُمُ الَّذِينَ يَقُولُونَ لَا تُنْفِقُوا عَلَى مَنْ عِنْدَ رَسُولِ الله حَتَّى يَنْفَضُّوا
 وَلِلّٰهِ خَزَائِنُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَلَكِنَّ الْمُنَافِقِينَ لَا يَفْقَهُونَ
يَقُولُونَ لَئِنْ رَجَعْنَا إِلَى الْمَدِينَةِ لَيُخْرِجَنَّ الْأَعَزُّ مِنْهَا الْأَذَلَّ وَلِلّٰهِ
 الْعِزَّةُ وَلِرَسُولِهِ وَلِلْمُؤْمِنِينَ وَلَكِنَّ الْمُنَافِقِينَ لَا يَعْلَمُونَ 
"Janë ata që thonë: "Për ata që rrinë pranë të Dërguarit të Allahut, mos jepni asgjë, që të shpërndahen e të shkojnë!" Kurse thesaret e qiejve e të tokës janë të Allahut, por hipokritët nuk e kuptojnë këtë! Ata thonin: "Betohemi se, po të kthehemi në Medinë, i epërmi ka për ta nxjerrë, pa dyshim, të dobëtin që andej! Mirëpo epërsia e vërtetë është e Allahut, e të Dërguarit dhe e muslimanëve (të rrugës së drejtë), por hipokritët s'e dinë këtë!" (el-Munafikun, 1-8)
Pasi zbriti sureja “Munafikun”, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e thirri Zejd bin Erkamin, ia këndoi këto ajete dhe i tha:
“O Zejd, Allahu i Lartë e vërtetoi fjalën tënde!” (Buhari, Tefsir, 63/1-2; Muslim, Sifatu’l-Munafikin, 1)
Pastaj, duke e zënë Zejdin për veshi, tha:
“Ja, ky është i riu i cili e ka kryer me vesh detyrën e tij në rrugën e Allahut!” (Ibni Hisham, III, 336)
***
Shihni kah urtësia e Zotit që kreu i hipokritëve, Abdullah bin Ubeji kishte një djalë të quajtur Abdullah, i cili ishte një besimtar i sinqertë, shumë i lidhur pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)! Ai hidhërohej shumë për bëmat e të atit dhe nuk i duronte dot. Meqë ndodhitë e fundit ia shtuan shumë hidhërimin, shkoi te i Dërguari i Allahut dhe i tha:
"O i Dërguari i Allahut! Po deshe, ta vras tim atë!"
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk ia lejoi këtë, por e porositi:
“Jo, përkundrazi, sillu butë me të! Sa të ndodhet mes nesh, kalo mirë me të!”
Pas kësaj, Abdullai vrapoi te i ati atje ku ndodhej, në mes të ushtrisë dhe, duke ia rrëmbyer frerët e devesë, i bërtiti:
"Nuk do të të lë të lëvizësh nga vendi gjersa të thuash se fuqia dhe virtyti janë të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij!"
Kreu i hipokritëve u shtang. Krenaria nuk ia pranoi sjelljen e të birit para gjithë atyre njerëzve dhe i tha: "Domethënë se ti, mes kaq burrave, nuk do të më lejosh të shkoj në Medinë?"
I vendosur gjer në fund në besim, i biri iu përgjigj: 
"Jo, nuk do të të lejoj gjersa të ta mësoj sot, mes këtyre burrave, se kush është i epërm e kush është i ulët! Po të mos e pohosh të vërtetën, do të ta fluturoj kokën!"
Hipokritit tradhtar i qenë lidhur këmbë e duar! Sapo e kuptoi se i biri e kishte aq seriozisht sa ta bënte atë që thoshte, u rrëqeth. Duke i marrë mbrapsht ato që kishte thënë gjer atëherë, u detyrua, dashje pa dashje, ta pohonte hapur të vërtetën:
"Dëshmoj se fuqia dhe virtyti u përkasin Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve!"
Profeti (s.a.s.) u lut për Abdullain:
“Allahu të shpërbleftë për hir të të Dërguarit dhe besimtarëve!”
Pastaj i tha që t’ia hapte rrugën të atit. (Ibni Hisham, III, 334-337; Ibni Sa’d, II, 65; Hejsemi, IX, 317-318; Zemahsheri, VI, 117)
Sahabet e donin aq shumë Zotërinë e Botëve, Hz. Muhammed Mustafanë, saqë s’mund të pajtoheshin jo sikur t’i prekej personaliteti, por qoftë edhe një qime prej tij! Po qe se dikush e shihte shtrembër ose sillej pa respekt ndaj tij, kjo gjë i zemëronte jashtë mase, aq sa ishin gati ta vrisnin sikur të ishte edhe vetë ati i tyre!

LUFTA E HENDEKUT,
një vështirësi dhe mundim i papërfytyrueshëm 
(shevval-dhilkade, 5 h. / mars, 627 e.r.)
Lufta e Hendekut është lufta më e vështirë e hapur nga politeistët kundër muslimanëve! Ajo ka pasur si qëllim për t'i fshirë nga faqja e historisë muslimanët dhe shtetin islam të Medinës.
Një pjesë e parësisë së fisit çifut Beni Nadr që u përzu prej Medinës, u strehua në Hajber. Ata digjeshin nga dëshira për t'u hakmarrë ndaj muslimanëve. Për këtë, u propozuan bashkëpunim Kurejshve. Madje, duke u pohuar kurejshve se idhujtaria e tyre ishte eprore ndaj islamit, filluan të adhurojnë idhujt. Atëherë, Allahu i Lartë urdhëroi kështu:

"A nuk po i sheh ata që u është dhënë pjesë nga libri? U besojnë idhujve dhe tagutit e, pastaj, thonë për mohuesit: "Këta janë në udhë më të drejtë se ata që i besojnë Allahut!" Këta janë njerëzit e mallkuar prej Allahut. Ti nuk mund të gjesh mbrojtës të vërtetë për atë që Allahu e ka ndarë prej mëshirës së Tij!" (en-Nisa, 51-52)218
Meqë politeistët e prisnin një rast të tillë, kaluan menjëherë në veprim. Kështu, Kurejshët që gjetën disa aleatë duke përfituar nga fakti që mossuksesi i muslimanëve në Uhud u kishte dhënë guxim fiseve të tjera arabe, arritën të formonin një ushtri të madhe prej dhjetë mijë vetësh.219
Pasi mori njoftim për gjendjen, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u këshillua me shokët, të cilëve u premtoi se, po të mos i kundërshtonin urdhrat e Allahut, por t’i pranonin vështirësitë në rrugën e Allahut, do ta meritonin ndihmën e Allahut. Ai i porositi t’u bindeshin Allahut dhe të Dërguarit.
Allahu i Lartë ia frymëzoi Profetit hapjen e hendeqeve. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pyeti sahabet nëse zgjidhnin të dilnin e të luftonin jashtë Medinës, apo të hapnin hendeqe përreth qytetit për të bërë luftë mbrojtëse. Selman Farisiu (r.a.) tha:
“O i Dërguari i Allahut! Edhe ne në Persi, kur frikësoheshim nga sulmet dhe bastisjet e kalorësisë armike, hapnim hendeqe përreth vendbanimit!”
Muslimanëve u pëlqyen fjalët e Selmanit (r.a.) që mbështesnin këshillën e Profetit.220
Në të njëjtën kohë, sahabet kujtonin se si, në luftën e Uhudit, i Dërguari i Allahut kishte dëshiruar të mos dilnin jashtë Medinës, por të bënin luftë mbrojtëse brenda qytetit. Kështu, u vendos që të hapeshin hendeqe përreth Medinës.
Medina ishte vetëm në njërën anë e hapur dhe në rrezik. Kurse anët e tjera, ku ndërtesat ndodheshin ngjitur, ishin si të rrethuara me kala. Veçanërisht, hyrjen për në qytet e vështirësonin shumë drurët e dendur të hurmave. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) vendosi që hendeku të hapej në anën e hapur ndaj armikut. Ai bëri një vijë që zgjatej nga Kalatë Shejhajn, në Mezad dhe për çdo dhjetë vetë caktoi një pjesë hendeku që duhej të hapnin.221
Në gërmimin e hendeqeve mori pjesë edhe vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Madje, kur u shfaq mungesa e ushqimeve, ai mbeti i detyruar të lidhte gur në bark!222 Pavarësisht nga këto, Kryeprofeti (a.s.) as në këtë gjendje nuk rrinte pa e falenderuar Zotin!
Bera bin Azib (r.a.) tregon:
“Të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) e pashë të transportonte dhé së bashku me ne në Ditën e Mundimit të Madh223. Duke punuar, ai këndonte këtë vjershë të Abdullah bin Revahasë:
أَللهُمَّ لَوْ لاَ مَا اهْتَدَيْنَا
وَلاَ تَصَدَّقْنَا وَ لاَ صَلَّيْنَا
فَأَنْزِلَنْ سَكِينَِةً عَلَيْنَا 
وَثَبِّتِ الْاَ قْدَامَ إِنْ لاَقَيْنَا 
إِنَّ الْاُ ولَى قَدْ بَغَوْا عَلَيْنَا
وَإِنْ أَرَادُوا فِتْنَةً أَبَيْنَا 
Allahu im, po të mos na kishe drejtuar,
As namaz s’do të falnim dot, as sadaka s’do të kishim dhuruar!
O Zot, kur të përballemi me armikun,
Na qetëso, na i forco këmbët të mos na rrëshqasin!
Ata na sulmuan dhe, në daçin të na përçajnë,
Ne s’do të ikim, por do të qëndrojmë!
Dhe, kur e këndonte fjalën e fundit “ebejna, do të qëndrojmë”, e ngrinte zërin më shumë!” (Buhari, Megazi, 29)
Sahabet kishin rënë në vështirësi të tillë që as barkun nuk e ngopnin dot. Enesi (r.a.) e shpreh kështu këtë gjendje:
“Për ushqim sillej elb i skuqur në vaj me erë dhe shije të prishur. Çdokush e ndjente shijen e keqe megjithëse ishte i uritur...” (Buhari, Megazi, 29)
Të gjithë muslimanët, të mëdhenj e të vegjël, punonin në hapjen e hendekut. Zejd bin Thabiti (r.a.) që në atë kohë ishte një fëmijë pesëmbëdhjetëvjeçar, në një çast, kishte rënë në gjumë. Muslimanët e ngritën siç ishte, në gjumë, dhe e shtrinë aty, diku, pranë hendekut. Ndërkaq, pranë iu afrua Umare bin Hazm (r.a.) i cili, për shaka, ia mori armët dhe i fshehu. Kur u zgjua dhe pa se s’i kishte armët, Zejdi u shqetësua dhe u frikësua. Kur e mori vesh Profeti (s.a.s.), e thirri pranë dhe i tha:
“O gjumash, ti u kredhe në gjumë dhe armët t’u humbën!”
Pastaj pyeti:
“A ka kush që ta dijë se ku i ka armët ky djalë?”
Umare (r.a.) i tha:
“O i Dërguari i Allahut, e di unë, armët e tij janë tek unë!”
“Jepja armët!” - I tha i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe pastaj ua tërhoqi vëmendjen të gjithëve duke ua ndaluar që t’i frikësonin muslimanët qoftë edhe me shaka ose t’ua merrnin dhe fshihnin ndonjë gjë.” (Vakidi, II, 448)

Myzhdeja e dhënë në Hendek
Në këtë mes, të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) e lajmëruan se kishin hasur në një copë të madhe shkëmbi që nuk po mundeshin ta thyenin. Atëherë Profeti mori bajlozin e vet të mprehtë dhe e goditi shkëmbin tri herë duke filluar me "Bismil'lah!" Shkëmbi u bë pluhur.224 Veç kësaj, në çdo të rënë, u dha besimtarëve myzhde të mëdha. Në të parën tha se iu dhanë çelësat e Damaskut (Bizantit), në të dytën, çelësat e Iranit, në të tretën, të Jemenit dhe se prej aty ku ndodhej, i pa sarajet e këtyre vendeve! Duke premtuar se edhe ato vende do të nderoheshin me fjalën e Allahut dhe me emocionet e fitoreve të ardhshme, mbolli shpresë në zemrat.225 Duke dhënë lajmin e gëzueshëm se Zoti, jashtë çdo diskutimi, do ta asgjësonte së afërmi gënjeshtrën e të shtrembrën, Profeti përvijoi një hartë orientimi të përbotshme ku të pamundurat do të radhiteshin si të mundura njëra pas tjetrës!
Pasi Profeti e përshkroi pallatin e bardhë të Kisras në Medain, Selman Farisiu (r.a.) i tha:
“Drejt fole! betohem në Allahun që të ka dërguar ty me fenë dhe librin e vërtetë, se është pikërisht ashtu siç e përshkrove ti! Dëshmoj edhe një herë tjetër se ti je i Dërguari i Allahut!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha kështu:
“O Selman, pas meje, fitoret Allahu do t’jua mundësojë juve! Damasku dhe Siria do të ngadhnjehen patjetër! Herakliusi do të ikë në skajin më të largët të vendit! Ju do të sundoni në tërë Sirinë! Askush nuk do të mund t’ju dalë kundër juve! Edhe Jemeni do të ngadhnjehet patjetër! Pastaj Kisra do të ekzekutohet!”
Dhe Selmani (r.a.) ka thënë kështu:
“Unë i pashë të gjitha këto!” (Vakidi, II, 450) 
Kur këto arriheshin një e nga një, Ebu Hurejre (r.a.) thoshte:
“Këto fitore janë për ju vetëm një fillim. Betohem në Allahun që ka jetën e Ebu Hurejres në dorë, se çelësat e qyteteve që keni ngadhnjyer dhe do të ngadhnjeri gjer në kiamet, Allahu i Lartë ia ka dhënë qysh në fillim Muhammedit (a.s.)!” (Ibni Hisham, III, 235)
Këto paralajmërime të gëzueshme të të Dërguarit të Allahut u bënë një mbështetje shpirtërore shumë e madhe për muslimanët për t'u bërë ballë më lehtë mundimeve të pritshme. Bërja e ditur qysh më parë e të vërtetës se përfundimi do të jetë në favor të muslimanëve dhe në dëm të armiqve të Islamit, ishte për të shtuar durimin dhe qëndresën e zemrave besimtare. Sepse Hendeku qe një mjedis me një përqëndrim të lartë vështirësish: vuajtje, mundime, ankthe, të ftohtë, uri dhe errësirë... Ndërkaq, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thoshte:
"Allahu im! Jetë është vetëm jeta e ahiretit! Ndihmoji ensarët dhe muhaxhirët!" (Buhari, Megazi, 29)
Me këtë lutje, duke pohuar pavlerësinë e gjithë mundimeve e vuajtjeve të kësaj bote ndaj amshueshmërisë së ahiretit, jetës tjetër, u vinte si synim shokëve të vet jetën tjetër të amshuar.

Gjella e begatuar e Hz. Xhabirit
Hz. Xhabiri (r.a.) tregon kështu:
Në parapërgatitje të luftës së Hendekut, ne hapnim llogore. Para na doli një shkëmb shumë i fortë. Sahabet shkuan te Profeti (a.s.) dhe i thanë:
“Në hendekun ku po gërmojmë, na doli një shkëmb i fortë!”
“Do të zbres unë në hendek!” - Tha Profeti dhe u ngrit në këmbë. Në bark kishte lidhur një gur nga uria. Ne kishim qëndruar tri ditë aty pa shtënë gjë në gojë. Profeti (s.a.s.) e mori kazmën në dorë dhe e goditi shkëmbin i cili u thërrmua si miell! Unë i thashë:
“O i Dërguari i Allahut, a më jep leje të shkoj gjer në shtëpi?”
Kur arrita në shtëpi, i thashë gruas:
“E pashë të Dërguarin e Allahut në një gjendje të papërballueshme! A ka ndonjë gjë për të ngrënë?”
“Kemi pak elb dhe një kec!” - Më tha gruaja.
E thera kecin dhe e bluajta elbin. Mishin e vumë në tenxhere dhe bukën, të piqet. Ndërsa po bëheshin gati këto, shkova te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i thashë:
“O i Dërguari i Allahut, kam pak gjellë, prandaj urdhëro në shtëpi me nja-dy vetë!”
Profeti më pyeti: “Sa gjellë ke?”
Dhe unë ia tregova. Atëherë, ai tha:
“Edhe shumë, edhe shumë të mirë! Thuaji gruas, gjersa të vij unë, as tenxheren të mos e heqë nga zjarri, as bukën të mos e nxjerrë nga furra!” 
Pastaj u foli sahabeve me zë të lartë:
“O ju të hendekut! Xhabiri na ka përgatitur gosti, prandaj urdhëroni!”
Dhe ata u ngritën të gjithë së bashku! 
I shqetësuar, unë vrapova te ime shoqe dhe i thashë:
“Mjerë ne ç’na ra në kokë! Profeti po na vjen bashkë me të gjithë ensarët dhe muhaxhirët që kishte pranë!”
Gruaja më pyeti:
“A të pyeti i Dërguari i Allahut se sa ushqim kemi?”
“Po!” - I thashë unë! 
“Atëherë, mos u shqetëso, se ai e di më mirë se ti!” - Ma ktheu gruaja!
Pas pak, erdhën të gjithë. Profeti u tha sahabeve:
“Hyni pa e shtrënguar njëri-tjetrin!”
Dhe ata hynë nga dhjetë e nga dhjetë. Profeti këpuste një copë bukë, i vinte sipër një copë mish dhe ia jepte njërit. Pasi merrnin dhjetë vetë, i mbyllte tenxheren dhe furrën. Pastaj futeshin dhjetë të tjerë, me të cilët bënte të njëjtën gjë. Kështu, gjersa u ushqyen një mijë vetë. Më në fund, teproi pak ushqim dhe bukë. Duke iu kthyer sime shoqeje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“Ha vetë, jepu edhe komshinjve se njerëzit po vdesin nga uria!” (Buhari, Megazi, 29; Muslim, Eshribe, 141; Vakidi, II, 452)
Si një mrekulli e hapur e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), me ushqimin e pak vetëve, me lejen e Allahut, u ngopën një mijë vetë, madje, teproi për t’u dhënë edhe komshinjve!
Meqë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpenzonte në rrugën e Allahut çdo gjë që i binte në dorë, rregullisht nuk i ndodhej në dorë diçka. Dhe, kur ndjehej nevojtar, e fshihte këtë nga sahabet sepse nuk donte t’i bëhej barrë askujt. Mirëpo sahabet tregoheshin shumë të vëmendshëm ndaj gjendjes së Profetit dhe sapo ta ndjenin se kishte nevojë për diçka, menjëherë përpiqeshin për t’ia siguruar. Sapo ta ndjenin se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e kishte zërin të dobët nga e pangrëna, menjëherë shkonin në shtëpi dhe, ç’të kishin, ia sillnin për të ngrënë.226 Kur ia shihnin Profetit fytyrën të zbehtë, përpiqeshin t’i gjenin diçka për të ngrënë dhe po të mos gjenin, fitonin disa hurma duke i çuar devetë për ujë, dhe ia sillnin!
Kështu, një ditë, Profeti kishte dalë pranë sahabeve. Aty u ndodh ballëpërballë me një ensar i cili i tha:
“Nënë e babë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut, kjo gjendje që po ta vërej ndër sy më dëshpëroi shumë! Ç’është shkaku?”
Pasi e pa disa çaste pa folur personin në sy, Profeti (a.s.) i tha:
“Uria!”
Sahabiu doli menjëherë, shkoi me vrap në shtëpi ku kërkoi ndonjë gjë për të ngrënë, por meqë s’gjeti, shkoi menjëherë te Beni Kurajdhat. Atje u muar vesh që, për një kovë ujë të nxjerrë nga pusi, të merrte si shpërblim një kokërr hurma. Pasi mblodhi një grusht hurma, u kthye dhe ia çoi Profetit (a.s.). Profeti ndodhej po në atë kuvend ku e pati lënë. Sahabiu i tha:
“Haji këto, o i Dërguari i Allahut!”
Profeti e pyeti se nga vinin ato hurma dhe sahabiu ia tregoi. Atëherë, Profeti (s.a.s.) i tha:
“Më duket se ti i do Allahun dhe të Dërguarin!”
Personi iu përgjigj:
“Po, betohem në Allahun që të ka dërguar ty me të vërtetën, ti je për mua më i dashur se vetja ime, se bijtë e mi, se familja dhe pasuria ime!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha kështu:
“Meqë është kështu, bëhu i durueshëm ndaj varfërisë dhe përgatit për vete një mburojë ndaj fatkeqësive! Betohem në Allahun që më ka dërguar me të vërtetën, se këto të dyja (varfëria dhe fatkeqësitë) i vijnë personit që më do mua, më me shpejtësi se ç’zbret uji nga maja e malit!” (Hejsemi, X, 313; Zehebi, Sijer, III, 54; Ibni Haxher, el-Isabe, III, 298)

Vështirësitë dhe mundimet e hequra në Hendek
Ishte dimër. Mohuesit e kishin rrethuar Medinën. Por ishin hutuar para hendeqeve të pakalueshëm që u kishin dalë para. Ata nuk mundën të hynin në Medinë. 
Kur politeistët erdhën dhe ngritën fushimin i Dërguari i Allahut (s.a.s.) la si zëvendës në Medinë Ibni Ummi Mektumin dhe me tri mijë luftëtarë muslimanë u nis për në Hendek. Ai e ngriti fushimin në rrëzë të malit Sel me shpinë nga mali. Ai urdhëroi që gratë dhe fëmijët, duke përfshirë edhe fëmijët nën pesëmbëdhjetë vjeç, të mbylleshin nëpër kala dhe kështjella.227 Kurse sahabet djem të rinj që kishin hyrë apo mbushur pesëmbëdhjetë vjeç, si Ibni Omerin, Zejd bin Thabitin dhe Bera bin Adhibin, i lejoi të merrnin pjesë në luftë.228
Në këtë mes, edhe fisi çifut Kurajdha ngriti krye duke e shkelur marrëveshjen që kishte me të Dërguarin e Allahut, gjë që u bë tradhtia e dytë e tyre. Muslimanët mbetën mes dy zjarresh. Çifutët i dërguan prijësit të politeistëve, Ebu Sufjan, një përfaqësues me këtë mesazh:
“Qëndroni, se ne do t’i sulmojmë muslimanët nga pas dhe do t’i shkulim me rrënjë!”229
Kjo tradhti i erdhi shumë e rëndë të Dërguarit të Allahut. Por ai ishte gjithmonë në gjendje nënshtrimi dhe dorëzimi te Allahu. Prandaj, në këtë gjendje të vështirë, ai tha:
“Hasbunallah ve ni’me’l-vekil”, “Allahu na mjafton! Ç’dorëzanës i mirë është Ai!” (Vakidi, II, 457; Ibni Sa’d, II, 67)
Pastaj pyeti:
“A s’ka kush që të na sjellë lajme nga Beni Kurajdhat?”
Zubejr bin Avvam (r.a.) tha:
“Jam unë, o i Dërguari i Allahut!”
Dhe shkoi.
Kur gjendja u rëndua dhe u bë shumë e rrezikshme, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e dërgoi edhe disa herë Zubejrin (r.a.) për ta mësuar gjendjen e çifutëve dhe, për ta shprehur kënaqësinë për këto shërbime të tij, i tha:
“Çdo pejgamber ka pasur një dishepull dhe dishepulli im është Zubejri!” (Ahmed, III, 314)
Më pas, Profeti dërgoi te çifutët një përfaqësi duke i porositur kështu:
“Shkoni e shihni, a janë të drejta apo jo lajmet që na vijnë! Po qe se janë të vërteta, m4i njoftoni mua fshehtas. Mos flisni hapur, mos futni frikë në zemrat e njerëzve, mos i shtyni ata në dobësi dhe pesimizëm! Po njerëzve mund tua thoni hapur nëze çifutët i kanë mbetur besnikë marrëveshjes sonë!”
Përfaqësuesit shkuan te Beni Kurajdhat dhe i gjetën në gjendje më të keqe se ç’kishin dëgjuar për ta! (Ibni Hisham, III, 237)
Për ta mbrojtur Medinën nga ndonjë sulm çfarëdo, Profeti ngarkoi me detyrë në Medinë Seleme bin Elsemin (r.a.) me dyqind vetë dhe Zejdin (r.a.) me treqind vetë. Ata do të qëndronin në Medinë dhe, duke bërë tekbir me zë të lartë, do të patrullonin nëpër rrugët e qytetit.230
Kur gdhihej mëngjesi pa pësuar bastisje nga çifutët Beni Kurajdha, besimtarët merrnin frymë të lehtësuar. Hz. Ebu Bekri (r.a.) ka thënë:
“Frika që patëm ndjerë për familjet dhe fëmijët nga Beni Kurajdhat, ishte më e madhe nga frika që patëm ndjerë nga ushtritë Kurejshs dhe Gatafan. Herë pas here ngjitesha në majën e malit Sel, vështroja shtëpitë e Medinës dhe, kur i shihja në qetësi, e lavdëroja dhe e falenderoja Allahun!” (Vakidi, II, 460)
Edhe nëna jonë, Ummu Seleme, ka thënë kështu:
“Unë jam ndodhur pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) në disa fushata ku u përjetuan përleshje dhe frikë, si në Murejsi, Hajber, Hudejbije, në çlirimin e Mekës dhe në Hunejn. Asnjëra nga këto nuk ka qenë aq e vështirë, e mundimshme dhe e frikshme për të Dërguarin e Allahut, sa Hendeku. Ne s’ishim të sigurt se Beni Kurajdhat nuk do të na i sulmonin familjet dhe fëmijët!” (Vakidi, II, 467)
Nga ana tjetër, përreth Hendekut, politeistët organizonin sulme, përleshje të ashpra bëheshin gjer në orët e vona të natës dhe herë-herë, edhe çadra e të Dërguarit të Allahut gjuhej me shigjeta!
Një ditë, politeistët sulmuan me shumë forca drejt vendit ku ndodhej i Dërguari i Allahut. Atë ditë, as Profeti, as sahabet nuk gjetën dot rast të falin namaz. Kur u err dhe ushtritë u tërhoqën në fushimet, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha Bilalit të këndonte ezan. Duke bërë ikamet për çdo namaz, i Dërguari i Allahut drejtoi si kaza namazet e drekës, iqindisë dhe mbrëmjes.231 I dëshpëruar shumë për këtë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i cili e quante namazin “dritë e syve”, tha kështu me mallkim për politeistët që e kishin penguar nga namazi:
“Ashtu siç na penguan ata ne gjersa perëndoi dielli pa na lënë të falim namaz, ashtu dhe Allahu ua mbushtë shtëpitë, barqet dhe varret me zjarr!” (Buhari, Megazi, 29; Ibni Sa’d, II, 68-69; Ibni Kethir, el-Bidaje, IV, 112)



Heroizmat e treguara në Hendek
I madh e i vogël, çdo njeri merrte detyra në luftë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) bënte roje personalisht në vendin më të ngushtë të Hendekut.232
Nëna jonë, Ummu Seleme (r.anha), thotë:
Në Hendek ndodhesha së bashku me të Dërguarin e Allahut. S’u ndava kurrë prej tij as aty, as në vende të tjera. I Dërguari i Allahut e ruante hendekun personalisht. Në atë mes na zuri një i ftohtë i ashpër. Po e shihja të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). kishte qëndruar në namaz. Pastaj shkoi dhe e vëzhgoi për një farë kohe hendekun dhe tha:
“Siç duket, ata janë kalorës të politeistëve që kontrollojnë hendekun. A ka kush që t’u kundërvihet atyre?”
Pastaj bëri zë:
“O Abbad bin Bishr!”
“Lebbejk, urdhëro, o i Dërguari i Allahut!” – Iu përgjigj Abbadi (r.a.). 
“A ke njeri pranë?” – E pyeti i Dërguari i Allahut
“Po! Unë dhe disa sahabe ndodhemi përreth çadrës tënde!” – Iu përgjigj Abbadi (r.a.).
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i urdhëroi:
“Bashkë me shokët shkoni dhe patrulloni përgjatë gjithë hendekut! Kalorësit që duken, duhet të jenë kalorës e armikut që sillen përreth për t’ju kapur në befasi dhe për t’ju vrarë!”
Pastaj u lut:
“Allahu im! Largoje të keqen e tyre prej nesh! Ndihmona ne kundër tyre dhe nxirrna fitimtarë mbi ta! Ne s’kemi tjetërkënd veç teje që të na nxjerrë fitimtarë!”
Abbad bin Bishri (r.a.) me shokë shkuan në detyrë. Në atë kohë, prijësi i politeistëve, Ebu Sufjani, me një njësit kalorsiak, sillej rreth vendit më të ngushtë të hendekut. Muslimanët i arritën dhe i gjuajtën me gurë dhe shigjeta. Edhe unë qëndrova me ta dhe u hodha kalorësve politeistë gurë dhe shigjeta. Më në fund ata u lodhën dhe u dobësuan. Pak më pas u shthurën dhe u detyruan të kthehen pas në vendin e fushimit. Kur u ktheva te i Dërguari i Allahut, e gjeta në namaz… Allahu e mëshiroftë Abbad bin Bishrin! Ai ishte nga sahabet që priste gjithmonë pranë çadrës së të Dërguarit të Allahut!” (Vakidi, II, 464)
Në këtë kohë, halla e të Dërguarit të Allahut (s.a.s), bashkë me gratë dhe fëmijët, ndodheshin në pallatin e quajtur Fari të Hasan bin Thabitit. Një njësit çifut prej dhjetë vetësh shkuan, e sulmuan pallatin me shigjeta dhe u përpoqën të hynin brenda. Njëri prej tyre vinte rreth pallatit duke kërkuar një vend të hapur. Kurse po në këtë kohë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe sahabet po luftonin me armikun në Hendek.
E mbetur vetëm, Safija (r.anha), kur pa se përveç saj aty nuk kishte tjetërkush që ta largonte këtë rrezik, e lidhi kokën fort me një shami sa të mos njihej, mori në dorë një hu dhe zbriti poshtë. E hapi portën dhe iu afrua pa u ndjerë çifutit që po bënte roje aty. E goditi fort në kokë, e la të vdekur në vend, dhe u fut sërish brenda. Kur erdhën çifutët e tjerë dhe e panë shokun të vdekur, u frikësuan. Duke i thënë njëri-tjetrit se, me sa i kishin njoftuar, aty s’kishte burra roje, u shpërndanë e u larguan. (Hejsemi, VI, 133-134); Vakidi, II, 462)
Edhe nëna jonë, Hz. Aisheja (r.anha), i rrëfen kështu vëzhgimet e saj mbi dëshirën e sahabeve për xhihad:
“Ditën e luftës së Hendekut, i ndoqa njerëzit nga pas. Pas shpine më erdhi një zë. Kur e ktheva kokën, pashë Sa’d bin Muadhin me të birin e vëllait, Harithe bin Evs. U ula aty ku ndodhesha. Sa’di kishte një mburojë në shpinë, kurse krahët, jashtë. Ai po recitonte një vjershë që nxiste për xhihad dhe tregonte se sa e ëmbël është vdekja në luftë. E ëma po i thoshte:
“O bir, vrapo e arrije të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), se, për Zotin, u vonove!”
I thashë nënës së Sa’dit:
“Do të desha që mburoja t’ia mbulonte Sa’dit tërë trupin gjer në gishtat!” Dyshoja se mos e godisnin në krahët e zhveshur!
Nëna e Sa’dit tha:
“Allahu e çon në vend vendimin e Tij!”
Sadi atë ditë u plagos. (Ahmed, VI, 141; Ibni Hisham, III, 244)
Me ta parë se plagën e kishte të rëndë dhe vdekjeprurëse, Sa’di (r.a.) u lut:
“Allahu im! Po qe se ke vendosur një përleshje tjetër me Kurejshët, më lër të gjallë gjer në atë përleshje, se, sa ç’e dua përleshjen me Kurejshët që i kanë bërë të Dërguarit aq të këqija dhe mundime, që e kanë plagosur dhe përzënë nga vatani, nuk e dua me asnjë fis tjetër! Po qe se përleshja mes nesh dhe atyre ka për të mbetur me kaq, plagën ma bëj pretekst për dëshmorësi! Dhe pranomë pranë teje! Por mos ma merr shpirtin para se ta shoh ndëshkimin e Beni Kurajdhave e të gëzohem!” (Vakidi, II, 525; Ibni Sa’d, III, 423)
Sapo e mbaroi lutjen, Sadit (r.a.) i pushoi gjaku dhe s’i rodhi më asnjë pikë!233
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ngriti për Sa’din (r.a.) një çadër mu pranë faltores me qëllim që ta vizitonte më shpesh dhe të interesohej më nga afër për të.234
*
Hendekun e thellë mundën ta kalonin vetëm disa politeistë. Njëri prej tyre qe Amr bin Abd që njihej në tërë Gadishullin Arabik si pehlivani më i shquar. Para i doli Hz. Aliu (r.a.) dhe, me lejen e Allahut, e vrau. Edhe të tjerët patën të njëjtin fund.
Lufta po zgjatej. Besimtarët qenë në gjendje aq të vështirë, sa që u vunë të prisnin se kur do të vinte ndihma hyjnore. Këtë situatë, Allahu i Lartë e përshkruan kështu në Kur'an:
إِذْ جَاؤُوكُم مِنْ فَوْقِكُمْ وَمِنْ أَسْفَلَ مِنْكُمْ وَإِذْ زَاغَتْ الْأَبْصَارُ
 وَبَلَغَتِ الْقُلُوبُ الْحَنَاجِرَ وَتَظُنُّونَ بِاللهِ الظُّنُونَا .
هُنَالِكَ ابْتُلِيَ الْمُؤْمِنُونَ وَزُلْزِلُوا زِلْزَالاً شَدِيداً 
"Atëherë kur ata ju sulmuan nga lart e nga poshtë, kur sytë u çoroditën, zemrat u tronditën dhe ju menduat gjëra të ndryshme për Allahun, pikërisht atëherë besimtarët u vunë në provë dhe u tronditën rëndë!”
وَإِذْ يَقُولُ الْمُنَافِقُونَ وَالَّذِينَ فِي قُلُوبِهِم مَرَضٌ مَا وَعَدَنَا الله
 وَرَسُولُهُ إِلَّا غُرُوراً . وَإِذْ قَالَت طَائِفَةٌ مِنْهُمْ يَا أَهْلَ يَثْرِبَ لَا
 مُقَامَ لَكُمْ فَارْجِعُوا وَيَسْتَأْذِنُ فَرِيقٌ مِنْهُمُ النَّبِيَّ يَقُولُونَ إِنَّ بُيُوتَنَا
 عَوْرَةٌ وَمَا هِيَ بِعَوْرَةٍ إِنْ يُرِيدُونَ إِلَّا فِرَاراً . وَلَوْ دُخِلَتْ عَلَيْهِم
 مِنْ أَقْطَارِهَا ثُمَّ سُئِلُوا الْفِتْنَةَ لَآتَوْهَا وَمَا تَلَبَّثُوا بِهَا إِلَّا يَسِيراً .
 وَلَقَدْ كَانُوا عَاهَدُوا الله مِنْ قَبْلُ لَا يُوَلُّونَ الْأَدْبَارَ وَكَانَ عَهْدُ الله
 مَسْؤُولاً  قُل لَنْ يَنْفَعَكُمُ الْفِرَارُ إِنْ فَرَرْتُم مِنَ الْمَوْتِ أَوِ الْقَتْلِ 
“Atëherë hipokritët dhe zemërsëmurët thanë: "Allahu dhe i Dërguari na paskan bërë vetëm premtime të thata! Një grup prej tyre thanë: "O jethribas (medinas)! Tani për ju s'është më koha për të qëndruar, pra, kthehuni!" Kurse një pjesë nga të brendshmit kërkonin lejë nga Pejgamberi duke i thënë: "Me të vërtetë, shtëpitë nuk i kemi të sigurta!" Kurse shtëpitë nuk i kërcënonte asnjë rrezik, ata vetëm dëshironin të iknin! Po qe se do t'u kërkohej të intrigonin (të ktheheshin nga feja), këtë do ta bënin menjëherë. Me të vërtetë ata i patën dhënë që më parë fjalën Allahut se nuk do të kthenin shpinën e të iknin. Fjala e dhënë Allahut kërkon përgjegjësi! (O i Dërguar!) Thuaju: "Po qe se ikni prej vdekjes apo vrasjes, ikja s'ju sjell asnjë dobi!.." (el-Ahzab, 10-16)
وَلَمَّا رَأَى الْمُؤْمِنُونَ الْأَحْزَابَ قَالُوا هَذَا مَا وَعَدَنَا الله وَرَسُولُهُ
وَصَدَقَ الله وَرَسُولُهُ وَمَا زَادَهُمْ إِلَّا إِيمَاناً وَتَسْلِيماً 
"Kur besimtarët i panë njësitë e armikut, thanë: "Ja, ajo që na kanë thënë Allahu dhe i Dërguari! Ata kanë thënë të drejtën!" Kjo (ardhja e ushtrive) ua shtoi atyre besimin dhe besnikërinë ndaj Allahut!" (el-Ahzab, 22)


Lufta është dredhi
Kështu, besimtarët luftuan me të gjitha fuqitë. Personi i quajtur Nuajm, nga parësia e fisit Gatafan, i cili ishte bërë musliman por që e mbante fshehur këtë gjë sipas porosisë së Profetit (s.a.s.), "lufta është hile" (Buhari, Xhihad, 157; Muslim, Xhihad, 17), arriti të prishte aleancën mes politeistëve dhe çifutëve Beni Kurajdha. Fiset që e kishin rrethuar Medinën, ranë në kurth! Secili druhej nga tjetri. Më në fund, duke u besuar dredhive të Nuajmit, çifutët u tërhoqën në kalatë e tyre. Në fushë të luftës, nga armiqtë, mbetën vetëm politeistët mekas. Por muslimanët vazhdonin të ishin në gjendje shumë të vështirë. Në kushtet kur Profeti dhe sahabet po kalonin nëpër një provë të vështirë nën rrethimin e politeistëve dhe kur shpirtrat u kishin ardhur për të dalë, zbriti ky ajet kur’anor:
أَمْ حَسِبْتُمْ أَن تَدْخُلُوا الْجَنَّةَ وَلَمَّا يَأْتِكُم مَثَلُ الَّذِينَ خَلَوْا مِنْ
 قَبْلِكُم مَسَّتْهُمُ الْبَأْسَاءَ وَالضَّرَّاء وَزُلْزِلُوا حَتَّى يَقُولَ الرَّسُولُ
 وَالَّذِينَ آمَنُوا مَعَهُ مَتَى نَصْرُ الله أَلا إِنَّ نَصْرَ الله قَرِيبٌ 
“A mos pandehët ju se do të hyni menjëherë në xhennet pa i hequr ato që patën hequr paraardhësit tuaj? Atyre u ranë mbi krye varfëri të tilla, shqetësime të tilla, ata u lëkundën në atë mënyrë, që, madje edhe pejgamberët dhe pasuesit e tyre besimtarë thoshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?” Ja, pra! Me të vërtetë, ndihma e Allahut është afër!” (el-Bakara, 214)235
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ngriti duart drejt rezidencës së lartë dhe u lut:
"Zoti im! Allahu im, që ke dërguar Kur'anin e Lartë! O Zoti im që i lan hesapet me dushmanët! Shpërndaji fiset arabe të mbledhura para Medinës! Thyejua këmbët, tronditua vullnetet që të mos zënë dhé!"
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk e kishte mbaruar lutjen kur u shfaq ndihma hyjnore: qiejt gjëmuan dhe u ngrit një furtunë që përmbyste dhe përlante çdo gjë që gjente përpara. Ajo ua shembi dhe shkuli nga vendi çadrat politeistëve, ua lëshoi rërën dhe pluhurin syve, ua mbushi enët e gjellës, ua përmbysi tenxheret, ua fiku zjarret. Devetë e ngarkesës dhe kuajt e shalës i përzjeu e i bëri rrëmujë!236
Politistët u shpartalluan nga kjo fatkeqësi qiellore dhe nga ky ndëshkim hyjnor që u ra sipër. Ebu Sufjani, më i dëshiruari për luftë, madje, i pashpresë, u tha ushtarëve politeistë: 
"Unë po kthehem pas. Edhe ju dilni në rrugë!" 
Dhe i hipi devesë e zuri udhën e Mekës.237
Allahu u kishte dërguar ndihmë besimtarëve! Në Kur'an urdhërohet:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا نِعْمَةَ الله عَلَيْكُمْ إِذْ جَاءتْكُمْ جُنُودٌ
 فَأَرْسَلْنَا عَلَيْهِمْ رِيحاً وَجُنُوداً لَمْ تَرَوْهَا وَكَانَ الله بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيراً 
"O ju që besuat! Kujtoni të mirën e Allahut për ju! Ata ju kishin sulmuar me ushtri, kurse Ne dërguam kundër tyre erën dhe ushtri që ju nuk mundët t'i shihnit. Allahu e shihte mirë se ç'bënit!" (el-Ahzab, 9)
وَرَدَّ الله الَّذِينَ كَفَرُوا بِغَيْظِهِمْ لَمْ يَنَالُوا خَيْراً
 وَكَفَى الله الْمُؤْمِنِينَ الْقِتَالَ وَكَانَ الله قَوِيّاً عَزِيزاً 
"Allahu i ktheu prapë mohuesit të zemëruar pa arritur asnjë dobi. Allahu u mjaftoi besimtarëve. Allahu është i fuqishëm, është ngadhnjyes!" (el-Ahzab, 25)
Duke ikur të shpartalluar, politeistët kishin lënë pas shumë kafshë, materiale lufte, sende dhe ushqime. Në sajë të këtyre, u hoq ngushtica ekonomike në Medinë. Pas këtij favori hyjnor dhe kësaj fitoreje të madhe, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha kështu sahabeve:
"Tani radhën e keni ju! Pas kësaj, armiku nuk mundet t'ju sulmojë më!" (Buhari, Megazi, 29)
Me këto fjalë, Profeti pohonte se, tashmë, nuk do të mbeteshin në mbrojtje, por do të kalonin në sulm. Sepse politeistëve u qenë thyer plotësisht edhe krenaria, edhe fuqia sulmuese. Tashmë në të gjitha zemrat besimtare tingëllonin fjalët e të Dërguarit të Allahut, të cilat e shprehnin këtë të vërtetë:
"Pas kësaj, ne do të marshojmë mbi ta!"

Lufta Beni Kurajdha (23 dhilkade, 5 h. / 15 prill 627 e.r.)
Lufta e hendekut u fitua, armiku u kthye në Mekë me disfatë. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pasi u kthye në shtëpi, ashtu siç e kishte zakon, e hoqi parzmoren dhe u la. Ndërkaq, i erdhi Xhebraili (a.s.) dhe i tha Profetit (s.a.s.):
"A i le armët? Unë ende nuk i kam lënë!"
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti: 
"Domethënë, kemi luftë tjetër? Ku?"
Dhe Xhebraili (a.s.), duke bërë shenjë nga vendbanimi i fisit Beni Kurajdha që tradhtoi në luftën e Hendekut, tha:
"Ja, atje!" (Buhari, Megazi, 30)
Ashtu si çifutët e mëparshëm, edhe fisi Beni Kurajdha nuk e respektoi marrëveshjen e bërë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe e tradhtoi në kohët më të vështira. Sipas marrëveshjes në fuqi, lidhur me luftën e fundit, ata duhej ta mbronin Medinën në krah të Profetit kundër politeistëve sulmues. Por ata bënë të kundërtën, e tradhtuan, ashtu siç patën bërë gjer atëherë kur s'patën lënë rast pa i punuar ndonjë të keqe. Kështu ata e shkatërruan veten me duart e veta.
Me të marrë urdhrin hyjnor, Profeti (s.a.s.) i mblodhi menjëherë besimtarët dhe marshoi mbi Beni Kurajdhan. Madje, u tha kështu atyre:
"Çdokush që dëgjon dhe bindet, të mos e falë namazin e iqindisë pa shkuar te vendi i Beni Kurajdhas!" (Buhari, Megazi, 30)
Profeti u sul mbi çifutët me shpejtësi dhe befasi për të mos u lënë atyre kohë dhe mundësi për t'u organizuar.
Kur Beni Kurajzat e panë pararojën nën komandën e Hz. Aliut, në vend që të shprehnin pendim për ç'kishin bërë, u zemëruan dhe folën poshtë e lart për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).238 Por, kur pak më pas u përballën me ushtrinë tremijëshe të komanduar nga vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pa gojë dhe u detyruan nga impresionimi prej të të Dërguarit të Allahut, t’i mohonin ato që kishin thënë.
Usejd bin Hudajr (r.a.) u tha:
“O armiq të Allahut! Do t’ju mbajmë të rrethuar në kala gjersa të vdisni nga uria! Ju jeni si dhelpra e zënë në fole!”
Çifutët Beni Kurajdha, tërë frikë, i thanë:
“O Ibni Hudajr! Ne jemi aleatët tuaj, të fisit Evs, jo të fisit Harzrexh!”
Usejdi (r.a.) u tha:
“Tashmë mes nesh nuk ka as marrëveshje, as besë!” (Vakidi, II, 499)
Para se të fillonte luftën me çifutët, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u afrua gjer në rrëzë të kalasë së tyre dhe i ftoi në Islam, por ata s’pranuan.239
Pasi rrethimi zgjati dhe gjendja e çifutëve u rëndua, një nga prijësat ideorë të tyre, Ka’b bin Esed, u tha:
“O çifutë! Ja tek na ra në kokë kjo fatkeqësi që po e shihni! Unë po ju bëj tre propozime, pranoni atë që të dëshironi!”
“Ç’janë këto propozime?” – E pyetën.
“I pari, t’i bindemi këtij njeriu dhe t’ia vërtetojmë profetësinë! Tashmë ka dalë sheshit se ai është pejgamber i dërguar edhe për ju dhe se karakteristikat e tij janë të shkruara në librin tuaj. Po qe se do t’i shprehni besimin, do t’i shpëtoni gjakun, pasurinë, fëmijët dhe gratë tuaja!”
“Ne kurrë s’kemi për t’u larguar nga urdhrat e Tevratit dhe s’kemi për ta ndërruar atë me ndonjë libër tjetër!” – I thanë.
Pastaj Ka’bi u propozoi t’i vrisnin gratë dhe fëmijët dhe të sulmonin ose të sulmonin natën e së shtunës atëherë kur muslimanët s’e prisnin, por ata s’e pranuan asnjërin propozim.240 Sepse Allahu iu kishte lëshuar në zemra frikë!
Tre djem çifutë të quajtur Thalebe, Usejd dhe Esed, duke parë se veçoritë e profetit të fundit që u kishin treguar dijetarët çifutë, ndodheshin te i Dërguari i Allahut (s.a.s.), u bënë muslimanë. Natën zbritën nga kalaja dhe shkuan te Profeti.241
Çifutët mbetën atë ditë të detyruar të dorëzoheshin pa kushte. Meqë çifutët Beni Kurajdha ndodheshin nën mbrojtjen e fisit Evs, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thirri si gjykatës Sa'din, të parin e fisit Evs. Megjithëse i plagosur në luftën e porsambyllur, Hz. Sa'di, duke iu përgjigjur me dëshirë urdhrit profetik, erdhi aty. Në luftë, kur qe plagosur, qe lutur:
"O Zot! Mos ma merr shpirtin pa marrë shpagim nga Beni Kurajdha!"
Ashtu siç deshën çifutët, Hz. Sa'di (r.a.) vendosi për ta sipas ligjit të Hz. Musait (a.s.)242:
"Të gjithë meshkujt nën armë do të ekzekutoheshin, pasuria do të sekuestrohej, kurse gratë dhe fëmijët do të merreshin rob!"
Këtë vendim e mbështeti edhe Profeti (s.a.s.), i cili tha:
"O Sa'd! Betohem se ti vendose sipas vendimit të shtatë kat qiejve të Allahut!" (Buhari, Megazi, 30; Ibni Sa’d, III, 426)  
Lutja e bërë me gjithë zemër e Sa’dit u pranua dhe, pasi dha vendimin mbi çifutët tradhtarë që i goditën nga pas muslimanët në luftë, plaga iu rihap. Pas një farë kohe, ai sahabi ashik i Profetit, e dorëzoi shpirtin si dëshmor dhe meritoi mëshirën hyjnore.243
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Arshi i Mëshiruesit u drodh për shkak të vdekjes së Sa’d bin Muadhit!” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 12; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 125)
Megjithëse Sa’di (r.a.) ishte trupmadh, bartësit vunë re se kufoma e tij ishte shumë e lehtë. I Dërguari i Allahut e shpjegoi kështu urtësinë e kësaj:
“Janë të tjerë ata që e bartin atë! Betohem në Allahun që ka jetën time në dorë, se engjëjt u gëzuan për shpirtin e Sa’dit!” (Ibni Hisham, III, 271; Tirmidhi, Menakib, 50/3848)
Pasi ia fali Sa’dit (r.a.) namazin e të vdekurit, e futi në varr dhe e mbuloi me dhe, Profeti këndoi mbi të tesbih për një kohë të gjatë. Duke e ndjekur Profetin, edhe sahabet bënë të njëjtën gjë. Pastaj Profeti (s.a.s.) bëri tekbir; edhe sahabet bënë tekbir.
Në fund, sahabet e pyetën:
“O i Dërguari i Allahut, pse këndove tesbih dhe bëre tekbir?”
I Dërguari i Allahut u përgjigj:
“Gjersa Allahu i dha gjerësi e lehtësi, varri e shtrëngoi shumë këtë rob të mirë!” (Ahmed, III, 360)
Pastaj vazhdoi:
“Po qe se do të kishte kush që të shpëtonte nga intriga e varrit, pa dyshim që Sa’di do të shpëtonte. Mirëpo në fillim varri e shtrëngoi, pastaj Allahu i dha gjerësi!” (Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, X, 334)
Enesi (r.a.) tregon kështu:
“Të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i kishin dhuruar një xhybe prej mëndafshi të qëndisur me fije ari e argjendi. Kjo rrobë u pëlqeu shumë njerëzve që mbetën të mahnitur nga butësia dhe bukuria e saj. I Dërguari i Allahut tha:
“Betohem në Atë që ka jetën e Muhammedit në dorë, se shamitë e Sa’d bin Muadhit në xhennet janë më të bukura e më të dobishme se kjo!” (Buhari, Bedu’l-Halk, 8; Muslim, Fedail, 126)
***
Suksesin në luftën fitimtare të Hendekut si një favor hyjnor, Kur'ani e shpreh kështu:

"Ata nga ithtarët e librit që u ndihmuan atyre (ushtrisë së politeistëve), Allahu i zbriti nga kalatë dhe u futi frikë në zemër, kurse ju një pjesë i vratë e një pjesë i morët rob. Kështu, Allahu ju bëri ju trashëgimtarë të vendeve, shtëpive dhe pasurive të tyre si dhe të tokave ku s'ju kishte shkelur këmba. Allahu ka fuqi për çdo gjë!" (el-Ahzab, 26-27)

VITI I GJASHTE I HIXHRETIT
Çelësi i fitoreve: Pakti i Hudejbijes Udhëtimi me mallin për Qaben
Pas një ëndrre që pa, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i ftoi muslimanët për ta vizituar dhe për ta bërë tavaf Qaben.244 Bashkë me një mijë e katërqind shokë245 që iu përgjigjën kësaj ftese, Profeti u nis drejt Mekës në vitin e gjashtë të hixhretit, të hënën e parë të muajit Dhilkade. Me që nuk po shkonin për luftë, me vete morën vetëm armët e lehta të udhëtimit si dhe shtatëdhjetë deve për kurban.246
Hz. Omeri (r.a.) e pyeti Profetin:
“O i Dërguari i Allahut, a nuk ke frikë se mos Ebu Sufjani dhe njerëzit e tij na sulmojnë? A s’bën sikur t’i merrnim armët me vete që, po të duhej, të mund të përlesheshim me ta?”
Profeti (s.a.s.) iu përgjigj:
“S’e di! Por s’dua të mbaj armë kur kam vënë si qëllim që të shkoj në umre!” (Vakidi, II, 573)
Kur shpura arriti në vendin e quajtur "Dhul Hulejfe" (vendi i veshjes së ihrameve para hyrjes në Mekë për vizitën e Qabes), Profeti veshi ihramin dhe shprehu "nijetin" (qëllimin e paracaktuar) për të bërë "umre" (vizitë e zakonshme e Qabes). Edhe shokët e tij ashtu bënë. Pastaj nisën të thuhen "telbije" me zë të lartë (Lebbejk Allahumme lebbejk... Nën urdhrin Tënd, Zoti ynë, nën urdhrin Tënd!..). Zemrat digjeshin flakë me mallin për ta parë një çast e më shpejt Qaben e Madhe! Një emocion dhe ekstazë shpirtërore i afronte hap pas hapi muslimanët për atje.
Por edhe te Kurejshët që e morën vesh se muslimanët ishin nisur për ta vizituar Qaben, nisi një shqetësim i madh. Ata u mblodhën dhe vendosën të mos i lejonin muslimanët të hynin në Mekë. Një fuqi prej dyqind vetësh e përgatitur shpejt e shpejt, nën komandën e Halid bin Velidit dhe Ikrimes doli në rrugë.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) arriti në zonën Senijje. Prej aty mundej të zbritej në vendin ku ndodheshin Kurejshët. Mirëpo deveja Kasva e Profetit u ul mu aty. Megjithëse njerëzit e nxitën devenë të ngrihej, ajo s’lëvizi nga vendi. Atëherë, njerëzit thanë:
“Kasva u shemb përtokë dhe mbeti! Kasva u shemb përtokë dhe mbeti!”
Kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha:
“Jo, Kasva nuk u shemb përtokë dhe ajo as që e ka një zakon të tillë! Atë e ka ndaluar vetëm Ai që pati ndaluar Elefantin të hynte në Mekë!”
Pastaj, Profeti vazhdoi kështu:
“Betohem te Ai që e mban në dorën e fuqisë së tij frymën time se, sado kërkesa të vështira të më paraqesin politeistët e Mekës me synim madhërimi për gjëra që Allahu i ka ndaluar të kryhen në Shtëpinë e Tij (si luftim, derdhje gjaku dhe mosruajtje e të drejtave farefisnore), unë kam për t’i pranuar patjetër (me qëllim paqeje)!”
Pastaj deshi ta ngrinte devenë dhe ajo u hodh e u ngrit menjëherë në këmbë! I Dërguari i Allahut e drejtoi nga ana ku ndodheshin Kurejshët dhe zbriti pranë një burimi me pak ujë. Ai vend ishte pika më e largët e zonës së Hudejbijes. Burimi kishte pak ujë. Pa kaluar shumë, burimi shteroi. Të Dërguarit të Allahut iu ankuan për mungesë uji dhe etje. Atëherë ai nxori një shigjetë dhe u tha ta ngulnin në fundin e pusit. Pa kaluar shumë, me lejen e Allahut, filloi të shpërthejë ujë që vazhdoi gjersa sahabet u larguan që aty!
Në këto kushte, u shfaq aty kryetari i fisit Hudaa, Budejli, bashkë me një grup njerëzish të fisit. Ai u foli për shqetësimin e mekasve dhe përgatitjet e tyre për luftë. Në kundërshtim me këtë shqetësimin e tyre, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia parashtroi kështu Budejlit qëllimin e ardhjes së tyre: 
"Ne nuk erdhëm këtu për të bërë luftë. Qëllimi ynë është që ta vizitojmë Qaben, është umreja. Kurejshët janë mundur dhe janë dëmtuar shumë nga luftërat. Po të dëshirojnë, le të bëjmë armëpushim për një afat të caktuar. Në këtë rast, ata do të tërhiqen mënjanë duke mbetur asnjanës mes meje dhe njerëzve të tjerë. Po qe se unë dal fitues mbi njerëzit e tjerë, edhe Kurejshët, po të duan, mund të hyjnë në Islam ashtu si të tjerët. Po qe se unë s’dal fitues, prapë Kurejshët mbeten të qetë duke shpëtuar nga luftimi me mua! Po qe se Kurejshët nuk e pranojnë këtë propozim, vallahi unë do të luftoj për këtë fe gjersa të më fluturojë kryet nga trungu! Pa dyshim, Allahu do ta plotësojë premtimin!”
Budejli u kthye në Mekë dhe ua përcolli Kurejshve këto fjalë të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Pas kësaj, u ngrit Urve bin Mes’ud dhe u tha:
“Ky njeri po ju tregon rrugën e të mirës dhe dobisë. Pranojeni dhe dërgomëni mua tek ai për të bërë marrëveshje!”
“Mirë, - i thanë Kurejshët, - shko!”
Urve arriti te i Dërguari i Allahut. Profeti (s.a.s.) i tha atij fjalë të ngjashme me ato që i pati thënë Budejlit. Gjatë kësaj kohe, Urve ndiqte me bisht të syrit sahabet. Kur u kthye, ua përshkroi kështu mbresat e takimit:
“O fisi im, dëgjomëni mirë! Vallahi, unë kam dalë si përfaqësues para shumë sunduesve, kam shkuar te Kisra, te Kajseri, te Nexhashiu. Por besnikërinë e lartë dhe respektin e muslimanëve ndaj Muhammedit nuk e kam parë në asnjë popull. Po të urdhërojë për diçka, të gjithë vrapojnë menjëherë! Po të marrë abdest, luftojnë me njëri-tjetrin për të rrëmbyer nga uji i abdestit të tij. Po të nisë të thotë diçka, të gjithë e presin zërin. Për shkak të respektit të thellë ndaj tij, nuk e shohin në sy, por e mbajnë kokën të përkulur para. Po t’i bjerë ndonjë flok nga koka, e marrin dhe e fshehin për ta ruajtur! Ky njeri po ju bën një propozim të arsyeshëm, pranojeni!”247
Pas këtij shpjegimi të Urves, një person nga fisi i të Bijve Kinane tha:
“Më jepni leje të shkoj një herë edhe unë te ai!”
Dhe kur ai po afrohej në vendin ku ndodheshin i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe sahabet, Profeti tha:

“Ja tek po vjen filani i cili është i një fisi që tregon respekt për devetë e caktuara për haxh dhe umre. Lëshojini para kurbanet që t’i shohë!”
Sahabet e pritën atë me telbije. Para asaj pamjeje, njeriu tha me habi:
“Nuk është me vend t’u mbyllet rruga e Shtëpisë së Allahut këtyre njerëzve!” (Buhari, Shurut, 15; Ahmed, IV, 323-324) 
Mirëpo politeistët, duke mos ua vënë veshin këtyre përfaqësuesve, dërguan kundër muslimanëve një njësi për t'u bërë presion. Njësia ra e gjitha rob në duar të muslimanëve por Profeti, me qëllim që të kuptohej se me të vërtetë nuk kishin ardhur për luftë por vetëm për umre, i la të lirë robërit.248
Çadra e Profetit ishte ngritur në Hudejbije në një vend që mbetej jashtë zonës së konsideruar si zonë e paprekshme e Mekës, prandaj, të gjitha namazet ai i shkonte për t’i falur në një vend brenda asaj zone,249 sepse një namaz i falur në Faltoren e Paprekshme (në zonën e paprekshme të Qabes) është më i virtytshëm e më i vlefshëm se njëqind mijë namaze të falura në vendet e tjera.250 

Bej’atu Ridvan: Besëlidhja e pëlqyer nga Allahu 
Në këtë mes, edhe disa përfaqësues të tjerë të politeistëve erdhën e shkuan, por, meqë me asnjërin nuk u arrit ndonjë përfundim për marrëveshje dhe paqe, Profeti (s.a.s.) dërgoi, më në fund, te politeistët në Mekë Osmanin për t’u takuar me ta e për ta zgjidhur çështjen dhe i tha:
“Shko te Kurejshët dhe lajmëroji që ne nuk kemi ardhur këtu për t’u përleshur me ndokënd. Ne kemi ardhur vetëm për ta vizituar Shtëpinë e Allahut, për ta respektuar dhe madhëruar paprekshmërinë e saj! Do t’i presim kurbanet që kemi me vete dhe do të kthehemi. Pastaj ftoji ata në Islam!”
Gjithashtu, e porositi që të takohet me të gjithë muslimanët burra e gra që ndodheshin atje, t’i lajmëronte se Meka do të çlirohej së afërmi, se Allahu i lartë e ndihmon fenë e vet dhe se ishte e afërt dita kur besimi në Mekë do të shpallej sheshit. (Ibni Sa’d, II, 97; Ibni Kajjim, III, 290) 
Duke vepruar menjëherë, sipas urdhrit të Profetit (s.a.s.), Hz. Osmani (r.a.) u nis për në Mekë. Ai ua sqaroi politeistëve se kishin për qëllim vetëm ta vizitonin Qaben e të ktheheshin. Megjithatë, politeistët përsëri nuk dhanë leje, kurse, duke e mbajtur Osmanin nën vëzhgim, i thanë:
"Ti mund të bësh tavaf po të duash!"
Por sahabiu i bekuar Hz. Osman (r.a.) që ia kishte përkushtuar veten Allahut dhe të Dërguarit, ua bëri të qartë politeistëve besnikërinë ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.):
"Për sa kohë që Profeti nuk do ta bëjë Qaben tavaf, as unë nuk mund ta bëj! Unë mund ta vizitoj Shtëpinë e Zotit vetëm pas tij!.." (Ahmed, IV, 324)
Ndërkaq, këto biseda e vonuan kthimin e Hz. Osmanit, gjë që bëri të lindnin supozime për vdekjen e tij. Kjo shkaktoi, pastaj, tensionimin e atmosferës mes muslimanëve e politeistëve. Nisur nga mundësia e vdekjes së Hz. Osmanit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i mblodhi shokët dhe u tha:
"Me ç'kuptohet, pa u përleshur me politeistët, s'kemi për t'u ndarë dot që këtej!" (Ibni Hisham, III, 364)
Pastaj kërkoi besë nga sahabet, shokët e tij, se do ta falnin jetën në rrugën e Allahut. Të gjithë muslimanët, burra e gra, e pranuan kërkesën e Profetit me dëshirë dhe i dhanë besën me këto fjalë:
"Jap besën për të plotësuar çdo dëshirë të të Dërguarit të Allahut!" (Vakidi, II, 603)
Duke tokur duart një për një me të, muslimanët i dhanë fjalën Profetit se do të luftonin gjer në vdekje. Kur kishin mbaruar që të gjithë, Profeti bashkoi të dy duart e veta dhe tha duke treguar konkretisht dashurinë që ushqente për Hz. Osmanin:
"Ja dhe besa e Osmanit!” (Buhari, As’habu’n-Nebi, 7)
Kësaj bese të lidhur nën një pemë, iu tha “Bej'atu Ridvan” ose "Besëlidhja e Hudejbijes". Atë ditë, përveç një hipokriti, të gjithë i dhanë personalisht besën Profetit. Kjo besë u bë pretekst që shokët e Profetit të fitojnë pëlqimin  lartë të Zotit:
لَقَدْ رَضِيَ الله عَنِ الْمُؤْمِنِينَ إِذْ يُبَايِعُونَكَ تَحْتَ الشَّجَرَةِ
 فَعَلِمَ مَا فِي قُلُوبِهِمْ فَأَنْزَلَ السَّكِينَةَ عَلَيْهِمْ 
"Pa dyshim, Allahu është i kënaqur me besimtarët që ta dhanë besën ty nën atë pemë! Ai e dinte se ç'kishte në zemrat e tyre, prandaj u dhuroi qetësim dhe prehje..." (el-Fet’h, 18)
Një ditë, pranë nënës sonë, Hz. Hafsa, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Inshaallah, në dashtë Allahu, askush nga Shokët e Pemës251 që dhanë besën nën pemë, nuk do të hyjë në xhehennem!”
Hz. Hafsa së cilës iu ngul një pyetje ndërmend pas kësaj fjale, i tha:
“Mirë, o i Dërguari i Allahut, Zoti urdhëron kështu:
وَإِنْ مِنْكُمْ إِلَّا وَارِدُهَا
“Pa u përjashtuar asnjëri prej jush, patjetër gjithkush do të arrijë në xhehennem…” (Merjem, 71)
Si do të ndodhë?
Profeti (s.a.s.) iu përgjigj duke kënduar ajetin në vijim:
“Allahu i Lartë ka urdhëruar edhe kështu:
 
“Pastaj të bindurit do t’i shpëtojmë, kurse mizorët do t’i lëmë atje të përgjunjur!” (Merjem, 72)
Dhe në vazhdim, Profeti i shpjegoi se me shprehjen “do të arrijë në xhehennem” nënkuptohet kalimi pranë xhehennemit duke kaluar nëpër sirat dhe jo hyrja në xhehennem. (Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 163)
***
Hz. Xhabir (r.a.) tregon:
“Ditën e Hudejbijes njerëzit u etën për ujë dhe shkuan te Profeti. Para të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) ishte një enë uji e bërë prej lëkure, një calik. Profeti mori abdest, kurse njerëzit iu afruan krejt pranë. Ai i pyeti:
“Ç’keni?”
“S’na ka mbetur ujë tjetër për abdest e për të pirë përveç ujit që ke ti para!” – I thanë ata.
Menjëherë, i Dërguari i Allahut futi duart në enë dhe, kur i nxori, nga gishtat nisi t’i rrjedhë ujë si prej një burimi. Të gjithë pimë prej atij uji dhe morëm abdest.”
Hz. Xhabirin e pyetën:
“Sa vetë ishit atë ditë?”
“Edhe sikur të ishim njëqind mijë, ai ujë do të na mjaftonte, por ne ishim një mijë e pesëqind!” – U përgjigj ai. (Buhari, Menakib, 25)
Pakti i Hudejbijes: Etapa e re e Ftesës
Kur politeistët e dëgjuan besën e dhënë me kushtin e jetës, i përfshiu një shqetësim i madh. Pasi që çështja u bë shumë serioze, zemrat ua zuri frika. Vendosën menjëherë për paqe dhe e dërguan Suhejl bin Amrin te Profeti (s.a.s.). Me ta parë Suhejlin, duke ndjellë mbarësi nga kuptimi i emrit të tij, “lehtësi”, u tha shokëve:
“Ja ku erdhi Suhejli dhe puna juaj u lehtësua!”
Pas kësaj, edhe Profeti veproi sipas urdhrit hyjnor: 
وَإِنْ جَنَحُوا لِلسَّلْمِ فَاجْنَحْ لَهَا
"Po qe se ata priren nga paqja, edhe ti paqe kërko..."  (el-Enfal, 61)
Qëllimi i parë i politeistëve ishte që të mos i lejonin muslimanët të bënin atë vit umre. Krahas kësaj, ata paraqisnin edhe disa kushte që në dukje dukeshin shumë të rënda. Pas polemikave të gjata e të tensionuara, kushtet e paqes u pranuan.
Profeti (s.a.s.) e ngarkoi Hz. Aliun për ta shkruar paktin e paqes. Hz. Aliu do të niste në emër të Allahut kur Suhejli kundërshtoi. Në vend të "Bismil'lah", "Në emër të Allahut!", u shkrua (Arapça metin) "Bismike Allahumme", "Në emër tënd, Allahu ynë!".
Pas kësaj, Suhejli kundërshtoi edhe shkrimin e atributit "i Dërguari i Allahut" për Profetin. Ai tha:
"Po qe se do ta kishim pranuar se ti je i Dërguari i Allahut, a do të kishim luftuar me ty? A do të të kishim penguar sot për ta vizituar Qaben?"
Ky kundërshtim bëri që zemërimi i shokëve të Profetit, të cilët qenë të zemëruar qysh më parë me kushtet e paqes, të shtohej së tepërmi. Hz. Aliu (r.a.), duke e lënë kalemin, tha:
"Betohem në Allahun se nuk mund ta fshij fjalën "i Dërguari i Allahut"!
Atëherë ndërhyri Profeti, i cili i tha Suhejlit: 
"Edhe pse s'e vërtetoni ju, unë përsëri jam i Dërguari i Allahut!" 
Dhe, në vend të shprehjes "i Dërguari i Allahut" të cilën e fshiu me duart e veta, urdhëroi të shkruhej: "Muhammed bin Abdullah" (Muhammedi i biri i Abdullait). 
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e nënshkroi paktin duke u mbështetur në shumë urtësi. Disa prej neneve të paktit ishin kështu:
1. Periudha e paktit është dhjetë vjet.
2. Muslimanët nuk do ta vizitojnë Qaben këtë vit, por një vit më vonë. Vizitorët do të qëndrojnë në Mekë tri ditë, gjatë të cilave politeistët do të dalin jashtë Mekës dhe nuk do të hyjnë në takim me muslimanët.
3. Nëse një Kurejsh, qoftë ky edhe musliman, do të strehohet në Medine, do të ekstradohet, kurse medinasit e strehuar në Mekë nuk do të ekstradohen.
4. Fiset e tjera arabe mund të marrin pjesë, sipas dëshirës, në radhët e muslimanëve apo në radhët e Kurejshve.
Në çastin kur nenet e marrëveshjes u mbaruan së shkruari, Ebu Xhendeli, biri i përfaqësuesit të Kurejshve, Suhejl bin Amr, iu afrua Profetit ngadalë-ngadalë duke hequr zvarrë zinxhirët me të cilët ia kishin lidhur këmbët. Politeistët e kishin munduar dhe torturuar shumë pse ishte bërë musliman. Në këtë kohë, Ebu Xhendeli (r.a.) ndodhej mes muslimanëve pasi kishte gjetur rast dhe kishte ikur prej politeistëve. Duke u mbështetur në paktin e saponënshkruar, Suhejli tha se personi i parë që duhej ekstraduar, ishte i biri dhe, me shkopin që kishte në dorë, e qëlloi të birin në fytyrë. Profeti i Mëshirës (s.a.s.) i cili i ndiqte me hidhërim ngjarjet, iu lut Suhejlit ta përjashtonte nga pakti rastin e të birit dhe t’ia falte atij. Por politeisti zemërgur Suhejl nuk pranoi. Ndërkaq, Ebu Xhendeli (r.a.) i cili po u dorëzohej politeistëve mes qarjeve dhe lutjeve për ndihmë drejtuar muslimanëve, tha:
"Mos do të më hidhni mua sërish në zjarrin e të njëjtave mizori?"
Duke mos e duruar dot dhimbjen dhe dëshpërimin e tij, muslimanët filluan të qajnë. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e qetësoi Ebu Xhendelin me këto fjalë:
“O Ebu Xhendel, duro edhe pak! Dhe shpërblimin e kësaj prite nga Allahu i Lartë! Pa asnjë dyshim, Allahu i Lartë do të krijojë një rrugëdalje për ty dhe për muslimanët e dobët e të vetmuar që ndodhen pranë teje! Ne kemi bërë një marrëveshje paqeje me këtë fis duke u dhënë fjalën në emër të Allahut, po kështu, edhe ata na kanë dhënë fjalën në emër të Allahut. Ne nuk mund ta shkelim fjalën, se kjo gjë s’na ka hije neve!” (Ahmed, IV, 325; Ibni Hisham, III, 367)
Pastaj, Profeti ynë, ai oqean mëshire, ia përsëriti Suhejlit kërkesën:
“Falma mua atë, mos ngul këmbë!”
Mirëpo Suhejli nuk pranonte asnjë propozim. Atëherë, Profeti iu lut:
“Mirë, meqë ngul këmbë, merre nën mbrojtje në emrin tim!”
Por Suhejli nuk e pranoi as këtë. Ndërkaq, duke e parë këmbënguljen e tij, dy vetë prej përfaqësuesve të Kurejshve, Huvejtib dhe Mikrez thanë:
“O Muhammed! Për hatrin tënd, po e marrim ne nën mbrojtje duke mos lejuar ta mundojnë dhe torturojnë!” (Vakidi, II, 608; Belazuri, I, 220)
Hz. Omeri (r.a.), i cili nuk mundej t'i duronte sjelljet kryeneçe dhe krenare të politeistëve, me vrullin e besimit në zemër, bëri atë ditë shumë teprime dhe shokët e qetësuan me shumë vështirësi. Me përjashtim të Hz. Ebu Bekrit (r.a.), edhe gjendja e të tjerëve nuk kishte shumë ndryshim nga ajo e Hz. Omerit. Në këtë pakt që në pamje të jashtme dukej si disfatë, parashtrimit nga Hz. Omeri të një mendimi pavarësisht nga urdhri i Profetit (s.a.s.), ky iu përgjigj kështu:
"Unë jam përfaqësuesi i Allahut, nuk mund t'i dal kundër Atij! Ai është ndihmësi im!"
Duke u shprehur kështu, Profeti deshi të theksonte me nënkuptim se ajo çka kishte bërë, ishte bërë me shtytjen hyjnore. (Buhari, Megazi, 35; Muslim, Xhihad, 90-97)
***
Pas nënshkrimit të paktit, ndërsa Suhejli merrte të birin dhe largohej gjithë gëzim për në Mekë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha kështu sahabeve, shokëve të tij:
"Hajde, prejini kurbanët dhe qethini flokët!"
Por asnjë prej shokëve nuk luajti nga vendi për ta zbatuar këtë fjalë. Ata rrinin të mërzitur e të dëshpëruar nën mjegullën e një çështjeje, enigmën e së cilës nuk mundeshin ta zgjidhnin. Profeti (s.a.s.) e përsëriti fjalën tri herë, por përsëri askush s'luajti prej vendi. Kjo s'ishte kurrsesi një ngritje krye; ishte një pritje me një shpresë të vogël për anulimin e një marrëveshjeje të porsanënshkruar, sepse jo më larg se një ditë më parë ata i kishin dhënë besën Profetit se do të jepnin edhe jetën për të çuar në vend fjalën e tij!
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u hidhërua tepër për këtë qëndrim të shokëve. Ai shkoi, ashtu, i dëshpëruar, në çadrën e gruas së tij të çmuar, Ummu Seleme. Kur ia bëri të ditur asaj situatën, ajo bashkëshorte e bekuar e qetësoi të Dërguarin e Allahut me këto fjalë:
"O i Dërguari i Allahut! Ti preje kurbanin tënd pa thënë asnjë fjalë dhe pastaj qethi flokët. Atëherë, ata, edhe pse të ndodhur nën peshën e një mërzitjeje të rëndë, do të bëjnë si ty. Shihi të justifikuar ata!"
Pas këtij këshillimi, Profeti (s.a.s.) doli nga çadra dhe veproi po ashtu. Shokët që e panë Profetin, e kuptuan se marrëveshja nuk do të ndryshonte dhe u ngritën e bënë si Profeti: i therën kurbanët dhe i qethën flokët. Ummu Seleme (r.a.) që po e vëzhgonte këtë ngjarje, ka thënë:
“Muslimanët vrapuan te kurbanet ashtu që u frikësova se mos shtypnin njëri-tjetrin!” (Buhari, Shurut, 15; Ahmed, IV, 326, 331; Vakidi, II, 613)
Pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe sahabet i prenë kurbanet dhe i qethën flokët, Allahu i Lartë dërgoi një ciklon që i rrëmbeu flokët e qethura të sahabeve dhe i hodhi brenda Haremit, zonës së Qabes. Sahabet e konsideruan këtë si shenjë të pranimit të umres së tyre.252 Pas kësaj, u nisën për në Medinë. 
Meqë në çastin e parë nuk mundën ta rrokin urtësinë e paktit të paqes që ishte bërë, muslimanët i zuri një frikë e madhe si rrjedhojë e pakënaqësisë që ndjenin dhe vështrimit pesimist të ngjarjes. Ata filluan të mendojnë se për ta do të zbriste komunikimi hyjnor dhe do të shkatërroheshin. Atë mes zbriti sureja “Fet’h” (Fitorja):
إِنَّا فَتَحْنَا لَكَ فَتْحاً مُبِيناً . لِيَغْفِرَ لَكَ الله مَا تَقَدَّمَ مِن ذَنبِكَ
وَمَا تَأَخَّرَ وَيُتِمَّ نِعْمَتَهُ عَلَيْكَ وَيَهْدِيَكَ صِرَاطاً مُسْتَقِيماً .
وَيَنْصُرَكَ الله نَصْراً عَزِيزاً 
“(O i Dërguar!) Pa dyshim, Ne të dhuruam ty një fitore të sigurt! Kështu, Allahu do të të falë të metat e mëparshme e të mëpastajshme, do t'i plotësojë të mirat për ty dhe do të të orientojë në rrugë të drejtë. Dhe do të të ndihmojë ty me një fitore të famshme!" (el-Fet’h, 1-3)
Muxhemmi bin Xharije (r.a.) e tregon kështu se çfarë çastesh frike po përjetonin sahabet kur po zbriste sureja Fet’h:
“Njerëzit ishin shpërndarë tërë frikë secili pranë devesë së vet dhe e pyesnin njëri-tjetrin:
“Ç’po ndodh me njerëzit?”
“Të Dërguarit (s.a.s.) i paska ardhur vahji!” – Tha dikush.
Atëherë, bashkë me të tjerët, edhe ne, tërë frikë, u afruam te i Dërguari i Allahut. Pasi u mblodhën sahabet, Profeti e këndoi suren “Fet’h”. (Ibni Sa’d, II, 105)
Edhe Hz. Omeri (r.a.) thotë kështu:
“Për shkak të frikës që ndjeja nga fjalët që nxora atë ditë përballë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), agjërova, dhashë sadaka, fala namaze nafile dhe çlirova shumë skllevër me qëllim që fundi të më bëhej i mbarë.” (Ibni Sejjidinnas, II, 167)
Sureja “Fet’h” u jepte besimtarëve sihariqin se, me paktin e Hudejbijes, u ishin hapur portat e fitores. Me të vërtetë, pa kaluar shumë, paralajmërimet e gëzueshme filluan të bëheshin realitet një e nga një. Udhëtimin e nisur nga i Dërguari i Allahut për ta vizituar Qaben, fiset fqinjë e cilësuan atë "udhëtim pa kthim pas". Por, kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u kthye në Medinë pa pësuar as edhe dëmin më të vogël, shkuan te ai të shqetësuar dhe i kërkuan falje. Allahu i Lartë e parashtron kështu gjendjen e tyre:
بَلْ ظَنَنْتُمْ أَنْ لَنْ يَنْقَلِبَ الرَّسُولُ وَالْمُؤْمِنُونَ إِلَى أَهْلِيهِمْ أَبَداً وَزُيِّنَ
ذَلِكَ فِي قُلُوبِكُمْ وَظَنَنْتُمْ ظَنَّ السَّوْءِ وَكُنْتُمْ قَوْماً بُوراً .
وَمَن لَمْ يُؤْمِنْ بِاللّهِ وَرَسُولِهِ فَإِنَّا أَعْتَدْنَا لِلْكَافِرِينَ سَعِيراً 
“Ju patët pandehur se Pejgamberi dhe muslimanët nuk do të ktheheshin më pranë familjeve të tyre. Kjo ju pëlqeu ju, pra menduat për të keq, duke merituar, kështu, shkatërrim! Kush të mos i ketë besuar Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ta dijë se Ne kemi përgatitur për mohuesit një zjarr të fortë!” (el-Fet’h, 12-13)
***
Vendimet e marra atë ditë në paktin e bërë me politeistët, në pamje ishin në dëm të muslimanëve. Kështu gjersa u zbulua sureja Fet’h dhe u njoftuan urtësitë e larta të kësaj pune si dhe përgëzimet. Më pas u kuptua që kjo tërheqje pas, e pandehur në sipërfaqe si padrejtësi dhe ndëshkim, kishte qenë një fitore e hapur dhe ngadhnjim. Siç thuhet në ajetin kur’anor:
وَعَسَى أَن تَكْرَهُوا شَيْئًا وَهُوَ خَيْرٌ لَكُمْ وَعَسَى أَن تُحِبُّوا شَيْئاً
وَهُوَ شَرٌّ لَكُمْ وَاللّٰهُ يَعْلَمُ وَأَنْتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ 
"... Ndonjëherë, juve mund të mos ju pëlqejë një gjë e ajo mund të jetë në dobi tuaj, kurse mund të doni një gjë e ajo mund të jetë në dëmin tuaj. Allahu e di (fundin e çdo gjëje), ju s'dini!" (el-Bakara, 216)  
Kjo ngjarje e mbuluar dhe e komplikuar për të cilën Profeti (s.a.s.) në fillim nuk qe në gjendje të jepte shpjegimet e duhura, u bë e qartë brenda dy vjetëve. Kështu, në mjedisin paqësor të formuar me këtë pakt, shumë veta përqafuan Islamin, brenda dy vjetëve numri i muslimanëve e kaloi numrin e tyre të arritur gjer atë ditë.
Ndoshta atë vit muslimanët nuk do të bënin umre ose do të ishin të detyruar të duronin për një kohë nën kushte të rënda, por dobitë dhe fitimet që do të vinin pas këtaj, do të ishin akoma më të mëdha, sepse, së pari, me këtë pakt, ekzistenca e Islamit ishte njohur zyrtarisht. Pas një viti do të vizitohej Qabja. Ata ndër fiset arabe që do të dëshironin të hynin nën mbrojtjen e muslimanëve, do ta kishin një mundësi të tillë. Dhe kjo do të thoshte për Kurejshët humbje e pushtetit, kurse për Islamin, kryerje e qetë e ftesës për në Islam!
Një nga shkaqet që e shtynë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) ta parapëlqente këtë paqe, ishte edhe çështja e atyre personave mekas të cilët qenë bërë muslimanë, por nuk mundeshin, për arsye pragmatiste, ta shpallnin këtë. Po qe se do të bëhej jo paqë me kurejshët, por luftë, kishte shumë mundësi që këta të detyroheshin të deklaroheshin, për rrjedhojë, edhe të vriteshin.
Si përfundim, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), që ishte një "profet i mëshirës", me këtë qëndrim, u jepte njerëzve të Mekës ose të fiseve të tjera arabe, të cilët mund të bëheshin muslimanë, pothuaj mesazhe të padukshme, i bënte ata të ndjenin ngrohtësi për Islamin. Me të vërtetë, frytet e kësaj u dukën qartë në kohët pasuese.

Fitorja e Madhe e së Vërtetës: Begati e shumëfishtë e orientimit në rrugën e drejtë
Politeistët, të cilët u gëzuan për kushtet e paqes së Hudejbijes duke parë anën e jashtme të tyre, duke mos i rënë në të së vërtetës, i kishin ngritur pengesat që u zinin rrugën muslimanëve dhe i kishin vënë ata në një pozitë eprore ndaj vetes. Gjithashtu, para dhe gjatë nënshkrimit të paktit, duke parë se, përveç Profetit (s.a.s.), pothuaj të gjithë shokët e tij e shihnin atë në dëm të vetes dhe nuk prireshin kah paqja, sytë e politeistëve ishin errur edhe më shumë dhe i kishin nënshkruar kushtet e saj pa u lëkundur aspak, përkundrazi, me pamjen e fitimtarit. Mirëpo ideja dhe fituesi i vërtetë i kësaj paqeje, e fshehta e së cilës kishte qenë e mbyllur edhe për vetë muslimanët, nisën të dilnin në shesh sapo filluan të zbatoheshin kushtet e saj!
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) që e dinte qysh në fillim mbarësinë që do t’i siguronte kjo paqe, i respektonte gjer në fund kushtet e Hudejbijes dhe nuk mungonte të përfitonte nga të çarat e saj. Kështu, ai e hodhi poshtë kërkesën e politeistëve për të ekstraduar disa gra mekase të kthyera në muslimane e të strehuara në Medinë, sepse marrëveshja përfshinte vetëm burrat e jo edhe gratë! Edhe Zoti urdhëronte që gratë të mos ekstradoheshin:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا جَاءَكُمُ الْمُؤْمِنَاتُ مُهَاجِرَاتٍ فَامْتَحِنُوهُنَّ الله 
أَعْلَمُ بِإِيمَانِهِنَّ فَإِنْ عَلِمْتُمُوهُنَّ مُؤْمِنَاتٍ فَلَا تَرْجِعُوهُنَّ إِلَى الْكُفَّارِ لَا
هُنَّ حِلٌّ لَهُمْ وَلَا هُمْ يَحِلُّونَ لَهُنَّ وَآتُوهُم مَا أَنْفَقُوا وَلَا جُنَاحَ
عَلَيْكُمْ أَنْْ تَنْكِحُوهُنَّ إِذَا آتَيْتُمُوهُنَّ أُجُورَهُنَّ وَلَا تُمْسِكُوا بِعِصَمِ
الْكَوَافِرِ وَاسْأَلُوا مَا أَنْفَقْتُمْ وَلْيَسْأَلُوا مَا أَنْفَقُوا ذَلِكُمْ حُكْمُ الله
يَحْكُمُ بَيْنَكُمْ وَاللّٰهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ 
"O ju që besuat! Kur gratë besimtare të emigrojnë e vijnë te ju, i vini në provë. Allahu e di më mirë besimin e tyre! Po qe se edhe ju e shihni se ato janë gra besimtare, mos ua ktheni mohuesve! Ato s'janë të miratuara për mohuesit, as mohuesit s'janë të miratuar për to! Burrave të tyre jepuni pagesën e kurorës që kanë shpenzuar për to dhe atëherë nuk është mëkat për ju që të martoheni me to. Kurse gratë mohuese mos i mbani nën kurorë, por i lëshoni. Edhe ata t'i lëshojnë. Ky është urdhri i Allahut i cili vendos mes jush. Allahu është i urtë e i ditur!" (el-Mumtehine, 10)253
Në këtë mes, edhe një mekas me emrin Ebu Basir që ishte bërë musliman, u strehua në Medinë. Por Profeti (s.a.s.), duke i respektuar kushtet e paktit, mbeti i detyruar t'ua dorëzonte atë politeistëve. Kurse Ebu Basiri, duke mos i dhënë kuptim këtij qëndrimi të Profetit, i tha kështu atij duke mos e fshehur habinë e vet:
"Mos vallë kërkoni të më ktheni mua prapë në idhujtari?"
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e qetësoi atë me këto fjalë:
"Ej, Ebu Basir, ne nuk mund ta shkelim fjalën! Por ti bëj pak durim se Allahu i Lartë do t'ju tregojë ty dhe të tjerëve si ti një rrugë shpëtimi!"
Pas këtyre fjalëve, Ebu Basiri iu nënshtrua urdhrit të Profetit pa nxjerrë asnjë fjalë dhe, duke menduar për gjendjen e përgjithshme të muslimanëve, iu dorëzua politeistëve. Ndërkaq, ai po dërgohej jo në Mekë, por në vdekje, gjë që e dinte edhe vetë. Prandaj edhe, sapo gjeti rastin, i sulmoi, gjatë rrugës, shoqëruesit e vet dhe e shpëtoi jetën. Njërin, Hunejsin, e vrau, kurse tjetri i iku. Pastaj mori me vete rrobat, shpatën dhe plaçkat e tjera të të vrarit, u kthye në Medinë dhe i tha Profetit
“O i Dërguari i Allahut! Hiq një të pestën e këtyre dhe merre për vete!”
Kurse Profeti i tha:
“Po ta marr një të pestën e këtyre, unë e shkel marrëveshjen e bërë me ta. Kurse, si veprimi yt, ashtu dhe plaçkat e njeriut që ke vrarë, kanë të bëjnë vetëm me ty!” (Vakidi, II, 626-627)
Edhe politeisti që i iku, u kthye te Profeti (s.a.s.) dhe e kërkoi sërish. Këtë radhë, Ebu Basiri tha:
"O i Dërguari i Allahut! Ju më dorëzuat një herë tek ta duke respektuar marrëveshjen. Por unë e shpëtova veten!"
Megjithatë, duke e kuptuar me zgjuarsi urtësinë e fjalëve të Profetit, doli nga Medina dhe u vendos në vendin bregdetar të quajtur Is mes Mekës dhe Damaskut. Pas një periudhe të shkurtër, ai vend u bë një zonë e pavarur refugjatësh. Aty shkoi edhe Ebu Xhendeli dhe numri i muslimanëve arriti, pa shkuar shumë, në treqind. Rruga tregtare e mekasve për në Damask u bë e rrezikshme. Atëherë, politeistët mekas, të pashpresë, i kërkuan Profetit ta hiqte nenin e marrëveshjes lidhur me këtë çështje, domethënë iu lutën që muslimanët e ikur nga Meka, të pranoheshin në Medinë. Kështu, një nen që ishte në dëm të muslimanëve, u kthye në dobi të tyre!254
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dërgoi letër grupit të Ebu Basirit. Por Ebu Basiri ishte duke vdekur. E këndoi letrën dhe e dorëzoi shpirtin me të në dorë. Ebu Xhendeli e varrosi në vendin ku vdiq dhe pranë varrit të tij ndërtoi një faltore. Pastaj Ebu Xhendeli u kthye në Medinë së bashku me muslimanët e tjerë që ndodheshin me të, dhe, bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s) mori pjesë në shumë luftëra.255
***
Ky mjedis paqeje i sendërtuar në Hudejbije u bë një pikë kthese për shpejtimin e kumtimit Islam. Allahu i Lartë e karakterizon këtë paqe si “Fethu Mubin”.256
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) njoftoi se Hudejbije ishte një fitore e madhe, një sahabe pëshpëriti:
“Ne u penguam ta bëjmë Qaben tavaf, u penguam t’i therim kurbanët në Harem! Gjithashtu, dy vetë që erdhën për t’u strehuar tek ne si muslimanë që ishin, i Dërguari i Allahut i ktheu prapë. Ç’fitore është kjo?”
Kur këto fjalë arritën te i Dërguari i Allahut, ai e shpjegoi kështu faktin që paqja e Hudejbijes ishte një fitore e madhe:
“Po, kjo paqe është fitorja më e madhe! Politeistët kanë pranuar që ju të shkoni e të vini në vendbanimet tuaja dhe ka kërkuar që duke shkuar e ardhur të jeni në siguri dhe paqe. Kështu, ata do ta shohin te ju dhe do ta mësojnë prej jush Islamin që nuk e kanë pëlqyer e nuk e kanë dashur gjer tani! Allahu do t’ju bëjë juve fitues dhe ju do të ktheheni prej aty ku keni shkuar, në paqe e me fitime dhe kjo është fitorja më e madhe!” (Halebi, II, 715)
Hz. Ebu Bekri (r.a.) e ka shprehur kështu opinionin e tij mbi paqen e Hudejbijes:
“Në Islam nuk është bërë ndonjë paqe më e madhe se paqja e Hudejbijes. Por njerëzit e kundërshtuan këtë pakt nga mendjengushtësia. Njerëzit tregohen të ngutur në punët mes Allahut dhe të Dërguarit. Kurse Allahu i Lartë nuk ngutet, punën që dëshiron nuk e bën pa u pjekur kushtet!” (Vakidi, II, 610; Halebi, II, 721)
Rezultati i parë pozitiv i paktit të Hudejbijes u bë fakti që Islami shfaqi një përhapje të shpejtë. Në periudhën e kësaj paqeje, kumtimit të Islamit iu hapën mundësi dhe fusha të reja përhapjeje. Si rrjedhojë, muslimanët filluan të takohen e të bisedojnë me politeistët, t’u këndojnë Kur’an atyre dhe t’u flasin hapur për Islamin. Përfundimisht, edhe ata që e patën fshehur gjer atë ditë qenien muslimanë, mundeshin ta shpallnin pa frikë besimin e tyre!257
Kurse para kësaj, të dy palët nuk mundeshin të takoheshin kaq lehtë dhe qetë me njëri-tjetrin. Pas paqes, politeistët shkonin lirisht në Medinë, po ashtu, edhe muslimanët shkonin lirisht në Mekë. Ata gjenin mundësi për t’u takuar dhe biseduar me familjet që kishin atje, me miqtë dhe njerëzit e tjerë. Informacionet e dhëna nga muslimanët mbi qëndrimet dhe veprimet e Profetit, mbi mrekullitë, moralin, bukurinë e rrugës dhe këshillat e tij, tashmë dëgjoheshin dhe, kështu, zemra e politeistëve ishte zbutur dhe kishte filluar të prirej nga Islami. Fundi, edhe arabët e shkretëtirës, për t’u bërë muslimanë, prisnin Kurejshët ta pohonin besimin. Brenda kësaj periudhe u bënë muslimanë edhe njerëz nga parësia e politeistëve, si Amr bin As-i, Halid bin Velidi dhe Osman bin Talhai.258
Përfaqësuesit e Islamit shkonin në siguri të plotë në zona të ndryshme dhe, me çdo pretekst, gjenin mundësi për t’u folur njerëzve për Islamin. Në këtë periudhë, numri i muslimanëve u shumëfishua.
Imam Zuhriu, duke përfituar nga hadithet profetike të të Dërguarit të Allahut mbi këtë çështje, i përmbledh kështu rezultatet e Paqes së Hudejbijes:
“Më parë, sa herë që takoheshin, muslimanët dhe politeistët përlesheshin dhe luftonin. Me paqen e Hudejbijes, përleshja dhe lufta mori fund. Mes dy anëve u formua mjedis sigurie. Ata gjetën mundësi për t’u takuar dhe afruar me njëri-tjetrin. Për më tepër, në çështje të ndryshme, filluan ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Në këtë mes, kushdo që t’i hapej fjala për Islamin, pasi të mendohej pak, e rrokte të vërtetën dhe bëhej musliman menjëherë, aq sa numri i atyre që u bënë muslimanë brenda dy vjetëve nga Hudejbija gjer në çlirimin e Mekës, qe më i madh se numri i atyre që qenë bërë muslimanë gjatë periudhës nëntëmbëdhjetëvjeçare të ftesës islame gjer në ditën e Hudejbijes!”
Ibni Hisham i shton kësaj këto fjalë:
“I Dërguari i Allahut doli në rrugë për në Hudejbije me një mijë e katërqind vetë. Kurse dy vjet pas kësaj, në çlirimin e Mekës, ai kishte me vete dhjetë mijë vetë, sipas një rrëfimi, së bashku me njerëzit e bashkuar gjatë rrugës, dymbëdhjetë mijë muslimanë! Këto shifra tregojnë se sa të sakta janë konkluzionet e Zuhriut!” (Hejsemi, VI, 170; Ibni Hisham, III, 372)

VITI I SHTATE I HIXHRETIT
Ftesë sundimtarëve për në Islam 
Pas paktit të Hudejbijes, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), si një "ambasador" i dërguar gjithë njerëzimit, filloi t’i ftonte në Islam të gjitha shtetet e afërta e të largëta që mundej të arrinte. Sepse edhe urdhri hyjnor këtë kërkonte:
قُلْ يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنِّي رَسُولُ الله إِلَيْكُمْ جَمِيعاً الَّذِي
لَهُ مُلْكُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ
“(O i Dërguar!) Thuaju: "O njerëz, pa dyshim, unë jam për ju  të gjithë i Dërguari i Allahut, zotëruesit të qiejve e të tokës!.." (el-A'raf, 158)
يَا أَيُّهَا الرَّسُولُ بَلِّغْ مَا أُنْزِلَ إِلَيْكَ مِن رَبِّكَ
وَإِنْ لَمْ تَفْعَلْ فَمَا بَلَّغْتَ رِسَالَتَهُ وَاللّٰهُ يَعْصِمُكَ مِنَ النَّاسِِ
"O i Dërguar! Kumtoje (të gjithë njerëzve) atë që t'u zbrit nga Zoti yt! Po s'e bëre këtë, do të thotë se s'e ke kryer detyrën e përfaqësisë! Allahu do të të mbrojë prej njerëzve!.." (el-Maide, 67)
وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا كَافَّةً لِلنَّاسِ بَشِيراً وَنَذِيراً 
وَلَكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ 
"Ne të dërguam ty si një përgëzues për të gjithë njerëzit dhe paralajmërues të një ndëshkimi nga ana e Allahut, por shumica e njerëzve nuk e dinë..." (Sebe, 28)
Ftesa e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) për sunduesit e vendeve të ndryshme të botës u bë në formë letre. Më të njohurat e këtyre janë shtatë-tetë copë. Secilën letër Profeti e pati dërguar me një prej shokëve të zgjedhur të tij. Kur Profeti deshi t’u shkruante letra sundimtarëve, sahabet i thanë:
“O i Dërguari i Allahut, ata nuk e lexojnë letrën që s’ka vulë!”
Atëherë, Profeti (s.a.s.) porositi një vulë prej argjendi ku ishin gdhendur në tre rreshta fjalët: Allah-Resul-Muhammed.259
Në këtë mënyrë, mbi vulë ishte gdhendur “Muhammedun Resulullah” (Muhammedi, i Dërguari i Allahut), por, sipas rëndësisë, emri i lartë Allah ishte vendosur sipër, fjala Resul (i Dërguar, përfaqësues), në mes dhe, në rreshtin e tretë, emri Muhammed.
***
Sahabiu Dihjetul Kelbi (r.a.) çoi letrën e të Dërguarit të Allahut për perandorin bizantin Heraklius. Kur perandori bizantin Heraklius, në kthim nga fitorja kundër persëve ndodhej në Siri, mori letrën me të cilën Profeti Muhammed (s.a.s.) e ftonte për në Islam. Në vend që të nxehej me këtë letër, ai tregoi interesim për të dhe deshi të mësonte se ç'ftesë ishte kjo, për ç'shkak edhe urdhëroi t'i sillnin bashkëvendas të Profetit të cilëve do t'u bënte pyetje. 
Atë kohë ndodhej në Siri, në krye të tregtarëve mekas, armiku më i egër i Profetit, Ebu Sufjani. Atëherë, mes Profetit (s.a.s.) dhe Kurejshve kishte armëpushim. Njerëzit e Herakliusit e takuan atë dhe e çuan te perandori. Atë kohë, Herakliusi dhe shpura e tij ndodheshin në Jerusalem, në faltoren Aksa. Herakliusi kërkoi një përkthyes. Pasi qe gjithçka gati, përkthyesi, në emër të perandorit, i pyeti arabët:
"Cili nga ju është më i afërt në gjak me këtë njeri që e quan veten profet?"
"Unë jam më i afërti i tij!" – U përgjigj Ebu Sufjani.
Pas kësaj, perandori u tha njerëzve të tij: 
"Këtë dhe shokët e tij m'i sillni afër." Dhe, duke iu drejtuar përkthyesit, i tha: 
"Shokët të qëndrojnë pas tij dhe, kur të përgjigjet ai, nëse gënjen, të thonë "gënjen!"
Më pas, kur tregonte për këtë ngjarje, Ebu Sufjani thoshte: "Vallahi, po të mos më vinte turp se shokët do të thoshin pastaj, poshtë e lart, se unë kisha gënjyer, nuk do të druhesha të thosha gënjeshtra për të!"
Ebu Sufjani e tregon kështu bisedën në vazhdim:
Pastaj, pyetja e parë që më bëri Herakliusi ishte kjo:
“Ç’vend zë soji i tij mes jush?”
“Soji i tij mes nesh është shumë i lartë!” - Iu përgjigja unë.
“A ka kush prej jush që ta ketë thënë më parë këtë fjalë (që të ketë pretenduar për profetësi)? – Më pyeti ai.
“Nuk ka!” – Iu përgjigja unë.
“A ka pasur sundimtarë ndër të parët e tij?” – Më pyeti ai.
“Jo, nuk ka patur!” – Iu përgjigja unë.
"Ata që e ndjekin, a janë nga parësia, apo nga shtresa e ulët e popullit?” – Më pyeti ai.
"Janë nga shtresa e ulët e popullit." – Iu përgjigja unë.
"Ndjekësit e tij shtohen, apo pakësohen?" – Më pyeti ai.
"Shtohen..." – Iu përgjigja unë.
"A ka nga ata që, pasi kanë hyrë në fenë e tij, kanë mbetur të pakënaqur dhe janë kthyer?" – Më pyeti ai.
"S'ka!" – Iu përgjigja unë.
"A e patët akuzuar për gënjeshtar ndonjëherë atë para se të dilte me këtë pretendim?" – Më pyeti ai.
"Jo!" – Iu përgjigja unë.
"A pati ndodhur ndonjëherë të mos e mbante fjalën?" – Më pyeti ai.
"Jo! Ai e mban fjalën e dhënë, vetëm se ne, tani, kemi një marrëveshje me të dhe nuk e dimë se ç’ka për të bërë brenda kësaj kohe!" – Iu përgjigja unë duke mos gjetur dot fjalë tjetër për të hedhur hije mbi të!
"A keni bërë luftë me të?" – Më pyeti ai.
"Po, kemi luftuar." – Iu përgjigja unë.
"Si kanë përfunduar këto luftëra?" – Më pyeti ai.
"Disa herë na ka mundur ai, disa herë ne e kemi mundur atë!" – Iu përgjigja unë.
"Mirë, po çfarë kërkon prej jush?" – Më pyeti ai.
"Na thotë: "Adhurojeni vetëm Allahun, mos i bëni shok asgjë Atij, braktisini idhujt e etërve tuaj!" Na urdhëron të falim namaz, të themi të drejtën e të vërtetën, të jemi të ndershëm e të vizitojmë të afërmit."
Pas kësaj, Herakliusi i tha përkthyesit: 
"Thuaji këtij: "Të pyeta për sojin e atij njeriu dhe më the se është shumë i lartë; të tillë janë profetët, ata zgjidhen prej fisnikëve të fisit të vet. 
Të pyeta nëse ka ndonjë njeri para tij që të ketë dalë me një pretendim të tillë, më the se jo. Po të kishte një njeri që të kishte bërë një pretendim të tillë më parë, do të thosha se e merr shembull atë. 
Të pyeta nëse mes etërve e të parëve të tij ka patur sundimtarë, më the se jo. Po të kishte pasur, do të thosha se ky përpiqet të rifitojë pushtetin e të parëve.
Të pyeta nëse e patët parë ndonjëherë të gënjente para se të dilte me këtë pretendim, më the se jo. Unë di se ai që nuk gënjen për njerëzit, nuk gënjen as për Zotin!
Të pyeta nëse ata që e ndjekin, janë nga parësia apo nga populli, më the se janë nga populli. Kështu ndodh: ata që i ndjekin profetët në fillim janë nga populli.
Të pyeta nëse ata që e ndjekin, shtohen apo pakësohen, më the se shtohen. Një nga veçoritë e fesë së vërtetë është shtimi i vazhdueshëm i ndjekësve.
Të pyeta nëse ka në fenë e tij njerëz që, të pakënaqur prej saj, të kthehen sërish në fenë e vjetër, më the se jo. Kështu ndodh kur feja zë rrënjë në zemrën e njeriut.
Të pyeta nëse ka ndodhur ndonjëherë që të mos e mbajë fjalën, më the se jo. Të tillë janë profetët, ata nuk kthejnë nga fjala!
Të pyeta nëse keni bërë luftë me të, më the se keni bërë dhe se herë e keni mundur ju atë e herë ju ka mundur ai juve. Kështu ndodh me profetët: pësojnë humbje, pastaj, fundi i lumtur bëhet i tyre!
Të pyeta se për çfarë ju urdhëron, më the se ju urdhëron ta adhuroni vetëm Allahun duke mos i bërë shok asgjë Atij, se ju ndalon të adhuroni idhujt, ju urdhëron të falni namaz, të jeni të drejtë e të ndershëm.
Po qe se këto që the, janë të vërteta, ai person do të sundojë në këto dhera ku po shkel këmba ime, madje në një kohë shumë të shkurtër. Fundja, unë e kam ditur që ka për të dalë një profet i tillë, por nuk e kam parashikuar se do të jetë prej jush. Po ta dija se mund ta takoja atë, do të përballoja të gjitha vështirësitë dhe, po të ndodhesha pranë tij, do t'ia laja këmbët!"
Pastaj Herakliusi kërkoi letrën e Hz. Muhammedit që i drejtohej atij dhe që i ishte dërguar guvernatorit të Busras nëpërmjet Dihjes (r.a.). Njeriu që e solli letrën, ia dha Herakliusit, i cili nisi ta lexojë. Në letër shkruhej:
“Nga Muhammedi, robi dhe i Dërguari i Allahut, të madhit të romakëve, Herakliusit!
Paqe atyre që e kanë gjetur rrugën e drejtë! Po të ftoj ty në Islam! Hyr në Islam që të shpëtosh, që Allahu të ta japë shpërblimin dyfish. Po qe se s'pranon, mëkati i fshatarëve (që ke nën sundim) është mbi zverkun tënd!
قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْاْ إِلَى كَلَمَةٍ سَوَاءٍ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلاَّ نَعْبُدَ إِلاَّ الله 
وَلاَ نُشْرِكَ بِهِ شَيْئاً وَلاَ يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضاً أَرْبَاباً مِنْ دُونِ الله
فَإِن تَوَلَّوْا فَقُولُوا اشْهَدُوا بِأَنَّا مُسْلِمُونَ 
"Thuaj: "O ju ndjekës të librit! Ejani në një fjalë të përbashkët me ne, të mos adhurojmë tjetër veç Allahut, të mos i bëjmë shok asgjë Atij dhe të mos e hyjnizojmë njëri-tjetrin duke lënë Allahun!" Po qe se ju kthejnë krahët, atëherë thojuni: "Dëshmoni se ne jemi muslimanë!" (Al-i Imran, 64)
Ebu Sufjani thotë: 
"Pasi Herakliusi tha ç'kishte për të thënë dhe pasi e mbaroi së lexuari letrën, u dëgjua një zhurmë e një rrëmujë e ai u ngrit nga vendi, kurse ne na nxorën jashtë. E u thashë shokëve:
"Puna e të birit të Ebu Kebshes260 u bë shumë e madhe. Pa shihni, edhe sundimtari i Beni Asfarit (Herakliusi), madje, frikësohet prej tij!.."
Ja, pra, që prej asaj kohe nuk e humba kurrë besimin se ai do të arrinte sukses së shpejti. Dhe, më në fund, Allahu ma mundësoi edhe mua Islamin!.." 
Herakliusi e ftoi parësinë në audiencë, e cila u zhvillua në një nga pallatet e tij. Ai u tha atyre:
“O romakë, a doni të shpëtoni përjetësisht dhe mbretërimi juaj të vazhdojë gjithmonë?” (U propozoi të hynin në Islam). Pas këtyre fjalëve, parësia, të trembur, si tufë gomerësh të egër, të gjithë së bashku vrapuan te dyert. Por panë se të gjitha dyert qenë të mbyllura. Kur e kuptoi se burrat e shtetit që kishte përreth nuk donin të hynin në Islam, i thirri të ktheheshin prapë dhe, duke e ndryshuar të vërtetën e fjalëve që do të thoshte, u tha:
“Unë ju provova për të parë vendosmërinë tuaj në fenë e krishterë. Kjo që pashë në sjelljen tuaj, më pëlqeu!”
Atëherë, burrat e shtetit ranë në gjunjë para tij dhe mbetën të kënaqur prej tij. (Buhari, Bedu’l-Vahj, 1, 5-6, Iman, 37, Shehadat, 28, Xhihad, 102; Muslim, Xhihad, 74; Ahmed, I, 262)
Ndërsa e pati parë me sytë e vet dhuntinë e Islamit që i kishte ardhur mu para dhe e pati rrokur plotësisht të vërtetën, perandori i Bizantit Heraklius, si rezultat i rëndimit të interesave materiale të kësaj bote, e prapësoi këtë rast të favorshëm duke e çuar dëm për vete një lumturi të përjetshme!
***
Letrën e ftesës Kisras së Iranit e dërgoi Abdullah bin Hudhafe (r.a.). Por Kisra nuk u suall si Herakliusi. Duke u zemëruar që mbi letër emri i Profetit (s.a.s.) ishte shkruar sipër emrit të vet, e bëri copë-copë atë thirrje të bekuar, kurse përfaqësuesin e shau keq. 
Abdullai (r.a.) u foli kështu Kisras dhe njerëzve të tij:
“O persë! Ju po kaloni ditë të numëruara pa pejgamber, pa libër dhe si zotërues mbë një pjesë të globit që keni në duar, dhe po jetoni një jetë ëndrre! Kurse pjesa tjetër e globit që nuk e zotëroni është shumë më e madhe!
O Kisra! Sa e sa sundimtarë kanë ardhur e shkuar para teje, të cilët kanë dëshiruar këtë botë ose përjetësinë. Prej tyre, ata që kanë dëshiruar përjetësinë, kanë marrë pjesë edhe prej kësaj bote. Kurse ata që kanë dëshiruar këtë botë, e kanë humbur përjetësinë! Ti po e nënvleftëson këtë fe që po të propozojmë, por, kudo që të ndodhesh, kur të të vijë ajo që po e nënvleftëson, ke për t’u trembur e s’ke për t’u mbrojtur dot prej saj!”
Si përgjigje, Kisra tha se pasuria dhe pushteti ishin të posaçëm vetëm për të, se nuk trembej as mos mundej, as se mos i dilte ortak. (Suhejli, VI, 589-590)
Pastaj Kisra u tha njerëzve të vet ta nxirrnin jashtë Abdullah bin Hudhafen.
Sapo doli nga audienca e Kisras, Abdullai (r.a.) e shaloi kalin dhe zuri rrugën e Medinës. Ai po thoshte me vete:
“Vallahi, nuk vuaj për cilëndo rrugë që mund të më takojë (vdekje apo shpëtim). Unë e çova në vend letrën e të Dërguarit të Allahut dhe e kreva detyrën!” (Ahmed, I, 305; Ibni Sa’d, I, 260, IV, 189; Ibni Kethir, el-Bidaje, IV, 263-6; Hamidullah, el-Vesaik, f. 140)
Abdullah bin Hudhafe (r.a.) ka një histori plot pësime mësimdhënëse që shpalosin virtytin e paçmuar dhe guximin e lartë të mbështetur në besim.
Në periudhën e kalifatit të Hz. Omerit (r.a.) u dërgua një ushtri islame në drejtim të zonës Kajserije të Damaskut kundër bizantinëve. Në ushtri merrte pjesë edhe Abdullah bin Hudhafe (r.a.). Bizantinët e kapën rob, e çuan te mbreti i tyre, të cilit i thanë: “Ky është shok i Muhammedit!”
Pasi e mbylli Abdullain në një shtëpi duke e lënë për ditë të tjera pa ngrënë e pa pirë, pastaj mbreti i dërgoi verë dhe mish derri. Dhe e vëzhguan për tri ditë rresht, por e panë se ai nuk e preku as verën, as mishin e derrit. Njerëzit e ngarkuar me këtë detyrë, i thanë mbretit:
“Ai është tretur shumë. Po të mos e nxirrni prej aty, do të vdesë!”
Mbreti e kërkoi t’ia sillnin para dhe e pyeti:
“Ç’të pengoi të hash e të pish?”
Abdullai (r.a.) iu përgjigj:
“Ç’është e vërteta, unë e kam të lejuar t’i ha e t’i pi ato gjëra në kushte nevoje jetësore, por nuk desha t’ju bëj juve të më përqeshni para Islamit!”
Përballë këtij qëndrimi serioz të tij, mbreti i tha:
“Po sikur të bëheshe krishter, të të jepja gjysmën e pasurisë, të të bëja ortak në sundim dhe të të martoja me time bijë, ç’thua?”
Abdullai (r.a.) iu përgjigj:
“Edhe sikur të më jepje tërë pasurinë tënde dhe të të gjithë arabëve, sa të isha gjallë, unë kurrë nuk do të kthehesha nga feja e Muhammedit (s.a.s.)!”
“Atëherë, kam për të të vrarë!” – I tha mbreti. 
“Kjo është punë për ty!” – Ia ktheu Hz. Abdullai.
Abdullain (r.a.) e ngjitën në kryq. Në fillim e gjuajtën shigjetarët vetëm për ta trembur. Pastaj iu propozua përsëri të bëhej i krishterë, kurse ai sahabi i bekuar nuk tregoi as lëkundjen më të vogël. Atëherë, mbreti i tha:
“O bëhesh i krishterë, o do të të hedh në kazan të vluar!”
Pasi Abdullai nuk pranoi, sollën një kazan bakri ku hodhën vaj ulliri apo ujë dhe i dhanë valë. Mbreti urdhëroi të sillnin një rob musliman, të cilit i propozoi të bëhej i krishterë. Meqë robi nuk pranoi, mbreti urdhëroi ta hidhnin në kazan. Abdullai po e vëzhgonte. Ai pa sesi robit aty për aty iu zhveshën mishrat nga eshtrat. 
Mbreti ia përsëriti Abdullait (s.a.s.) propozimin për t’u bërë krishter dhe, pasi s’pranoi, urdhëroi ta hidhnin në kazan. Kur do ta hidhnin, Abdullai qau. Duke pandehur se kishte ndërruar mendje, urdhëroi t’ia sillnin pranë dhe ia përsëriti sërish propozimin. Por kur pa kundërshtimin e tij të fortë, e pyeti:
“Pse qave, pra?”
Hz. Abdullah bin Hudhafe (r.a.) i dha këtë përgjigje të shkëlqyer:
“Mos pandeh se qava nga frika e asaj që deshe të më bësh ti! Unë qava ngaqë kam vetëm një jetë që mundem ta jap në rrugën e Allahut! Unë thashë me vete: “Tani ti ke për t’u hedhur në kazan të vluar dhe të vetmen jetë që ke, do ta japësh në rrugën e Allahut! Mirëpo do të desha që të kisha jetë sa ç’kam qime në trup dhe kjo torturë në rrugën e Allahut të më përsëritej po aq herë!”
Ky qëndrim i jashtëzakonshëm që Hz. Abdullai me ndjenjën e seriozitetit dhe fisnikërisë së besimit, i pëlqeu shumë mbretit, i cili deshi ta linte të lirë. Prandaj i tha Abdullait:
“Puthmë në kokë, të të lë të lirë!”
Abdullai (r.a.) e pyeti:
“A do t’i lësh të lirë bashkë me mua edhe të gjithë robërit muslimanë?”
“Po, - pranoi mbreti, - do t’i lë!”
“Tani, po!” – Ia ktheu Abdullai.
Hz. Abdullai (r.a.) thotë:
“Unë thashë me vete: “Ç’të keqe do të ketë sikur ta puth në kokë një armik të Allahut për ta shpëtuar edhe jetën time, edhe jetën e të gjithë robërve muslimanë? Puthe, Abdullah, e le ta këpusë qafën!”
Atë ditë u lanë të lirë tetëdhjetë muslimanë. Kur arritën te Hz. Omeri, ia treguan se ç’kishte ndodhur. Omeri (r.a.) tha:
“Çdo musliman e ka për detyrë t’ia puthë kokën Abdullah bin Hudhejfes! Unë po filloj i pari!” 
Dhe u ngrit, shkoi te Abdullai dhe e puthi në kokë! (Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, III, 212-213; Zehebi, Sijer, II, 14-15)
Ja, ky sahabi i bekuar pati fatin t’ia çonte Kisras së Iranit letrën e ftesës në Islam të të Dërguarit të Allahut dhe, duke shpalosur një guxim të madh besimi para xhelatëve që prisnin shenjën e mbretit për ta ekzekutuar, ua kumtoi Islamin Kisras dhe njerëzve të tij!
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e mësoi se Kisra e kishte grisur letrën dhe kishte mbajtur qëndrim negativ ndaj ftesës islame, tha:
“Allahu im, edhe ti bëja copë-copë pasurinë dhe pushtetin atij!” (Buhari, Ilm, 7; Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, III, 212)
Me të vërtetë, kjo fjalë parashikuese, kjo mrekulli e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), u realizua në periudhën e kalifëve rashidinë dhe të gjitha tokat e Kisras kaluan në duar të muslimanëve!
Kisra i shkroi një letër guvernatorit të Jemenit, Bazan, ku i kërkoi t’ia sillte Profetin (s.a.s.). Përfaqësuesit e Bazanit shkuan te Profeti, ia shpjeguan se për ç’ishin dërguar dhe ia dorëzuan letrën. Profeti e lexoi letrën dhe buzëqeshi, pastaj i ftoi përfaqësuesit në Islam. Përfaqësuesit e Bazanit i thanë Profetit:
“Po s’erdhe me ne, shkruaji përgjigje letrës së guvernatorit Bazan!”
I mbështetur në komunikimin hyjnor, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha atyre:
“Allahu i Lartë do t’ia lëshojë Kisras të birin, Shirevejhin, i cili ka për ta vrarë të atin në aksh muaj, aksh natë, pasi ora të ketë kaluar aksh kohë!”
Të hutuar, përfaqësuesit i thanë:
“A t’i shkruajmë këto fjalë që dëgjuam prej teje dhe t’ia çojmë guvernatorit?”
Profeti (s.a.s.) u tha:
“Po! Lajmërojeni atë për ato që dëgjuat prej meje! Dhe thojini: “Feja dhe sundimi im do të arrijnë gjer atje ku arrin pasuria dhe mbretërimi i Kisras, do të zgjatet gjer në ato vende ku kuajt dhe devetë do të vënë këmbën!” Atij thojani edhe këtë: “Po qe se ti bëhesh musliman, do të t’i jap ty vendet që i ke nën qeverisje. Dhe do të të bëj ty sundimtar mbi popullsinë Ebna, persët e Jemenit!”
Pasi e mori këtë lajm, Bazani tha:
“Për Zotin, fjala e tij nuk është fjalë sundimtari! Unë mendoj se ky njeri, siç thotë edhe vetë, është profet! Le ta presim rezultatin e fjalës që ka thënë për Kisran. Po qe se fjala e tij vërtetohet, ai është me të vërtetë profet i dërguar njerëzve nga Zoti! Përndryshe, po qe se s’vërtetohet, do të shohim e bëjmë!”
Pastaj, duke u kthyer nga përfaqësuesit, i pyeti:
“Si ju duk ai njeri?”
Dhe ata filluan t’ia përshkruajnë mbresat e tyre duke mos e fshehur aspak habinë dhe mahnitjen:
“Nuk kemi parë gjer më sot sundimtar aq impresionues, por dhe po aq modest sa ai; sundimtar që të mos ketë frikë nga asgjë, që të mos ketë roje përreth dhe që të ecë më këmbë midis njerëzve! Shokët e tij flisnin me zë të ulët pranë tij…”
Dhe kur Bazanit i shkoi letra ku lajmërohej se Shirevejhi e kishte vrarë të atin, panë se parashikimi i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) ishte vërtetuar pikë për pikë! Guvernatori Bazan u shpreh kështu për të Dërguarin e Allahut:
“Patjetër, ky njeri është një profet i dërguar njerëzve nga ana e Zotit!”
Dhe u bë musliman. Edhe Ebna-të me origjinë perse që jetonin në Jemen, u bënë muslimanë! (Ibni Sa’d, I, 260; Ebu Nuajm, Delail, II, 349-350; Dijarbekri, II, 35-37)
***
Sundimtari që e priti më mirë letrën e të Dërguarit të Allahut dhe përfaqësuesin e tij, qe mbreti abisinas, Nexhashiu. Në letrën drejtuar Nexhashiut, dërguar me anë të Umejr bin Umejjes (r.a.), krahas ftesës për në Islam, kishte dhe një informacion të shkurtër për Hz. Merjemen dhe Hz. Isanë. Nexhashiu i cili pati mësuar pak a shumë mbi Islamin që më parë, me rastin e një emigrimi të muslimanëve mekas në vendin e tij dhe, me atë rast, pati shfaqur një qëndrim pozitiv, me anë të kësaj letre besoi. Ai shqiptoi Fjalën e Dëshmisë në prani të Hz. Xhaferit, djalit të madh të Ebu Talibit, i cili ndodhej atë kohë në Etiopi, dhe u bë musliman. Pastaj, sipas dëshirës së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i hipi emigrantët muslimanë që ndodheshin atje, në dy gjemi dhe i dërgoi. Kurse Profetit (s.a.s.) i dërgoi një letër ku e njoftonte personalisht se kishte besuar. Në letër shkruhej:
"Muhammedit, të Dërguarit të Allahut, nga Nexhashiu.
O i Dërguari i Allahut! Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ty! Allahu, veç të cilit nuk ka zot tjetër, më drejtoi për në Islam!
O i Dërguari i Allahut! Më erdhi letra ku flisni për gjendjen e Isait. Betohem në Zotin e qiejve e të tokës që edhe Isai nuk ka thënë për veten më shumë se ç'keni thënë ju në letër! Edhe kumtesa e tij është si e juaja. Ne i mësuam parimet e Islamit me anë të kumtimit me të cilin jeni ngarkuar ju. Djalin e ungjit tënd (Xhafer Tajarin) me shokët e tu që emigruan në vendin tonë, i pritëm si miq. Unë dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut, thua të drejtën dhe je i pëlqyer!
O i Dërguari i Allahut! Unë të kam dhënë besën ty me ndërmjetësinë e djalit të ungjit tënd që është edhe përfaqësuesi yt këtu. Para tij iu dorëzova Allahut, Zotit të botëve! Po të dërgoj djalin tim, Erha-in. Unë jam vetëm sundimtar i vetes time; po të më kërkosh që të vi, menjëherë po vi! Dëshmoj se thëniet e tua janë të vërteta! O i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi ty!.." (Ibni Sa’d, I, 259; Ibni Kajjim, III, 689; Hamidullah, el-Vesaik, f. 100, 104-105)
***
Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pyeti sahabet:
“O njerëz, kush ia dërgon këtë letër Mukavkisit të Aleksandrisë261 duke e pritur shpërblimin nga Allahu?”
Hatib bin Ebi Beltaa (r.a.) u hodh nga vendi, i shkoi Profetit pranë dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut, e dërgoj unë!”
Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e uroi:
“O Hatib, Allahu ta bekoftë këtë detyrë!”
Hatibi (r.a.) ia dërgoi letrën e Profetit Mukavkisit të Aleksandrisë. Në letër shkruhej:
“Bismil’lahi’r-rahmani’r-rahim, Në emër të Allahut Mëshirues e Shpërblyes!
Nga Muhammedi, robi dhe i Dërguari i Allahut, të madhit të kiptinjve, Mukavkisit! Paqe atyre që zgjohen dhe e gjejnë rrugën e drejtë!
Po të ftoj ty në Islam! Bëhu musliman dhe gjej paqe, që edhe Allahu të ta japë dyfish shpërblimin! Po s’e pranove këtë ftesë, mëkati i kiptinjve do të rëndojë mbi ty!
قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْا إِلَى كَلَمَةٍ سَوَاءٍ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلاَّ نَعْبُدَ إِلاَّ 
الله وَلاَ نُشْرِكَ بِهِ شَيْئاً وَلاَ يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضاً أَرْبَاباً مِن دُونِ الله
فَإِنْ تَوَلَّوْا فَقُولُوا اشْهَدُوا بِأَنَّا مُسْلِمُونَ 
"Thuaj: "O ju ndjekës të librit! Ejani në një fjalë të përbashkët me ne, të mos adhurojmë tjetër veç Allahut, të mos i bëjmë shok asgjë Atij dhe të mos e hyjnizojmë njëri-tjetrin duke lënë Allahun!" Po qe se ju kthejnë krahët, atëherë thojuni: "Dëshmoni se ne jemi muslimanë!" (Al-i Imran, 64)”
Pasi e lexoi letrën e Profetit, Mukavkisi e thirri Hatibin (r.a.) dhe mblodhi njerëzit e tij të fesë. Vazhdimin e ngjarjes, Hatibi (r.a.) e tregon kështu:
Mukavkisi më tha:
“Do të të pyes për disa gjëra që dua t’i kuptoj dhe do të bisedoj me ty!”
“Urdhëro, le të bisedojmë!” – I thashë.
“A s’është profet zotëria yt?” – më pyeti Mukavkisi.
“Po, ai është i Dërguari i Allahut!” - I thashë unë.
Mukavkisi më pyeti:
“Po qe se ai është me të vërtetë profet, pse s’iu lut Zotit kundër fisit të vet që e detyroi të largohej nga vatani?”
Unë iu përgjigja:
“Ti dëshmon se Isai i biri Merjemes është profet i Zotit, apo jo! Atëherë, meqë ishte me të vërtetë profet, a nuk do të duhej t’i lutej Zotit ta shkatërronte fisin e vet kur e kapën dhe deshën ta kryqëzonin, kurse atë vetë ta ngjiste në qiell?”
Mukavkisi nuk gjeti dot fjalë për të thënë. Pasi heshti pak, më tha:
“Përsëriti fjalët që the!”
I përsërita. Mukavkisi përsëri heshti, pastaj më tha:
“Drejt fole! Ti je një i urtë që flet me vend dhe që vjen prej dikujt i cili është i urtë!”
Pas këtyre fjalëve, unë i thashë Mukavkisit:
“Para teje, këtu, dikush pati pretenduar se ishte zoti më i madh. Allahu i Lartë e ndëshkoi atë faraon me dënimet e kësaj bote e të përjetësisë. Ti merr mësim prej atyre para teje dhe mos u bëj që të marrin mësim të tjerët prej teje!”262
Mukavkisi më tha:
“Ne e kemi fenë tonë dhe nuk e lëmë atë pa parë një tjetër më të mirë!”
Kurse unë ia ktheva:
“Islami është, pa dyshim, më i lartë se feja jote! Ne të ftojmë ty në Islam që Allahu i Lartë e zgjodhi si fe për njerëzit! Muhammed Mustafai (s.a.s.) fton në këtë fe jo vetëm ty, por të gjithë njerëzit. Kurejshët qenë ata që u sollën më ashpër e më keq me të, armiqësi më shumë i bënë çifutët, kurse më të afërt iu treguan krishterët. Ashtu siç pati paralajmëruar Hz. Musai Hz. Isain, edhe Hz. Isai ka paralajmëruar ardhjen e Hz. Muhammedit (a.s.). Ftesa që po të bëjmë ne ty për të pranuar Kur’anin, është si ftesa jote drejtuar njerëzve të Tevratit për ta pranuar Ungjillin. Çdo njeri është i detyruar të futet në bashkësinë e profetit të ardhur në kohën e vet. Edhe ti je nga ata që janë të pranishëm në kohën e ardhjes së Hz. Muhammedit (a.s.). Prandaj, duke të ftuar ty në Islam, ne s’të largojmë nga feja e Isait (a.s.), përkundrazi, të ftojmë të veprosh në përshtatje me kërkesat e profetësisë së tij.”
Mukavkisi më tha:
“Unë e shqyrtova fenë e këtij pejgamberi dhe pashë se në të as nuk ka urdhër për të hequr dorë e për t’u veçuar nga bota, as nuk ndalohen gjërat e mira e të dobishme. Ai s’është as ndonjë magjistar që e ka ngatërruar rrugën, as ndonjë gënjeshtar që pretendon se ka marrë lajme nga e fshehta. Përkundrazi, tek ai ka shenja profetësie, si zbulim i të fshehtës dhe paralajmërim i saj. Megjithëkëtë, dua të mendohem edhe pak!”
Më pas shkroi një përgjigje të tillë për letrën e Profetit:
“Bismil’lahi’r-rahmani’r-rahim.
Muhammed bin Abdullait nga Mukavkisi.
Paqe ty! E lexova letrën tënde dhe i kuptova ato që shkruaje dhe për të cilat më ftoje! Unë e kam ditur se do të vinte një profet tjetër, por pandehja se do të dilte nga Siria. Ta prita sdhe ta respektova të dërguarin. Po të dërgoj dy skllave shumë të respektuara nga kiptinjtë si dhe rroba. Po të dhuroj edhe një mushkë për shalë. Paqja qoftë mbi ty!”
Mukavkisi as bëri ndonjë gjë tjetër më shumë, as musliman u bë. Kurse mua më porositi: “Kujdes, kiptinjtë të mos dëgjojnë asnjë fjalë nga goja jote!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, IV, 266-267; Ibni Sa’d, I, 260-261; Ibni Haxher, el-Isabe, III, 530-531)
Siç u pa, Mukavkisi e priti mirë ftesën e të Dërguarit të Allahut. Ai e dinte se kishte për të dalë profeti i fundit, por pandehte se do të ishte prej zonës së Damaskut dhe pikërisht kjo pandehmë e pengoi që të besonte. Megjithatë, sjellësin e letrës, Hatibin, e ktheu pas me dhurata të ndryshme, me një kafshë shale dhe dy skllave (Hz. Marijen dhe të motrën, Shirinin). 
Hatibi (r.a.) u foli gjatë rrugës këtyre dy motrave për Islamin dhe i inkurajoi të bëheshin muslimane. Dhe ato u nderuan me besimin islam!263 Kështu, e njohën të vërtetën e përjetshme pa arritur ende në Medinë! 
Kur Hatibi (r.a.) ia njoftoi fjalët e Mukavkisit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“I paqeni, s’e la dot salltanetin, mirëpo salltaneti që e kurseu s’ka për t’i mbetur atij!” (Ibni Sa’d, I, 260-261; Dijarbekri, II, 38)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i vuri kurorë skllaves Shirin me Hassan bin Thabitin, kurse Hz. Marijes i lidhi kurorë për vete dhe prej saj e pati djalin Ibrahim. Edhe kjo martesë, e realizuar nga Profeti sipas urdhrit hyjnor, u pasua me shumë dobi politike. Kjo martesë ndikoi shumë pozitivisht mbi egjiptasit dhe, në luftërat e mëvonshme mes muslimanëve dhe bizantinëve, egjiptasit i lanë vetëm bizantinët dhe, kështu, ushtritë muslimane arritën një fitore më të sigurt mbi ta.
Duke shpalosur një shembull të bukur të trajtimit të farefisit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i ka porositur kështu sahabet:
“Ju do të ngadhnjeni mbi Egjiptin ku përdoret një njësi mase e quajtur “kirat”264. Ju porosis të silleni mirë me popullsinë e atjeshme! Mbajeni porositë time! Me ta ne kemi edhe farefisni gjaku, edhe krushqi!” (Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 226-227)
Siç dihet, prejardhja gjenealogjike e të Dërguarit të Allahut mbështetet te Hz. Ismaili. Meqë e ëma e Ismailit (a.s.), Hz. Haxheri, ka qenë egjiptiane, Profeti i konsideronte egjiptianët farefis gjaku. Kurse farefisnia e krushqisë vinte nga Maria.265
***
Harithi, kryetari i arabëve Gassani të Sirisë, mbajti një qëndrim të ulët ndaj letrës së Profetit, të çuar tek ai me anë të Shuxha bin Vehbit (r.a.). Për më tepër, ai kërkoi leje nga perandori i Bizantit për të marshuar kundër muslimanëve. Por perandori e hodhi poshtë këtë kërkesë.266
Edhe sundimtari i Jemames, Hevze, nuk e pranoi ftesën hyjnore të dërguar në letrën profetike me anë të Selit bin Umejrit (r.a.). Dhe, pak pas kësaj, vdiq pa marrë vesh gjë!267
***
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u pati dhënë këshilla dhe porosi me rëndësi mbi specifikat që duhen bërë kujdes, përfaqësuesve që pati dërguar me letrat e ftesës së Islam. Për shembull, i dërguari i Allahut u pati shkruar një letër disa personave që ndodheshin në Himjer. Duke e dërguar Hz. Ijashin (r.a.) me atë letër, e pati porositur kështu:
“Kur të arrish atje, mos hyr natën, por prit mëngjesin. Pastaj merr abdest mirë e bukur dhe fal dy reqat namaz. Dhe lutiu Allahut të Lartë të pritesh mirë e të dalësh me sukses! Pastaj përgatitu mirë, merre letrën time me dorën e djathtë dhe dorëzojua atyre në dorën e djathtë. Po të veprosh kështu, kanë për të të pranuar…”
Ijashi (r.a.) thotë kështu:
“Bëra siç më tha i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Dhe ata e pranuan Islamin! Edhe ngjarjet që ndodhën më vonë u vërtetuan ashtu siç pati thënë i Dërguari i Allahut!” (Ibni Sa’d, I, 282-283)
Këto ftesa qenë bërë hapat e para të Islamit nga Medina drejt përfshirjes së gjithë njerëzimit. Krahas kësaj, Islami i gjallëruar, tashmë, shumë, në Gadishullin Arabik, vazhdonte të përhapej çdo ditë, sepse themelet e shëndosha të fitoreve të mëdha po hidheshin me duart e bekuara të Profetit (s.a.s.)!


Çifutët i bëjnë magji Profetit
Parësia e çifutëve i thanë çifutit Lebid bin A’sam i cili, megjithëse e pati shpallur se qe bërë musliman, sillej me hipokrizi dhe ishte shumë i aftë në magji:
“Ti je magjistari ynë më i ditur! Muhammedi na i magjepsi burrat dhe gratë, kurse ne nuk bëmë dot asgjë kundër tij! Ti e ke parë se ç’na ka bërë ai neve, si është sjellë kundër fesë sonë, cilët ka vrarë ose ka surgjynosur prej nesh. Ne po të ngarkojmë me detyrë që, për të gjitha ato që na ka bërë ai, ta ndëshkosh duke i bërë magji!”
Dhe, si shpërblim për këtë detyrë, i dhanë tre dinarë flori.
Lebidi filloi të hetojë rrugët për të shtënë në dorë disa fije floku të Profetit. Kur ia arriti kësaj, lidhi disa nyje me to dhe u fryu. Pastaj ato i mbështolli me sepale lulesh të thara hurme dhe i vendosi nën gurin e shkallares së brendshme të një pusi. Pasi Lebidi e kreu magjinë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u sëmur. Drita e syve iu zbeh. Sëmundja i vazhdoi për ditë me radhë. Iu pre të ngrënët.
Allahu i Lartë ia tregoi të Dërguarit të vet se kush e kishte bërë magjinë, si e kishte bërë dhe ku e kishte fshehur. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dërgoi Hz. Aliun me Ammarin në pusin Zervan. Uji i pusit ishte ngjyrosur në këna, kurse majat e drurëve të hurmës ishin bërë si koka djajsh. Hz. Aliu me Ammarin e zbrazën ujin e pusit, e ngritën gurin e shkallares dhe e gjetën magjinë.
Në këtë mes, Xhebraili (a.s.) solli suret Felak dhe Nas. Me leximin e çdo ajeti, zgjidhej një nyje. Kur u zgjidh nyja e fundit, Profeti u çlirua e u lehtësua sikur të ishte zgjidhur nga litarët. Ai filloi të hajë bukë e të pijë ujë. I Dërguari i Allahut vuri njerëz dhe e mbylli pusin Zervan. Çifutit Lebid që i kishte bërë magji, as ia pa fytyrën, as ia vuri në dukje fajin. Gjithashtu, as Lebidin që ia kishte rrezikuar jetën s’vuri njerëz për ta vrarë, as ndonjë çifut tjetër nga fisi Beni Zurajk të cilit i përkiste ai.268
Një ditë, Hz. Muhammedi (s.a.s.) tha:
“Ruhuni nga shtatë gjëra shkatërruese!”
“Cilat janë ato, o i Dërguari i Allahut?” – E pyetën sahabet.
Ai iu përgjigj:
“Politeizmi, magjia, vrasja pa të drejtë, ngrënia e fajdes, ngrënia e mallit të jetimit, dezertimi nga fusha e luftës, shpifja ndaj nderit të femrave të pafajshme!” (Buhari, Vesaja, 23; Muslim, Iman, 145)
Në hadithet e tjera, Profeti (s.a.s.) ka porositur kështu:
“Kush lidh nyje dhe u fryn, ka bërë magji. Kush bën magji, ka rënë në herezi…” (Nesai, Tahrim, 19)
“Atij personi që shkon te falltari269 dhe e pyet për vendin ku ndodhet një mall i vjedhur ose i humbur dhe e miraton thënien e tij, nuk i pranohet asnjë namaz për dyzet ditë me radhë!” (Muslim, Selam, 125)

FITORJA E HAJBERIT: goditja e fundit kundër çifutëve ngatërrestarë e tradhtarë
Edhe çifutët e Hajberit qenë bashkuar me qëndrimin e hipokritëve që e shihnin paktin e paqes së Hudejbijes mes muslimanëve dhe politeistëve mekas si dobësi frontit islam. Dhe, një kohë më vonë, në Hajber u ndez një vatër e madhe ngatërresash e fryrë edhe nga disa çifutë të fiseve të përzëna më parë e të strehuar në Hajber. Çifutët i premtuan fisit Gatafan t’i jepnin gjysmën e prodhimeve vjetore si shpërblim bashkëpunimi. Kështu, kur me ta u bashkua edhe fisi Gatafan, të gjithë së bashku u vunë në veprim për të vënë në jetë qëllimet e tyre të mbrapshta dhe bënë plan të dërgojnë një ushtri në Medinë.
Pas këtij qëndrimi të çifutëve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dërgoi në Hajber për paqë Abdullah bin Revahanë nga sahabet. Dhe, kur erdhi përgjigje negative, Profeti i lajmëroi shokët se do të dilnin në luftën e Hajberit dhe urdhëroi:
"Me ne të vijnë vetëm ata që duan të luftojnë!.." (Ibni Sa’d, II, 92, 106)
Lufta ishte bërë e pashmangshme! Nga ana tjetër, Medina ndodhej mes Hajberit dhe Mekës. Për rrjedhojë, kurdo që të bëhej një luftë me politeistët, Hajberi do të përbënte një rrezik të madh në shpinë të muslimanëve.
Shokët e Profetit iu përgjigjën me dëshirë thirrjes së tij për luftë. Ndërkaq, Dërguari i Allahut (s.a.s.), ndërsa nga njëra anë i thërriste sahabet për luftë, nga ana tjetër nuk i pranoi në ushtri ata që nuk kishin marrë pjesë në Hudejbije sepse tradhtitë e hipokritëve që kishin marrë pjesë gjer atëherë në luftëra me qëllim për të bërë plaçkë, e patën dëmtuar shumë ushtrinë e besimtarëve. Edhe tani po të njëjtët njerëz donin të futeshin në luftë për të marrë pjesë nga pasuria marramendëse e çifutëve të pasur. Për këtë arsye nuk u pranua kërkesa për të marrë pjesë në ushtri e të tjerëve veç pjesëmarrësve të Hudejbijes. Edhe urdhri hyjnor i tillë ishte:
قُل لَنْ تَتَّبِعُونَا
"… (O i Dërguar!) Thuaju: "Në asnjë mënyrë nuk keni për të ardhur pas nesh!.." (el-Fet’h, 15)
Përgatitja e muslimanëve për të shkuar në Hajber i shqetësoi shumë dhe i vuri në veprim çifutët e Medinës, të cilët kishin marrëveshje me Profetin. Ata e kuptuan se Profeti kishte për t’i mundur edhe çifutët e Hajberit ashtu siç i kishte mundur çifutët Kajnuka, Nadr dhe Kurajdha. Në atë mes, s’mbeti asnjë çifut i cili kishte për të marrë ndonjë detyrim nga muslimanët, që të mos u ngjitej atyre për t’ua marrë sa pa filluar lufta! Ngjarja si më poshtë jo vetëm e parashtron sheshit këtë gjë, por edhe tregon se sa korrekt ishte i Dërguari i Allahut (s.a.s.) në respektimin e të drejtave të personit.
Çifuti Ebu Shahm kishte për të marrë pesë dërhem nga Abdullah bin Ebi Hadred (r.a.). Abdullai (r.a.) kishte pasë blerë prej atij çifuti elb për familjen. Kur çifuti e shtrëngoi për t’ia marrë borxhin, Abdullai i tha:
“Më jep pak afat se, në dashtë Allahu, do të ta paguaj borxhin! Sepse Allahu i Lartë ia premtoi të Dërguarit të tij plaçkën e Hajberit! O Ebu Shahm, ne po shkojmë në qytetin më të pasur të Hixhazit në ushqime dhe pasuri!”
Mirëpo smira dhe lakmia e çifutit Ebu Shahm u frynë edhe më shumë. Ai tha:
“A mos i pandeh ti çifutët e Hajberit si arabët me të cilët keni luftuar gjer tani? Betohem në Tevratin se atje ka dhjetë mijë luftëtarë!”
Abdullai i tha:
“O armiku i Allahut! Ti ndodhesh nën mbrojtjen tonë! Vallahi, do të të nxjerr para të Dërguarit të Allahut!” 
Dhe e kapi për krahësh dhe e çoi te Profeti.
“O i Dërguari i Allahut, - i tha Abdullai Profetit, - pa dëgjoje se ç’thotë ky çifut!”
Dhe ia tregoi fjalët që i kishte thënë Ebu Shahmi. I Dërguari i Allahut heshti pa thënë asnjë fjalë. Vetëm u pa t’i lëvizte buzët, por nuk u dëgjua se ç’tha.
Ndërkaq, çifuti iu drejtua Profetit:
“O Ebu’l-Kasem! Ky më ka bërë padrejtësi, nuk ma ka paguar borxhin!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha Abdullait:
“Jepja hakun këtij!”
Edhe pse Abdullai i tha Profetit se ishte i varfër, se do t’ia paguante borxhin me plaçkën e Hajberit, Profeti i përsëriti edhe dy herë të tjera të njëjtat fjalë. Atëherë, Abdullai (r.a.) u ngrit e shkoi në treg. E zhveshi pelerinën, u mbulua me copën e çallmës dhe i tha çifutit:
“Bleje këtë pelerinë!”
Çifuti i propozoi katër dërhemë për pelerinën. Abdullai (r.a.) gjeti edhe një dërhem dhe, kështu, ia pagoi borxhin! (Ahmed, III, 423; Vakidi, II, 634-635)
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u nis së bashku me ushtrinë, ashtu si në çdo luftë, i përgjërohej Zotit me këtë lutje:
أَللهُمَّ رَبَّ السَّمَاوَاتِ السَّبْعِ وَمَا أَظْلَلْنَ وَرَبَّ الْاَرْضِينَ السَّبْعِ 
وَمَا أَقْلَلْنَ وَرَبَّ الشَّيَاطِينَ وَمَا أَظْلَلْنَ وَرَبِّ الرِّيَاحِ وَمَا ذَرَيْنَ أَسْأَلَكَ
خَيْرَ هَذِهِ الْقَرْيَةِ وَخَيْرَ أَهْلِهَا وَخَيْرَ مَا فِيهَا وَنَعُوذُ بِكَ
مِنْ شَرِّهَا وَشَرِّ أَهْلِهَا وَ شَرِّ مَا فِيهَا
"Allahu im që je Zoti i shtatë palë qiejve e i atyre që ndodhen në to, i shtatë shtresave tokësore dhe i atyre që ndodhen në to, i djajve e i atyre të çorientuar prej djajve, i erërave e i gjërave të marra me vete prej tyre! Ne duam prej Teje të mirën e këtij vendbanimi e të banorëve të tij! Dhe, nga e keqja e tyre, tek Ti strehohemi!"270 (Ibni Hisham, 379; Vakidi, II, 642)
Duke marshuar, muslimanët filluan të bëjnë tekbir me zë të lartë të gjithë së bashku: “Allahu ekber! Allahu ekber! La ilahe il’lallahu vallahu ekber!” Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha kështu:
“Tregohuni të mëshirshëm ndaj vetes suaj, sepse ju s’po i drejtoheni dikujt që nuk dëgjon. Ai as nuk është i fshehtë! Ju po i drejtoheni një Personi që ju sheh, ju dëgjon dhe ndodhet bashkë me ju kudo që të ndodheni, po i drejtoheni Allahut. Ai të cilit po i luteni, është për secilin nga ju më afër se qafa e kafshës që keni shaluar!” (Buhari, Deavat, 50, 67; Muslim, Dhikr, 44)
Profeti (s.a.s.) arriti në Hajber natën dhe aty priti, sepse ai nuk e sulmonte armikun natën, por priste mëngjesin. Kur u gdhi, çifutët dolën jashtë me kazma, lopata si dhe trasta për psonisje. Me ta parë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), u kthyen e u mbyllën nëpër kala duke bërtitur:
“Muhammedi, për Zotin, Muhammedi me ushtri!”
Atëherë, Profeti (s.a.s.) tha:
“Allahu ekber! Allahu ekber! U shemb e u rrënua ky Hajber! Po hymë dhe bastisëm ne në vatrat e një armiku, puna e atyre qafirëve të paralajmëruar ka mbaruar!” (Buhari, Megazi, 38; Ibni Hisham, III, 380)
Profeti e vendosi fushimin në vendin e quajtur Raxhi mes Gatafanit dhe Hajberit. Kështu u penguan përpjekjet e dy aleatëve për t'i ardhur në ndihmë njëri-tjetrit. Me të vërtetë, kur gatafanasit e vënë në lëvizje pas kërkesës për ndihmë nga çifutët e Hajberit, panë se rruga u ishte prerë, u kthyen prapa të frikësuar. Atëherë, edhe çifutët e Hajberit që u detyruan të futen në luftë të vetëm, u mbyllën në kalatë e veta.
Gjatë rrethimit, një intrigant kishte thënë gënjeshtra me qëllim për t’i nxitur çifutët për luftë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Çifutëve u paska shkuar një shejtan dhe u paska thënë se “Muhammedi përleshet me ju vetëm për të shtënë në dorë mallrat tuaja!” Bëjuni zë atyre kështu: “Thoni “La ilahe il’lallah, Nuk ka zot tjetër veç Allahut!” dhe me këtë mbroni mallrat dhe gjakun tuaj! Kurse hesapi juaj në jetën e pasme, ahiret, i takon Allahut!”
Dhe kështu iu bënë zë çifutëve, kurse ata u përgjigjën:
“Betohemi në Tevratin, librin e Musait mes nesh, se ne as do të bëjnë atë që thoni ju, as do ta lëmë fenë tonë!” (Vakidi, II, 653)
Rrethimi vazhdoi ditë të tëra. Ushqimet e muslimanëve qenë në të mbaruar. Kushtet e luftës ishin vështirësuar shumë. Nga muslimanët kishte që binin dëshmorë ose plagoseshin, muslimanët përballonin shqetësime të mëdha. Por i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk linte pa shfrytëzuar asnjë rast për t’i ftuar njerëzit në Islam.
Përsa i përket ftesës në Islam, i Dërguari i Allahut (s.a.s) nuk nënvleftësonte askënd. Një rast i tillë ndodhi edhe gjatë luftës dhe fitores së Hajberit. I Dërguari i Allahut i foli gjerë e gjatë për Islamin një skllavi që ruante dhentë e një çifuti dhe u bë pretekst për orientimin e tij në Islam.271 Ngjarja u zhvillua kështu:
Një ditë në mëngjes, skllavi i quajtur Jesar i cili ruante dhentë e një çifuti nga parësia, ndërsa po e kulloste tufën jashtë kalasë, u takua me Profetin. Pasi biseduan gjatë një farë kohe, Jesari e pranoi Islamin. I Dërguari i Allahut ia bëri emrin Eslem. Pastaj, çobani e pyeti Profetin se ç’duhej të bënte me bagëtitë që kishte në duar. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“Ktheji mbrapsht dhe përzeji! Të mos kesh dyshim se që të gjitha do të kthehen tek të zotët!”
Eslemi mori një grusht me gurë të vegjël dhe, duke i hedhur drejt tufës, tha:
“Kthehuni në shtëpitë tuaja! Vallahi, pas kësaj, kurrë nuk do të vij me ju!”
Dhentë u kthyen në tufë pa u shpërndarë sikur të ishte dikush që po i drejtonte, dhe hynë në kala. Kurse çobani u bashkua me muslimanët për të luftuar.272
Eslemi (r.a.) i cili, me t’u bërë musliman, mori pjesë në luftë, pak më pas ra dëshmor dhe u suall te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). I Dërguari i Allahut bashkë me disa sahabe ishte drejtuar për tek ai, kur menjëherë e ktheu kokën mënjanë. Sahabet e pyetën për shkakun dhe ai u tha:
“Këtë çast, pranë i ndodhen dy bashkëshorte nga hyritë e parajsës!” (Ibni Hisham, III, 397-398; Ibni Haxher, el-Isabe, I, 38-39)  
Në një çast kur muslimanët ishin lodhur shumë, kur sulmet e tyre ishin prapësuar, kur muslimanët i kishin lënë fuqitë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha kështu:
"Nesër do t'ia jap flamurin një njeriu të tillë që, me duart e tij, Allahu do të na e falë fitoren mbi Hajberin! Ai njeri i do Allahun dhe të Dërguarin e tij; edhe Allahu dhe i Dërguari i tij e duan atë!.."

Pjesëmarrësit në luftë e kaluan natën duke menduar se kujt do t’i jepej flamuri ndër ta. Kur u bë mëngjes, të gjithë sahabet, të cilët dëshironin secili për vete ta merrte flamurin me shpresën për të merituar dashurinë e Allahut dhe të Dërguarit të tij, vrapuan te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Hz. Omeri (r.a.) ka thënë:
“Kurrë si atë ditë nuk e pata dëshiruar prijësinë. Prandaj u përpoqa shumë t’i bija në sy të Dërguarit të Allahut me shpresë që të më thërriste mua!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e thirri Hz. Aliun (r.a.) për t'ia dhënë flamurin. Hz. Aliun e sollën për krahësh sepse i dhimbnin sytë. Për shkak të dhimbjes, nuk ishte në gjendje të shihte vendin ku ta vinte këmbën! Kur Profeti e pa gjendjen e Hz. Aliut, i këndoi dhe i fryu me frymën e tij të bekuar. Luani i Allahut, Hz. Aliu, me lejën e Allahut, gjeti shërim. Pastaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia veshi Hz. Aliut parzmoren, ia dha flamurin dhe i tha:
“O Ali, shko para pa parë djathtas e majtas gjersa Allahu të na e mundësojë fitoren!”
Hz. Aliu (r.a.) u nis menjëherë, pastaj u ndal dhe, pa e kthyer kokën pas, pyeti:
“O i Dërguari i Allahut! Përse të luftoj me ta, ç’t’ju kërkoj atyre?”
Profeti (s.a.s.) iu tha kështu:
“Lufto me ta gjersa të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i tij! Në çastin që ta kenë bërë këtë, e kanë të mbrojtur mallin dhe gjakun prej teje me kusht që të mos i shkelin ndalimet fetare. Kurse është Allahu që ka për t’ua bërë llogarinë e vërtetë! Pra, afrohu tek ta qetësisht, pa u nxituar. Në fillim ftoji në Islam. Po qe se me ftesën tënde bëhet musliman qoftë edhe një person, kjo do të jetë për ty më e dobishme se sa të të jepnin deve të kuqe!” (Buhari, As’habu’n-Nebi, 9; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 32-34; Hejsemi, VI, 151)
Atë ditë u vranë luftëtarët më me nam të çifutëve. Hajberi u ngadhnjye. Hajberi kishte tetë kala. Dy prej këtyre u dorëzuan pa luftë. Kështu, mrekullia profetike u vërtetua! Çifutët humbën nëntëdhjetë e tre vetë, kurse muslimanët dhanë pesëmbëdhjetë dëshmorë.273
Ebu Hurejre (r.a.) tregon:
“Ndodheshim bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) gati për luftën e Hajberit. Për një person i cili thoshte se ishte musliman, i Dërguari i Allahut u shpreh:
“Ai është nga njerëzit e zjarrit!..”
Pasi filloi lufta, ai u përlesh heroikisht dhe u plagos. Disa nga sahabet i thanë Profetit:
“O i Dërguari i Allahut, personi për të cilin pak më parë the se është nga njerëzit e zjarrit, luftoi shumë ashpër dhe vdiq!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha prapë:
“Ai ka hyrë në xhehennem!”
Pas kësaj përgjigjeje, disa nga muslimanët pothuajse po binin në dyshim. Në këtë gjendje shpirtërore të luftëtarëve, Profeti (s.a.s.) tha:
“Ai ushtar nuk ka vdekur ende, por është plagosur shumë rëndë!”
Kur u bë natë, i plagosuri, duke mos e duruar dot dhimbjen e plagës, ia nguli vetes shpatën dhe bëri vetëvrasje! Profetin e lajmëruan për ngjarjen.
“Allahu ekber! Dëshmoj se unë jam robi dhe i dërguari i Allahut!” – Tha Profeti në mënyrë solemne. Pastaj e urdhëroi Bilalin (r.a.) të shpallte mes njerëzve këto fjalë:
“Në xhennet do të hyjnë vetëm muslimanët! Eshtë jashtë çdo dyshimi se Allahu e fuqizon fenë edhe me anë të njerëzve mëkatarë!” (Buhari, Xhihad, 182, Megazi, 38, Kader, 5; Muslim, Iman, 178)
***
Pas fitores së Hajberit, çifutët dëshiruan të mbeteshin përsëri në tokat e tyre por tashmë si gjysmatarë. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk i përzuri që të gjithë çifutët. Me kusht që t’i nxirrte kur të donte, ai i pranoi çifutët si gjysmatarë në ato toka pjellore për t’i punuar dhe për të dorëzuar gjysmën e prodhimit. Çifutët vazhduan të punonin si të tillë atje gjer në kohën e kalifatit të Hz. Omerit.274
Abdullah bin Revaha (r.a.) shkonte çdo vit atje, parashikonte sasinë e prodhimit dhe merrte kundërvlerën e gjysmës së tij. Çifutët i shqetësoi korrektesa e Abdullait në përcaktimin e masës së prodhimit. Për më tepër, një herë deshën t’i jepnin ryshfet që të bënte lëshim në favor të tyre. Abdullah bin Revaha u tha atyre:
“Vallahi, për shkak të qëndrimit tuaj, ju jeni, për mua, njerëzit më të papëlqyeshëm ndër krijesat e Allahut! Megjithëkëtë, zemërimi im nuk më bëhet pengesë që të jem i drejtë ndaj jush. Ju më propozoni ryshfet, por ryshfeti është haram dhe ne nuk e pranojmë!”
Duke e miratuar Abdullain (r.a.), çifutët u shprehën:
“Ja, me këtë drejtësi dhe ndershmëri qëndrojnë në rregull qiejt dhe toka!” (Muvatta, Musakat, 2)

Ekzigjenca dhe korrektesa në çështjen e të drejtave të personit
Plaçka e luftës e zënë në Hajber u përpjesëtua mes pjesëmarrësve të fushatës së Hudejbijes pavarësisht nga prania ose mosprania e tyre në Hajber, sepse Allahu i Lartë ua kishte premtuar muslimanëve pjesëmarrës të fushatës së Hudejbijes plaçkën e Hajberit me anë të ajetit të njëzetë të sures Fet’h.275 
Omer bin Hattab (r.a.) thotë kështu:
“Ishte dita e fitores së Hajberit. Erdhi një grup nga sahabet e Profetit (s.a.s.), që thanë:
“Aksh person ka rënë dëshmor, edhe aksh person ka rënë dëshmor!” Pastaj, duke kaluar pranë dikujt, thanë:
“Edhe aksh person ka rënë dëshmor!”
Profeti (s.a.s.) tha:
“Jo! Unë atë e pashë në xhehennem brenda një pelerine të marrë pa të drejtë nga plaçka e luftës!” (Muslim, Iman, 182)
Megjithëse dëshmorësia si një nga pozitat më të larta, vlen si dëmshpërblim për shumë mëkate të personit, nuk e shlyen dot tradhtinë ndaj pasurisë së përbashkët dhe shkeljen e të drejtës së personit. Për këtë shkak, Profeti ka bërë të ditur se sahabiu për të cilin ishte marrë vesh se kishte rënë dëshmor, ishte duke u djegur në xhehennem ngaqë kishte marrë një pelerinë nga plaçka e luftës kur ajo ende s’ishte ndarë dhe ia ka mësuar ummetit, bashkësisë së tij, se tradhtia ndaj pasurisë së përbashkët dhe shkelja e të drejtave të personit janë të pafalshme.
Ishte një skllav zezak i quajtur Mid’am i cili i shërbente Profetit. Atë ia kishte dhuruar Rifaa bin Zejd. Në një çast, ndërsa po shkarkonte barrën e Profetit, një shigjetë e ardhur nga një drejtim i paqartë e goditi dhe i shkaktoi vdekjen. 
Muslimanët shprehën zilinë dhe dëshirimin e tyre për vdekjen e skllavit të Profetit:
“O Mid’am, xhenneti të qoftë i bekuar! O i Dërguari i Allahut, dëshmorësia i qoftë e bekuar shërbëtorit tënd!”
Kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i kundërshtoi:
“Jo, s’është ashtu! Betohem në Allahun, në dorën e fuqisë së të cilit ndodhet qenia ime, se një qilim që e mori ditën e Hajberit para se të ndahej plaçka, këtë çast është duke u djegur në flakë sipër tij!”
Muslimanët që e dëgjuan këtë, u frikësuan shumë. Një njeri i solli Profetit nja dy lidhësa këpucësh duke i thënë:
“O i Dërguari i Allahut! Edhe unë i pata marrë këto lidhësa para se të ndahej plaçka!”
Profeti i tha:
“Edhe për ty ka nja dy lidhësa zjarr (ndëshkim) nga zjarri i xhehennemit!” (Buhari, Ejman, 33; Muslim, Iman, 183)
***
Atë ditë kur u triumfua Hajberi, dikush shkoi te Profeti dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Unë sot arrita një fitim të tillë që nuk e ka arritur gjer më sot askush nga popullsia e këtij vendi!”
Profeti e pyeti:
“Pa ta shohim, ç’ke fituar?”
“Unë vazhdova të blej e të shes pa u ndalur, aq sa fitova treqind ukijje!” – I tha personi.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti: 
“A të të tregoj më të dobishmin e fitimeve?”
“Ç’është, o i Dërguari i Allahut?” – E pyeti personi.
“Dy reqat namaz nafile që do të falësh pas namazit (farz)!” – Iu përgjigj Profeti. (Ebu Davud, Xhihad, 168/2785)
Pasi muhaxhirët morën mall dhe kopshte hurmash si pjesë që u ra nga plaçka e Hajberit, gjendja e tyre ekonomike u rregullua mjaft. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ua ktheu ensarëve kopshtet e hurmave që ata ua patën dhuruar ose ua patën lënë amanet në përdorim muhaxhirëve më parë.276 

Ardhja e njerëzve të fisit Devs në Medinë
Në këtë mes, një grup nga fisi Devs erdhi në Medinë. Tufejl bin Amr që i kryesonte, pati qenë në Mekë, ku qe takuar me Profetin (s.a.s.) dhe qe bërë musliman. Pastaj, me leje të Profetit (s.a.s.) qe kthyer te fisi i vet dhe i pati ftuar njerëzit e fisit në Islam. I pari person që i qe përgjigjur ftesë së tij, pati qenë Hz. Ebu Hurejre.277 Me kalimin e kohës, numri i muslimanëve tg fisit qe shtuar dhe pati arritur gjer në shtatëdhjetë-tetëdhjetë vetë. Në kohën e luftës së Hajberit, ata erdhën në Medinë, u takuan me Profetin (s.a.s.) dhe morën pjesë në luftë.
Gjatë udhëtimit, Ebu Hurejre (r.a.) mërzitej shumë dhe s’i pritej gjersa të takohej me Profetin, kurse nga ana tjetër, këndonte vargjet:
O natë udhëtimi, u mërzita nga orët e tua pa mbarim,
Por, prapë, ti më shpëtove nga vendi me herezi dhe mohim...
(Buhari, Megazi, 75; Vakidi, II, 636)
Kur Ebu Hurejre (r.a.) bashkë me njerëzit e tjerë të fisit Devs arriti në Hajber, Profeti e kishte arritur fitoren.278 Kur e pa Ebu Hurejren, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti:
“Nga je ti?”
“Jam nga fisi Devs!” – Iu përgjigj Ebu Hurejre (r.a.).
Profeti (s.a.s.) i tha:
“Me këdo nga Devsi që të jem takuar, unë gjithmonë të mira kam parë!” (Tirmidhi, Menakib, 46/3838)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u dha të ardhurve nga fisi Devs pjesë nga plaçka e Hajberit.279 

Kthimi i muhaxhirëve nga Abisinia
Kur kishte përfunduar fitorja e Hajberit, në Medinë u kthye nga Abisinia një karvan muslimanësh emigrantë prej gjashtëmbëdhjetë vetësh nën kryesinë e Hz. Xhaferit, i cili, sapo e mori vesh se i Dërguari i Allahut po luftonte në Hajber, u nis menjëherë me gjithë karvanin për atje. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pa Hz. Xhaferin, i tha në fillim atij:
"Sa më ngjet ti mua në natyrë dhe në moral!"
Pastaj e puthi në ballë dhe i tha:
"Nuk e di, a të gëzohem për fitoren e Hajberit apo për ardhjen e Xhaferit!.." (Ibni Hisham, III, 414)
Xhaferi (r.a.) u emocionua nga ky kompliment profetik dhe kaloi në ekstazë. Nga gëzimi, filloi të rrotullohej rreth Profetit me një këmbë si një fëmijë duke e humbur vetëdijen.280
I Dërguari i Allahut nuk e pengoi (e miratoi në heshtje) Xhaferin. Kjo gjendje ekstaze u pranua më pas nga disa tarikate si sunnet i miratuar në heshtje (sunnet takriri) dhe është justifikuar si veprim ekstaze.281
Poeti i këndon kështu njërit prej shkaqeve të kësaj gjendjeje ekstaze mbushur plot me dashurinë për Profetin (s.a.s.):
Bukuri e pashoqe e fytyrës tënde, o Profet,
Ashikun e deh, e ngazëllen pa prá...
***
Në Hajber, së bashku me muhaxhirët e Abisinisë, arritën edhe esh’aritët nga fiset e Jemenit. Njëri prej tyre, Ebu Musa el-Esh’ariu, thotë:
“Ne, esh’aritët, e patëm marrë vesh daljen e të Dërguarit të Allahut (s.a.s) qysh në Jemen. Dhe, me këtë rast, duke u bërë 52 a 53 vetë, dolëm në rrugë për të emigruar pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Gjatë rrugës nëpër det, kur na u prish moti, gjemia na la në vendin e Nexhashiut të Abisinës. Atje u takuam me Xhaferin (r.a.) me shokë.
Xhaferi (r.a.) na tha:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) na dërgoi këtu duke na urdhëruar që të qëndrojmë këtu për një farë kohe. Edhe ju rrini me ne!”
Më në fund, hipëm në gjemi nga atje dhe u nisëm. Të gjithë së bashku arritëm në Medinë. Me të Dërguarin e Allahut u takuam kur ai e kishte arritur fitoren mbi Hajberin. Profeti na dha edhe neve pjesë nga plaçka e Hajberit.” (Buhari, Megazi, 38; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 169)

Çifutët tentojnë ta helmojnë Profetin
Në këtë mes, çifutët, megjithëse u trajtuan njerëzisht nga muslimanët, nuk hoqën dorë nga tradhtitë. Bën një plan të fshehtë dhe vendosën ta vrisnin Profetin (s.a.s.). Me këtë nismë poshtërsie kundër Profetit të Lartë i cili, edhe pse poshtërsitë e mëparshme të tyre ishin ende të freskëta, nuk i përzuri po i fali, e shkelën edhe një herë tjetër marrëveshjen!
Për ta realizuar këtë poshtërsi, Zejnebi, vajza e Harithit, njërit prej prijësave çifutë, e ftoi për ngrënie Profetin së bashku me shokët e tij dhe u vuri mish të pjekur të helmuar. Meqë e dinte se Profeti e pëlqente veçanërisht pjesën e shpatullës, atë pjesë e helmoi më rëndë. Sapo e futi në gojë kafshatën e parë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e nxori menjëherë duke u thënë shokëve:
"M'u bë e ditur se ky mish është i helmuar, mos e hani!"
Ndërkaq, Bishr bin Bera e kishte gëlltitur një copë mish para se Profeti të ndërhynte, kurse të tjerët, jo. 
Pa kaluar shumë, gruaja tradhtare u zu dhe u soll para Profetit. 
Profeti e pyeti:
“A ti e helmove këtë dele?”
“Kush të lajmëroi ty se e kisha helmuar?” – E pyeti Zejnebi.
I Dërguari i Allahut i tha:
“Kjo kockë shpatulle që kam para më njoftoi!”
Zejnebi i tha duke e pohuar fajin:
“Po, unë e helmova!”
Pasi i Dërguari i Allahut e pyeti pse e kishte bërë këtë, ajo i dha këtë përgjigje:
“Ti më vrave tim atë, tim ungj e tim shoq! S’le gjë pa bërë kundër fisit tim! Unë mendova me vete: “Po qe se ai është me të vërtetë profet, e keqja që i kam përgatitur do t’i njoftohet patjetër nga ana e Allahut dhe helmi nuk do ta dëmtojë; por po qe se është gënjeshtar ose sundimtar, do të vdesë nga helmi dhe, kështu, edhe ne do të shpëtojmë prej tij!”
Profeti i tha:
“Allahu s’ta ka dhënë ty fuqinë për ta bërë këtë!”
Duke pohuar, nga njëra anë, fajin e, duke u ndikuar nga mrekullia për të cilën u bë dëshmitare, ajo besoi, u pendua dhe kërkoi falje. Dhe Profeti i dërguar si mëshirë për botët, e fali. Mirëpo, pak më pas, pasi Bishr bin Berai vdiq, trashëgimtarët e tij kërkuan dënimin e saj me të njëjtën mënyrë. Kështu, vajza e Harisit u ekzekutua duke u detyruar të pinte të njëjtin helm nga i cili kishte vdekur viktima e saj.
Edhe Profeti (s.a.s.), për të shpëtuar nga efekti i helmit, mori gjak nga pjesa mes shpatullave. (Buhari, Xhizje, 7; Muslim, Selam, 45; Ibni Hisham, III, 390; Vakidi, II, 678-679; Hejsemi, VI, 153)
Tre vjet më vonë, kur u sëmur nga sëmundja që do t’i shkaktonte vdekjen, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha se sëmundjen e kishte nga ai helmim. (Hakim, III, 242/4966)

Çështja Mut'a 
Gjatë luftës së Hajberit u ndalua martesa e përkohshme e quajtur "kurora mut'a" për të cilën gjer atë kohë nuk qe krijuar ndonjë pengesë apo ndalesë. 
Hz. Aliu (r.a.) ka thënë kështu:
Në luftën e Hajberit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e bëri haram (e ndaloi) mut’a-n me gratë si dhe ngrënien e njëthundrakëve, si gomari, etj. (Buhari, Megazi, 38, Nikah, 31, Zebaih, 28, Hijel, 3; Muslim, Nikah, 29-32; Muvatta, Nikah, 41; Nesai, Nikah, 71)
Mut'a është vënia kurorë me një femër për një kohë të caktuar dhe me një pagesë të caktuar. Eshtë një formë kurore e mbetur nga periudha pagane paraislamike. Kjo kurorë merr fund në afatin e paracaktuar në marrëveshjen e kurorës. Në këtë kurorë nuk ekzistojnë të drejtat e kurorës së rregullt, si trashëgimia, pagesa e kurorës, periudha e pritjes, etj. Prandaj edhe është ndaluar me hadithe të ndryshme duke filluar, si kohë, me betejën e Hajberit. Një rivajet në lidhje me këtë çështje, është kështu:
"... Tani, Allahu (xh.xh.) e ka bërë haram atë gjer në ditën e kiametit. Kush të ketë një grua me kurorë të përkohshme, t'i japë rrugë asaj. Njëkohësisht, të mos ua merrni prapë atyre çka u keni dhënë si pagesë!" (Muslim, Nikah, 21; Ibni Maxhe, Nikah, 44; Darimi, Nikah, 16; Ahmed, III, 406)
Gjatë fushatës të Tebukut, në vendin e quajtur "Senijetul Veda" Profeti (s.a.s.) pati dhënë pushim. Atje pati parë gra që qanin, pati pyetur për shkakun, dhe pati marrë këtë përgjigje:
"Janë gra me kurorë të përkohshme!"
Atëherë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati thënë:
"Mut'a-n e hedhin poshtë ligjet e Islamit mbi kurorën, divorcin, periudhën e pritjes dhe trashëgiminë!" (Ibni Belban, VI, 178; Darakutni, III, 259)
Nisur nga kjo, gruaja e kurorëzuar me kurorë të përkohshme, nuk është as bashkëshorte, as shërbëtore. Sipas dijetarëve sunnitë, kurora e përkohshme është pranuar njëzëri si adulter (kurvëri).
Ibni Abbasi (r.anhuma) tregon:
“Mut’a ekzistonte para Islamit. Kur një person shkonte në një vendbanim (qytet, qytezë) të panjohur, lidhte kurorë me një grua vendase për aq kohë sa e parashikonte të qëndronte aty. Gruaja i kryente atij shërbimet e nevojshme dhe ia ruante plaçkat. Kjo gjendje vazhdoi gjersa u zbrit ajeti:
وَالَّذِينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَافِظُونَ .
إِلَّا عَلَى أَزْوَاجِهِمْ أَوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُمْ فَإِنَّهُمْ غَيْرُ مَلُومِينَ 
“Ata e mbrojnë nderin dhe nuk qortohen për marrëdhëniet (seksuale) përveçse me gratë dhe shërbëtoret (skllavet) e tyre.” (el-Mu’minun, 5-6)
Pas zbritjes së këtij ajeti, mut’a (kurora e përkohshme) u shpall haram (fetarisht e palejuar, e pabekuar). Të gjitha marrëdhëniet seksuale përveçse me gruan dhe me shërbëtoren (skllaven) janë haram.” (Tirmidhi, Nikah, 29/1122)
Përfundimet tragjike të kurorës së përkohshme në shoqëri janë këto:
a. Dëmtimi i fëmijëve. Këta fëmijë, të rritur pa baba, rriten pa edukatën e nevojshme, krejt si fëmijët ilegalë. Tek vajzat dëmi është akoma më i madh.
b. Gruaja me të cilën një burrë ka lidhur kurorë të përkohshme, ka mundësi që të lidhë kurorë edhe me djalin e atij burri. Gjithashtu, ekziston mundësia që një burrë të bashkëjetojë me vajzën e vet, me vajzën e vajzës, me vajzën e birit të vet, me vajzën e të motrës, domethënë, me femra me të cilat e ka përjetësisht të ndaluar të bashkëjetojë. Kjo situatë është një prej aksidenteve më të mëdha të kësj natyre. Historia njeh shumë raste të tilla.
c. Pamundësia e përpjesëtimit të trashëgimisë së personit që lidh kurorë të përkohshme, sepse nuk njihen as trashëgimtarët e tij, as edhe emrat dhe vendbanimet e tyre.
Këto aksidente të shkaktuara prej kurorës së përkohshme, janë me të vërtetë shumë të rënda. Këto s'janë gjë tjetër veçse asgjësimi i brezit. Te gruaja që lidh dhe përjeton kurorë të përkohshme, krijohet një rënie e madhe shpirtërore, sepse të të marrë me qira dikush, është gjëja që e thyen dinjitetin më shumë se çdo gjë tjetër. Nga ky aspekt, kurora e përkohshme është një konflikt nderi. A mund ta dëshirojë kush që e ëma apo e motra të lidhë kurorë të përkohshme me gjithë atë shëmti që ka dhe që të shkakton ajo? Vetëm kjo është e mjaftueshme për ta treguar tragjedinë e kurorës së përkohshme!282

Duke u kthyer nga Hajberi
Pas fitores së Hajberit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dërgoi një përfaqësues në truallin e quajtur Fedek, dy ditë udhë nga Medina, dhe e bashkoi atë pa luftë me tokat islame.
Si e fundit, edhe qendra e vogël urbanistike çifute Vadil Kura në rrugën në kthim nga Hajberi, u ngadhnjye pas një dite rrethimi. Edhe banorët e saj u lanë të vazhdonin të jetonin po aty, por, tashmë, si gjysmatarë, si hajberasit.
Çifutët e Tejma-s shkuan vetë te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe bënë marrëveshje për të dhënë xhizje dhe haraç. Kështu, ata jo vetëm vazhduan të qëndronin ku ishin, por edhe tokat u bënë të tyret. Më parë, këto fise çifute qenë marrë vesh me çifutët e Hajberit dhe patën vendosur të marshonin kundër Medinës.283
Me pushtimin e Hajberit e të rrethinave të tij, për muslimanët u hap rruga për ngadhnjimin e Mekës, sepse humbja dhe nënshtrimi i çifutëve Beni Kajnuka, Beni Nadr, Beni Kurajdha dhe, në fund, i çifutëve të Hajberit, i frikësuan njerëzit dhe askush s’kishte më dyshim për suksesin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Të gjithë çifutët e sipërpërmendur ishin çifutët më të pasur e më të fuqishëm të Hixhazit dhe guximi e trimëria e tyre ishte bërë legjendare. Ata zotëronin kala të papushtueshme, të pakalueshme, si dhe hurmishte shumë prodhimtare. Sikur të gjithë arabët të strehoheshin tek ta, ata ishin në gjendje t’i mbronin. Vetëm se, kur u rrethuan nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe iu nënshtruan atij, të gjithë e panë se si u shua trimëria dhe heroizmi i tyre, se si u vunë ata nën kushte të rënda. Prandaj, tashmë, ishte krijuar një atmosferë në favor të muslimanëve.
Veç këtyre, pas fitores së Hajberit, Profeti (s.a.s.) u martua me zonjën Safije e cila pati mbetur e vejë pasi i shoqi qe vrarë në luftë.284 Ajo qe martuar me njërin nga parësia çifute disa ditë para se Profeti (s.a.s.) të arrinte në Hajber. Natën e parë të martesës pati parë në ëndërr se një hënë i kish ardhur nga anët e Medinës dhe i kishte rënë në prehër. Dhe, kur ia pati treguar ëndrrën të shoqit, ai qe zemëruar rëndë dhe e pati goditur në fytyrë duke i thënë:
“Ti e ke mendjen te sundimtari i Hixhazit, Muhammedi!”
Pastaj, pasi i shoqi iu vra në luftë dhe mbeti e ve, ajo u martua me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Në fytyrë e kishte ende njollën e nxirë që i kish lënë goditja. 
“Ç’është kjo?” – E pyeti Profeti. Dhe, pasi Hz. Safije ia tregoi ndodhinë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia përshkroi Islamin dhe e la të lirë të zgjidhte, duke i thënë:
“Ne nuk të shtrëngojmë për shkak të fesë tënde. Po qe se ti zgjedh Allahun dhe të Dërguarin e Tij, do të të pranoj si bashkëshorte. Po qe se parapëlqen hebraizmin, të lë të lirë që të shkosh te fisi yt!” Zonja Safije zgjodhi Islamin dhe u bë njëra nga “nënat e besimtarëve”285. (Vakidi, II, 674, 707; Ibni Sa’d, VIII, 123; Ahmed, III, 138)
Martesa e Profetit me zonjën Safije, vajzën e Hujejit nga parësia çifute, u bë pretekst për afrimin me çifutët e Hajberit, për zbutjen e armiqësisë me ta dhe për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore. Nëna jonë Safije vazhdoi të tregojë ndaj çifutëve afërsi që do të tërhiqnin vëmendjen dhe do të bëheshin shkak për ankesa, u bë, pothuajse, përfaqësuesja e tyre në banesën profetike.
Në kohën e kalifatit të Hz. Omerit, tek kalifi shkon skllavja e Hz. Safijes (r.anha) dhe i paraqet këtë ankesë:
“O emiri i muslimanëve! Safija e pëlqen ditën e shtunë dhe i vazhdon lidhjet me çifutët!”
Kalifi Omer (r.a.) dërgon një person për ta shqyrtuar si qëndronte puna. Me anë të tij, zonja Safije i dërgoi kalifit këtë përgjigje:
“Më pyet për ditën e shtunë. Këtë ditë s’e dua më qysh kur Allahu më dhuroi, në vend të saj, ditën e xhuma! Sa për çifutët, unë atje kam të afërmit e mi me të cilët mbaj lidhje, i respektoj dhe i vizitoj!” (Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 347)
Pastaj, zonja Safije e pyeti skllaven se pse ishte ankuar e pse kishte shpifur.
“U mashtrova nga djalli!” – E pranoi fajin skllavja.
Atëherë, zonja Safije mbajti një qëndrim të përkryer që tregonte se sa e kishte përvetësuar ajo moralin islam. Megjithëse skllavja e vet ishte ankuar dhe kishte shpifur ndaj saj pa të drejtë dhe pa asnjë shkak, zonja Safije i tha:
“Shko, se të kam dhënë lirinë!” (Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 347)

Umretul Kada (dhilkade, 7 h. / mars, 629 e.r.)
Umreja e pakryer një vit më parë edhe pasi qe bërë hyrja nën ihram, për shkak se nuk lejuan politeistët mekas, për pasojë, e kryer një vit më vonë, në vend të saj, është quajtur "umretul kada".286
Në kuadër të marrëveshjes së Hudejbijes, kishte ardhur koha e umres së shtyrë për një vit më pas. Me të hyrë muaji dhilkade i vitit të shtatë hixhri, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i urdhëroi të gjithë ata që kishin marrë pjesë në fushatën e Hudejbijes, të përgatiteshin për umre. Ai e njoftoi edhe popullsinë për t’u përgatitur. Arabët e ardhur nga periferia që ndodheshin aktualisht në Medinë, i thanë Profetit:
“Vallahi, o i Dërguari i Allahut, ne nuk kemi as ushqim, as ndokënd që të na ushqejë!”
Profeti  i urdhëroi medinasit t’u japin, për hir të Allahut, sadaka (lëmoshë) nevojtarëve dhe të kujdesen për ta, duke ua bërë të ditur se, po t’i linin pa ndihmë, do të shkatërroheshin. Medinasit i thanë:
“O i Dërguari i Allahut, ç’tu japim atyre për sadaka? Ne s’gjejmë asgjë për t’u dhënë!”
Profeti u tha:
“Ç’të keni, sikur edhe gjysmë hurme!..” (Vakidi, II, 731-732)
Profeti u nis nga Medina për umre bashkë me dy mijë sahabe. Ai mori me vete edhe afro njëqind kuaj të ngarkuar me materiale luftarake, si heshta, mburoja, parzmore, etj.
Sahabet i thanë:
“O i Dërguari i Allahut, Kurejshët na patën vënë si kusht që të mos marrim armë të tjera përveç armëve të udhëtimit!”
 “Ne nuk do të hyjmë në Harem me ato armë, por do t’i mbajmë diku afër për t’i pasur gati ndaj çdo sulmi të mundshëm nga ana e tyre!” – Iu përgjigj i Dërguari i Allahut dhe, bashkë me dyqind vetë, i dërgoi armët në Batni Je’xhexh, tri milje nga Meka. (Vakidi, II, 733-734)
Gjatë rrugës, arritën në Ebva. Duke i kërkuar leje Zotit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) vizitoi varrin e nënës. Gjatë vizitës, ia rregulloi dheun me dorë, u prek dhe qau. Edhe muslimanët që e vunë re, nuk i përmbajtën dot lotët. Pastaj, kur e pyetën Profetin se pse kishte qarë, ai u tha:
“Kujtova dhembshurinë dhe mëshirën e nënës dhe prandaj qava!” (Ibni Sa’d, I, 116-117)
Sipas paktit të Hudejbijes, të gjithë politeistët mekas e zbrazën qytetin për tri ditë e net duke ua lënë plotësisht në dispozicion muslimanëve. Politeistët u tërhoqën në kodrat apo majat përreth qytetit dhe u vunë të shohin me kërshëri se ç'do të bënin muslimanët. Zemrat besimtare që po e shihnin Qaben pas një periudhe të gjatë prej shtatë vjetësh, thirrën të gjithë me emocion më një gojë:
لَبَّيْكَ، أَللَّهُمَّ لَبَّيْكَ، لَبَّيْكَ لاَ شَرِيكَ لَكَ لَبَّيْكَ، إِنَّ الْحَمْدَ
وَالنِّعْمَةَ لَكَ وَالْمُلْكَ، لاَ شَرِيكَ لَكَ 
Lebbejke 'llahumme lebbejk; lebbejke la sherikele lebbejk;
Innel hamde ve'nnimetelek velmulke la sherikelek!
Nën urdhrin Tënd, Allahu ynë, Ti, që s'ke të dytë;
Lavdërimi, begatitë, pushteti e pasuria janë të Tutë!..
Siç bën të ditur Ibni Abbasi (r.a.), kur Profeti (s.a.s.) u fut në Mekë, e pritën disa fëmijë të vegjël nga të Bijtë Muttalib. Njërin prej tyre, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e mori para, kurse tjetrin e hipi në vithe të kafshës.287
Për t’u treguar politeistëve që kishin përhapur thashetheme se ethet e Medinës i kishin dobësuar muslimanët, se gjendja e tyre nuk ishte ashtu, i urdhëroi muslimanët të ecnin shpejt dhe ballëlart.288 Dhe tha:
"Mëshira e Allahut qoftë mbi atë person i cili e tregon sot veten para kurejshve të gjallë e të fuqishëm!.." (Ibni Hisham, III, 424-425)
Megjithëse muslimanët të cilët kishin shkuar për ta vizituar Qaben duke bërë, në kushtet e asaj dite, një udhë rreth katërqind kilometra nga Medina në Mekë, ishin mjaft të lodhur, e kryen umren, nën udhëzimet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s), mjaft seriozë, me madhështi e me dinjitet. Madje, në tre rrotullimet e para të tavafit si dhe, gjatë vajtje-ardhjes (sa’j), mes dy shtyllave të blerta të sotme, ecën dhe vrapuan në mënyrë shumë demonstrative.
Nga ana tjetër, politeistët i vëzhgonin muslimanët nga lartësitë. Po qe se do të shihnin te ata ndonjë shenjë lodhjeje apo ngathtësie, mund të mendonin gjëra të ndryshme. Mirëpo, para pamjes plot gjallëri e forcë të muslimanëve, s'e morën dot veten nga habia! Ata thanë:
“Këta janë ata për të cilët na kanë thënë se janë dobësuar prej etheve? Ata qenkan më të gjallë e më të fortë se ne!” (Muslim, Haxh, 240)
Veçanërisht, kur abisinasi Bilal, u ngjit në çatinë e Qabes dhe këndoi ezan, tingujt rrëmbenjës e drithërues të asaj thirrjeje sublime i ngazëlluan zemrat e besimtarëve, kurse politeistët i lanë të shastisur!
Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) bashkë me sahabet po bënin tavaf, Abdullah bin Revaha filloi të recitonte vjersha në tavaf. Hz. Omeri (r.a.) i tha:
“A do të vazhdosh të recitosh pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe në Shtëpinë e Paprekshme të Allahut ti?”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha Hz. Omerit:
“Mos e pengo! Betohem në Allahun që ka jetën time në dorë, se fjalët e tij janë për politeistët më goditëse se shiu i shigjetave! O Ibni Revaha, vazhdo!”
Pastaj, duke iu drejtuar Abdullait, i tha: 
لاَ إِلَهَ إِلاَّ الله وَحْدَه أَنْجَزَ وَعْدَه وَنَصَرَ عَبْدَه
وَأَعَزَّ جُنْدَهُ وَهَزَمَ الْاَحْزَابَ جُنْدَه
Thuaj:
Nuk ka zot tjetër veç Allahut; i vetmi është Ai!
Premtimin në vendqë e çon, është Ai!
Këtij robi të tij që i jep ndihmë, është Ai!
Ushtarët e Tij që i përforcon, është Ai!
Fiset e mbledhur që i çon në disfatë, është veç Ai!
Kur Abdullah bin Revaha (r.a.) filloi ta recitojë këtë, edhe muslimanët filluan të recitojnë duke përsëritur thëniet e tij. (Vakidi, II, 736; Ibni Sa’d, II, 122-123)
Kur muslimanët u kthyen pas tri ditësh në Medinën e Ndritshme, në fytyrën e secilit kishte rënë një bukuri e veçantë. Ishte realizuar vizita e parë në Qabe, ishte vërtetuar ëndrra që i Dërguari i Allahut (s.a.s) kishte parë një vit më parë e, për të cilën, kishte bërë paralajmërimin e gëzuar. Këtë të vërtetë, duke përfshirë edhe fitoren e Hajberit si dhe triumfin e Mekës që do ta mundësonte së afërmi, Allahu i Lartë i bën të ditura kështu në Kur'an:
لَقَدْ صَدَقَ الله رَسُولَهُ الرُّؤْيَا بِالْحَقِّ لَتَدْخُلُنَّ الْمَسْجِدَ الْحَرَامَ إِن
شَاء الله آمِنِينَ مُحَلِّقِينَ رُؤُوسَكُمْ وَمُقَصِّرِينَ لَا تَخَافُونَ فَعَلِمَ مَا لَمْ
تَعْلَمُوا فَجَعَلَ مِن دُونِ ذَلِكَ فَتْحاً قَرِيباً . هُوَ الَّذِي أَرْسَلَ رَسُولَهُ
بِالْهُدَى وَدِينِ الْحَقِّ لِيُظْهِرَهُ عَلَى الدِّينِ كُلِّهِ وَكَفَى بِاللَهِ شَهِيداً 
"Allahu e nxori të vërtetë ëndrrën e të Dërguarit të Tij. Në dashtë Allahu, keni për të hyrë në faltoren e shenjtë me flokët të qethura apo të rruara, pa frikë e në siguri të plotë. Allahu di atë që ju s'e dini, prandaj edhe para kësaj ju dha një fitore të shpejtë! Allahu e ka dërguar përfaqësuesin e vet me fenë e vërtetë eprore mbi të gjitha fetë dhe mjafton Allahu dëshmitar!" (el-Fet’h, 27-28)
Umreja kada e kryer nga i Dërguari i Allahut (s.a.s) së bashku me shokët e tij, ushtroi një ndikim shumë të madh mbi mekasit. Pa kaluar shumë, persona të tillë nga parësia e Kurejshve, si triumfatori i ardhshëm i Sirisë Halid bin Velidi, , Osman bin Talhai, triumfatori i ardhshëm i Egjiptit Amr bin Asi iu bashkuan karvanit të besimtarëve!
Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s) po dilte nga Meka, bija e Hz. Hamzait, Umame (r.anha) e ndoqi pas dhe e arriti. Ajo i bëri zë:
“O im ungj, o im ungj!”
Hz. Aliu e kapi për dore dhe i tha Hz. Fatimesë (r.anha):
“Merre me vete vajzën e tët ungji!”
Pastaj, kur arritën të gjithë në Medinë, Hz. Aliu, Zejdi dhe Xhaferi (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!) u përpoqën sekush për ta marrë nën kujdestari Umamen.
“Ajo është vajza e tim ungji!” – Thoshte Hz. Aliu.
“Edhe ajo është vajza e tim ungji, edhe unë jam i martuar me tezen e saj!” – Thoshte Xhaferi (r.a.).
“Ajo është vajza e tim vëllai!” – Thoshte Zejdi. (I Dërguari i Allahut e pati bërë atë vëlla me Hamzain (r.a.).
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) vendosi që Umame të qëndronte pranë tezes dhe tha:
“Tezja është në vend të nënës!” 
Pastaj, duke iu drejtuar Hz. Aliut (r.a.), i tha:
“Ti je imi dhe unë jam yti!”
Duke u kthyer nga Xhaferi (r.a.), i tha:
“Sa ngjet me mua në krijim dhe në karakter!”
Dhe, duke iu drejtuar Zejdit (r.a.), i tha:
“Ti je edhe vëllai ynë, edhe i zgjedhuri (i çliruari) ynë!”
Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i bëri kompliment secilit veç e veç!” (Buhari, Megazi, 43, Umre, 3; Muslim, Xhihad, 90)
Hz. Aliu (r.a.) thotë kështu:
“Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i bëri kompliment Zejdit, ai u gëzua aq shumë, sa u ngrit dhe filloi të vinte rrotull me një këmbë rreth të Dërguarit të Allahut. Edhe kur i bëri kompliment Xhaferit, edhe ai filloi të vinte rrotull në të njëjtën mënyrë pas Zejdit. Pastaj më erdhi radha mua që të më bëjë kompliment dhe të filloj edhe unë të sillem rrotull pas tyre!” (Ahmed, I, 108; Vakidi, II, 739)

VITI I TETE I HIXHRETIT
Vdekja e vajzës së Profetit, Hz. Zejneb
Ngaqë e rrëzuan nga deveja kur po sillej nga Meka, Hz. Zejneb (r.a.) u sëmur, nuk u shërua më dhe vdiq në fillim të vitit të tetë të hixhretit. Atë e lanë Ummu Ejmen, gruaja ensare Ummu Atije dhe, nga gratë e Profetit, Hz. Sevde me Ummu Selemen. Para se të fillonin larjen, Profeti u afrua tek to dhe i porositi kështu:
“Filloni ta lani nga ana e djathtë dhe organet e jashtëqitjes; një herë me ujë dhe sidr289; po ta shihni të domosdoshme, lajeni tri, pesë, shtatë ose më shumë herë. Radhën e fundit të larjes, në ujë futni kamfur dhe, kur të mbaroni, më thoni!”
Hz. Zejnebit ia krehën flokët, ia ndanë në tri tufa dhe çdo tufë e bënë gërshet. Dy nga gërshetat qenë nga flokët e anëve, kurse njëra, nga flokët e përparme. Kur e mbaruan larjen, i Dërguari i Allahut ua dha peshtemallin që kishte lidhur për mesi dhe u tha:
“Këtë bëjani Zejnebit këmishë të brendshme!”290 (Buhari, Xhenaiz, 9, 13, 17; Muslim, Xhenaiz, 36; Ibni Sa’d, VIII, 34-36)
Pasi ia fali namazin e të vdekurit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i hidhëruar e i dëshpëruar, zbriti në varr. Pasi qëndroi pak aty, doli jashtë me pamje të gëzuar dhe tha:
“Duke menduar dobësinë e Zejnebit, iu luta Allahut për t’ia lehtësuar shqetësimin dhe nxehtësinë e varrit. Allahu i Lartë ma pranoi lutjen dhe ia lehtësoi mundimin e varrit!” (Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, VII, 131)

Legjenda e shkruar nga një grusht sahabesh: LUFTA E MUTES 
(Xhejshul Umera)
(xhemadhijelevvel, 8 h. / gusht-shtator, 629 e.r.)
Edhe nëse ndaj përfaqësuesve që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati dërguar me letra pranë sundimtarëve të ndryshëm për t'i ftuar në Islam, mbahej një qëndrim fyes, ata ktheheshin në Medinë shëndoshë në sajë të rregullit mbi paprekshmërinë e përfaqësuesve. Por fundi i Harith bin Umejrit që qe dërguar pranë sundimtarit të Busras, qe i ndryshëm. Kur Harithi (r.a.) arriti në Mute, Shurabihl bin Amr, nga sundimtarët gassanitë, ia preu rrugën dhe e pyeti se ku po shkonte. Pasi Harithi (r.a.) i tha se ishte përfaqësues i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), mizori fatkeq Shuhrabil, duke e shkelur paprekshmërinë e përfaqësuesit, e vrau atë sahabi të bekuar në mënyrë barbare.291
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u hidhërua shumë për vrasjen e Harith bin Umejrit në atë mënyrë. Meqë ky qëndrim dhe veprim që përbënte një akt dhune kundër vetë Islamit, bartte kuptimin e mospërfilljes së plotë ndaj muslimanëve, u përgatit menjëherë një ushtri prej tre mijë vetësh. Ndryshe, autoriteti i shtetit islam do të tronditej dhe mund të shfaqeshin pasoja të këqija.
Duke u mbështetur në vullnetin mbarënjerëzor të Islamit, i cili kishte shembur diferencimin klasor të periudhës paraislamike të injorancës, Profeti e caktoi libertin e tij, Zejdin (r.a.), komandant të ushtrisë së porsapërgatitur dhe dha këtë porosi:
"Po qe se bie dëshmor Zejdi, komandën ta marrë Xhaferi; po qe se bie dëshmor Xhaferi, komandën ta marrë Abdullah bin Revaha; po qe se edhe ky bie dëshmor, muslimanët të caktojnë vetë si komandant njërin nga mesi i tyre!"
Një çifut që i dëgjoi këto fjalë, e vlerësoi porosinë si një shpallje vdekjeje, shkoi te Hz. Zejdi (r.a.) dhe i tha:
"Lëre testamentin! Po qe se Muhammedi është pejgamber, ti s'ke për t'u kthyer më! Sepse edhe personat që përmendeshin nga pejgamberët e të bijve të Izraelit, nuk ktheheshin më të gjallë nga lufta..." 
Edhe nëse çifuti deshte të fuste frikën në zemrën e këtij njeriu të zgjedhur, Hz. Zejdi nuk ia vuri veshin. Madje u gëzua! (Ibni Kethir, el-Bidaje, IV, 238)
Çifuti intrigant nuk e dinte se, ashtu si të gjithë shokët e Profetit (s.a.s.), edhe Zejdi (r.a.) digjej nga dëshira për të rënë dëshmor!
Abdullah bin Revaha (r.a.) i cili i plotësoi përgatitjet, pasi shkoi te i Dërguari i Allahut, për fytyrën e trëndafiltë të të cilit do ta merrte malli, dhe i la lamtumirën, i tha:
“O i Dërguari i Allahut, më jep një këshillë që ta mësoj përmendësh!”
Profeti i tha:
“Ti nesër do të arrish në një vend ku Allahut i bëhet pak sexhde. Shumoji atje sexhdet dhe namazet!”
Ai i tha prapë: 
“O i Dërguari i Allahut, më këshillo edhe pak!”
Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha kështu:
“Allahun përmende gjithmonë! Sepse përmendja e Allahut të ndihmon t’ia arrish asaj që shpreson!” (Vakidi, II, 758)
Profeti (s.a.s.) e përcolli ushtrinë islame me lutje gjer jashtë Medinës, në vendin e quajtur "Senijetul Veda" dhe e nisi kundër armikut. Ai dha urdhër që muslimanët të shkonin gjer në vendin ku ishte ekzekutuar Harithi, t’i ftonin në Islam ata që ndodheshin atje dhe në qoftë se nuk do ta pranonin Islamin, të përlesheshin me ta duke kërkuar ndihmë nga Allahu.292
Ndërkaq, Shurahbili mori lajmin e lëvizjes së ushtrisë islame dhe, me mbështetjen edhe të Bizantit, përgatiti një ushtri prej njëqind mijë vetësh. Me ta erdhi e u bashkua një ushtri arabësh krishterë prej njëqindmijë vetësh.293
Faktin se ushtria armike ishte e kësaj madhësie, ushtria islame e mësoi vetëm kur hyri në tokat e Sirisë. Atëherë muslimanët që s'e prisnin një situatë të tillë, u këshilluan mes tyre. Shumica ishte e mendimit se duhej njoftuar Profeti (s.a.s.) dhe duhej vepruar sipas porosive të tij, sepse forcat ishin në një çekuilibër të pakrahasueshëm. Një raport i tillë s'ishte parë në histori! Dhe sapo do të merreshin vesh për ta njoftuar të Dërguarin e Allahut, kur ndërhyri Abdullah bin Revaha i cili tha:
“Gjëja nga e cila druhemi këtë çast, a s’është gjëja për të cilën kemi dalë në rrugë? A nuk kemi luftuar gjer tani kundër armikut me epërsi numerike dhe fuqi më të madhe? Por kemi luftuar dhe luftojmë me fuqinë e kësaj feje të dhuruar nga Allahu! Ç'presim akoma? Ne, dy përfundime të bukura na presin: ose të biem dëshmorë, ose të dalim fitimtarë!"
Pas këtyre fjalëve u muar vendim për të luftuar dhe ata marshuan para me shpejtësi. Zejd bin Erkam (r.a.) tregon kështu:
“Unë isha një jetim nën edukimin e Abdullah bin Ravahasë. Kur pati dalë në fushatën e Mutes, më pati marrë edhe mua me vete në vithet e devesë. Ndërsa po udhëtonim natën, e pata dëgjuar të recitonte disa vargje me këtë kuptim:
“Moj deveja ime, po të më çosh mua dhe barrën time edhe katër konaqe përtej burimit në ranishte, s’kam për të të nxjerrë më në luftë! Ti ke për të mbetur pa zot, e lirë, sepse, siç duket, unë s’kam për t’u kthyer më në shtëpi! Shpresoj të bie dëshmor! Erdhën muslimanët dhe më lanë në tokat e Sirisë të dëshiruar për të mbetur këtu përjetësisht. Tashmë s’më interesojnë më as drurët e hurmave që kanë bërë kokrra, që janë ujitur me ujin e shiut, as ato që janë ngopur me ujë të ujitura në rrënjë!”
Unë pata qarë. Abdullai (r.a.), duke më prekur me kamxhikun, më pati thënë:
“O mistrec! Ç’dëm ka sikur Allahu të ma mundësojë mua të bie dëshmor, kurse ti të kthehesh në shtëpi mes plaçkave mbi deve? Kurse unë shpëtoj nga hallet dhe hidhërimet e kësaj bote!”
Pastaj pati zbritur dhe pati falur dy reqate namaz. Pas namazit pati bërë një lutje të gjatë dhe pati thënë:
“Në dashtë Allahu, në këtë luftë do të më mundësohet të bie dëshmor!” (Ibni Hisham, III, 431-432; Vakidi, II, 759)
Në fshatin Mute, ushtria islame sa një grusht, nën komandën e Hz. Zejdit, sulmoi mbi radhët e armikut pa iu trembur syri! Ata që ia kishin kushtuar zemrat besimit në një Zot të vetëm, tani po fitonin karakteristikën e atyre që japin jetën në rrugën e Allahut. Kur lufta ishte ndezur mjaft, ra dëshmor nga goditja e heshtave armike komandanti Zejd (r.a.), drita e syve e të Dërguarit të Allahut dhe një nga tetë muslimanët e parë të Mekës!
Sipas urdhrit të Profetit (s.a.s.), komandën e mori menjëherë Xhaferi (r.a.). Edhe ai u fut në radhët e armiqve trimërisht. Pas goditjeve të njëpasnjëshme të shpatave armike, i humbi të dy krahët. Që të mos e linte flamurin e të Dërguarit të Allahut të binte përtokë, u përpoq ta shtrëngonte në gjoks me krahët e cunguara. Dhe pak më pas ra dëshmor. Hz. Xhaferi (r.a.) ishte i dehur me dashurinë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Kështu, duke arritur suksesin e flijimit të shpirtit në këtë rrugë, arriti të fitonte pëlqimin hyjnor.
Radha i kishte ardhur Abdullah bin Revahasë. Edhe ai, me të njëjtin pasion, e valëviti flamurin në radhët e armiqve. Me qëllim që të mos e ngatërronte egon me gjëra të tjera, u dha porosi me zë të lartë shokëve që kishte pranë:
"Dëshmoni se të gjithë pasurinë që kam në Medinë, ia lë thesarit të shtetit!"
Pastaj u përlesh heroikisht gjersa ra dëshmor. Pas rënies dëshmor të Abdullah bin Revahasë, flamurin e mori në duar Hz. Halid bin Velidi (r.a.) i cili sapo ishte bërë musliman dhe po merrte pjesë në luftën e parë në radhët e ushtrisë islame. Ai tregoi një qëndrueshmëri të madhe së bashku me një grusht sahabesh kundër një armiku që i ngjante një tufe karkalecash.
Në këtë mes, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), në minberin e faltores, po ua përcillte shokëve të gjithë zhvillimin e luftës çast pas çasti dhe në të gjitha faqet e saj. Sheshin e luftës e kishte para syve. Dëshmorët që po binin atje, i përshkruante me vuajtje dhe hidhërim:
“Zejd bin Harithe e mori flamurin në dorë. Shejtani i erdhi menjëherë pranë, ia tregoi jetën dhe botën të pëlqyeshme, kurse vdekjen, të shëmtuar! Kurse Zejdi i tha:
“Ky është çasti kur besimtarët e forcojnë besimin në zemra, kurse ti kërkon të ma bësh këtë botë të dashur!” 
Dhe eci para. Hyri në përleshje dhe, më në fund, ra dëshmor! Lutiuni Allahut për të ta falë e ta mëshirojë!”
Pastaj vazhdoi:
“Tani ai hyri në xhennet, ku është duke vrapuar andej-këtej. Pastaj flamurin e mori Xhaferi. Shejtani i shkoi menjëherë pranë, ia tregoi jetën dhe botën të pëlqyeshme, kurse vdekjen, të shëmtuar! Kurse Xhaferi i tha:
“Ky është çasti kur besimtarët e forcojnë besimin në zemra!” 
Dhe eci para. Sulmoi mbi ushtrinë armike, u përlesh dhe, më në fund, edhe ai ra dëshmor! Unë dëshmoj se ai ra dëshmor!”294
Pastaj, i Dërguari i Allahut vazhdoi:
“Lutiuni Allahut për falje për vëllain tuaj! Ai hyri në xhennet si dëshmor. Tani në xhennet ai fluturon si të dëshirojë me dy flatrat prej smeraldi!”
Pasi tha se pas Xhaferit, flamurin e mori Abdullah bin Revaha, i Dërguari i Allahut pushoi pak. Ensarëve iu ndryshoi fytyra, iu zverdh. Ata filluan të mendojnë se Abdullah bin Revaha kishte bërë diçka që nuk i pëlqente të Dërguarit të Allahut. Kurse në ato çaste, Hz. Abdullai që kishte rrëmbyer flamurin dhe po përparonte mbi kalë drejt armikut, përpiqej ta mposhtte nefsin, egon e vet:
“O nefsi im! Unë u betova se do të të bëj të më nënshtrohesh mua dhe ose ti vetë e pranove këtë, ose unë të detyrova ta pranosh! E shoh se ti nuk të pëlqen fort xhenneti! Mirëpo, ç’je ti për mua më shumë se një pikë ujë në calik? O nefsi im! Nëse s’ke për t’u vrarë tani, a mos nuk ke për të vdekur? Po qe se vepron si ata dy të tjerët dhe parapëlqen të biesh dëshmor, do të bësh një punë të mirë! Po qe se vonohesh, ke për t’u bërë fatkeq!”
Në këtë mes, Abdullai (r.a.) që i ishte plagosur gishti, zbriti nga kali, e shkeli me këmbë gishtin e plagosur dhe pothuaj të këputur, dhe recitoi vjershën me këtë kuptim:
“A nuk je ti vetëm një gisht që rrjedh gjak dhe që je plagosur në rrugën e Allahut?” 
Pastaj, duke e tërhequr dorën me forcë, e këputi gishtin nga lëkura që e mbante ende. Dhe vazhdoi të luftonte! Ndërkaq, ndërsa nga njëra anë zhvillonte luftën e vogël kundër armikut, nga ana tjetër vazhdonte të grindej me nefsin e vet, domethënë, të zhvillonte luftën e madhe me vetvete:
“O nefsi im! Nëse e ke hallin se ke për të mbetur pa grua, ja ku e ndava atë duke e thënë këtë gjë tri herë! Nëse e ke hallin se ke për të mbetur pa skllevër e shërbëtorë, ja ku ua dhashë lirinë! Ose, nëse e ke hallin se ke për të mbetur pa bahçe e bostane, ja ku ua dhurova ato Allahut dhe të Dërguarit!”
Profeti (s.a.s.) vazhdoi t’i përshkruajë skenat e luftës:
“Abdullah bin Revaha e mblodhi veten, u përlesh me armikun me flamurin në dorë dhe ra dëshmor! Ai hyri në xhennet i lëkundur, prandaj lutiuni Allahut ta falë e ta mëshirojë!”
Ensarëve u erdhi shumë e rëndë që Abdullai (r.a.) kishte hyrë në xhennet i lëkundur.
“O i Dërguari i Allahut, ku e kishte hallin ai?” – E pyetën ensarët.
Profeti (s.a.s.) iu përgjigj:
“Pasi u plagos, u druajt të përleshej me armikun. Pastaj e dënoi nefsin (egon, veten) e vet, mori guxim, dhe ra dëshmor! Dhe hyri në xhennet. Të tre m’u treguan në xhennet mbi frone të artë, kurse fronin e Abdullait e pashë të shtrembër dhe më poshtë se të shokëve! Kur pyeta për shkakun, m’u tha:
“Duke shkuar për t’u përleshur, Abdullai kaloi disa lëkundje, pastaj hyri në luftë!”
Pas kësaj, ensarët u lehtësuan që Hz. Abdullai kishte rënë dëshmor dhe kishte hyrë në xhennet!
Duke i përcjellë këto, hidhërimi i zemrës së Profetit erdhi duke u shtuar e duke u shtuar gjersa nisën t'i rrjedhin nga sytë lotët si sumbulla inxhish dhe tha:
"Flamurin tani e mori një shpatë prej shpatave të Allahut... Më në fund, Allahu u mundësoi luftëtarëve fitoren!” (Buhari, Megazi, 44; Ahmed, V, 299; III, 113; Ibni Hisham, III, 433-436; Vakidi, II, 762; Ibni Sa’d, ııı, 46, 530; Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, III, 237)
Pastaj, duke i ngritur duart drejt selisë hyjnore me sy të përlotur, u lut:
“Allahu im, Halidi është njëra prej shpatave të tua! Ndihmoje atë!” (Ahmed, V, 299)



Talenti komandues i Halid bin Velidit
Hz. Halid bin Velidi e drejtoi luftën me mjeshtëri të përsosur gjersa armiku, me rënien e natës, u tërhoq në pushim. Natën, Halidi e ndryshoi krejtësisht rreshtimin e ushtrisë muslimane: ushtarët e krahut të majtë i nxori në krah të djathtë, ushtarët e krahut të djathtë, në krah të majtë; rreshtat e para i nxori pas, kurse të pasmet, përpara. Të nesërmen, kur armiku pa para vetes fytyra krejt të reja, u hutua! Duke pandehur se muslimanëve u kishin ardhur përforcime, armiku u lëkund. Atëherë, shpata e Allahut, Hz. Halidi (r.a.), duke e shfrytëzuar në çast lëkundjen e armikut, bëri një sulm shumë të fuqishëm. Armiku që s'e priste një sulm të tillë, nuk mundi t'i qëndronte furisë së besimtarëve që u derdh mbi të, dhe nisi të jepte shenja shthurjeje. Më në fund, armiku mbeti i detyruar të bënte një tërheqje strategjike. 
Atëherë edhe Hz. Halidi (r.a.), në duart e të cilit atë ditë ishin thyer plot nëntë shpata,295 duke e vlerësuar si duhet manevrën e armikut, nisi ta tërhiqte ushtrinë muslimane pa rënë në sy. Kjo manevër taktiko-ushtarake qe veprimi i dytë që vulosi gjenialitetin e tij ushtarak. Kështu, të dy ushtritë u tërhoqën pa u mundur. Hz. Halidi (r.a.) e solli ushtrinë islame në Medinë pa dhënë humbje të tjera. Në një luftë që kishte vazhduar shtatë ditë, ata kishin humbur vetëm pesëmbëdhjetë dëshmorë. Kurse nga armiku kishte shumë të vrarë. Ushtria muslimane solli me vete edhe pak a shumë plaçkë lufte! (Vakidi, II, 764, 768; Ibni Sa’d, III, 407)
Profeti u tha muslimanëve:
“Mblidhuni dhe pritini vëllezërit!”
Dhe, megjithëse ishte një ditë shumë e nxehtë, të gjithë muslimanët u mblodhën. Edhe i Dërguari i Allahut hipi në deve dhe doli për t’i pritur luftëtarët. Meqë fëmijët po u shkonin pas, Profeti tha:
“Merrini edhe fëmijët në kafshë, kurse të birin e Xhaferit ma jepni mua!”
Dhe e mori Abdullain dhe e hipi para. (Ahmed, V, 299; Ibni Kethir, el-Bidaje, IV, 244)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e miratoi suksesin e Halidit. Edhe atyre që, duke mos e njohur çështjen, i quajtën ushtarët e kthyer pas, "dezertorë", u dha vetë përgjigje:
"Ata nuk janë të ikur nga lufta në rrugën e Allahut, por ata që u përleshën duke sulmuar njërën pas tjetrës!.." (Ibni Hisham, III, 438; Vakidi, II, 765)
Sepse në këtë luftë, me anë të një ushtrie shumë të vogël i ishte treguar grushti, ishte sfiduar një fuqi ushtarake shumë e madhe. Ishte përjetuar kjo e vërtetë e lartë e pohuar nga Allahu:
كَمْ مِنْ فِئَةٍ قَلِيلَةٍ غَلَبَتْ فِئَةً كَثِيرَةً بِإِذْنِ الله وَاللّٰهُ مَعَ الصَّابِرِينَ
"…Sa e sa grupe të vogla, me dëshirën e Allahut, kanë triumfuar mbi grupe të mëdha; Allahu është bashkë me durimtarët!.." (el-Bakara, 249)
Lufta e Mutes është lufta e parë e zhvilluar mes muslimanëve e të krishterëve. Një shkëndijë besimi tremijëshe shpoi tejpërtej një fuqi perverse njëqind a dyqindmijëshe!
*
Bashkëshortja e Hz. Xhaferit, Esma binti Umejs thotë:
“Kur Xhaferi me shokë ranë dëshmorë, i Dërguari i Allahut (s.a.s) na erdhi pranë. Atë ditë kisha bërë tabak dyzet lëkura. Pasi e kisha zënë brumin e bukës, ua pata larë sytë fëmijëve dhe ua pata krehur flokët. I Dërguari i Allahut më qyeti:
“O Esma, ku janë fëmijët e Xhaferit?”
I mori fëmijët në gji, i puthi dhe i përkëdheli. Ndërkaq, filluan t’i ridhnin lot nga sytë. Unë e pyeta:
“O i Dërguari i Allahut, nënë e babë t’u bëfshin fli, pse qan? Pse sillesh ashtu ndaj fëmijëve të mi? Apo mos ka ardhur ndonjë lajm i hidhur nga Xhaferi me shokë?”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) m’u përgjigj:
“Po, ata sot ranë dëshmorë!”
Dhe unë nisa të vajtoja duke thënë:
“Mjerë, imzot, mjerë Xhaferi im!
Profeti u ngrit dhe shkoi te e bija, Fatimja, dhe i tha:
“Bëni ushqim për familjen e Xhaferit! Ata sot janë të zënë me hidhërimin që u ka rënë mbi krye!”
Familjes së Xhaferit (r.a.) iu çua tri ditë ushqim. Profeti tri ditë nuk shkoi fare te shtëpia e Xhaferit duke i lënë në hallin e vet. Pastaj shkoi dhe u tha:
“Mjaft qatë për tim vëlla! Mos qani më! Këtej e tutje, kujdesi për fëmijët e tim vëllai më takon mua!”
Biri i Hz. Xhaferit, Abdullah (r.anhuma) thotë:
I Dërguari i Allahut na çoi si zogj në shtëpinë e vet dhe urdhëroi:
“Më thërrisni një berber!”
Berberi erdhi dhe na qethi flokët. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ngriti duart dhe u lut duke e përsëritur lutjen tri herë:
“Allahu im, ndihmoje familjen e Xhaferit dhe Abdullait bëja dorën të begatshme në tregti!”
Kur erdhi ime ëmë, ia tregova këtë dhe ajo u gëzua shumë. Profeti i tha asaj:
“Ti mos u frikëso aspak për ushqimin dhe kujdesin e këtyre fëmijëve! Unë jam kujdestari i tyre në këtë botë e në tjetrën!” (Ahmed, I, 204-205; Ebu Davud, Terexhxhul, 13/4192; Ibni Hisham, III, 436; Vakidi, II, 766; Ibni Sa’d, IV, 37)
Abdullah bin Xhafer (r.a.) na përcjell këtë kujtim të bukur që tregon interesimin e afërt të Profetit (s.a.s.) për ta:
“E mbaj mend mirë se, kur unë dhe dy fëmijët e Hz. Abbasit, Kusemi me Ubejdullain, po luanim në sokak, na erdhi i Dërguari i Allahut me një kafshë shale. Duke bërë shenjë mua, tha: “Ma ngrini këtë!” Dhe më uli para. Pastaj, duke bërë shenjë Kusemin, tha: “Ma ngrini edhe këtë!” Dhe e uli në vithe.
I ungji i të Dërguarit të Allahut, Abbasi (r.a.), nga dy djemtë e vet, donte më shumë Ubejdullain se Kasemin. Megjithëkëtë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk u drojt nga i ungji dhe në vithe hipi Kusemin. Pastaj ma fërkoi kokën tri herë dhe u lut:
“Allahu im! Ti dilu për zot bijve të Xhaferit!”296 (Ahmed, I, 205; Hakim, III, 655/6411)

Erdhi e vërteta, gënjeshtra u shemb:
TRIUMFI I MEKES (20 ramazan, 8 h. / 10 janar, 630 e.r.)
Sipas paktit të Hudejbijes mes muslimanëve e politeistëve të Mekës, afati i paqes ishte dhjetëvjeçar. Ndërkaq, çdo ditë që kalonte, politeistët ndiheshin të shqetësuar gjithnjë e më shumë prej përhapjes së Islamit në Gadishullin Arabik. Prandaj edhe nisën dalëngadalë t'i shkilnin nenet e paqes dhe, me kalimin e kohës, e shtuan mosrespektimin ndaj tyre dhe guximin për t'i shkelur ato. Kishin kaluar 17-18 muaj nga pakti i Hudejbijes, kur, duke e nxitur fisin Beni Bekr, të lidhur pas tyre, e hodhën kundër fisit Hudhaa që ishte musliman, dhe disa prej tyre morën pjesë personalisht në këtë krim të poshtër.297
Kur fisi Hudhaa, i lidhur pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s), u sulmuan, ndodheshin në namaz dhe, në përfundim të një vrasjeje kriminale, dikush ra dëshmor në këmbë, dikush në sexhde e, dikush në ruku. Madje, megjithëse u strehuan në Harem, në zonën e paprekshme të Qabes, Kurejshët dhe Beni Bekirët e vazhduan vrasjen e tyre duke e shkelur paprekshmërinë e Haremit. Situata iu njoftua menjëherë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).298 
Duke e dëgjuar Amr bin Salimin, i cili qe i pari që ia solli këtë lajm të hidhur, Profetit (s.a.s.) iu mbushën sytë me lot të cilët, duke i rrjedhur si pika margaritarësh, ia lagnin faqet! Profeti ishte dëshpëruar shumë! Ai i tha për ta ngushëlluar sahabiut zemërplagosur Amr bin Salim:
“Ti na erdhe në ndihmë, o Amr” (Ibni Hisham, IV, 12; Vakidi, II, 784-785)  
Pavarësisht nga çdo gjë, në fillim i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u dërgoi mekasve një notë të ashpër, sepse ata e kishin shkelur paktin e paqes në një mënyrë shumë të rëndë. Profeti u parashtronte atyre tri alternativa: ose të paguanin dëmshpërblim për të vrarët e fisit Hudhaa, ose të hiqnin mbrojtjen për fisin Beni Bekr, ose, po të mos i pranonin asnjërën prej këtyre dy alternativave, paktin e Hudejbijes ta quanin të pavlefshëm.
Politeistët kriminelë, me sytë plot urrejtje dhe gjak, zgjodhën propozimin e tretë: ta prishnin zyrtarisht paktin e paqes!299 Dhe kjo do të thoshte t'i ftoje muslimanët për ta pushtuar Mekën!
Edhe nëse më vonë politeistët i mblodhën mendtë, gjithshka kishte marrë fund, pakti ishte anuluar nga të dy anët! Për ta riparuar gjendjen, prijësi i Kurejshve, Ebu Sufjani, mori rrugën e Medinës. I Dërguari i Allahut (s.a.s), i cili me anë të zbulesës hyjnore mori në çast lajmin e nisjes së tij për rrugë, ua njoftoi këtë shokëve të tij po në atë çast.300 Askush në Medinë nuk i doli para e nuk i dha të njohur Ebu Sufjanit, i cili u ndesh atje në një indiferentizëm dhe heshtje të plotë. Fundja, në Medinë zotëronte një atmosferë e zymtë zije për të rënët e fisit Hudhaa. Edhe Ummu Habibe, e bija e Ebu Sufjanit, bashkëshorte e Profetit (s.a.s.), ia hoqi nga duart stolin ku deshte të ulej Ebu Sufjani kur arriti te shtëpia e së bijës. Ebu Sufjani i shtangur e pyeti të bijën:
"Bija ime, a e pe stolin të padenjë për mua, apo mua të padenjë për stolin?"
E shtënë gjer në vetmohim pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Ummu Habibe iu përgjigj kështu:
"Ky stol është i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Prandaj ti, si një politeist i fëlliqur, nuk je i denjë për t'u ulur aty!"
Ebu Sufjani ngriu. Ai mundi t'i thoshte vetëm kaq së bijës:
"Ime bijë, unë s'po të njihkam dot!.."
Por Ummu Habibe, e paprekur nga këto fjalë, ia kujtoi të atit se vlera e lartë e besimit qëndronte mbi çdo gjë:
"Jo, Allahu më ka nderuar mua me Islamin!.." (Ibni Hisham, IV, 12-13)
Atëherë, Ebu Sufjani i mbetur pa shpresë para këtij qëndrimi krejtësisht mohues të të gjithë sahabeve me Profetin (s.a.s.) në krye, u detyrua të kthehej në Mekë pa bërë asgjë dhe, duke u thënë mekasve që e kishin vënë në mes, se paqja ishte e pamundur, t'u thotë kështu:
“Unë po vij nga një popull që i ka bashkuar zemrat te një zemër e vetme! Vallahi, unë bisedova me secilin prej tyre, të mëdhenj e të vegjël, burra e gra, tek të cilët pata shpresë se do të nxirrja gjë, por nuk pata asnjë rezultat!” (Abdurrezak, V, 375)
Në këtë mes, Profeti dha urdhër të nisnin përgatitjet e fushatës luftarake. Ndërsa fiset e afërta u thirrën në Medinë, të largëtat u urdhëruan ta prisnin ushtrinë e të bashkoheshin me të atje ku ndodheshin. Po veprohej me një mënyrë tepër të fshehtë. Që armiku të mos dyshonte për këtë veprimtari kaq të madhe, Profeti dërgoi nga ana e Sirisë një repart, ndërkohë që i vinte të gjitha anët nën një kontroll të rreptë. Profeti tregohej tepër i vendosur që, me ndihmën e Zotit, kjo fushatë të përfundonte pa derdhur gjak dhe për këtë mori shumë masa paraprake:
Para së gjithash, megjithëse i urdhëroi sahabet të bënin përgatitje për luftë, nuk ua tregoi qëllimin duke e mbajtur të fshehtë se ku do të shkonte.301 Madje, as shoku më i afërt, Ebu Bekri (r.a.), nuk e kishte kuptuar se do të shkohej në Mekë, prandaj e kishte pyetur për objektivin e fushatës të bijën, bashkëshorten e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Hz. Aishenë (r.anha), e cila i kishte thënë:
“S’e di! Ndoshta kërkon të shkojë te Beni Thulejmët, ndoshta te Thekifët, ndoshta te Hevazinët!” (Ibni Hisham, IV, 14)
Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i kishte zënë të gjitha rrugët që të çonin në Mekë, me qëllim që mekasit të mos bënin ndonjë përgatitje për luftë dhe që triumfi i Mekës të bëhej me mënyrën e paqes, i kishte hequr të gjitha mundësitë që ndonjë spiun të shkonte në Mekë dhe ishte lutur kështu:
“Allahu im, gjersa të arrij në vendin e tyre, mbaji spiunët dhe lajmëtarët e Kurejshve, bëji ata që të mos shohin e të mos dëgjojnë! Dhe lidhua sytë Kurejshve në mënyrë që të më gjejnë mua befasisht para vetes!” (Ibni Hisham, IV, 14)
Edhe kur u nis nga Medina, për t’i hutuar Kurejshët, Profeti shkoi te fiset aleate në kahje të kundërt me Mekën dhe, duke bërë një lëvizje rrethore, e shtoi tepër papërcaktueshmërinë e synimit të vet. Prapë, me këtë synim, kur arriti në afërsi të Mekës, urdhëroi që çdo ushtar të ndizte një zjarr më vete në mënyrë që, në sajë të ndikimit psikologjik, të sigurohej përshtypja se ushtria muslimane ishte tepër e madhe!302
Përsëri me të njëjtin synim, duke mos hyrë nën ihram në Dhulhulejfe si vend mikati, Profeti vazhdoi ta ruajë fshehtësinë mbi drejtimin e vërtetë të fushatës.303
Pasi shtiu në dorë fuqinë dhe forcën e duhur, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i përdori ato jo për t’i vrarë njerëzit dhe për t’ua pushtuar tokat, por për t’ua hapur zemrat ndaj Allahut, për të siguruar arritjen nga ana e tyre të orientimit të vërtetë dhe lumturisë së vërtetë. Sepse ai ishte “Profeti i Mëshirës” i dërguar si mëshirë dhe orientim për botët!
Këtë botëkuptim të muslimanëve mbi luftën dhe paqen, Allahu i Lartë e shpreh kështu në ajetet kur’anore:
الَّذِينَ إِنْ مَكَّنَّاهُمْ فِي الْأَرْضِ أَقَامُوا الصَّلَاةَ وَآتَوُا الزَّكَاةَ وَأَمَرُوا
بِالْمَعْرُوفِ وَنَهَوْا عَنِ الْمُنْكَرِ وَلِلّٰهِ عَاقِبَةُ الْأُمُورِ 
“Kur u japim besimtarëve pushtet në tokë, ata e falin drejt namazin, e japin zeqatin, e urdhërojnë të mirën dhe e ndalojnë të keqen. Ndërkaq, përfundimi i të gjitha punëve i përket Allahut!” (el-Haxh, 41)
Ndërsa të gjithë shokët e Profetit e respektonin këtë fshehtësi, Hatib bin Ebi Beltea nga gazinjtë, fitimtarët e Bedrit, kishte shkruar një letër për në Mekë, ku informonte për situatën, dhe e kishte nisur me një grua. I informuar nga zbulesa hyjnore, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ua tregoi Hz. Aliut, Zubejrit dhe Mikdadit (r.anhum exhmain) gruan dhe vendin se ku do ta gjenin atë dhe i nisi me detyrë. Gruaja u kap atje ku tha i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Iu muar letra dhe u suall te i Dërguari i Allahut. Në letër shkruheshin këto:
"O Kurejshë! I Dërguari i Allahut po vjen kundër jush me një fuqi të tillë që do të vërshojë mbi ju si errësira e natës! Betohem në Allahun se edhe sikur i Dërguari i Allahut të vijë mbi ju i vetëm, Allahu do ta bëjë atë triumfues mbi ju dhe do ta sjellë në vend premtimin e dhënë! Shihni qysh tani të shpëtoni kokën!" (Ibni Kethir, el-Bidaje, IV, 278)
Në të vërtetë, në këto shprehje nuk kishte as gënjeshtër, as tradhti. Megjithatë, armikut i zbulohej një e vërtetë që duhej mbajtur e fshehur. Profeti (s.a.s.) e thirri menjëherë Hatibin dhe e pyeti:
"O Hatib, e pse e bëre këtë?"
Dhe Hatibi, një fitimtar  i Bedrit, i penduar rëndë, iu përgjigj:
"O i Dërguari i Allahut! Emigrantët mekas kanë dikë atje që t'ua mbrojë familjet e pasurinë. Kurse unë nuk kam askënd. Me këtë letër unë desha që, duke i bërë ata mirënjohës ndaj meje, të siguroja mbrojtjen e familjes e të pasurisë sime! Unë nuk jam spiuni i tyre! Dhe këtë punë nuk e bëra me një qëllim të keq siç është kthimi nga feja. Pasi u bëra musliman, unë kurrë nuk e kam pranuar dhe nuk e pranoj mohimin. Vallahi, besimi im për Allahun dhe të Dërguarin është i pafund!.."
Pas këtyre fjalëve, Profeti, monumenti i mëshirës, e fali atë duke thënë: "Hatibi e mbrojti veten drejt!.."
Kurse Hz. Omerit që deshte t'ia priste kokën Hatibit, ia kujtoi se Zoti do t'ua falë gabimet pjesëmarrësve në luftën e Bedrit duke i thënë kështu:
“Por ai mori pjesë në luftën e Bedrit! Kush e di, ndoshta Allahu i Lartë u njoh me gjendjen e njerëzve të Bedrit dhe urdhëroi: “Bëni siç dëshironi, se ju kam falur!” (Buhari, Megazi, 9; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 161)
Krahas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), në ballafaqim me ajetet e zbritura ato çaste, ua njoftoi të gjithë sahabeve me Hatibin në krye, çështjen se nuk duhet bërë miqësi me armiqtë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَتَّخِذُوا عَدُوِّي وَعَدُوَّكُمْ أَوْلِيَاء تُلْقُونَ إِلَيْهِم
بِالْمَوَدَّةِ وَقَدْ كَفَرُوا بِمَا جَاءَكُم مِنَ الْحَقِّ يُخْرِجُونَ الرَّسُولَ
وَإِيَّاكُمْ أَنْ تُؤْمِنُوا بِاللهِ رَبِّكُمْ إِنْ كُنْتُمْ خَرَجْتُمْ جِهَاداً فِي سَبِيلِي
وَابْتِغَاءَ مَرْضَاتِي تُسِرُّونَ إِلَيْهِم بِالْمَوَدَّةِ وَأَنَا أَعْلَمُ بِمَا أَخْفَيْتُمْ
وَمَا أَعْلَنْتُمْ وَمَنْ يَفْعَلْهُ مِنْكُمْ فَقَدْ ضَلَّ سَوَاء السَّبِيلِ 
"O ju që besuat! Po qe se keni dalë për të luftuar në rrugën time e për të fituar pëlqimin tim, mos tregoni dashuri për dushmanët e mi që janë edhe dushmanët tuaj, mos i bëni miq duke ushqyer dashuri të fshehtë për ta! Ata e kanë mohuar të vërtetën e ardhur te ju. Ata ju nxorën ju dhe Pejgamberin nga vatrat pse i besuat Allahut. Unë i di mirë edhe atë që e fshihni, edhe atë që e thoni hapur! Kush e bën këtë, do të thotë se ka dalë nga rruga e drejtë!"
إِنْ يَثْقَفُوكُمْ يَكُونُوا لَكُمْ أَعْدَاء وَيَبْسُطُوا إِلَيْكُمْ أَيْدِيَهُمْ وَأَلْسِنَتَهُم
بِالسُّوءِ وَوَدُّوا لَوْ تَكْفُرُونَ . لَنْ تَنفَعَكُمْ أَرْحَامُكُمْ وَلَا أَوْلَادُكُمْ
يَوْمَ الْقِيَامَةِ يَفْصِلُ بَيْنَكُمْ وَاللّٰهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ 
"Po qe se ata ju futin në dorë, do të bëhen armiqtë tuaj, do t'ju bëjnë keq me gjuhët dhe duart e tyre. Fundja, ata duan që ju të mohoni!.. Ditën e kiametit, të afërmit dhe fëmijët tuaj nuk do t'ju sjellin dobi, sepse Allahu do t'ju dallojë. Allahu e sheh se ç'punoni!" (el-Mumtehine, 1-3)304
Me këto ajete-argumente, muslimanëve u është ndaluar që të bëjnë miqësi me mohuesit me pretekstin e familjes, fëmijëve, mallit, pasurisë, etj. Kështu, biri i Hz. Nuhut (a.s.) u shkatërrua pse ishte ndër mohuesit. Po kështu, edhe mbi gruan e profetit Lut pati rënë ndëshkimi hyjnor ngaqë qe bërë bashkë me perversët e qe bërë si ata. Për rrjedhojë, afërsia gjinore e tyre me profetë nuk pati shprehur për ta asnjë lloj vlere.
***
Në vitin e tetë të hixhretit, në ditën e dhjetë të Ramazanit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli nga Medina në krye të një ushtrie madhështore prej dhjetë mijë vetësh. Meqë ndodheshin në xhihad, e bëri iftarin në rrugë dhe po këtë gjë kërkoi edhe prej shokëve.305
Kur arritën në vendin e quajtur Xhuhfe, Profeti u takua me Hz. Abbasin. I bërë musliman që më parë, Hz. Abbasi e pati mbajtur fshehur këtë fakt dhe pati mbetur në Mekë nga ku pati vazhduar t'i dërgonte informacione të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) mbi planet dhe veprimet e politeistëve mekas. Një shkak tjetër për të cilin kishte qëndruar në Mekë, ishte edhe detyra që kishte përsipër për t’u dhënë haxhinjve ujë. E tani, duke menduar se kishte ardhur më në fund koha, kishte dalë në rrugë për hixhret së bashku me familjen dhe njerëzit që kishte nën kujdestari.306 I gëzuar shumë nga takimi me të, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
I Dërguari i Allahut, i cili u gëzua shumë nga ky takim, i tha Hz. Abbasit:
"Ashtu siç jam unë i fundit i pejgamberëve, edhe ti u bëre i fundit i emigrantëve!" (Ali el-Muttaki, XI, 699/33387)
Gjatë këtij udhëtimi të shkëlqyer të bërë drejt triumfit të Mekës, u shpalos një tablo madhështore që do të ishte shembullore për tërë njerëzimin. Kjo ishte vepër e mënyrës së vështrimit ndaj krijesave me vështrimin e Krijuesit. Ushtria e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) rridhte si rrebesh. Nga të katër anët e Arabisë, fiset që porsa ishin bërë muslimanë, bashkoheshin grupe-grupe me ushtrinë Islame. Në mund të thuhet kështu, përjetohej dita e ringjalljes dhe e grumbullimit të njerëzimit. Ndërsa po kalonte me këtë ushtri madhështore nëpër zonën Arxh për në Talub, Profeti pa në rrugë një qen të tendosur me të gjithë trupin mbi këlyshët e vet që po u jepte gji.Thirri menjëherë sahaben Xhuajl bin Thuraka dhe e vuri roje pranë qenit duke e porositur që qeni nënë dhe këlushët e saj të mos trembeshin nga ushtria islame që po kalonte me entuziazmin e fitores!307
Ç’pamje tronditëse ishte kjo! Vallë, a ishte bërë dëshmitare historia njerëzore gjer atëherë në një tablo të tillë mëshire?308
Edhe gjatë një ngjarjeje të madhe që ishte një pikëkthesë me rëndësi historike, si triumfi i Mekës, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) merrej me çështjen më të parëndësishme që ndoshta do të konsiderohej imtësi, duke e quajtur veten përgjegjës për një qen-nënë me të vegjlit e saj! Prandaj, një mësim tjetër që duhet të marrim nga kjo ngjarje, është se personat që ndodhen në pozita drejtuese, duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë për çdo gjë gjer në imtësirat më të vogla dhe se duhet të jenë syçelë e të gatshëm për të ndërhyrë në çdo situatë eventuale.309
***
Në këtë mes, mekasit s'dinin asgjë se ç'po ndodhte. Kur vunë re në luginën Merru Zahran, një konak udhë larg Mekës, pamjen madhështore të formuar mes urdhër të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) me zjarret e ndezura veç e veç nga njësitë e ushtrisë së muslimanëve që kishin arritur gjer aty pa u diktuar dhe kishin ngritur fushim, i zuri tmerri e u fluturuan mendtë!
Ebu Sufjani mori me vete Hakim bin Hizamin dhe Budejlin dhe të dy tok dolën prej Meke për të bërë një vëzhgim përreth. Kur i panë mijëra zjarret e ndezura nga ushtarët islamë, u hutuan. U përpoqën ta merrnin me mend se të ç’kujt fisi duhet të ishin, ndërkohë që nuk u shkoi ndërmen aspak se aty mund të ndodheshin Profeti me sahabet! Por, me që Meka, ndërkohë, ishte vënë brenda një dare rrethimi të dendur, ata ranë menjëherë në dorë të një postblloku, u arrestuan dhe u çuan para Profetit.310
Ndërsa Hz. Omeri (r.a.) sillej rrotull Profetit (s.a.s.) për ta vrarë Ebu Sufjanin, i ungji Abbas (r.a.) kërkonte faljen e tij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili me gjenialitetin e tij politik të pashoq, zbatonte taktika nga më të ndryshmet, i tha të ungjit:
"Merre Ebu Sufjanin dhe çoje në vendkalimin e ushtrisë të shohë shkëlqimin e saj!.."
Ky veprim do të thoshte që të përgatitej për Ebu Sufjanin një gjendje shpirtërore e tillë që do ta pengonte atë dhe mekasit të ndërmerrnin kot së koti ndonjë veprim kundër muslimanëve. Kështu, duke mos treguar mekasit asnjë lloj qëndrese, do të mënjanohej derdhja e gjakut.
Hz. Abbasi (r.a.) e mori Ebu Sufjanin dhe e çoi atje ku i tha i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ushtria islame kishte nisur lëvizjen dhe repartet e saj kalonin një e nga një. Nga gjokset besimtare të çdo reparti lartësohej gjer në qiej apoteoza (Arapça metin) "Allahu Ekber!", "Allahu është më i Madhi!" 
Ebu Sufjanit iu verbuan sytë para një pamjeje të tillë! Dhe, kur para tij kaloi kohorta e Profetit, duke mos e fshehur habinë dhe tmerrin, i tha kështu Abbasit:
"O Abbas, sa e paska zmadhuar mbretërimin biri i vëllait tënd!"
"Jo - i ndërhyri Abbasi - ky nuk është mbretërim, po profetësi!.."
"Po, po, ashtu është!" - miratoi Ebu Sufjani. (Buhari, Megazi, 48; Hejsemi, VI, 164; Ibni Sa’d, II, 135; Ibni Ethir, el-Kamil, II, 242)
Pastaj shkuan përsëri pranë Profetit (s.a.s.). Dhe zotëria i botëve e pyeti Ebu Sufjanin:
"Ej, Ebu Sufjan, akoma s'ka ardhur koha të thuash (Arapça metin) "La ilahe il'lallah", “Nuk ka zot tjetër veç Allahut”?
Pasi u mendua pak, Ebu Sufjani e tha Fjalën e Njësisë, por nuk e tha pjesën e vërtetimit të Profetit, i cili e pyeti prapë:
"Po koha për të thënë se unë jam i Dërguari i Allahut, s'ka ardhur?"311
Megjithëse Ebu Sufjani do të donte pak kohë për të vendosur për këtë, me nxitjen edhe të Hz. Abbasit, e shqiptoi të plotë Fjalën e Dëshmisë. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke i bërë kompliment atij, filloi t'i numërojë vendet ku populli i Mekës do të ishte nën garanci e siguri, përmendi edhe shtëpinë e Ebu Sufjanit për ta ngrohur zemrën e tij ndaj Islamit:
"Kush hyn në Shtëpinë e Shenjtë (Qaben), është i siguruar. Kush nuk del prej shtëpie, është i siguruar. Dhe kush strehohet në shtëpinë e Ebu Sufjanit, është i siguruar!" (Ebu Davud, Haraxh, 24-25/3021-3022; Hejsemi, VI, 164-166; Ibni Hisham, IV, 22)
Ndërsa Ebu Sufjani i lënë i lirë kthehej në shtëpi, Profeti u jepte shokëve porositë e fundit:
"Për sa kohë që nuk do t'ju sulmojë kush, askënd të mos vrisni!" (Ibni Hisham, IV, 28)
Pas kësaj, Profeti i dha urdhër ushtrisë të ndarë në katër krahë, për marshim. Kështu, Meka u mbush nga të katër anët me buçimën e apoteozave.
Profeti (s.a.s.), i cili, tetë vjet më parë ndahej plot hidhërim nga Meka i shoqëruar me dy deve e katër njerëz, atë ditë, në saje të favorit të Zotit, kthehej plot shkëlqim në Mekën e bekuar me një fuqi madhështore prej dhjetë mijë vetësh. Pjesëtari zemërvrarë i atij qyteti, i përzënë nga vatra e vet, atë ditë ishte një triumfator mbi atë qytet! Por ai, pa i lejuar vetes asnjë lloj krenarie, hynte, megjithatë, në qytet i përkulur dysh mbi qafë të devesë, me thjeshtësi ndaj Zotit të Lartë. Ashtu po hynin edhe shokët e tij të bekuar. Aq shumë e kishte përkulur kokën në shenjë përuljeje nda Allahut të Lartë, sa majat e mjekrës pothuaj i preknin në samarin e devesë! Në atë mes, vazhdimisht thoshte:
أَللَّهُمَّ لاَ عَيْشَ إِلاَّ عَيْشُ الْآ خِرَةِ
“Allahu im! Jetë është vetëm jeta e ahiretit!”312 (Vakidi, II, 824; Buhari, Rikak, 1)  
Edhe gjendja shpirtërore e sahabeve që e kishin bërë të vetin moralin profetik, nuk ndryshonte nga gjendja shpirtërore e të Dërguarit të Allahut!
Ushtria islame nuk hasi në asnjë lloj qëndrese. Kjo edhe në saje të trajtimit të veçantë të Ebu Sufjanit, i cili i kishte porositur mekasit që askush të mos i dilte kundër ushtrisë madhështore islame. Vetëm në vendin ku kish hyrë Halid bin Velidi kishte ndodhur një përleshje e vogël që ishte qetësuar menjëherë.
Duke kënduar suren e fitores (Feth), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u drejtua, bashkë me shokët e tij, në Qaben Madhështore. Pasi e bëri tavaf Qaben pa zbritur nga deveja, Profeti, duke kënduar ajetin
جَاء الْحَقُّ وَزَهَقَ الْبَاطِلُ
"Erdhi e vërteta, gënjeshtra u shemb...!" (el-Isra, 81), me shkopin që kishte në dorë, nisi t'i thyente e t'i rrëzonte personalisht idhujt e Qabes. (Buhari, Megazi, 48; Muslim, Xhihad, 87; Vakidi, II, 831-832)
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pa në Shtëpinë e Allahut piktura, nuk hyri brenda. Ai urdhëroi që të fshiheshin ato më parë. Sahabet e zbatuan urdhrin menjëherë.
Kur Profeti (s.a.s.) pa brenda pikturat e Hz. Ibrahimit dhe të Hz. Ismailit me shigjeta falli ndër duar, tha kështu:
“Allahu ua marrtë shpirtin politeistëve që i kanë bërë këto portrete. Vallahi, këta profetë kurrë nuk e kërkuan kismetin me anë të fallit, përkundrazi, e ndaluan!” (Buhari, Enbija, 8, Haxh, 54, Megazi, 48)
Miku i madh i Zotit, poeti mistik Mevlana (k.s.), e shpreh kështu domosdoshmërinë për t’i qenë mirënjohëstë Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i cili, i theu idhujt duke u vënë gjoksin gjatë një jete të tërë vuajtjeve dhe mundimeve të papërfytyrueshme: 
“O ti që sot je musliman! Po qe se nuk do të ishin përpjekjet e Hz. Ahmed (a.s.) dhe vendos mëria e tij për t’i thyer idhujt, edhe ti, ashtu si të parët e tu, do t’u faleshe idhujve!”
Atë ditë që ngadhnjyen mbi Mekën, muslimanët thanë tekbire dhe tehlile gjer në mëngjes dhe e bën Qaben tavaf pa pushim. Ebu Sufjani që e vuri re këtë gjë, i tha të shoqes, Hind:
“A je e bindur ti se e gjitha kjo është prej Allahut?”

“Po, kjo është punë e Allahut!” – Iu përgjigj Hindi.
Të nesërmen në mëngjes herët, Ebu Sufjani shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). I Dërguari i Allahut i tregoi atij se ç’kishte biseduar të djeshmen mbrëma me të shoqen. Ebu Sufjani tha:
“Dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut! Betohem në Allahun që ka jetën time në dorë, se bisedën tonë s’e ka dëgjuar kush veç Allahut!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, IV, 296)
Pas ngadhnjimit, mekasit i çonin fëmijët te i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili ua fërkonte kokën dhe bënte lutje për ta! (Ahmed, IV, 32)

Festa e amnistisë së përgjithshme
Në këtë mes, Kurejshët ishin mbledhur në Qabe dhe prisnin vendimin që do të jepej për ta. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) mbajti këtë hutbe (ligjëratë) që u drejtohej jo vetëm të pranishmëve, por të gjithë njerëzimit:
"Nuk ka zot tjetër veç Allahut. Vetëm Ai është. Ai nuk ka asnjë të ngjashëm ose të barabartë. Allahu e plotësoi fjalën e dhënë, e ndihmoi robin e Vet dhe të gjithë armiqtë ia shpartalloi! Me përjashtim të shërbimeve të Qabes dhe dhënies ujë haxhinjve, të gjitha traditat dhe zakonet e vjetra, çështjet gjyqësore pasurore dhe gjaqet i kam vënë sot nën këmbët e mia! 
O Kurejshë! 
Allahu i pastroi nga ju krenarinë injorante, mburrjen me soj e sorrollop! Të gjithë njerëzit kanë rrjedhur nga Ademi, kurse ai e ka prejardhjen prej dheu!"
Pastaj Profeti këndoi ajetin e mëposhtëm: 
يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُم مِن ذَكَرٍ وَأُنثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوباً وَقَبَائِلَ
لِتَعَارَفُوا إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ الله أَتْقَاكُمْ إِنَّ الله عَلِيمٌ خَبِيرٌ 
"O njerëz! Pa dyshim, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli e një femre dhe ju ndamë në fise e kombe që të dalloheni e njiheni mes jush. Më i çmuari prej jush në lartësinë e Allahut, është ai që e ka më shumë frikë Atë! Pa dyshim, Allahu është i ditur dhe i informuar për çdo gjë!" (Huxhurat, 13) (Ibni Maxhe, Dijat, 5; Ahmed, II, 11; Tirmidhi, Tefsir, 49/3270)
Më në fund, Meka e Shenjtë, si një shpërblim i lumtur i Hajberit, u kishte hapur prehrin të zotërve të vërtetë të saj në një atmosferë triumfi shpirtëror, faljeje dhe paqeje të përgjithshme ku sundonin siguria dhe fryma e drejtësisë. Kishte marrë fund edhe malli për Mekën, malli i mbushur plot vuajtje, ankthe, dhunë, padrejtësi e vështirësi. Prandaj, Profeti, si shprehje të falenderimit më të madh për këtë realitet, u shpalli popullit të Mekës amnistinë e përgjithshme:
"O kurejshë! Ç'mendoni se do të bëj unë tani për ju?"
Kurejshët iu përgjigjën: "Duke shpresuar të mirën prej teje, ne mendojmë se ti do të na bësh të mirë se ti je një vëlla i mirë dhe je biri i një vëllai të mirë!"
Dhe Profeti (s.a.s.) u tha: 
"Edhe unë, ashtu siç u tha Jusufi vëllezërve të vet, po ju them:
لاَ تَثْرَيبَ عَلَيْكُمُ الْيَوْمَ يَغْفِرُ الله لَكُمْ وَهُوَ أَرْحَمُ الرَّاحِمِينَ 
"Sot s'ka asnjë qortim për ju! Allahu ju faltë! Pa dyshim, Ai është më mëshiruesi i mëshiruesve! (Jusuf, 92)  
Shkoni, jeni të lirë!"
Kurse në një ligjëratë tjetër, u tha:
"Sot është dita e mëshirimit. Sot është dita kur Allahu do t'i forcojë dhe lartësojë Kurejshët me Islamin!"
Në përfundim të këtyre ngjarjeve, edhe një numër i konsiderueshëm vrasësish të muslimanëve, madje, u bënë muslimanë! Allahu i Lartë bëri që politeistët mekas t’i binin në dorë të Dërguarit, të nënshtroheshin. Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i fali dhe i la të lirë ata. Për këtë shkak, mekasit u mbiquajtën “tuleka”, “libertë”, njerëz që u ishte dhënë liria.313
Dëshira më e madhe e Profetit ishte që të gjithë njerëzit pa përjashtim të bëheshin muslimanë. Fakti që, megjithëse Profeti, pas ngadhnjimit të Mekës, u ndodh në kulm të fuqisë dhe forcës, dhe iu krijuan të gjitha mundësitë për të marrë shpagim nga njerëzit të cilët dikur s’kishin lënë të keqe pa i bërë, nuk veproi kështu, por, përkundrazi, shpalli amnistinë e përgjithshme, është shfaqje e mrekullueshme e mënyrës së trajtimit të krijesave sipas vështrimit të Zotit!
Meka e cila kishte vite që bëhej dëshmitare vetëm e talljeve, fyerjeve, dhunës dhe armiqësisë, me festën e amnistisë së përgjithshme që shpalosej atë ditë, përjetonte një shfaqje mëshire dhe dashurie të papërshkrueshme. Ndërkaq, një mekas i quajtur Fedale i cili donte t’i hidhte hije kësaj bukurie, iu afrua Profetit me qëllim për ta vrarë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) që e dinte shpirtërisht qëllimin e tij, duke mos treguar asnjë lloj shqetësimi dhe zemërimi, por duke ia hapur krahët e dhembshurisë dhe mëshirës, e pyeti Fedalen:
“A ti je Fedale?”
“Po!” – Iu përgjigj ai. Dhe Mëshira e Botëve i tha atij duke ia vënë duart e bekuara në gjoks:
“O Fedale, pendohu dhe bëj pendesë për atë gjë që ke sajuar në kokë!”
Dhe, kështu, zemra e Fedales, tek i cili u shua qysh atë çast mendimi i krimit që e kishte sajuar në mendje, u zbut, u mbush me dritën e besimit dhe, gjithashtu, po atë çast, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u bë në sytë e tij krijesa më e dashur! (Ibni Hisham, IV, 37; Ibni Kethir, es-Sire, III, 583)
Ebu Sufjan bin Harb po rrinte në Qabe e po mendohej. Duke parë se si muslimanët ecnin me Profetin para, mendoi me vete:
“Po sikur të mblidhja ushtarë kundër Muhammedit e të përleshesha përsëri me këtë njeri?”
Atë çast, pa e vënë re ai, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu afrua nga pas, i qëndroi mbi kokë dhe, duke e goditur lehtë me dorë mes dy shpatullave, e vazhdoi kështu mendimin e tij:
“Atëherë, Allahu do të të poshtëronte!”
Ebu Sufjani ngriti kokën dhe, me ta parë të Dërguarin e Allahut, tha:
“Gjer këtë çast nuk pata formuar bindjen e plotë se ti je pejgamber, prandaj, për mendimet që pata, pendohem dhe i kërkoj falje Allahut!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, IV, 296)
***
Edhe Hindi e cila në luftën e Uhudit i kishte nxjerrë dhe kafshuar mëlçinë Hz. Hamzait, ungjit të Profetit (s.a.s.), ditën e triumfit të Mekës, pasi shprehu besimin dhe u bë muslimane, mori amnistinë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e fali atë për respekt të famës së Fjalës së Njësisë.314
Biri i Ebu Xhehlit, Ikrime, ishte ndër dushmanët me emër të Islamit. Ai iku për në Jemen sapo u triumfua Meka. E shoqja muslimane e solli Ikrimen te Profeti. Atëherë, Profeti (s.a.s.) i dërguar si mëshirë për botët, e priti Ikrimen me fjalë të mira, duke i thënë:
"O kalorës shtegtar, mirëse erdhe!"
Dhe e fali atë pa ia përplasur syve të këqijat që u pati bërë muslimanëve! (Hakim, III, 271/5059; Vakidi, II, 851-852)
Edhe Hebbar bin Esed qe ndër armiqtë kryesorë të Islamit. Qe ai që e pati rrëzuar me kast nga deveja të bijën e Profetit (s.a.s.), Zejnebin (r.anha), kur po udhëtonte nga Meka në Medinë. Zejnebi që kishte qenë shtatzënë, e kishte dështuar fëmijën dhe ishte plagosur rëndë. Ajo plagë u bë më vonë shkak për vdekjen e saj. Hebbar bin Esedi kishte bërë edhe faje të tjera si kjo. Ai iku pas triumfit të Mekës dhe nuk u kap dot. Më pas, në Medinë, një ditë, kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po rrinte me sahabet, u kthye, i doli para Profetit dhe e njoftoi se ishte bërë musliman. Profeti (s.a.s.) e fali edhe atë, si dhe e ndaloi që ai të fyhej e të diskriminohej315, sepse në Kur'an urdhërohej:
خُذِ الْعَفْوَ وَأْمُرْ بِالْعُرْفِ وَأَعْرِضْ عَنِ الْجَاهِلِينَ 
"(O i Dërguar!) Ti mbaj udhën e faljes, urdhëro për mirë dhe mos u ndiko prej injorantëve!" (el-A'raf, 199)
Profeti ishte si një Kur'an i gjallë! Morali i Kur'anit shpalosej tek ai në formën më të bukur. Të gjitha fajet e bëra kundër vetes, i falte me zemër, pa u lëkundur aspak. Kurse kur vinte puna për fajet e bëra kundër shoqërisë, komunitetit, askush nuk mundej ta qetësonte atë gjersa ta çonte të drejtën në vend!
Kështu, në Mekë, krahas shpalosjes së një fryme faljeje të përgjithshme, të papërsëritshme, pati ndodhur edhe, për interesa të përgjithshme, që ai të jepte urdhër për ekzekutimin e disa politeistëve dhe tradhtarëve të pandreqshëm.316
Nga Meka nuk u muar asgjë si plaçkë lufte.317 Ndërkaq, për të përballuar nevojat e domosdoshme të ushtrisë islame që kapnin një shumë mjaft të madhe, Profeti mori nga pasanikët e Mekës hua të holla dhe mjete lufte, si parzmore, etj., të cilat i shlyejti më vonë nga plaçka e luftës e Hevazinit dhe tha:
“Shpërblimi i huasë është falenderimi për të dhe rikthimi i saj!” (Vakidi, II, 863; Ebu Davud, Buju, 88/3562; Muvatta, Nikah, 44)
***
Ndërsa mekasit po përjetonin gëzimin e festës së amnistisë së përgjithshme të Profetit (s.a.s.) si një model për të gjithë njerëzimin, kishte hyrë koha e namazit të drekës. Si çdo herë tjetër, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) përsëri e urdhëroi Hz. Bilalin të thërriste ezanin. Bilali (r.a.) kujtoi ato ditë kur, si një skllav, i nënshtruar torturave të pabesueshme, thërriste e rënkonte: "Ehad, Ehad!" (Një, një!" - Zoti është një!). Më në fund, dhuna kishte marrë fund! Tani ishte i lirë dhe, së bashku me një ushtri besimi që kishte arritur fitore, në Mekë. Duke falenderuar Allahun, hipi mbi muret e Qabes dhe nisi të thërriste ezanin me tinguj prekës. Këndonte aq sinqerisht dhe me zemër, saqë të gjitha malet dhe qiejt e Mekës jehonin nga zëri i tij! Qielli u vesh në buzëqeshje, toka u ngazëllua. Ezani muhammedian, i kënduar atë ditë, mbeti për besimtarët një kujtim i përjetshëm. Disa prej politeistëve që e dëgjuan këtë ezan, thanë të penduar rëndë për ç'kishin bërë më parë:
"Sa keq për ne! Turp e për faqe të zezë! As sa skllevërit nuk vlejtëm dot! Ku ata e ku ne!.."

Besa e mekasve
Pas përfundimit të namazit të drekës, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u ngjit në kodrën Safa. Atje priti dhe pranoi besën e mekasve. Në fillim, burrat i dhanë besën Profetit për "besimin musliman dhe xhihadin". Pastaj i dhanë besën gratë.318 Lidhur me besën e grave, Allahu i Lartë e urdhëronte kështu Profetin:
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِذَا جَاءَكَ الْمُؤْمِنَاتُ يُبَايِعْنَكَ عَلَى أَنْ لاَ يُشْرِكْنَ بِاللهِ 
شَيْئاً وَلَا يَسْرِقْنَ وَلَا يَزْنِينَ وَلَا يَقْتُلْنَ أَوْلَادَهُنَّ وَلَا يَأْتِينَ بِبُهْتَانٍ
يَفْتَرِينَهُ بَيْنَ أَيْدِيهِنَّ وَأَرْجُلِهِنَّ وَلَا يَعْصِينَكَ فِي مَعْرُوفٍ فَبَايِعْهُنَّ
وَاسْتَغْفِرْ لَهُنَّ الله إِنَّ الله غَفُورٌ رَحِيمٌ
"O Pejgamber, kur të të vijnë gratë për të të dhënë besën se nuk do t'i shoqërojnë gjë Allahut, se nuk do të vjedhin, se nuk do të bëjnë kurvëri, se nuk do t'i mbysin fëmijët, se nuk do të shpifin dhe se nuk do të të kundërshtojnë për atë që i urdhëron, pranoje fjalën e tyre dhe lutiu Allahut për to se Allahu është mëkatfalës e mëshirues!" (el-Mumtehine, 12)
Besa e grave u dha me fjalë dhe duke zhytur dorën në një enë me ujë ku e pati zhytur Profeti më parë dhe asnjëherë me tokje duarsh drejtpërsëdrejti.
Umejme binti Rukajka (r.anha) tregon:
“Bashkë me një grup nga gratë ensare, shkuam te Profeti (s.a.s.) dhe i thamë:
“Po të japim besën se nuk do t’i bëjmë shok Allahut askënd dhe asgjë, se nuk do të vjedhim, nuk do të kurvërojmë, nuk do t’i mbysim fëmijët, kurrë nuk do të shpifim, se nuk do të të kundërshtojmë në urdhrat e tua legjitime!”
Profeti shtoi menjëherë:
“Me sa të keni mundësi dhe në çështjet që jua lejojnë fuqitë!”
Pas këtyre fjalëve plot dhembshuri dhe mëshirë, ne i thamë:
“Allahu dhe i Dërguari janë më të mëshirshëm se ne; ejani t’u japim besën!”
Gratë deshën ta japin besën duke i tokur duart, por i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na tha:
“Unë nuk i tok duart me gratë! Fjala që kam thënë para njëqind grave vlen sikur t’ia kisha thënë secilës më vete!” (Muvatta, Bej’at, 2; Tirmidhi, Sijer, 37/37/1597).

Amanetin (detyrën) jepjani atij që i takon
Kur shkoi në Qabe, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u ul në skaj të Faltores së Paprekshme, kurse luftëtarët iu vendosën përreth. I Dërguari i Allahut e çoi Hz. Bilalin te Osman bin Talhai për t’ia sjellë çelësin e Qabes. Hz. Bilali shkoi te Osmani (r.a.) dhe i tha:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e kërkon çelësin e Qabes!”
“Posi!” – Tha Osmani (r.a.) dhe shkoi te e ëma, Thulafe, tek e cila ndodhej atë kohë çelësi. Ai i tha s’ëmës:
“O nënë! Ma jep çelësin se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) më dërgoi njeri për t’ia çuar çelësin atij!”
Thulafe i tha:
“Më ruajtë Allahu që t’ia çoj dhe dorëzoj me dorën tënde diçka me të cilën fisi ynë është nderuar dhe vetëlavdëruar! Pasi ta marrë çelësin prej teje, ai s’ka për të ta kthyer kurrë!”
Pasi u përpoq pak, Osmani (r.a.) ia mori çelësin nënës, ia çoi Profetit dhe i tha:
“Po ta jap këtë si amanet të Allahut!” 
Osmani (r.a.) kishte frikë se mos çelësi nuk do t’i jepej më atij! (Vakidi, II, 833; Hejsemi, VI, 177)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli prej Qabeje. 
Profeti hyri në Qabe duke kërkuar t’ia mbyllnin derën pas. Atje qëndroi disi gjatë dhe fali dy reqate namaz. (Vakidi, II, 835; Ibni Sa’d, II, 137)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli nga Qabja. Pasi mbajti hutbet e fitores, pyeti:
“Ku është Osmani?”
Osman bin Talhai u ngrit në këmbë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) këndoi ajetin:
إِنَّ الله يَأْمُرُكُمْ أَنْ تُؤدُّوا الْأَمَانَاتِ إِلَى أَهْلِهَا وَإِذَا حَكَمْتُمْ
بَيْنَ النَّاسِ أَنْ تَحْكُمُوا بِالْعَدْلِ إِنَّ الله نِعِمَّا يَعِظُكُم بِهِ
إِنَّ الله كَانَ سَمِيعاً بَصِيراً 
"Allahu ju këshillon që amanetet (detyrat) t'ua jepni atyre që u takon (që janë kompetentë) dhe, kur të vendosni mes njerëzve, të vendosni me drejtësi! Ç'këshillë të mirë që ju jep Allahu juve! Pa dyshim, Allahu di dhe sheh!" (en-Nisa, 58)
Pastaj, duke iu drejtuar Osmanit, i tha:
“O të Bijtë Ebu Talha! Merreni amanetin e Allahut të Lartë që të mbetet vazhdimisht tek ju dhe që ju të veproni drejt. Atë s’mund t’jua marrë kush prej dore përveçse me dhunë! Sot është dita e së mirës dhe besës!” (Ibni Hisham, IV, 31-32; Vakidi, II, 837-838; Ibni Sa’d, II, 137)
Ashtu siç u duk edhe në këtë ndodhi, dhënia e amaneteve (detyrave) atyre që u takojnë (që janë kompetentë dhe që e kryejnë më mirë se kushdo atë amanet ose detyrë), është një çështje shumë e rëndësishme. Sepse kur amanetet u janë dhënë kompetentëve, në individin, familjen dhe shtetin ka vazhduar qetësia dhe mbarësia, në të kundërt, edhe perandoritë e mëdha janë shkatërruar. Historia është e mbushur plot shembuj të tillë!
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e përcakton kështu në një porosinë e tij ndjeshmërinë dhe rëndësinë e kësaj çështjeje:
"Kur amaneti të mos i jepet atij që i takon, pikërisht atëherë prite kiametin!" (Buhari, Ilm, 2; Ahmed, II, 361)
Shkurt, mosdhënia e amanetit atij që i takon, përbën njërin prej shenjave më të rëndësishme të kiametit!
Hz. Abbasi (r.a.) i cili e kishte patur edhe më parë detyrën për t’u dhënë ujë haxhinjve, këtë detyrë e kërkoi edhe prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). I Dërguari i Allahut i tha kështu të ungjit:
“Unë nuk po ju jap juve një gjë nga e cila do të mund të siguroni jetesën, si mbulesa që dërgojnë njerëzit për Qaben, por një detyrë të mundimshme siç është dhënia ujë haxhinjve duke shpenzuar nga pasuria juaj dhe, kështu, duke merituar mirësi!”
Dhe i tha që ta vazhdonin detyrën e dhënies ujë haxhinjve!
Abbasi (r.a.) kishte në Taif një vreshtë. Si para Islamit, ashtu dhe më pas, sillte prej atje rrush të thatë, e përzjente me ujin e Zemzemit dhe ua jepte haxhinjve. Pas tij, këtë punë vazhduan ta kryejnë në të njëjtën mënyrë edhe bijtë dhe nipërit e tij! (Ibni Hisham, IV, 32; Ibni Sa’d, II, 137; Vakidi, II, 838)
***
Ditën e dytë të fitores pas namazit të drekës, Profeti (s.a.s.) u ngrit në këmbë mes njerëzve. Pasi e lavdëroi dhe e falenderoi Allahun e Lartë, tha kështu:
“O njerëz! Nuk ka dyshim se atë ditë që Allahu krijoi qiejt e tokën, diellin e hënën, edhe Mekën e bëri të paprekshme dhe ajo e tillë do të mbetet gjer në ditën e kiametit! Pa dyshim, Allahu e pengoi ushtrinë e elefantëve të hynin në Mekë, kurse ua bëri të mundur këtë të Dërguarit dhe besimtarëve! Dhe Meka nuk i bekohet askujt tjetër pas meje! Në Mekë ndalohet gjahu, ndalohet prerja e barit dhe e shkurreve, ndalohet marrja e gjësë së gjetur përveç qëllimit për t’ia gjetur pronarin dhe për t’ia dorëzuar atij! Po qe se dikush vritet, i afërmi i tij ka të drejtë të zgjedhë: ose të kërkojë dëmshpërblim, ose dënimin e njëvlershëm të vrasësit, domethënë, ekzekutimin e vrasësit!”
Hz. Abbasi (r.a.) shtoi:
“Të përjashtohet këputja e barit dhe e shkurreve, sepse i përdorim edhe në shtëpitë dhe varret tona!”
Profeti e pranoi këtë përjashtim!319 (Buhari, Lukata, 7; Megazi, 53; Ahmed, IV, 31-32; II, 238)
***
Edhe kjo pamje tjetër e përjetuar ditën e ngadhnjimit të Mekës, shpalos horizontin afektiv ku sahabet shkëlqyen si yje:
Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po rrinte në Faltoren e Paprekshme, Hz. Ebu Bekri solli të atin, Ebu Kuhafe. Me ta parë, i Dërguari i Allahut i tha:
“O Ebu Bekr, të mos e kishe munduar babanë plak gjer këtu, por të kisha ardhur unë atje!”
Ebu Bekri (r.a.) iu përgjigj:
“O i Dërguari i Allahut! Ardhja e tij tek ti është më me vend se vajtja jote te ai!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e uli Ebu Kuhafen para vetes, ia vuri dorën në zemër dhe i tha:
“Ebu Kuhafe, bëhu musliman që të gjesh paqe!”
Dhe Ebu Kuhafe u bë musliman dhe e tha Fjalën e Dëshmisë sinqerisht! (Ibni Sa’d, V, 451)
Kur Ebu Kuhafe (r.a.) e zgjati dorën te dora e bekuar e Profetit (s.a.s.) për t’i dhënë besën, i dashuri i pasionuar i Profetit, Ebu Bekri (s.a.s.), s’e mbajti dot veten dhe zuri të qajë. Dhe kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti me habi se pse po qante, Hz. Ebu Bekri (r.a.) i tha mes lotësh:
“O i Dërguari i Allahut! Sikur kjo dorë që po të zgjatet për të të dhënë besën, të ishte jo dora e tim eti, por e tët ungji Ebu Talib dhe, atëherë, Allahu i Lartë të të gëzonte jo mua, por ty, kushedi se ç’gëzim të papërshkruar do të ndjeja! Sepse ti e deshe shumë atë!” (Hejsemi, VI, 174)
Ja, pra, një pamje pafundësisht e dëshirueshme për t’u soditur e përfitimit denjësisht nga morali i lartë i atij Profeti të lartë, e shkrirjes së vetes në qenien e tij! Sa herë, vallë, ka mundur ta soditë historia një admirim sublim i këtillë?

Një besnikëri e pashembullt
Pas fitores, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ndenji në Mekë pesëmbëdhjetë ditë. Në këtë mes, disa prej ensarëve filluan të dyshojnë se mos Profeti nuk do të kthehej më në Medinë, sepse Allahu kishte bërë të mundur çlirimin e vendit të bekuar ku ai kishte lindur dhe ishte rritur.
Profeti (s.a.s.) që ndodhej në kodrën Safa duke u lutur, e ndjeu këtë shqetësim të ensarëve dhe, pasi e mbaroi lutjen, i pyeti:
"Ç'po bisedoni?"
Dhe, kur  ata bënë fjalë për shqetësimin e tyre, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke shpalosur një shembull shumë të madh besnikërie, tha kështu:
"O ensarë! Mbështetem te Allahu nga një punë e tillë! Unë emigrova në trojet tuaja; jeta ime është jeta juaj dhe vdekja ime pranë jush do të më vijë!"
Dhe shqetësimi i ensarëve u shpërnda! (Muslim, Xhihad, 84, 86; Ahmed, II, 538)
*
Pas ngadhnjimit të Mekës, duke e shtuar akoma më shumë lavdërimin dhe falenderimin ndaj Allahut, I Dërguari i Madh (s.a.s.) filloi ta këndojë më shpesh zikrin në vijim në namaze, veçanërisht në ruku dhe sexhde:
سُبْحَانَ الله  وَ بحَمْدِهِ أَسْتَغْفِرُ الله وَ أَتُوبُ إِلَيْهِ
“E madhëroj dhe e shenjtëroj individualitetin e lartë të Allahut nga të gjitha dyshimet mbi mangësitë që nuk i përshtaten në të gjitha aspektet, në personalitetin, në aktet dhe në emrat e tij! E lavdëroj Atë me çdo lloj lavdërimi të denjë për Të! Dhe i lutem Allahut të më falë dhe bëj pendesë për mëkatet e mia!”
Kur Hz. Aisheja (r.anha) e pyeti për shkakun e kësaj, Profeti iu përgjigj:
“Zoti im më pati lajmëruar se kisha për të parë një shenjë te ummeti im dhe, kur ta shihja atë, ta përsërisja shpesh këtë zikër!” (Muslim, Salat, 220)
Kështu, edhe në suren Nasr, Profeti qe urdhëruar që, kur t’i vinte fitorja dhe kur ta shikonte se njerëzit po hynin tufa-tufa në Islam, ta shtonte më shumë tesbihin, madhërimin e Allahut, si dhe pendesën.
Eshtë thënë se fjala “nasr” (ndihmë) e sures Nasr aludonte për arritjen e epërsisë mbi të gjithë arabët, kurse fjala “fet’h” (fitore, ngadhnjim), aludonte për ngadhnjimin e Mekës. Ndërkaq, duke u nisur nga kuptimi “hapje” i fjalës “fet’h”, Ibni Abbasi (r.a.) e ka quajtur ngadhnjimin e Mekës “Fet’hul Futuh” (Fitorja e fitoreve), sepse “fet’h”-i këtu, duke mos qenë vetëm marrje e një qyteti nga dora e armikut, ka kuptimin edhe të arritjes së kontrollit mbi Faltoren e Paprekshme dhe të çlirimit të Qabes. Në të njëjtën kohë, shpreh edhe hapjen e zemrave ndaj fesë së Allahut dhe të portës së Islamit për të gjithë njerëzimin. Me fjalë të tjera, Profeti ynë (s.a.s.), atë ditë, më tepër se ngadhnjimin e Mekës si qytet, kishte ngadhnjyer zemrat. Për këtë shkak, ngadhnjimi i Mekës është pranuar si fillimi i ngadhnjimit islam. Ngadhnjimi material dhe moralo-shpirtëror i i Islamit, i përhapur menjëherë në të gjithë Arabinë dhe, prej aty, në të gjithë njerëzimin, ka filluar me hapjen e portës së Qabes. Sepse të gjitha fiset vëzhgonin ngadhnjimin e Mekës me qëllim që të hynin në Islam. Dhe thoshin:
“Lëreni Muhammedin vetëm për vetëm me fisin e tij. Në qoftë se del fitues mbi ta, ai është pejgamber!” (Buhari, Megazi, 53)
Sipas transmetimit të Hasan Basriut, pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e triumfoi Mekën, arabët thanë:
“Ndërsa Allahu i Lartë e mbrojti Mekën nga ushtria e elefantëve dhe komanduesit e saj, triumfi i Muhammedit (a.s.) mbi mekasit do të thotë se dora juaj nuk arrin dot gjer te ai!”
Dhe u futën tufa-tufa në fenë e Allahut! (Elmalılı, IX, 6236-6238)


Lufta fitimtare e Hunejnit (11 shevval, 8 h. / 1 shkurt, 630 e.r.)
I Dërguari i Allahut (s.a.s) nuk shkatërroi vetëm idhujt e Qabes pas ngadhnjimit të Mekës; ai pati organizuar grupe të posaçme për këtë punë dhe i pati dërguar për të thyer e shkatërruar edhe idhujt që ndodheshin përreth, nëpër qendrat e tjera të banimit. Me fjalë të tjera, Profeti pati nisur një pastrim të shenjave të politeizmit për konsolidimin e monoteizmit.320 Por këtë nuk mundën ta pranonin fisi Hevazin që banonte në Hunejn dhe fisi Beni Thekif i Taifit. Ata vendosën t'i sulmojnë muslimanët dhe përgatitën një ushtri të madhe duke marrë me vete gjithçka, sikur të dilnin në një luftë për jetë a vdekje.321
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u informua për lëvizjen e tyre, i shtoi ushtrisë që kishte me vete në Mekë, edhe dy mijë vetë nga Meka dhe marshoi mbi ta. Ç'rastësi kuptimplote që në ushtrinë e Profetit tani merrte pjesë edhe Ebu Sufjani, ai që kishte luftuar kundër muslimanëve për vite të tëra duke u shkaktuar atyre një mijë e një shqetësime! Kurse këtë radhë do të përleshej në radhët e Islamit, për fitoren e tij! Madje në këtë ushtri merrnin pjesë edhe gjer më tetëdhjetë politeistë mekas që ende nuk ishin bërë muslimanë!322
Ushtria muslimane ishte e përsosur nga çdo anë. Ajo bënte përpara me një shkëlqim syverbues drejt Hunejnit. Çdokush mendonte se gjer atëherë, në Gadishullin Arabik nuk qe parë një ushtri kaq e madhe, e pajisur dhe e organizuar!
Kjo situatë, e cila, duke shkaktuar, për një çast, një ndjenjë krenarie te shokët e Profetit, që thanë "Kjo ushtri është e pamposhtur!", u bë shkak për provën hyjnore.
Ndërsa pararoja e ushtrisë muslimane po përparonte me vetëbesim nëpër rrugët e ngushta që të çonin në Hunejn, në gjysmerrësirën e mëngjesit, ra befasisht në pritë. U krijua një panik i madh. Përballë shigjetave që po u binin sipër si shi, muslimanët u ndalën. Në ushtrinë islame u shfaq një çorientim plot lëkundje e shqetësim. Dhe, kur kjo gjendje iu reflektua atyre që vinin nga pas, radhët muslimane u shthurën e ata u kthyen pas, kurse fiset Havazin dhe Thekif u vunë në ndjekje të tyre.
Në atë rrëmujë të tmerrshme, i vetmi që nuk u largua nga vendi i vet, që vazhdoi të sulmonte mbi armikun pa u ndalur e që, duke e nxitur kafshën për të ecur vazhdimisht para, u hodh mes armiqve, qe i Dërguari i Allahut (s.a.s)! Atë ditë Profeti shpalosi modelin legjendar të guximit e të qëndresës! Madje, i ungji Abbas me Ebu Sufjanin, me qëllim që jeta e tij të mos vihej në rrezik, qenë përpjekur t'ia mbanin kafshën që të mos shkonte përpara!323
Çoroditja e ushtrisë muslimane vazhdonte! Ndërkaq, kishte nga ata që filluan të thoshin se "atë ditë magjia, më në fund, ishte prishur", se "kjo disfatë ishte e pafund" e, disa të tjerë, se "Profeti kishte vdekur dhe se arabët do të ktheheshin në fenë e tyre të vjetër"!
Kurse Profeti, i cili qëndronte i pamposhtur mbi kalë, u thërriste shokëve:
"O ensarë, o muhaxhirë, o robtë e Allahut, ejani këtu! Unë jam robi dhe i Dërguari i Allahut!"
Pastaj Profeti i kërkoi të ungjit Abbas (r.a.) që kishte zë të fortë e të kthjelltë, t'i jepte guxim ushtrisë islame. Dhe Abbasi vazhdoi t'u bëjë thirrje e t'u japë zemër muslimanëve:
"O ju që keni dhënë besën në Akabe, o ju që keni dhënë besën Ridvan, ejani, i Dërguari i Allahut është këtu!"
Sahabet që e dëgjuan këtë ftesë, duke thënë (Arapça metin) “Lebbejk, lebbejk”, vrapuan atje ku ndodhej i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kështu, ushtria e shpërndarë filloi dalëngadalë të mblidhej rreth Profetit e të riorganizohej. Ata filluan të rifitojnë qetësinë dhe qartësinë e duhur. Me favorin e Allahut, dalëngadalë, e gjithë ushtria muslimane u kthye pas, u vu në radhë e u organizua.
Profeti ngriti duart drejt rezidencës hyjnore dhe u lut:
"Allahu im! Dhuroma fitoren që ma ke premtuar!"
Ashtu si në luftën e Bedrit, Profeti mori një grusht dhé, e hodhi në drejtim të radhëve armike dhe u thirri shokëve të tij:
"Hajde, tani, sulmoni me vendosmëri e besnikëri!" (Muslim, Xhihad, 76-81; Ahmed, III, 157, V, 286; Ibni Hisham, IV, 72; Vakidi, III, 897-899)
Ushtria islame sulmoi mbi armikun sikur sapo ta kishte filluar sulmin dhe, brenda një kohe të shkurtër, i shkaktoi armikut disfatë. Nga muslimanët kishin rënë dëshmorë vetëm  katër vetë, kurse nga politeistët ishin vrarë shtatëdhjetë vetë. Armiku la në fushën e luftës tërë bazën materiale si dhe plaçkë të madhe që s'kishte të matur e të numëruar!324
Pa dyshim, kjo ishte një favor dhe dhuratë e madhe e Zotit për muslimanët, sepse, ndërsa në fillim ata ishin në gjendje humbjeje, në fund, me qëndrueshmërinë, guximin dhe maturinë e Hz. Pejgamberit (s.a.s.) si dhe me lutjen e tij nga zemra drejtuar Zotit, merituan dhe arritën fitoren. Këtë të vërtetë, Allahu i lartë e shpreh kështu në Kur'an:
لَقَدْ نَصَرَكُمُ الله فِي مَوَاطِنَ كَثِيرَةٍ وَيَوْمَ حُنَيْنٍ إِذْ أَعْجَبَتْكُمْ
كَثْرَتُكُمْ فَلَمْ تُغْنِ عَنْكُمْ شَيْئاً وَضَاقَتْ عَلَيْكُمُ الْأَرْضُ بِمَا رَحُبَتْ
ثُمَّ وَلَّيْتُم مُّدْبِرِينَ . ثُمَّ أَنْزَلَ الله سَكِينَتَهُ عَلَى رَسُولِهِ وَعَلَى الْمُؤْمِنِينَ
وَأَنْزَلَ جُنُوداً لَّمْ تَرَوْهَا وَعذَّبَ الَّذِينَ كَفَرُوا وَذَلِكَ جَزَاء الْكَافِرِينَ 
"Pa dyshim, Allahu ju ka ndihmuar ju në shumë vende (në fushat e betejës) si dhe në luftën e Hunejnit kur juve ju pëlqeu vetja nga numri juaj i madh, gjë që s'ju hyri në punë dhe toka e gjerë ju erdhi e ngushtë e ju u zbrapsët! Pastaj Allahu zbriti qetësinë mbi Profetin dhe besimtarët, zbriti një ushtri të padukshme për ju dhe i ndëshkoi mohuesit. Ja, ky është dënimi i mohuesve!" (et-Tevbe, 25-26)
Me të vërtetë, ata që atë ditë ndodheshin në radhët e politeistëve e më pas besuan, kanë pohuar se kanë parë t'i sulmojnë njerëz krejt të panjohur!325 
Një pjesë e ushtrive të Hevazinit, shkuan në Taif, një pjesë në Nahle, kurse një pjesë ngriti fushim në Evtas.326
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili e fitoi luftën e Hunejnit, urdhëroi ndjekjen e armikut, kurse robërit dhe prenë e luftës e transportoi në Xhirane. Pastaj, për ta plotësuar marshimin, Profeti, një fuqi nën komandën e Ebu Amir el Esh'ariut, të ungjit të Ebu Musa el Esh'ariut, e dërgoi në luginën Evtas, kurse vetë, me ushtrinë islame, u drejtua për në Taif.

Lufta e Evtas (Shevval, 8 h. / shkurt, 630 e.r.)
Në këtë luftë ku i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk mori pjesë personalisht sepse po marshonte për në Taif, komandanti i forcave muslimane, Ebu Amr el Esh'ariu (r.a.), ra dëshmor, po ashtu, edhe në anën armike, u vra komandanti i tyre. 
Kur Ebu Amri (r.a.) u plagos dhe e humbi shpresën, i tha kështu të nipit Ebu Musa:
“O biri i tim vëllai! Bëji të fala prej meje të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), t’i lutet Allahut për mua!”
Ebu Musa el Esh'ariu (r.a.) i cili e mori komandën pasi ra dëshmor i ungji, e pengoi shthurjen e ushtrisë dhe, duke e drejtuar sulmin në mënyrë të përsosur, bëri që flamuri islam të valëvitet me fitore! Pastaj, kur u kthye, ia njoftoi të Dërguarit të Allahut se i ungji kishte rënë dëshmor dhe se, në prag të vdekjes i kishte dhënë porosi për t’iu lutur Allahut për falje! Atëherë, Profeti kërkoi ujë, mori abdest, ngriti duart dhe u lut:
“Allahu im, Fale robën tënd, Ebu Amr! Dhe ditën e kiametit, ngrije atë në një post të lartë mbi shumicën e njerëzve që ke krijuar!”
Me kërkesën e Ebu Musait, i Dërguari i Allahut u lut edhe për të! (Buhari, Megazi, 55)

Rrethimi i Taifit (shevval, 8 h. / shkurt, 630 e.r.)
Taifi, i cili ishte një qytet pothuaj parajsor i zonës së Hixhazit, zotëronte një kala të fuqishme të ngritur mbi një majë. Prandaj edhe rrethimi që i bëri i Dërguari i Allahut (s.a.s.) asaj, kaloi mjaft i vështirë.
Ky rrethim nuk ishte si hakmarrje për të këqijat që i patën bërë dikur taifasit Profetit, por si vazhdim i luftës së Hunejnit, sepse të ikurit prej luftës së Hunejnit, përfshi edhe kryetarin e tyre të ri, Malik bin Avf, ndodheshin që të gjithë në kalanë e Taifit. Ata, së bashku me Beni Thekifët, ishin përgatitur për një luftë të re mbrojtëse.
Në këtë rrethim u përdorën shumë taktika lufte si dhe mjete të reja luftarake. Mirëpo kalaja e Taifit, në një pozicion dominues dhe me mure shumë të forta, u rezistonte mjaft mirë sulmeve. Ndërkaq, nuk qe e mundur as nxjerrja e armiqve jashtë mureve të tyre. Madje edhe kur Halid bin Velidi kërkoi prej tyre një trim për të luftuar vetëm për vetëm, ata iu përgjigjën haptaz: 
“Nuk kemi askënd që të mund të matet me ty!” 
Dhe nuk pranuan të nxirrnin jashtë mureve qoftë edhe një njeri të vetëm! Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke thënë si në vijim, theksoi se po të ngrihej rrethimi, nuk do të kishte ndonjë dëm:
"Armiku ndodhet si dhelpra e mbyllur në strofkë. Nëse i lëmë në hallin e vet, prej tyre nuk na vjen ndonjë e keqe!"
Hz. Muhammedi nuk ishte një dhunues, por një profet i mëshirës dhe dëshironte që, ashtu si për mekasit, edhe për taifasit të bëhej pretekst që të gjenin rrugën e drejtë, prandaj edhe pa kaluar shumë, e ngriti rrethimin. 
Sahabet i kërkuan të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) që ta mallkonte fisin Thekif që u kishte shkaktuar shumë humbje muslimanëve në rrethimin e Taifit, kurse Profeti i mëshirës iu lut Zotit që ata ta gjenin rrugën e drejtë: 
“O Zot, ua mundëso thekifasve rrugën e drejtë! Dhe na i dërgo neve ata!”
Dhe u largua prej andej. Si përfundim, me begatinë e kësaj lutjeje, pas një kohe të shkurtër, thekifasit shkuan vetë te i Dërguari i Allahut për t’u bërë muslimanë. (Ibni Hisham, IV, 134; Tirmidhi, Menakib, 73/3942)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), jo vetëm që nuk e mallkoi fisin i cili para hixhretit qe sjellë shumë keq me të, e kishte zënë me gurë dhe e kishte përgjakur, por e dëshiroi me pasion orientimin e tyre. Me të vërtetë, një vit më vonë, kur ata shkuan te ai dhe u bënë muslimanë, Profeti u mbush me një gëzim të papërshkruar, i gostiti dhe u rezervoi atyre një kohë prej disa ditësh!
Fitorja më e rëndësishme e çastit e atij rrethimi ishte se, pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u premtoi skllevërve të kalasë se, nëse bëheshin muslimanë, do t'u jepte lirinë, shumë prej tyre ikën nga kalaja, u bënë muslimanë dhe e gjetën rrugën e drejtë!327
Ebu Zur’a (r.a.) tregon kështu:
“Gjatë fushatës së Taifit, ndërsa po largohej nga zona Karni Menazil, Profeti (s.a.s.) kërkoi t’i hipte devesë Kasva për t’u nisur, dhe unë ia përgatita. I mbajta në dorë frerët e Kasvas dhe pasi hipa edhe unë në vithe të devesë, ia dhashë frerët atij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e qëllonte devenë me kamxhik që të nisej, kurse kamxhiku binte mbi mua! Kështu që, u kthye nga unë dhe më pyeti:
“Apo mos kamxhiku të qëllon ty?”
“Po, - i thashë unë, - nënë e babë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut!”
Kur zbritëm në Xhirane, diku në një skaj ndodheshin disa dhen. Profeti i pyeti për to nëpunësit që ndodheshin në krye të mallrave të plaçkës së luftës dhe ata i dhanë njohuritë që kërkonte. Pastaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) bëri zë:
“Ku është Ebu Zur’a?”
“Këtu jam!” – I thashë unë.
“Merri këto dhen si dëmshpërblim të kamxhikëve që hëngre natën!” – Më tha ai!
Kur i numërova, më dolën njëqind e njëzet kokë. Ato ishin malli që mora unë dhe nga të cilat përfitova më shumë!” (Vakidi, III, 939)
Drejtësia dhe respektimi i veçantë që shpalosi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) në këtë ngjarje, paraqet një përmbajtje dhe cilësi qo do t’u bënte dritë epokave!

Ndarja e plaçkës së luftës 
Pasi e ngriti rrethimin e Taifit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), së bashku me ushtrinë, shkoi në Xhirane ku ishin grumbulluar skllevërit dhe plaçka e luftës. Në këtë mes, aty kishte arritur edhe Ebu Musa el Esh'ariu pasi kishte fituar betejën e Evtasit. Ushtria islame i kishte shpartalluar të gjithë armiqtë. Tani radha i kishte ardhur ndarjes së presë së luftës. Ishin grumbulluar njëzet e katër mijë deve, dyzet mijë të imta, katër mijë ukije argjend si dhe gjashtë mijë robër.328
Para se të fillonte ndarjen e plaçkës, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha kështu:
"Ata që kanë me vete pjesë nga plaçka e luftës, ta kthejnë nga peri e gjilpëra, të gjithë! Dijeni mirë se pabesia në plaçkën e luftës i kthehet personit në ditën e kiametit si zjarr..." (Muvatta, Cihad, 22; Ahmed, V, 136)
Në këtë mes, Profetit i erdhi lajmi se mes robërve të luftës ndodhej Hz. Shejma, dyjarja, motra e vet e qumështit. Profeti çoi menjëherë t'ia sillnin pranë atë dhe, kur erdhi, nxori xhybenë e vet e ia shtroi poshtë që të ulej. Duke treguar ndaj atij njeriu me të cilin ishin rritur bashkë, një besnikëri, dhembshuri dhe respekt të pakufishëm, Profeti e përshëndeti:
“Mirëse erdhe!”
Dhe kujtoi ato kohë të shkuara dhe iu mbushën sytë me lot. E pyeti për prindërit. Shejma i tha se ata kishin kohë që kishin vdekur. I Dërguari i Allahut mori dijeni edhe për të afërmit e tjerë. Pastaj i tha:
“Po deshe, qëndro pranë meje e dashur dhe e nderuar! Po deshe, të jap mallra me vete dhe të dërgoj te fisi yt!”
Shejmaja i tha:
“Më jep mallra dhe më dërgo te fisi!”
Pastaj ajo u bë muslimane. I Dërguari i Allahut i dha Shejmasë për të dhe për të afërmit e gjallë, deve dhe bagëti të imta. Në mënyrë të veçantë, Shejmasë i dha edhe një burrë e një grua skllevër. Shejmaja i martoi ata me njëri-tjetrin. (Ibni Hisham, IV, 91-92; Vakidi, III, 913) 
Pas kësaj, Profeti e shtyu edhe ca ndarjen e plaçkës. Ata që nuk mundën ta rroknin urtësinë e kësaj shtyrjeje dhe që dorëzimin dhe nënshtrimin fetar e kishin të dobët, u ankuan. Arabët beduinë filluan ta kërkonin me këmbëngulje ndarjen e plaçkës së luftës. Si përfundim, e ndaluan Profetin nën pemën Themure. Xhybeja i ngeci në dru.Profeti (s.a.s.) e ndaloi devenë dhe u tha:
“Ma jepni xhyben! Po të kisha në dorë kafshë sa të gjitha këto pemë, do t’jua ndaja të gjithëve dhe atëherë do ta shihnit se s’jam koprrac, gënjeshtar dhe frikacak!” (Buhari, Xhihad, 24)
Gjatë kohës që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po e ndante plaçkën e luftës, iu grumbulluan sipër dhe aq shumë e shqetësuan, sa, më në fund, duke e pasur fjalën për një profet të mëparshëm, u tha kështu:
“Allahu i Lartë e kishte dërguar një robin e vet te një fis. Fisi e rrahu dhe ia gjakosi kokën. Kurse ai edhe e fshinte me dorë gjakun që i rridhte, edhe lutej për ta:
“O Zot, fale fisin tim se nuk dinë se ç’bëjnë!” (Ahmed, I, 456; Muslim, Xhihad, 105)
Urtësia e veprimit të Profetit me ngadalësi në ndarjen e plaçkës së luftës arriti të kuptohej vetëm në ditën e dhjetë të ardhjes së Profetit në Xhirane. Një delegacion i fisit Havazin të mundur erdhën te i dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe e njoftuan se ishin bërë muslimanë. Me këtë pretekst, kërkonin t’u ktheheshin robërit dhe mallrat. Në këtë mes, njëri nga fisi i të bijve Sa’d u ngrit në këmbë dhe tha:
“O i Dërguari i Allahut! Këta që ndodhen nën këtë hije, janë hallat dhe tezet e tua të qumështit dhe ato që janë kujdesur për ty! Po qe se ne do ta kishim ushqyer dhe rritur mbretin e Sirisë apo Irakut, të kishim rënë në këtë gjendje dhe t’i kishim kërkuar mëshirë dhe mirësi, nuk do të na e kursente. Kurse ti je më i miri e më i dobishmi i atyre që janë ushqyer me gji e janë rritur nën kujdes!”
Profeti (s.a.s.) u tha kështu:
"Unë e shtyva ndarjen e plaçkës gjer më sot, por ju u vonuat shumë. Tani zgjidhni e merrni: robërit ose mallrat!"
Dhe delegacioni zgjodhi robërit. Atëherë, Profeti u tha:
"Unë do t'ju kthej robërit që u bien në pjesë mua dhe të bijve Abdylmuttalib. Kurse për të tjerët, ejani tek unë nesër pas namazit të drekës!"
Ditën tjetër, Profeti mblodhi shokët e vet dhe ua parashtroi çështjen. Duke ua bërë të ditur edhe se ua kishte kthyer robërit që i binin në pjesë atij dhe të bijve Muttalib, vazhdoi:
"Kush prej jush pëlqen t'i kënaqë vëllezërit duke ua kthyer robërit me gjithë zemër, pa shpërblim, kështu të bëjë! Dhe kush nuk dëshiron ta japë pjesën e vet pa shpërblim, do të paguhet në rastin më të parë që do të na e bëjë të mundur Zoti!"
Kjo mënyrë lutjeje e Profetit (s.a.s.) ndaj shokëve të vet rridhte nga fakti se ai respektonte të drejtën e tyre mbi robërit.
Atëherë, shokët e Profetit, të kënaqur nga sjellja dhe qëndrimi i Profetit dhe me qëllim që edhe ata vetë të merrnin pjesë nga virtyti i tij, thanë:
"Edhe ne ia lamë robërit tanë në dorë të Dërguarit të Allahut!" (Buhari, Megazi, 54; Ibni Hisham, IV, 134-135)
Kështu, atë ditë, në Hevazin, mijëra robër lufte u kthyen pa marrë asnjë shpërblim. Historia kurrë nuk ishte bërë dëshmitare e një skene të tillë! Por tani bëhej dëshmitare e faktit që, në sajë të një morali të ri të papërsëritshëm, të edukuar nga Profeti islam, gjashtë mijë robër liheshin të lirë brenda një çasti dhe pa asnjë shpërblim!
Kjo situatë ishte një shfaqje besnikërie e paçmueshme e Profetit ndaj së drejtës së qumështit që kishte pirë, është një mësim i madh për një popull mizor! Se njerëzimi as që i kujton mirësitë, gjurmët e të cilave tashmë janë fshirë. Tashmë fjala “besë” ka mbetur vetëm nëpër fjalore!
Në përfundim të këtij virtyti të pashoq, të gjithë havazinasit, si një trup i vetëm, e pranuan Islamin. Madje edhe kryetari i fisit, Malik bin Avfi, i cili ndodhej atë kohë në Taif, tejet i habitur nga kjo ndodhi, u kthye në musliman vetëm me një ftesë të thjeshtë të Profetit. Atëherë Profeti, pasi i dhuroi atij njëqind deve, e dërgoi sërish te fisi i vet si kryetar!329
Mësimi që duhet nxjerrë këtu, është se kumtimi më i mirë është ai që shoqërohet apo mbështetet në moralin më të bukur, veçanërisht, se politika e virtytshme bëhet pretekst për frytshmëri të lartë në arritjen e qëllimeve dhe synimeve të ndryshme! Në antagonizëm me këtë, edhe dëmet që do të nxirrnin në shesh sjelljet e këqija e jo të mençura, do të ishin po aq të mëdha!
***
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i ndau mallrat në mënyrën më të bukur. E tërë sasia u nda në pesë pjesë; katër pjesë iu dhanë ushtarëve, kurse një pjesë, thesarit të shtetit, i cili i përkiste si e drejtë Profetit në atë masë sa të dëshironte ai vetë. Para se të niste nga ndarja, Profeti i mblodhi shokët, këputi një qime nga deveja që i ndodhej pranë, dhe u tha:
"Unë s'kam të bëj me mallrat tuaja as edhe sa kjo qime deveje! E pse tregoheni të padurueshëm? Juve do t'jua ndaj mallrat edhe sikur të jenë shumë sa gurët dhe drurët e kësaj lugine! Edhe nëse një të pestën e tyre e heq mënjanë, ajo sërish të varfërve tuaj do t'u shpërndahet!" (Muvatta, Xhihad, 22; Ahmed, V, 316)
Megjithatë, këtë radhë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u dha më tepër, pra, i dalloi ata persona, zemrat e të cilëve kërkonte t'i afronte edhe më shumë ndaj Islamit. Njëri nga këta, Hakim bin Hizam (r.a.) tregon kështu:
“I kërkova të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) të më jepte pjesë nga plaçka e luftës dhe ai më dha njëqind deve. I kërkova prapë, prapë më dha njëqind deve. Prapë i kërkova dhe prapë më dha njëqind deve. Pastaj më tha:
“O Hakim! Me të vërtetë, ky mall është i ëmbël e tërheqës. Kush e merr pa treguar lakmi, gjen begati në të. Dhe nëse dikush e merr duke ia qepur sytë me lakmi, te ai mall s’mbetet më bereqet! Një njeri i tillë është si ai që ha e ha e nuk ngopet dot! Dora që jep është më e dobishme se dora që merr!” 
Atëherë, unë i thashë:
“O i Dërguari i Allahut! Betohem në Allahun që të ka dërguar ty me fenë e vërtetë, se, sa të jem gjallë, s’kam për të pranuar gjë prej dikujt përveç teje!”
Hakimi (r.a.) i mori njëqind devetë e para që i dha i Dërguari i Allahut, kurse të tjerat i la. Erdhi dita që Hz. Ebu Bekri (r.a.) e thirri për t’i dhënë pjesë nga malli ganimet, por Hakimi u shmang. Pastaj edhe Hz. Omeri (r.a.) e thirri për t’i dhënë diçka, por Hakimi (r.a.) përsëri s’pranoi. Atëherë, Hz. Omeri (r.a.) tha:
“O muslimanë! Po jua tregoj si dëshmitar Hakimin! Unë po i jap pjesën që ia ka ndarë Allahu nga kjo plaçkë, por ai nuk do ta marrë!”
Si përfundim, Hakimi nuk pranoi asgjë nga askush qysh pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) e gjer në fund të jetës. (Buhari, Vesaja, 9; Vakidi, III, 945)
Safvan bin Umejje nga parësia e politeistëve Kurejshë, megjithëse s’ishte musliman, nuk u nda nga i Dërguari i Allahut si në luftën e Hunejnit, ashtu dhe në rrethimin e Taifit. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) vëzhgonte dhe kontrollonte mallrat e plaçkës së luftës të grumbulluara në Xhirane, edhe Safvani i ndodhej pranë duke e parë me mahnitje tërë atë luginë plot me deve, bagëti të imta dhe çobanë. Profeti i ndiqte me bisht të syrit lëvizjet e tij. Dhe një çast e pyeti:
“Ebu Vehb, po të pëlqen shumë kjo pamje, apo jo?”
“Po!” – Iu përgjigj Vehbi.
“Atëherë, edhe kjo luginë, edhe ato që ndodhen në të, le të jenë të tuat!” – I tha Profeti (s.a.s.).
Duke mos e përmbajtur dot veten, Safvani iu përgjigj:
“Zemra e askujt përveç se e profetit s’mund të jetë kaq bujare!”
Dhe, shprehu dëshminë dhe u bë musliman! (Vakidi, II, 854-855)
Pastaj, më vonë, duke u kthyer te Kurejshët, u tha:
“O populli im! Bëhuni muslimanë! Vallahi, Muhammedi bën dhurata të tilla, që nuk frikësohet aspak nga e papasja dhe varfëria!” (Muslim, Fedail, 57-58)
Profeti u dha, në këtë mënyrë, mallra syverbuese rreth dyzet vetëve, si Ebu Sufjani, Akra bin Habithi, Ujejne bin Hithni, Abbas bin Mirdasi, Malik bin Avfi, të cilët duhej të afroheshin me Islamin.330
Poeti i quajtur Abbas bin Mirdas, duke e parë si të paktë mallin që i ishte dhënë, tha një vjershë qortuese për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Kur e dëgjoi këtë, Profeti e thirri dhe i tha:
“Do të ta pres gjuhën!”
Para kësaj, Profeti e kishte paralajmëruar Bilal Abisinasin që, kur t’i thoshte për t’ia prerë gjuhën Abbas bin Mirdasit, t’i jepte një rrobë. Pastaj e thirri aty Bilalin dhe e urdhëroi me zë të lartë:
“O Bilal, merre këtë, çoje diku tutje dhe preja gjuhën!”
Ndërsa Bilali e kishte kapur për dore dhe po e çonte tutje, Abbasi bërtiste:
“O i Dërguari i Allahut, a do të ma presë gjuhën? O muhaxhirë, a do të ma presë gjuhën? O ensarë, a do të ma presë gjuhën?”
Kurse Bilali vazhdonte ta tërhiqte tutje. Dhe, kur Abbasi i shtoi të bërtiturat dhe klithmat, Bilali i tha:
“Hesht! I Dërguari i Allahut më urdhëroi të ta mbyll gojën duke të të dhënë një rrobë!”
Më në fund, Bilali i dha edhe një rrobë më shumë Abbasit që ishte qetësuar tashmë! Kurse i Dërguari i Allahut ia shtoi pjesën gjer në njëqind deve! (Ibni Sa’d, IV, 273; Muslim, Zekat, 137)
Në këtë mes, Sa’d bin Ebi Vakkas (r.a.) i tha Profetit:
“O i Dërguari i Allahut! E le pa gjë një të varfër si Xhuajl bin Thurakën, kurse u dhe nga njëqind deve njerëzve të pasur dhe nga të parësisë së fisit, si Ujejne dhe Akra!”
Profeti (s.a.s) iu përgjigj:
“Betohem në Allahun që ka jetën time në dorë, se edhe sikur toka të mbushet plot e përplot me njerëz si Ujejne dhe Akra, Xhuajli është më i mirë e më i dobishëm se ta! Por unë përpiqejm t’i afroj ata me Islamin! Kurse Xhuajlin e lidhur ngushtë me Islamin dhe jetën tjetër, ahiretin, e lë me shpërblimet e larta që i janë përgatitur në atë botë!” (Ibni Hisham, IV, 143; Ibni Sa’d, IV, 246)
Ngaqë dhënia me shumicë nga plaçka e luftës personave jomuslimanë që kërkohej të afroheshin me Islamin, u kuptua gabim, shkaktoi pakënaqësi mes sahabeve. Madje, dikush i quajtur Dhulhuvajsira nga të Bijtë Temim, iu drejtua Profetit me një guxim të paedukatë duke i kaluar të gjitha kufijtë:
"O i Dërguari i Allahut! Mbaj drejtësi!"
I hidhëruar shumë për këto fjalë, Profeti ia ktheu me qortim:
"Ashtu, ë? E po qe se edhe unë nuk do të mbaj drejtësi, kush do të mbajë?" (Muslim, Zekat, 148)
Pa kaluar shumë, u zbritën këto ajete:
وَمِنْهُم مَنْ يَلْمِزُكَ فِي الصَّدَقَاتِ فَإِنْ أُعْطُوا مِنْهَا رَضُوا وَإِن لَمْ 
يُعْطَوْا مِنْهَا إِذَا هُمْ يَسْخَطُونَ. وَلَوْ أَنَّهُمْ رَضُوا مَا آتَاهُمُ الله
وَرَسُولُهُ وَقَالُوا حَسْبُنَا الله سَيُؤْتِينَا الله مِنْ فَضْلِهِ
وَرَسُولُهُ إِنَّا إِلَى الله رَاغِبُونَ 
"(O i Dërguar!) Ka nga ata që të shajnë ty për (ndarje në) lëmoshat. Po t'u jepet, kënaqen, po të mos u jepet, menjëherë zemërohen! Eh, (sa mirë do të bëhej) sikur, të kënaqur me aq sa t'u jepnin Allahu dhe i Dërguari, të thoshin: "Allahu na mjafton ne! Allahu do të na japë përsëri prej favorit të tij, po ashtu edhe i Dërguari! Ne i drejtohemi vetëm Allahut!" (et-Tevbe, 58-59)
Në ajetet e mësipërme bëhet e ditur se ndarja e plaçkës së luftës është hyjnore dhe dallimi mes zemrës së turbullt dhe zemrës së pastër.
Shumica e ankuesve ishte prej ensarëve. Mirëpo Profeti (s.a.s.) i kishte bërë ato dhurata bujare jo nga e përgjithshmja e plaçkës së luftës, por nga pjesa e quajtur “fej”, nga një e pesta, administrimi dhe përdorimi i së cilës i përkiste atij vetë. Por edhe ky fakt e kishte ngacmuar durimin e disa të rinjve ensarë.331 Për t'u bërë pritë këtyre pretendimeve dhe kundërshtimeve sa pa u zmadhur shumë puna, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i mblodhi të gjithë ensarët. Në mbledhjen ku nuk kishte asnjeri tjetër veç tyre, Profeti u foli kështu ensarëve duke ua kujtuar dhuntitë që u kishte falur Zoti:
"O ensarë! I kam dëgjuar ato që ju shkojnë nëpër mend për mua. Por, më thoni, a nuk jua tregoi Allahu udhën e drejtë juve me anën time atëherë kur ju ishit politeistë që e kishit ngatërruar udhën? Ndërsa ishit të varfër, a nuk ju bëri Zoti të pasur pas ardhjes sime mes jush? Ndërsa ju brente pa pushim urrejtja dhe armiqësia mes vedi, a nuk jua rregulloi Zoti me ardhjen time zemrat e ju bashkoi?"
Pasi mori nga ensarët për të gjitha këto pyetje përgjigjen "gjithë falenderimi dhe mirënjohja janë për Allahun dhe të Dërguarin e tij”, Profeti vazhdoi:
"O ensarë! Ju mund të më thoni: "Kur fisi yt të përgënjeshtronte, ti erdhe mes nesh e ne të vërtetuam! Kur fisi yt të braktisi, ne të shtrimë dorën, kur fisi yt të përzuri, ne të hapëm prehrin! Ti ishe i varfër, ne të bëmë pjesëtar në pasurinë tonë!" E drejtë! Edhe unë them: "Keni plotësisht të drejtë!"
O ensarë! Por, ndërkaq, a mos vallë janë të drejta fjalët që keni thënë për shkak të një pasurie të kësaj bote që unë ua dhashë një pjese njerëzish? Mos vallë iu ngushtuan zemrat pse u dhashë më shumë disa njerëzve me qëllim për t'ua ngrohur zemrat ndaj Islamit e për ta forcuar atë më shumë, duke ju besuar juve?..
O ensarë, a nuk doni ju që, ndërsa të tjerët të shkojnë në shtëpi të gëzuar pse ju takuan ca mallra më shumë, ju të shkoni të gëzuar pse ju takoi të ktheheni duke pasur mes jush Profetin tuaj?"
Këto fjalë prekëse bënë që nga sytë e ensarëve të shpërthejnë lotë dhe t'i thonë atij tashmë me një ndjenjë tjetër:
"O i Dërguari i Allahut! Ne me ty duam të kthehemi në shtëpi!"
Bashkë me ta, edhe i Dërguari i Allahut qau! 
Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha kështu atyre duke i vlerësuar lart:
"O ensarë! Po të mos kishte qenë nderi dhe virtyti i hixhretit (emigrimit në udhën e Allahut), unë do të doja të isha një ensar! O ensarë, nëse çdo njeri do të zinte një udhë të vetën, unë do të shkoja në atë udhë që do të shkonin ensarët!"
Pas kësaj mbledhjeje me fillim të zymtë e me fund të gëzuar, plaga e hapur ishte mbyllur me duart e bekuara të Profetit dhe ensarët ishin lidhur më fort pas tij! (Buhari, Megazi, 56; Muslim, Zekat, 135; Hejsemi, X, 31)
Nga sjellja dhe qëndrimi shembullor i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) kemi shumë mësime për të marrë. Si rrjedhojë e krijimit, njeriun e mund e mira. Armiqësia e armikut të falur merr fund; nëse është i lëkundur, afrohet edhe më shumë; nëse është pranë, dashuria e tij shtohet.
Shkurt, një shfaqje tjetër e faktit që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte personalitet shembullor, duket qartë edhe në rastin e këtij përpjesëtimi pasurie.
***
Pasi qëndroi trembëdhjetë ditë në Xhirane, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) hyri nën ihram dhe u largua prej aty për umre.332 Për këtë shkak, është konsideruar më e virtytshme për mekasit dhe periferikët të bëjnë umre duke hyrë nën ihram në Xhirane.

Dënimi i vrasjes së një muslimani
Para se të nisej nga Medina, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pati dërguar Ebu Kataden me pak forca për në Nexhd me qëllim për të krijuar përshtypje të gabuar qër synimin që kishte. Kur njësiti arriti në vendin e quajtur "Izam", u përball me një person të quajtur Amr bin Abdat. Amri i përshëndeti muslimanët me selam dhe, duke shqiptuar Fjalën e Dëshmisë, ua bëri të ditur atyre se besonte. Megjithatë, Muallim bin Xhessame, nga shoqëruesit e Ebu Katades, si rrjedhojë e një ngatërrese që kishin pasur të dy në të kaluarën, tha se Amri nuk ishte vërtetë musliman, e vrau dhe vuri dorë në plaçkat e tij duke i konsideruar si pre lufte.
Kur Ebu Katade dhe njësiti i tij u kthyen nga Nexhdi, Profeti që sapo e kishte përfunduar namazin e drekës, ishte ulur nën një pemë i rrethur nga shokët e tij. Kur iu njoftua ngjarja, zbriti ky ajet:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا ضَرَبْتُمْ فِي سَبِيلِ الله فَتَبَيَّنُوا وَلاَ تَقُولُوا
لِمَنْ أَلْقَى إِلَيْكُمُ السَّلاَمَ لَسْتَ مُؤْمِناً تَبْتَغُونَ عَرَضَ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا
فَعِندَ الله مَغَانِمُ كَثِيرَةٌ كَذَلِكَ كُنْتُم مِن قَبْلُ فَمَنَّ الله عَلَيْكُمْ
فَتَبَيَّنُوا إِنَّ الله كَانَ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيراً
“O ju që keni besuar! Kur të dilni për xhihad në rrugën e Allahut, hetoni mirë për ta dalluar besimtarin nga mohuesi. Atij që ju përshëndet me selam, mos i thoni “ti s’je besimtar” duke u nisur nga interesa të kësaj bote! Te Allahu ka pasuri të mëdha! Edhe ju ishit të tillë para se të hynit të Islam! Pastaj Allahu ju favorizoi. Prandaj hetojeni mirë çështjen! Pa dyshim, Allahu e di se ç’bëni!” (en-Nisa, 94)
Në këtë mes, arritën të afërmit e Amrit dhe u ankuan për Muallimin. Pas një gjykimi gjerë e gjatë në praninë e Profetit (s.a.s.), u vendos që të paguhej dëmshpërblim për vrasjen e Amrit dhe të ktheheshin mallrat e tij të sekuestruara, si dhe të thirrej Muallimi dhe i Dërguari i Allahut të bëjë pendesë për të.
Kur Muallimi arriti, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti:
"Ti e vrave Amrin megjithëse ai ju tha se ishte musliman, apo jo?"
Muallimi mbeti i detyruar të thoshte: 
“O i Dërguari i Allahut, bëj pendesë për mua!”
Kjo shprehje ishte pohim nga ana e tij se e kishte kryer vrasjen me paramendim. Prandaj, meqë kishte vrarë me paramendim një musliman të pafajshëm, faji i tij ishte i pafalshëm. Po qe se në këtë rast do të tregohej dobësia më e vogël, aty e tutje nuk do të parandalohej dot më përsëritja e krimeve të tilla! Prandaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dërguar si mëshirë për botët, kundërshtoi të bënte pendesë në emër të tij, madje tha:
“Allahu mos të faltë!”333
Poeti Kemal Edib Kürçükoëlu, duke marrë shembull prej kësaj, shprehet kështu në formë paralajmërimi për ummetin, bashkësinë, që të ruhen nga çdo lloj veprimi dhe sjelljeje që do shkaktonte humbjen e pëlqimit dhe miratimit profetik:
Humbja e konsideratës, sa keq, sa keq,
I mjafton si disfatë në të dy botët njeriut indiferent…
Kështu, Muallimi, pasi u nda prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) si i ndëshkuar me dënimin profetik, u mbyll në shtëpi dhe, një javë më pas, vdiq nga hidhërimi. Kur të afërmit e varrosën, dheu s'e mbajti dhe ashtu ndodhi edhe pas disa herë përpjekjesh të tjera, dheu e nxirrte sipër atë! Të afërmit ia parashtruan çështjen Profetit.
Profeti tha:
"Kjo tokë ka pranuar në gjirin e saj njerëz edhe më të këqinj se ai, por Allahu kërkon t'ju japë juve një mësim dhe t’ua bëjë të ditur forcën e faktit që “s’ka zot tjetër veç Allahut!"
Pastaj Profeti i porositi që ta varrosnin përsëri dhe mbi varr t'i vendosnin një gur të madh. (Ahmed, V, 112; Ibni Maxhe, Fiten, 1; Ibni Hisham, IV, 302; Vakidi, III, 919)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u suall dhe veproi në këtë mënyrë për të treguar se sa e hidhur është pasoja e mosrespektimit të së drejtës dhe dinjitetit të kredos "La ilahe il'lallah", "Nuk ka zot tjetër veç Allahut", dhe se ç’mëkat i rëndë është kryerja e padrejtësisë ndaj muslimanëve dhe krimi ndaj tyre për interesa të kësaj bote, si dhe për t’i ruajtur njerëzit ndaj veprimeve të tilla.
Kjo ngjarje tregon se çdo njeri që thotë "La ilahe il'lallah", "Nuk ka zot tjetër veç Allahut", duhet të pranohet si musliman. Në këto kushte, nëse mbi një person nuk rëndon ndonjë mohim i dukshëm, paragjykimi i tij për të keq është i ndaluar (haram).
Kjo situatë u tregon muslimanëve se sa e rëndësishme është që, për të gjykuar (konkluduar), duhet parë ana e jashtme. Sepse, dhe nëse në gjykimin mbështetur në pamjen e jashtme, në fakte e prova të dukshme, ekziston mundësia e rënies në gabim ose në vetëmashtrim, po të njihej e drejta për t'u mbështetur në kontekstin e botës së brendshme, përcaktimi i saktë i së cilës është krejt i pamundur, njerëzit nuk do të shpëtonin dot nga shumë e shumë padrejtësi gjykimi.
Një tjetër shkak i të drejtës për të gjykuar dhe konkluduar sipas anës së jashtme, është edhe parandalimi i përpjekjeve të njerëzve punëkëqinj për t'u justifikuar me fjalët: "Ti shihma zemrën!" Këtë taktikë që përdoret shumë në ditët e sotme, është kah e shkatërron Islami me anë të këtij urdhri të Islamit dhe zbatimit praktik të Profetit.
Krahas kësaj, konkluzioni sipas anës së dukshme të çështjes, edhe nëse duket si një dobësi që u jep mundësi hipokritëve që, duke u fshehur pas dukjes së jashtme, të fitojnë kohë dhe mundësi për t'i kryer veprimtaritë e tyre në një mënyrë më të ndikueshme, bëhet pengesë për lindjen e gabimeve të rënda siç është zbatimi i drejtësisë mbështetur në argumente të karakterit të pandehmës!

Emërimi i guvernatorit dhe mësuesit në Mekë
Para se të largohej nga Meka, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e emëroi vali (guvernator) Attab bin Esidin për ta qeverisur qytetin dhe për t’i rregulluar veprimet e haxhit të muslimanëve. Ai e pati ngarkuar atë me detyrën e guvernatorit të Mekës edhe më parë, ndërsa po nisej për në fushatën e Hunejnit. (Ibni Hisham, IV, 69, 148) Në atë kohë, Attabi (r.a.) ishte ende në të njëzetat334, ndërkohë që atje kishte njerëz të moshuar e të virtytshëm. Siç kuptohet nga kjo ngjarje, posti dhe pozita u duhen dhënë personave të denjë e të aftë, domethënë, të paqtë (salih), të ditur, të virtytshëm, tejpamës dhe të devotshëm.
Në të njëjtën mënyrë, vihet re se, përgjithësisht, sahabet të cilët e kanë kryer detyrën më të madhe të një pishtari orientimi të ıslamit duke e përcjellë atë nga brezi në brez, kanë qenë të rinj të virtytshëm si Attab bin Esidi. Për shembull, Abdullah bin Omeri dhe Ibni Abbasi nga sahabinjtë që kanë transmetuar më shumë hadithe, kur ka vdekur Profeti (s.a.s.), kanë qenë trembëdhjetëvjeçarë, kurse Hz. Enesi, Ibni Mes’udi dhe veçanërisht Hz. Aisheja që pati marrë përsipër një detyrë shumë të rëndësishme për arsimimin e femrave, kanë qenë në të tetëmbëdhjetat. Në të njëjtën mënyrë, shumicën e pjesëmarrësve të besëlidhjeve Akabe e patën përbërë të rinjtë. Gjithashtu, edhe shumica e mësuesve të Kur’anit të vrarë e të rënë dëshmorë në Biri Maune për kumtimin e Islamit, kanë qenë të rinj. Kjo situatë përbën dokumentin më të rëndësishëm që argumenton se, kur të jetë e domosdoshme, duhet t’u jepet rëndësi të rinjve që do të marrin përsipër shërbime të rëndësishme për të ardhmen e Islamit dhe se duhet qëndruar me kujdes të posaçëm mbi çështjen e arsimimit dhe edukimit të tyre!
***
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) kërkonte që personat e porsabërë muslimanë, të mësonin pa humbur kohë Kur’anin dhe Sunnetin. Prandaj, ata që i vinin, i çonte në dispozicion të sahabeve qoftë edhe për pak ditë mësimi, por të intensifikuar në formën e një kampi edukimi. Kur bëhej mëngjes, Profeti takohej me ta, kontrollonte se ç’kishin mësuar dhe, nëse s’i gjente të mjaftueshme njohuritë që kishin marrë, ua dërgonte sahabeve të tjerë në dispozicion duke kërkuar që ta përvetësonin Islamin sa më mirë!
Si vepër të kësaj ndjeshmërie të lartë lidhur me këtë çështje, i la aty Muadh bin Xhebelin335 dhe Ebu Musa el-Esh’ariun336 (r.anhuma) për t’ua mësuar mekasve fikhun (juridiksionin kanonik islam) dhe Kur’anin. Edhe kjo situatë është një argument kategorik që tregon domosdoshmërinë e rëndësisë që duhet t’u japim arsimimit dhe edukimit islam!

VITI I NENTE I HIXHRETIT
Shpata e gjuhës
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) dërgoi kundër fisit Beni Temim që s'pranonte të paguante zeqat, Hz. Ujejnen me një njësit ushtarak. Ujejne (r.a.) e sulmoi befasisht fisin Temim, e mundi, mori shumë plaçkë e robër dhe u kthye në Medinë.337
Pas kësaj, për t'i shpëtuar robërit e vet, parësia e fisit Temim, duke marrë me vete edhe poetët, për të cilët ishte i njohur, shkuan te Profeti me një delegacion të shumtë dhe, duke e pritur me padurim që të takoheshin me të, i thirrën në mënyrë trashanike:
“Na dil, pra, përballë!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u shqetësua nga thirrjet dhe bërtitjet e tyre. Për këtë, zbriti ajeti kur’anor ku thuhej:
إِنَّ الَّذِينَ يُنَادُونَكَ مِنْ وَرَاءِ الْحُجُرَاتِ أَكْثَرُهُمْ لَا يَعْقِلُونَ 
“(O i Dërguar!) Shumica e atyre që bërtasin nga oda e pasme, janë njerëz pa mend në kokë!” (el-Huxhurat, 4) (Ibni Hisham, IV, 223, 233)
Pasi fali namazin e drekës, Profeti u ul në oborrin e faltores. Delegacioni Beni Temim i thanë:
“Sollëm me vete poetin dhe oratorin tonë që të matemi me ty në poezi dhe ligjëratë!”
Profeti (s.a.s.) iu përgjigj: 
"Unë nuk jam dërguar për të recituar poezi, nuk jam urdhëruar për të bërë oratori, por, po të doni, recitoni e flisni ju dhe po ju dëgjojmë!.." (Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, I, 128)
Një person prej Beni Temimit u ngrit dhe mbajti një ligjëratë. Pasi mbaroi ai, Profeti i bëri shenjë Thabit bin Kajsit nga shokët e tij, i cili u ngrit dhe mbajti një ligjëratë të bukur ku ngrihej lart madhështia e Allahut dhe profetësia e Hz. Muhammedit (s.a.s.). Ligjërata e tij ishte më e bukur dhe fituese ndaj të parit.
Pastaj, pasi Dhibrikan bin Bedri nga të bijtë Temim recitoi një vjershë, u ngrit, nga shokët e Profetit, Hassan bin Thabiti (r.a.) që këndoi një kaside shumë të bukur për nderin e fesë islame.
Fitorja e shokëve të Profetit buronte nga që ia kishin dhënë zemrën Kur'anit të lartë që ishte një mrekulli gjuhësore dhe që ishin edukuar prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i cili ishte modeli i fjalës së bukur! 
Poeti e shpreh kështu reflektimin mbi të tjerët të vlerave të larta të Profetit:
Ata që e shohin atë për një çast, bëhen trëndafilë;
Ata që ia dëgjojnë fjalën, bëhen bilbilë...
Me të vërtetë, poeti temimas Akra bin Habith, i cili e kuptoi këtë, tha:
"Ligjëruesi i këtij personi është më i lartë se ligjëruesi ynë, po ashtu edhe poeti se poeti ynë. Zërat e tyre janë mbi zërat tanë..."
Dhe u bë musliman së bashku me shokët e vet. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u dha dhurata me bollëk. (Ibni Hisham, IV, 232)
Në atë mes, ndodhi një polemikë e vogël në prani të të Dërguarit të Allahut mes Hz. Ebu Bekrit dhe Hz. Omerit. Në lidhje me këtë, zbritën këto ajete:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُقَدِّمُوا بَيْنَ يَدَيِ الله وَرَسُولِهِ وَاتَّقُوا الله
إِنَّ الله سَمِيعٌ عَلِيمٌ. يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَرْفَعُوا أَصْوَاتَكُمْ
فَوْقَ صَوْتِ النَّبِيِّ وَلَا تَجْهَرُوا لَهُ بِالْقَوْلِ كَجَهْرِ بَعْضِكُمْ لِبَعْضٍ 
أَنْ تَحْبَطَ أَعْمَالُكُمْ وَأَنْتُمْ لَا تَشْعُرُونَ 
“O ju që keni besuar! Mos u dilni para Allahut dhe të Dërguarit! Dhe kini frikë Allahun! Pa dyshim, Allahu dëgjon dhe di! O besimtarë! Mos e ngrini zërin mbi zërin e Pejgamberit dhe mos i thërrisni Pejgamberit siç i thërrisni njëri-tjetrit, përndryshe, punët ju shkojnë kot pa e kuptuar as ju vetë!” (el-Huxhurat, 1-2)
Pas kësaj, Hz. Omeri (r.a.), kur fliste në prani të të Dërguarit të Allahut, (s.a.s.), e ulte aq shumë zërin, saqë Profeti nuk e dëgjonte dot dhe mbetej i detyruar ta pyeste se ç’thoshte.338
Edhe sahabet e tjerë shfaqnin të njëjtat ndjenja respekti dhe madhërimi ndaj Profetit. Ata bënin të gjitha përpjekjet për të mos e shqetësuar atë. Kështu pati ndodhur që një sahabi me zë të fortë e të kumbueshëm, një radhë, qe mbyllur në shtëpi me dëshpërimin se e kishte shqetësuar të Dërguarin e Allahut, pastaj, me ndërhyrjen e të Dërguarit të Allahut, qe qetësuar.339
Kur sahabet uleshin në sofër me Profetin, asnjëherë nuk i zgjasnin duart në gjellë para tij.340 Ata trokisnin me majat e gishtave në portën e tij dhe silleshin duke u ruajtur nga çdo veprim që do ta shqetësonte atë.341 Kur flisnin për të, u kushtonin shumë vëmendje shprehjeve që përdornin, e krahasonin atë me diellin dhe hënën.342 Edhe duke i rrëfyer hadithet e tij, tregoheshin shumë korrektë, impresionoheshin, u ndërronte ngjyra e fytyrës, u ridhnin djersët, sytë u mbusheshin me lot dhe u fryheshin damarët e qafës.343 Po të dëgjonin se në shtëpitë përreth ngulnin ndonjë gozhdë ose bënin ndonjë punë tjetër me zhurmë, dërgonin fjalë menjëherë që të mos e shqetësonin të Dërguarin e Allahut. Kurse disa të tjerë i bënin portat e shtëpive me drejtim jashtë Medinës.344
***
Ka'b bin Dhuhejri është ndër ata poetë që i patën hapur më parë luftë Islamit. Për shkak të satirave që kishte shkruar, vrasja e tij kudo që të gjindej, ishte shpallur hallall. Por i vëllai, Buxhejri, që ishte musliman, i shkroi një letër në formë vjershe ku ia bënte të qartë se, po të vazhdonte në atë rrugë, do ta kishte fundin tepër të hidhur.
Atëherë Ka'bi, i frikësuar, duke u mbështetur në dëshminë e një sahabiu, shkoi te Profeti dhe, pa e treguar emrin, i dha besë atij. U ul në gjunjë dhe bëri këtë pyetje:
"O i Dërguari i Allahut! Ka'b bin Dhuhejri kërkon që të bëjë pendesë dhe të dalë para jush për t'u bërë musliman. A e pranoni?"
Kur Profeti (s.a.s.) shqiptoi fjalën "po!", ai, shumë i gëzuar, tha: 
"Unë jam Ka'bi, o i Dërguari i Allahut!" (Ibni Hisham, IV, 152; Hakim, III, 675/6480; Hejsemi, IX, 393)
Dhe nisi ta recitonte kasiden "Banet Suadu" të përgatitur që më parë si shenjë falenderimi për faljen profetike. I mbetur tejet i kënaqur me këtë vepër, Profeti (s.a.s.) nxori hirkën e vet e ia hodhi krahëve Ka'bit poet. Atëherë, kasideja e porsakënduar, e cila u bë shkak që poeti i saj të nderohej me hirkën profetike, u mbiquajt Kaside Byrde meqë fjala hirkë në arabisht do të thotë byrde.
Hirka profetike e dhuruar Ka'bit, u ble pas vdekjes së tij nga kalifi Muavije. Kjo hirkë, pastaj, duke kaluar dorë më dorë nga një sundimtar te tjetri, ndodhet sot në sarajet sulltanore të Stambollit, të quajtura Topkapi.
Eshtë edhe një kaside tjetër e cila është bërë e njohur po me këtë titull: "Kaside Byrde". Kjo është vepra poetike e Imam Busiriut.345 Ndërkaq, emri i vërtetë i saj është "Kaside-i Bur'e". Bur'e do të thotë shërim. Kasides i është dhënë ky emër ngaqë është bërë shkak që autori i saj të shpëtojë nga sëmundja e paralizës. Ngjarja ka ndodhur kështu:
Imam Busiriut i paralizohet gjysma e trupit. Atëherë ai shkruan këtë vepër poetike me të cilën i lutet Zotit për shërim. Natën kur e përfundon kasiden, sheh në ëndërr Profetin dhe ia reciton atij këtë panegjirik. I kënaqur prej saj, Profeti (s.a.s.) nis t'ia fërkojë me duart e bekuara pjesët e paralizuara të trupit dhe, kur imami zgjohet në mëngjes, sheh se s'i ka mbetur asgjë prej sëmundjes dhe e falenderon Zotin. Pastaj, duke shkuar në xhami herët në mëngjes, i mbushur plot ndjenja gëzimi dhe mirënjohjeje, takon prijësin e madh, Sheh Eburrexha, i cili i thotë:
"O imam, a po ma këndon kasiden që e ka lavdëruar Profeti?"
Imam Busiriu: "Unë kam shumë të tilla. Për kë po më pyet?"
Shehu Eburrexha: "Atë që ia këndove sonte të Dërguarit të Allahut! Sepse, ndërsa ti po e këndoje, pashë se ai ishte shumë i kënaqur!"
Imam Busiriu e pyet plot habi: "Kur unë s'kam folur me askënd për këtë ëndërr dhe kaside, ti ku e di?"
Shehu Eburrexha: "O imam! Edhe unë isha atje!"
Dhe i reciton dy vargje nga ajo kaside:
أَمِنْ تَذَكُّرِ جِيرَانٍ بِذِى سَلَمٍ
مَزَجْتَ دَمْعاً جَرَى مِنْ مُقْلَةٍ بِدَمِ
Të dashurin e Selemit346 more ta kujtosh
Dhe kohën po e përzjen me lotët që rrjedhin sysh...
Siç rrëfehet, kur këndohej kjo kaside, Profetit (s.a.s.), nga kënaqësia e madhe dhe emocioni, i dridhej trupi si gjethja në degë. Nisur nga kjo ide, pati filluar të praktikohej këndimi i saj për të sëmurë. Mendohej se shpirti profetik që ishte kaq i ndjeshëm ndaj saj, i shfaqej të sëmurit i cili gjente shërim, prandaj, me kohë, u bë traditë që, me këtë eulogji, të bëhej i Dërguari i Allahut pretekst për t’iu lutur dhe përgjëruar Zotit!347

Thënien e të mbrapshtit hetojeni!
Në vitin e nëntë të hixhretit, Kur Velid bin Utbe që e kishte dërguar Profeti (s.a.s.) për të mbledhur zeqat te të bijtë Mustalik, i pa ata të mbledhur turmë, pandehu se, për shkak të një fërkimi me ta në kohën e injorancës, do ta vrisnin. U khye në Medinë dhe ia paraqiti çështjen Profetit të shtrembëruar, domethënë gënjeu duke shpifur për ta:
"O i Dërguari i Allahut! Ata janë kthyer nga feja. Zeqat nuk dhanë dhe, për pak, qenë duke më vrarë!"
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) përgatiti një njësit ushtarak për ta dërguar te Beni Mustalikët. Kur e morën vesh këtë Beni Mustalikët, delegacioni i mbledhur për ta pritur Halid bin Velidin, shkoi me nxitim në Medinë, ku u përballën me njësitin që ishte përgatitur për t’u dërguar kundër tyre. Në këto kushte, Zoti dërgoi mesazhin përkatës me qëllim për t’ua tërhequr vëmendjen të gjithë muslimanëve që të mos merrnin vendim për një çështje çfarëdo pa bërë hetimin e duhur:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنْ جَاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَأٍ فَتَبَيَّنُوا أَنْ تُصِيبُوا قَوْماً
بِجَهَالَةٍ فَتُصْبِحُوا عَلَى مَا فَعَلْتُمْ نَادِمِينَ . وَاعْلَمُوا أَنَّ فِيكُمْ
رَسُولَ الله لَوْ يُطِيعُكُمْ فِي كَثِيرٍ مِنَ الْأَمْرِ لَعَنِتُّمْ وَلَكِنَّ الله 
حَبَّبَ إِلَيْكُمُ الْإِيمَانَ وَزَيَّنَهُ فِي قُلُوبِكُمْ وَكَرَّهَ إِلَيْكُمُ الْكُفْرَ 
وَالْفُسُوقَ وَالْعِصْيَانَ أُوْلَئِكَ هُمُ الرَّاشِدُونَ 
"O ju që keni besuar! Po qe se një i mbrapshtë ju sjell ndonjë lajm, hetojeni drejtësinë e tij! Ndryshe, i bëni keq dikujt pa ditur dhe pastaj pendoheni! Dhe dijeni se mes jush është përfaqësuesi i Allahut. Po qe se në shumë punë ai do të kishte bërë sipas dëshirës suaj, do të kishit rënë në vështirësi. Por Allahu jua ka bërë besimin të dashur dhe atë, të stolisur për zemrat tuaja. Kurse mohimin, herezinë, mbrapshtinë dhe kundërshtimin jua ka treguar të shëmtuar. Ja. kjo është rruga e drejtë!" (el-Huxhurat, 6-7)
Profeti (s.a.s.) urdhëroi:
“O Abbad! Shko së bashku me ta dhe mblidhi zeqatet! Dhe shmangu nga zgjedhja dhe marrja e mallrave më të mira!”
Abbad bin Bishr qëndroi dhjetë ditë te Beni Mustalikët, u këndoi Kur’an dhe u dha mësime mbi Islamin. (Ahmed, IV, 279; Ibni Hisham, III, 340-341; Ibni Sa’d, II, 161)
Disa herë ndodh që një lajm me burim një njeri të mbrapshtë, duke kaluar gojë më gojë, më në fund arrin te një që është, pa dyshim, njeri i mirë, por edhe ca naiv, i cili jua sjell juve këtë lajm me qëllim të mirë. Në këto kushte, duhet ditur që, edhe sikur thënësi të mos jetë një njeri mëkatar apo i mbrapshtë, i njohur për i tillë, besimi i një informacioni të pambështetur në një transmetim (rrëfim) të pabazë dhe përhapja e tij lindin përgjegjësi. Sepse, edhe nëse kjo nuk bart ndonjë të keqe kur ka karakter pozitiv apo konstruktiv, kur ka karakter negativ, bart rrezikshmërinë e rënies në mëkatin e madh të përdhunimit të të drejtave të personit ose të përfoljes së tij pas shpine. Prandaj, para lajmeve apo informacioneve negative të bazuara në supozime ose të ardhura me rrugën e rrëfimit, gjithmonë duhet mbajtur një qëndrim i matur.

Një provë e madhe besimi:
FUSHATA E TEBUKUT
(rexhep, 9 h./ tetor-nëntor, 630 e.r.)
Fushata e bërë në Tebuk, një qytet mu në mes Medinës dhe Damaskut, është fushata e fundit ku ka marrë pjesë i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kjo luftë është si vazhdimi i luftës së Mutes. Perandori bizantin, i nisur nga mbresat që i kishte lënë lufta e Mutes, mendonte që, pa u lënë kohë muslimanëve të fuqizoheshin edhe më shumë, ta pushtonte tërë Gadishullin Arabik. Prandaj edhe donte t'i shfrytëzonte të krishterët arabë. Fisi Gassani që ai e shihte të përshtatshëm për qëllimin e tij, kishte kohë që ishin bërë gati vetë për këtë gjë. Ndërkaq, karvanet tregtare që vinin në Medinë, tregonin për përgatitjet e armikut dhe thoshin se qyteti do të sulmohej shumë shpejt.
Atëherë, i dërguari i Allahut (s.a.s.) shpalli mobilizimin e përgjithshëm. Veprimtaritë ushtarake të bëra gjer atë çast qenë mbajtur të fshehta, por situata në fjalë, para luftës së Tebukut, qe krejt tjetër, sepse ishin ditët më të nxehta të verës, armiku ishte i fuqishëm dhe vendi ku do të shkohej, larg; mbi të gjitha, për shkak të krizës ekonomike të atij viti, muslimanët ishin në gjendje të vështirë.348
Dhe hipokritët e hezitantët, duke përfituar nga të gjitha këto, iu kthyen përsëri intrigave të tyre të vjetra dhe nisën të përpiqen për t'ua prishur muslimanëve gjendjen shpirtërore. Kryehipokriti Abdullah bin Ubeji thoshte:
"Mos vallë Muhammedi e pandeh shtetin romak lojë fëmijësh? Mua më duket se po e shoh me sy tek i kanë zënë robër atë së bashku me të gjithë shokët e tij!"
Kurse ca hipokritë të tjerë thoshin: "A dilet në luftë në një të nxehtë të tillë?"
Si përgjigje ndaj këtyre, në Kur'an urdhërohej:
فَرِحَ الْمُخَلَّفُونَ بِمَقْعَدِهِمْ خِلاَفَ رَسُولِ الله وَكَرِهُوا أَن يُجَاهِدُوا
بِأَمْوَالِهِمْ وَأَنْفُسِهِمْ فِي سَبِيلِ الله وَقَالُوا لاَ تَنفِرُوا فِي الْحَرِّ 
قُلْ نَارُ جَهَنَّمَ أَشَدُّ حَرّاً لَّوْ كَانُوا يَفْقَهُونَ 
"... Ata që (s’dolën në luftë dhe) mbetën pas për t’i dalë kundër të Dërguarit të Allahut, u gëzuan me ndenjjen, sepse iu duk e shëmtuar të luftonin me jetën dhe pasurinë e tyre në rrugën e Allahut dhe thanë: "Mos dilni në luftë në këtë vapë!" Thuaju: "Zjarri i xhehennemit është më i nxehtë!" Sikur ta kuptonin!" (et-Tevbe, 81)
Edhe disa prej beduinëve, duke nxjerrë pretekste të ndryshme, të sajuara, morën leje prej Profetit. Edhe për këtë flet Kur'ani:
وَجَاءَ الْمُعَذِّرُونَ مِنَ الْأَعْرَابِ لِيُؤْذَنَ لَهُمْ وَقَعَدَ الَّذِينَ كَذَبُوا الله 
وَرَسُولَهُ سَيُصِيبُ الَّذِينَ كَفَرُوا مِنْهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ
"Beduinët që kishin pretendime (për justifikim), erdhën për të marrë lejë. Qëndruan edhe ata që i thanë gënjeshtra Profetit. Mohuesve do t'u bjerë një ndëshkim i rëndë!" (et-Tevbe, 90)349
Pas kësaj, Kur'ani dha kritere të hapura për t'i dalluar besimtarët nga mohuesit:
لَوْ كَانَ عَرَضاً قَرِيباً وَسَفَراً قَاصِداً لاَ تَّبَعُوكَ وَلَـكِن بَعُدَتْ عَلَيْهِمُ 
الشُّقَّةُ وَسَيَحْلِفُونَ بِاللهِ لَوِ اسْتَطَعْنَا لَخَرَجْنَا مَعَكُمْ يُهْلِكُونَ أَنْفُسَهُمْ 
وَاللّٰهُ يَعْلَمُ إِنَّهُمْ لَكَاذِبُونَ 
"(O i Dërguar!) Po të ishte fjala për pasuri të kësaj bote ose për një udhëtim të lehtë, me siguri që (hipokritët) do të bënin si t'u thoshe e do të të ndiqnin pas. Por rruga e vështirë iu duk larg. Ç'është e vërteta, ata do të të betohen në Allahun duke thënë se po t'u mjaftonin fuqitë, sigurisht që do të vinin me ju, por Allahu e di se ata janë, pa diskutim, gënjeshtarë!" (et-Tevbe, 42)
لاَ يَسْتَأْذِنُكَ الَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِاللهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ أَنْ يُجَاهِدُوا بِأَمْوَالِهِمْ
وَأَنْفُسِهِمْ وَاللّٰهُ عَلِيمٌ بِالْمُتَّقِينَ . إِنَّمَا يَسْتَأْذِنُكَ الَّذِينَ لاَ يُؤْمِنُونَ
بِاللهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ وَارْتَابَتْ قُلُوبُهُمْ فَهُمْ فِي رَيْبِهِمْ يَتَرَدَّدُونَ 
"(O i Dërguar!) Kurse ata që u besojnë Allahut dhe ditës së ringjalljes, nuk kërkojnë lejë për t'iu shmangur luftës me jetën dhe pasurinë e tyre. Allahu i njeh mirë të devotshmit! Vetëm ata që nuk u besojnë Allahut dhe ditës së ringjalljes, ata që përpëliten në dyshim, kërkojnë prej teje leje!" (et-Tevbe, 44-45)
Hipokritët nuk kishin bërë asnjë përgatitje për luftë dhe kjo tregonte hapur se ata as që mendonin të luftonin! Zoti urdhëron:
وَلَوْ أَرَادُوا الْخُرُوجَ لأَعَدُّواْ لَهُ عُدَّةً 
"(O i Dërguar!) Po qe se ata do të deshën të dilnin në luftë (së bashku me ty), sigurisht që do të përgatiteshin!" (et-Tevbe, 46)
Por mospjesëmarrja e hipokritëve në ushtri ishte një favor hyjnor. Kështu, Abdullah bin Ubeji, duke vepruar po si në luftën e Uhudit, u kthye prapë. Lidhur me këtë, Zoti urdhëron:
وَلَـكِنْ كَرِهَ الله انْبِعَاثَهُمْ فَثَبَّطَهُمْ وَقِيلَ اقْعُدُوا مَعَ الْقَاعِدِينَ . 
لَوْ خَرَجُوا فِيكُم مَا زَادُوكُمْ إِلاَّ خَبَالاً ولَأَوْضَعُوا خِلاَلَكُمْ 
يَبْغُونَكُمُ الْفِتْنَةَ وَفِيكُمْ سَمَّاعُونَ لَهُمْ وَاللّٰهُ عَلِيمٌ بِالظَّالِمِينَ 
"… Allahu i konsideroi të shëmtuara sjelljet e tyre, prandaj edhe i ktheu pas. Atyre iu tha: "Rrini edhe ju me ata që rrijnë (me gratë dhe fëmijët)! Po qe se edhe ata do të dilnin në luftë, s'do t'ju shërbenin për gjë tjetër veçse për t'ju sjellë disfatë dhe do t'ju përsilleshin mes tuaj duke intriguar. Mes jush ka nga ata që do t'ua kishin vënë veshin atyre. Allahu i njeh mirë mizorët!" (et-Tevbe, 46-47)
Hipokritët, të cilët nisnin nga veprimtaria përçarëse qysh në fillim, pastaj, gjatë luftës, shkaktonin aq dëme, saqë prishej qetësia e gjithë ushtrisë muslimane dhe, si një çiban i keq, u shkaktonin vuajtje muslimanëve. Prandaj, favori i Zotit që arriti në kohën e duhur, i shpëtoi muslimanët nga intrigat e tyre. Hipokritët dhe hezitantët sajonin nga një justifikim dhe kërkonin leje për të mos shkuar në luftë. Dhe shkuan aq larg në këtë punë, saqë, duke u treguar tejet naivë, ngritën pretendimin se do të intrigoheshin kur të shihnin vajzat bizantine. Por Zoti i demaskoi ata:
وَمِنْهُمْ مَنْ يَقُولُ ائْذَنْ لِي وَلاَ تَفْتِنِّي أَلاَ فِي الْفِتْنَةِ سَقَطُوا
وَإِنَّ جَهَنَّمَ لَمُحِيطَةٌ بِالْكَافِرِينَ
"Ka të tillë prej tyre që arrijnë të të thonë: "Më jep leje e mos më fut në ngatërresë!" Dijeni se ata, në fakt, kanë rënë në ngatërresë. Xhehennemi do t'i përfshijë pa tjetër mohuesit!" (et-Tevbe, 49)
Zoti, që, nga njëra anë i demaskonte hipokritët, nga ana tjetër ua tërhiqte vëmendjen muslimanëve që, të ndikuar prej tyre, qenë plogështuar:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا مَا لَكُمْ إِذَا قِيلَ لَكُمُ انْفِرُوا فِي سَبِيلِ الله اثَّاقَلْتُمْ
إِلَى الْأَرْضِ أَرَضِيتُم بِالْحَيَاةِ الدُّنْيَا مِنَ الْآخِرَةِ فَمَا مَتَاعُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا 
فِي الْآخِرَةِ إِلاَّ قَلِيلٌ  إِلاَّ تَنْفِرُوا يُعَذِّبْكُمْ عَذَاباً أَلِيماً وَيَسْتَبْدِلْ
قَوْماً غَيْرَكُمْ وَلاَ تَضُرُّوهُ شَيْئاً وَاللّٰهُ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ 
"O ju që keni besuar! Ç'po ndodh me ju që, kur ju thuhet të dilni në luftë, s'luani dot prej vendit? A po e pëlqeni jetën e kësaj bote para jetës tjetër? Por dobia e jetës së kësaj bote është tepër e paktë në krahasim me jetën tjetër! Po qe se s'dilni, Allahu do t'ju ndëshkojë me një dënim të dhimbshëm dhe në vendin tuaj do të sjellë një fis tjetër. Ju s'mund t'i sillni dëm Allahut. Allahu ka fuqi për çdo gjë!" (et-Tevbe, 38-39)
اِنْفِرُوا خِفَافاً وَثِقَالاً وَجَاهِدُوا بِأَمْوَالِكُمْ وَأَنْفُسِكُمْ
فِي سَبِيلِ الله ذَلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ 
"(O besimtarë!) Dilni në luftë (në rrugën e Allahut), edhe sikur të jetë e vështirë, edhe sikur të jetë e lehtë! Luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën tuaj! Po ta kuptoni, kjo është (sigurisht) më e mbarë për ju!" (et-Tevbe, 41)
Pas kësaj tërheqje vëmendjeje, muslimanët u gjallëruan. Plogështia ia la vendin vrullit dhe iniciativës. Filloi një bashkëpunim entuziast besimi. Sepse xhihadi kundër armikut, qëllimi i të cilit ishte goditja e Islamit, ishte detyrim fetar për muslimanët dhe të gjithë muslimanët ishin të detyruar t'i përgjigjeshin! Kurse ata që përjashtoheshin nga ky detyrim, Kur'ani i përcaktonte kështu:
لَيْسَ عَلَى الضُّعَفَاء وَلاَ عَلَى الْمَرْضَى وَلاَ عَلَى الَّذِينَ لاَ يَجِدُونَ 
مَا يُنْفِقُونَ حَرَجٌ إِذَا نَصَحُوا لِلّٰهِ وَرَسُولِهِ مَا عَلَى الْمُحْسِنِينَ مِنْ 
سَبِيلٍ وَاللّٰهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ 
"Për sa kohë që do të jenë sinqerisht besnikë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nuk ka mëkat për të dobëtit, të sëmurët dhe ata që nuk kanë mundësi të shpenzojnë për luftë. Allahu është falës e mëshirues!" (et-Tevbe, 91)
Sipas ajetit kur'anor, atyre që përjashtoheshin nga lufta, nuk u shkruhej mëkat nëse pengonin përhapjen e intrigave dhe ngatërresave në vend, nëse nuk përhapnin lajme të gënjeshtërta, nëse u ndihmonin familjeve të luftëtarëve dhe nëse bënin punë të tjera të mira. Mirëpo, me qenë se nuk kishte ndonjë urdhër të shkruar që t'i ndalonte ata për të marrë pjesë në luftë, mund të bashkoheshin me ushtrinë por me kusht që të mos i bëheshin barrë nga ana ekonomike.
Kur po bëheshin përgatitjet për fushatën e Tebukut, sahabet ishin mbërthyer nga emocioni se do të dilnin së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) për ta flijuar jetën në rrugën e Allahut. Kështu, shtatë sahabe të varfër që futeshin në kategorinë e të përjashtuarve nga lufta, iu drejtuan me lutje Profetit për t'u dhënë nga një kafshë me qëllim që të mund të merrnin pjesë në luftë. Por, kur morën përgjigjen se "nuk u gjetën deve", u kthyen duke qarë. Atëherë, këta lotë të derdhur në rrugën e Allahut, fituan pëlqimin hyjnor dhe Kur'ani urdhëroi:
وَلاَ عَلَى الَّذِينَ إِذَا مَا أَتَوْكَ لِتَحْمِلَهُمْ قُلْتَ لاَ أَجِدُ مَا أَحْمِلُكُمْ 
عَلَيْهِ تَوَلَّوا وَأَعْيُنُهُمْ تَفِيضُ مِنَ الدَّمْعِ حَزَناً أَلاَّ يَجِدُوا مَا يُنْفِقُونَ 
"(O i Dërguar!) Për ata që, pasi erdhën tek ti për t'u gjetur kafshë, u the se "nuk kishe mundur t'u gjeje", meqë vetë ata nuk mundin të gjejnë gjë, kthehen duke qarë, nuk ka përgjegjësi..." (et-Tevbe, 92)
Ndër personat e merituar ndaj konsideratës hyjnore në këtë ajet, Abdurrahman bin Ka’b me Abdullah bin Mugaffel-in, ndërsa po ktheheshin nga i Dërguari i Allahut duke qarë, u takuan me Ibni Jaminin, i cili i pyeti:
“Pse po qani?”
“Ne shkuam te i Dërguari i Allahut që të na gjente kafshë për udhë, por nuk na gjeti dot. Kurse ne s’kemi kafshë transporti që të mund të shkojmë në luftë së bashku me të Dërguarin e Allahut!” – Iu përgjigjën ata.
Ibni Jamin u dha të dyve një deve dhe një sasi hurmash si ushqim për rrugë. Pas kësaj, Hz. Abbasi u siguroi kafshë udhëtimi dy të tjerëve që derdhnin lot, kurse Hz. Osmani, tre të tjerëve.350 Kurse më pas, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u siguroi kafshë një sërë nevojtarëve të tjerë.351 Këta sahabe të cilët, megjithëse ishin përjashtuar nga fushata si të justifikuar, u vinte jashtëzakonisht të ndaheshin nga i Dërguari i Allahut, dhe e kishin zemrën të mbushur plot me dashurinë për Zotin, arritën mundësinë për të marrë pjesë në luftë si shpërblim për këtë dëshirë dhe dashuri të zjarrtë!
Ja, pra, kjo situatë ishte një nga shembujt e panumërt që shpalosnin përbërjen shpirtërore të sahabeve dhe tregonin se si flijonin sahabet me pasurinë dhe jetën në rrugën e Zotit!
Një ngjarje tejet mësimdhënëse nga Tebuku, Vasile bin Eska (r.a.) e tregon kështu:
“Në ditët kur do të dilnim për në fushatën e Tebukut, thirra kështu në Medinë:
“Kush më merr në kafshën e vet duke i dhënë si shpërblim plaçkën e luftës që ka për të më takuar?”
Një person i moshuar nga ensarët më njoftoi se do të mund të më çonte në luftë me kusht që kafshës t’i hipnim me radhë. Sapo i thashë menjëherë se “u muarëm vesh”, ai më tha: 
“Ec, pra, na e bëftë Allahu mbarë!”
Kështu, unë dola në rrugë me një shok të mirë e të mbarë. Edhe Allahu na e mundësoi të marrim plaçkë lufte. Mua më ranë në pjesë disa deve. I mora para dhe ia çova ensarit. Ai më tha:
“Merri devetë prapë dhe shko!”
“Sipas marrëveshjes që bëmë në fillim, këto janë të tuat!” – I thashë. Por ensariu ma ktheu:
“O vëlla, merre plaçkën tënde të luftës se unë nuk e pata dashur këtë shpërblim! Unë të pata marrë ty për të fituar shpërblim shpirtëror!” (Ebu Davud, Xhihad, 113/2676)
Në këtë fushatë të jashtëzakonshme përjetohej në kulm emocioni i mundësisë për ta blerë xhennetin duke i shndërruar jetën dhe pasurinë në kapital të jetës së pasme, ahiretit, shpaloseshin pamje që do t’i bëheshin modele ummetit, bashkësisë, gjer në kiamet! Sahabet vërtiteshin përreth Profetit (s.a.s.) si fluturat rreth dritës, për të kryer shërbime të ndryshme dhe sakrificën në rrugën e Allahut që e tregonin me çdo çdo gjë që kishin, e shprehnin me thirrjen “Nënë e babë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut!”
Ja, sa bukur e shpreh poeti këtë fakt me gjuhën e atyre vetë:
Çdo thërrime gjë për zotërinë e tyre fli:
Dhe jetën, dhe trupin, dhe veten time ty…
Emocioni dhe ngazëllimi i besimtarëve pati repekursione edhe për kohët në vazhdim. Ummi Mektumi (r.a.), për shembull, duke zgjedhur devocionin e shprehur në ajetin e mësipërm, megjithëse i verbër nga të dy sytë, pati marrë pjesë në luftën e Kadisijes, madje pati kryer edhe detyrën e flamurtarit!
Nën ndikimin e paralajmërimeve kur'anore, u përgatit, brenda një kohe të shkurtër, një ushtri muslimane tejet e vendosur me mbi tridhjetë mijë vetë.352 I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia dha flamurin e Malik Nexharit, Umare bin Hazmit dhe, pastaj, kur e pa Zejd bin Thabitin, ia mori Umares dhe ia dha atij. Umare (r.a.) e pyeti Profetin:
“O i Dërguari i Allahut, a mos u zemërove me mua?”
“Jo, vallahi nuk u zemërova, por edhe ju merruni më shumë me Kur’anin! Ai e ka mësuar Kur’anin përmendësh më mirë se ti! Kështu, parapëlqehet ai që është më i përparuar në Kur’an sikur edhe skllav hundëprerë të jetë!” – Iu përgjigj Profeti.
Profeti i urdhëroi fiset Evs dhe Hazrexh që t’ua japin flamurin atyre që e kanë mësuar më shumë përmendësh Kur’anin. Kështu, flamurin e të bijve Avf e mbajti Ebu Zejdi, kurse flamurin e Beni Selimes e mbajti Muadhi (r.a.). (Vakidi, III, 1003)

Solidariteti në kontribut
Kur do të dilej në fushatë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) së pari i ftoi sahabet të solidarizoheshin në kontributin për të përballuar nevojat e ushtrisë. Shokët e Profetit i kishin hedhur pas shpine të gjitha hallet e kësaj bote. Megjithëse atë kohë në Medinë përjetohej edhe një krizë ekonomike, kur Profeti u bëri thirrje shokëve për ndihmë, të gjithë u vunë në garë se kush ta ndihmonte më shumë. Hz. Ebu Bekri (r.a.) i vuri Profetit para tërë pasurinë e vet. Dhe, kur Profeti tha se "nga pasuria e askujt nuk kishte përfituar më shumë se sa nga pasuria e Ebu Bekrit", ky, i përlotur, i tha:
"Unë dhe pasuria ime, a s'jemi vetëm për ty, o i Dërguari i Allahut?" (Ibni Maxhe, Mukaddime, 11) Me këto fjalë ai pohonte se i ishte kushtuar gjer në vetëmohim me gjithçka të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Profeti e pyeti:
"Po fëmijëve, çfarë u le, o Ebu Bekir?"
Ebu Bekri iu përgjigj me një ndjenjë të thellë besimi:
"Allahun dhe të Dërguarin e Tij..." (Tirmidhi, Menakib, 16/3675)
Hz. Omeri kishte sjellë gjysmën e pasurisë. Këtë radhë kishte menduar se kishte për t'ia kaluar Hz. Ebu Bekrit. Por prapë kishte mbetur prapa.
Hz. Osmani (r.a.) i dhuroi ushtrisë 300 deve bashkë me të gjitha pajisjet si dhe 1000 dinarë. Edhe për të, Profeti (s.a.s.) shprehu konsideratën e tij të lartë:
"Pas këtaj, asgjë që mund të bëjë, nuk mund t'i sjellë dëm Osmanit!" (Tirmidhi, Menakib, 18/3700); Ahmed, V, 63)
Në mënyrë të veçantë, familja e Hz. Osmanit (r.a.) i dhuroi të gjitha sendet e çmuara në rrugën e Allahut. Edhe të gjitha gratë edhe vajzat e sahabeve i dhuruan të gjitha stolitë dhe gurët e çmuar për luftën duke ia vënë të gjitha para të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).353 Një vajzë e vogël muslimane njëmbëdhjetëvjeçare që nuk mundi t'i heqë lehtë vathët nga emocioni, i përgjaku veshët dhe këto vathë të përgjakura ia vuri para të Dërguarit të Allahut! 
Edhe ata që nuk mund të gjenin gjë për të dhënë, madje, përjetonin emocionet e ndihmës. Nga këta, Ebu Akili punoi një natë të tërë për të fituar dy masë hurma, nga të cilat njërën ua la njerëzve të shtëpisë, e tjetrën ia fali ushtrisë. Profeti (s.a.s.) i tha:
“Allahu ta begatoftë edhe atë që sjell dhe jep, edhe atë që merr!”
Dhe urdhëroi që hurmat e sjella prej tij të zbrazeshin te ndihmat. (Taberi, Tefsir, X, 251)
Kurse hipokritët, duke e përfolur, e akuzuan Ebu Akilin për dyfytyrësi. Ukbe bin Amri (s.a.s.) thotë kështu:
“Pasi zbriti ajeti i sadakasë354, filluam të dhurojmë nga fitimet që nxirrnim duke bartur dhe transportuar ngarkesa të ndryshme. Ndërkaq, erdhi një burrë i cili dha shumë sadaka. Hipokritët thanë se “e bën për dukje”. Erdhi dikush tjetër dhe solli vetëm një masë hurma. Prapë, hipokritët thanë se “Allahu nuk ka nevojë për një masë hurma të këtij”. Atëherë, zbriti ajeti kur’anor:
الَّذِينَ يَلْمِزُونَ الْمُطَّوِّعِينَ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ فِي الصَّدَقَاتِ 
وَالَّذِينَ لاَ يَجِدُونَ إِلاَّ جُهْدَهُمْ فَيَسْخَرُونَ مِنْهُمْ 
سَخِرَ الله مِنْهُمْ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ 
"Allahu ka për t'i poshtëruar ata që marrin nëpër gojë e tallen me besimtarët që ndihmojnë me ç'të mundin sepse s'kanë mundësi për më tepër. Për ata ka një dënim të dhimbshëm!" (et-Tevbe, 79)”  (Buhari, Zekat, 10; Muslim, Zekat, 72)
Siç kuptohet nga transmetimet e ndryshme të këtij hadithi, personi që kishte sjellë shumë sadaka, ishte Abdurrahman bin Avf (r.a.), kurse ai që kishte sjellë vetëm një masë, ishte Ebu Akil (r.a.).
Gjithashtu, Ulbe bin Zejd (r.a.), nga muslimanët e varfër, u ngrit pasi kishte kaluar një pjesë e natës, fali namaz dhe u lut kështu:
“Allahu im! Ti na urdhërove dhe na nxite që të dalim në xhihad, mirëpo mua s’më dhe ndonjë kafshë që t’i hipi dhe të mund të dal në xhihad së bashku me të Dërguarin tënd! As në dorë të të Dërguarit nuk dhe ndonjë kafshë që të ma jepte mua! Unë gjithmonë e kam dhënë sadakanë që më ka takuar, me mall, me trup dhe plaçka. Allahu im! Po e jap sadaka këtë pak gjë që ma ke dhënë ndër robtë e tu!”
Kur u bë mëngjes, ai shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Unë s’kam në dorë ndonjë gjë për ta dhënë si sadaka, përveç kësaj copë plaçke të cilën po e dhuroj! Edhe atyre që, për shkak të kësaj, më dëshpërojnë ose më thonë fjalë të këqija ose tallen, po ua bëj hallall!”
Përballë këtyre fjalëve të mbushura sa me dashuri dhe sinqeritet, aq edhe me falje e mëshirë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha vetëm kaq:
“Allahu ta pranoftë sadakanë!”
Kurse të nesërmen i tha:
“Unë ta pranova sadakanë dhe tani po të jap këtë lajm të gëzueshëm duke t’u betuar në Allahun që e ka në dorë jetën e Muhammedit, se ti u shënove në tabelën e lartë të atyre që u pranohet sadakaja!” (Ibni Haxher, el-Isabe, II, 500; Ibni Kethir, es-Sire, IV, 9; Vakidi, III, 994)
Një pjesë e hipokritëve përpiqeshin t'i vinin nën ndikimin e vet muslimanët me besim ende të dobët në mënyrë që të mos merrnin pjesë në luftë. Këta kishin bërë si qendër të veprimtarisë së tyre shtëpinë e një çifuti të quajtur Suvejlim. Kur e mori vesh këtë gjë Profeti, dërgoi për atje Hz.Talhanë bashkë me disa shokë të tjerë dhe e dogji shtëpinë e Suvejlimit. Kështu u shpërndanë hipokritët dhe nuk guxuan më t'u hynin punëve të tilla.355
Nga ana tjetër, pas zbritjes së ajeteve paralajmëruese si rrjedhojë e këtyre lloj veprimesh të hipokritëve, që të gjithë besimtarët, zemrat e të cilëve ishin mbështjellë me frikën e ndëshkimit hyjnor, si një trup i vetëm, morën pjesë në luftë, aq sa dukej sikur Medina kishte mbetur krejt bosh! Ndërkaq, lufta mund të vazhdonte gjatë dhe, ndërkohë, për shkak të ngjarjeve që mund të merrnin udhë në qendrën e shtetit, qëndrimi në këmbë i shoqërisë mund të vështirësohej. Prandaj Allahu i Lartë dërgoi një kriter për pjesëmarrjen në luftë dhe lënien pas të atyre njerëzve, qëndrimi i të cilëve në vend ishte i domosdoshëm për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të fesë, shtetit dhe shoqërisë:
وَمَا كَانَ الْمُؤْمِنُونَ لِيَنفِرُوا كَآفَّةً
فَلَوْلاَ نَفَرَ مِن كُلِّ فِرْقَةٍ مِّنْهُمْ طَآئِفَةٌ لِّيَتَفَقَّهُوا فِي الدِّينِ
وَلِيُنذِرُوا قَوْمَهُمْ إِذَا رَجَعُوا إِلَيْهِمْ لَعَلَّهُمْ يَحْذَرُونَ 
"Nuk është e drejtë që të gjithë besimtarët të dalin në luftë. Një grup nga çdo pjesë e tyre duhet të aftësohen në punët fetare për ta mësuar dhe drejtuar popullin e vet e, kur të kthehen tek ta, të dijnë si t'ua tërheqin vëmendjen në mënyrë që të ruhen.." (et-Tevbe, 122)
Siç e kërkonte ky urdhër hyjnor, i dërguari i Allahut (s.a.s.) la në Medinë për sigurimin e prapavijës Hz. Aliun (r.a.) dhe Muhammed bin Meslemen (r.a.).

Koha e vështirësive 356
Më në fund, pavarësisht nga të gjitha shqetësimet dhe kushtet e vështira, ushtria u nis me madhështi. Megjithatë, ushtria ishte në gjendje të tregonte durim dhe lejueshmëri ndaj shumë vështirësive. Sepse kushtet ishin mjaft të vështira e të rënda. Faktorët që e vështirësonin këtë fushatë ishin, shkurtimisht, këto:
1. Thatësira e madhe.
2. Rruga e gjatë dhe në shkretëtirë që ishte e papërshtatshme për ecjen në këmbë.
3. Ishte stina e të korrave dhe mbledhjes së frutave.
4. Ishte vapë e madhe.
5. Krijimi i përshtypjes për forcën e madhe të ushtrisë bizantine duke parë kah numri i madh i saj.
Kështu, për shkak të të gjitha këtyre vështirësive, kjo luftë u quajt "Lufta e vështirësive" (Gazvetul Usre), ushtria, "Ushtria e vështirësive" (Xhejshul Usre) dhe ditët e fushatës, "Koha e vështirësive" (Saatul Usre).
Pak pasi ushtria ishte nisur, Hz. Aliu (r.a.), si rrjedhojë e intrigave të hipokritëve, doli nga Medina, e arriti Profetin dhe i kërkoi leje të merrte pjesë në radhët e ushtrisë:
"O i Dërguari i Allahut! Hipokritët thonë se më le në Medinë pasi s'të pëlqej. Më jep leje të marr pjesë në luftë!"
Atëherë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu drejtua:
"O Ali! Ata kanë gënjyer! Unë të lashë ty zëvendësin tim për ata që kam lënë pas. Kthehu menjëherë dhe kujdesu edhe për familjen tënde, edhe për timen! O Ali, a nuk të pëlqen që t'i ngjash Harunit të Musait? Me përjashtim të faktit se pas meje nuk ka për të ardhur më profet tjetër!" (Ibni Hisham, IV, 174; Buhari, Megazi, 78; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 31)
Dhe Aliu (r.a.), i merituari i kësaj konsiderate dhe i këtij komplimenti, u kthye në krye të detyrës me pëlqim dhe gëzim të madh!
Ushtria kishte bërë mjaft rrugë kur e arriti sahabiu Ebu Dher (r.a.). Ai kishte mbetur pas se kafsha e dobët nuk e kishte përballuar dot udhëtimin, aq sa, më në fund, duke e braktisur, Ebu Dheri kishte vazhduar udhëtimin në këmbë! Duke e parë këtë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha me buzëqeshje:
“Allahu e mëshiroftë Ebu Dherin! Ai, kështu, ka jetuar dhe ka për të jetuar i vetëm, ka për të vdekur i vetëm dhe ka për t’u ringjallur i vetëm!”
Kjo shprehje mrekullore e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), me kohë, u vërtetua plotësisht. Ebu Dheri (r.a.) jetoi i vetëm dhe vdiq i vetëm! (Vakidi, III, 1000)
Udhëtimi i ushtrisë muslimane kalonte shumë lodhshëm. Vapa të turbullonte. Ngaqë tre vetëve u kishte rënë një deve, ushtarët hipnin me radhë, gjë që shkaktonte vështirësi më vete. Dy vetë ndanin një hurma. Disa herë e kishin të vështirë për të gjetur ujë. Për këtë arsye, gjatë abdestit, gjymtyrët laheshin një herë. Profeti urdhëroi që ata që konsideroheshin vendës, të bënin mest (fërkim me duar të lagura mbi meste) një ditë, kurse ata që konsideroheshin rrugëtarë, tri ditë.357 Një radhë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) bëri lutje për shi i cili ra vetëm në zonën ku ndodhej ushtria.358
Kur ushtria islame po kalonte nëpër zonën Hixhr, pranë rrugës, aty ku kishte ndodhur shkatërrimi i fisit Themud, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha shokëve:
"Kjo është një zonë prej ku duhet ikur me vrap!.." (Vakidi, III, 1008)
Pastaj shtoi:
“Hyni duke qarë në vendbanimin e atyre që i bënë padrejtësi vetes, përndryshe, ato që u ranë atyre mbi kokë, mund t’ju bien edhe juve!”
Dhe ata kaluan me shpejtësi duke i mbuluar kokat. Ujrat që i patën mbushur para se t'i porosiste Profeti, i derdhën dhe brumërat që i kishin gatuar me atë ujë, i hodhën... (Buhari, Enbija, 17; Tefsir, 15/2; Muslim, Zuhd, 39)
Mjediset e ndëshkimit e ruajnë fatin e merituar gjer në kiamet, prandaj Profeti i porositi që të kalonin me shpejtësi në mënyrë që mbi ta të mos reflektohej ai fat e të mos ndikonte ajo atmosferë shkatërrimi.359
Një natë, kur ndodheshin në zonën Hixhr, Profeti (s.a.s.) tha:
“Sonte ka për të dalë një erë shumë e fortë. Secili ta lidhë fort devenë, të shtrihet aty ku ndodhet e të mos ngrihet në këmbë!”
Me të vërtetë, atë natë doli një ciklon shumë i fortë. Dikë që u ngrit për të marrë abdest, e përplasi përtokë, kurse dikë tjetër që doli për ta kërkuar devenë, e hodhi gjer në malin Taj. (Buhari, Zekat, 54; Muslim, Fedail, 11)
Kur gjer në Tebuk kishte mbetur një ditë udhë, ushtria islame po kalonte përsëri vështirësi për ujë. Muadh bin Xhebel (r.a.) tregon:
"I Dërguari i Allahut (s.a.s.) na tha: 
"Nesër, në dashtë Zoti, do të arrini në burimin e Tebukut!"
Kur arritëm të nesërmen, uji që jepte burimi, u mblodh me grushte. Me ujin e mbledhur Profeti lau duart dhe sytë dhe e spërkati burimin. Pastaj mori dhe nguli në burim tre kunja druri me majat të hekurta. Menjëherë shpërtheu një ujë si biluri dhe të gjithë luftëtarët i plotësuan nevojat e veta. Kurse Profeti m'u drejtua mua:
"O Muadh! Po të kishe një jetë të gjatë, do të arrije të shihje se si me këtë ujë, këto vende do të mbusheshin plot bahçe e vreshta!.." (Muslim, Fedail, 10; Ahmed, V, 238)
Meqë po vuanin nga uria, sahabet thanë:
“O i Dërguari i Allahut! Po sikur të na jepni leje të therim deve për të ngrënë dhe për të marrë dhjamë?”
“Mirë, ashtu bëni!” – U tha i Dërguari i Allahut. Ndërkaq, erdhi Omeri (r.a.) dhe tha:
“O i Dërguari i Allahut! Po të jepni leje që të theren devetë, ushtrisë do t’i pakësohen kafshët e transportit. Por, po të doni, thojuni atyre të sjellin ushqimet që kanë në duar dhe pastaj lutiuni Allahut që t’u japë bereqet. Shpresohet që Allahu t’i begatojë dhe shtojë ushqimet!”
“Shumë mirë, ashtu po bëjmë!” – Tha i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Pastaj urdhëroi të sjellin një shtrojë lëkure ku secili la ç’kishte: dikush një dorë thekër, dikush një dorë hurma dhe, dikush, copa buke. Mbi shtrojë, me të vërtetë, shumë pak gjë u mblodh! I Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu lut Allahut që t’ua shtonte ushqimet dhe pastaj u tha ushtarëve:
“Sillni enët dhe mbushini prej këtu!”
Ushtarët i mbushën enët me ushqime pa mbetur askush pa gjë. Pastaj, pasi hëngrën dhe u ngopën, prapë u mbeti mjaft ushqim. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut! Kush takohet me Allahun pa i besuar pa dyshim dhe lëkundje njësisë së Allahut dhe profetësisë sime, pa dyshim ndalohet të hyjë në xhennet!” (Muslim, Iman, 45)
Megjithëse ushtria islame e ngriti fushimin në Tebuk, nga armiku nuk binte në sy asnjë lëvizje. Sepse fiset arabe krishtere që po shihnin një ushtri muslimane kaq të madhe, duke kujtuar trimëritë e ushtrisë muslimane trimijëshe në Mute, të thyer moralisht, ishin tërhequr nga beteja! Kurse Bizanti prej kohësh kishte hequr dorë prej mendimit për ta pushtuar Gadishullin Arabik! Atë mes, perandori bizantin po merrej me çështjet e brendshme. Atëherë u kuptua se çështja e pushtimit të gadishullit kishte qenë një stërmadhim i gassanive.
Megjithatë, me këtë fushatë muslimanët fituan një nder shumë të madh. Kufijtë veriorë të Arabisë u vunë nën siguri të plotë. Sundimtari i Emanit, popullsia e Xherbas dhe Erzuhut dhe çifutët e Meknas hynë nën mbrojtjen e muslimanëve duke paguar, si kundërvlerë, një xhizje. Hz. Halid bin Velidi me katërqind kalorës sulmoi Dumetul Xhendelin, kapi sundimtarin e tij, Ukejdir bin Abdylmelikun, dhe e solli te Profeti (s.a.s.). Edhe ai u fut nën mbrojtjen e muslimanëve duke paguar xhizje. (Ibni Hisham, IV, 180-182; Ibni Sa’d, I, 276-277; Ahmed, V, 425)
Ushtria islame qëndroi në Tebuk njëzet ditë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk deshi të shkonte më tej. Sepse ai nuk dëshironte që njerëzit t'i fuste në Islam me anë të shpatës. Ndërkaq, edhe shtetit bizantin i ishte bërë kërcënimi i duhur, ndërsa para nuk u kishte dalë asnjë armik. Veçanërisht ato kohë Sirinë po e shkatërronte epidemia e murtajës. Lidhur me këtë epidemi vdekjeprurëse, Profeti pati porositur atëherë:
"Po të dëgjoni në një zonë për këtë epidemi, mos hyni aty; por, po të ndodheni aty, kurrsesi të mos dilni!" (Buhari, Tib, 30)
Pastaj, pasi u këshillua me shokët, mori vendim për t'u kthyer në Medinë.
Një tjetër nga ata që u bashkuan me ushtrinë në Tebuk, ishte edhe Ebu Hajseme (r.a.). Në fillim, për shkak të vështirësive të përgatitjes së fushatës, ai nuk mundi të bashkohej me ushtrinë dhe mbeti në Medinë. Pastaj, një ditë, kur gratë i kishin shtruar një sofër të mirë në çardak dhe e kishin ftuar të hante, me ta parë sofrën, Husejmes i kishte shkuar mendja te Profeti dhe shokët, te vështirësitë që po kalonin, me siguri, ata tani dhe, i prekur shumë në vetvete e me ndjenjën e pendesës, pa e prekur fare sofrën, u nis për udhë!
Kur Profeti e pa se po vinte, i kënaqur nga kjo gjë, i tha:
"O Eba Hejseme! Edhe për pak do të ishe shkatërruar!.."
Dhe iu lut Zotit që ta falte! (Ibni Hisham, IV, 174; Vakidi, III, 998)
Zoti nuk u bën robve ndonjë propozim që të jetë mbi fuqitë e tyre. Ndërkaq, njerëzit mbajnë përgjegjësi për t’i kryer punët që kanë mundësi. Edhe kjo që bëri Ebu Hajseme qe një shpagim përgjegjësie.
Këto ngjarje janë për ne shembuj të gjallë. Janë pretekste për të matur se sa mund t’i shpenzojmë mundësitë që kemi në rrugën e Zotit si dhe për të medituar mbi përgjegjësinë që jemi muslimanë!
Në mëngjes, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) mbajti një hutbe (ligjëratë) i mbështetur tek një dru hurme. Pasi i lavdëroi dhe e falenderoi Allahun, tha kështu:
“Njeri i mirë e i dobishëm është ai që lufton në rrugën e Allahut në shpinë të devesë ose më këbmë gjer në vdekje, kurse njeri i keq është mëkatari dhe guximtari sfidues i cili e këndon librin e Allahut pa përfituar asgjë prej tij!
Dijeni mirë se fjalët më të drejta janë Libri i Allahut! Litari më i shëndoshë ku duhet mbajtur, është devocioni! Feja e mbarë dhe e dobishme është Islami, feja e Ibrahimit! Sunneti (tradita) më e mbarë e më e dobishme është sunneti (tradita) e Muhammedit. Fjala më e denjë është përmendja e emrit të Allahut! Rrëfimet më të bukura janë ato të Kur’anit!360 Akti dhe puna më e mirë e më e dobishme janë aktet e detyrueshme që i kërkon Allahu! Aktet dhe punët më të këqija janë sajimet (bid’at). Rruga dhe ecja më e mirë e më e dobishme është rruga dhe ecja e Pejgamberit! Vdekja më e denjë është rënia dëshmor!
Mëe keqja e të këqijave është shmangia nga rruga e drejtë pasi të jetë gjetur ajo! Gjëja e pakët dhe e mjaftueshme është më e mbarë e më e dobishme se gjëja e shumtë që e pengon njeriun nga adhurimi i Allahut! Pendesa dhe kërkesa për falje më e keqe është ajo që bëhet në çastin e vdekjes. Pendimi më i keq është ai i ditës së kiametit. Më i mbrapshti i njerëzve është ai që shkon i fundit në namazin e xhumasë dhe që e kujton Allahun me një gjuhë të keqe! Ai që i thotë gjuha më shumë gënjeshtra, është ai që bën më shumë gabime!
Më e mbara dhe më e dobishmja e pasurisë është pasuria e zemrës. Më e mbara dhe më e dobishmja e ushqimeve është ushqimi i devocionit. Kreu i urtësisë është frika nga Allahu. Fjalët dhe poezitë pa urtësi janë punë të djallit. Pija është e keqja që i bashkon në vetvete të gjitha të këqijat. Femrat mëkatare janë kurthe të djallit. Mosha rinore e paedukuar është një lloj marrëzie. Kamata është fitimi që i keq. Shfrytëzimi më i keq është shfrytëzimi i pasurisë së jetimit. Personi i lumtur është ai që merr mësim nga gjendja e tjetrit.
Secili nga ju arrin gjer te vendi katër arshin (gjer te varri). Kurse llogaria e punëve mbetet për pas ringjalljes. Esenciale në aktet dhe punët është rezultati i tyre. Mendimet më të këqija janë mendimet e gabuara dhe gënjeshtrat. Sharja dhe fyerja e besimtarit është mëkat. Vrasja e besimtarit është mohim dhe herezi. Ngrënia e mishit të besimtarit (përfolja, thashethemet, shpifjet) janë kundërvënie ndaj urdhrave të Allahut!
Personi që betohet në gënjeshtër duke u mbështetur në emrin e Allahut, vetëmashtrohet. Personi që lutet për falje, falet nga Allahu. Kush e mposht zemërimin, Allahu e shpërblen. Allahu ia paguan dëmin atij që i nënshtrohet dëmit. Allahu e shpërblen shumëfish atë që i pranon dhe i përballon vështirësitë. Personin që e kundërshton Allahun ose ngre krye kundër Tij, Allahu e ndëshkon rëndë!

Allahu im! Falna mua dhe ummetin tim!
Allahu im! Falna mua dhe ummetin tim!
Allahu im! Falna mua dhe ummetin tim!
Kërkoj falje nga Allahu për vete dhe për ju!” (Vakidi, III, 1016-1017; Ahmed, III, 37; Ibni Kethir, el-Bidaje, V, 13-14)

Dëshmori i Tebukut
Në fushatën e Tebukut ra dëshmor vetëm një sahabi, i quajturi Abdullah el-Muzeni (r.a.), i nderuar me Islamin mes një fisi politeist. I ati që i kishte vdekur, s’i kishte lënë asnjë trashëgim. Kurse i ungji pasanik e kishte marrë pranë, e kishte rritur dhe e kishte bërë pronar malli. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) emigroi në Medinë, Abdullai deshi të bëhej musliman, por nuk mundi për shkak të të ungjit politeist. Pasi Profeti ngadhnjeu mbi Mekën dhe u kthye në Medinë, Abdullai i tha të ungjit:
“O im ungj! Prita vazhdimisht që të bëheshe musliman, por ende s’po e shoh që ta dëshirosh Muhammedin! Të paktën më lejo mua të bëhem musliman!”
I ungji ia ktheu:
“Po qe se ti bashkohesh me Muhammedin, kam për të t’i marrë të gjitha që t’i kam dhënë duke t’i zhveshur edhe rrobat e trupit!”
Atëherë, Abdullai i tha:
“Vallahi, unë u bashkova me Muhammedin! Unë i braktisa idhujt dhe gurët! Po m’i more gjërat që kam në dorë, merrmi!”
I ungji ia mori gjithçka gjer te rrobat e trupit. Abdullai (r.a.) shkoi te e ëma pa rroba. E ëma e preu qilimin e trashë që kishte, në dy pjesë dhe i dha. Gjysmën Abdullai e mbështolli në brez e lart, kurse gjysmën tjetër, në brez e poshtë. Ai ishte i vendosurprandaj donte të shkonte një çast e më parë në Medinë e të takohej me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Të gjitha pengesat që kishte para s’i dukeshin asgjë! Kështu, duke mos duruar dot, atë natë u pëvodh nga fisi që e shtrëngonte, dhe u vu në udhë. Pas një udhëtimi të gjatë e të vështirë, me këmbë të copëtuara, i dobësuar nga uria dhe etja, iu afrua Medinës. Emocioni i kishte arritur kulmin! Por, në një çast, mendoi se nuk mund të dilte para Profetit me atë veshje qesharake! Megjithatë, i riu i ekzaltuar me emocionit e takimit me të Dërguarin e Allahut, zuri rrugën e Faltores Profetike nën vështrimet e habitura të atyre që e shihnin. Ai fjeti në faltore gjersa u gdhi. Profeti (s.a.s.) drejtoi faljen e namazit të agimit. Pastaj, pasi i hodhi një sy xhemaatit dhe do të kthehej në shtëpi, pa Abdullain. Profeti i mëshirës (s.a.s.) i cili ishte mbështetja dhe strehimi i të vetmuarve dhe i të vuajturve, e mori pranë duke e rrethuar me kujdesje. Kur e mësoi se quhej Abduluzza, i tha:
“Ti je Abdullah Dhulbixhadejni (Arapça metin), Abdullai i “dy copave qilim”! Të rrish në një vend pranë meje! Dhe të më vish pranë shpesh!”
Abdullai (r.a.) rrinte në sofat dhe mësonte Kur’an. Ai mësoi përmendësh shumë sure të Kur’anit.
Ky sahabi i bekuar i lidhur me pasion ndaj të dërguarit të Allahut, vraponte pas tij nga lufta në luftë duke u djegur nga dëshira për të rënë dëshmor. Duke dalë për në fushatën e Tebukut, ai i kërkoi Profetit të lutej për të që të binte dëshmor. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u lut kështu:
“Allahu im! Bëjua haram qafirëve gjakun e këtij!”
“O i Dërguari i Allahut, unë s’desha kështu!” – I tha Abdullai. 
Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:
“Po qe se ti del në luftë në rrugën e Allahut dhe të zënë ethet e vdes, bëhesh dëshmor! Po qe se të rrëzon kafsha dhe thyen qafën, prapë je dëshmor! Mos u mërzit! Çfarëdo që të të ndodhë prej këtyre, ti bëhesh dëshmor dhe kjo të mjafton!”
Me të vërtetë, vdekja dhe rënia e tij dëshmor u vërtetua mrekullisht ashtu siç pati parashikuar Profeti. Një natë kur ushtria po merrej me përgatitjet e kthimit, tre vetë, nga të cilët, njëri ishte Zotëria i profetëve dhe dy të tjerët, miq të Allahut dhe të të Dërguarit, po bartnin një kufomë nën dritën e pishtarëve. Ata ishin: Profeti Muhammed (s.a.s.), Hz. Ebu Bekr dhe Hz. Omer (r.anhuma). Kurse kufoma që po bartnin ishte e Abdullah Dhulbixhadejnit (r.a.)!
Abdullah bin Mes’udi (r.a.) që e sodiste me zili atë pamje, thotë:
“Në errësirën e natës, në një skaj të fushës ku luftëtarët kishin ngritur çadrat, pashë një dritë që lëvizte. U ngrita dhe e ndoqa. Kur ç’të shoh? I Dërguari i Allahut (s.a.s.), Ebu Bekri dhe Omeri (r.anhuma) po bartnin kufomën e Abdullah Dhulbixhadejnit (r.a.). Arritën në një vend, qëndruan dhe nisën të hapin varrin. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) zbriti në varrin e hapur, kurse Ebu Bekri dhe Omeri (r.anhuma) e përgatitën kufomën për t’ia dhënë Profetit.
I Dërguari i Allahut urdhëroi:
“Afromani vëllain tuaj!” 
Dhe ata ia afruan. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e mori kufomën në prehër dhe, pasi e vendosi ashtu siç duhej në varr, e drejtoi trupin dhe u lut kështu:
“O Zot! Unë jam i kënaqur me të dhe kështu, i kënaqur kam arritur gjer këtë ditë, edhe Ti ji i kënaqur me të!..”
Abdullah bin Mes’udi (r.a.) vazhdon:
“Para kësaj pamjeje, u ngashëreva! E pata zili Dhulbixhadejnin! Dhe atë çast dëshirova aq shumë që të isha unë kufoma e atij varri, që të isha unë i varrosuri me konsideratën e Profetit!” (Ibni Hisham, IV, 183; Vakidi, III, 1013-1014; Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, III, 227)

Pabesia e hipokritëve dhe faltorja Dirar
Kur nisi kthimi, një grup nga hipokritët kishin planifikuar një atentat kundër të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) në një grykë që do të kalohej natën. Profeti u informua dhe dërgoi kundër tyre Hudhejfetul Jemaniun (r.a.), i cili, kur arriti në vend, u thirri komplotistëve:
"O dushmanët e Allahut, hiquni nga rruga!"
Dhe i shpërndau të gjithë ç’qenë aty! (Ahmed, V, 453)
Por të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) e priste një kurth tjetër i hipokritëve.
Ndërsa Islami po zinte rrënjë, një krishter i fisit Hazrexh, i quajtur Ebu Amr Fasik, i larguar prej Meke dhe Medineje, qe strehuar në Bizant dhe i nxiste hipokritët pa pushim. Ndërkaq, ata kishin ndërtuar pak më poshtë faltores së Kubas një faltore tjetër që e përdornin si pikë takimesh. Ajo ishte faltorja e njohur Dirar.
Hipokritët e patën ftuar Profetin, me qëllim për t'i bërë atentat, në atë faltore qysh para nisjes për në Tibuk, por Profeti u kishte thënë vetëm "dashtë Zoti kur të kthehemi!" dhe ata ishin vënë të prisnin.
Një konak rrugë pa arritur në Medinë, erdhi Xhebraili (a.s.) dhe e lajmëroi Profetin (s.a.s.) për fytyrën e vërtetë të kësaj çerdheje intrigash të dukur nga jashtë si xhami. E kështu, ky kurth i ngritur kundër të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), për rrjedhojë, kundër muslimanëve duke përdorur faltoren kundër faltores, fenë kundër fesë, nuk ia arriti dot qëllimit. Sepse Zoti e bënte të ditur këtë të vërtetë në një mënyrë krejt të hapur:
وَالَّذِينَ اتَّخَذُوا مَسْجِداً ضِرَاراً وَكُفْراً وَتَفْرِيقاً بَيْنَ الْمُؤْمِنِينَ 
وَإِرْصَاداً لِمَنْ حَارَبَ الله وَرَسُولَهُ مِن قَبْلُ وَلَيَحْلِفَنَّ إِنْ أَرَدْنَا 
إِلاَّ الْحُسْنَى وَاللّٰهُ يَشْهَدُ إِنَّهُمْ لَكَاذِبُونَ لاَ تَقُمْ فِيهِ أَبَداً 
لَمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَى مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَنْ تَقُومَ فِيهِ
فِيهِ رِجَالٌ يُحِبُّونَ أَن يَتَطَهَّرُوا وَاللّٰهُ يُحِبُّ الْمُطَّهِّرِينَ 
"... Edhe ata që ndërtuan xhami sherri, mosbesimi e përçarjeje mes besimtarëve dhe ftuan në pritje atë që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ata do të betohen: "Ne nuk kemi patur tjetër qëllim veçse për të mirë!" Por Allahu dëshmon se ata vërtet janë gënjeshtarë! Ti mos u fal kurrë aty! Por është më e drejtë të falesh në një xhami të ngritur qysh ditën e parë për respekt të Allahut. Atje ka burra që dëshirojnë të pastrohen dhe Allahu i do të pastrit!" (et-Tevbe, 107-108)
Kësaj radhe, çështja nuk kufizohej vetëm me një intrigë, por kishte marrë përmbajtje kurthi dhe atentati. Për këtë shkak duhej që hipokritëve t’u grisej maska dhe të shembuj ndërtesa e dredhive që ata e kishin quajtur faltore!
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) veproi sipas urdhrit hyjnor dhe, sapo arriti në Medinë, e shembi faltoren Dirar. (Ibni Hisham, IV, 185)

Nga xhihadi i vogël, në xhihadin e madh!
Fushata e Tebukut si fushata ku i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kishte marrë pjesë për të fundit herë, ishte një fushatë e vështirë dhe e mundimshme. Njerëzit kishin bërë një mijë kilometra vajtje-ardhje. Kur qenë afruar në Medinë, pothuaj kishin ndërruar trajtë. Kishin mbetur kockë e lëkurë, flokët dhe mjekrat u ishin ngatërruar me njëra-tjetrën. Në një situatë të tillë, Profeti (s.a.s.) u tha:
"Po kthehemi nga xhihadi i vogël në xhihadin e madh!.."
Dhe shokët e pyetën me habi:
"O i Dërguari i Allahut! Halli ynë është sheshit! A mund të ketë xhihad më të madh se ky?"
Dhe Profeti (s.a.s.) ua sqaroi mendimin e vet:
"Tani po kthehemi në xhihadin e madh të vetvetes!" (Sujuti, II, 73)
Xhihadi ose lufta në vetvete është edukimi i vetvetes, është lartësimi moral dhe përsosja e personalitetit për të arritur atë nivel që quhet "njeri i përsosur". Dhe rruga e kësaj është arritja e përsosjes “duke u lartësuar në miraxhin e tevhidit” me një mendje të gatuar me të vërteta hyjnore, me një zemër të stolisur me besim dhe moral të bukur dhe me qëndrime e sjellje të kurorëzuara me frymën shpirtërore të Kur’anit dhe Sunnetit!
***
Kur Profeti arriti në Medinë, i gjithë populli i priti me entuziazëm atë dhe ushtrinë islame. Edhe fëmijët ishin derdhur rrugëve për ta pritur Profetin në vendin e quajtur Senijetul Veda.361

Tre sahabe me pendesë të shtyrë
Ndërkaq, burrat që kishin mbetur në Medinë, pra, nuk kishin marrë pjesë në Tebuk, ndaheshin në tre grupe:
1. Të justifikuarit: Këta ishin personat e përcaktuar më sipër sipas Kur'anit, të cilët nuk kishin mundur dot të merrnin pjesë në ushtri me gjithë dëshirën e tyre të madhe. Për këta, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i kishte folur kështu ushtrisë:
"Në Medinë ka të tillë që nuk ka vend ku të kemi shkuar ose ku të kemi kaluar që edhe ata të mos kenë qenë së bashku me ne; ata i ka lënë pas e pamundura..." (Buhari, Megazi, 81; Muslim, Imare, 159)
Po kështu, në një hadith tjetër profetik thuhet:
“Veprimet janë (vlerësohen) sipas qëllimit!..” (Buhari, Bedu’l-Vahj, 1)
2. Hipokritët: Këta ishin personat të cilët, krahas paraqitjes së disa shkaqeve, nuk kishin marrë pjesë në ushtri edhe pse kishin pasë menduar se Profeti nuk kishte për t'u kthyer më nga ajo fushatë. Por, kur panë se Profeti u kthye shëndoshë e mirë dhe me shumë suksese, vrapuan për ta takuar kush e kush më parë, i thanë një mijë e një gënjeshtra e i kërkuan falje. Ata bëheshin rreth tetëdhjetë vetë. Allahu i Lartë urdhëronte kështu për ta:
وَيَحْلِفُونَ بِاللهِ إِنَّهُمْ لَمِنْكُمْ وَمَا هُم مِنْكُمْ وَلَـكِنَّهُمْ قَوْمٌ يَفْرَقُونَ . 
لَوْ يَجِدُونَ مَلْجَأً أَوْ مَغَارَاتٍ أَوْ مُدَّخَلاً لَوَلَّوْا إِلَيْهِ وَهُمْ يَجْمَحُونَ 
"Ata (hipokritët) betohen se me të vërtetë janë nga tuajët. Por jo; ata janë frikacakë... Po qe se do të gjenin ndonjë vend ku të strehoheshin, ose shpellë, ose vrimë ku të fusnin kokën, andej do të shkonin!.." (et-Tevbe, 56-57)
يَعْتَذِرُونَ إِلَيْكُمْ إِذَا رَجَعْتُمْ إِلَيْهِمْ قُل لاَّ تَعْتَذِرُوا لَن نُّؤْمِنَ لَكُمْ قَدْ
نَبَّأَنَا الله مِنْ أَخْبَارِكُمْ وَسَيَرَى الله عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ ثُمَّ تُرَدُّونَ إِلَى
عَالِمِ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ . سَيَحْلِفُونَ
بِاللهِ لَكُمْ إِذَا انْقَلَبْتُمْ إِلَيْهِمْ لِتُعْرِضُوا عَنْهُمْ فَأَعْرِضُوا عَنْهُمْ إِنَّهُمْ
رِجْسٌ وَمَأْوَاهُمْ جَهَنَّمُ جَزَاءً بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ
"Kur të ktheheni, do të kërkojnë falje prej jush. Thuaju: "Mos kërkoni të justifikoheni, kurrsesi nuk ju besojmë juve! Sepse Allahu na i ka përcjellë lajmet tuaja dhe ka për të parë edhe punët tuaja. Po ashtu edhe i Dërguari i Tij! Pastaj Zoti do t'ju tregojë se ç'keni punuar... Kur të ktheheni tek ta, do t'ju betohen në emër të Allahut që të mos i ndëshkoni. Por mos u merr me ta se ata janë të ndyrë, kurse vendi ku do të arrijnë, është xhehennemi!" (et-Tevbe, 94-95)
Nisur nga këto ajete, hipokritët më në fund u izoluan prej shoqërisë islame, u cilësuan "murdarë" (të ndyrë) dhe nuk u numëruan më si muslimanë. Veçanërisht u ndaluan nga çdo lloj lufte që do të bëhej për Islamin.
3. Të pajustifikuarit
Ndaheshin në dy grupe:
a. Ata që nuk morën pjesë në fushatë megjithëse nuk kishin ndonjë justifikim dhe nuk ishin prej hipokritëve. Këta persona e kuptuan gabimin që pa u kthyer Profeti (s.a.s.) prej Tibuku dhe, si vetëndëshkim, u lidhën pas shtyllave të xhamisë duke u betuar se do të mbeteshin aty gjersa t'i zgjidhte vetë Profeti (s.a.s.). Pasi u kthye në Medinë dhe mësoi për ta, Profeti (s.a.s.) tha:
"Edhe unë s'kam për t'i zgjidhur gjersa të marr urdhër për ta..."
Pas kësaj, u zbulua ky ajet:
وَآخَرُونَ اعْتَرَفُوا بِذُنُوبِهِمْ خَلَطُوا عَمَلاً صَالِحاً
وَآخَرَ سَيِّئاً عَسَى الله أَنْ يَتُوبَ عَلَيْهِمْ إِنَّ الله غَفُورٌ رَحِيمٌ 
"Kurse të tjerët e pohuan fajin e tyre; ata e kishin ngatërruar punën e mirë me punën e keqe. Ndoshta Allahu ka për ta pranuar pendesën e tyre. Allahu është falës dhe mëshirues!" (et-Tevbe, 102)
Pas zbulimit të këtij ajeti, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i zgjidhi këta njerëz që e kishin lidhur veten si gjest të pendesës së tyre!
b. Këta ishin tre vetë që nuk kishin të bënin me hipokritët, që nuk kishin justifikim, që nuk ndërmorën ndonjë veprim, por që edhe nuk gënjyen. Këta ishin poeti Ka'b bin Malik, Murare bin Rebi dhe Hilal bin Umejje. Ata i pohuan Profetit (s.a.s) se nuk kishin ndonjë justifikim për mospjesëmarrjen në luftë. Ndërkaq, duke shprehur pendesën e tyre të thellë, kërkuan nga Profeti falje.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) që ishte shumë i prerë në çështjen e respektimit të urdhrave hyjnorë, nuk i fali. Madje, meqë priste zbulesën hyjnore, nuk i pranoi as përshëndetjet e tyre. Po kështu u sollën edhe shokët e tjerë të Profetit.
Këta tre shokë kishin marrë pjesë në të gjitha luftërat. Përveç Ka'b bin Malikut, dy të tjerët kishin marrë pjesë edhe në luftën e Bedrit. Prandaj, situata e krijuar për ta, e cila reflektohej gjer në familje, u bë shumë e rëndë. Kështu, në një izolim të plotë, kaluan pesëdhjetë ditë. Më në fund, si shpërblim i fjalëve të drejta që kishin thënë dhe i pendesës së sinqertë, u falën me anë të këtij ajeti kur'anor:
وَعَلَى الثَّلاَثَةِ الَّذِينَ خُلِّفُوا حَتَّى إِذَا ضَاقَتْ عَلَيْهِمُ الْأَرْضُ بِمَا
رَحُبَتْ وَضَاقَتْ عَلَيْهِمْ أَنْفُسُهُمْ وَظَنُّوا أَنْ لاَّ مَلْجَأَ مِنَ الله إِلاَّ إِلَيْهِ 
ثُمَّ تَابَ عَلَيْهِمْ لِيَتُوبُوا إِنَّ الله هُوَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ . 
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا الله وَكُونُوا مَعَ الصَّادِقِينَ 
"Allahu e pranoi edhe pendesën e tre vetëve të tjerë. Toka e gjerë u pati ardhur e ngushtë atyre dhe ndërgjegjet u qenë vrarë gjersa e patën kuptuar se s'ka zgjidhje tjetër veç mbështetjes te Allahu. Pastaj, Allahu ua pranoi pendimin se Allahu është mëshirues dhe e pranon pendimin! O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe bëhuni bashkë me besnikët!" (et-Tevbe, 118-119)
Lajmin e mirë Ka'b bin Malikut, Profeti (s.a.s.) ia bëri të ditur në këtë mënyrë:
"Po të përgëzoj për ditën më të dobishme e më të lumtur tënden prej që kur ke lindur!.."362
Dhe Ka'bi (r.a.), si falenderim për këtë falje të lartë të Allahut, tha:
"O i Dërguari i Allahut! Edhe unë dëshiroj që, për pëlqim të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, ta fal krejt pasurinë time!"
Por i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha: 
"Një pjesë të pasurisë ndaje për veten tënde! Kjo është më e dobishme për ty!"
Dhe Ka'bi tha:  
"Atëherë, po veçoj pjesën e Hajberit. O i Dërguari i Allahut! Allahu më fali vetëm pse fola drejt dhe unë, sa të jem gjallë, vetëm drejt do të flas!"
Ka’bi (r.a.) thotë kështu:
Betohem në Allahun se, pasi u nderova me Islamin, dhuntia më e madhe që më dha Allahu ishte të thosha të drejtën para Profetit dhe, kështu, të shpëtoja nga shkatërrimi bashkë me gënjeshtarët. Sepse Allahu i Lartë, për ata që, pasi nuk morën pjesë në fushatën e Tebukut, paraqitën justifikime të gënjeshtërta, ka përdorur shprehje të rënda që s’i ka përdorur për asnjë tjetër:
فَأَعْرِضُوا عَنْهُمْ إِنَّهُمْ رِجْسٌ 
“… Kthejeni fytyrën në anën tjetër prej tyre, sepse ata janë të ndyrë…” (et-Tevbe, 95) (Buhari, Megazi, 79, Vesaja, 16, Xhihad, 103; Muslim, Tevbe, 53, Musafirin, 74)
Këta tre sahabe u ndëshkuan kaq rëndë për mospjesëmarrje vetëm në një fushatë megjthëse patën marrë pjesë së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) në të gjitha fushatat e tjera. Kjo ngjarje është një paralajmërim i madh për ata që mbeten, pa ndonjë justifikim, jashtë urdhërimit për të mirë dhe ndalimit të së keqes, si dhe jashtë luftës së tevhidit në rrugën e Allahut!
Me të vërtetë, sa mësidhënëse është që një njeri do ta mbajë emrin sahabe, do të vihet sy për sy me vdekjen duke marrë pjesë në luftëra si ajo e Bedrit në kohën më të dobët të Islamit, pastaj, si pasojë e mospjesëmarrjes pa justifikim në një fushatë të vështirë, por pa luftime, si ajo e Tebukut, do t’i nënshtrohet një trajtimi të tillë kaq të rëndë!.. Krahas një mësimi të jashtëzakonshëm, ç’kuptim i frikshëm ekziston në këtë kompleks ngjarjesh për ata që kanë mendje e arsye! Siç ka ndodhur në çdo periudhë, edhe në kohën tonë, po të mbahet parasysh se është dashur të luftohet për të siguruar fitoren e Islamit, sa e hidhur është gjendja e atyre që, në këtë luftë, janë sjellë me përtesë, për shkaqe të ndryshme, dhe kanë treguar indiferentizëm e nënvleftësim! Po qe se ata që morën pjesë në luftën e Bedrit dhe u çmuan si fitimtarë (gazinj) të Bedrit, e paguajnë kaq shtrenjtë këtë nënvleftësim, duhet menduar se si do të bëhej halli ynë dhe, siç e kërkon urdhri i Allahut të Lartë, duhet përpjekur për të qenë bashkë me njerëzit e mirë (salih)!
Allahu i Lartë ka urdhëruar që besimtarët të shoqërohen me njerëzit e mirë me qëllim që të kenë të bëjnë vazhdimisht me ndikime dhe efekte pozitive dhe që të mund të mbrohen nga ndikimet dhe efektet negative. Ka urdhëruar që në besim, në premtime, në besnikërinë ndaj fesë së vërtetëqoftë si qëllim, qoftë si veprim, domethënë, në çdo specifikë, të rrinë bashkë me personat e drejtë e të ndershëm, të formojnë afërsi me ta, të mbajnë anën e tyre, shkurt të mos ndahen prej tyre! Kjo është e detyrueshme në mënyrë që toka të mos i vijë zemrës e ngushtë, që ndërgjegjet të mos vuajnë dhe që, duke shpëtuar nga ndëshkimi i Allahut, të meritohet pëlqimi i Tij. Sa bukur e ka shprehur poeti dobinë e qëndrimit bashkë me besnikët:
Përpiqen të zhduken vetëm kur bëhen gjemb,
Por të ujitur bashkë me trëndafila duke qenë…
Eshtë mjaft kuptimplote që ky urdhër të ndodhë në fushatën e Tebukut, domethënë, në fushatën e vështirësive. Jo vetëm në kohë rehatie duhet qenë bashkë me njerëzit e mirë dhe besnikë, por edhe duke përballuar vështirëse dhe duke shkuar për në luftë në rrugën e Allahut. T’u vësh gjoksin vështirësive të përballuara nga besnikët, të shkosh në gjurmët e tyre, duhet që të mos mbetesh pas tyre.
Në suren Tevbe të zbritur në përgjigjësi mbi fushatën e Tebukut, qëndrohet më fort mbi rëndësinë e xhihadit me pasuri dhe me ego në rrugën e Allahut. Sepse xhihadi me pasuri dhe me jetë është prova më e madhe e besnikërisë së muslimanëve në fe. Në të njëjtën kohë, kjo parashtron edhe dallimin mes besimtarit dhe hipokritit. Zoti urdhëron kështu:
إِنَّ الله اشْتَرَى مِنَ الْمُؤْمِنِينَ أَنْفُسَهُمْ وَأَمْوَالَهُم بِأَنَّ لَهُمُ الجَنَّةَ 
يُقَاتِلُونَ فِي سَبِيلِ الله فَيَقْتُلُونَ وَيُقْتَلُونَ وَعْداً عَلَيْهِ حَقّاً فِي التَّوْرَاةِ
وَالْإِنجِيلِ وَالْقُرْآنِ وَمَنْ أَوْفَى بِعَهْدِهِ مِنَ الله فَاسْتَبْشِرُوا بِبَيْعِكُمُ
الَّذِي بَايَعْتُم بِهِ وَذَلِكَ هُوَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ 
"Allahu ka blerë nga besimtarët jetët dhe pasuritë e tyre në këmbim të xhennetit. Sepse ata luftojnë në udhën e Allahut, vrasin dhe vriten. Ky është një premtim i vërtetë i Allahut në Teurat, Ungjill dhe Kur'an. E kush është ai që e çon fjalën në vend më shumë se Allahu? Atëherë, gëzohuni për këtë allishverish që keni bërë! Ja, ky është shpëtimi i madh!" (et-Tevbe, 111)
Një specifikë tjetër me rëndësi është kjo që rreziku më i madh për muslimanët në çdo kohë janë hipokritët. Fushata e Tebukut dhe sureja Tevbe e kanë parashtruar këtë specifikë në mënyrën më të hapur dhe i kanë paralajmëruar muslimanët.
Siç kuptohet nga koha e vështirësisë, muslimani kurrë nuk duhet të priret nga rehatia, dëfrimi e kënaqësia, por, duke luftuar me çdo vështirësi të përballuar, të mos mbetet prapa në përparimin në rrugën e Allahut!

Thesaret e tokës e të qiejve janë të Allahut
Pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e mohuesve, Allahu e pati bërë sunduese fenë dhe besimtarët i pati nxjerrë fitues para tyre, sepse kjo ishte premtimi hyjnor i Zotit për besimtarët që ecnin me sinqeritet dhe pastërti në rrugën e Tij e të të Dërguarit të Tij. Për rrjedhojë, kjo e vërtetë do të realizohej pa tjetër, edhe sikur të mos donin armiqtë e Allahut! 
Në Kur'an thuhet:
هُمُ الَّذِينَ يَقُولُونَ لَا تُنْفِقُوا عَلَى مَنْ عِنْدَ رَسُولِ الله حَتَّى يَنْفَضُّوا
وَلِلّٰهِ  خَزَائِنُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَلَكِنَّ الْمُنَافِقِينَ لَا يَفْقَهُونَ
"... Janë ata që thonë: "Mos shpenzoni gjë për ata që janë me të Dërguarin e Allahut, që të shpërndahen e të shkojnë!" Por thesaret e tokës e të qiejve janë të Allahut, por hipokritët nuk e kuptojnë këtë!" (el-Munafikun, 7)
Me të vërtetë, edhe nëse mohuesit, prej shekujsh, janë përpjekur për ta dobësuar fuqinë ekonomike të muslimanëve, meqë thesaret e tokës e të qiejve janë të Zotit, ai u ka bërë të mira të mëdha muslimanëve; duke bashkuar ushtritë materiale e shpirtërore, iu ka dhënë, brenda një kohe të shkurtër, fitoren atyre, kurse mohuesve, disfatën!
Kur shihet në historinë e Islamit, bie në sy fakti që, në sajë të ndihmës së Allahut, besimtarët kanë arritur suksese të mëdha me forca të pakta. Bedri, Muteja, Andaluzia, etj. janë shembuj të kësaj të vërtete. Nga ana tjetër, shtetin Osman që pati hedhur firmën e fjalës së Zotit në të gjithë botën, 400 kalorës e patën ngritur. 
Dhe kjo tregon se muslimanët arrijnë sukses në raport të drejtë me principialitetin dhe sinqeritetin e tyre. Domethënë se ai që humbet sinqeritetin, humbet edhe fuqinë. Kurse ai që nuk ndahet nga rruga e sinqertë, bëhet i pamposhtur. Kur arrihet kjo, çfarëdo që të bëjnë armiqtë e Islamit, nuk munden t'u shkaktojnë asnjë dëm muslimanëve. Sepse Zoti thotë kështu në Kur'an:
وَإِنْ تُصِبْكُمْ سَيِّئَةٌ يَفْرَحُوا بِهَا وَإِنْ تَصْبِرُوا وَتَتَّقُوا لاَ يَضُرُّكُمْ كَيْدُهُمْ
 شَيْئاً إِنَّ الله بِمَا يَعْمَلُونَ مُحِيطٌ 
“(O besimtarë!), në qoftë se ju tregoheni të durueshëm dhe ruheni nga mëkatet, dinakëria e tyre nuk do t'ju dëmtojë aspak. Allahu e ka në dorë gjithshka që bëjnë ata!" (Al-i Imran, 120)
Shekulli i Lumtur dhe historia islame janë dëshmitarë të shfaqjeve të panumërta të këtij ajeti të shenjtë!

Në fenë pa adhurim nuk ka mbarësi!
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pasi i plotësoi fitoret e synuara, u kthye në Medinë, Urfe, i biri i Mes'udit, kryetarit të Taifit, duke e ndjekur këmbë pas këmbe, e arriti aty dhe u bë musliman. Pastaj u kthye në Taif dhe filloi nga detyra e kumtimit të fesë. Por sjellja e taifasve, të cilët dikur e kishin zënë me gurë edhe vetë Profetin, ndaj tij u bë tepër e ashpër. E qëlluan me shigjeta dhe e vranë. Ai ra dëshmor në rrugën e Zotit.363
Pas kësaj, Profeti (s.a.s.) e urdhëroi kryetarin e fisit Hevazin, Malikun, që ishte bërë musliman dhe i ishte kthyer parësia e fisit, t'ua shtrëngonte rripat taifasve. Pasi taifasit u detyruan të mbylleshin për një kohë të gjatë nëpër kalatë e tyre për shkak të presionit dhe rrethimit strategjik të Malikut, më në fund u mërzitën shumë dhe vendosën të dërgonin në Medinë njerëz nga parësia e vet.364 
Me qëllim për t’ua zbutur zemrat, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e priti delegacionin Thekif në faltore.365 Përfaqësuesit vëzhgonin dhe dëgjonin Kur’anin e kënduar natën, suret që këndonin sahabet në namazin tehexhxhud si dhe formimin e radhëve të muslimanëve në pesë kohët e namazeve.366
Delegacioni i thekifasve njoftuan se do të besonin e do të bindeshin me kusht që të përjashtoheshin nga namazi. Profeti (s.a.s.) e hodhi poshtë propozimin e tyre duke u thënë:
"Në fenë pa adhurim nuk ka mbarësi!" (Ebu Davud, Haraxh, 25-26/3026)
Pastaj taifasit propozuan me mendjetrashësi që të lejoheshin të mbanin edhe për tre vjet të tjerë në vendin e vet idhujt e quajtur Lat. Kur edhe kjo s'u pranua, thanë: "Fundja, qoftë edhe një muaj!" Por edhe kjo s'u pranua! Më në fund, të pashpresë, besuan. Edhe këtë radhë deshën që, të paktën, të përjashtoheshin nga detyrimi për ta thyer idhullin Lat. Dhe Profeti, duke mos ngulur këmbë që t'i thyenin ata vetë, dërgoi për këtë punë Ebu Sufjanin dhe Mugiren.367 Por sa e çuditshme që, ndërsa idhujt po thyheshin, gratë e fisit Thekif dolën jashtë e filluan të vajtonin me zi. Por, kur mësuan lartësinë e Islamit si dhe moralin e tij, që të gjitha, si një trup i vetëm, i harruan edhe emrat e idhujve, madje!
Kështu u vërtetua si e pranuar në lartësinë e Allahut lutja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s) si shprehje e kulmit të mëshirës, e bërë prej tij për orientimin e taifasve kundrejt dhunës së tyre në vitin e nëntë të periudhës së Mekës.
Përfaqësuesve të thekifasve iu mësuan konkluzionet, urdhrat dhe detyrimet e Islamit. Profeti (s.a.s.) i urdhëroi edhe që të mbanin agjërim në pjesën e mbetur të muajit të ramazanit. Bilal Abisinasi ua çonte aty ku ndodheshin ushqimet e syfyrit dhe iftarit.368 
Me delegacionet që i vinin, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkonte e takohej kurdo që të ishte i lirë, në mëngjes apo mbrëmje, i bisedonte gjatë e gjatë çështjet e tyre.369 Profeti i cili takohej me delegacionin Thekif rregullisht çdo fund jatsie, një radhë, meqë biseda zgjati shumë, herë pas here i ndërronte këmbët duke qëndruar mbi njërën e duke e pushuar tjetrën.370
Njëri nga përfaqësuesit Thekifë, Evs bin Hudhejfe, tregon kështu:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.), një natë, u vonua shumë të na vinte pas jatsie. Dhe kur erdhi, e pyetëm:
“O i Dërguari i Allahut! Pse u vonove për të ardhur tek ne?”
Profeti (s.a.s.) na u përgjigj:
“Ia kam bërë detyrë vetes që çdo ditë të këndoj një pjesë përmendësh nga Kur’ani. Pra s’desha të vij pa e plotësuar këtë!”
Kur u bë mëngjes, i pyetëm sahabet:
“Ju si e mësoni dhe e këndoni përmendësh Kur’anin?”
Ata na thanë:
“Në fillim mësojmë dhe këndojmë përmendësh tri suret e para, pastaj bëjmë një këndim të dytë me pesë suret në vazhdim, pastaj, me radhë, duke bashkuar shtatë, nëntë njëmbëdhjetë dhe trembëdhjetë sure. Më në fund, duke i kënduar së bashku suret Kaf gjer në fund, e këndojmë Kur’anin në shtatë pjesë.” (Ahmed, IV, 9; Ibni Maxhe, Salat, 178)
Me një ferman nga Allahu i Lartë dhe si amanet të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), sahabet i kushtonin Kur’anit rëndësi të madhe. Krahas këndimit të tij në namaze, nga Kur’ani këndonin shumë dhe vazhdimisht në udhëtime dhe fushata luftarake, në kuvende, në namazet e natës. Ata kurrë nuk ngopeshin me kënaqësinë e këndimit të Kur’anit. Ata nuk mund të rrinin qoftë edhe një ditë të vetme pa kënduar Kur’an.371 E fillonin ditën me këndim Kur’ani dhe atyre që u dhimbnin sytë, u rekomandonin të shihnin në tekstin e Kur’anit. Madje, Hz. Osmani (r.a.) pati vjetëruar dy tekste Kur’ani nga këndimi i gjatë e i shpeshtë.372
Më i dëshiruari për Kur’an midis thekifasve ishte Osman bin Ebil Asi. Meqë ishte më i riu prej tyre në moshë, e linin te kafshët. Kur përfaqësuesit ktheheshin për të kaluar vapën dhe flinin, Osmani (r.a.) shkonte te i Dërguari i Allahut, e pyeste për fenë, dëgjonte dhe mësonte Kur’an. Kështu, i mësonte disa sure përmendësh duke i dëgjuar nga i Dërguari i Allahut dhe pastaj i përsëriste vetë.
Osmani (r.a.) i cili, fshehtas nga shokët, ishte bërë musliman para tyre duke i dhënë besën Profetit, kur e gjente të zënë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), shkonte ose te Ebu Bekri, ose te Ubej bin Ka’bi, pyeste ç’kishte për të pyetur dhe këndonte ç’dëshironte të këndonte. Ky qëndrim dhe kjo sjellje e tij i pëlqenin të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe e donte. Kur përfaqësuesit Thekifë dëshiruan të ktheheshin në vendin e vet, i thanë Profetit:
“O i Dërguari i Allahut, na e cakto njërin prej nesh imam!”
Dhe Profeti ua caktoi imam Osmanin megjithëse ai ishte më i riu ndër ta! (Ibni Hisham, IV, 185; Ibni Sa’d, V, 508; Ahmed, IV, 218)

Ndodhitë e tjera pas kthimit nga Tebuku
Të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i erdhi në botë nga egjiptiania Hz. Marie një djalë që e quajtën Ibrahim. H. Ibrahimi u sëmur pas kthimit nga Tebuku dhe, pas një kohe, vdiq. I Dërguari i Allahut u hidhërua shumë për këtë. Nga sytë e bekuar u derdhën në heshtje pikat e mëshirës dhe tha kështu:
اِنَّ الْعَيْنَ تَدْمَعُ وَالْقَلْبَ يَحْزَنُ وَلاَ نَقُولُ اِلاَّ مَا يَرْضَى
رَبُّنَا وَاِنَّا بِفِرَاقِكَ يَا اِبْرَاهِيمُ لَمَحْزُونُونَ
"Syri qan dhe zemra është e zymtë. Megjithatë, ne nuk themi ndonjë gjë që do ta linte të pakënaqur Zotin tonë! Vallahi, o Ibrahim, jemi shumë të dëshpëruar nga ndarja prej teje!” (Buhari, Xhenaiz, 44; Ibni Sa’d, I, 138)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) urdhëroi t’i sillnin një gur të cilin e nguli në krye të varrit. Kështu, varri i Hz. Ibrahimit u bë i dallueshëm me një shenjë. Gjithashtu, Profeti qe i pari që spërkati ujë mbi varr.373
Në këtë mes, ishte zënë dielli. Disa prej shokëve, nisur nga një zakon i periudhës së injorancës, e lidhën këtë ngjarje me vdekjen e djalit Ibrahim. Por Profeti (s.a.s.), duke mos e miratuar këtë vlerësim të shokëve, tha:
"Dielli dhe hëna janë dy nga provat dhe argumentet e Allahut. Ato nuk zihen as nga vdekja, as nga jeta e ndokujt! Kur të vihet re zënia e diellit ose hënës, filloni ta përmendni Allahun dhe falni namaz!”374 (Nesai, Kusuf, 14)
***
Në mes të muajit Rexhep vdiq Nexhashiu i Abisinisë. Megjithëse mes dy vendeve ishte deti dhe kishte një largësi të madhe, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i njoftoi qysh atë ditë sahabet për vdekjen e tij dhe tha:
“Faleni namazin e të vdekurit të vëllait tuaj të një vendi të largët!”
“Kush është ai, o i Dërguari i Allahut?” – E pyetën sahabet.
“Nexhashi Ashamai është. Sot vdiq robi i mirë i Allahut, Ashama! Lutiuni Allahut ta falë vëllain tuaj!” – Tha Profeti (s.a.s.) dhe e drejtoi namazin e të vdekurit në mungesë për Nexhashiun. (Muslim, Xhenaiz, 62-68; Ahmed, III, 319; IV, 7)
Më pas u mësua se Nexhashiu kishte vdekur pikërisht atë ditë që kishte njoftuar i Dërguari i Allahut.
***
Në muajin Shaban, vajza e bekuar e Profetit (s.a.s.) dhe bashkëshortja e nderuar e Hz. Osmanit (r.a.), Ummu Gulsumi (r.anha), u bashkua me Mëshirën Hyjnore.375
***
Afër dy muaj pas fushatës së Tebukut, domethënë në muajin Dhilkade, mori fund edhe jeta e mbushur plot intriga e kryetarit të hipokritëve, Abdullah bin Ubej. Me vdekjen e tij u trondit themeli i lëvizjes së hipokritëve dhe hezitantëve dhe, shumica e mbetur e tyre, pasi bënë pendesë, u bënë muslimanë të vërtetë!
Kur vdiq ai, i biri Abdullah, sipas porosisë së të atit, shkoi te Profeti (s.a.s.) dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Abdullah bin Ubej vdiq. Ma jep këmishën që t’ia bëj qefin. Falja namazin e të vdekurit dhe kërko falje për të!”
Profeti (s.a.s.) e nxori këmishën nga trupi dhe ia dha dhe, pasi u përgatit kufoma, ia fali namazin. Atëherë zbriti ky ajet:
وَلاَ تُصَلِّ عَلَى أَحَدٍ مِنْهُم مَاتَ أَبَداً وَلاَ تَقُمْ عَلَىَ قَبْرِهِ
إِنَّهُمْ كَفَرُوا بِاللهِ وَرَسُولِهِ وَمَاتُوا وَهُمْ فَاسِقُونَ
“Kurrsesi mos ia fal namazin e të vdekurit prej tyre dhe as në krye të varrit mos rri, sepse ata e mohuan Allahun dhe të Dërguarin dhe vdiqën si mëkatarë!” (et-Tevbe, 84) (Buhari, Xhenaiz, 23; Ibni Maxhe, Xhenaiz, 31)
Kur e pyetën Profetin (s.a.s.) pse veproi kështu, u përgjigj:
“Këmisha ime dhe namazi që ia fala nuk e mbrojnë atë nga ndëshkimi i Allahut, por, duke vepruar kështu, unë shpresoj që nga fisi i tij të bëhen muslimanë një mijë vetë!”
Me të vërtetë, një mijë vetë nga fisi Hazrexh të cilët panë se Abdullah bin Ubeji kishte kërkuar shpëtim nga këmisha e të Dërguarit të Allahut dhe namazi i falur prej tij, e lanë politeizmin dhe u bënë muslimanë!376

Viti i ambasadorëve 
Meka ishte ngadhnjyer, lufta e Hunejnit ishte fituar, populli i Taifit një vit pas rrethimit ishte bërë musliman si dhe fushata e vështirë e Tebukut kishte përfunduar me sukses. Në Gadishullin Arabik, më në fund, nuk kishte mbetur ndonjë pengesë që të mund t'i zinte rrugën Islamit.
Nisur nga kjo, fiset arabe që gjetën mundësinë dhe rastin për ta njohur drejt madhështinë dhe shkëlqimin e Islamit, filluan t'i dërgojnë Profetit (s.a.s.) delegacione e t'i shprehnin besnikërinë e tyre. Këto delegacione që vinin prej kufijve të Jemenit, Hadramevtit, Bahrejnit, Amanit, Sirisë dhe Iranit, vinin ose për t'u bërë muslimanë, ose për të deklaruar se kishin hyrë në Islam dhe kërkonin prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) mësues për t'ua mësuar Islamin.
Një shembull i bukur i faktit që delegacionet që vinin, e mësonin Islamin nga vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ktheheshin menjëherë në fiset e veta dhe ua mësonin edhe atyre, është shembulli i fisit Beni Tuxhib. Një delegacion prej trembëdhjetë vetësh i këtij fisi shkuan te Profeti. Ata kishin marrë me vete edhe mallrat për të dhënë zeqat. Kjo sjellje e tyre i pëlqeu shumë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ai e priti delegacionin me “mirëse erdhët” dhe e porositi Bilal Abisinasin që t’i respektonte në mënyrën më të mirë. Delegacioni Beni Tuxhib thanë:
“O i Dërguari i Allahut! Ta suallëm ty hakun e Allahut te mallrat tona!”
“Ato merrini prapë dhe shpërndajuani të varfërve tuaj!” – U tha i Dërguari i Allahut.
“O i Dërguari i Allahut! Ne të sollëm ty vetëm ç’na teproi pasi u dhamë të varfërve tanë!” – I thanë pjesëtarët e delegacionit.
Hz. Ebu Bekri (r.a.) tha:
“O i Dërguari i Allahut! Ç’është e drejta, mes delegacioneve arabe nuk ka si delegacioni i Tuxhibit!”
“Orientimi është në dorë të Allahut të Lartë! Allahu ia hap zemrën kujt të dojë ndaj besimit!” – Theksoi i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
Delegacioni i Tuxhibit e pyetën Profetin për një sërë gjërash nga Kur’ani dhe Sunneti. Përgjigjet e pyetjeve të tyre u shkruan dhe iu dhanë me vete. Për zellin dhe përpjekjet që treguan, interesi i Profetit për ta u shtua. Pas një qëndrimi disaditor, delegacioni deshi të kthehej. Ata u pyetën pse nxitoheshin.
“Duam të kthehemi te fisi që t’u tregojmë njerëzve tanë se ç’pamë te i Dërguari i Allahut, ç’pyetëm dhe ç’përgjigje morëm!” – Thanë ata. Pastaj u takuan dhe u përshëndetën me Profetin. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) dërgoi te ata Bilal Abisinasin duke e urdhëruar t’u jepte dhurata dhe t’u bënte më shumë të mira se delegacioneve të tjerë. (Ibni Sa’d, I, 323; Ibni Kajjim, III, 650-651)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke kërkuar që delegacionet të qëndronin për një farë kohe në Medinë, siguroi që ata të mësonin Kur’anin dhe bazat e fesë, që ta kuptojnë Islamin duke e parë zbatimin e tij në praktikë tek vetë ai. Për shembull, kur erdhi delegacioni Abdul Kajs, Profeti kërkoi nga ensarët t’i merrnin dhe mbanin si miq. Në këtë mes, edhe t’u jepnin njohuri fetare të domosdoshme, t’u mësonin përmendësh suret e nevojshme për namaz. Pastaj, të nesërmen në mëngjes, i pyeti për shëndetin dhe mirëqenien dhe nëse kishin mbetur të kënaqur apo jo nga ensarët. Ata i shprehën Profetit kënaqësinë e tyre. Pastaj, i Dërguari i Allahut i ndau pjesëtarët e delegacionit nga një e nga dy nëpër shtëpitë e sahabeve në mënyrë që ta mësonin fenë më me lehtësi. I mbetur jashtëzakonisht i kënaqur nga zelli dhe përpjekjet e sahabeve dhe vendosmëria e pjesëtarëve të delegacionit të Abdul Kajsit për të mësuar, Profeti (s.a.s.), duke u marrë me secilin prej tyre veç e veç, i kontrolloi në mësimin përmendësh të Tahijjatit, Fatihasë, sureve të tjera dhe në njohjen e sunnetit.377
Në këtë mënyrë, me kalimin e kohës, Islami u përhap në të gjithë Gadishullin Arabik. Njerëzit vinin tufa-tufa e futeshin në Islam. Medina çdo ditë ishte plot vizitorë të rinj. Profeti i priste të ardhurit në mënyrën më të mirë, i gostiste, bisedonte me secilin sipas gjendjes dhe traditave, qëndiste në zemrat bukurinë, kënaqësinë dhe gëzimin e Islamit.378 
Më në fund, vuajtjet dhe mundimet e vjetra ia kishin lënë vendin një favori të begatë. Kështu, Allahu i Lartë, lidhur me kryerjen e falenderimit të këtij favori, i porosiste, në personin e Profetit, kështu besimtarët të gatuar me vuajtjet dhe mundimet në fjalë:
إِذَا جَاء نَصْرُ الله وَالْفَتْحُ . وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ الله
أَفْوَاجاً . فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّاباً 
"Kur erdhi ndihma e Allahut dhe fitorja dhe i pe njerëzit tek po hyjnë turma-turma në fenë e Allahut, përmende dhe ia përkushto falenderimet Zotit tënd dhe kërko prej Tij falje se ai e pranon shumë pendimin, është mëshirues i madh!" (en-Nasr, 1-3)
Me rastin e përhapjes me vrull të Islamit në Gadishullin Arabik në vitin e 9 të hixhretit dhe ardhjes në Medinë të delegacioneve me përfaqësuesit (ambasadorët) e fiseve për ta mësuar Islamin, ky vit u quajt viti i ambasadorëve.

Detyrimi i haxhit 
Gjer në vitin e nëntë të hixhretit, haxhi kryhej sipas fesë Hanif të Hz. Ibrahimit, ndërkaq që në ritualet përkatëse sipas asaj feje, politeistët kishin përzjerë edhe shumë praktika të gabuara. Kurse këtë vit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pasi e bëri Hz. Ebu Bekrin udhëheqës të haxhit, e dërgoi në Mekë së bashku me një karvan prej treqind vetësh me qëllim që t'u mësonte muslimanëve haxhin islam. Kurse për vete bëri të ditur se do të bënte haxh në vitin e dhjetë. Hz. Ebu Bekrit i dha me vete edhe njëzet deve për kurban, të cilave u kish vënë nga një nishan në qafë.
Kur Hz. Ebu Bekri (r.a.), së bashku me shoqëruesit dolën në udhë, u zbuluan ajetet e para të sures Tevbe (Berae). Kështu, Shtëpia e Allahut (Qabja) e pastruar prej idhujve, u urdhërua që të pastrohej edhe prej politeistëve. Sepse gjer atë kohë politeistëve nuk u ishte përzier kush kur kishin dashur ta vizitojnë Qaben. Mirëpo adhurimi i Qabes, pasi ajo e kishte fituar cilësinë e saj të vërtetë, nga politeistët, duke e prekur me dorë dhe me paraqitje të jashtëmoralshme (zhveshur), nuk përshtatej me besimin monoteist dhe, mes popullit, bëhej shkak për çoroditje. Ja, pra, ajetet e sures Berae të zbritura në këtë mes, u bënë ajetet që i dhanë fund mungesës së respektit ndaj besimit monoteist të përjetuar në Qabe.
Allahu i Lartë urdhëron:
بَرَاءةٌ مِنَ الله وَرَسُولِهِ إِلَى الَّذِينَ عَاهَدتُّم مِنَ الْمُشْرِكِينَ .
فَسِيحُوا فِي الْأَرْضِ أَرْبَعَةَ أَشْهُرٍ وَاعْلَمُوا أَنَّكُمْ غَيْرُ مُعْجِزِي الله
وَأَنَّ الله مُخْزِي الْكَافِرِينَ . وَأَذَانٌ مِنَ الله وَرَسُولِهِ إِلَى النَّاسِ
يَوْمَ الْحَجِّ الأَكْبَرِ أَنَّ الله بَرِيءٌ مِنَ الْمُشْرِكِينَ وَرَسُولُهُ فَإِنْ تُبْتُمْ فَهُوَ 
خَيْرٌ لَكُمْ وَإِنْ تَوَلَّيْتُمْ فَاعْلَمُوا أَنَّكُمْ غَيْرُ مُعْجِزِي الله وَبَشِّرِ الَّذِينَ 
كَفَرُوا بِعَذَابٍ أَلِيمٍ .إِلاَّ الَّذِينَ عَاهَدتُّم مِنَ الْمُشْرِكِينَ ثُمَّ لَمْ 
يَنْقُصُوكُمْ شَيْئاً وَلَمْ يُظَاهِرُوا عَلَيْكُمْ أَحَداً فَأَتِمُّوا إِلَيْهِمْ عَهْدَهُمْ إِلَى
مُدَّتِهِمْ إِنَّ الله يُحِبُّ الْمُتَّقِينَ 
"Denoncim nga Allahu dhe i Dërguari i Tij për idhujtarët me të cilët patët lidhur marrëveshje! Qarkulloni në tokë edhe katër muaj të tjerë e dijeni mirë se ju nuk mund ta bëni Allahun të paaftë dhe se Allahu ka për t'i poshtëruar mohuesit! Ky është një njoftim i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij për njerëzit në ditën e haxhit të madh. Allahu dhe Pejgamberi s'kanë të bëjnë me idhujtarët. Po qe se pendoheni, është më e dobishme për ju! Por, po t'i ktheni shpinën rrugës së drejtë, dijeni se nuk do të mund t'i shpëtoni Allahut. Dhe ti jepu mohuesve lajmin mbi një ndëshkim të dhimbshëm! Përveç atyre idhujtarëve me të cilët keni lidhur marrëveshje e që nuk kanë ndihmuar askënd kundër jush. Marrëveshjen me ta çojeni gjer në fund. Pa dyshim, Allahu i do njerëzit e fjalës!" (et-Tevbe, 1-4)
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّمَا الْمُشْرِكُونَ نَجَسٌ فَلاَ يَقْرَبُوا الْمَسْجِدَ 
الْحَرَامَ بَعْدَ عَامِهِمْ هَـذَا وَإِنْ خِفْتُمْ عَيْلَةً فَسَوْفَ يُغْنِيكُمُ الله 
مِنْ فَضْلِهِ إِنْ شَاء إِنَّ الله عَلِيمٌ حَكِيمٌ 
"O ju që besuat! Politeistët janë të fëlliqtë! Prandaj, pas këtij viti, të mos afrohen në Shtëpinë e Shenjtë! Po qe se frikësoheni nga varfëria, dijeni se, po deshi Allahu, me favorin e Tij do t'ju bëjë të pasur. Pa dyshim, Allahu është i ditur dhe i plotpushtetshëm!" (et-Tevbe, 28)
Për njoftimin e këtyre ajeteve, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dërgoi në Mekë, pas Hz. Ebu Bekrit (r.a.), Hz. Aliun (r.a.).
Në ditën e dytë të bajramit, pranë Xhemresë së Akabes, Hz. Aliu (r.a.) u ngrit në këmbë dhe, me një ligjëratë, e kreu detyrën e dhënë nga Profeti. Pas këndimit të një numri të caktuar ajetesh nga sureja Tevbe, ua bëri të njohur të gjithëve këto katër pika të përmbledhura nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.):
1. (Çdokush ta dijë se) në xhennet do të hyjnë vetëm besimtarët!
2. Qabja në asnjë kohë nuk do të bëhet tavaf me trup të zbuluar (dhe, kështu, zakoneve të shpikura nga politeistët do t’u jepet fund!).
3. Pas këtij viti, asnjë politeist nuk do të afrohet në Qabe.
4. Vetëm për politeistët që kanë bërë marrëveshje me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe i kanë ndenjur besnik asaj, pikat e marrëveshjes do të konsiderohen efektive gjer në afatin e përcaktuar në marrëveshje.
Pas atij viti, asnjë politeist nuk ka mundur të vijë në Qabe dhe Qabja nuk është bërë tavaf me trup të zbuluar.
Pas atij viti, edhe politeistët e fundit që e kuptuan fatkeqësinë ku i kishte çuar politeizmi, zgjodhën, më në fund, besimin.
Pas atij viti, Qabeja e pastruar si nga idhujt, ashtu edhe nga politeistët, u bë gati për haxhin e madh që do të kryente i Dërguari i Allahut (s.a.s.)!379

VITI I DHJETE I HIXHRETIT
Adij bin Hatimi bëhet musliman
Hatimi Tai, bujaria e të cilit ishte bërë legjendare, i përkiste fisit Tajj dhe ishte i ati i Adijit. Mes fisit, Adiji ishte një person i madh, i ndershëm, orator, i shpejtë në përgjigje, i virtytshëm dhe bujar. Kur në vitin e nëntë të hixhretit, i Dërguari i Allahut e pati dërguar Hz. Aliun për ta shembur idhullin Fuls të fisit Tajj, Adiji pati ikur në Damask. Kurse e motra Seffane ishte sjellë në Medinë me robërit e luftës.
Drita e Qenies, Profeti ynë, e la të lirë Seffanen, i dha rroba, kafshë shale dhe ushqime rruge dhe, duke e bashkuar me disa persona të besueshëm të fisit të saj, e dërgoi në Damask.
Adij bin Hatimi thotë:
“Seffane ishte një femër e mençur. Unë e pyeta:
“Ç’mendon për këtë njeri?”
Ajo m’u përgjigj:
“Vallahi, e shoh me vend që të bashkohesh sa më shpejt me të! Po qe se ai është me të vërtetë pejgamber dhe po qe se e ndjek tani atë duke u dalë para të tjerëve, kjo do të jetë për ty virtyt dhe epërsi. Po qe se është një sundues, në sajë të tij s’ke për ta humbur sundimin në Jemen, s’ke për të rënë në gjendje të vështirë e të ulët! Tashmë vendimi është yti!”
“Vallahi, fjalë me vend kjo! Do të shkoj te ai njeri! Po të jetë gënjeshtar, mua s’më bën dot gjë. Po të jetë fjalëdrejtë, ia dëgjoj fjalët dhe e ndjek!” – Thashë unë dhe erdha në Medinë. Kur pashë se pranë Profetit (s.a.s.) ndodheshin farefisi, gratë dhe fëmijët, e kuptova se tek ai s’kishte salltanet as të Kisras, as të Kajserit!
Profeti (s.a.s.) më kapi për dore dhe më çoi në shtëpinë e vet. Në rrugë atë e ndaloi një grua e moshuar dhe e sëmurë dhe ia paraqiti nevojën. Ai ndenji një kohë të gjatë në këmbë, ia dëgjoi hallin gruas dhe ia zgjidhi çështjen. Kur arritëm në shtëpi, mori një minder të mbushur me fije druri hurme dhe ma dha duke më thënë:
“Ulu mbi këtë!”
“Jo, ulu ti mbi të!” – I thashë unë.
“Jo, ti do të ulesh!” – Më urdhëroi i Dërguari i Allahut.
Unë u ula mbi minder, kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.), për trualli. Me vete mendova:
“Vallahi, kjo s’është punë sunduesi!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) më tha:
“Adij! Bëhu musliman që të gjesh shpëtim!”
“Unë e kam fenë time!” – I thashë.
“Fenë tënde e njoh më mirë se ti!” – Ma ktheu.
“E njeh fenë time më mirë me unë?” – E pyeta me habi.
“Po!” – Më tha ai. Dhe vazhdoi: “A s’je rekusi380 ti? A nuk e merr për vete një të katërtën e plaçkës së luftës të fisit?”
“Ashtu është!” – Iu përgjigja unë.
“Në të vërtetë, sipas fesë tënde, kjo s’është hallall për ty!” – Më tha dhe e la me kaq këtë çështje. Unë u turpërova shumë nga këto fjalë të të Dërguarit të Allahut.
“Po, ashtu është, vallahi!” – I thashë dhe e kuptova se ai ishte një pejgamber i dërguar nga Allahu. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk i përsëriti më fjalët që më bënë mua me turp, por vazhdoi kështu:
“Unë e di shkakun që të bëhet pengesë ty për të hyrë në Islam. Ti mendon kështu për mua: “Atë e ndjekin të dobëtit, njerëzit e pafuqishëm të cilëve arabët nuk u japin vlerë!” A e di se ku bie Hire?”
“Nuk kam qenë aty, por kam dëgjuar për të!” – I thashë.
“Betohem në Allahun që ka shpirtin tim në dorë, se Allahu do ta plotësojë këtë çështje. Dhe, atëherë, një grua e vetme do të niset nga Hire dhe do të vijë për ta bërë tavaf shtëpinë e Allahut! Pastaj do të triumfohen thesaret e Kisra bin Hurmuzit!”
“Të Kisra bin Hurmuzit?” – E pyeta me çudi unë.
“Po, po, të Kisra bin Hurmuzit!” – Më tha. Pastaj vazhdoi:
“Pa shkuar shumë, pasuria jonë do të shtohet aq shumë, saqë askush nuk do ta ketë syrin më në të dhe nuk do të gjendet njeri për të marrë zeqat!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u gëzua shumë që u bëra musliman, në fytyrë i vura re një gëzim të madh. Më tha që të rrija si mik në shtëpinë e një ensari. Dhe unë fillova të shkoja e të vija në shtëpinë e tij mëngjes e mbrëmje. Nuk kishte asnjë kohë namazi që të mos më merrte malli për të!”
Më vonë, Adiji (r.a.) i cili e rrëfen këtë ngjarje, thotë:
“Vallahi, e kam parë me sytë e mi që një grua të dalë në rrugë nga Hire e hipur mbi deve, të vijë pa frikë gjer në Shtëpinë e Allahut dhe ta bëjë tavaf! Veç kësaj, vallahi edhe unë u ndodha mes atyre që triumfuan mbi thesaret e Kisras. Betohem në Allahun që ka shpirtin tim në dorë, se edhe e treta do të ngjasë, sepse atë e ka thënë i Dërguari i Allahut!” (Buhari, Menakib, 25; Ahmed, IV, 257, 377-379; Ibni Hisham, IV, 246; Ibni Kethir, el-Bidaje, V, 62)
Edhe parashikimi tjetër i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) u vërtetua. Kalifi Omer bin Abdulaziz e pati dërguar nëpunësin e zeqatit në vendet afrikane. Nëpunësi i pati sjellë mallrat prapë pa i ndarë dot, sepse nuk pati gjetur njeri që të merrte zeqat. Atëherë, me paratë e atyre mallrave ai pati çliruar shumë skllevër.381

Haxhi i parë e i fundit i Dritës së Qenies: 
HAXHI I LAMTUMIRES
Pasi haxhi u bë farz, detyrim fetar, haxhi i parë e i fundit që bëri i Dërguari i Allahut (s.a.s), është Haxhi i Lamtumirës. Meqë në këtë haxh, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u përshëndet me muslimanët ose, e thënë ndryshe, u dha lamtumirën muslimanëve, ata thanë “ky është haxh lamtumire” dhe ky cilësim u popullarizua.382 Kurse Profeti (s.a.s.) bënte fjalë për këtë haxh si “Haxhxhetu’l-Islam” (Haxhi Islam).383
Në këtë haxh që i takoi të kryhej në vitin e dhjetë të hixhretit, kur Gadishulli Arabik ishte bërë musliman fund e krye dhe sundimi dhe shkëlqimi i Islamit kishin arritur kulmin, Profeti (s.a.s.) i ftoi të gjithë muslimanët. 
Zemrat e mbushura me dashurinë për Allahun dhe të Dërguarin (s.a.s.) iu përgjigjën si një trup i vetëm kësaj ftese. Kur ky lajm arriti jashtë Medinës, njerëzit filluan të vinin turma-turma nga të gjitha anët. Veç këtyre, ata që bashkoheshin me rrugëtarët nuk kishin të numëruar. Tërë hapësirën sa hante syri e kishin mbushur turma të mëdha. Numri i muslimanëve që erdhën nga të katër anët për të bërë haxh së bashku me Profetin (s.a.s.) arriti në rreth njëqind e njëzet mijë. Të gjithë së bashku, me një zemër të vetme, shpalosnin një pamje sublime përtej imagjinatës.
Pasi u dha të pranishmëve njohuri të shkurtra mbi haxhin dhe ihramin, Profeti (s.a.s.) doli në rrugë. Ai çonte me vete rreth njëqind deve për t’i bërë kurban në haxh. Gjatë gjithë rrugës, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u foli muslimanëve vazhdimisht për haxhin. Në hutben që mbajti, tregoi për domosdoshmëritë (vaxhibet) dhe sunnetet e ihramit dhe haxhit. Kur arritën në Dhulhulejfe, në luginën Akik, u tha kështu muslimanëve:
“Xhebraili i dërguar nga Zoti im më erdhi sonte dhe më urdhëroi: “Fal namaz në këtë luginë të bekuar dhe thuaj se ke bërë nijet edhe për haxh, edhe për umre!” (Buhari, Haxh, 16)
Atje Profeti fali edhe dy reqate namaz për ihram. Pasi e lavdëroi dhe e falenderoi Allahun, bëri tesbih dhe tekbir, Profeti u lut kështu:
اَللَّهُمَّ حِجَّةٌ لاَ رِيَاءَ فِيهَا وَلاَ سُمْعَةَ 
“Allahu im! Bëma këtë haxh të mirë e të pranueshëm, ku të mos ketë hipokrizi dhe popullaritet!” (Ibni Maxhe, Menasik, 4)
Pasi hyri nën ihram në Dhulhulejfe, e filloi telbijen në këtë mënyrë:
لَبَّيْكَ ، اَللَّهُمَّ لَبَّيْكَ، لَبَّيْكَ لاَ شَرِيكَ لَكَ لَبَّيْكَ، اِنَّ الْحَمْدَ
والنِّعْمَةَ لَكَ وَالْمُلْكَ، لاَ شَرِيكَ لَكَ 
Lebbejke 'llahumme lebbejk; lebbejke la sherikele lebbejk;
Innel hamde ve'nnimetelek velmulke la sherikelek!
Nën urdhrin Tënd, Allahu ynë, Ti, që s'ke të dytë;
Lavdërimi, begatitë, pushteti e pasuria janë të Tutë!.. (Buhari, Haxh, 26)
Pastaj urdhëroi:
“Kush nga ju dëshiron të bëjë nijet për haxh dhe umre, ta thotë këtë!”
Pasi i Dërguari i Allahut hyri nën ihram dhe e filloi telbijen, njoftoi se i kishte ardhur Xhebraili dhe i kishte thënë:
“O Muhammed, urdhëroji sahabet ta ngrenë zërin në telbije se kjo është nga shenjat e haxhit!” (Ibni Maxhe, Menasik, 16)
Toka dhe qiejt kumbonin me zërat e telbijes, përshpirtshmëria dhe kënaqësia e mbështillnin si rrjetë çdo vend!
Në atë vend ku arrinte, Profeti (s.a.s.) u bëhej imam muslimanëve dhe u drejtonte faljen e namazit. Më vonë, si shfaqje besnikërie dhe dashurie, në vendet ku Profeti pati drejtuar faljet e namazeve, u ngritën xhami.384
Me ta parë Shtëpinë e Allahut, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ngriti duart dhe u lut:
“Allahu im! Shtoje nderin, madhështinë, bujarinë dhe paraqitshmërinë kësaj Shtëpie! Shtojua nderin, bujarinë, paraqitshmërinë, bekueshmërinë dhe mirësinë edhe atyre që me haxh dhe umre e madhërojnë atë!” (Ibni Sa’d, II, 173)
Me njërin cep të rrobës të kaluar nën sqetullën e djathtë dhe të hedhur mbi supin e majtë dhe me krahun e djathtë të zbuluar, Profeti shkoi në Qabe, u afrua te Guri i Zi për ta përkëdhelur. Në këtë mes, sytë iu mbushën me lot. E puthi Gurin e Zi, pastaj i vuri duart mbi të dhe fërkoi fytyrën. Pastaj, duke thënë si më poshtë, filloi tavafin nga qoshja e Gurit të Zi:
أَللَّهُمَّ اِيمَانًا بِكَ وَ تَصْدِيقًا بِكِتَابِكَ وَاتِّبَاعًا سُنَّةَ نَبِيِّكَ
“Allahu im! (Po filloj) Duke të besuar Ty, duke e vërtetuar librin tënd, duke ndjekur sunnetin e pejgamberëve të tu!” (Hejsemi, III, 240)
Në tre rrotullimet e para të tavafit, eci me të shpejtë dhe i paraqitshëm duke i shkurtuar hapat dhe duke i shkundur supet. Kur arrinte në drejtim të Rukni Jemani dhe Gurit të Zi (Haxheri Esved), këndonte ajetin:
رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ
“… Zoti ynë, jepna neve të mira edhe në këtë botë, edhe në jetën tjetër, ahiret, dhe na mbro nga mundimi i xhehennemit!” (el-Bakara, 201) 
Pasi e mbaroi këtë pjesë të tavafit, Profeti e puthi Gurin e Zi, i vuri pëllëmbët mbi to dhe pastaj e fërkoi fytyrën. Pastaj, duke kaluar me vështirësi mes njerëzve, arriti te Pozita e Ibrahimit. Pastaj, duke qëndruar në pozicionin me Postin e Ibrahimit në mes vetes dhe Qabes, fali dy reqate namaz. Pastaj u kthye, e puthi sërish Gurin e Zi dhe i tha Hz. Omerit:
“O Omer, ti je një burrë i fortë! Mos i mundo të dobëtit duke i shtrënguar njerëzit të arrijnë te Guri i Zi! As mos u shqetëso vetë, as mos shqetëso të tjerët! Në gjeç rrallësi, puthe Gurin e Zi, në të kundërt bëj vetëm shenjën e fërkimit me duar dhe puthjes, këndo Fjalën e Njësisë, bëj tekbir dhe kalo!”385 (Hejsemi, III, 241; Ahmed, I, 28)
Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) doli nga porta Beni Mahzum e Qabes dhe shkoi te kodra Safa. Kur u afrua aty, këndoi ajetin:
إِنَّ الصَّفَا وَالْمَرْوَةَ مِن شَعَآئِرِ الله 
“Nuk ka dyshim se Safa dhe Merve janë nga shenjat e Allahut…” (el-Bakara, 158)
Pastaj, duke thënë “po filloj prej në atë vend që përmendet i pari në ajet”, u drejtua për në majën Safa për t’i filluar që aty vajtje-ardhjet mes dy kodrave. Kur e pa Qaben, këndoi tehlil dhe tekbir. Tri ose shtatë herë tha:
لاَ اِلَهَ اِلاَّ الله وَحْدَهُ لاَ شَرِيكَ لَهُ لَهُ الْمُلْكُ وَ لَهُ الْحَمْدُ يُحْيِى
وَيُمِيتُ وَهُوَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ  لاَ اِلَهَ اِلاَّ الله وَحْدَهُ لاَ شَرِيكَ لَهُ
اَنْجَزَ وَعْدَهُ وَنَصَرَ عَبْدَهُ وَهَزَمَ الْاَحْزَابَ وَحْدَهُ
“Nuk ka zot tjetër veç Allahut që është një dhe i vetëm! Ai s’ka të ngjashëm e të barabartë! Pasuria dhe pushteti janë të tij, lavdërimi i takon vetëm atij! Ai ngjall dhe vdes! Ai ka fuqi për çdo gjë! Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Allahu e zbatoi premtimin, e ndihmoi robin e vet, i shkatërroi i vetëm të gjitha ushtritë e mbledhura për armiqësi!” (Ibni Maxhe, Menasik, 84)
Pastaj zbriti duke ecur nga Safa për në kodrën Merve. Kur arrinte në mes të luginës së vajtje-ardhjeve, i Dërguari i Allahut e shpejtonte ecjen, pastaj, kur e kalonte këtë pjesë, kthehej në ecjen e zakonshme dhe, në këtë mes lutej duke thënë:
رَبِّ اغْفِرْ وَارْحَمْ وَاَنْتَ الْاَعَزُّ الْاَكْرَمُ
“O Zot, falmë mua dhe ki mëshirë për mua! Ti je më i shenjti e më bujari!” (Hejsemi, III, 248)
Kur Profeti arriti në majën e kodrës Merve, i përsëriti të njëjtat gjëra që bëri në Safa. Duke vajtur e ardhur shtatë herë mes kodrave Safa dhe Merve, e përfundoi ritin e vajtje-ardhjes (sa’j) në Merve.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) qëndroi katër ditë në Mekë. Ditën e pestë (dita Tevrije), pasi e bëri tavaf Qaben, i hipi devesë dhe shkoi në Mina ku fali namazet e drekës, iqindisë, mbrëmjes, jatsisë dhe të mëngjesit të nesërm. Ai priti aty gjersa lindi dielli. Më nëntë të Dhilhixhes në mëngjes u nis për në Arafat. Nga Minaja gjersa arriti në Arafat, vazhdoi të këndojë telbije.
Duke ia treguar, në këtë mënyrë, ummetit, bashkësisë, personalisht se si duhet bërë haxhi, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pas kryerjes së të gjitha detyrave, mbajti hutben e famshme të lamtumirës hipur mbi deve, në Arafat, në vendin ku sot ndodhet xhamia Nemire:
“O njerëz! 
M'i dëgjoni me kujdes fjalët! Nuk e di, ndoshta pas këtij viti s'do të mund të bashkohem më me ju këtu përjetësisht!
O njerëz!
Ashtu siç është e shenjtë kjo ditë, ashtu siç është i shenjtë ky muaj, ashtu siç është i shenjtë ky qytet, ashtu janë të shenjta edhe jeta, pasuria dhe nderi juaj, çdo lloj dhunimi i të cilave është i ndaluar!
Shokë të mi!
Nesër do të takoheni me Zotin tuaj dhe, pa dyshim, do të jepni llogari për të gjitha qëndrimet dhe veprimet tuaja! Kujdes, pas meje në asnjë mënyrë të mos ktheheni në zvetënimin tuaj të vjetër e të vrisni njëri-tjetrin! Ta dinis seunë do të shkoj më parë dhe do t’ju pres në krye të Hauzit! Do të gëzohem për numrin tuaj të madh në krahasim me ummetet e tjerë! Kujdes, mos ma nxini fytyrën!
Shokë të mi!
Kush të ketë një amanet, t'ia japë të zotit. Eshtë hequr çdo lloj kamate, e kam vënë nën këmbë. Por duhet të jepni borxhin themelor. As mos bëni padrejtësi, as mos u goditni nga padrejtësia. Më në fund, me urdhër të Allahut, është ndaluar marrja e kamatës. Kam vënë nën këmbë çdo formë të këtij zakoni të mbrapshtë të mbetur nga koha e injorancës. Kamata e parë që hoqa, është kamata e xhaxhait tim, Abbasit, të birit të Abdylmuttalibit.
Shokë të mi!
Janë hequr plotësisht edhe të gjitha gjakmarrjet e mbetura nga koha e injorancës. Gjakmarrja e parë që hoqa, është gjakmarrja e kushëririt tim, Rebiait, të nipit të Abdylmuttalibit.
O njerëz!
Sot djalli e ka humbur përjetësisht forcën e rivendosjes së ndikimit dhe sundimit të tij në tokat tuaja. Por ju, veç këtyre gjërave që ndalova, nëse në gjëra që do t'ju dukeshin të vogla, do t'i vinit për shtat atij, kjo do ta kënaqte atë. Për ta ruajtur fenë, duhet të ruheni edhe prej gjërave të tilla!
O njerëz!
Respektoni të drejtat e grave! Trajtojini ato me dashuri dhe dhembshuri! Ju këshilloj që për to të keni frikë Allahun. Ju i morët gratë si amanet nga Zoti; ju u bekuat me nderin dhe virtytin e tyre duke dhënë fjalën në emër të Zotit! Ju keni të drejta mbi gratë, por edhe gratë kanë të drejta mbi ju! E drejta juaj është që ato të mos e marrin nëpër këmbë nderin e familjes suaj, kurse e drejta e grave mbi ju është që t'u siguroni atyre, në mënyrë legale, çdo lloj veshjeje dhe ushqimi. Nuk i lejohet gruas që t'i japë dikujt tjetër nga malli i të shoqit pa lejen e tij!
Kini  kujdes që skllevërit t'i ushqeni me atë që hani vetë dhe t'i vishni me atë që visheni vetë. Po qe se bëjnë një gabim që nuk mundni ta falni, jepuni lejë të shkojnë, por kurrë mos i mundoni! Sepse edhe ata janë rob të Allahut!
O besimtarë!
Dëgjomani dhe mbajeni në mend mirë fjalën time! Muslimani është vëlla me muslimanin e, kështu, që të gjithë muslimanët janë vëllezër. Nuk lejohet cënimi i çfarëdo të drejte që i përket vëllait tuaj të fesë përderisa ta ketë dhënë vetë me kënaqësi! 
Mos bëni padrejtësi! Dhe mos iu nënshtroni padrejtësisë! Mos grabitni të drejtat e popullit!
Shokë të mi!
Mos i bëni padrejtësi as vetes suaj! Mbi ju rëndon edhe e drejta e vetes suaj!
O njerëz! 
Çdo fajtor përgjigjet vetë për fajin e tij. Asnjë fëmijë nuk e vuan dënimin e fajit të kryer nga i ati! Dhe asnjë prind nuk bëhet përgjegjës për fajin e të birit!
O njerëz!
Zoti i ka dhënë në Kur'an gjithsekujt të drejtën që i takon. Nuk është e domosdoshme lënia e testamentit për trashëgimtarin.386 Fëmija është i atij në shtratin e të cilit ka lindur. Ai që kryen marrëdhënie jashtëkurore, përjashtohet nga e drejta prindërore. Një të pafismë që pretendon përkatësi gjinie tjetër nga ajo e të atit ose një skllav387 mosmirënjohës që vazhdon lidhjet me dikë tjetër veç zotërisë së tij, e zëntë zemërimi i Allahut, urrejtja e engjëjve dhe mallkimi i njerëzve! Zoti nuk i pranon as pendimet, as drejtësinë e as dëshmitë e njerëzve të tillë!
O njerëz! 
Zoti juaj është një. Edhe ati juaj është një: që të gjithë jeni të bijtë e Ademit. Kurse Ademi është prej dheu. Më i çmuari prej jush për Allahun, është më i devotshmi ndaj Tij. Arabi nga joarabi nuk ka asnjë përparësi veç devocionit ndaj Allahut!
O njerëz!
Koha, e cila është në një ndërrim të pandërprerë, ka ardhur në gjendjen e ditës kur Allahu krijoi qiejt e tokën. Një vit është sa dymbëdhjetë muaj. Katër nga këta janë muaj të ndaluar. Tre nga këta janë, njëri pas tjetrit, Dhilkade, Dhilhixhe dhe Muharrem, kurse i katërti, Rexheb (mes Xhemadhijelahir dhe Shaban). Këtë vit, muajt e ndaluar erdhën në vendin e tyre të vjetër. Stina e haxhit rastisi në ditën e dhjetë të Dhilhixhes.
O besimtarë! 
Po ju le një amanet që, po të mbaheni fort pas tij, nuk e ngatërroni rrugën assesi. Ai amanet është Kur'ani, libri i Allahut!
O njerëz! 
Adhurojeni Allahun, falni pesë kohët namaz, agjëroni muajin e ramazanit dhe bindiuni urdhrave të mia që të hyni në xhennet!
O njerëz!
Ruhuni nga teprimi. Teprimi në fe388 ka qenë shkaku i shkatërrimit të paraardhësve. Veprimet e haxhit mësojini prej meje. S'di nëse do të takohemi këtu me ju pas këtij viti! Këto këshilla, ata që ndodhen këtu, t'ua përcjellin atyre që s'ndodhen. Mundet që ai tjetri, duke e kuptuar më mirë fjalën se ai që e dëgjoi vetë, ta ruajë atë!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pyeti më shumë se njëqind mijë sahabet e tij:
O njerëz! Nesër do t'ju pyesin për mua; ç'keni për t'u thënë?”
Të gjithë sahabet thanë me një zë: 
"Dëshmojmë dhe vërtetojmë se dërgesën e plotësove, detyrën në vend e çove, na porosite e na këshillove!"
Pas kësaj dëshmie, Profeti i pyeti pjesëmarrësit tri herë: "A e kumtova fenë?" Dhe të tri herët mori përgjigjen: "E kumtove!" Pastaj, duke ngritur duart drejt qiellit, kërkoi dëshminë e Zotit:
“Ji dëshimtar, o Zot! Ji dëshmitar, o Zot! Ji dëshimtar, o Zot!” (Muslim, Haxh, 147; Ebu Davud, Menasik, 56; Ibni Maxhe, Menasik, 76, 84; Ahmed, V, 30; Ibni Hisham, IV, 275; Hamidullah, el-Vesaik, f. 360)
***
Hutbeja e Lamtumirës është rregullator i marrëdhënieve njerëzore, esenca dhe bilanci i fesë si dhe, në të njëjtën kohë, "deklaratë e të drejtave të njeriut"! Me të vërtetë, filozofi Lafajet, njëri prej përgatitësve të ideve themelore të revolucionit të madh francez të vitit 1789, pati analizuar, atëherë kur "Deklarata e të Drejtave të Njeriut" nuk ishte botuar ende, të gjitha sistemet juridike dhe, pasi qe njohur me parimet njerëzore dhe juridike të shpallura nga Profeti Muhammed në Hutben e tij të Lamtumirës, të cilat janë nga një pishtar më vete për të gjithë njerëzimin, pati thënë:
"O i famshmi Muhammed! Drejtësia jote ka arritur në një majë të tillë që nuk ka mundur të arrihet nga askush gjer më sot dhe nuk do të mund të arrihet!.."389
Në këtë hutbe, Zotëria i Botëve ka shpjeguar në këtë hutbe konkluzionet që duhet t’i dinë njerëzit dhe që nuk do të quhen të justifikuar po të mos i dinë. Me anë të turmës së grumbulluar atje, ka siguruar njoftimin e këtyre konkluzioneve gjithë njerëzimit.
***
Pas hutbes së lamtumirës, Bilal Abisinasi (r.a.) këndoi ezan. Duke bërë bashkim namazesh, Profeti drejtoi në fillim faljen e farzit të namazit të drekës, pastaj, pas rikëndimit të ikametit, drejtoi faljen e farzit të namazit të iqindisë. Pas namazit, hipi në devenë Kasva dhe arriti në vendin e vakfes në rrëzë të Xhebelu’r-Rahme. Gjoksin e devesë e ktheu drejt shkëmbinjve dhe u kthye në drejtim të Qabes. Ai bëri vakfe gjersa perëndoi dielli dhe u zhduk verdhësia e perëndimit.
Në vakfe, i Dërguari i Allahut mbante me njërën dorë kapistrën e devesë, kurse tjetrën, të ngritur për lutje, duke bërë një lutje të gjatë që shprehte ndjenjat e robit ndaj Zotit si dhe ndjeshmërinë jetësore të vet. Një pjesë e kësaj lutjeje është kështu:
“Allahu im! Qofsh i lavdëruar ashtu siç ke urdhëruar dhe më lart se ç’themi ne! Allahu im! Namazi, adhurimi, jeta dhe vdekja ime janë për hir tënd! Kthimi im është tek Ti!
Allahu im, mbështetem tek ti nga mundimi i varrit, nga lëkundjet e zemrës, nga çrregullimi i punëve! Allahu im, mbështetem tek ti nga e keqja e shkatërrimit që sjellin erërat!
Allahu im, krijomë një dritë në sy, një dritë në vesh, një dritë në zemër! Allahu im, jepmi gjoksit gjerësi, lehtësoma punën! Allahu im, mbështetem tek ti nga kthimi i shëndetit në sëmundje, nga ndëshkimi yt i befasishëm dhe nga i gjithë zemërimi yt! Allahu im, më fut në rrugë të drejtë dhe falmi të kaluarën dhe të ardhmen time!
Allahu im që lartëson gradët, që zbret begatitë, që krijon qiejt dhe tokën! Zërat marrin vrull në gjuhë të ndryshme dhe lartësohen drejt teje, të paraqesin kërkesa ty! Edhe kërkesa ime është që Ti të më kujtosh mua atje, në vendin e provës, kur njerëzit të më harrojnë!
Allahu im, ti ma dëgjon fjalën, e sheh vendin ku ndodhem, e di çdo gjë timen të hapur a të fshehtë. Asnjëra nga punët e mia s’është e fshehtë! Unë jam i varfër, i pashpresë dhe lus prej teje ndihmë dhe mbrojtje! Kam frikë, të metat i pohoj! Ashtu siç kërkon një i pashpresë prej Teje, ashtu kërkoj dhe unë! Ashtu siç të lutet një mëkatar i poshtëruar, ashtu të lutem edhe unë! Ashtu siç të lutet një robi yt me qafë përkulur para teje, të cilit i rrjedhin lot nga sytë, që e flijon tërë qenien për ty, që e fshin fytyrën përtokë për hir tënd, ashtu të lutem edhe unë! Zoti im, mos më lër pa ma pranuar lutjen! Bëhu shumë i dhembshur e i mëshirshëm për mua, o më i dobishmi i të luturve dhe më bujari i dhënësve!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, V, 166-168; Hejsemi, III, 252; Ibni Kajjim, II, 237)
Kurse një pjesë e lutjeve të bëra në Arafat nga selefi salihinët është kështu:
“O Zot, kush mund ta lavdërojë veten para teje? O Zot, gjuha më është zënë me mëkate, nuk kam as ndonjë punë të dobishme që të mund ta bëja pretekst për ty, as ndonjë ndërmjetësues tjetër përveç dëshirës dhe qëllimit! O Zot! E di se, për shkak të të metave të mia, nuk më ka mbetur as vend para teje, as fytyrë për të kërkuar falje prej teje! Por ti je më bujari i bujarëve! O Zot, edhe nëse unë s’jam i denjë për të merituar mëshirën tënde, mëshira jote mund të arrijë tek unë, sepse mëshira jote është aq e gjerë sa ta rrethojë çdo gjë! O Zot, sado e madhe të jetë e meta ime, pranë faljes sate mbetet e vogël! Falmi të metat, Allahu im bujar!
Zoti im, po qe se i fal vetëm robtë e tu të bindur, te kush të mbështeten mëkatarët? Ti më fal mua vetëm si krijuesi im! Nga ky vend ku ndodhem, kthemë prapë me të gjitha nevojat të kryera, me të gjitha kërkesat të plotësuara, me të gjitha dëshirat të realizuara!
Allahu im që ke në dorë nevojat e nevojtarëve! Allahu im që e di se ç’mendojnë me vete të heshturit! Allahu im, veç të cilit nuk ka zot tjetër nga i cili të mund të pritet ndihmë! Allahu im, veç të cilit nuk ka krijues tjetër prej të cilit të mund të kihet frikë! Allahu im që nuk ke vezir për t’i shkuar, që nuk ke rojtar porte të cilit të mund t’i jepet rushfet! Allahu im! O Allahu im që, sa më shumë të shtohen lutjet ndaj teje, aq më shumë të shtohet bujaria, që, sa më shumë të shtohen nevojat tona, aq më shumë të shtohet mirësia ndaj nesh! Allahu im, ti e pret çdo mik! Edhe ne jemi miqtë e tu! Pritna ne në xhennet!
Allahu im! Çdo karvani i jepet peshqesh, çdo kërkuesi i jepet dhuratë, çdo vizitor gostitet! Çdokujt që shpreson mirësi, i jepet mirësi! Ne erdhëm të gjithë së bashku në Shtëpinë tënde! Dhe qëndruam në vakfe në këtë vend të gjerë! U ndodhëm të pranishëm në këto vende të bekuara! Shpresa jonë është të meritojmë mirësi dhe shpërblim në lartësinë tënde hyjnore! Allahu ynë, mos na i nxirr shpresat të paplotësuara!” (Gazali, Ihja, I, 337-338; Bejhaki, Shuabu’l-Iman, II, 25-26)
Kur Profeti i Lartë (s.a.s.) ndodhej në Arafat, i erdhën pranë disa persona nga popullsia e Nexhdit dhe e pyetën:
“O i Dërguari i Allahut! Si është haxhi, me se plotësohet?”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha:
“Haxhi është Arafat. Kush vjen në Arafat natën e Muzdelifes para namazit të mëngjesit, do të thotë se e ka arritur haxhin. Ditët e Mina-së janë tri. Nuk ka mëkat për personin i cili, nxitohet dhe qëndron aty dy ditë. Nuk ka mëkat as për personin që mbetet vonë!” (Ibni Maxhe, Menasik, 57)

Sot e përsosa fenë tuaj
Me ajetin kur’anor që zbriti kur ndodhej në vakfe dhe po perëndonte dielli, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) njoftoi se feja u plotësua:
الْيَوْمَ يَئِسَ الَّذِينَ كَفَرُوا مِنْ دِينِكُمْ فَلاَ تَخْشَوْهُمْ وَاخْشَوْنِ
الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي 
وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلاَمَ دِيناً
"... Mohuesit sot e kanë humbur shpresën prej fesë suaj (se mund ta asgjësojnë atë). Mos kini më frikë prej tyre, por prej Meje! Sot e përsosa për ju fenë tuaj, plotësova dhuntinë time dhe zgjodha si fe për ju Islamin!.." (el-Maide, 3) (Tirmidhi, Tefsir, 5/3043)
Sapo e dëgjoi këtë ajet, Hz. Ebu Bekri (s.a.s.), me zgjuarsinë e tij të lartë, kuptoi çdo gjë. Ai e parandjeu thellë kuptimin e "plotësimit të dhuntisë" dhe nisi ta parandjejë ngjarjen e pritshme që do ta pasonte "fenë e përplotësuar"!
Për njerëzit e zgjuar e me parandjenjë të fuqishme, ky ajet ishte një lloj lajmi "ikjeje" për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.): shumë shpejt, Allahu i Lartë (xh.xh.) do ta thërriste të Dërguarin e Tij, Dritën e Ekzistencës, në botën e amshuar! Sytë e Ebu Bekrit (r.a.) u mbushën me lot; ndërsa të tjerët s’kishin ndjerë ende gjë, ai nisi të qante thellë me dhimbjet e ndarjes të rëna në zemër.390
Sepse amaneti i shenjtë, i ardhur brenda njëzet e tre vjetëve, po i dorëzohej si mëshirë ummetit gjer në kiamet!
***
Pasi dielli perëndoi plotësisht, Profeti (s.a.s.) u nis nga Arafati për në Muzdelife duke patur me vete në vithet e devesë Usame bin Zejdin (r.a.). Atje, në kohën e jatsisë, duke bërë bashkim namazesh, me një ezan dhe dy ikamete, drejtoi në fillim faljen e namazit të mbrëmjes, pastaj të jatsisë. Ai qëndroi në Muzdelife gjersa zbardhi. Ai nuk u largua nga qëndrimi (vakfe) në muzdelife pa gdhirë mirë. Gjatë kësaj kohe vazhdoi me telbije dhe lutje.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i mblodhi në Muzdelife gurët që do të hidhte në Mina. Ai u largua nga Muzdelife para se të lindte dielli. Ai u tha sahabeve të mblidhnin gurët që do t’i hidhnin në xhemre391. Veç kësaj, u tha që xhemret dhe gurët e vegjël t’i hidhnin duke i marrë mes gishtave. Duke bërë shenjë me dorë, u tregoi se si duheshin hedhur gurët.

Mallkimi i rënë mbi tokë
Gjatë kryerjes së haxhit, Profeti (s.a.s), luginën e quajtur Batn-i Muhassir mes Minasë dhe Muzdefiles, e kaloi me shpejtësi. Shokët e pyetën të habitur:
"O i Dërguari i Allahut, ç'ndodhi që u nxitove?"
Dhe Profeti iu përgjigj:
"Në këtë vend Zoti pati dërguar shpendët Ebabil dhe e pati ndëshkuar gjer në asgjësim ushtrinë e elefantëve të Ebrehesë. Shpejtova që të mos më bjerë pjesë nga ai mallkim!.." (Nevevi, Sherhu Muslim, XVIII, 111; Ibni Kajjim, II, 255-256)
Kështu, në haxh, në këtë zonë nuk bëhet vakfe.
Shfaqjet e mëshirës e të mallkimit disa herë reflektohen edhe në sendet jo të gjalla. Prandaj duhet përfituar prej ambienteve ku reflektohet mëshira, siç janë Qabeja, xhamitë, kuvendet e njerëzve të mirë, etj. Ndërkaq, u duhet shmangur vendeve të mëkatit ku është shfaqur mallkimi dhe ndëshkimi i Zotit.
Edhe mbi jogjallesat vepron ligji i ndikueshmërisë reciproke. Kështu, trungu i hurmasë mbi të cilin Profeti (s.a.s.) kishte mbajtur hutbe, ishte ndikuar dhe, pastaj, kur Profeti (s.a.s.) e kishte mbajtur hutben mbi një vend tjetër, kishte nisur të qajë.392 Hadithet që e përcjellin këtë ngjarje, vijnë si mutevatir, të përcjella gojë më gojë me miratim të përgjithshëm.
Poeti Mevlana Xhelaleddin Rumi thotë kështu në lidhje me këtë specifikë:
“Ajri, dheu, uji dhe zjarri janë që të gjithë rob të Allahut dhe Atij i binden. Për ne, ata janë të pajetë, kurse para Allahut janë të gjallë!”
***
Pasi e kaloi me shpejtësi luginën Muhassir, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi në xhemren e madhe, domethënë, në xhemren Akabe. Xhemren Akabe e kreu pas lindjes së diellit në ditën e prerjes së kurbanit. Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i hidhte gurët e vegjël një e nga një duke i zënë mes gishtit të madh dhe gishtit të dëshmisë (gishtit tregues), edhe njerëzit e tjerë filluan t’i hidhnin gurët e xhemres por duke formuar turmë e duke shtyrë njëri-tjetrin. Atëherë, Profeti (s.a.s.) u tha: 
“O njerëz! Mos vrisni njëri-tjetrin! Kur të hidhni gurët e xhemres, gurët e vegjël merrini dhe hidhini duke i kapur mes gishtash!”393 (Ahmed, VI, 379)
Kudame bin Abdullah e përshkruan kështu gjendjen e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) në ato çaste:
“E pashë Profetin duke i hedhur gurët duke qenë mbi deve. As shtytje, as goditje ndaj të tjerëve, as thirrje për të hapur vend!” (Ibni Maxhe, Menasik, 66)
Profeti (s.a.s.) theri me dorën e vet gjashtëdhjetë e tre deve, nga një për çdo vit jetë. Pastaj thikën ia dha Hz. Aliut i cili theri të tjerat. I Dërguari i Allahut e urdhëroi që të merrte nga një copë mishi prej secilës deve. Ato u futën në një enë dhe u zjenë. Nga ai mish hëngrën i Dërguari i Allahut (s.a.s.) bashkë me Aliun (r.a.). Pastaj, i Dërguari i Allahut e urdhëroi Hz. Aliun që mishin tjetër të deveve, lëkurët dhe të brendshmet t’ua ndante të varfërve.
Pasi i theri kurbanët, Profeti (s.a.s.) thirri berberin dhe u qeth. Kurse qethjen e grave e ndaloi duke thënë:
“Gratë nuk qethen, por vetëm i marrin flokët!” (Darimi, Menasik, 63)
Enes bin Malik (r.a.) tregon kështu:
Pasi e plotësoi goditjen e shejtanit me gurë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e preu kurbanin dhe qethi flokët. Berberi kapi flokët e anës së djathtë dhe i preu. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thirri Ebu Talhanë dhe ia dha ato flokë atij. Pastaj berberi kapi flokët e anës së majtë dhe Profeti i tha: “Preji!” Dhe ai i preu. Edhe këto flokë, Profeti ia dha Ebu Talhait duke e porositur:
“Ndaji këto mes njerëzve!” (Muslim, Haxh, 323-326; Buhari, Vudu, 33).
Kur Profetit iu prenë flokët e pjesës së ballit, Halid bin Velidi iu lut:
“O i Dërguari i Allahut, m’i jep mua flokët e ballit! Për këtë, mos zgjidh tjetër njeri veç meje, t’u bëfshin kurban nënë e babë!”394 Pasi ia dhanë flokët, Halidi i fërkoi për sysh dhe i vendosi në pjesën e parme të anës së brendshme të qylafit. Si rrjedhojë, nuk ndodhi që dikush apo disa vetë t’i dilnin para atij në betejë e ta mundnin. Kështu, Halid bin Velidi (r.a.) pati thënë: 
“Nga cila anë që ta kem kthyer atë pjesë, ajo anë është triumfuar!”395 (Vakidi, III, 1108; Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, II, 111)
Ditën e parë të Bajramit të Kurbanit para dreke, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i hipi devesë dhe shkoi në qabe për të bërë “Tavafin Ifada”. Pas mbarimit të tavafit, fali namazin e drekës. Pastaj shkoi në pusin e Zemzemit. Atë ditë afër mbrëmjes u kthye në Mina. Netët e ditëve të Teshrikut i kaloi në Mina. Gjatë këtyre netëve nuk mungoi ta vizitonte Qaben. 
Në ditën e parë e të dytë të Teshrikut që ndjekin ditën e Bajramit, në kohën kur dielli varej për në perëndim, Profeti (s.a.s.) shkoi më këmbë tek xhemreja e parë pas faltores së Minasë. Në ditën e fundit të Teshrikut kreu xhemren e tretë dhe, pas dreke, u nis nga Minaja për në Muhassab.396 Dhe kur muslimanët u shpërndanë nga Muhassabi përreth dhe u drejtuan për të ikur, Profeti u tha:
“Kujdes, askush të mos shkojë gjëkundi pa kaluar më parë nga Qabja si vendi i fundit i vizitës!” (Darimi, Menasik, 85) Ai vuri njeri të lajmëronte se ditën e katërmbëdhjetë të Dhilhixhes para namazit të mëngjesit do të shkonte në Qabe për tavaf. Dhe shkoi në Qabe dhe bëri “Tavafin e Lamtumirës”. Në këtë mes, i shkoi dikush dhe e pyeti për ndenjjen në Mekë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Meka nuk është vend për të ndenjur. Për njerëzit e ardhur nga jashtë, koha e qëndrimit në Mekë pasi të kenë përfunduar adhurimet e haxhit, është tri ditë.” (Ahmed, IV, 339)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) tregonte respekt të thellë për Qaben. Kur dëshironte të hante diçka apo të dilte në nevojë, largohej që aty dhe shkonte në një vend larg. Ndërkaq, në Qabe nuk qëndronte gjatë me qëllim që të mos i shfaqej ndjenja e mërzitjes dhe të mos i cënohej respekti për të. Sepse ndodhja në një vendbanim tjetër me zemrën të lidhur pas Qabes është më e mirë se ndodhja në Qabe, vështrimi i atij vendi të bekuar si një vendbanim i zakonshëm dhe ndjerja e mallit për vendbanimin e vet! 
Pasi kryen ”Tavafin e Lamtumirës”, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe muslimanët u kthyen në Medinë. (Buhari, Haxh, 21, 70, 128; Muslim, Haxh, 147; Ibni Maxhe, Menasik, 84)
Meqë Zoti e kishte plotësuar dhuntinë e tij dhe e kishte përsosur fenë, kishte ardhur koha e ndarjes dhe e bashkimit më të madh!

VITI I NJEMBEDHJETE I HIXHRETIT
Lamtumira e madhe dhe bashkimi i madh:
UDHETIMI SUBLIM PER TEK “SHOKU I LARTE”!
Hallka e parë dhe e fundit e vargut të profetëve, Zotëria i Dy Botëve, Profeti i Njerëzve dhe Xhindve, Imami i Dy Faltoreve, Drita e Ekzistencës, Profeti i dërguar si mëshirë për botët, Hz. Muhammedi (mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!), pas Haxhit të Lamtumirës u sëmur nga një sëmundje ethesh. Kjo ishte sëmundja e vdekjes e cila do ta ndante atë nga bashkësia dhe do ta bashkonte me Zotin, me "Shokun e Lartë", gjë që ai e kishte dëshiruar tërë jetën. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili, me zbulimin e sures "Nasr", e kishte kuptuar se i ishte afruar vdekja, po përgatitej për udhëtimin e fundit. Ai po përshëndetej, tashmë, me shenja, edhe me të gjallët, edhe me të vdekurit. Një ditë më parë se të sëmurej, kishte shkuar në varrezën e Medinës, të quajtur "Xhenneti i Përjetshëm", dhe ishte lutur kështu për të vdekurit:
"Allahu im i Madh! Mos e kurse faljen për ata që shtrihen këtu!" (Ahmed, III, 489)
Dhe në kthim, kishte hipur në minberin e xhamisë dhe kishte mbajtur para shokëve këtë hutbe që ishte si një lamtumirë e vërtetë:
"Unë do të jem i pari prej jush që do të arrij në Hauzin e Kevtherit dhe atje do t'ju pres! Atje është vendtakimi ynë! Unë tani atë po shoh! Unë do të dëshmoj për ju! Tani, në këtë çast, mua m'u dhanë thesaret e tokës dhe çelësat e tyre! Për Zotin, unë s'kam frikë se mos pas meje ktheheni në idhujtari! Unë kam frikë se mos, duke u shtënë pas dëshirave të kësaj bote, filloni dhe e kini zili njëri-tjetrin, e vrisni njëri-tjetrin dhe, ashtu siç janë asgjësuar ata që qenë para jush, edhe ju shkatërroheni e asgjësoheni..." (Buhari, Xhenaiz, 73; Muslim, Fedail, 31)
Pas zbritjes nga minberi, Profeti (s.a.s.) u tërhoq i lodhur e i rënduar në shtëpinë e vet. Me kalimin e ditëve, sëmundja i erdhi duke iu rënduar. Dhe, kur iu rëndua shumë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili ishte model i etikës dhe delikatesës, u kërkoi lejë bashkëshorteve të tjera për t'u tërhequr në dhomën e Hz. Aishesë. (Buhari, Tib, 22; Ahmed, VI, 34, 38; Belazuri, I, 545)
Profeti nuk pati kaluar gjer atëherë ndonjë sëmundje të tillë të rëndë. Në fakt, mënyra pastër dhe e thjeshtë e jetesës që pati bërë, qe një jetë e pashembullt që nuk u linte shteg sëmundjeve. Por pesha e detyrës profetike të lartë e të rëndë që i kalonte mundësitë e njeriut397 dhe që kishte vazhduar për njëzet e tre vjet me radhë, e pati lodhur shumë. Në këtë mes, edhe një mijë e një të këqijat e armiqve të ndryshëm ia patën dëmtuar trupin e bekuar. Të gjitha këto e kishin bërë të mundur që ta prekte sëmundja.
Nga ana tjetër, kjo sëmundje do të bëhej pretekst për ngjitjen e tij në pozita tejet të larta. Tek ai pati ushtruar ndikim të madh edhe ndodhia e helmimit në Hajber. Me të vërtetë, në një kohë kur sëmundja i qe rënduar mjaft, Profeti (s.a.s.) i pati thënë Hz. Aishesë:
"O Aishe! Kohë më kohë e kam ndjerë hidhësinë e mishit të helmuar që e pata shijuar në Hajber. Këtë çast më duket sikur po më këputen damarët e zemrës!" (Buhari, Megazi, 83)
Edhe Enes bin Malik ka thënë:
“Shihja vazhdimisht gjurmën dhe efektin e këtij helmi në gjuhën e vogël të të Dërguarit të Allahut!..” (Muslim, Selam, 45)
Për shkak të këtij helmi, Krenaria i Gjithësisë (s.a.s.) vdiq si dëshmor; Allahu i Lartë që e pati nderuar me profetësi, e nderoi edhe me dëshmorësi! (Ibni Hisham, III, Vakidi, II, 678-679; Hejsemi, VI, 153)
***
Nga nxehtësia e etheve që e kishin zënë, të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i pikonin djersët si të pikonte ujë nga një calik i varur. Ebu Said el-Hudriu që i kishte shkuar për vizitë, i tha:
“O i Dërguari i Allahut, sa ethe të rënda paske!”
Ebu Said (r.a.) vazhdon kështu:
“I vura dorën mbi trup dhe ia ndjeva temperaturën e lartë mbi mbulesë.
“O i Dërguari i Allahut, paske shumë nxehtësi!” – I thashë.
“Kështu jemi ne, (pejgamberët)! Belatë na vijnë shumëfish, por edhe shpërblimet na jepen shumëfish!” – M’u përgjigj.
“O i Dërguari i Allahut! Kush janë njerëzit që i zënë më shumë belatë?” – E pyeta unë.
“Pejgamberët!” – Më tha ai.
“Pastaj kush?” – E pyeta unë.
“Pastaj njerëzit e mirë!” – M’u përgjigj dhe bëri këtë shpjegim:
“Ndonjëri prej tyre bëhet aq i varfër sa të mos gjejë dot asgjë përveç një gune për t’u mbuluar! Por ata i gëzohen belasë siç i gëzoheni ju bollëkut!” (Ibni Maxhe, Fiten, 23)
Ditët e fundit, sëmundja nuk e lejoi të dilte në xhemaat, prandaj e caktoi Hz. Ebu Bekrin (r.a.) si imam për të drejtuar faljen. Ndërkaq, duke e ndjerë veten më mirë për një çast, doli në faltore. Aty u dha këshilla sahabeve dhe tha:
"Allahu Famëmadh e la të lirë një robin e vet të zgjidhte mes stolive të kësaj bote dhe të mirave pranë Tij. Dhe robi zgjodhi të mirat pranë Tij!.."
Në këto fjalë, Hz. Ebu Bekri (r.a.), me atë zemrën e tij të butë e të ndjeshme, ndjeu se Profeti (s.a.s.) u dha lamtumirën. Me sytë që nisën t'i rridhnin lot të hidhur, i tha:
"T'u bëfshin fli nënë e babë, o i Dërguari i Allahut! Ne për ty jemi gati të flijojmë gjithshka: prindër, fëmijë, jetën tonë, mall e pasuri..." (Ahmed, III, 91)
Askush përveç tij në atë xhemaat nuk kishte ndjerë atë që kishte ndjerë Hz. Ebu Bekri (r.a.). Sepse, "i dyti i të dyve" i shpellës së Thevrit, për të cilin bënte fjalë ajeti, ishte vetëm ai!
Sipas rivajetit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë kështu për Hz. Ebu Bekrin (r.a.):
"Çdo gjë që kam në zemër, Ebu Bekrit ia kam lënë!.."398 
Kur sahabet panë këtë shok të shtrenjtë të të Dërguarit të Allahut (s.a.s) të qante, nisën t’i thonë me habi njëri-tjetrit:
"Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po na flet për një njeri të mirë që zgjedh bashkimin me Zotin e vet, ky plak ç'ka që qan?" (Buhari, Salat, 80)
Mirëpo zemra e butë dhe e ndjeshme e Hz. Ebu Bekrit (r.a.) e kishte parandjerë lamtumirën e madhe dhe kishte nisur të vajtonte si një fyell që ankohet për ndarjet. Por, kur sëmundja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) u bë serioze, atëherë edhe shokët e tjerë, të cilët nisën ta kuptojnë se për të kishte ardhur koha e bashkimit me Zotin, filluan të derdhin lot. Kuvendet e ensarëve dhe muhaxhirëve u veshën në zi. Dhe kur ata që i rrinin rreth e rrotull, i thanë t'i lutej Zotit për shërim, Profeti (s.a.s.), i cili gjithmonë lutej për shërim, këtë radhë nuk u lut.
Hz. Aisheja (r.anha) tregon:
"Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) sëmurej, këndonte suret Felak dhe Nas që quhen “Dy mbrojtësit”399, u frynte duarve dhe fërkonte trupin. Kur sëmundja iu rëndua, në të njëjtën mënyrë, edhe unë i këndova këto sure, u fryva duarve dhe nisa ta fërkoja trupin e tij të bekuar. Përveç kësaj, i këndova edhe lutjen e shërimit që ia kish pasë kënduar Profetit (s.a.s.) më parë, gjatë një sëmundjeje, Xhebraili:
"O Zoti i njerëzve! Hiqja këtë sëmundje! Shërimi është vetëm në dorën Tënde! Nuk ka shërues tjetër veç Teje! Dhe jepi një shërim të tillë që të mos i mbetet më asnjë sëmundje!"
Mirëpo, atë radhë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke e kthyer kokën nga unë, më tha:
"Hiqe dorën prej meje! Kjo e kënduara jote tani më nuk vlen! Unë po pres afatin tim!.." (Ahmed, VI, 260-261; Ibni Sa’d, II, 210)
Hz. Aisheja vazhdon: "I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thirri, pastaj, vajzën e tij të dashur, Fatimen, me zemër të ndjeshme e delikate, dhe, kur erdhi, i tha: "Merhaba, ime bijë!" Pastaj i kërkoi t'i afrohej edhe më dhe i pëshpëriti fshehtas diçka. Fatimja qau. Pastaj i tha diçka tjetër dhe Fatimja qeshi.
Unë s'kisha parë gjer atë ditë hidhërimin dhe gëzimin kaq pranë njëri-tjetrit dhe, kur e pyeta Fatimen për shkakun e kësaj, më tregoi:
"Më lajmëroi se, si rezultat i kësaj sëmundjeje, do të vdiste. Dhe unë qava. Pastaj më tha se i pari njeri nga familja që do të takohej me të, do të isha unë. Dhe unë u gëzova!" (Buhari, Megazi, 83)
Gjatë sëmundjes, në momentet që ndihej më lehtë, Profeti dilte në xhami për të falur ndonjë kohë namaz bashkë me xhemaatin. Në një rast të tillë, ai u foli kështu shokëve me zemrat e mbushura me hidhërimin për ndarjen prej profetit të tyre:
"O njerëz!
Dëgjova se ju frikësoheni se mos ju vdes pejgamberi! A mos njihni para meje ndonjë pejgamber që të jetë dërguar te populli i vet e të ketë mbetur përgjithmonë i gjallë mes tyre? Dijeni mirë se unë do të bashkohem me Zotin tim! Edhe ju do të bashkoheni! Pa diskutim që të gjitha punët marrin udhë me lejën e Allahut të Lartë!
Dijeni mirë se unë do të iki para jush dhe do t'ju pres! Mos harroni, vendi ku do të takohemi, është Hauzi Kevther! Ai që dëshiron të takohet nesër me mua, ta largojë gjuhën dhe dorën prej mëkatit! O njerëz! Mëkati bëhet shkak për ndërrimin e të mirave! Kur populli është i mirë, edhe qeveritarët dhe drejtuesit janë të mirë. Kur populli është i keq, edhe drejtuesit bëhen të këqinj! Betohem në Allahun që ka ekzistencën time në dorë, se unë në këtë çast po qëndroj pranë Hauzit dhe po e shoh atë prej këtu ku jam!.."
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ndërpreu fjalën kur pa se Hz. Ebu Bekri (r.a.) po qante dhe i tha: 
"Mos qaj, ej Ebu Bekir!.."
Dhe vazhdoi:
"O njerëz! Nuk ka njeri si Ebu Bekri që të jetë sjellur me mua më bujarisht e të ketë sakrifikuar me jetën, pasurinë dhe miqësinë e tij! Po qe se do të bëja mik tjetër veç Zotit tim, ai do të ishte, pa dyshim, Ebu Bekri...
Mbyllini dyert e hapura në këtë faltore! Vetëm dera e Ebu Bekrit të mbetet e hapur! Unë shoh një dritë mbi derën e tij!..” (Buhari, Salat, 80; Ibni Sa’d, II, 227)
“Shokë të mi!
Më në fund, edhe unë njeri jam. Ndoshta më ka shpëtuar nga vëmendja haku i ndonjërit prej jush. Kë të kem prekur në trup, të vijë, ta kërkojë hakun e vet e të më prekë edhe ai! Kë të kem qëlluar në shpinë, të vijë edhe ai të më qëllojë e ta marrë hakun e vet! Nga malli i të cilit të kem marrë gabimisht, ja ku është malli im, le të vijë ta marrë!
Allahu im! Unë jam vetëm një njeri! Cilit nga muslimanët që t'i kem thënë një fjalë të rëndë ose ta kem goditur ose ta kem mallkuar, ktheje atë në të mirë për të, në mëshirë dhe shpërblim për të!” (Ahmed, III, 400)
“Allahu im! Po qe se për një besimtar kam thënë një fjalë të rëndë, bëje atë fjalë në ditën e kiametit pretekst për afrim të atij robi me Ty!" (Buhari, Deavat, 34; Darimi, Mukaddime, 14; Ibni Sa’d, II, 155; Taberi, Tarih, III, 191; Halebi, 463-464)
Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.)  bënte, pothuaj, një larje llogarish të robit. Pastaj u kthye përsëri, i lodhur, në mjediset e veta. Dhe nuk doli më në namaz, me përjashtim të një here të vetme, kur e ndjeu veten disi më lehtë; edhe atëherë, nuk e drejtoi vetë namazin si zakonisht, por u fal pas Hz. Ebu Bekrit.
Më në fund, më 12 Rebiulevvel, ditën e hënë në mëngjes, Profeti ndjeu një lehtësim. Vetëm se fuqia e trupit nuk i mjaftoi për të dalë në namaz me xhemaat. Atëherë, e ngriti perden e derës së dhomës që komunikonte me sallën e xhamisë, prej nga hynte e dilte, dhe i pa edhe një herë të fundit shokët e tij të dashur tek po faleshin nën drejtimin e Hz. Ebu Bekrit! Duke mbetur i kënaqur që i pa në namaz me xhemaat të vendosur radhë-radhë, Profeti ndjeu gëzim dhe buzëqeshi. Ndërsa nga njëra anë hiqte hidhërimin e sëmundjes së rëndë, nga ana tjetër përjetonte gëzimin që kishte lënë pas një xhemaat të përbërë prej njerëzish të mirë dhe që e kishte kryer detyrën e dhënë nga Allahu! (Buhari, Megazi, 83, Ezan, 46, 94; Muslim, Salat, 98; Nesai, Xhenaiz, 7)
Hz. Aisheja që e tregon këtë ngjarje, thotë:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e sodiste me buzëqeshje faljen e namazit nga sahabet. Kurrë nuk e kisha parë të Dërguarin e Allahut kaq të gëzuar!” (Ibni Hisham, IV, 331)
Allahu i Lartë i dha të Dërguarit të Allahut një dhunti që nuk ia pati dhënë asnjërit prej pejgamberëve të mëparshëm. I Dërguari i Allahut e pa suksesin e detyrës së kumtimit para se të vdiste. E pastroi Gadishullin Arabik prej politeizmit dhe herezisë. Idhujt u thyen dhe u asgjësuan personalisht nga ata që i adhuronin. Njerëzit që më parë i groposnin vajzat e vogla përsëgjalli, u bënë kulme të mëshirës. Sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte edukatori më i madh që e ngriti në kulm edukimin e njeriut duke e shndërruar njeriun në një mrekulli krijimi.
Atë mëngjes, i Dërguari i Allahut (s.a.s) i dha urdhër për nisje ushtrisë që e kishte përgatitur qysh më parë, por që nisjen e së cilës e pati shtyrë për shkak të sëmundjes. Ai i tha kështu të riut Usame bin Zejdit, që e kishte caktuar komandant: 
"Me begati të Allahut, dilni në rrugë afër drekës!.." (Vakidi, III, 1120)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) urdhëroi që t'u ndaheshin të varfërve 6-7 dinarë që ndodheshin te Hz. Aisheja (r.anha). Pas një farë kohe, e pyeti përsëri Hz. Aishenë se ç'kishte bërë me ato dinarët dhe, kur e mori vesh se ajo, në telash e sipër, nuk i kishte shpërndarë ende, i kërkoi, i mori në grusht dhe tha:
"Muhammedi, pejgamberi i Allahut, nuk mund të presë të takohet me Zotin e vet përsa kohë këto i ndodhen me vete, pa ua shpërndarë të varfërve!.."
Pas këtyre fjalëve, paratë ua ndau pesë familjeve ensare të varfra dhe, pasi tha, "ja, tani u qetësova", Profeti ra në një gjumë të lehtë.400 (Ahmed, VI, 104; Ibni Sa’d, II, 237-238)
Ja një shuarje me ndodhí që pasojnë njëra-tjetrën pa shkëputje...
Atë ditë Profeti u bëri zë kështu njerëzve të shtëpisë:
"O njerëz! Zjarri mori flakë! Intriga si net të errta po vijnë!.. Unë e quajta hallall vetëm atë që e quante hallall Kur'ani, libri i Allahut dhe haram, atë që e quante ai haram!
Ej, Fatime, vajza e Muhammedit, të Dërguarit të Allahut! Ej, Safije! Bëni punë të pranueshme te Allahu! Sepse unë nuk mund t'ju shpëtoj ju nga ndëshkimi i Allahut!" (Ibni Sa’d, II, 256; Buhari, Menakib, 13-14; Muslim, Iman, 348-353)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) porositi:
“Namazin! Kujdes namazin! Vazhdojeni namazin! Namazin! Silluni mirë me njerëzit që keni nën urdhër dhe kini frikë Allahun në lidhje me të drejtat e tyre! (Mos i lini pa veshur e pa ushqyer! Dhe thojuni fjalë të buta!)” (Ebu Davud, Edeb, 123-124 / 5156; Ibni Maxhe, Vesaja, 1)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e përdori me dëshirë misvakun (për pastrimin  dhëmbëve). Hz. Aisheja thotë:
"Kur i Dërguari i Allahut po pastronte dhëmbët, më dukej sikur s'e kisha parë ndonjëherë se sa bukur që e përdorte misvakun!" (Buhari, Megazi, 83; Ibni Sa’d, II, 261)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) mbante pranë një enë të vogël me ujë. Herë pas here fuste duart në atë enë, fërkonte fytyrën dhe thoshte:
“La ilahe il’lallah, Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Pa dyshim, vdekja ka mundimet e veta që ia humbin mendjen njeriut!” (Buhari, Megazi, 83)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu lut kështu Zotit:
"Allahu im! Rrethomë me mëshirën Tënde! Bashkomë me Shokun e Lartë! Allahu im, falmë mëshirën tënde! Bashkomë me Shokun e Lartë!” (Buhari, Megazi, 83; Ahmed, VI, 126)
Atë ditë Profeti e qetësoi kështu të bijën Fatime:
"Bija ime, mos qaj! Kur unë të vdes, thuaj:
اِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ 
"Inna lil'lahi ve inna ilejhi raxhiun!", "Pa dyshim, ne, të Allahut jemi dhe, pa dyshim, te Ai do të kthehemi!" (Ibni Sa’d, II, 312)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u këndoi, si tërheqje vëmendjeje, shokëve të tij ajetin e mëposhtëm që e pati kënduar në çastet e vështira të Uhudit, kur qenë ngritur zërat e shqetësuar për vdekjen e tij dhe kur ushtria qe gati për t'u shpartalluar: 
وَمَا مُحَمَّدٌ إِلاَّ رَسُولٌ قَدْ خَلَتْ مِنْ قَبْلِهِ الرُّسُلُ أَفَإِن مَاتَ 
أَوْ قُتِلَ انْقَلَبْتُمْ عَلَى أَعْقَابِكُمْ وَمَنْ يَنْقَلِبْ عَلَىَ عَقِبَيْهِ 
فَلَنْ يَضُرَّ الله شَيْئاً وَسَيَجْزِي الله الشَّاكِرِينَ 
"Muhammedi është vetëm një i dërguar. Shumë të dërguar kanë ardhur e shkuar para tij. E, tani, nëse ai vdes apo vritet, mos vallë ju do të ktheheni në fenë tuaj të vjetër? E kush kthehet pas, nuk i bën dëm aspak Allahut. Allahu do t'i shpërblejë falenderuesit dhe të vendosurit!" (Al-i Imran, 144)
Atë ditë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i erdhi engjëlli i zbulesës, Xhebraili (a.s.) dhe i tha:
"Paqe ty, o i Dërguari i Allahut! Ky është rasti i fundit që unë shkel në tokë për ty!" (Ibni Sa’d, II, 259)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) përjetoi ngushëllimin e fjalëve që kishte pasë thënë më parë:
"Shpirti i asnjë pejgamberi nuk merret pa e parë ai që më parë vendqëndrimin e tij në xhennet! Pastaj, shkuarja atje i lihet atij në dorë!" (Buhari, Megazi, 83, 84; Ahmed, VI, 89)
Atë ditë, te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) erdhi Azraili (a.s.) dhe kërkoi leje për të hyrë. Pasi mori leje, qëndroi para Profetit dhe tha:
"O i Dërguari i Allahut! O Ahmed! Allahu i Lartë më dërgoi tek ti. Dhe më urdhëroi t'i bindem çdo fjale tënde. Po qe se dëshiron, do të ta marr shpirtin! Po qe s'dëshiron do të ta lë shpirtin tek ti!"
Xhebraili (a.s.) që ndodhej aty, i tha:
"O i Dërguari i Allahut! Allahun e Lartë e ka marrë malli për ty!"
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha kështu engjëllit që i kërkoi leje:
"(O Azrail!) Kush ndodhet në lartësinë e Allahut, është i përhershëm e më i dobishëm! O engjëlli i vdekjes! Eja, zbatoje atë për të cilën je urdhëruar, merrma shpirtin!" (Ibni Sad, II, 259; Hejsemi, IX, 34-35; Belazuri, I, 565)
Pastaj njomi duart në enën me ujë që kishte pranë, e fërkoi fytyrën dhe, i mbushur plot me mallin hyjnor, kaloi nëpër portën e jetës duke kënduar Fjalën e Njësisë dhe e dorëzoi shpirtin e nderuar duke e kërkuar Zotin e vet: 
"Allahu im! Zoti im i Lartë! Zoti im i Lartë!.."
Dhe dora e bekuar i ra në enën me ujë... (Buhari, Megazi, 83)
I erdhi koha vërtetimit të ajetit të shenjtë të zbuluar vite më parë:
إِنَّكَ مَيِّتٌ وَإِنَّهُم مَيِّتُونَ 
"... (O i Dërguar!) Edhe ti do të vdesësh, edhe ata do të vdesin..." (ez-Zummer, 30)
Allahu im! Jepu paqë zotërisë sonë Muhammed Mustafait (s.a.s.), familjes dhe shokëve të tij, bekoji ata dhe fali! Dhe kjo qoftë një lutje e përhershme për falje e paqe!
***
Pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e dorëzoi shpirtin e tij të nderuar, njerëzit e shtëpisë u mbytën me lot. Në këtë mes u dëgjua një zë ngushëllues, por pa u kuptuar se nga vinte e kush e thoshte:
"Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju!"
Pasi njerëzit e shtëpisë iu përgjigjën zërit po ashtu, ai zë u dëgjua prapë të thoshte:
كُلُّ نَفْسٍ ذَآئِقَةُ الْمَوْتِ وَإِنَّمَا تُوَفَّوْنَ أُجُورَكُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ 
فَمَنْ زُحْزِحَ عَنِ النَّارِ وَأُدْخِلَ الْجَنَّةَ فَقَدْ فَازَ
 وَما الْحَيَاةُ الدُّنْيَا إِلاَّ مَتَاعُ الْغُرُورِ 
"Çdo jetë do ta shijojë vdekjen. Në ditën e kiametit, shpërblimi do t'ju jepet pa mangësi. Kush të ketë shpëtuar nga zjarri e të ketë hyrë në xhennet, do të thotë se, pa dyshim, ia ka arritur qëllimit. Jeta e kësaj bote s'është gjë tjetër veçse një përjetim mashtrues!.." (Al-i Imran, 185)
“Dijeni mirë se çdo fatkeqësi ka, tek Allahu, ngushëllimin e vet, çdo i vdekur ka zëvendësuesin e vet, gjithashtu, çdo i vdekur ka shpërblimin e vet! Mbahuni pas Allahut dhe shpresoni prej Tij! Fatkeqi i vërtetë është ai që privohet nga fitimi i mirësisë! Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju!" (Ibni Sa’d, II, 259)
Ibni Omeri (r.anhuma) ka thënë:
“Këto fjalë i dëgjuan të gjithë, ata që ndodheshin në Faltoren Profetike, si dhe në rrugë!” (Belazuri, I, 564)
Hz. Aliu (r.a.) ka njoftuar se ai zë kishte qenë i Hizrit (a.s.). (Ibni Sa’d, II, 260)
Kryezonja e xhennetit, nëna jonë Fatime, u dëshpërua aq shumë nga ndarja e përkohshme e babait të saj të bekuar, Profetit të Mëshirës, saqë tha:
“Me nderimin e botës së amshuar nga Krenaria i Gjithësisë, mbi mua ranë fatkeqësi të tilla, që, po të binin mbi ditët, ato do të bëheshin sterrë si netët!” (Dijarbekri, II, 173)
Gjatë gjashtë muajve jetë të nënës sonë Fatime pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), nuk u pa qoftë edhe një herë të vetme që ajo të buzëqeshte! (Kâmil Mîras, Tecrid Tercemesi, XI, 25-26)
Në përfundim të një sëmundjeje të vështirë me ethe që filloi pas kthimit të tij në Medinë dhe zgjati trembëdhjetë ditë, të hënën më 12 Rebiulevvel të vitit të 11 hixhri (8 qershor 632 e.r.), të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), iu hapën horizontet e bukurisë hyjnore dhe ai i Dashuri i Lartë u bashkua me Shokun e tij të Lartë, me mikun më të madh, Allahun e Lartë!
Sahabet e ndjenin se në dritën e pandryshueshme të diellit që lindte e perëndonte, merrte frymë diçka, ashtu që, pas asaj dite, muezini profetik Bilal Abisinasi (r.a.) nuk këndoi dot edhe një herë tjetër më ezan me atë zërin e tij të bukur që përfshinte qiejt! Sa herë që sahabet i luteshin me këmbëngulje të këndonte ezan, Hz. Bilali, me ta parë se i Dërguari i Allahut nuk ndodhej në mihrab, e mbysnin ngashërimet, zëri i mekej dhe nuk këndonte dot. Dhe, kështu, për të mund ta shuar zjarrin e dashurisë për Profetin që ia përvëlonte shpirtin, u largua nga Medina dhe shkoi në Damask. Ndërkaq, atje, një natë pa në ëndërr të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) që e qortoi:
“Ç’është kjo ndarje, o Bilal? A nuk të erdhi ende koha për të më bërë vizitë mua?”
Dhe Bilali (r.a.) u zgjua i hidhëruar dhe menjëherë u nis për udhë. Ai arriti në Medinë për ta vizituar Varrin e Nderuar të Zotërisë së botëve. Kur po qante para të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe po e fërkonte fytyrën në varrin e tij, i erdhën Hz. Hasani me Hz. Hysenin. Bilali (r.a.) i përqafoi dhe filloi t’i puthte. Dhe, pasi ata i thanë me këmbëngulje se “dëshironin shumë të dëgjonin ezan”, filloi të këndonte ezan. Në atë çast, Medina u trondit! Kur tha “esh’hedu enne Muhammede’r-Resulullah”, të gjithë njerëzit, burra e gra, duke pandehur se i Dërguari i Allahut ishte ringjallur, u derdhën rrugëve. Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) nuk kishte ndodhur ndonjë ditë që në Medinë njerëzit të qanin aq shumë! (Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, I, 244-245; Zehebi, Sijer, I, 357-358)
Enes bin Maliku (r.a.) thotë kështu:
“Kurrë s’kam parë ditë më të hijshme e më të bukur se ditën kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) me Ebu Bekrin arritën në Medinë! E pashë edhe ditën kur vdiq i Dërguari i Allahut (s.a.s.)! Gjithashtu, nuk kam parë ditë më të errët, më të keqe e më të papëlqyeshme se atë ditë! Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) hyri në Medinë, çdo gjë e Medinës u ndriçua, kurse ditën kur vdiq, çdo gjë e Medinës u bë sterrë e zezë! Trupin e tij të shtrenjtë e varrosëm dashje pa dashje, pa i besuar vdekjes së tij!” (Ahmed, III, 221, 268, 287; Tirmidhi, Menakib, 1/3618; Darimi, Mukaddime, 14)
Fatkeqësitë dhe ngatërresat pas asaj dite qenë, për muslimanët, një hiç gjë. Se ashtu pati thënë i Dërguari i Allahut (s.a.s.):
“Muslimanët që pësojnë ndonjë fatkeqësi, duke menduar fatkeqësinë që u pati rënë nga vdekja ime, të gjejnë ngushëllim e të durojnë!” (Muvatta, Xhenaiz, 41; Darimi, Mukaddime, 14)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka porositur kështu:
“Jeta ime është e dobishme për ju: ju bisedoni me mua dhe unë bisedoj me ju! Edhe vdekja ime është e dobishme për ju: punët tuaja më paraqiten mua; kur shoh punët tuaja të mira, e falenderoj Allahun, kurse kur shoh punët tuaja të këqija, i kërkoj falje Allahut për ju!” (Hejsemi, IX, 24)
***
Siç rrëfen Hz. Aisheja (r.anha), çastet e fundit të të Dërguarit të Allahut qenë vetëm madhërim i Allahut (tesbih, tenzih), pendesë (tevbe) dhe falenderim (hamd). Ai përsëriste herë pas here:
“Subhanallahi ve bi-hamdihi, estagfirullahe ve etubu ilejh: E madhëroj Allahun duke e veçuar prej atributeve që nuk i përshtaten pozitës hyjnore, e lavdëroj dhe e falenderoj! Bëj pendesë për mëkatet dhe i lutem Allahut të më falë!” (Buhari, Ezan, 123, 139; Muslim, Salat, 218-220; Ahmed, I, 392; Ibni Sad, II, 192)
Profeti kishte mes dy shpatullave një shenjë hyjnore të profetësisë së tij. Shumë sahabe, shokë të tij, jetonin me ashkun dhe mallin për ta puthur atë shenjë. Kur i Dërguari i Madh (s.a.s.) emigroi në botën e përjetësisë, në fytyrën e tij të bekuar nuk u duk asnjë ndryshim, kështu që sahabet dyshuan për vdekjen e tij. Atëherë, Esma binti Umejs (r.anha) kërkoi t’ia shihte të bekuarën Vulën Profetike në shpinë. Vula ishte zhdukur! Dhe u kuptua se me të vërtetë ai e kishte nderuar botën e përjetësisë!401
Pas vdekjes, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk la as ndonjë para, as ndonjë skllav a shërbëtor. Prej tij mbeteshin pas vetëm një mushkë e bardhë shale, një armë lufte si dhe parcelat Fedek dhe ajo në Hajber që i dhuroi për udhëtarët.402
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) vdiq ditën e hënë dhe u varros të martën. Njerëzit ia falën namazin e të vdekurit individualisht, ashkush nuk bëri detyrën e imamit. Disa thanë që të varrosej pranë minberit në faltore, kurse disa të tjerë, në varrezën e Medinës. Erdhi Hz. Ebu Bekri (r.a.) dhe tha:
“Ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) të thotë se “çdo pejgamber varroset aty ku vdes”!
Atëherë, varri i hap aty ku vdiq, në dhomë.403
Kur deshën ta lanin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), deshën t’ia hiqnin këmishën. Atëherë dëgjuan një zë që u tha: “Mos ia hiqni këmishën!” Kështu që, e lanë me këmishë.404
Abdullah bin Mes’ud (r.a.) thotë kështu:
“Pejgamberi dhe i dashuri ynë na lajmëroi një muaj përpara se do të vdiste. Ne e pyetëm:
“O i Dërguari i Allahut, kush ta falë namazin tënd?” 
Dhe qamë. Edhe ai qau dhe na porositi:
“Mos u ngutni! Allahu ju mëshiroftë! Dhe jua shpërbleftë me të mirë për profetin tuaj! Pasi të më lani dhe qefinosni, më vendosni mbi këtë shtrat dërrase ose në anë të varrit të hapur brenda kësaj dhome! Pastaj dilni dhe lërmëni vetëm për një farë kohe, sepse mbi mua në fillim do të falen dy miqtë e mi, Xhebraili dhe Mikaili, pastaj Israfili, pastaj engjëlli i vdekjes me ushtrinë e engjëjve! Pas kësaj, hyni ju pjesë-pjesë, faluni dhe lutuni për mua për paqe e mëshirë! Vetëm mos më shqetësoni duke më lavdëruar e duke thirrur e bërtitur!
Në fillim të fillojnë të falen meshkujt e shtëpisë sime dhe, pas tyre, gratë e tyre! Pas tyre faluni ju!
Përshëndetini sahabet që nuk ndodhen këtu! Përshëndetini edhe ata që, gjer ditën e kiametit ndjekin fenë time!” (Hejsemi, IX, 25; Ibni Sa’d, II, 256-257)
U vepruar ashtu siç porositi i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Hz. Aliu (r.a.) tha:
“Askush të mos formojë dyshim se a mund të falet namazi i të vdekurit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) pa imam! Ai ka qenë imami ynë në të gjallë, ai do të vazhdojë të jetë imami ynë edhe pas vdekjes!” 
Dhe, duke qëndruar në këmbë në nivelin e trupit të Profetit, lutej:
“O i Dërguari i Allahut! Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ty!
Allahu im! Dëshmojmë se Ai i ka kumtuar ato që i janë zbritur dhe se e ka këshilluar ummetin, bashkësinë, dëshmojmë se ka luftuar në udhën e Allahut gjersa Allahu e bëri sunduese fenë e vet dhe e plotësoi fjalën e vet!
Allahu im! Bëna ne ndjekës të gjërave që i zbrite atij! Dhe jepna qëndresë pas tij në këtë rrugë! Dhe bashkona me të!” 
Kurse xhemaati e miratonte: Amin! Amin! Ashtu qoftë!” (Ibni Sa’d, II, 291)
Ç’lumturi për atë dhé që e ruan Zotërinë e Botëve në gjirin e vet! Sa bukur e shpreh poeti këtë:
Ai Resuli i zgjedhur është dhe për botët mëshirë,
Toka u krenohet qiejve: “Tek unë ndodhet shtrirë!..”
Ia vizitoi varrin dhe tha kështu Xhebraili i mirë:
“Këtu, xhenneti i Adnit; hyni për të mbetur përherë!..”
Edhe M. Raif Bej e shpreh me këtë dyvargsh të bukur zilinë e qiellit ndaj dheut:
O fytyrëdiell, me ta parë dheun të stolisur me ty, qielli
Thënka, “eh, sikur të kisha qenë dhé”(en-Nebe, 40) me zili…
Feja u përsos, sahabet e vërtetuan personalisht se Profeti e kishte kumtuar fenë dhe dëshmia e tyre iu paraqit Zotit. Pastaj, Drita e Ekzistencës (s.a.s.) u thirr në botën e përjetësisë. Tani e pret ummetin, bashkësinë e tij, në ringjallje, në sirat dhe në hauzin Keuther.
Të përgjërohemi, o i Dërguari i Allahut!
Na eja në ndihmë, o i Dërguari i Allahut!
Ndërmjetëso për shpëtimin tonë, o i Dërguari i Allahut!
***
Profeti lindi dhe e nderoi botën më 12 Rebiulevvel, ditën e hënë. Pastaj, më 12 Rebiulevvel, ditën e hënë, iu dha nga Allahu detyra profetike. Ebu Katade rrëfen kështu:
“Profetin e pyetën për agjërimin e ditës së hënë dhe ai iu përgjigj:
“Kjo është dita kur kam lindur unë dhe dita kur jam dërguar si profet…” (Muslim, Sijam, 197-198)
Ishte përsëri mëngjesi i të hënës së datës 12 Rebiulevvel kur ai hyri në Medinë ku themeloi shtetin islam që do të vazhdojë gjer në kiamet. Dhe, më në fund, përsëri të hënën më 12 Rebiulevvel, ndërroi jetë duke kaluar në botën e përjetësisë. Tani ai e pret atje me dhembshuri ummetin, bashkësinë e vet, për të ndërmjetësuar për falje.
Pabesinë e kësaj bote të mbetur pa të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) pasi ndërroi jetë, Hz. Aziz Mahmud Hydaji e përshkruan me këto vargje:
Kush e pret prej teje besën, 
Botë e rreme, a s'je ti?
Muhammed Mustafanë
Profet, a s'e more ti?

Hidhërimi që përfshiu gjithësinë
Kur vdiq i Dërguari i Allahut (s.a.s.), Hz. Fatime (r.anha) e qau me këto vargje:
يَا اَبْتَاهْ مَنْ رَبَّهُ مَا اَدْنَاهُ
يَا اَبْتَاهْ اَجَابَ رَبًّا دَعَاهُ
يَا اَبْتَاهْ مَنْ جَنَّةُ الْفِرْدَوْسِ مَأْوَاهُ
يَا اَبْتَاهْ اِلَى جِبْرِيلَ نَنْعَاهُ
Ti që s’ke tjetër më të afërt se veten, o im atë!
Ti që iu përgjigje ftesës së Zotit tënd, o im atë!
Ti që e ke vendin në xhennetin Firdes, o im atë!
Ti, që vdekjen tënde ia thamë Xhebrailit, o im atë!
Dhe pas varrimit të Profetit, i tha kështu Enesit (r.a.):
“O Enes, si ju bëri zemra të hidhni dhé mbi trupin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)?” (Buhari, Megazi, 83; Darimi, Mukaddime, 14) 
Enesi (r.a.) nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje për respekt, por, me qëndrimin e tij, tha: “Jo, Fatime, zemra s’na e deshi aspak, por ne e bëmë këtë punë të detyruar, sipas urdhrit të të Dërguarit të Allahut!” (Kâmil Mîras, Tecrid Tercemesi, XI, 25)
Për shkak të vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), muslimanët në faltore filluan të qajnë. Në këtë mes, ndërhyri Hz. Omeri (r.a.) që filloi dhe vazhdoi të flasë si më poshtë, i nervozuar, aq sa filloi t’i dilte shkumë goje:
“Të mos dëgjoj askën të thotë se Muhammedi vdiq, përndryshe, ia këpus qafën me këtë shpatë! I Dërguari i Allahut është mpakur ashtu siç qe mpakur Musai!..”
Me ta marrë lajmin e hidhur, Hz. Ebu Bekri (r.a.) i hipi kalit dhe arriti në Medinë. Ia hapi fytyrën Profetit, ra mbi të, e puthi në ballë duke qarë dhe tha:
“Vallahi, i Dërguari i Allahut paska vdekur! Inna lil’lahi ve inna ilejhi raxhiun, pa dyshim, ne, të Allahut jemi dhe, pa dyshim, te Ai do të kthehemi! Babë e nënë t’u bëfshin fli! Betohem në Allahun se Allahu kurrë s’do të të bëjë të shijosh hidhësirë vdekjeje dy herë! Ti ke vdekur një herë dhe e ke kapërcyer kalimin e pashmangshëm të vdekjes! Pas kësaj, për ty nuk ka më vdekje! Mjerë unë për ty, o profeti im!”
Dhe, duke u përkulur, e puthi në ballë. Pastaj, duke e ngritur kokën, tha sërish: “Mjerë për mua, o miku im!” Dhe sërish e puthi në ballë Zotërinë e Botëve!
Pastaj tha: “Mjerë për mua, o i zgjedhuri im!” Dhe e puthi në ballë!
Pastaj ia mbuloi fytyrën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) duke thënë: “Edhe i gjallë ishe i bukur, edhe pas vdekjes je i bukur! Edhe jeta, edhe vdekja jote qenë të bukura!” Dhe doli jashtë.
Hz. Omeri (r.a.) vazhdonte të thoshte se Profeti nuk ka vdekur! Kurse Hz. Ebu Bekri i tha:
“Mjaft, ulu tani, Omer!”
Hz. Omeri nuk deshi të ulej. Hz. Ebu Bekri e përsëriti fjalën tri herë dhe filloi të flasë:
“Allahu i Lartë pati njoftuar për vdekjen e Profetit kur ai ndodhej ende mes jush. Ai pati njoftuar se edhe ju keni për të vdekur (kur t’ju vijë vdekja). I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka vdekur! Edhe nga ju, askush s’ka për të mbetur gjallë! Kush e adhuron Muhammedin, ta dijë se Muhammedi ka vdekur! Dhe kush t’i falet Allahut, ta dijë se, pa asnjë dyshim, Allahu është i gjallë e i pavdekshëm! Allahu i Lartë ka urdhëruar:
وَمَا مُحَمَّدٌ إِلاَّ رَسُولٌ قَدْ خَلَتْ مِنْ قَبْلِهِ الرُّسُلُ أَفَإِن مَّاتَ
أَوْ قُتِلَ انقَلَبْتُمْ عَلَى أَعْقَابِكُمْ وَمَنْ يَنْقَلِبْ عَلَىَ عَقِبَيْهِ 
فَلَنْ يَضُرَّ الله شَيْئاً وَسَيَجْزِي الله الشَّاكِرِينَ 
"Muhammedi është vetëm një i dërguar. Shumë të dërguar kanë ardhur e shkuar para tij. E, tani, nëse ai vdes apo vritet, mos vallë ju do të ktheheni në fenë tuaj të vjetër? E kush kthehet pas, nuk i bën dëm aspak Allahut. Allahu do t'i shpërblejë falenderuesit dhe të vendosurit!" (Al-i Imran, 144)
Pasi e dëgjuan këtë ajet, njerëzit e kuptuan mirë, më në fund, se Profeti (s.a.s.) kishte vdekur. Aq ishin turbulluar, saqë dukej sikur s’e dinin se ky ajet kishte zbritur, gjersa Hz. Ebu Bekri (r.a.) e këndoi gjer në fund!
Hz. Omeri (r.a.) thotë:
“Vallahi, isha sikur të mos e kisha dëgjuar kurrë më parë këtë ajet gjer atë ditë! Kur e dëgjova nga Ebu Bekri, më zuri tmerri! Nuk po më mbanin këmbët! M’u prenë gjunjët dhe u shemba përtokë aty për aty!” (Ibni Sa’d, II, 266-272; Buhari, Megazi, 83; Hejsemi, IX, 32; Abdurrezzak, V, 436)
Pas fjalëve të Hz. Ebu Bekrit, Hz. Omeri u përkul dhe e puthi të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) në ballë. Dhe, duke qarë, i thoshte kështu:
“Babë e nënë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Trungu i hurmës ku mbështeteshe pati nisur të qante kur pate bërë minber për t’u ngjitur dhe pate qenë larguar prej tij, pastaj, pati pushuar së qari kur i pate vënë dorën mbi të! Kurse ummeti yt është më i denjë për të qarë për ndarjen prej teje!
Babë e nënë të qofshin fli, o i Dërguari i Allahut! Duke urdhëruar:
مَنْ يُطِعِ الرَّسُولَ فَقَدْ أَطَاعَ الله
“Kush i bindet të Dërguarit të Allahut, i është bindur Allahut…” (en-Nisa, 80),
Zoti yt e ka quajtur bindjen ndaj teje si bindjen ndaj atij vetë, duke ta ngjitur gjer në gradën më të lartë epërsinë teje pranë Tij!
Babë e nënë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Megjithëse të dërgoi të fundit, Allahu, duke marrë premtim nga pejgamberët e mëparshëm se do të të besonin dhe do të të ndihmonin,405 ta ka ngjitur gjer në gradën më të lartë vlerën tënde pranë Tij!
Babë e nënë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Malli për bindjen ndaj teje nga njerëzit e xhehennemit duke thënë:
يَا لَيْتَنَا أَطَعْنَا الله وَأَطَعْنَا الرَّسُولَا 
“… Mjerë ne! Eh, sikur t’i ishim bindur Allahut, t’i ishim bindur të Dërguarit!” (el-Ahzab, 66),
e ka ngjitur në gradën më të lartë virtytin tënd në lartësinë e Allahut!” (Kastallani, el-Bidaje, V, 256)
Nëna jonë, Ummu Seleme (r.anha) tregon kështu:
Atë ditë kur vdiq i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ishim mbledhur rreth tij e po qanim. Atë natë s’kishim fjetur. Të Dërguarin e Allahut e kishim në shtëpi. E shihnim dhe ngushëlloheshim. Por kur në të zbardhur dëgjuam goditjet e kazmave, nisëm të klithnim. Edhe xhemaati në faltore nisën të bërtasin e të klithin. Medina u trondit me një klithje të vetme! Sidomos qarja me ngashërime e Bilalit duke e përmendur emrin e të Dërguarit të Allahut duke thënë “eshhedu enne Muhammede’r-Resulullah”, na e shtoi edhe më shumë dëshpërimin. Kur njerëzit sulmuan nga jashtë për të hyrë brenda ku ndodhej varri, ata që ndodheshin brenda e mbyllën derën. Ç’fatkeqësi e vështirë qe ajo! Më vonë, çfarëdo e keqe të na ngjiste, nuk i jepnim rëndësi tek kujtonim vdekjen e të Dërguarit të Allahut!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, V, 256)
Ndarja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) u erdhi shumë e rëndë sahabeve. Sepse e donin atë më shumë se çdo gjë dhe më shumë se çdokush. Prandaj, mes sahabeve kishte nga ata që nuk e donin syrin që nuk e shihte Atë, veshin që nuk e dëgjonte Atë, jetën që nuk e jetonte Ai! Këtë gjendje shpirtërore të tyre, Profeti e pati bërë të ditur qysh më parë:
“Betohem në Allahun që ka në dorë frymën e Muhammedit, se do të vijë një ditë që s’keni për të më parë më mua dhe, atëherë, për dikë nga ju do të jetë më e pranueshme dhe më e kënaqshme se familja dhe pasuria e vet, ta shohë veten bashkë me mua!” (Muslim, Fedail, 142; Buhari, Menakib, 25)
Dhe ata e mbyllën jetën duke pritur ditët kur do të bashkoheshin me të Dërguarin e Allahut dhe do ta shihnin përsëri Zotërinë e Botëve!
Hz. Osmani (r.a.) tregon kështu:
“Pas vdekjes së Profetit (s.a.s.), nëse ishte dikush nga sahabet që ishte hidhëruar më shumë për vdekjen e tij, ai isha unë. Edhe të tjerët ishin hidhëruar, madje, pati të tillë që, nga dëshpërimi, ranë në lëkundje e dyshim. Ndërsa po rrija nën hijen e një kalaje, pranë më kishte kaluar Omeri (r.a.) dhe më kishte dhënë selam, kurse unë, nga hidhërimi, s’e kisha vënë re as kalimin e tij, as selamin, përshëndetjen e tij! Omeri kishte shkuar te Ebu Bekri dhe i kishte thënë:
“Isha te Osmani dhe i dhashë selam, por nuk ma pranoi! A ka gjë më të çuditshme se kjo?”
Atëherë, më erdhën së bashku dhe më dhanë selam. Ebu Bekri më tha:
“Vëllai Omer më erdhi e më tha se të kishte dhënë selam, por ti s’ia kishe pranuar. Cili është shkaku i kësaj?”
“Unë s’kam bërë një gjë të tillë!” – U thashë.
“Vallahi, kështu bëre!” – U hodh e tha menjëherë Omeri.
Edhe unë iu përgjigja:
“Vallahi, unë as që e di se ke kaluar këtej dhe më ke dhënë selam!”
Fjalën e mori Ebu Bekri që tha:
“Osmani thotë të drejtën!” (Ahmed, I, 6)
Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Hz. Ebu Bekri i tha Omerit (r.a.):
“Ngrihu të shkojmë te Ummu Ejmeni, njeriu më i afërm i Profetit, dhe ta vizitojmë!” 
Kur shkuan te Ummu Ejmeni (r.anha), ajo filloi të qajë. Ata i thanë:
“Pse qan? A nuk e di se, për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), dhuntitë pranë Allahut janë, sigurisht, më të dobishme?” 
Ummu Ejmeni u tha:
“Unë nuk qaj për këtë. Unë e di se, dhuntitë pranë Allahut janë, sigurisht, më të dobishme për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.)! Unë qaj për ndërprerjen e vahjit!” 
Ky mendim i hollë i saj i preku Ebu Bekrin dhe Omerin (r.anhuma). Edhe ata filluan të qajnë bashkë me Ummu Ejmenin! (Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 103)
Një natë, kur Omeri (r.a.) përsillej nëpër sokakët e qytetit për të bërë kontroll, pa se në një shtëpi digjej kandili. Kur iu afrua shtëpisë, dëgjoi që një plakë edhe tirrte lesh, edhe recitonte një vjershë me këtë kuptim:
“Paqja dhe lutja e njerëzve të mirë qofshin për Muhammedin (s.a.s.)! O i Dërguari i Allahut! Ta paçin zili gjithë njerëzit e zgjedhur! Ti gjatë natës faleshe, kurse në të zbardhur qaje. Mirëpo vdekje i afrohet secilit hap pas hapi. Eh, sikur ta dija: a do të më bashkojë mua me të dashurin (Pejgamber) jeta e pasme, ahireti?”
Omeri (r.a.) ndenji pak e qau. Pastaj trokiti në derë. Plaka pyeti se kush ishte.
“Omer bin Hattabi!” – Iu përgjigj ai.
“Ç’punë ka Omeri me mua, ç’kërkon në këtë orë?” – Pyeti plaka me dyshim.
“Për hir të Allahut, hape derën, mos ki frikë!” – I bëri zë Omeri. Dhe, pasi plaka ia hapi derën, Hz. Omeri i tha:
“Thuaje edhe një herë vjershën që e the pak më parë!” 
Plaka e tha vjershën sërish. Kur arriti te vargu i fundit, Omeri (r.a.) i tha:
“Të lutem të më merrni edhe mua mes jush!”
Dhe plaka e ndryshoi vjershën kështu:
“Eh, sikur ta dija: a do të na bashkojë ahireti mua, të dashurin tonë dhe Omerin? Allahu im që je falës i madh, fale Omerin!”
Dhe Omeri (r.a.) u kthye i kënaqur! (Ali el-Muttaki, XII, 562/35762)
Enesi (r.a.) thoshte dhe qante:
“Nuk ka natë që të mos e shoh në ëndërr të dashurin (Profetin) tim!” (Ibni Sa’d, VII, 20)
Ashtu siç vërehet në shprehjet gjer këtu, kur flisnin për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), sahabet përdornin shprehje të posaçme emocionante dhe entuziaste, si habibi, i dashuri, halili, miku, përmes së cilave shprehnin dashurinë e tyre të thellë.406 
Duke u lutur për paqe e mëshirë për të, ata tregonin dashurinë, afërsinë dhe besnikërinë e tyre ndaj atij Profeti të lartë. Por ata nuk e kujtonin vetëm me lutje për paqe e mëshirë, pra, ashtu siç thuhet, me salat dhe selam. Ata e kujtonin vazhdimish të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) duke ndjekur rrugën e tij, duke bërë sipas sunnetit të tij dhe duke diskutuar hadithet, porositë e tij.
Ebu Dheri (r.a.) thotë:
“Vallahi, duke shtegtuar për në ahiret, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na pati lënë në një gjendje të tillë që, po të përplaste një zog krahët në qiell, kjo lëvizje e zogut do të na sillte ndërmend një hadith të tij! Sepse Zotëria i Botëve na pati thënë: “Juve ju janë shpjeguar të gjitha gjërat që afrojnë në xhennet dhe largojnë prej xhehennemit!” (Ahmed, V, 153, 162; Hejsemi, VIII, 263)
Gjithashtu, të gjithë muslimanët e kanë për detyrë fetare ta duan të Dërguarin e Madh (s.a.s.) më shumë se çdo gjë tjetër dhe më shumë se çdokënd tjetër në botë, të parapëlqejnë urdhrat dhe ndalimet e Tij ndaj dëshirave të veta dhe të ndjekin të gjitha fjalët dhe veprimet e Tij!

PERSONALITETI SHEMBULLOR
Ndër krijesat, vetëm njeriut i është dhuruar nderi për të marrë pjesë nga tërësia e emrave hyjnorë të Allahut. Krahas kësaj, si domosdoshmëri e provës hyjnore, Zoti e ka pajisur njeriun me bazat e mëkatit dhe devocionit, i ka dhënë cilësinë për të qenë i përshtatshëm edhe për të mirën, edhe për të keqen.
Nga ky vështrim, synimi final i fesë është t’i zbresë në minimum gjer në asgjësim negativitetet subjektive te njeriu i pajisur, kështu, me shfaqje të kundërta, dhe, në kompensim, t’i lartësojë në kulm cilësitë e tij të larta e sublime. Ndërkaq, për realizimin e këtij synimi, njeriu ka nevojë për një shembull konkret, domethënë, për shembullin më të bukur, të emërtuar “usve-i hasene”, “personaliteti shembullor”. Njëra prej urtësive në dërgimin e profetëve është se ata gëzojnë cilësinë të jenë një personalitet shembullor i përkryer për t’u ndjekur nga njerëzit. Allahu i Lartë urdhëron:
وَمَا أَرْسَلْنَا مِنْ رَسُولٍ إِلاَّ لِيُطَاعَ بِإِذْنِ الله 
“Ne nuk e kemi dërguar asnjë profet me ndonjë qëllim tjetër përveçse për t’iu bindur me lejen e Allahut…” (en-Nisa, 64)
Kjo cilësi ka përbërë një kulm tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.), prandaj, Zoti ka urdhëruar kështu në ajetin kur’anor:
لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ الله أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِمَن كَانَ
يَرْجُو الله وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ الله كَثِيراً 
“Pa dyshim, te i Dërguari i Allahut është modeli më i përsosur për ju, për besimtarët që shpresojnë se do të arrijnë takimin me Allahun dhe ditën e ahiretit, dhe që e përmendin Allahun shumë!” (el-Ahzab, 21)
Në histori, Hz. Muhammed Mustafa (s.a.s.) është i vetmi profet dhe i vetmi njeri, tërë jeta e të cilit të jetë shënuar gjer në hollësitë më të imta. Duke iu shënuar çast pas çasti të gjitha aktet, fjalët dhe ndjenjat, ai ka kaluar në histori si një tabelë nderi. Jeta e tij është model për të gjithë brezat gjer në kiamet. Në suren Kalem të Kur’anit, për të thuhet kështu:
وَإِنَّكَ لَعَلٰى خُلُقٍ عَظِيمٍ
“Pa dyshim, ti je i krijuar mbi një moral të lartë!"407 (el-Kalem, 4)
Figura dhe personaliteti i bekuar i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), edhe vetëm me shfaqjet e tij të mundshme për t’u rrokur nga njohja njerëzore, përbën kulmin më të paarritshëm të spektrit të sjelljeve dhe reagimeve njerëzore, sepse Zoti ia dhuroi tërë njerëzimit atë qenie të bekuar si “krijim të përsosur”, domethënë, si modelin më të përkryer. Eshtë për këtë arsye që Zoti e kaloi atë nëpër të gjitha shkallët dhe nivelet e jetës duke nisur nga fëmijëria prej bonjaku si niveli më i ulët i gjendjes shoqërore përsa i përket dobësisë, pafuqisë dhe mjerimit, gjer në nivelin më të lartë përsa i përket fuqisë, kompetencës dhe autoritetit, në detyrën profetike dhe të udhëheqësit të shtetit, në mënyrë që kushdo, sipas nivelit të hierarkisë së gjendjes shoqërore-ekonomike ku ndodhet, të ketë mundësi ta marrë shembull atë si modelin më të përkryer të qëndrimit, sjelljes dhe reagimit në kushtet përkatëse, për ta realizuar atë model në përputhje me mundësitë e veta! Dhe kjo realizohet në raport me dashurinë e ndjerë për të dhe me mundësinë për t’u veshur me frymën e botës së tij shpirtërore.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) është shembull si udhëheqës fetar, është shembull si kryetar shteti, është shembull për ata që hyjnë në qerthullin e afërsisë dhe dashurisë hyjnore, është shembull me falenderimin dhe thjeshtësinë e tij kur “është mbytur” në mirësitë e Zotit!
Ai është shembull me durimin dhe dorëzimin te Zoti në kohët dhe kushtet e vështira, është shembull me shpirtmadhësinë dhe ndjenjën e ngopjes ndaj plaçkës së luftës, është shembull me dhembshurinë ndaj familjes, është shembull me mëshirën ndaj të dobtëve, të të vetmuarve dhe skllevërve, është shembull me ndjenjën e faljes dhe mirëkuptimit ndaj mëkatarëve. Prandaj:
Nëse ti je njeri i pasur që ke kapital, mendo për thjeshtësinë dhe bujarinë e atij profeti të lartë që zotëroi mbi tërë Gadishullin Arabik, që i bëri për vete të gjithë njerëzit e mëdhenj të kombit arab!
Nëse je njëri prej nënshtetasve të dobët, merr shembull prej jetës së Profetit që ka jetuar në Mekë nën regjimin e padrejtë dhe mizor të politeistëve!
Nëse je një fitimtar, merr shembull nga jeta e Profetit të guximit dhe nënshtrimit që  doli fitues mbi armiqtë në Bedr dhe Hunejn!
Dhe, nëse, Zoti mos e dhëntë, pëson humbje, edhe atëherë kujto Profetin e dorëzuar Zotit që përsillej me guxim dhe trimëri mes shokëve të rënë dëshmorë apo të shtrirë të plagosur në sheshin e luftës së Uhudit!
Nëse je mësues, mendo për Profetin që u mësonte shokëve të suffës urdhrat hyjnorë duke u përcjellë atyre frymëzimet e zemrës së vet të hollë e të ndjeshme!
Nëse je nxënës, përfytyro Profetin që rri para Xhebrail Eminit që i ka sjellë zbulesën!
Nëse je një predikues që jep këshilla ose një prijës i besueshëm, dëgjo Profetin që u spërkat urtësi shokëve të vet brenda Xhamisë Profetike dhe vërja veshin e jepja zemrën zërit të Tij të ëmbël.
Nëse kërkon ta mbrosh të vërtetën, ta kumtosh të vërtetën, ta kapësh të vërtetën e ta ngresh në këmbë dhe, për ta bërë këtë, nuk të ndodhet ndonjë ndihmës, shih e mëso nga jeta e Profetit që, tek ndodhej në Mekë pa asnjë lloj ndihme, ua shpalli mizorëve të vërtetën dhe i ftoi në rrugë të drejtë!
Nëse je një fitimtar që e ke thyer armikun, nëse e ke thyer inatin e kundërshtarit duke dalë epror mbi të, nëse e ke shkatërruar gënjeshtrën dhe e ke shpallur të vërtetën, mbaje të gjallë para syve Profetin i cili, ditën e fitores së Mekës, megjithëse ishte një komandant fitimtar, hynte aty me ndjenjë falenderimi, me një thjeshtësi të madhe, i përkulur mbi deve sikur po përkulej në sexhde! 
Nëse je pronar çifliku dhe kërkon t’i vësh në rrugë të mbarë punët e atyshme, merr si shembull Profetin i cili, pasi u bë pronar i tokave Beni Nadr, Hajber dhe Fedek, vuri në krye të punëve njerëzit që do t’i përmirësonin ato dhe do t’i administronin në rrugën më të mirë.
Nëse je njeri pa njeri, mendo për të pafajshmin, jetimin e vogël të Abdullait dhe Emines! 
Nëse je një i ri i rritur, shih me kujdes nga jeta e të riut-kandidat për profet që punon si çoban në Mekë!
Nëse je një tregtar që merr rrugën e tregtisë me karvane, kupto situatën e personit më të urtë të karvanit që shkon nga Siria në Busra!
Nëse je gjykatës, mendo zgjidhjen e tij të zgjuar e të drejtë për të vendosur Gurin e Zi në Qabe ndërsa të mëdhenjtë mekas janë gati ta vrasin njëri-tjetrin për këtë gjë!
Dhe, duke i kthyer sytë sërish nga historia, shih Profetin i cili, në Medinë, në Faltoren Profetike rri e, duke i trajtuar para vetes si të barabartë të varfërin me të pasurin, vendos mes njerëzve në formën më të drejtë!
Nëse je një bashkëshort, shih me kujdes karakterin e pastër të atij personi të bekuar, bashkëshort i Hz. Hatixhesë dhe Hz. Aishesë, botën ndjesore të thellë dhe dhembshurinë e tij, trajtimin me drejtësi të të gjitha bashkëshorteve!
Nëse je baba fëmijësh, shih mënyrën e sjelljes së tij ndaj vajzës Fatime e ndaj nipërve Hasan dhe Hysen!...
Kushdo që të jesh e në cilatdo kushte që të ndodhesh, mëngjes e mbrëmje e në çdo çast ke për ta gjetur Hz. Muhammedin (s.a.s.) si prijësin më të mirë dhe udhërrëfyesin më të drejtë!
Ai është një prijës i tillë, me anë të sunneteve, traditave, të të cilit mund të rregullosh çdo gabim, të vësh në udhë punët që të janë çrregulluar, të ringjallësh shpresën. Në sajë të dritës dhe udhëzimit të tij mund të shpëtosh nga pengesat e të arrish lumturinë!
Nëse dëshiron ta shpëtosh veten nga nënshtrimi ndaj lëndës materiale për të bërë një jetë shpirtërore, gjej Bilalët, Jasirët dhe Thevbanët e përgatitur prej Zotërisë së Botëve, bashkohu dhe lidhu me besabesë me ta që të kesh një zemër të ndjeshme, delikate, të njomë e të brishtë! Mos harro se njerëzit e periudhës pagane paraislamike të injorancës u vunë në rrugë të drejtë me provën konkrete të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe u fisnikëruan sepse i ndenjën rrotull Atij! Qeni Kitmir i Shokëve të Shpellës, madje, meritoi një favor aq të madh sepse mori pjesë nga afërsia dhe dashuria hyjnore e njerëzve besnikë! Në të kundërt, gruaja e Hz. Lutit dhe biri i Hz. Nuhut, Kenani, pësuan persekutimin hyjnor si rezultat i përzjerjes me mëkatarët dhe mizorët. Ata dhe të ngjashmit me ta u shkatërruan së bashku me mizorët duke u mbytur në vorbullat e nefsit, egos së vet!
Prandaj, përpiqu që kalendarin e jetës ta mbushësh bashkë me njerëzit e zikrit të cilët janë ashikët e mirë dhe besnikë të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), që të mos bëhesh ndër indiferentët!
Dhe ta dish se figura e tij ishte një trëndafilishte e stolisur me trëndafila të rrallë, delikatë dhe erëkëndshëm!
Ashtu si përkryerja e strukturës shpirtërore të veçantë të tij, edhe bukuria e strukturës fizike të trupit të tij ishte e pashoqe. Eshtë si rrjedhojë e kësaj vlere të lartë të tij, që Allahu i Lartë urdhëron:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُقَدِّمُوا بَيْنَ يَدَيِ الله وَرَسُولِهِ وَاتَّقُوا الله
إِنَّ الله سَمِيعٌ عَلِيمٌ  يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَرْفَعُوا أَصْوَاتَكُمْ
فَوْقَ صَوْتِ النَّبِيِّ وَلَا تَجْهَرُوا لَهُ بِالْقَوْلِ كَجَهْرِ بَعْضِكُمْ لِبَعْضٍ
أَنْ تَحْبَطَ أَعْمَالُكُمْ وَأَنْتُمْ لَا تَشْعُرُونَ 
"O ju që besuat! Mos dilni para Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kini frikë Allahun! Pa dyshim, Allahu dëgjon e di! O ju që besuat! Mos e ngrini zërin mbi zërin e Pejgamberit! Mos i thërrisni edhe Pejgamberit me zë të lartë siç i thërrisni njëri-tjetrit! Ndryshe, pa e kuptuar as ju vetë, punët ju shkojnë dëm!" (el-Huxhurat, 1-2)
Këto ajete i ftojnë të gjithë besimtarët për sjellje me edukatë dhe etikë ndaj Profetit (s.a.s.).
Kështu, në Kur’an, ndërsa profetët e tjerë përmenden me emra, atij nuk i është drejtuar asnjëherë “O Muhammed!”, por “O Nebi!”, “O Resul!”, ashtu që Zoti urdhëron kështu me qëllim që të gjithë besimtarët ta respektojnë këtë etikë:
لَا تَجْعَلُوا دُعَاءَ الرَّسُولِ بَيْنَكُمْ كَدُعَاءِ بَعْضِكُم بَعْضاً
“(O besimtarë!) Mos e thërrisni Resulin siç e thërrisni njëri-tjetrin!..” (en-Nur, 63)
Ky ajet kur’anor, duke e bërë të ditur se thirrja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) vetëm me emër nuk përshtatet me edukatën dhe etikën e ummetit, bashkësisë, shpreh se, së bashku me emrin, duhet të shqiptohen edhe cilësitë e tij të larta e të shenjta. Prandaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) duhet përmendur me atribute, si Profet (Nebi), i Dërguar (Resul), i Dërguar i Allahut (Resulullah), i Dashuri i Allahut (Habibullah), Krenari e Gjithësisë (Fahr-i Alem), i Dërguari i Madh (Resul-i Ekrem), veç kësaj, siç e kërkon dekreti hyjnor në ajetin 56 të sures Ahzab, sa herë që të përmendet emri i tij i nderuar, duhet të shoqërohet me salat dhe selam. Ky është një qëndrim etik ndaj Profetit (s.a.s.) që Zoti e dëshiron nga i gjithë ummeti. Në Kur’an urdhërohet:
إِنَّ الله وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ 
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيماً 
"Pa dyshim, Allahu dhe engjëjt i bëjnë shumë salat Profetit. O besimtarë, edhe ju bëjini salavat Atij dhe jepini selam me një nënshtrim të plotë!" (el-Ahzab, 56)408 
Ai nuk ishte një mësues që ua mësonte Kur'anin të tjerëve vetëm si fjalë! Në të njëjtën kohë, ai ishte një shembull i gjallë që e jetonte Kur'anin! Në një hadith profetik të rrëfyer nga Xhabiri (r.a.), Profeti (s.a.s.) ka porositur:
“Allahu – xhel’le xhelaluhu – më dërgoi mua për të plotësuar moralin e bukur! (Muvatta, Husnu’l-Huluk, 8)
Të gjitha veprat islame të shkruara qysh mëse 1400 vjet e këtej kanë pasur për synim shpjegimin e një libri, Kur’anit, dhe një njeriu, Profetit (s.a.s.). Vetëm mbi jetën e tij është betuar Allahu duke thënë: (Arapça metin) “Betohem në jetën tënde…” (el-Hixhr, 72)
Afrimi ndaj të Vërtetës Muhammediane është i mundur, më tepër se me mendje, me ndjenjën e afërsisë, dashurisë dhe pasionit ndaj tij. Të gjitha të fshehtat mund të zgjidhen me anë të së vërtetës muhammediane, gjë që, mund të arrihet duke marrë pjesë nga “personaliteti shembullor” i të Dërguarit të Allahut, duke u larguar nga kënaqësitë e botës frymore-egoistike për t’u bërë konfident i të fshehtave të adhurimit, devocionit dhe njohjes intuitive të Zotit. Pasi të nisë të marrë pjesë nga fryma e botës shpirtërore muhammediane, njeriu shndërrohet në ekspozitë hijeshish dhe model risish dhe para tij shtrohen të fshehtat, bukuritë dhe të vërtetat e shfaqjeve hyjnore.
Pa dyshim që të fshehta kur’anore zbulohen sipas enigmatikës së zemrës së mbështjellë me frymën e botës shpirtërore të të Dërguarit të Allahut, sepse, në lidhje me çështjen e ndjekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i cili është për ne i vetmi “personalitet shembullor”, Allahu i Lartë urdhëron kështu në Kur’an:
وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا
نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانتَهُوا وَاتَّقُوا الله إِنَّ الله شَدِيدُ الْعِقَابِ 
"Ç't'ju japë i Dërguari, atë merreni! Ç't'ju ketë ndaluar, nga ajo ruhuni dhe kini frikë Allahun, se ndëshkimi i Allahut është i fortë!" (el-Hashr, 7)
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا الله وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ
وَلَا تُبْطِلُوا أَعْمَالَكُمْ 
"O ju që besuat! Bindiuni Allahut dhe Pejgamberit që punët të mos ju shkojnë kot!" (Muhammed, 33)
وَمَن يُطِعِ الله وَالرَّسُولَ فَأُوْلَـئِكَ مَعَ الَّذِينَ أَنْعَمَ الله عَلَيْهِم
مِنَ النَّبِيِّينَ وَالصِّدِّيقِينَ وَالشُّهَدَاء وَالصَّالِحِينَ وَحَسُنَ
أُولَـئِكَ رَفِيقاً 
"Kush iu bindet Allahut dhe të Dërguarit, është bashkë me profetët, besnikët, dëshmorët dhe njerëzit e mirë të cilëve Allahu iu ka dhënë të mira! Ç'miq të mirë që janë ata!" (en-Nisa, 69)
قُلْ إِنْ كُنْْتُمْ تُحِبُّونَ الله فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ الله وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ 
وَاللّٰهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ. قُلْ أَطِيعُوا الله وَالرَّسُولَ
فَإِنْ تَوَلَّوْا فَإِنَّ الله لاَ يُحِبُّ الْكَافِرِينَ 
"(O i Dërguar!) Thuaju: "Nëse e doni Allahun, bindmuni mua që edhe Allahu t'ju dojë dhe t'jua falë mëkatet. Allahu është falës dhe mëshirues! (Prapë) Thuaju: "Bindiuni Allahut dhe të Dërguarit! Nëse kthejnë shpinën, pa dyshim Allahu nuk i do mohuesit!" (Al-i Imran, 31-32)
وَمَنْ يُطِعِ الله وَرَسُولَهُ وَيَخْشَ الله وَيَتَّقْهِ فَأُوْلَئِكَ هُمُ الْفَائِزُونَ
"Kush u bindet Allahut dhe të Dërguarit dhe, duke pasur frikë Allahun, ruhet prej Tij, ka arritur shpëtimin!" (en-Nur, 52)
وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاء بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ 
وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَيُقِيمُونَ الصَّلاَةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَيُطِيعُونَ الله
وَرَسُولَهُ أُوْلَـئِكَ سَيَرْحَمُهُمُ الله إِنَّ الله عَزِيزٌ حَكِيمٌ 
"Burrat besimtarë dhe gratë besimtare janë kujdestarë të njëri-tjetrit, urdhërojnë për mirë dhe ndalojnë të keqen, falin namazin, japin zeqatin dhe u binden Allahut dhe të Dërguarit. Ja, pra, Allahu ata do t'i mëshirojë! Pa dyshim, Allahu është sundues, i urtë!" (et-Tevbe, 71)
مَنْ يُطِعِ الرَّسُولَ فَقَدْ أَطَاعَ الله 
وَمَنْ تَوَلَّى فَمَا أَرْسَلْنَاكَ عَلَيْهِمْ حَفِيظاً 
"Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Dhe kush kthen shpinën, dije se Ne nuk të dërguam ty mbikqyrës mbi ta!" (en-Nisa, 80)
أَلَمْ يَعْلَمُوا أَنَّهُ مَنْ يُحَادِدِ الله وَرَسُولَهُ فَأَنَّ لَهُ نَارَ جَهَنَّمَ خَالِداً فِيهَا
ذَلِكَ الْخِزْيُ الْعَظِيمُ 
"A nuk e ditën se, po të ngrihen për t'u dalë kundër Allahut dhe të Dërguarit, për ta do të ketë zjarr xhehennemi ku do të mbeten gjithmonë? Ja, ky është ai poshtërimi i madh!" (et-Tevbe, 63)
وَأَطِيعُوا الله وَرَسُولَهُ وَلاَ تَنَازَعُوا فَتَفْشَلُوا وَتَذْهَبَ رِيحُكُمْ
وَاصْبِرُوا إِنَّ الله مَعَ الصَّابِرِينَ 
"Bindiuni Allahut dhe të Dërguarit e mos u vini kundër njëri-tjetrit! Ndryshe, ju zë frika dhe e humbni orientimin! Dhe duroni se Allahu është me të duruarit!" (el-Enfal, 46)
Pa dyshim që, kur, përballë dashurisë për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), besimtari ndjen rrëqethjet hyjnore dhe ndjenjat estetike dhe e zbraz shpirtin nga të gjitha vijat dhe pamjet subjektive-egoistike, ka hyrë në rrugën e marrjes pjesë nga dashuria dhe personaliteti i tij shembullor.
***
Njerëzit e zemrës të ummetit, të cilët, duke marrë pjesë nga personaliteti i bekuar i të Dërguarit të Allahut, janë shkrirë në qenien e tij, kanë shpalosur shembuj të bukur të dashurisë për të gjer në kiamet! Ata kanë gjetur jetë në të vërtetën e të Dërguarit të Allahut!
Heroi i madh i pasionit dhe ekstazës, Sejjid Ahmed Jesevi i cili, në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare, pasi gërmuar për vete një vend si varr për ta vazhduar aty jetën dhe adhurimin, pati thënë se “pas asaj moshe, për të ishte haram të ecte mbi tokë”, është njëri prej atyre që qe momentalizuar në rrugën e kësaj shkrirjeje. Tokat ku pati jetuar ai, qenë mbiquajtur për ogur të mbarë, “Hazreti Turkestan”.
Kur Vejsel Karaniu mori vesh se i Dërguari i Allahut kishte thyer një dhëmb në Uhud, meqë nuk e dinte cilin dhëmb kishte thyer, të gjithë dhëmbët e vet iu bënë të huaj dhe, atëherë, gjeti qetësi vetëm pasi i shkuli të gjithë dhëmbët duke e hedhur tutje peshën e atij dhëmbi të panjohur i cili do t’ia prishte enigmën e njësimit dhe shkrirjes në qenien e të Dërguarit të Allahut! (Feriduddin Attar, f. 23)
Imam Maliku (r.a.) jetoi duke u përpjekur të njësohej me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Në Medinë nuk shaloi asnjë kafshë. Nuk doli kurrë për kryerjen e nevojës brenda periferisë së zonës harem të Medinës. Përsa kohë qe imam në Ravza, gjithmonë me zë të ulët foli. Kur një radhë, kalifi i kohës, Ebu Xhafer Mansuri, foli me zë të lartë, ia tërhoqi vëmendjen me këto fjalë: "O kalif! Ule zërin në këtë mjedis!.." Dhe i këndoi këtë ajet:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَرْفَعُوا أَصْوَاتَكُمْ فَوْقَ صَوْتِ النَّبِيِّ 
وَلَا تَجْهَرُوا لَهُ بِالْقَوْلِ كَجَهْرِ بَعْضِكُمْ لِبَعْضٍ أَنْ تَحْبَطَ 
أَعْمَالُكُمْ وَأَنْتُمْ لَا تَشْعُرُونَ 
O ju që besuat! Mos e ngrini zërin mbi zërin e Pejgamberit! Mos i thërrisni edhe Pejgamberit me zë të lartë siç i thërrisni njëri-tjetrit! Ndryshe, pa e kuptuar as ju vetë, punët ju shkojnë dëm!" (el-Huxhurat, 2)
Gjithashtu, Imam Maliku e pati falur valiun e Medinës që i pati bërë padrejtësi, dhe pati thënë:
“Do të më vinte turp në ditën e ringjalljes dhe llogarisë nëse sot do të ngrija padi kundër një personi që është nipi i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)!”
***
Ja sa bukur i ka kënduar Bezmi Alem Valide Sulltan ndjenjës se ushqim të shpirtit ka vetëm dashurinë për të Dërguarin e Allahut:
Muhammedi nga dashuria doli në dritë;
Nga dashuria pa Muhammedin, ç’del në dritë?
Ashiku Junus e shpreh kështu përvëlimin nga dashuria për Profetin (s.a.s.):
Kërko e kërko, gjurmën ta gjetsha,
Në pluhurin e gjurmës tënde fytyrën e fshifsha,
Me dëshirë të Zotit, fytyrën ta pafsha;
Zemra të dëshiron, o Muhammed, Ty…
Në vitin 1678, poeti Nabi del në udhëtim për në haxh së bashku me burrat e shtetit. Kur karvani i afrohet Medinës, Nabiut i ikën gjumi. Natën, ndërsa të gjithë po flinin, ai vë re se një pasha kishte zgjatur pa dashje këmbën në drejtim të Medinës. I prekur nga kjo, Nabiu fillon të shkruajë një panegjirik.
Karvani zgjohet dhe niset për rrugë pa zbardhur. Pastaj, afër kohës së namazit të mëngjesit, kur karvani i afrohet Medinës, Nabiu dëgjon panegjirikun e tij të këndohej nga minaret e Faltores Profetike:
Kujdes sjelljen, shtëpia e të Dashurit të Zotit është këtu;
Vendvështrimi hyjnor, posti i Mustafait është këtu;
Me sjellje të bukur hyr Nabi në këtë seli;
Vend i shenjtë tavafi, prag i bekuar i puthjes është këtu…
Tejet i emocionuar përballë kësaj situate, Nabiu e gjen muezinin dhe e pyet:
“Nga kush dhe si e mësove këtë panegjirik?”
Dhe muezini i përgjigjet kështu:
“Sonte në ëndërr, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) më tha:
“Një poet me emrin Nabi nga ummeti im po vjen për të më bërë vizitë mua. Ai është i mbushur plot me dashuri dhe pasion ndaj meje, prandaj priteni me panegjirikun e vet nga minaret!..”
Dhe ne e çuam në vend këtë urdhër profetik!”
Nabiu fillon të qajë me ngashërime. Edhe qante, edhe thoshte:
“Domethënë, i Dërguari i Allahut më quajti ummet të tij! Domethënë, Dielli i Dy Botëve më pranoi ummet të tij!..”
***
Poeti i Mevludit, Sulejman Çelebi, me vargun e mëposhtëm, e shpreh bukur idenë se dielli i sillet rrotull si flutur të Dërguarit të Allahut, domethënë, se edhe trupat jo të gjallë janë të dashuruar pas tij:
Një bukuri e veçantë që dielli i sillet si flutur përreth…
Sulltan Sulejman Ligjvënësi që shkruante me pseudonimin Muhibbi, i lutet kështu Dritës së Qenies:
Dritë e Qenies sot dhe i Dashuri i Zotit je;
Ashikët nga porta asnjë çast mos i përze…
Hz. Aliu (r.a.) thotë:
“Në Mekë shëtisja me të Dërguarin e Allahut. Një ditë, dolëm së bashku jashtë Mekës. Çdo gur dhe dru para të cilit kalonim, filluan ta përshëndesin atë: “Salat dhe selam ty, o i Dërguari i Allahut!” (Tirmidhi, Menakib, 6/3626)
Një shfaqje tjetër e kësaj dashurie dhe e këtij pasioni të trupave jo të gjallë për të Dërguarin e Allahut është shpalosur kështu:
Gjatë një fushate, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia kumtoi tevhidin, besimin monoteist islam, një beduini që hasën në rrugë. Pas ftesës së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), beduini i kërkoi një provë të profetësisë së tij. Dhe Profeti (s.a.s.) ia bëri me shenjë një peme atje tej dhe e thirri. Pema nisi menjëherë të lëvizë nga vendi sipas urdhrit profetik dhe të afrohet tek ai duke e çarë tokën. Kur u ndodh para Profetit (s.a.s.), e përsëriti tri herë Fjalën e Dëshmisë dhe, pastaj, sërish me urdhrin profetik, u kthye në vend. Beduini që e soditi këtë mrekulli i mahnitur, duke u kthyer për tek fisi i vet, thoshte kështu:
“Po të më ndjekë fisi, do ta sjell tek ti, përndryshe, do të kthehem vetë dhe do të bashkohem me ty!” (Hejsemi, VIII, 292)
***
Jo vetëm trupat jo të gjallë, por edhe kafshët dhe qeniet e tjera e njihnin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe i bindeshin. Këtë specifikë, Xhabir bin Abdullah (r.a.) e tregon me këtë rrëfim:
“Po ktheheshim nga fushata së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Në Medinë, kur arritëm në bahçet e të Bijve Nexhar, mësuam se në njërën prej bahçeve ndodhej një deve e cila nuk linte asnjeri të futej brenda dhe që e sulmonte atë që përpiqej të hynte. Kur ia treguam çështjen Profetit (s.a.s.), Zotëria i Botëve shkoi në bahçe, hyri brenda dhe e thirri devenë e cila nuk linte asnjeri t’i afrohej. Kur ia dëgjoi zërin të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), deveja e uli kokën sa do t’i prekte buza në tokë, i shkoi pranë Profetit dhe u ul në tokë para tij. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na tha:
“Më sillni një kapistër!”
Kur ia sollën kapistrën, ia kaloi devesë për qafe dhe ia dorëzoi të zotit. Pastaj u tha kështu atyre që ndodheshin të pranishëm:
“Me përjashtim të xhindve dhe njerëzve kundërshtues, të gjitha qeniet që ndodhen në tokë e në qiell e dinë se unë jam i Dërguari i Allahut!” (Ahmed, III, 310)
Duhet ta mendojmë se, në krahasim me këtë dashuri të lartë të trupave jo të gjallë dhe kafshëve, sa i nënshtrohemi ne, njerëzit, të Dërguarit të Allahut, ç’sakrifica mundemi të bëjmë në rrugën e tij?
Veçanërisht në këto ditë, sa shumë nevojtarë jemi për frymën e botës shpirtërore të tij! Jemi në një kohë të trazuar që poeti e ka shprehur me këto fjalë: “Ngrihu, o zotëri i botëve se po shpërthen kiameti!..”409
Ç’burim i madh ngushëllimi është për ne përshëndetja me të, dashuria që kemi për të!..
Besimtarët e ndjeshëm me shpirt të hollë, duke e konsideruar përsjelljen si flutur rreth botës shpirtërore të të Dërguarit të Allahut dhe shkrirjen në udhën e tij me qëllim për t’iu afruar të vërtetës së tij, si dhuntinë më të madhe të kësaj bote, janë mbytur në kënaqësitë hyjnore…
***
Këto specifika të këtij krijimi të lartë që u përpoqëm t'i përmbledhim këtu me mundësitë e kufizuara të fjalëve, janë pika vese të Dritës së Qenies që pikojnë në njohjen tonë. E fshehta e qenies i bashkuari i Zotit është afrimi me zemër të kulluar ndaj librit të Allahut dhe sunnetit të çmuar të Dritës së Qenies, domethënë moralit dhe sjelljeve të tij të larta, është dashuri ndaj gjërave të dashura të Allahut dhe Profetit, urrejtje ndaj të kundërtave. Dallimi mes tyre është i pafund sikurse mes të mirës dhe të keqes. Motivi themelor i përfitimit nga bota ndjesore e të Dërguarit të Allahut është dashuri ndaj tij dhe urrejtje ndaj të kundërtës së tij!
Gjatë gjithë historisë, besimtarët e bekuar që kanë marrë pjesë nga modeli i bukur i Profetit (s.a.s.), i kanë ngjitur në kulm hapat përsosëse të besimit; duke i maturuar gëzimet e shenjta të natyrës së krijimit, janë bërë pishtarë të lartë për njerëzimin.
Ja, pra, ç'mund të përmblidhen në kapacitetin njohës të një autori të varfër lidhur me të vërtetën muhammediane dhe mes kuadrit të kufizuar të fjalëve që ai mundi t'i përdorë!..
Po e pohojmë se ato që mundën t'u ofrohen lexuesve të panjohur në trajtë fjalësh dhe mes dy kapakëve të kësaj vepre tejet modeste, janë në nivelin e disa pikëzave të marra nga oqeani. Me të vërtetë, këto shprehje ja tek u konsumuan para derës së shkëlqyer të një heshtjeje të pafund...
O Zot! Duke e bërë për ne pretekst mëshire dhe begatie këtë temë që patëm guximin ta trajtonim me mundësitë e kufizuara të fjalëve, na mundëso të mund të marrim pjesë nga e vërteta muhammediane! Dhe na bëj të merituarit e shefaatit të madh të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), burimit dhe elementit esencial të dashurisë dhe intimitetit!
Amin, ashtu qoftë!

EPILOG
Meqë Islami është një botëkuptim universal, është e natyrshme që të përmbajë parimet mbi të gjitha shkencat që rregullojnë sjelljet njerëzore, si e drejta juridike, moral-etika, ekonomia, etj. Ndërkaq, është e detyrueshme që këto parime të përmbajnë çdo çështje, nga më e thjeshta te më e përsosura, nga më konkretja te më abstraktja. Ndërsa një pjesë e këtyre parimeve islame janë çështje elementare dhe temporale që kanë të bëjnë me secilin, disa parime janë të vërteta që përmbajnë thellësi sublime, para të cilave do të mbeteshin të paafta edhe kapacitetet njohëse të nivelit të lartë! Kështu që, është e panevojshme të shpjegohet vështirësia e trajtimit dhe shqyrtimit të këtyre çështjeve, sidomos në formë libri që siguron komunikimin me bashkëbisedues të panjohur!
Në një aspekt, kjo punë do të thotë ta marrësh në sy të kacaviresh të përpjetave dhe të etesh në tatëpjeta. Eshtë jashtë çdo diskutimi se, edhe nëse përpjekja për t’i parashtruar këto të vërteta të ndërthurura dhe abstrakte me sa e lejojnë mundësitë e arsyes, diturisë dhe gjuhës, është bërë një preokupim i pamënjanueshëm për shumë njerëz, arritja këtu e një suksesi në plotëkuptimin e fjalës është e pamundur.
Nga ana tjetër, është gjithashtu një parim islam se, edhe nëse këto çështje e kapërcejnë fuqinë njerëzore, nuk mund të braktiset një gjë pse s’arrihet dot plotësisht, me fjalë të tjera, nuk duhet hequr dorë nga ajo çka është arritur. Ne presim që lexuesit tanë të respektuar, duke pasur konsideratën se edhe ne e kemi respektuar këtë parim, të na shohin të justifikuar për mangësitë në konceptimin dhe shpjegimin e çështjeve.
Veç kësaj, le ta pohojmë se ecuria dhe zhvillimi i njohjes dhe gjykimit njerëzor realizohen me anë të mbresave që marrim nga kjo botë. Prandaj, ashtu siç është e pamundur që, për të vërtetat abstrakte, vëzhgimi i të cilave në kuptim absolut është i pamundur, të mos bihet në gabim ose të mund të shpjegohen ato pa firo, ashtu dhe është e pamundur që e vërteta e Krenarisë së Gjithësisë (s.a.s.) si mrekulli krijimi, si dhe esenca kur’anore si shfaqje e përsosur e emrave hyjnorë, të mund të konceptohen dhe shpjegohen përsosmërisht me anë të fuqisë njerëzore. Kështu, përshkrimet e xhennetit, xhehennemit dhe të ngjashme janë shprehje sipas njohjes sonë të një cilësie, origjinali i së cilës ndodhet vetëm në dijen e Zotit. Konsideratat dhe vlerësimet e bëra me arsye dhe zemër të kulluar mbi të gjitha të vërtetat metafizike të fesë, janë të drejta, por të mangëta. Të drejta, sepse vetëm kaq është konceptimi dhe shpjegimi i tyre sipas mbresave të marra nga kjo botë; të mangëta, sepse ndryshimi mes cilësive të ngjashme të vëzhguara në këtë botë dhe cilësive që pandehim se kemi mundur t’i konceptojmë duke i përdorur ato mbi një bazë krahasuese, është i pafund në fuqi të dytë. Për të vërteta të tilla ka nevojë për mjete të tjera të përshtatshme për njohje e shpjegime, dhe mundësi të tjera. Për shembull, e ashtuquajtura “ru’jetullah”, “soditja e Allahut”… A mos nuk është e mangët shprehja brenda fjalës “ru’jet” (soditje) e kësaj cilësie që do të ndodhë për besimtarët në jetën e pasme, ahiret? Eshtë në mënyrë të pashpresë e mangët, mirëpo, për shpjegimin e saj është e domosdoshme!
Eshtë për këtë arsye që njerëzit nuk munden të marrin diçka më shumë se kapaciteti i enës që e kredhin në oqeanin e së vërtetës. Siç është e pamundur të mblidhet e futet deti në një gotë!.. Edhe gjuha është një enë, edhe truri është një enë, edhe syri, përsa u përket gjërave që mund të rrokë, është një enë, etj. Gjithkund kufizim, cak, pamundësi!
Zoti e përshkruan kështu në ajetin kur’anor madhështinë e tij të pamundur për t’u konceptuar me anë të njohjes njerëzore:

“Thuaju: “Edhe sikur deti të bëhet bojë për të shkruar fjalët e Zotit tim, dhe të shtohet edhe një herë po aq, deti do të mbarohej para se të mbaroheshin fjalët e Zotit tim!” (el-Kehf, 109)
Duhet menduar kështu: Përballë mbretërimit dhe madhështisë hyjnore të pafundme në fuqi të dytë, sa është vëllimi i enës njerëzore?
Nga ana tjetër, e vërteta s’ka për t’u kufizuar vetëm e vetëm për hir të dobësive të njohjes dhe shpjegimeve njerëzore!
Gjithashtu, nga ana tjetër, kuptimi që bart çdo fjalë mund të përcjellë një përmbajtje aq sa ç’është njohja e atij që e thotë atë fjalë. Mirëpo përmbajtja e disa koncepteve ka thellësi të pafundme. Për shembull, si Allah, gjithësi, shpirt… Ata që i përdorin këto koncepte në të folur ose në të shkruar, mund të zbresin vetëm gjer në thellësinë e njohjes së tyre. E njëjta gjë duhet të thuhet edhe për konsideratën e lexuesve.
Një pjesë e koncepteve me një thellësi të tillë përtej imagjinatës janë edhe emrat e bekuar të Profetit (s.a.s.). Prandaj edhe mbajmë shpresë në mëshirën e Zotit, edhe i lutemi Atij që të na e falë dobësinë tonë në përcjelljen e përmbajtjes së atyre emrave si dhe pamjaftueshmërinë e lexuesve tanë të vyer në konsideratën mbi gjërat e përcjella prej nesh.
Në këto kushte, jemi të detyruar që, duke ia lënë fjalën heshtjes e cila zotëron mundësinë më të gjerë për ta përmbajtur të vërtetën, ta mbyllim këtu diskutimin tonë…
Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbështillemi brenda frymës shpirtërore të Krenarisë së Gjithësisë (s.a.s.)! Allahu i Lartë është shpëtimtari i vetëm i të gjithë të pashpresëve!
Në oqeanin e dobësisë sonë: Na eja në ndihmë, o Zot!
Me ty, o i Dërguari i Allahut!
Arka kapak Yazısı
Vlera e Hz. Muhammedit (s.a.s.) te Zoti është aq e lartë, sa Ai, bindjen ndaj të Dashurit të Tij e ka quajtur bindje ndaj vetes, mosrespektimin më të vogël ndaj tij e ka bërë shkak për zhvlerësimin e adhurimeve dhe punëve të mira të personit dhe nderimin e tij e ka bërë provë të devocionit të zemrave! Komunikimin në mënyrë të papërshtatshme me të Dërguarin e Tij, Zoti e ka konsideruar si shenjë injorance të madhe. Ai ka shprehur se është e domosdoshme që, duke u lutur vazhdimisht për paqe e mëshirë për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), të mos e nxjerrim kurrë atë nga mendja e nga zemra! Madje, selamin, përshëndetjen ndaj Profetit në namaz, në çdo lutje Tahijjati, e ka bërë element përbërës të domosdoshëm të namazit.
Periudha e Medinës e Kryeprofetit me një vlerë kaq të lartë ka kaluar me vendosjen e fesë së Allahut. Parimet e larta që i kthejnë zemrat në parajsë, i ka ngritur si pallate të shkëlqyera mbi themele të palëkundshme. Në klimën e ndritshme që sendërtoi në Medinë, ai trëndafil trëndafilash është bërë gjer në fund të jetës udhëzuesi i bukurisë dhe drejtësisë dhe jeta e tij e nderuar ka kaluar në luftë e përpjekje kundër çdo lloj gabimi, të keqeje, terrori, dhune e padrejtësie. Kështu, ai ka lënë pas një fe si rrugën e vetme të shpëtimit dhe bashkimit hyjnor të përjetshëm për njerëzimin, një rrugë të drejtë, të cilësuar sirati mustakim, si dhe një brez shembullor si yje të qiellit të njerëzimit. Ç’lumturi për ata të cilët, duke e ndjekur në këtë botë gjurmën e të Dërguarit të Allahut duke ecur në atë siratin mustakim, domethënë, në rrugën e drejtë, do ta kapërcejnë siratin më të hollë se qimja në jetën e pasme, ahiret!..
Në këtë vepër të marrë në dorë me synimin për t’u bërë pretekst për një lumturi të tillë modeste, do të gjeni jetën shembullore të Kryeprofetit për të gjithë njerëzimin, delikatesat dhe thellësitë sublime të personalitetit të tij model, si dhe, nën dritën e ajeteve kur’anore, rrëfimet plot rryma shfaqjesh hyjnore! Ndërsa esencialisht gjuhët karakterizohen nga një dobësi absolute në përshkrimin e Tij, edhe shprehja e Tij në gjuhën tonë, si një pikë nga oqeani, i ngjan vesës që shtron mbi njohjen tonë…
Na merr nën strehë, o i Dërguari i Allahut!..
